• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEMORIE: Rugova: Kosova, në miqësi të përhershme me SHBA

January 21, 2017 by dgreca

-Në Kosovë, akademi përkujtimore dhe homazhe për Presidentin Historik Ibrahim Rugova në 11 vjetorin e shuarjes/

1 ok Rugova

-Presidenti historik Rugova në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar theksonte përcaktimin e gjithmonshëm e prej shumë vitesh për Kosovën e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA. “Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Presidenti historik Rugova/

-LAJM I VITIT 2006: PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË/

3 Behluli Rugova

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 21 Janar 2017/ Me një akademi në Prishtinë dhe me homazhe, në Kosovë u përkujtua sot në 11 vjetorin e shuarjes Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për shtet që para afër tre dekadave dhe që në fillimet e negociatave për staustin ishte shumë i prerë: “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”.Në akademinë e organizuar nga LDK, e cila po zhvillohet nga mesdita, u theksua se, si themelues i shtetit të Kosovës dhe arkitekt i pavarësisë, Presidenti historik  Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

1 Rugova Klinton

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova. Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para 23 viteve, referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990,  Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Edhë në intervista të tjera që kam zhvilluar nëpër vite, në dhjetor 2002, presidenti Rugova theksonte përcaktimin e gjithmonshëm e prej shumë vitesh për Kosovën e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA.

Ndërsa, i pyetur për paralajmërimet se në vitin 2003 do të fillonin negociatat për statusin, për pavarësinë e Kosovës, që do të njihet edhe ndërkombëtarisht, Presidenti Rugova në intervistë përgjigjej:

“Ka spekulime të ndryshme se do të fillojnë negociatat, pikëpamje të ndryshme. Këto i shoh si pozitive. Të gjithë po e shohin se kjo është një domosdoshmëri që duhet të bëhet. Por, unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastajerdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi. Pra, është një epokë e re tani në rajonin tonë, të Evropës Juglindore, ndoshta edhe për shumë perspektiva në Evropë, në plan ndërkombëtar.Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë, dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për zhvillim të përgjithshëm, ndërsa populli i Kosovës dhe rajoni përgjithësisht do të qetësoheshin”.“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i bashkësisë së kombeve të botës së lire”, theksonte Presidenti Rugova në një intervistën tjetër ekskluzive që kam zhvilluar në shkurt të vitit 2005.“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, deklaronte Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Presidenti historik Rugova.Ai vlerësonte se njohja e Pavarësisë së Kosovës do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, shprehej Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, theksonte Rugova dhe shtonte se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë”.
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, deklaronte Presidenti historik Rugova në intervistën e shkurtit 2005.
Këto intervista e të tjera ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova janë ribotuar në Gazetën DIELLI dhe do i përmbledhja në një libër të veçantë, duke përfshirë edhe shumë pyetjet që kam bërë e përgjigjet në konferencat për shtyp që mbante çdo javë Rugova e në raste tjera.Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë që e udhëhiqte që nga fillimi, në 23 dhjetor 2005, në rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës në deklaratën e fundit publike theksonte se, “objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës”.“Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.
Para 11 viteve, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në kryeqytet.

***

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës.

“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 11 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.

“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

LAJM I VITIT 2006: PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar.
“Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg.
“Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize.
Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
“Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.

Filed Under: Opinion Tagged With: me SHBA, NË MIQËSI TË PËRHERSHME, Rugova: Kosova

DR. IBRAHIM RUGOVA: KOSOVA NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHTETET E BASHKUARA

January 21, 2016 by dgreca

Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes/
Nga Frank Shkreli/
Ndonëse 21 Janari 2016 shënon dhjetëvjetorin e ndarjes nga kjo jetë të ikonës së pavarësisë dhe udhëheqësin e Dardanisë antike, Presidentin Ibrahim Rugova, prijësin e madh të kombit shqiptar dhe udhëheqësin e parë antikomunist në Evropën juglindore.
Deri në vdekje, Dr. Rugova mbeti mik i Shteteve të Bashkuara dhe i udhëheqësve të saj dhe antarëve të Kongresit të të dy partive kryesore të këtij vendi, qofshin ata republikanë apo demokratë. Prandaj nuk është për tu habitur që në ngushëllimet dërguar familjes Rugova dhe popullit të Kosovës, me rastin e vdekjes së të ndjerit Ibrahim Rugova, Presidenti i atëhershëm, George W Bush — në emër të popullit amerikan dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara –u shpreh se “Jam tepër i pikëlluar nga vdekja e Presidentit Rugova, i cili për shumë vjetë udhëhoqi fushatën për liri, paqë e demokraci në Kosovë. Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili njëkohsisht ka siguruar gjithashtu edhe respektin e mbarë botës, për qëndrimet e tij parimore kundër dhunës”. Duke shikuar nga e ardhëmja e Kosovës pa Presidentin Rugova, në mesazhin e tij të ngushëllimeve, udhëheqsi amerikan, ashtu siç kanë bërë edhe shumë zyrtarë amerikanë të niveleve të ndryshme gjatë viteve, ritheksoi atë që edhe sot është qendrimi zyrtar i Washingtonit se, “Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara që të bashkpunojnë me popullin e Kosovës, për të siguruar për të një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe e begatë.”
Ndërsa Sekretarja Amerikane e Shtetit, në kohën kur ndërroi jetë Presidenti Rugova, Condoleezza Rice në mesazhin e saj të ngushëllimeve, është shprehur se, “Madje edhe ndërkohë që ai luftonte sëmundjen që më në fund i mori jetën, Presidenti Rugova punoi për të siguruar unitetin në radhët e udhëheqsve të Kosovës dhe popullit të saj. Shtetet e Bashkuara kanë humbur sot një mik të madh, ndërsa populli i Kosovës ka humbur gjtihashtu një udhëheqës të madh”, ka theksuar Condoleezza Rice në mesazhin e saj dhjetë vjetë më par”. Kryediplomatja amerikane në atë kohë u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë së punuari me mbarë popullin e Kosovës për ndërtimin e një shoqërie bazuar në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe tolerancës, vlera që sipas saj, Presidenti Rugova i vlerësonte jashtzakonisht shumë.
Ai, siç është shprehur edhe Presidenti Bush, admirohej jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara por edhe nga e gjithë bota. Për cilin udhëheqës tjetër shqiptar mund të thuhet një gjë e tillë? Me një krenari atdhedashurie si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar i kohërave moderne, Presidenti Rugova me bashkëbiseduesit e tij, qofshin ata shqiptarë apo ndërkombëtarë, ofronte gjithmonë urtësinë, miqësinë e qëndresën, — vlera këto që gjatë shekujve kanë përbërë dhe kanë dalluar qenien shqiptare së bashku me besën, nderin e burrninë. Presidenti Rugova besonte se bota do të kishte respekt më të madh për ne shqiptarët në qoftë se u përmbahemi këtyre vlerave bazë të qenies arbënore. I frymëzuar nga këto virtyte, ai me durim, guxim e besim – filloi të rikthejë dinjitetin tonë kombëtar të nëpërkëmbur gjatë 50 vjetëve të fundit të shekullit të kaluar nga një ideologji krejt e huaj për qenien tonë. Me një ndërgjegje të thellë kombëtare, ai na vuri përsëri aty ku e kemi vendin, në radhë me popujt dhe aleancat perendimore. Fjala e jonë popullore thotë: “Burri i mirë me shokë shumë”. 10 vjetë më parë e humbëm Presidentin Rugova, por për hir të tij dhe vepërs së tij, Kosova dhe kombi shqiptar fituan shumë miq e dashamirës në të gjithë botën. Presidenti Rugova fliste pak, por jehona e mesazhit të tij u dëgjua anë e mbanë botës. Mesazhi i tij bëri që e gjithë bota të mësonte për hallet tona, dhe jo vetëm kaq. Mesazhi i Presidentit Rugova, sipas Bernard Kouchner, kryetarit të parë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e i cili e kishte takuar Rugovën për herë të parë në vitin 1991, ka qenë gjithmonë i njëjti, duke shtuar se, Ai ishte gjithmonë I qetë dhe kurrë nuk bërtiste” ka thënë Kouchner.
Presidenti Rugova bëri që e gjithë bota të jetë me shqiptarët. Siç ka thënë edhe Presidenti amerikan Bill Clinton – protagonisti kryesor i çlirimit të Kosovës – dhe i cili e kishte takuar Presidentin Rugova, se përsa i përkiste atij, “nuk kishte avokat që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij” se Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova i përket pra një grupi të vogël njerëzish, që me punën e tij për popullin e vet dhe për vlerat njerëzore, në të mirë të atdheut e të njerëzimit – lartësohen në atmosferat e universit — e që nuk mund të maten as nga koha e as nga hapësira. Në këtë 10-vjetor të ndarjes nga kjo jetë, Presidenti Rugova qëndron gjithnjë si një dëshmitar i punës dhe veprave të mëdha. Ndonëse sot është e lirë dhe e pavarur, Kosova, ndoshta si asnjëherë tjetër, ka nevojë për urtësi e fuqi mendore rugoviane dhe për frymëzim të vazhdueshëm për të dalë nga ngërçi politik që ka pllakosur vendin ashtuqë, Kosova dhe kombi shqiptar të kenë një të ardhme me ditë më të mira. I lutemi Zotit që në këtë përvjetor të kësaj humbjeje kaq të madhe, Kosova dhe udhëheqësit e saj të sotëshëm, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe duke pasur parasysh interesat e larta kombëtare – dhe duke lënë mënjanë ndryshimet politike dhe interesat ekonomike midis tyre, të shënojnë fitore të mëtejshme historike në avancimin e lirisë dhe demokracisë brenda vendit, por edhe njohje të mëtejshme në fushën ndërkombëtare, duke u frymëzuar nga kujtimi i Presidentit Rugova.
Si studiues i historisë dhe si atdhetar i vërtetë– që i dallonte mirë miqtë nga armiqtë e kombit shqiptar — Dr. Ibrahim Rugova, ishte i bindur se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të gjente miken dhe përkrahësen e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur ç’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Uilson e këtej. Ai ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës dhe njëkohësisht përforcoi edhe mëtej marrëdhënjet midis popullit amerikan dhe kombit shqiptar. Pas vizitës së tij të pare në New York dhe në Washington në vitin 1989, Kosova dhe kombi shqiptar kishin tani një zëdhënës ndryshe për hallet e veta. Ndonëse në rrethana shumë të vështira, ai ishte një zë i urtë që dëgjohej e respektohej nga të gjithë bashkëbiseduesit. Ishte një zë që fliste për të drejta të shqiptarëve në trojet e veta, për liri e demokraci për popullin e vet, dhe si asnjë person tjetër, siç ka thënë edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton, Dr. Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare edhe nga nga pikëpamja historike dhe njerëzore. Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të kombit shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar më në fund e ndëgjoi dhe filloi të interesohej për tragjedinë e Kosovës. Me urtësinë e tij të madhe, Dr. Ibrahim Rugova luftoi kundër pohimeve anti-shqiptare të të gjithë atyre që i paraqisnin shqiptarët si të egër, dhe si njerëz jo të zotët për vetqeverisje.
Si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar, ai kishte një vizion të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe për interesat kombëtare të shqiptarëve. David Binder, ish-korrespondent i gazetës New York Tajms i kishte thënë Zërit të Amerikës me rastin e vdekjes së Presidentit të Kosovës, se Ibrahim Rugova do mbahet mend për vendosmërinë e tij të palëkundur në promovimin e pavarësisë së Kosovës. “Ai zgjohej në mengjes duke predikuar pavarësinë e Kosovës dhe shkonte për të fjetur duke predikuar pavarësinë e Kosovës. Dhe sigurisht ai edhe endërronte për pavarësinë e Kosovës kur ishte në gjumë”, është shprehur për VOA-n ish korrespeondeti i New York Tajms
Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte kombi shqiptar për t’u radhitë ndershmërisht në radhën e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për në rrugën e bashkimit dhe integrimit të kombit shqiptar me vendet perëndimore. E respektoja për bindjen e tij se komunizmi qe rreziku më i madh që i kishte ndodhur kombit shqiptar në shekullin e 20-të, si dhe për faktin se besonte me ngulm se kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve. Ai nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione për një të ardhme më të mirë të kombit të vet duke i dhënë një emër të nderuar gjakut shqiptar. E respektova Dr. Rugovën se ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste si shumë nga ata të brezit të tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem. Në të vërtetë, këta janë ende ndër kundërshtarët më të fortë dhe përbuzësit më të mëdhej të Presidentit Rugova. E po të kishin këta kritikë të Ibrahim Rugovës të njëjtin respekt dhe tolerancë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë që ai kishte për ta, politika shqiptare do të ishte në një nivel më të lartë qytetërimi dhe nuk do ishte në shpellën ku gjëndet sot. Ndryshe nga këta, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuara me traditat dhe vlerat më të mira shekullore të kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se trimëria dhe pushka, natyrisht e kanë vendin dhe kohën e vet për t’u përdour në mbrojtje të interesave të kombit. Por me shëmbullin e tij, ai gjithashtu tregoi dhe e la trashëgimi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet gjithashtu – në bashkpunim dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara, siç preferonte të deklarohej shpesh — duke i ruajtur nderin emërit shqiptar në botë, një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën dhe sidomos për politikanët e sotshëm në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Këjo është trashëgimia dhe porosia e Presidentit Ibrahim Rugova në 10-vjetorin e vdekjes!

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA: KOSOVA, Frank shkreli, ME SHTETET E BASHKUARA, NË MIQËSI TË PËRHERSHME

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT