• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SENATI AMERIKAN RATIFIKOI ANTARËSIMIN E MALIT TË ZI NË NATO

March 29, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Me vota dërmuese, Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikoi të martën e kësaj jave, anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut Perëndimor, NATO.  Vota 92 në favor dhe 2 kundër shikohet nga ekspertët si një shënjë e qartë e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, jo vetëm që është kundër ndërhyrjeve dhe influencës së Moskës në Evropën lindore dhe Jug-lindore, por edhe se është gati të bëjë diçka në lidhje me përpjekjet e Moskës për të futur hundët në këtë pjesë të Evropës.  Pastaj traktati i miratuar nga Senati do t’i dërgohet Presidentit Trump, i cili pritet që ta nënshkruaj, pasi këshilltarët e tij të ngushtë — përfshirë Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson dhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis — kanë shprehur, kohët e fundit, mbështetjen e tyre të fortë për pranimin e Malit të Zi si anëtar të Aleancës ushtarake NATO.   Disa media amerikane njoftojnë se në një letër që Z. Tillerson u ka dërguar kohët e fundit udhëheqësve të Senatit të Shteteve të Bashkuara, krye diplomati amerikan është shprehur se anëtarësimi i Malit të Zi në aleancën perëndimore ndihmon integrimin më të madh rajonal, si dhe reformat demokratike, tregtinë dhe stabilitetin në radhët e vendeve fqinje.  Sekretari Tillerson, në letrën e tij dërguar udhëheqsve të Senatit ka thënë se antarësimi i Malit të Zi në aleancën Perëndimore, “Është pa asnjë dyshim në interesin e Shteteve të Bashkuara”.  Ata kanë ngulë këmbë që miratimi i antarësimit të Malit të Zi të bëhej përpara mbledhjes së nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet me 25 maj në Bruksel e ku, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, pritet që Presidenti Trump të shpreh angazhimin e tij të fortë ndaj aleancës së NATO-s.   Kjo masë pret tani mbështetjen e plotë të 28-vendeve të NATO-s dhe të parlamentit malazias.  Sipas lajmeve, Spanja mbetet tani për tani, vendi i vetëm që nuk e ka aprovuar ende anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, por që pritet të bëjë një gjë të tillë së shpejti.

Në mbështetje të miratimit për të pranuar Malin e Zi në NATO folën një numër senatorësh.  Senatori republikan dhe kryetari i Komisionit Senatit që merret me Forcat e Armatosura, Xhon Mëkejn, sipas Zërit të Amerikës, u tha kolegëve të tij se, ”Kemi të bëjmë me diçka më tepër se me pranimin ose jo në NATO të një vendi të vogël prej 650-mij banorësh. Kjo është një provë në garën në të cilën jemi angazhuar me Presidentin rus Vladimir Putin”, u shpreh Senatori Mëkejn.  Ndërsa Senatori demokrat i shtetit Maryland, njëkohësisht edhe demokrati kryesor në Komisionin e Jashtëm të Senatit,  Ben Cardin, ka thënë se, “Antarësimi i Malit të Zi në NATO do të rritë sigurinë tonë, do të përforcojë aleancën dhe njëkohësisht do t’i dërgojë Rusisë një mesazh të fortë vendosmërie”, nga ana e Perëndimit. Ndërkohë që Senatori republikan i Karolinës së Jugut dhe njëri prej ekspertëve të Kongresit për politikën e jashtëme, Lindsi Graham — duke folur në favor të anëtarësimit të Podgoricës në NATO — tha se, “Mali i Zi po përpiqet të bëjë çdo gjë që urren Putini.  Aleancat e demokracive janë tmerri më i madh i tij”, u shpreh senatori republikan.  Në një  raport të Komisionit të Senatit mbi Punët e Jashtme, bashkangjitur rezolutës për ratifikimin e antarsimit të Malit të Zi në NATO, thuhet se, “Një sulm kundër Malit të Zi, ose destabilizimi i tij si përfundim i subersioneve nga jashtë do të kërcënonte stabilitetin në Evropë dhe do të rrezikonte interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.”

Ndërkaq, Rusia e cila dyshohet për përpjekje të një grusht-shteti fund vitin e kaluar në Mal të Zi, vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Podgoricës në NATO, duke e quajtur atë si një “provokim”.  Podgorica zyrtare ka bërë akuzën se kishte zbuluar një komplot për ndërhyrje me dhunë në procesin elektoral të vendit, me qëllim të rrëzimit të qeverisë për ta zëvendësuar atë me një administratë besnike ndaj Moskës, madje ka lëshuar akuzën edhe për përpjekje për të vrarë kryeministrin e vendit.  Mediat malazeze kanë njoftuar se komplotistët u kanë thënë hetuesve të shtetit malazez se në  përpjekjet për destabilizimin politik të Malit të Zi, ata kishin ndihmën e zyrtarëve rusë.

Siç dihet, Mali i Zi siguroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, por në atë vend ka një komunitet të konsiderueshëm serb, i cili tradicionalisht ka qenë dhe vazhdon të jetë besnik ndaj interesave ruse në Mal të Zi dhe në rajon.  Si i tillë – dhe në përputhje me politikën e Moskës – ashtu siç ishte kundër pavarësisë, nuk është për t’u çuditur se edhe tani komuniteti serb në atë vend, po kundërshton gjithashtu edhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Pa dyshim, se anëtarësimi i Podgoricës në NATO do bëjë që Mali i Zi të jetë më afër me strukturat politike, të mbrojtjes, të sigurisë dhe ato ekonomike me vendet e Evropës Perëndimore, por njëkohësisht do të thellojë edhe më shumë mosbesimin rus ndaj aleancës perëndimore, zgjerimi i të cilës drejtë lindjes ka zemëruar për së tepërmi Moskën zyrtare. Ndërkohë që Senati amerikan votoi në mënyrë dërmuese në favor të antarësimit të Malit të Zi në NATO, Rusia sikur donte të dërgonte mesazhin se mbetet gjithnjë e angazhuar në ushtrimin e influencës së saj politike dhe ushtarake në Ballkan, priti në fillim të javës në një vizitë zyrtare në Moskë Kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiqin.

Besoj se ashtu siç është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, antarësimi në NATO i Malit të Zi, si një vend që kufizohet me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Kosovës, është edhe në interesin e dy shteteve shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithsi, por njëkohsisht edhe në favor të paqës dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.  Nënkuptohet vetvetiu se nëqoftse Beogradi dhe Moska janë kundër një gjëje të tillë, atëherë s’do mend se antarësimi i Podgoricës në NATO është  jo vetëm në interesin e vet Malit të Zi, por edhe në interesin e përgjithshëm të paqës, pavarësisë dhe integritetit për të gjitha shtetet e rajonit dhe të mbarë Evropës.  Ekspertët besojnë se një Mal i Zi i pavarur nga Serbia dhe anëtar i aleancës ushtarake të NATO-s – megjithë problemet e shumta me të cilat përballet komuniteti shqiptar atje – është gjithashtu edhe në interesin e shqiptarëve nën Malin e Zi, që Podgorica të jetë e lidhur politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, me aleancat perëndimore, euro-atlantike ushtarako-politike, e jo me Moskën dhe me Beogradin.

Filed Under: Opinion Tagged With: e Malit të Zi?, Frank shkreli, në NATO…., SENATI MERIKAN RATIFIKOI ANTARËSIMIN

Sekretari Tillerson kërkon pranimin të shpejtë të Malit të Zi në NATO

March 22, 2017 by dgreca

Secretary of State Rex Tillerson makes a statement on issues related to visas and travel, Monday, March 6, 2017, from the U.S. Customs and Border Protection office in Washington. (AP Photo/Susan Walsh)

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, u shkroi udhëheqësve të Senatit të Shteteve të Bashkuara, duke u bërë thirrje që të votojnë pro antarësimit të Malit të Zi në NATO, duke thënë se një gjë e tillë është “në interesin e Shteteve të Bashkuara”.Në një letër të datës 7 mars, që agjencia Reuters thotë se e ka parë të martën, Sekretari Tillerson argumenton se anëtarësimi i Malit të Zi në këtë aleancë do të mbështesë integrim më të madh, reforma demokratike, tregti, siguri dhe qëndrueshmëri në mesin e fqinjëve të vet.Moska kundërshton çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe vonesa e Amerikës në miratimin e anëtarësimit të Malit të Zi, ka nxitur pikëpyetje lidhur me vullnetin e administratës së presidentit Donald Trump dhe partisë së tij republikane për t’iu kundërvënë Rusisë, pavarësisht dëshirës së presidentit Trump për marrëdhënie më të mira.Kjo letër shfaqet në kohën kur ka tërhequr vëmendje marrëdhëniea e sekretarit të ri të shtetit me aleancën.Reuters raportoi të hënën se Sekretari Tillerson nuk do të marrë pjesë në një takim me ministrat e jashtëm të NATO-s muajin e ardhshëm, pasi do të ndodhet në Uashington për të pritur presidentin e Kinës, si dhe është duke planifikuar një vizitë në Rusi që do të zhvillohet më pas, po në muajin prill.Të martën, administrata propozoi data të reja për këtë mbledhje, e cila ishte caktuar për 5 dhe 6 prill në Bruksel.

Mali i Zi, një republikë ish-jugosllave me një popullsi prej 650 mijë banorësh, shpreson të fitojë me kohë miratimin e nevojshëm nga të gjithë 28 aleatët e NATO-s për t’u bërë një anëtar i plotë gjatë një samiti në muajin maj. Deri në fillim të këtij muaji, 24 anëtarë e kanë miratuar anëtarësimin e Malit të Zi. Anëtarët e NATO-s e shohin pranimin e Malit të Zi si një mënyrë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë që të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan.Kundërshtimet nga të paktën dy senatorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, kanë bllokuar votimin e shpejtë nga i gjithë senati në SHBA për disa muaj dhe udhëheqësit e Senatit nuk kanë planifikuar një votim të ri.Senatori Paul ka vënë në pikëpyetje maturinë e një akti që zemëron Rusinë dhe u shoqërohet për Uashingtonin me koston e përballimit të anëtarësimit për një vend të vogël, që nuk mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit të shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, dhe udhëheqësit të demokratëve në këtë dhomë, Chuck Schumer, Sekretari Tillerson ka thënë se do të ishte “jashtëzakonisht e dobishme”, nëse Senati planifikon një votim për të përfunduar procedurat e ratifikimit, para se presidenti Trump të shkojë në takimin e lartë të NATO-s në muajin maj.”Pjesëmarrja e Malit të Zi në takimin e NATO-s në muajin maj si anëtar i barabartë dhe jo si vëzhgues, do të dërgojë një sinjal të fortë të unitetit transatlantik”, ka shtuar Tillerson.”Është fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara që anëtarësimi i Malit të Zi në NATO të ratifikohet”, shkruan ai.Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO tashmë është miratuar nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan.(VOA)

 

Filed Under: Politike Tagged With: në NATO…., Sekretari Tillerson kërkon pranimin të shpejtë, TË MALIT TË ZI

Ceremoni festive për 7 vjetorin e anëtarësimit në NATO

April 4, 2016 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

Plot para 7 vitesh, në sajë të punës, përpjekjeve, mundit e sakrificës së popullit shqiptar, ushtarakëve shqiptarë, diasporës shqiptare në SHBA e perëndim, u bë e mundur realizimi i ëndrrës dhjetra vjecare për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të fuqishme ushtarake-politike në botë, NATO.  Anëtarësimi në këtë aleancë po i shërben forcimit të demokracisë, paqes e sigurisë në Ballkan e më gjerë, ndërsa kontributi i NATO-s për clirimin e popullit shqiptar të Kosovës është një ngjarje madhore për kombin shqiptar, për të cilën ne duhet ti jemi përjetë mirënjohës. Në derim dhe respekt të kësaj dite të shënuar për ushtrinë dhe popullin shqiptar, në sheshin “Nënë Tereza” u zhvillua sot paradite një ceremoni e veçantë, ku ishin të pranishëm, ushtarakë, qytetarë, diplomat, politikanë, etj. Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, Ministri i Brendshëm z. Sajmir Tahiri, ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj, Ambasadori i SHBA në Tiranë, Shkëlqesia e Tij Zoti Donald Lu, atashe ushtarak të akredituar në vendin tonë, deputetë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Gjeneralë, ish – ministra të Mbrojtjes, Drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, Punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu ishin të pranishëm efektiva të reparteve të ndryshme të FA bashkë me pjesë nga pajisjet, aparaturat dhe armatimi në përdorim. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Bashkisë Tiranë, zoti Erion Veliaj, më pas Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, të cilët evidentuan rëndësinë e anëtarësimit me të drejta të plota të vendit tonë në NATO dhe vlerat e aleancës për paqen dhe sigurinë në botë. Ata falenderuan partnerët perëndimorë vecmas SHBA në integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike dhe zgjidhjen e ceshtjes kombëtare. Ndërkohë, Ministrja e Mbrojtjes znj.Mimi Kodheli, në fjalën e mbajtur me këtë rast, pasi vlerësoi rrugën e vendit drejt NATO tha se, Shqipëria gjeneron paqe, siguri dhe stabilitet. “Jemi mbledhur të gjithë bashkë për të festuar përvjetorin e 7 të anëtarësimit, që na jep mundësinë për të reflektuar për rrugën e bërë nga Shqipëria dhe rëndësinë e NATO. Sot, po festojmë një nga arritjet më të mëdha për sigurinë e vendit. Jemi të pranishëm me misione që nga viti 2002 duke ju bashkuar koalicionit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit. Ne kemi dhe dëshmorët tanë në këto operacione, kapiten Voglin, sakrificë që na bën të përulemi para ushtarakëve”, – u shpreh ndër të tjera ministrja Kodheli.
Më tej, ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, duke vënë theksin në pasigurinë në rajon, theksoi rëndësinë e anëtrësimit të Malit të Zi dhe Kosovës në aleancë. Ajo  u shpreh se, Shqipëria ka marë një rol primar me donacionet ushtarake. “Qeveria shqiptare – nënvizoi ministrja Kodheli, – ka bërë shumë reformë në modernizimin e Forcave të Armatosura. Falënderoj për këtë rrugëtim, qeveritë e SHBA, Turqisë, Italisë, Greqisë, Gjermanisë dhe Britanisë. Falënderim për të gjithë ata që e kanë bërë të mundur anëtarësimin në NATO, falënderoj Forcat e Armatosura, administratën shqiptare dhe shoqërinë.”, theksoi znj.Kodheli. Në vijim personalitetet politiko-ushtarake vizituan këndet e ngritura enkas nga cdo repart ushtarake për të prezantuar misionin dhe detyrat që zgjidh në kuadër të FA shqiptare dhe aleancës. Po ashtu aparaturat, mjetet, armatimet dhe pajisjet e reja të Forcave të Armatosura u panë nga dhjetra qytetarë të cilët ishin kureshtarë për teknikën e re që ka në përdorim Ushtria jonë. Si ish ushtarak më vjen keq që kjo datë e shënuar në historinë e kombit shqiptar, përkujtohet përsëri e ndarë, vec pozita, vec opozita.

Shtroj pyetjen?-Kur do vijë ajo ditë, që ngjarje të tilla unikale, që kanë të bëjnë me të ardhmen e kombit tonë, të festohen së bashku nga politikanët tanë, se qytetarët dhe ushtarakët e thjeshtë, e kanë kaluar tashmë këtë fazë?!!!

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ceremoni festive për 7 vjetorin, e anëtarësimit, në NATO…., Shefqet Kercelli

Mesazh i kreut te opozites me rastin e 7-vjetorit të anëtarësimit në NATO

April 4, 2016 by dgreca

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me rastin e 67-vjetorit të themelimit të NATO-s dhe 7-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë aleancë, u ka dërguar shqiptarëve dhe aleatëve të vendit tonë një mesazh. “Në këtë ditë të shënuar për të gjithë vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, deshiroj të uroj mbarë shqiptaret për përvjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast ju shpreh të gjitha vendeve anëtare dhe veçanërisht aleatit tonë strategjik, SHBA mirënjohjen më të thellë të mbarë shqiptarëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë, para, gjatë dhe pas anëtarësimit. Si kryetar i PD-së shpreh krenarinë legjitime që në 8 vjet qeverisje kemi udhëhequr një proces historik reformash në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, që u finalizuan me anëtarësimin në NATO (prill 2009), dhe me përmbushjen e angazhimeve teknike të antërarësimit (shtator 2013)”, lexohet në mesazhin e Bashës. Më tej, Basha kritikon qeverinë aktuale: “Dua të nënvizoj pa asnjë mëdyshje se PD i konsideron çështjet strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes si tërësisht përtej interesave politike të ditës. Në këtë kontekst, shpreh shqetësimin por edhe angazhimin tim se do te bëjmë gjithçka të mundur për të ndalur prishjen e balancave kushtetuese; arrogancën e paprecedentë politike; mungesën e konsensusit; shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të mbrojtje; uljen drastike të buxhetit me 50%, politizimin ekstrem të FA, dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në fundin e listës së vendeve të NATO-s – ku fatkeqësisht e kanë katandisur pseudo reformat e dështuara në këtë fushë. Është për të ardhur keq që standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tre vite veçanërisht në fushën e mbrojtjes, ku jo vetëm kemi rënie të buxhetit nga 2 përqind që është kërkesë e Aleancës në 0.87 % të GDP, por ku paratë e shqiptarëve shpërdorohen në mënyrë skandaloze për luks zyrash, apo vidhen me tendera të korruptuar, siç ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit”. ”Politizimi, shkarkimet e padrejta dhe emërimet korruptive e klienteliste kanë sjellë si rezultat rënie të gatishmërisë së forcave tona të armatosura, trafikun me avionë të drogës, rikthimin e skafeve dhe cënimin e sigurisë kombëtare”, shtoi Basha.

Filed Under: Komente Tagged With: i kreut te opozites me rastin e 7-vjetorit, mesazh, në NATO…., të anëtarësimit

2014-ta/ Përvjetori i 5- të i anëtarësimit në NATO….

January 2, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Vti që lamë pas shënoi dhe përvjetorin e 5-të të anëtarësimit në NATO të vendit tonë. Me këtë rast shkon një urim dhe nderim për atë cka bënë shqiptarët në vite derisa arritën në këtë pranim historik, në aleancën më të sukseshme e jetë gjatë në botë. Nderim dhe respekt për popullin shqiptar, që pamvarësisht diktaturës së egër shumëvjecare e ruajti në shpirt dhe mendje dëshirën për tu anëtarësuar në aleancën VeriAtlantike, si aleanca më e suksesshme në historinë botërore, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në periudha të vështira të destabilitetit dhe pasigurisë në vende e rajone të ndyshme të botës. Për shqiptarët, paqja është e shenjtë dhe populli ynë e ka cmuar atë në shekuj. Ndaj populli ynë mbas viteve ’90, në masën mbi 90% , më shumë se popujt e tjerë, e shihte dhe e sheh këtë aleancë si garanten e paqes në botë. Si rezultat i bindjes së popullit tonë në vlerat e aleancës, Shqipëria ishte nga vendet e para që u bë pjesë aktive e iniciativës së Partneritetit për Paqe {PfP}, pamvarësisht vështirësive ekonomike, resurseve të kufizuara dhe brishtësisë së institucioneve demokratike që po kalon dhe aktualisht, në këtë periudhë të stërgjatur tranzicioni. Më në fund Samiti i Bukureshtit i 2 Prillit 2009, përligji ëndrën thuajse 50 vjecare të popullit shqiptar, që tashmë është i ndërgjegjshëm për të fituar kohën e humbur në rrugën e tij të integrimit në shoqërinë moderne, nëpërmjet përfshirjes e angazhimit në strukturat e sigurisë Euroatlantike. Nderim dhe respekt për marinarët tanë civilë dhe ushtarakë që me veprimet e bindjet e tyre, herë fshehurazi dhe herë haptazi, zgjuan ndërgjegjen e qytetarëve për të vërtetën e aleancës dhe rolin e saj në shërbim të paqes. Madje si marinarët e thjeshtë ashtu dhe drejtuesit e tyre mbas viteve ’80, në masë të madhe i shikonin veprimet e diktaturës kundër aleancës si qesharake. Ndërsa kryenin detyrën të bindur verbërisht, në mentalitet e zemër admironin aleancën. Po ashtu, detarët tanë pamvarësisht se i binin deteve dhe oqeaneve kryq e tërthor, nuk krijuan asnjë incident me anijet e NATO-s e Flotave të SHBA kudo në botë.
Nderim dhe respekt për të gjithë ish të burgosurit e të persektuarit politikë, që pamvarësisht kalvarit e vuajtjeve pafund në birucat e diktaturës, mbajtën gjallë ëndrrën se dikur Shqipëria do jetë pjesë e Aleancës. Nderim dhe respekt për shqiptarët e diasporës që me përpjekje të shumëllojëshme përkrahën anëtarësimin e vendit tonë në NATO, madje shumë prej tyre kanë qenë ushtarakë të aleancës që në krijimin e saj, por si shtetas të tjerë. Nderim dhe respekt për omeraxhatorët e porteve tona, që me dashamirësi pritën pandolat e lidhën cimat e anijeve të NATO-s, duke lehtësuar e siguruar bregëzimin e tyre në portet tona. Nderim dhe respekt për kuadrot tanë detarë, të cilët më 4 dhjetor 1992, nënshkruan për herë të parë marëveshjen e bashkëpunimit me NATO-n, për embargon ndaj ishJugosllavisë, dokumenti i parë historik i bashkëpunimit me aleancën, pamvarësisht se ne nuk ishim vend anëtar. Nderim dhe respekt për ekuipazhet e 2 cifteve Katër Silurues{KS} dhe 3 kuadrateve të marinarëve, që në pranverën e vitit 1993, pritën bujarisht e me ceremonial të përsosur ushtarak, Sekretarin e Përgjitshëm të NATO-s, Shkëlqesinë e Tij, z.Manfred Vërner dhe Komandantin e NATO-s, Gjeneral me 4 yje, Vinsent. Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët shqiptarë, marinarë, gjitharmësh dhe ajrorë, që morën pjesë në stërvitjen e parë të përbashkët paqeruajtëse SAR-EX-01, me marinsat e Flotën e SHBA, që shënon dhe ballafaqimin e parë miqësor ushtarak me ushtarakët e NATO-s, mbas gjysëm shekulli Lufte të Ftohtë. Nderim dhe respekt për të gjithë qytetarët shqiptarë, nga Durrësi në Vlorë, nga Saranda në Shëngjin, nga Kavaja në Shkodër e Tiranë, gjithandej Jug-Veri, Lindje-Perëndim, që në fillim vitet ’90, u ngritën mbi konservatorizimin e kohës dhe bujarisht zbatuan traditën e sofrës e besës shqiptare për mikun e parë, që në këto raste ishin ushtarakët e NATO-s. Nderim dhe respekt për Forcat tona të Armatosura, që në këto vite kanë qenë pjesë përbërëse e operacioneve dhe aktiviteteve kryesore të NATO-s, madje duke dhënë dhe dëshmorët e parë, si kapiten Feti Vogli, një hero i përbashkët i popullit shqiptar dhe alenacës. Ndërkohë pjesmarja e FA Shqiptare në veprimtaritë e Aleancës Atlantike dhe vendet partnere të saj është një përvojë e shkëlqyer dhe tepër e dobishme, që tregon se ne ndajmë vlera të përbashkëta me NATO-n, njëkohësisht jemi në gjëndje që këto vlera ti vemë në funksion të paqes e sigurisë. Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët e liruar dhe në pension, që me dhimbje, maturi e pjekuri përkrahën proceset demokratike në vend, si dhe reformat e ndërmara në kuadrin e reformimit e transformimit të FA. Nderim dhe respekt për korpusin e rinj të ushtarakëve shqiptarë që me përkushtim e profesionalizëm po punon për të realizuar standartet e kërkuara nga aleanca për FA shqiptare. Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët shqiptarë që në këtë moment janë pjesë e misioneve të përbashkëta me aleancën, duke lartësuar emrin, flamurin, nderin dhe krenarinë e vendit të shqiponjave. Nderim dhe respekt për popujt e vendeve të aleancës që me mjete politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, ndihmuan për zgjidhjen e cështjes së shqiptarëve të Kosovës në vecanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi, duke i dhënë frymëmarjen e munguar në shekuj kombit shqiptar. Nderim dhe respekt për popullin amerikan, për ushtrinë amerikane, me të cilët miqësia dhe bashkëpunimi shekullor ka qënë tepër domethënës dhe i dobishëm, sepse ka reflektuar paqe, begati, siguri dhe stabilitet për kombin shqiptar, ashtu sic ëndërronin rilindasit tanë. Gati 60 -vjet më vonë mbas Evropës, SHBA i dhuruan kombit shqiptar një plan Marshall tepër të vecantë, që po e ndihmon atë të kapërcejë me sukses sfidat gjeopolitike të mijëvjecarit të ri, në kohë dhe hapësirë. Prania e SHBA në rajonin tonë është pjesë e pandarë e procesit të sigurisë dhe i shërben paqes e stabilitetit në rajon e Evropë. Ndaj ne shqiptarët, për këtë, duhet ti jemi mirënjohës popullit amerikan në jetë të jetëve. Nderim dhe respekt për të gjithë gazetarët e mediat tona, të cilët gjatë këtyre viteve, me vërtetësi e realizëm, kanë përcjellë aktivitetet e përbashkëta të FA e shtetit shqiptar me vendet e aleancës.
Së fundmi, nderim dhe respekt për të gjithë shqiptarët që e festuan 2 prillin, 5 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, së bashku, në datën e caktuar, në vendin e duhur, pa paragjykimet shumëvjecare që na kanë shkaktuar humbje brezash.

Filed Under: Histori Tagged With: 2014-ta/ Përvjetori i 5- të, i anëtarësimit, në NATO…., Shefqet Kercelli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT