• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Turpi i votës në OKB është i qeverisë, nuk është i shqiptarëve

December 22, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Shqipëria votoi mbrëmë kundër vendimit të presidentit amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta e paraqitur nga Turqia dhe Jemeni mori shumicën e votave, dy të tretat në Asamblenë e Përgjithshme. Por pati edhe vota pro SHBA-ve dhe vendimit të Tramp si dhe abstenime. Ambasadori shqiptar as votoi pro SHBA-ve, as abstenoi. Ai votoi kundër. Kundër SHBAV-ve, kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve, pro Lindjes, pro Erdogan, pro Vladimir Putin, pro Kinës, pro Iranit, pro Bashar Al Sadat.

Ky është një skandal diplomatik dhe politik. Eshtë papërgjegjshmëri që shkon në kufijtë e tradhëtisë kombëtare. Eshtë rrjedhojë e një mentaliteti dhe kulisave të bashkëpunimit lindor të qeverisë shqiptare. Eshtë pasqyrë e trashëgimisë politike dhe diplomatike të periudhës së diktaturës komuniste. Eshtë mendjelehtësi dhe pasojë e miqësive personale të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me Erdogan aleat të Putinnit. Eshtë një votë që dëmton rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve. Eshtë shprehje e urrejtjes së Edi Ramës për angazhimin e SHBA-ve në Kosovë për çlirimin e saj. Si e tillë është vote për Serbinë. Eshtë hakmarrje e Edi Ramës për atë që Amerika bëri, duke e pranuar Shqipërinë në NATO. Eshtë pasojë e luftës personale që Edi Rama ka me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Eshtë pasojë dhe shërbim që kryeministri i Shqipërisë i bën Georg Soros dhe ideologjisë së majtizmit ekstrem e shkatërrues sorosian për fatin e kombit shqiptar! Eshtë pasojë e djemve të bllokut komunist që drejtojnë diplomacinë dhe politikën e Tiranës zyrtare.

Kosova është distancuar nga ky vendim dhe qëndrim i Tiranës. Kosova do të duhet që këtë qëndrim ta dënojë më ashpër, duke paralajmëruar kushtëzimin e marrëdhënieve të saj me Tiranën, me atë çfarë Tirana zyrtare e çdo qeverie realizon në partneritet strategjik me SHBA-të. Kosova duhet të bëjë me dije me vepra se distancohet nga Edi Rama dhe institucionet e saj duhet të reagojnë zyrtarisht me notë protestë.

Shqipëria dhe shqiptarët po largohen nga aleanca e ngushtë nga Amerika. Ata që nuk pajtohen me këtë zhvillim, ikin e kërkojnë azil politik dhe ekonomik në Europë.Edhe nëse do të viheshin në rrezik marrëdhëniet me Bashkimin Europian për shkak të një marrëdhënieie të ngushtë, speciale e strategjike, të përhershme dhe të pakushtëzuar me SHBA-të, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët duhet të zgjedhin Amerikën para Europës. Vërtet jetojmë në Europë, por jetojmë në një Europë që historikisht dhe gjithashtu në ditët e sotme na diskriminon në pikëpamje gjeopolitike. Ndryshe nuk do të hezitonin pesë vende të BE-së për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Ndryshe nuk do të bllokohej Kosova në integrimet europiane dhe liberalizimin e vizave. Sa kohë që Europa, përkatësisht BE, nuk detyron Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën dhe Qipron të njohin Kosovën, aq kohë Brukseli ose qarqe të caktuara në Bruksel duan ta mbajnë peng integrimin e Kosovës.

Nuk ndodh kjo me SHBA-të. Edi Rama zgjodhi Erdoganin dhe përmes tij Vladimir Putin, mbështetësin kryesor të palestinezëve, Iranit, Sirisë etj, me qëllim që të japë një sinjal të qartë të aleancës së tij me Lindjen. Kjo i duhet për shkak të ruajtjes së pushtetit të tij absolut e të dhunshëm në politikat e brendshme Si të tilla, për të njëjtat arësye i ndërtonte marërdhëniet e tij me vendet e lindjes edhe diktatori Hoxha, gjithnjë në liftë me Perendimin. .

Ne duhet ta përjetojmë këtë akt antishqiptar si tragjedi, por jo pa rrugëdalje. Kjo që ndodhi mbrëmë duhet të na bëjë të vetëdijshëm se sa të rrezikuar jemi nga vetëvetja, nga drejtimi dhe qevevrisja lindore e instaluar në Tiranë. Askush nuk duhet të ketë dyshim për këtë. Shqiptarët duhet të kuptojnë më në fund se Lindja do na mbajë të përçarë, të ndarë, të prapambetur dhe të përbuzur në mesin e kombeve të tjera. Nëse vazhdojmë ta lejojmë Edi Ramën apo këdo tjetër të na përdorë si kavie eksperimentale lindore, atëherë do të pësojmë fatin e sizifit. Kurrë nuk do ta nxjerrim gurin në majë të kodrës, kurrë nuk do të bëhemi komb i zhvilluar dhe i përparuar, kurrë nuk do të kemi prosperitet dhe zhvillim. Do të mbetemi lindorë jo vetëm në koncept, mentalitet, por edhe si njerëz. Do të mbetemi qytetarë të botës së tretë e të dorës së dytë. Tamam siç na duan Rusia, Serbia dhe qendra të tjera antishqiptare në Europë. Edi Rama mbrëmë dëshmoi se i përket kësaj kategorie udhëhqësish. Duke kundërshtuar SHBA-të, ai ka vene një gur të rëndë në shpinën e shqiptarëve, i ka dhënë përparësi turpit, në vend se të respektojë vlera të tilla si mirënjohja, respekti dhe mbi të gjitha interesat e kombit të tij. Ai respektoi më shumë interesat e pushtetit të Erdogan e të Vladimir Putin, sesa interesat e shqiptarëve.

Shqipëria e ka vendin në krah të SHBA-ve. Presidenti Amerikan është përfaqësuesi i shtetit amerikan. Nuk mund të vihet Georg Soros dhe interesat e tij përpara interesave të SHBA-ve dhe gjithashtu përpara interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë e të Kosovës.

 

Tiranë, 22.12.2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, ne OKB, Turpi i votes kunder

Veseli falenderon ambasadoren amerikane në OKB Nikki Haley

February 25, 2017 by dgreca

Kosovë-Kryeparlamenatri Veseli i shkruan letër falënderuese ambasadores së SHBA-së në OKB /1-Haley-per-Kosoven-300x169

-Ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley ka deklaruar ditë më parë se Republika e Kosovës e ka vendin e saj në Kombet e Bashkuara. Kjo deklaratë ka ardhur disa ditë pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh Kadri Veseli, është takuar në Washington me presidentin e ri të SHBA-së Donald Trump, i cili i ka dhënë mbështetje të plotë Republikës së Kosovës/

PRISHTINË, 25 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar një letër Përfaqesueses së Përhershme të SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, ambasadores Nikki Haley, për ta falënderuar për angazhimin e saj për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB.

Kryeparlamentari Veseli e ka siguruar ambasadoren amerikane se Republika e Kosovës do të vazhdojë punën në rrugën e integrimeve në organizata ndërkombëtare dhe është krenare për miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”Është kënaqësi për mua që ju shkruaj, për t’ju dhënë falënderime dhe mirënjohje të sinqertë në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për deklaratën e juaj të fuqishme, për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkaua. Ne jemi krenarë për progresin që kemi bërë brenda një kohe të shkurtër pas shpalljes së pavarësisë dhe angazhohemi që të vazhdojmë këtë progres në bashkëpunim me Shtetet e Bashkauara të Amerikës dhe Organizatën e Kombeve të Bashkauara. Republika e Kosovës është krenare që është aleat i përjetshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është shumë mirënjohëse për miqësinë me ju”, ka shkruar Veseli.

Ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley ka deklaruar ditë më parë se Republika e Kosovës e ka vendin e saj në Kombet e Bashkuara.

Kjo deklaratë ka ardhur disa ditë pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh Kadri Veseli, është takuar në Washington me presidentin e ri të SHBA-së Donald Trump, i cili i ka dhënë mbështetje të plotë Republikës së Kosovës./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: ambasadoren amerikane, ne OKB, Nikki Haley, Veseli falenderon

Veprimtaritë e Presidentit NISHANI më Nju Jork, 22 Shtator

September 22, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani dhe Zonja Nishani morën pjesë në pritjen e dhënë nga Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Michelle Obama/

1-nishani-obama

Presidenti Nishani merr pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim/

22 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në kuadër të 30-Vjetorit të Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim, që u hap nga Sekretari Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve Kreu i Shtetit shqiptar theksoi mes të tjerash që: “Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.”

Presidenti Nishani duke nënvizuar rëndësinë e së Drejtës për Zhvillim, vuri në dukje se ajo përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë dhe se Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani:

“I nderuar President i Asamblesë së Përgjithshme, zoti Peter Thompson,

Lartësia Juaj, Princ Zaid Ra’ad Al Hysein,

Zonja dhe zotërinj!

Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar t’i drejtohem sot para jush këtij segmenti të nivelit kaq të lartë për të përkujtuar 30-vjetorin e Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim.

Shpallja e të Drejtës për Zhvillim si e drejtë e patjetërsueshme e njeriut sipas së cilës të gjithë njerëzit kanë të drejtë të marrin pjesë e të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik në të cilin të gjitha të drejtat themelore të njeriut dhe liria mund të përmbushen plotësisht, është një parim sa njerëzor aq dhe universal, i cili duke theksuar me përparësi mirëqenien e individit, e angazhon me më shumë përgjegjësi politikëbërjen e vendeve tona.

Viti 2016 shënon 30-vjetorin e Deklaratës që mundëson çdokënd të gëzojë të drejtën për të qenë pjesëmarrës e për të kontribuuar në zhvillimet botërore. Megjithatë ende është shumë i madh numri i fëmijëve, burrave e grave, aktorë dhe faktorë të zhvillimit, që jetojnë çdo ditë me nevojën e madhe të realizimit të të drejtës së tyre për dinjitet, liri, barazi shansesh, çka përkthehet direkt në përballimin e një sërë sfidash bashkëkohore dhe mbrojtjen e një numri të drejtash civile, politike, ekonomike, sociale e kulturore.

Shqipëria ka qenë e gatshme për të plotësuar angazhimet që rrodhën nga nënshkrimi i Deklaratës së Mijëvjeçarit. Institucionet shtetërore shqiptare janë të përfshira në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke e reflektuar këtë angazhim në miratimin e një agjende zhvillimi, në “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020”, si dokument i rëndësishëm që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.

Gjithashtu, vendi im është i angazhuar dhe jep një kontribut të qenësishëm në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale. Shqipëria nxit seriozisht procesin e bashkëpunimit rajonal duke qenë pjesëtare aktive në të gjitha nismat që veprojnë në rajonin e Evropës Juglindore. Ne besojmë se ky angazhim i shërben jo vetëm promovimit të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit midis vendeve të rajonit, por edhe zhvillimit të vendeve tona, si rrjedhojë përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.

Ne besojmë se sfidat aktuale me të cilat përballemi sot, si: lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, korrupsionit, etj., mund të përballohen vetëm duke forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve tona.

Ndaj dhe e Drejta për Zhvillim përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë.

Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.

Duke përfituar nga rasti i kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme plenare, urojmë suksese në vijimësi për të paraqitur dhe ndarë bashkërisht praktikat më të mira, përvojën e vyer, ide dhe sugjerime të vlefshme se si mund të zhvillojmë më tej përparimin e ta masim atë në vazhdimësi.

Ju falemnderit!”/

Kreu i Shtetit shqiptar takohet me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC), Ronald Lauder

22 shtator 2016, Nju-Jork

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua dhe zhvilloi disa takime pune me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC) dhe delegacionin që e shoqëronte, me përfaqësues të organizatës hebreje B’Nai B’rith, si dhe me themeluesin dhe drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore, Dr. Gregory Lafitte.

Zoti Lauder dhe anëtarët e tjerë të KBH-së e falënderuan Presidentin Nishani për qëndrimin që vendi ynë ka mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke vlerësuar Shqipërinë si një vend miqësor ndaj hebrenjve dhe Izraelit.

Duke vënë në dukje se mes kombit shqiptar dhe atij hebre ekzistojnë një miqësi dhe partneritet i veçantë historik dhe vlera e parime të përbashkëta, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së errët të Holokaustit, Presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë si me Shtetin e Izraelit, ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thellohen e të zgjerohen edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike.

Duke pasur parasysh burimet e shumta e të pasura natyrore, klimën dhe pozicionin gjeografik të favorshëm, legjislacionin lehtësues, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti Lauder ndanë bindjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve izraelitë dhe atyre hebreo-amerikanë duhet të jenë më të pranishme dhe në rritje me projekte konkrete në Shqipëri për vetë potencialet dhe mundësitë e mëdha që vendi ynë ajo ofron në fusha si turizmi, hoteleria, bujqësia, etj.

Drejtuesi Gary Saltzman dhe anëtarët e tjerë të Organizatës B’Nai B’rith, e cila shquhet për rolin e saj në mbrojtjen dhe avokacinë e hebrenjve dhe Izraelit, vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin mbresëlënës që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit.

Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se ky shembull pozitiv historik i shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë, sepse duke pasur parasysh sfidat dhe rreziqet e terrorizmit, të ekstremizmit e të antisemitizmit në ditët e sotme, ai shpëtim i rrallë, së bashku me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, mbeten shumë aktuale dhe frymëzuese edhe në ditët e sotme.

Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka hasur një jehonë të gjerë edhe përtej kufijve të kontinentit evropian e më gjerë, i çmoi këto takime si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, u shpreh se duhet: “Të ruajmë kulturën, identitetin, civilizimin dhe vlerat e përbashkëta që po kërcënohen seriozisht nga terrorizmi, ekstremizmi i verbër dhe urrejtja”.

“Kjo përvojë pozitive si dhe miqësia e konsoliduar historike i ka forcuar më shumë marrëdhëniet e gjithanshme mes popujve tanë, por edhe mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

Ndërsa në takimin me Dr. Gregory Lafitte, drejtuesin e Forumit për Diplomacinë Kulturore Kryetari i Shtetit shqiptar vërejti se gjesti fisnik i shqiptarve në shpëtim dhe strehim të hebrenjve si dhe modeli unik i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë, mund të shërbejnë jo vetëm si shembuj për të rritur imazhin e Shqipërisë, por edhe si mjete efektive për diplomacinë kulturore në përpjekjet e saj të luftës kundër mungesës së tolerancës dhe ekstremizmit, si dhe për shkëmbimin e kulturave dhe trashëgimisë së vyer për brezat e ardhshëm.

Presidenti Nishani ndau me bashkëbiseduesit gjatë këtyre takimeve pikëpamjen e përbashkët se mbështetja aktive e Kongresit Botëror Hebraik dhe organizatave të tjera të ngjashme hebreje në Izrael, Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, padyshim që do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Presidenti Nishani depozitoi pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për Klimën/

22 shtator 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, mori pjesë në ceremoninë e Nivelit të Lartë për Hyrjen në Fuqi të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, si dhe i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm, krahas shumë krerëve të tjerë të shteteve, instrumentin e ratifikimit të kësaj marrëveshje nga Shqipëria, e cila ka si objektiv luftën kundër ndryshimeve klimatike, si dhe rakordimin e veprimeve dhe investimeve drejt një të ardhme me karbon të ulët, të qëndrueshme dhe përmirësim të aftësive ripërtëritëse.

Marrëveshja u nënshkrua nga pala shqiptare, më 22.4.2016, në Nju Jork dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më 14.07.2016.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 22 Shtator, Ban Kee Moon, bujar nishani, ne OKB, Obama, Takimet e Presidentit

THIRRJA E KRYEMINISTRIT RAMA NE OKB

October 2, 2015 by dgreca

Rama thirrje Kombeve të Bashkuara për njohjen e pavarësisë së Kosovës: Kjo vlen shumë edhe për Serbinë/

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara që vëndet të bashkohen e të krijojnë së bashku një kartë të përbashkët arsimore për të rinjtë.Ai gjithashtu bëri thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e OKB-së, që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, teksa pasqyroi edhe zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit si dhe disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama, duke folur për një botë që nuk është më bardh e zi, por gri, propozoi krijimin e një karte globale për arsimin e të rinjve në mënyrë që në të ardhmen, të ketë më shumë tolerancë dhe mirëkuptim mes vendeve dhe komuniteteve të ndryshme.

Ai tha, se përmes kësaj karte mund të frymëzojmë të rinjtë që të duan më shumë paqen dhe zhvillimin dhe t’i largohen konflikteve.“Vende të vogla e të mëdha të bëhen bashkë dhe të ecin drejt zhvillimit. Kjo nuk mund të fshijë përçarjet, por nëse u tregojmë të rinjvee rrugën e duhur, ata do ta ndërmarrin atë”, tha Rama.Ai nënvizoi se Shqipëria do të përfshijë një kartë të tillë në sistemin arsimor.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij, apeloi që vëndet pjesë e OKB-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë atë.big_km_okb_lajm

Sipas tij, kjo vlen shumë edhe për Serbinë. “Pas vitesh me luftëra e konflikte, vitin e kaluar nuk drejtuam armët ndaj dritareve të fqinjve, por u takuam me ta”, theksoi Rama.

Ai vuri në dukje rëndësinë se forcimi i paqes në rajon vjen përmes njohjes së Kosovës. “Një veprim jetik në forcimin e paqes në rajon do të ishte njohja e Kosovës. Më lejoni t’u them vendeve të OKB-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, të njohin pavarësinë e Kosovës se kjo është në ndihmë të paqes dhe stabilitetit të rajonit, do të largojnë frikën dhe nuk do të shohin më nga e kaluara. Njohja e Kosovës nga të gjitha vendet e Asamblesë së Përgjithshme do të jetë një gjë e mirë edhe për Serbinë”, vijoi Rama.

Bashkëjetesa fetare ishte një pikë tjetër e qasur nga Kryeministri Rama në fjalën e tij. “Jemi shumë krenar që vendi ynë është simbol i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare”, tha Rama, duke kujtuar dhe vizitën e Papa Françeskut në Tiranë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshëm Kombeve të Bashkuara:

Një vit më parë, Papa Françesku filloi vizitat e tij në Europë nga Shqipëria. 

Ne pamë javën e kaluar, këtu në Amerikë, shpresën dhe gëzimin që ai mund t’i sjellë vendit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë.

Imagjinoni gëzimin që ai solli tek ne dhe për më tepër kur lëvdoi Shqipërinë duke thënë se ne ishim dëshmia “se bashkëjetesa e frytshme dhe paqësore midis njerëzve dhe komuniteteve që i përkasin besimeve të ndryshme është jo vetëm e dobishme, por është konkretisht e mundur dhe realitet.”

Ne jemi me të drejtë krenarë për këtë trashëgimi që na bën të jemi, sipas fjalëve të Papa Françeskut, një përvojë e gjallë e vëllazërisë fetare, në një kohë kur ekstremizmi fetar, dhuna dhe terrorizmi janë duke shkaktuar vuajtje të parrëfyeshme.

Rama ne OKBDhuna dhe ekstremizmi kanë detyruar masa të mëdha njerëzish të shpërngulen, të cilat të kujtojnë Eksodin e kohëve biblike. Me mijëra fëmijë, gra dhe burra që vijnë në pragun e shtëpive tona në Ballkan, për të kërkuar siguri dhe mbrojtje në Europë.

Sikurse, ndoshta e dini, konflikti dhe dhuna me bazë etnike nuk janë të huaja për ne në Ballkan.

Megjithatë sot, ne si rajon mund të guxojmë më në fund të shikojmë të ardhmen me shpresë dhe të tregojmë se një tjetër mënyrë për të shkuar përpara është e mundur.

Për herë të parë vitin e kaluar, pas njëqind vitesh konfliktesh dhe konfrontimesh të ngrira ose aktive në Ballkan, armët nuk u drejtuan më kundër asnjë dritareje fqinji. Pas një shekulli të shënjuar nga konflikti, më në fund patëm një vit bashkëpunimi për ta bërë paqen e arritur, një paqe të denjë për t’u jetuar.

Bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, një shtet i ri që kontribuon për stabilitetin në rajon, kanë bërë të mundur që të dy vendet të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për një sërë çështjesh dhe për të mirën e popujve të tyre.

Dhe më lejoni t’ju bëj thirrje këtu, të gjithë atyre midis jush që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për ta bërë këtë. Duke e njohur Kosovën, japin një kontribut të drejtpërdrejtë për forcimin e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit në një rajon që vitin e kaluar u shndërrua në një histori të rëndësishme suksesi i shpresave dhe ëndrrave të së ardhmes, që mbizotërojnë mbi frikën dhe ankthet e së kaluarës.

Njohja e plotë e Kosovës nga të gjitha kombet e kësaj Asambleje do të jetë diçka e mirë edhe për Serbinë.

Vjet, unë isha i pari Kryeministër shqiptar që vizitoi Beogradin, pas 68 vjetësh.

Nga Samiti i Vjenës për Ballkanin në gusht të 2015-ës, rajoni ynë është duke zhvilluar me sukses një sërë bashkëpunimesh, përfshirë atë në fushën e shkëmbimeve rinore, të promovuar nga Shqipëria dhe Serbia, të frymëzuar nga modeli i shkëmbimeve rinore mes Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ne jemi duke u përqendruar tek kjo në mënyrë në veçanti, sepse është thelbësore për t’i edukuar të rinjtë tanë atë çfarë historia na ka mësuar: Është më mirë të vlerësojmë dallimet tona dhe jo t’i luftojmë ato; të mësojnë nga e kaluara jonë jo dhe jo të jetojmë në të, pavarësisht vendit, gjuhës, ngjyrës, fesë dhe besimit.

Zonja dhe zotërinj,

Organizata e Kombeve të Bashkuara është angazhuar në një komunikim të paprecedent me qindra dhe mijëra të rinj. Ajo ka zhvilluar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke marrë parasysh shpresat dhe pritshmërinë e tyre.

Ndërkohë që ne përforcojmë zotimin tonë për të arritur këto objektiva, le t’i vendosim të rinjtë në qendër të kësaj axhende.

Vende, të mëdha dhe të vegjël, të mblidhemi së bashku dhe të fillojmë procesin e zhvillimit të një Karte Globale, e cila të vendosë në qendër të saj arsimimin e të rinjve tanë dhe vendosmërinë për të ofruar një të ardhme më të mirë për ta.

Në Shqipëri do të ndërmarrim një reformë që do të përfshijë në programin shkollor një Kartë të këtyre vlerave. Gjithashtu jemi duke punuar fort për të çuar përpara një sërë reformash të rëndësishme, duke përfshirë atë në arsim, në administratën publike, në energji, zhvillimin ekonomik, drejtësi dhe luftën kundër krimit.

Shqipëria është e gatshme për të qenë pjesë e një ekipi global, i cili do të takohet këtë dhjetor në Paris, për të vendosur mbi masat për mbrojtjen e mjedisit në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe qëllimet e marrëveshjes ndërkombëtare INDC.

Kjo ngjarje e paprecedentë do të jetë efektive nëse, ashtu sikurse në një skuadër të madhe, gjithsecili do luajë rolin e vet.

Megjithatë, në një epokë të mbushur nga sfidat e mëdha siç janë ndryshimi i klimës, ekstremizmi i dhunshëm, varfëria, pabarazia, korrupsioni dhe trafiqet e paligjshme, le të sigurojmë mbi të gjitha të ardhmen, duke u mësuar të rinjve vlerat e tolerancës, respektit dhe mirëkuptimit, pavarësisht vendit, gjuhës, ngjyrës, fesë dhe besimit.

Zonja dhe zotërinj,

Përpara se të bëhesha politikan, unë kam qenë artist. Në fakt, çdo ditë më pëlqen ende të marr një laps, një stilolaps ose një penel, qoftë edhe për disa minuta dhe të vizatoj, shkarravis, ose të pikturoj.

Të gjithë ne jemi duke u përpjekur të pikturojmë tablonë tonë të madhe, me mënyrat tona të ndryshme, të përcaktojmë një vizion të qartë dhe të punojmë në atë drejtim. Nëse bota do ishte një pikturë, sot ajo do të ishte më shumë gri sesa bardhë e zi. Ka pak gjëra të sigurta dhe aty do të kishte shumë penelata të ndritshme dhe të forta ngjyrash që paralajmërojnë për shumë rreziqe, shumë kërcënime.

Por këtu, në këtë vend, ka vlera dhe parime që mund të vlejnë për të gjitha sfidat me të cilat përballemi në botë dhe ne kemi nevojë për ato vlera dhe parime tani më shumë se kurrë.

Në një kohë lufte tragjike dhe oshtima armësh, Ëinston Churchill ka thënë:

“Fjalët janë e vetmja gjë që zgjat përgjithmonë.”

Le t’i prezantojmë me fjalë këto vlera dhe parime të tolerancës dhe të respektit për diversitetin e feve, identiteteve, kulturave, historive dhe besimeve, të gjithë ne, në kurrikulumet tona shkollore, duke njohur humanizmin e përbashkët që bashkëndajmë të gjithë.

Natyrisht, parimet dhe vlerat e tolerancës, të shkruara e zeza mbi të bardhë në një Kartë Globale, nuk mund të fshijnë ekstremizmin e dhunshëm, urrejtjen, stereotipet, diskriminimin dhe plagët që këto kanë shkaktuar.

Megjithatë, këto vlera të shprehura në fjalë, që duhet të mësohen dhe edukohen në shkolla, mund të jenë ura të qëndrueshme që lidhin zemrat dhe mendjet në një veprim të përbashkët dhe botën tonë për një të ardhme më të mirë.

Garancia më e mirë për një të ardhme më të mirë janë zemrat dhe mendjet e të rinjve tanë. Nëse do u tregojmë atyre rrugën e drejtë, ata do të ecin në të.

Le të përpiqemi të bëhemi së bashku me ta, një ekip më i madh, duke dëshmuar para së gjithash që ne- burra, gra, individë, popuj dhe civilizimi i botës sonë– jemi të bashkuar nga fakti se i përkasim njerëzimit tonë të përbashkët dhe duhet të punojmë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe të qëndrueshme për të gjithë; pavarësisht vendit, gjuhës, ngjyrës, besimit.

Filed Under: Kronike Tagged With: ne OKB, Thirrja e Edi Rames

PAPA PALI VI PËR SHQIPTARËT DHE KARRIGA BOSH E SHQIPËRISË NË OKB

October 20, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të djelën, në mbyllje të Sinodit të Jashtzakonshëm mbi Familjen që u mbajtë në Vatikan, Papa Françesku celebroi meshën me këtë rast në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë meshës, Papa Françesku beatifikoi paraardhësin e tij Papa Palin e VI, duke e shpallur atë të lumtur. Me këtë njoftim, Papa Françesku e cilësoi Palin e VI si një “Papë të madh”, si një të “krishtër guximtar” dhe një “apostull të palodhshëm”. Kardinali italian Giovanni Battista Re u citua të ketë thënë për Papa Palin VI, se ai ishte “një mendimtar i madh” dhe “shumë i ndjeshëm ndaj sfidave të botës moderne”. Ai tha gjithashtu se Pali i VI ishte i vetdijshëm se shumica e njerëzve në këtë botë nuk ishin katolikë, fakt ky që e bënte atë një “burrë të madh të dialogut”, jo vetëm me përfaqsues të besimeve të tjera, por edhe me ata që nuk i përkisnin asnjë besimi. Kardinali Battista Re u citua nga media të këtë thënë se Papa Pali VI, “ishte shembull i dialogut duke treguar respekt për të tjerët, si njëri që dëgjonte dhe respektonte pikëpamjet e tyre dhe si i tillë besonte se çdo njeri ka vlerë….”
Papa Pali i VI është njëri prej papëve që nuk njihet aq mirë nga shqiptarët, pasi jetoi dhe veproi gjatë luftës së ftohtë dhe kur feja ishte e ndalur me ligj në Shqpëri dhe ishte edhe koha e ndjekjeve dhe persekutimeve të klerit katolik në Shqipëri, në një kohë kur regjimi komunist i Enver Hoxhës e quante Vatikanin si “qëndrën e obskurantizmit botëror”. Megjithkëtë, besimi i Papa Palit VI në vlerat dhe në traditat dhe vetitë cilësuese të shqiptarëve, si dhe respekti i tij ndaj historisë së shqiptarëve dhe të vuajtjeve të tyre në përgjithësi, e sidomos respekti ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit – Skendërbe, u tregua me pritjen që ai u bëri shqiptarëve në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar.
Shqiptarët kishin shkuar në Romë për të festuar 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit nga të gjitha anët e botës së lirë, përveç nga Shqipëria komuniste. Kishin vajtur atje arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova,mërgimtarë nga Europa dhe Australia, madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Organizata Pan-shqiptare Vatra ishte e pranishme në krye të një delegacioni shqiptaro-amerikanësh, që i printe i ndjeri Anthony Athanas. Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan më 1968, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20 u bashkuan me arbëreshët që ishin detyruar të largoheshin nga trojet e tyre nga otomanët pesë shekuj më pare. U bashkuan në Romë dhe në Vatikanpër një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje as krahine — ashtu si ishte dikurë dhe si duhet të jetë edhe sot. Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi, në një përshkrim të gjatë të festimeve, shkruante se emëri i Shqipërisë dhe i Fatosit të saj Gjergj Kastrioti -Skënderbeu gjatë festimeve të 500-vjetorit, bëri jehonë anë e mbanë botës si asnjë herë më parë, falë edhe fjalimit të mbajti me atë rast para shqiptarëve Papa Pali i VI. Në fjalimin e transmetuar nga media ndërkombëtare e kohës, Papa Pali i VIiu drejtua shqiptarëve të pranishëm dhe “gjakut të shprishur” të përhapur anëe mbanë botës me këto fjalë:
“Bijë fort të dashur Shqiptarë,
Po ju sjellim një mirëseardhje të veçantë në këtë ditë që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skanderbeg, fatosit tuaj të emërit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, të cilën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj atnore.
Ne ju shohim me kënaqsi, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë (fjalë këto që Papa Pali i VI i tha në gjuhën shqipe).
Fatosi Skandërbeg ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive: ai ua ka lënë si trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në roje trashëgim të shënjtënë Atdhe dhe në mërgim.
Dhe nëqoftse se historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka premtuar që ju, me të gjitha të mirat e gjakut tuaj të shprishur, (edhe këto fjalë Papa Pali i VI i tha në shqip) me veprimtarinë e gjallë që e kini në shpirt dhe me njohuri të fituara, u bëtë urë miqësishë e bashkpunimesh, dhe në këtë mënyrë jeni bërë para-ardhësit e ekumenizmit modern.
Urimi ynë në këtë rast pra për ju, për të gjithë Shqiptarët, të jetë që vuajtja të shoqërohet gjithmonë nga shpirti i juaj kreshnik që kini trashëguar nga të Parët tuaj. Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim, që të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme.
Këso dore do të rindërtohet testamenti i Skandërbegut dhe Atdheu i juaj do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juaj, të cilin na e kemi aq fort për zemër dhe që e bekojmë me dashuri atnore.”
Shqiptarët e shpërndarë në të gjitha anët e botës së lirë kishin vajtur në Romë për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbe — i cili në 500-vjetorin e vdekjes i mblodhi ata ashtu siç i pat bashkuar princat shqiptarë më 1444 kundër armikut të përbashkët. Kishin vajtur aty gjithashtu për tu takuar me Papën me këtë rast nga dhe per të dëgjuar fjalët përshëndetse dhe tepër miqësore ndaj kombit shiqptar dhe për të marrë bekimin e tij.
Megjithëse me 1968 dhe në raste të tjera, Papa Pali i VI ishte shprehur me një fjalor superlativ për Shqipërinë, për Shqiptarët dhe për heroin e tyre Gjergj Kastriotin – Skënderbe, regjimi komunist i Enver Hoxhës i shikonte ndryshe rrjedhat e historisë së Vatikanit me Shqiptarët.Tre vjetë më heret në tetor të vitit 1965, Papa Pali i VI ishte Papa i parë në histori që vizitoi Shtetet e Bashkuara dhe i pari udhëheqës i Kishës Katolike që ishte ftuar të mbante një fjalim para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Bota priste me ankth mesazhin e parë të një Pape para OKB-së, në të cilin ai bëri thirrje për paqë duke deklaruar, “Kurrë më luftë, kurrrë më….” Në atë fjalim, ai i bëri gjithashtu apel ndërgjegjes morale të njeriut duke thënë, se “Ka ardhur koha për një moment reflektimi shpirtëror, pothuaj për një moment lutjeje, për një moment për të menduar rishtas për origjinën tonë të përbashkët. Sot më shumë se kurrë, në një periudhë që dallohet nga përparimi njerzor, ekziston nevoja për të bërë një apel ndaj ndërgjegjës morale të njeriut.Sepse rreziku nuk vjen nga progresi, as nga shkenca, përkundrazi po të përdoren ato ashtu siç duhet, këto mund të zgjidhin shumë prej problemeve me të cilat përballet sot bota. Rreziku i vërtetë vjen nga vet njeriu….Me pak fjalë, qytetërimi modern duhet të ndërtohet mbi parime shpirtërore…..”,tha ai në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme.

Si fjalimi i parë nga një Papë në OKB,sipas shtypit vendas të kohës, u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të ngrohta nga të gjitha 117 delegacionet e atëhershme, vende anëtare të OKB, me përjashtim të diplomatëve të Shqipërisë komuniste. Por paraqitja e Papa palit të VI në foltoren e OKB-së kishte zemëruar pa masë regjimin komunist të Enver Hoxhës. Shtypi amerikan, përfshirë edhe televizionin, njoftoi se njëri prej vendeve anëtare të OKB-ës, përfaqsuesit pra të Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës, kishin dalur nga salla e Asamblesë së Përgjithshme, në protestë kundër pranisë së Papës Palit të VI në podiumin e OKB-së dhe kundër fjalimit të tij për paqë, para organizatës botërore. Kamerat e televizionit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, tregonin karrigat bosh të delegacionit të Shqipërisë enveriste. Bojkoti i Shqipërisë komuniste ndaj fjalimit të Papa Palit të VI, në bazë të lajmeve të kohës, shkaktoi një indinjatë të thellë jo vetëm në Kombet e Bashkuara por edhe në radhët e publikut amerikan. Por nuk mjaftoi bojkoti.Dalja jashtë në protesë kundër Papës nga salla e OKB-ës e delegacionit të Shqipërisë komuniste u pasua nga një fushatë me kritika të ashpëra kundër Papës dhe Vatikanit, të urdhëruara nga Enver Hoxha dhe të shpërndara nga mjetet e propgandës së tij me radio dhe me shtyp. Në një prononcim të ish-diktatorit shqiptar në lidhje me vizitën e Papa Palit VI në OKB, thuhet se, “Misioni i papës është një ndihmë që ai i jep agresionit amerikan dhe revizionizmit sovjetik.Papa e hoqi maskën e tij spirtiuale.Udhëtimi në UNO u vendos nga vetë Papa, në përgjigje të kërkesës qëtu vintenë ndihmë dhe të mbështesteimperilaizmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik që janë duke humbur terren.” Ndër të tjera, Enver Hoxha deklaroi me atë rast se, “Këthimi i Vatikanit në akcionet dhe metodat mesjetare ka për të prurë një katastrofë të pashmangshme….”
Gazeta Shiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, shkruante për indinjatën e madhe të komunitetit shqiptaro-amerikan për ato që ai cilësonte si “sjellje të panjerzishme e delegacionit komunist të Tiranës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ndaj Papa Palit të VI duke qenë të vetmit që nuk ishin të pranishëm në Sallën e Madhe të Asaamblesë së UNO-s, kur Shënjtëria e Tij mbajti fjalimin e lartë me 4 Tetor 1965.” Gazeta Shqiptari i Lirë, si zëdhënse e njoftonte gjithashtu komunitetin shqiptaro-amerikan edhe për telegramet protestë që kishte dërguar Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, Dr. Rexhep Krasniqi, dërguar autoriteteve botërore duke kritikuar bojkotin e Papës nga delegacioni shqiptar, përfshirë edhe një telegram dërguar Ministrit të Jashtëm të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Ciccognani,në të cilin thoshte: “Komiteti Shqipëria e Lirë, zëdhënës i popullit shqiptar — i venë sot në heshtje — dhe anëtar i Kuvndit të Kombeve të Robëruara Europiane, i lutet Shkëlqesisë tuaj të bëheni ndërmjetës pranë Atit të Shënjtë, Palit VI duke i shfaqur atij indinjatën e thellë të Komitetit Shqipëria e Lirë, për sjelljen e urrejtshme të delegacaionit të qeverisë komuniste të Tiranës me rastin e mbajtjes së fjalimit të Papa Palit të VI në favor të paqës në Kombet e Bashkuara.” Dr. Rexhep Krasniqi vazhdon telegramin e tij drejtuar Ministrit të Vatikanit, duke e siguruar atë se, “Ajo sjellje e urrejtshme është plotësisht në kundërshtim me ndjenjat e respektit të thellë dhe dashurisë që populli shqiptar ushqen ndaj Kryetarit të Kishës Katolike”, përfundon, Dr. Rexhep Krasniqi njërin prej telegrameve që ai kishte dërguar personalitetve botërore, për t’i siguruar ata se përfaqsuesit e regjimit komunist të Tiranës, me bojkotin e tyre, nuk përfaqsonin ndjenjat e popullit shqiptar për Papën ose për Vatikanin, por theksonte ai, në vend që të shikojnë interesat e kombit shqiptar, ata janë promovoues të revolucionit Bolshevik ndërkombëtar dhe si të tillë, me largimin e tyre nga salla e OKB-së, nuk mund të përfaqsonin ndjenjat dhe respektin e popullit shqiptar ndaj Selisë Apostolike.
Dr. Rexhep Krasniqi kishte të drejtë! Historia e provoi se populli shqiptar, pa marrë parasyshë se ç’pretendonte regjimi i Enver Hoxhës, ruan ndjenja miqësore, dashurie dhe respekti për Papët gjatë historisë, dhe ansjelltas. Kombi shqiptar këtë respekt dhe dashuri e tregoi qartë sidomos gjatë vizitës muajin e kaluar në Tiranë të Papa Françeskut dhe gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II pas shëmbjes së komunizmit me 1993. Pritjet madhështore nga shqiptarët dhe deklaratat e tyre gjatë vizitave në Shqipëri, por edhe fjalimi i Papa Palit të VI me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut ku ai i deklaroi botës, cilësitë dhe vetitë dalluese të kombit shqiptar, besa nderi e burrënia, fjalë këto që ai i tha në gjuhën shqipe, venë në dukje historinë e ndjenjave të respektit dhe dashurisë midis Vatikanit dhe kombit shqiptar ç’prej kohës së Skënderbeut. Fjalimet dhe deklaratat e këtyre papëve dhe të tjerëve gjatë historisë, mund të jenë bërë në periudha të ndryshme historike, por në thelb, përbëjnë vazhdimësinë e marrëdhënjeve miqësore dhe përmbajnë kujdesin, dashurinë dhe respektin e Vatikanit për kombin shqiptar dhe për mirëqenjen e tij, por reflektojnë gjithashtu edhe respektin që kombi shqiptar ka pasur dhe vazhdon të ketë për Papët e Romës.

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE KARRIGA BOSH, e Shqiperise, Frank shkreli, ne OKB, PAPA PALI VI PËR SHQIPTARËT

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT