Nga Frank Shkreli/
*Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Vatikani/
*Shënjtërimi i Nënë Terezës/
*Emërimi i një kardinali shqiptar/
Në Tiranë u njoftua sot, të Ënjten axhenda e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, ku ndër aktivitete të tjera fillimisht do të takohet me udhëheqsit më të lartë politikë të vendit, me udhëheqsit e Kishës Katolike Shqiptare si dhe me krerët më të lartë të besimeve të të tjera të shqiptarëve. Kisha Katolike shqiptare njoftoi gjithashtu se Papa Françesku, në vizitën e tij Shqipërisë, do të shoqërohet nga mbi 70-gazetarë të huaj.
Shënjtëria e Tij, Papa Françesku njoftoi në qershor se kishte zgjedhur Shqipërinë si vendin e parë europian për ta vizituar më 21 shtator, me qëllim për t’i dhënë kurajo e guxim e atij populli i cili vuan për një kohë të gjatë pasojat e ideologjive të kaluara, ka thënë Papa. Në njoftimin e tij, ai natyrisht iu referua vuajtjeve gjatë dekadave të regjimit diktatorial komunist që e kishte izoluar Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës. Vatikani ka thënë se Papa Françesku donte që vizita e tij e parë në Europë të bëhej në një vend me një histori persekutimesh, për të nderuar ata që kanë vuajtur nën regjimin komunist dhe në një vend i cili gjithnjë vuan nga varfëria. Kjo, sipas Vatikanit, është arsyeja se pse Papa vendosi të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Europë.
Siç dihet, ish-diktatori komunist Enver Hoxha kishte marrë vendimin absurd duke shpallur Shqipërinë si shtetin e parë ateist në botë në vitin 1967, dhe si rrjedhim mbylli ose shkatërroi xhamitë dhe kishat dhe persekutoi e vrau shumë klerikë të tri feve, por sidomos e kishte në shënjestër për zhdukje Kishën Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesit e saj. Fatbardhësisht, kjo çmenduri mori fund në fillim të 90-ave, gjë që më në fund bëri të mundur vizitën e parë të një pape në Shqipëri, Papës Gjon Palit të II më 1993. Prandaj, për Papa Françeskun, Shqipëria është një destinacion aq i natyrshëm për ‘të sa është edhe i rëndësishëm në këtë periudhë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Papa Françesku deri tani nuk njihet si një Papë që i pëlqen të udhëtojë, pasi deri tani ka bërë vetëm dy vizita ndërkombëtare, një në Brazil dhe tjetrën në Lindjen e Mesme.Duke njoftuar vizitën e tij në Shqipëri, qershorin që kaloi, Papa Françesku u shpreh para mijëra pelegrinëve në Sheshin e Shën Pjetrit dhe para botës duke thënë se,”Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për Kishën Shqiptare dhe njëkohsisht të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time për një vend i cili ka vuajtur aq shumë dhe aq gjatë nga pasojat e ideologjive të kaluara.” Duke iu përgjigjur ftesës nga Kisha Katolike e Shqipërisë dhe nga udhëheqsit politikë të vendit, Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë me 21 shtator.
Shqipëria dhe shqiptarët kudo po presin këtë vizitë si ndër më të shënuarat që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, përfshirë edhe vizitën e parardhësit të tij Papa Gjon Palit të II në vitin 1993.Para dy javësh isha për një vizitë të shkurtër në Shqipëri dhe në biseda me shumë vendas vihej re një pritje me padurim për vizitën e udhëheqsit të Kishës Katolike në tokën e Arbërit: për ta takuar e për tu përshëndetur, për të marrë bekimet e tij dhe për të dëgjuar fjalët dhe këshillat e tija baritore. Edhe qeveria shqiptare është venë në lëvizje për të bërë një pritje madhështore për Papa Françeskun në kryqytetin e shqiptarëve.
Pa asnjë dyshim, me 21 shtator, Papa do të pritet në Tiranë ashtu si e kanë më së miri traditë shqiptarët, ashtu pa dallim e së bashku si gjithmonë,si përfaqsues të tri besimeve, si vëllezër e motra të një gjaku, të një gjuhe e të një fisi. Ata së bashku me Papën do të falenderojnë Zotin se më në fund, kombi shqiptar gëzon lirinë dhe pavarësinë, në radhë dhe krah për krah me vendet e kontinentit europian, aty ku gjithmonë e kanë patur vendin shqiptarët.
Është kjo një vizitë e një Pape në një vend, si asnjë tjetër në Europë.Jam i bindur se Papa Françesku është i vetdijshëm se më 21 shtator, ai viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, i cilësuar nga parardhësit e tij si, “Atlet i Perëndisë’’, “Kalorës i Pathyeshëm”, dhe një “Burrë me një madhëri të pabesueshme shpirti”, dhe si “I gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të besës, të nderit e të burrërisë”. Ati i Shënjtë, në vizitën e tij të parë në kontinentin Europian, me të drejtë ka zgjedhur të ndalojë në tokën e “Mbrojtësit të Europës”, si dhe në Memëdheun e bijës së kombit shqiptar dhe të Nënës së botës, bamirëses me famë botërore dhe murgeshës shqiptare, Nënë Terezës.Edhe shqiptarët, nga ana e tyre, besoj se janë të vetdijshëm për ndjenjat e veçanta të Vatikanit të ruajtura ndër shekuj ndaj kombit shqiptar.Siç ka thënë edhe një para-ardhësi Papa Françeskut, Papa Pali i VI, me rastin e festimeve të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe më 1968 në Romë, “Selia Apostolike gëzohet se bën pjesë me miqët e vjetër të Atdheut tuaj, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë nuk i dolën fjale.”
Vizita e Papa Françeskut në Tiranë është pra një vazhdim i kësaj miqësie midis papëve të Romës dhe kombit shqiptar që ka ekzistuar ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit – Skënderbe. Andaj kombi shqiptar pret që kjo vizitë jo vetëm të avancojë këto lidhje, por t’i çimentojë ndër shekuj. Urat e bashkpunimit midis shqiptarëve dhe Selisë Shënjte megjithëse të forta, do të përforcoheshin edhe më shumë, sikur vizita e Papa Françeskut në Tiranë të rezultonte në disa njoftime konkrete, sidomos mbi tri çeshtje me rëndësi të cilat janë në mendjen dhe në zemrën e shumë shqiptarëve, ndërkohë që po afrohet ardhja e Papa Françeskut në Tiranë. Ato janë të karakterit fetar dhe kombëtar për shqiptarët.Ai kombëtar, ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, vendim i cili pritej të merrej duke pasur parasyshë ndërhyrjen kritike të Papa Gjon Palit të II me udhëheqsit perëndimorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton, në mbështetje të shqiptarëve gjatë luftës kundër ushtrisë dhe policisë terroriste të Serbisë. Ndërsa nga pikëpamja fetare, shqiptarët katolikë dhe të tjerë, presinndonjë njoftim për përshpejtimin e shënjtërimit të Nënë Terezës si dhe emërimine një kardinali shqiptar, për njërën prej kishave më të vjetëra, në mos më e vjetëra, në kontinetin europian, e cila tani për tani nuk ka një udhëheqës kishtar në atë nivel.
Duke njoftuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Vatikani gjatë qëndrimit të tij në kryqytetin shqiptar dhe duke mbështetur përshpejtimin e procesit të shënjtërimit të Nënë Terezës, si dhe duke deklaruar gatishmërinë e Selisë Apostolike për të emëruar një kardinal shqiptar, Ati i Shënjtë do të realizonte objektivin që ai vet ka përcaktuar për vizitën e tij në Tiranë, siç ka thënë,për të “vërtetuar mbështetjen për Kishën Shqiptare dhe njëkohësisht të dëshmojë inkurajimin dhe dashurinë për një vend i cili ka vuajtur aq shumë dhe gjatë nga pasojat e ideologjive të kaluara.”
Kombi shqiptar ka nevojë për lutjet dhe ndihmën e Papa Françeskut në këtë moment të historisë së tij.Ndihmë më të madhe nuk besoj se mund të jepte.Mbështetja e këtyre tre propozimeve gjatë qendrimit të tijnë Tiranë do të kulminonte në suksesin e vizitës dhe në realizimin e plotë të objektivave të përcaktuara nga vet Vatikani për vizitën e Atit të Shënjtë në trojet e shqiptarëve.
Për më tepër, një gjë e tillë do të njihte konkretisht meritat e shqiptarëve për rolin ndërtues dhe paqësor që shqiptarët kanë luajtur dhe luajnë në Ballkan si dhe për faktorin e tolerancës fetare dhe shoqërore midis tyre, duke i inkuruajur shqiptarët, të cilët Papa PaliVI i kishte cilësuar si, “para-ardhësit e ekumenizmit modern”, ashtuqë pasardhësit e Gjergj Kastriotit –Skënderbe në këtë rrugëtë vazhdojnë të jenë shembull për të gjithë – ashtuqë kombi shqiptar të shënojë — jo përçarje e mos pajtim — por triumfe të reja dhe një shpërthim fuqishë ringjallëse duke i dhënë vetes dhe botës një dëshmi të pashoqtëdinjiteti politik, shoqëror dhe kombëtar.
Kjo ishte një pullë poste e lëshuar nga Vatikani, Kosova 1999, e cila paraqet refugjatët shqiptarë të Kosovës gjatë luftës me fjalët e Papa Gjon Palit II: “Papa është përkrah njerëzve të vuajtur dhe u bën thirrje të gjithëve: Gjithmonë është koha për paqë!”
Publikohet programi i vizitës së Papës në Shqipëri
Është përmbyllur programi i plotë i vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator 2014 në të gjitha detajet e tij.
Koordinatori i përgjithshëm i vizitës së Papës, Doktor Albert Nikolla, ka lexuar sot programin dhe logon e vizitës në një konferencë shtypi në katedralin e “Shën Palit” në Tiranë.
Më 21 shtator 2014, ditë e diel, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në orën 9:30, Papa do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës.
Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Shën Tereza”, shoqëruan nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj.
Në orën 13:30, papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
Në orën 16:00, papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë nëj fjalim.
Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.
SHBA: Nënshkruani peticionin: “Të dënojme krimet e Komunizmit në Shqipëri! ”
Dhe, unë dënoj krimet e komunizmit dhe Enver Hoxhës!/
Nga BEQIR SINA,NEW YORK : RadioEmigranti, në internet e cila thotë se shpreson të plotësojë diçka që ka munguar për një kohë të gjatë për të gjithë emigrantët shqiptarë, me bazë në New Jersey – SHBA, ka ditë që në një nga spotet e saj gjatë 24 orëve të emntimit të radioporgramit – po ju bënë thirrje të gjithë dëgjuesve të saj që të “Nënshkruani peticionin: “Të dënojme krimet e Komunizmit në Shqipëri! “.
Duke, thënë se :”Unë, si shqiptar apo shqiptare, firmos këtë peticion për të shprehur publikisht se personalisht si i dënoj krimet e Komunizmit në Shqipëri dhe konsideroj krim justifikimin direkt apo indirekt të tyre nga çdokush!
Unë i kërkoj qeverisë shqiptare dhe çdo politikani të dënojnë publikisht dhe pa nënkuptime krimet e Komunizmit.Unë kërkoj që justifikimi, mbojtja apo mohimi i krimeve të Komunizmit, në mënyrë direkte apo indirekte të konsiderohet vepër penale në Republikën e Shqipërisë.”
Ky petcion i cili ka dalë nga organizata jo qeveritare AVAAZ me bazë në New York( www.avaaz.org) është firmosur deri tani 631 persona, nga Shqipëria dhe Kosova, viset shqiptare, Europa, SHBA, Australia, dhe Argjentina, dhe pritet shumë shpejt të kalojë 1000 veta, shkruan www.avaaz.org.
Peticioni, i cili është vendosur në formularët elektronik, të faqes së internetit të organizatës jo qeveritare me bazë në New York, Avaaz, thuhet elektonikisht dhe automatikisht do t’u dërgohet me te gjitha firmat, instuticioneve më të larta ndërkombëtare, parlamentit Europian, NATO-s, organizatatve ndërkombëtare për liritë e të drejatat e njeriut në Europë dhe SHBA, OKB-së, Qeverisë, Senaitit dhe Kongresit të SHBA, dhe zyrave ndërkombëtare për liritë e të drejtata e njeriut, thuhet në faqen e internetit të www.avaaz.org.
AVAZZ, sqaron se ajo është një organizatë globale qytetare, e cila filloi punën e saj në janar 2007 duke promovuar aktivizmin për çështje të tilla si ndryshimi i klimës, të drejtat e njeriut, të drejtat e kafshëve, korrupsioni, varfëria dhe konfliktet, anembanë botës, dhe se si të përdorin mjete online për aktivizëm . .
Organizata, thotë se vepron në 15 gjuhë dhe pretendimet janë të ketë ndikimin e saj në mbi tridhjetë milion anëtarë në 194 vende, të botës. Gazeta prestigjoze britanike The Guardian e konsideron AVAZZ.org ” rrjetin më i madh dhe më i fuqishëm globit me aktivist të të gjitha fushave të jetës në internet “.
Avaaz.org u bashkë – themelua nga Res publica , një “komunitet i profesionistëve të sektorit publik i përkushtuar për të promovuar qeverisjen e mirë, virtytin qytetar dhe demokracisë diskursive ” , dhe MoveOn.org , njëorganizat jo-fitimprurëse, së bashku me një grup progresiv Amerikan i avokimit të politikave publike . Avazz u mbështet edhe nga Punonjësve Bashkimi Ndërkombëtar i Shërbimeve , një partner themelues , dhe , një organizatë Australiane jo-fitimprurëse fushata “Getup ! “.
Në krijimin e saj bëjnë pjesë Individ të tillë – bashkë-themeluesit e Avaaz, që përfshijnë Ricken Patel , Tom Pravda , ish Kongresmenin amerikan nga Virginia Tom Perriello , Drejtorin Ekzekutivë të MoveOn Eli Pariser , sipërmarrësin australian David Madden , Jeremy Heimans ( bashkë- themeluesit e Purpose.com ) , dhe Andrea Woodhouse . Ndërsa bordi e AVAZZ përbëhet nga Ricken Patel (president ), Tom Pravda ( sekretar ) , Eli Pariser ( kryetari i bordit ) , dhe Ben Brandzel ( thesarit ) .
Që nga viti 2007 Avaaz ka nisur qindra e fushata sensabilzuese duke ngritur vëmendjen globale dhe kombëtare, në të pesë kontinetet. të cilat për më shumë mund t’i gjeni në faqen e saj të internetit www.avaaz.org. aty ku edhe gjendet peticioni “Të dënojme krimet e Komunizmit në Shqipëri! “. i cili po emntohet çdo ditë në spotet e RadioEmigrantit.
“MBRETËRIA” E ÇOLIQIT NË SHQIPËRI!
Nga AFRORE SHAIPI*/
“Arti duhet t’i paraprijë politikës” ky ishte justifikimi i disa shqiptarëve që e mbështetën ftesën e Zdravko Çoliqit në spektaklin shqiptar në TV Klan. Parimisht të gjithë jemi dakord se arti duhet të jetë nje hap përpara politikës, por ama në rastin e fundit nuk ishte personi i duhur, në vendin e duhur dhe kohën e duhur.
Shqiptarët, sidomos ata jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk ishin ende gati të shikonin sesi një serb pritet me aq entuziazëm e ngrohtësi në një festival shqiptar, të dëgjonin ato fjalë e epitete që e ngritën në qiell këngëtarin serb, i cili realisht nuk u duk i jashtëzakonshëm; të shikonin sesi ata 300 veta që ishin në sallë “u çmendën” e veç sa s’u ngjitën në skenë bashkë me të teksa kërcenin me aq shumë energji nën tingujt e këngës serbe, e cila sinqerisht nuk meritoi kaq shumë brohoritje. U duk qartë se ata mezi paskan pritur të kenë para syve idhullin e tyre, Zdravko Çoliqin! Për më tepër u thonë kosovarëve “Turp të keni që keni braktisur këtë festival”, “Zdravko nuk ishte këngëtar nacionalist”, “Çoliq s’ka faj për krimet e Serbisë”, “Zdravko ishte pacifist”…duke i dhënë kështu një shuplakë vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës.
Më falni por, ku e shihni ju qëndrimin pacifist të Çoliqit? Meqenëse arti i paraprin politikës, përse nuk morën guximin Zdravko Çoliqi dhe kolegët e tij artistë, të kërkojnë falje për gjithë ato krime e masakra të kryera nga shteti i tyre në Kosovë? Mbi 10 mijë shqiptarë të vrarë, rreth 20 mijë gra të dhunuara, mijëra të zhdukur, mbi 1 milion shqiptarë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre…dhe asnjëherë deri tash nuk u dëgjua zëri i këtyre artistëve pacifikë, s’u dëgjua një këngë apo një vepër arti kushtuar vuajtjeve të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm që ranë viktima të tragjedive të shkaktuara nga Serbia. Ishin po këta artistë paqësorë e për të cilët arti duhet ndarë nga politika, që këndonin nëpër koncertet e organizuara nga politika e atëhershme pas masakrave të kryera, zbavitnin dhe motivonin edhe më tej paramilitarët serbë dhe ishin kundër bombardimeve të NATOs. Pra, ky “qëndrim i tyre pacifist” nuk u doli në mbrojtje vlerave të humanizmit, atyre vlerave që i dalin në mbrojtje artistët e mirëfilltë.
Nuk duhet përzier arti me politikën, por të gjitha ato vrasje, humbje e dhimbje, tragjedi e tmerre të luftës, në fund të fundit nuk janë as politikë, as art, por ndjenja të thella shpirtërore që kërkojnë respekt dhe mbështetje. Arti duhet të shërbejë për t’i zbutur dhimbjet njerëzore, e jo për t’i ringjallur urrejtjet për të kaluarën e dhimbshme, e këtë gjë “Klani” duhet ta kishte parasysh para se të ftonte një këngëtar serb në një festival të këngës shqipe. Meqë gabuan njeherë, mos të gabojnë përsëri duke akuzuar këngëtarët e Kosovës për tërheqjet e tyre. Vendimi i tyre ishte dinjitoz, sepse treguan se arti i tyre bashkëjeton me ndjenjat e qindra e mijëra vendasve që i përfaqësojnë.
Natyrisht që arti duhet respektuar dhe vlerësuar në bazë të meritave, pa dallim kombi a feje. Por arti i nje serbi, kroati, slloveni a cilitdo inidvid të një etnie tjetër, mund të respektohet pa patur nevojë të ftohet si mysafir special i një festivali. Në qoftë se do të organizohej në Shqipëri ndonjë festival në nivel ndërkombëtar, qoftë edhe vetëm ballkanik, sigurisht që meritojnë të ftohen edhe artistë serbë dhe të mirëpriten njësoj, si gjithë të tjerët. Por, të ftosh mysafir special një këngëtar serb në një festival ku promovohet muzika e mirëfilltë qytetare shqipe, ku marrin pjesë këngëtarët më eminentë të të gjitha trevave shqiptare me këngët më të mira popullore shqipe, është e tepërt. Madje, ta ftosh atë dhe të argëtohesh pa fund me muzikën e tij, ndërkohë që pjesa tjetër e shqiptarëve me lot në sy kujtonin 15 vjetorin e eksodit të kosovarëve e kur edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të hapen varreza masive e të nxirren eshtrat e qindra njerëzve, kjo është fyese dhe e pandershme. Në vend që dhimbja e tyre të bëhej më e lehtë, plagët u trazuan edhe më tej kur në një prej televizioneve më të mira shqiptare, performohej, këndohej e vallëzohej serbisht. A thua kanë menduar organizatorët dhe vetë Pandi Laço si njohës i mirë i muzikës, se si janë ndier të gjitha ato nëna e baballarë, motra e vëllezër, bij e bija që i kanë humbur më të dashurit e tyre në luftën, së cilës i thurrej lavd në veprat e këtyre artistëve? Kanë kaluar vetëm 15 vite nga gjenocidi i fundit i shekullit 20, është ende herët të argëtohesh me aq eufori me këngë serbe.
Shumë shqiptarë në Shqipëri, paskan ndjerë nostalgji për muzikën sllave gjatë regjimit të Enver Hoxhës e po thonë shyqyr që erdhi koha të dëgjojmë këtë muzikë, pa frikë dhe haptazi, e disa madje edhe po i ankohen shqiptarëve të Kosovës se si regjimi i Millosheviqit paska qenë më i mirë sesa ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Ata që mendojnë ashtu, le t’u mbetet në ndërgjegjen e tyre. Por pyetja është se pse nuk ndjejnë nostalgji për muzikën përëndimore, angleze apo amerikane, meqenëse edhe ato nuk ishin të lirë t’i dëgjonin, por mendja i paska ngelur pikërisht te ato sllave? A nuk pat Europa këngëtarë aq të mëdhenj e cilësorë, sa t’i kënaqnin shijet e publikut shqiptar, por u desh patjetër të ftohej pikërisht Zdravko Çoliqi?
Meqë shqiptarët paskan qenë që moti të dashuruar në muzikën sllave, atëherë pyetja që lind natyrshëm është: Po në kohën kur shqiptarët e Shqipërisë strehonin në shtëpitë e tyre shqiptarët e dëbuar nga Kosova, po t’i vinte rasti, a do të këndonin e vallëzonin serbisht me aq entuziazëm siç bënë atë natë te “Kënga ime”? A do t’u vinte turp para bashkombasve të vetë të vuajtur?” Nga ajo që pamë atë natë në “Klan”, personalisht nuk do të çuditesha!
Po nëse në ndonjë trevë shqiptare të duartrokitej me aq shumë dashuri një këngëtar grek, vetëm 15 vite pas masakrës së Çamërisë, si do të ndiheshin viktimat e prekura nga ajo ngjarje?
Po në Beograd, a ka pasur ndonjëherë ftesë speciale dhe mirëpritje aq bujare, “të tipit mbretëror” për ndonjë artist shqiptar? Disa do të thoshin “po ne nuk jemi si ta, ne jemi me të mirë se ata” dhe eshtë e vërtetë që ne si popull duhet të tregojmë një nivel civilizimi, por të respektosh tjetrin, mjafton të mos e shash dhe ofendosh, por jo të arrish në atë masë sa të humbasësh respektin për veten dhe kombin tënd. Adhuruesit e Çoliqit mund të na quajnë nacionalistë, por ky është patriotizëm qytetar. Duket qartë se shumë herë, shqiptarët duke u munduar të respektojne dhe të duan të tjerët (të huajt), harrojnë të respektojnë dhe të duan njëri-tjetrin.
Pandi Laço tha se është debatuar më shumë se duhet për këtë çështje, por kjo ishte një çështje që meritonte të debatohej. Bile bile edhe Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, do duhej të reagonte dhe të dilte me një qëndrim të hapur ndaj ngjarjes e cila revoltoi disa artistë nga Kosova dhe jo vetëm. E ajo që i mbetet Pandi Laços dhe organizatorëve të tjerë është të paktën të kërkojnë falje, sepse qëllimisht apo jo, me gjestin e tyre, ofenduan kryesisht ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave të tjera jashtë Shqipërisë. E për ata që thonë se Kosova nuk do të mund të përparojë më një mentalitet të tillë, duhet ta dijnë se edhe shqiptarët e Kosovës, dinë të bëjnë art, ta vlerësojnë atë dhe të nderojnë artistët e huaj, por arti i tyre ngërthen në vetvete një vetëdije dhe respekt kombëtar, që mesa duket, i mungon disave në Shqipëri.
*(gjimnaziste nga Presheva)
ZGJEDHJET E PARA PLURALISTE NË SHQIPËRI MARS/PRILL, 1991
Nga Frank Shkreli*/
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhënjet diplomatike më 15 Mars 1991, kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë Memorandumin e Mirëkuptimit, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve nga të dy vendet.
Më 1945 Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera, me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duke dërguar atë vit një mision në Tiranë për të biseduar mbi këtë çështje. Por, sipas Departmentit të Shtetit, qeveria komuniste e Enver Hoxhës i kërkoi misionit amerikan që të largohej nga Shqipëria. Ashtu edhe ndodhi. Diplomatët amerikanë u dëbuan ga Shqipëria komuniste, për të mos u këthyer në Tiranë deri në vitin 1991.
Pothuaj e njëjta procedurë qe ndjekur nga Amerika edhe në Mars/Prill 1991, kur menjëherë pas nënshkrimit të rivendosjes së marrëdhnjeve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës më 15 Mars, Departmenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejtë një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hapur ambasadën e re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitotues në zgjedhjet e para pluraliste, ndonëse jo të lira, që ishin në plan të mbaheshin në Shqipëri më 31 Mars, 1991. Një delegacion i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arrijti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit,dhe në javë para zgjedhjeve, duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që vizitonte Shqipërinë, ç’prej vitit 1946.
Ndonëse në raste të mëparshme kam shkruar mbi vizitën e misionit të parë amerikan në Tiranë më 199, si dhe për marrëdhënjet shqiptaro-amerikane që kanë vazhduar të lulëzojnë ç’prej asaj date, kësaj rradhe deshta të përkujtojë shkurtimisht, atmosferën e zgjedhjeve të para pluraliste nga pikëpamja e një monitoruesi të atyre zgjedhjeve, si anëtar i delegacionit amerikan. Megjithëse gjendja politike kishte ndryshuar shumë në një vend si Shqipëria që ishte sunduar nga thundra e hekurt e një prej regjimeve më barbare të botës komuniste — zgjedhjet e 31 Marsit, 1991 ishin hapi i parë drejtë liberalizimit, drejtë hapjes së Shqipërisë ndaj botës dhe procesit të gjatë të demokratizimit të jetës në vend, pas një izolimi të vet-imponuar prej pothuaj 50-vjetësh.
Procesi i zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, nuk ishte as i lirë dhe as i ndërshëm, sepse ligjet dhe rregullat për zgjedhjet e para pluraliste ishin përpiluar nga partia në fuqi, dmth. Partia e Punës — dhe natyrisht ishin në favor të saj, duke u mohuar partive të tjera të posa formuara barazinë dhe të drejtën e barabartë për të zhvilluar një fushatë efektive.
Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi mjetet e komunikimit dhe median, ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin patur kohë të majftueshme për tu përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as përvojën e nevosjhme për tu prëballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë. Në të vërtëtë, nga vizitat që bënim tek qendra e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane – që ishin dy partitë kryesore të opozitës — në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në rrethe, shihej konfuzioni i tyre, për të mos thënë mbizotëronte një kaos i vërtetë, falë mungesës së përvojës për të organizuar një fushatë, sidomos kundër një partie që kishte kontrolluar dhe pentruar çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, për pothuaj një gjysëm shekulli.
Listat e kandidatëve për rrethe të ndryshme të partive të opozitës, në shumë raste, nuk ishin të plota dhe në shumë zona të vendit, partitë e opozitës nuk kishin zgjedhur as kandidatë për arsye se koha për tu përgatitur për zgjedhjet ishte aq e shkurtër. Në të vërtetë, Partia e Punës kishte vendosur që – për të minimizuar rolin e partive të tjera, zgjedhjet të mbaheshin në fillim të Shkurtit, ashtuqë opozita të kishte edhe më pak kohë për tu përgatitur, por më në fund kishte vendosur që – si një gjest “vullneti të mirë” ndaj opozitës, zgjedhjet të shtyheshin dhe të mbaheshin me 31Mars. Megjithkëtë, ishte një atmosferë tejet e pafavorshme për kandidatët e partive politike të posa formuara, në krahasim me ata të Partisë së Punës, e cila manipulonte burimet dhe mjetet shtetërore në favor të kandidatëve të saj.
Në zyrat e partive të opozitës vihej re një mungesë dëshpëruese e mjeteve bazë për funksionimin e një zyre të thjeshtë, lere më të një qendre ose zyrë funksionale për drejtimin e zgjedhjeve kombëtare dhe për shpërndarjen e programit dhe mesazheve të opozitë elektoratit shqiptar. Megjithëse votimet u cilësuan nga shumica e monitoruesve të huaj, sidomos europianëve, në përgjithësi si të drejta dhe të lira, delegacionet monitoruese amerikane refuzuan t’i cilësonin si të tilla. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se “fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej as si e drejtë dhe as e lirë.” Edhe Departmenti Amerikan i Shtetit, nepërmjet zëdhënses Margareth Tutwiler në Washington bëri një deklaratë me 3 Prill, 1991, duke informuar median amerikane se, “Duke u bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së për zgjedhje të drejta dhe të lira.” Zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, tha duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, se “tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”, duke theksuar se, “Partia e shumicës duhet që të respektoj plotësisht të drejtat e partive më të vogëla”, dhe përfundoi duke shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara se ato “Do të mbështesin vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut.”, deklaroi para 23 vjetëve, zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri.
Fitorja e Partisë së Punës shkaktoi revolta në disa qytete, përfshirë Shkodrën ku për fat të keq të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, pas zgjedhjeve, me 2 Prill u vranë Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, dhe u plagosën afër 30 të tjerë. Fatkeqsisht, edhe sot pas 23 vjetësh të këtyre vrasjeve, siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë e vendit, nuk është zhvilluar ndonjë proces drejtësie për ata që ishin drejtë për drejtë përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerzve të pafajshëm. Thuhet se këto të shtëna, të cilat sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër jehona e të cilave kumbon edhe sot për drejtësi në koridoret e instiucioneve qeveritare e shtetërore, 23 vjetë pas zgjedhjeve pluraliste. Më kujtohet mirë se megjithë shpresat e mëdha për një fillim të ri, për një shoqëri më të drejtë dhe më tolerante për Shqipërinë post komuniste, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, në radhët e delegacioneve të huaja në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Mos zbardhja e këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet e tyre, 23 vjetë më vonë.
*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend në Mars/Prill 1991.
- « Previous Page
- 1
- …
- 10
- 11
- 12
- 13
- 14
- …
- 16
- Next Page »