• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Nishani në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së në Stamboll

May 23, 2016 by dgreca

 


Kreu i Shtetit shqiptar merr pjesë në Samitin Humanitar Botëror të OKB-së

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar merr pjesë në Samitin Humanitar Botëror që po mbahet për herë të parë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Stamboll më 23-24 maj 2016. Presidenti i Republikës iu drejtua seancës plenare si dhe mbajti një fjalë në segmentin e udhëheqësve të Samitit Humanitar Botëror 2016 me temë: “Lidershipi politik për të parandaluar dhe dhënë fund konflikteve” ku u mbështetet Agjenda për Njerëzimin si dhe u diskutua për krizat me të cilat përballet njerëzimi në ditët e sotme, parandalimin dhe dhënien fund të konflikteve dhe të vuajtjeve të shoqërisë njerëzore, si në rajonet e veçanta, ashtu edhe në nivel global.

Në fjalën e Tij në Samitin Humanitar Botëror, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:

Së pari dëshiroj ta përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për thirrjen e këtij Samiti të parë Humanitar Botëror, si dhe të shpreh mirënjohjen për mikpritësit e këtij Samiti, Presidentin Erdoğan dhe autoritetet e larta turke.

Gjithashtu e komplimentoj Sekretarin e Përgjithshëm për  raportin e publikuar në fund të muajit janar të këtij viti: One Humanity – Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta) i cili na jep një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore dhe të drejtave të njeriut në botë e situatës humanitare. Ky raport, që lançon dhe pesë përgjegjësi kryesore, duhet të na shërbejë si një udhëzues për kalimin nga angazhimet në veprime konkrete.

Dëshiroj të theksoj edhe njëherë se jam në këtë Samit të parë Humanitar Botëror për të demonstruar mbështetjen e vendit tim ndaj Agjendës së Njerëzimit dhe të angazhimit për adresimin e pesë fushave, që shumë qartë janë pasqyruar në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Sot, është një moment shumë i rëndësishëm pasi kemi mundësinë që të demonstrojmë unitet dhe solidaritet për parandalimin e vuajtjeve njerëzore dhe ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për vendimmarrje dhe veprime kolektive.

E theksova edhe më herët sot, se për shkak të faktit që një pjesë e krizave buron nga rritja e intolerancës fetare, ekstremizmit të dhunshëm e diskriminimit për arsye fetare, etnike e të tjera, Shqipëria angazhohet të ofrojë eksperiencën dhe kontributin e saj në këtë drejtim.

Shqipëria është plotësisht e angazhuar në luftën dhe parandalimin e terrorizmit që vjen si pasojë e ekstremizmit të dhunshëm dhe beson se komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht organizatat ndërkombëtare të sigurisë me në krye Kombet e Bashkuara, do të gjejnë dakordësinë për të bërë dhe promovuar më tepër masat parandaluese.

Shqipëria ka një eksperiencë shumëshekullore sa i përket bashkekzistencën paqësore dhe harmoninë fetare, dhe në këtë kontekst është e gatshme të vihet në krye të përpjekjeve për të promovuar dialogun dhe mirëkuptimin mes kulturave dhe qytetërimeve, me synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Gjithashtu, në kontekstin e zhvillimeve rajonale, roli i Shqipërisë në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal ka qenë evident. Të udhëhequr nga parimi i fqinjësisë së mirë, jemi maksimalisht të angazhuar për të kontribuar në vijimësi për rritjen e frymës pajtuese dhe të bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore, respektimin e të drejtave të pakicave, si dhe përballimin e të gjitha krizave me të cilat po përballet ky rajon.

Në kuadrin e krizës së refugjatëve, ju siguroj se Shqipëria ka sensibilitetin e duhur dhe është e gatshme të bashkëpunojë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian, konform kapaciteteve dhe mundësive të saj.

Shqipëria si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Unionit, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të  Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Botëror të OKB-së, në Samitin Humanitar, ne Stamboll, presidenti Nishani

KRISTO KIRKA- Me mision në Stamboll

September 6, 2014 by dgreca

Nga Uran BUTKA*/
Shpallja e Kishës Autoqefale Shqiptare ishte një arritje kombëtare. Por, sipas rregullave kishëtare, duhej të njihej edhe nga Patriarkana. U vendos që një përfaqësi e Kishës Autoqefale të Shqipërisë të shkonte për bisedime me patriarkun e Kishës Ikumenike në Stamboll. Një komision kleriko-laik me në krye at Vasil Markon, kryetar i Këshillës së Lartë Kishëtare dhe i përbërë prej kryetarit të bashkisë së Korçës, Vasil Avramit, at Harallamb Tarkës, Thoma Orollogait, Dhosi Havjarit, Simon Shuteriqit dhe deputetëve Kristo Kirka e Dhimitër Kacimbo, u zgjodh për të shkuar atje. Delegacioni kishte një përfaqësi të gjerë, sipas kërkesës së Patriarkut të Stambollit, që delegacioni të kishte edhe përfaqësues të shtetit.
Korçë, më 24 mars 1923
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
Këshilla e lartë Kishëtare
Zotit Kristo Kirka
I nderuar Zot,
Ju bëjmë të njohur se Këshilla e Lartë Kishëtare, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, që bëri më 14 të këtij muaji për punën e zgjedhjes së komisionit, i cili do të dërgohet këto ditë në Patriarkin Ikumenike, për të bërë përçapjet e duhura përsa i përket çështjes së kishës sonë, e pa të pëlqyer t’ju zgjedhë anëtar të këtij komisioni.
Besojmë se kini për ta pranuar këtë detyrë të shenjtë dhe se do të përpiqi me tërë fuqitë tuaja, duke mbrojtur interesat e kësaj kishe, në bazë të statutit të Beratit, të siguroni për Kishën tonë Autoqefale nga Kisha e Madhe gjithë sa kanë siguruar edhe kishat e tjera simotra të Ballkanit.
Përfundoj me bekime dhe duke pritur përgjigjen tuaj,

Kryetari i Këshillës së Lartë Kishëtare
Ikonom at Vasil Marko

Ministri i punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli, e pajisi Kriston me pasaportë diplomatike si deputet, për të udhëtuar për në Kostandinopojë.
Facsimile 11( Kopje e pasaportës)
Kristoja pranoi me kënaqësi të madhe, sepse ky do të ishte hapi i fundit për kurorëzimin e Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare.

“Ishte një veprim i guximshëm, me kokën në torbë, si i thonë fjalës, në gojën e ujkut, – kujtonte Kristo Kirka. – Aty ishte strofka e armiqve tradicionalë të Shqipërisë, nga ishin thurrur aq shumë intriga e platforma antishqiptare. Udhëtuam me vapor. Ishte një udhëim i bukur, por kur hymë në lagjen e Fanarit, ndjemë një pështjellim të rëndë. Godina e madhe e Patriarkanës, sikur të shtypte me ato mure të lartë e të heshtur, që mbanin brenda tyre aq shumë të fshehta të frikëshme.
Na futën në një sallë të madhe, zhytur në një gjysmerrësirë. Ishte një atmosferë e zymtë, angushti. Ajri ishte i rënduar nga era e temjanit dhe e qirinjve të djegur. Në krye, në një poltronë të lartë, rrinte Patriarku Ikumenik, i rrethuar nga shumë klerikë të lartë dhe priftërinj shërbestarë.
At Vasil Marko, në emër të Këshillës së Lartë Kishëtare, i paraqiti kërkesën për njohjen e kishës sonë autoqefale, duke parashtruar argumentet, si edhe dokumentet e Kongresit të Beratit dhe të dekretimit nga ana e shtetit shqiptar.
Patriarku na dëgjoi me vëmendje, mandej, me mospërfillje, na u përgjigj:
“Keni vepruar në kundërshtim me vullnetin e Zotit dhe urdhrat tona, kështu që ne nuk e njohim kishën tuaj të vetëshpallur. Autoqefale mund të jetë, vetëm nëse e dekretojmë ne me Tomos të veçantë. Ndryshe, është sakrilegj.”
Kjo përgjigje na indinjoi, por e mbajtëm veten. Sotir Peci e mori fjalën dhe foli me një urtësi e kulturë të admirueshme. Ai foli për vlerat universale të krishtërimit dhe për detyrat e kishës për t’i përcjellë ato tek njerëzit. Po shqiptarët nuk e kuptojnë gjuhën greke, nuk i marrin vesh predikimet kishëtare në atë gjuhë, as ungjillin, as meshën, as pagëzimin, as kurorëzimin, as përshpirtjen. Përse të mos i bëjmë në gjuhën tonë këto rite, për të qenë të krishterë të devotshëm?
Unë fola pak për themelimin e kishës shqiptare në Amerikë dhe për shërbimet që u solli ajo shqiptarëve ortodoksë. “Jemi kthyer në Shqipëri për ta vazhduar këtë mision të shenjtë. Tani që kemi shtetin tonë të pavarur, duhet të kemi edhe kishën tonë të pavarur, siç e kanë edhe vendet e tjerë” – përfundova unë.
Po Patriarku sërish mohoi. Mund të bisedojmë për një autonomi të kishës, por jo autoqefali, – tha ai.
Atëherë, at Vasili nuk vonoi: “Hirësi, ne erdhëm në selinë e shenjtë me mendimin se do të kishit mirëkuptim për çështjen tonë të drejtë. Por ju, për interesa jashtëfetare dhe në kundërshtim me nomet dhe frymën e besimit tonë të krishterë, po vazhdoni me historinë e vjetër. Por kohët kanë ndryshuar. Duhet ta dini mirë se kisha jonë tanimë është autoqefale dhe do të jetë e tillë në jetë të jetëve. Meqenëse ju po thoni se nuk na njihni, edhe ne po ua themi troç, që në këto kushte, edhe ne nuk ju njohim!”
Kjo ishte një shuplakë e fortë, për ata që ishin mësuar me bindje dhe nënshtrim të verbër. U kthyem shpinën dhe ikëm nga ajo botë e errësirës dhe e mallkimit. Por, gjithsesi, vizita dhe fjalët tona nuk mbetën në ajër, ato e bënë efektin e tyre dhe, në mos ai patriark, tjetri që do të vinte pas tij, do ta njihte faktin e kryer. Ne e bëmë detyrën tonë”
Për këtë akt kombëtar, Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë e dekretoi Kristo Kirkën dhe pjesëtarët e tjerë të Komisionit kishëtar që shkoi në Stamboll, me një dekoratë të veçantë nderi.
* Fragmenti eshte marre nga libri”Kristo Kirka” i autorit Uran Butka, Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për esenë në vitin 2012- Vepra eseistike “Kristo Kirka”, me motivacionin:-“Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Kristo Kirka-Me sherbim, ne Stamboll, Uran Butka

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT