LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI DËNON AKTIN VANDAL TË SULMIT TË ZYRËS SË LD në MZ NË ULQIN/
Me të cilin rast një person apo apo më shumë sish, deri tash për ne të panjohur, natën në mes të enjtes në të premte (gjegjësisht te datës 12 dhe 13 shkurt 2016) e thyen shtizën në të cilën mbi derë të zyrës ishte i vendosur flamuri kombëtar shqiptar dhe e grabiti (-ën) në mënyrën më brutale flamurin me gjithë pjesën e shtizës së thyer.
Të nderuar anëtarë e përkrahës të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi,
Të nderuar qytetarë shqiptarë dhe ju të tjerë, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, nacionale apo fetare,
Para një dite ishim dëshmitarë të një akti vandal të sulmit të zyreve të Këshillit Kombëtar Shqiptar, në Ulqin, me të cilin rast, siç njoftuan nga zyra e tyre, me tekst dhe me fotografi, persona të paidentifikuar »Me datë 11 shkurt 2016, gjatë natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtës, nga zyrat të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, është hequr me dhunë Flamuri kombëtar i shqiptarëve, së bashku me mbajtësen metalike e cila ishte e vendosur në mur, ndërsa flamuri është vjedhur“, të cilin akt me forcën më të madhe të dinjitetit njerëzor e kombëtar LD në MZ, anëtarët dhe përkrahësit e e vërtetë të saj, e dënojmë pa rezervë, vetëm pas një dite, konkretisht në mes të të enjës dhe të premtën, dora e zezë në natën e zezë e me shi, siç e kanë zanat të ligjtë, rrengaxhinjtë e keqbërësit ordinerë, po ashtu sulmuan zyrën e Lidhjes Demokratike në MZ, në rrugën Nëna Terezë në Ulqin, me të cilin rast një person apo më shumë sish, deri tash për ne të panjohur, natën në mes të enjtes në të premte (gjegjësisht te datës 12 dhe 13 shkurt 2016) e thyen shtizën në të cilën mbi derë të zyrës ishte i vendosur flamuri kombëtar shqiptar dhe e grabiti-ën në mënyrën më brutale flamurin me me gjithë pjesën e shtizës së thyer…
Ky akt dhunues e vepër vandale, e kryer nga një apo më shumë persona, deri tash për ne të paidentifikuar, nuk është vetëm një akt kundër pasurisë së tjetrit, por duke marrë parasysh dhunimin e simbolit kombëtar shqiptar – flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenore, flamurin e Skënderbeut të vjetër më se pesë shekujs e gjysmë, pikë së pari e kuptojmë si vepër e menduar mirë dhe sulm drejtuar kundër qenies shoqëroro-politike e kombëtare shqiptare, kërcënim dhe sulm jo vetëm ndaj partisë sonë politike, de jure parlamentare, por edhe si sulm ndaj krejt kombit – popullit shqiptar, i cili me shekuj jeton në vatrat e veta stërgjyshore në këto treva etnike, sot në Malin e Zi.
Theksojmë se këtë rast organet kompetente po edhe ne, duhet ta marrin shumë seriozisht, kur e dimë se një sulm i tillë ndaj zyrës sonë po ashtu në Ulqin, ka ndodh mu edhe para një viti, pikërisht më 24 shkurt 2015, për të cilin sulm Organet Policore janë njoftuar me shkrim si edhe opinioni i gjerë, por fatkeqësisht as sot e kësaj dite nuk kemi ndonjë informatë kthyese se çka është ndërmarrë në lidhje me të, a ka vlerësime apo indikacione kush mund të jetë apo të jenë kryesit e një akti të tillë antishqiptar dhe akt kundër paqës e qetësisë publike e mbi të gjitha cenim i të drejtave themelore njerëzore, natyrore, historike, kombëtare shqiptare e demokratike, qëllimi i tyre apo urdhërdhënësit eventualë.
Gjithë kjo situatë bëhet më serioze, siç thamë se sulme të tilla janë kryer edhe ndaj zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar, të cilat gjinden në pesëdhjetë metra largësi nga Stacioni i Policisë, vjet edhe sivjet, por dhunuesit nuk janë zbuluar!?
Lidhja Demokratike në Mal të Zi, edhe kësaj here, këtë sulm e akt vandal e paraqiti me shkrim në organet kompetente, në Ministrinë e Punëve të Brendshme – në Polici në Ulqin, me kërkesë që kësaj here të ndërmarrin të gjitha veprimet operative të përcaktuara me ligj për të identifikua kryesin-it e këtij akti dhunues e vandal, i cili është jo vetëm një obligim sipas detyrës zyrtare po edhe obligim ligjor ndaj subjektit tonë, si parti, de jure parlamentare, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve, pa marrë parsysh përkatësitë, në mënyrë që të sigurohet paqa e qetësia dhe të largojë kërcënimin që reflektojnë e që provokojnë këto veprime jocivilizuese, jonjerëzore, thellësisht armiqësore dhe vepër vandale.
Prova: fotografi nga zyra e LD në MZ në Ulqin, ku shihet një pjesë e shtizës së thyer ku ishte i vendosur flamuri ynë kombëtar
Ulqin , më 12 shkurt 2016; 30-2/2016
Shënim: Komunikata dhe Akti i paraqitjes në Polici të kësaj vepre dhunuese e vandale u dërgohet:
– Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi – Policisë,
– Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Pakicave
– Kryetarit të Malit të Zi
– Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi
– Kryeministrit të Malit të Zi
– Shefit të Delegacionit të UE-së në Podgoricë
– Ambasadave: të Shqipërisë, SHBA, Gjermanisë etj.
– Organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
– Kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe kryetarit të KK të Ulqinit
– Mediave të shtypura dhe elektronike …
Ulqin, më 12 shkurt 2016; 30-2/2016
Mehmet Bardhi
President
Panairi i 15-të i Librit në Ulqin
I ftuar nderi i Panairit të Librit këtë vit, shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli./
Instituti i Librit dhe i Promocionit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizojnë në qytetin e Ulqinit, Mali i Zi , Panairin e 15-të të Librit “Ulqini 2015”, nga 26 korriku – 4 gusht 2015. Ky aktivitet zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka, panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit që e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.
Botuesit pjesëmarrës dhe librat që do të paraqiten
Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e Rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ‘90. Gati 40 botues do të jenë prezent gjatë ditëve të Panairit ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit.
Në Panairin e librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 3500 tituj librash. Para së gjithash letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj. etj. për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit e huaj.
Të ftuarit e veçantë
Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu në vitet e mëparshme shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq, Aleksandër Stipçeviq, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dy vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Ndërsa në 5-vjetorin e këtij Panairi, prenë shiritin e tij presidentët e dy vendeve, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviq i Malit të Zi.
I ftuar nderi i Panairit të Librit këtë vit, shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli.
Në ceremoninë e hapjes do të na nderojnë me praninë dhe fjalën e tyre kryetari i Kuvendit të Shqipërisë – z. Ilir Meta, ministrja e Kulturës së Shqipërisë – znj. Mirela Kumbaro si edhe kryetari i Kuvendit të Kuvendit të Malit të Zi – z. Ranko Krivokapiq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës – z. Kadri Veseli, ministri i Kulturës të Malit të Zi – Pavle Goranoviq dhe ministri i Kulturës të Republikës së Kosovës – z. Kujtim Shala. Mbrëmja e ditës së dytë të Panairit do t’i kushtohet veprës së shkrimtarëve Fatos Kongoli dhe Gjergj Gjokaj. Edhe këtë herë, për të 15-in vit rradhazi ky event kulturor i rëndësishëm dhe tradicional do të bëjë bashkë edhe politikanë të niveleve më të larta të drejtimit dhe të vendimmarrjes legjislative të rajonit tonë, që me mesazhet dhe veprimtarinë e tyre do të kontribuojnë secili në vendin e vet për forcimin e marrëdhënieve politike, sociale dhe kulturore të popujve tanë fqinjë.
Botuesit pjesëmarrës
Toena – Tiranë; Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë; Helga Secret – Tiranë; Fan Noli – Tiranë; UET-Tiranë; Albas – Tiranë, Akademia e Shkencave – Tiranë; Onufri – Tiranë; Papirus – Tiranë; Uegen – Tiranë; Botart – Tiranë; Librari Elezi – Tiranë; Labova – Tiranë; Konica – Tiranë; Ada – Tiranë; Çamëria – Tiranë; Bota Shqiptare – Tiranë; Mesazhi – Tiranë; Logos A – Shkup; Thesari – Gostivar; Inter-Rina – Shkup; Lebbejke -Tetovë; ASR – Tetovë; Nun – Shkup; Dëshmia – Shkup; Sira – Prishtinë; Gama – Prishtinë; Vatra – Shkup; Faik Konica – Prishtinë; Ibas – Prishtinë etj.(Sipas ATSH)
“Histori suksesi shqiptaro – amerikane” u promovua ne Ulqin
PODGORICE : Në Mal të Zi, më 17 dhe 18 korrik, u përurua projekti ” Histori suksesi shqiptaro-amerikane”, një projekt ky që ka nisur nji vjet më parë në Nju Jork, dhe, që i kushtohet veprimtarëve të komunitetit shqiptar në SHBA, tha ne programin televizivë Ditari – korrespondenti i Zërit të Amerikës Ali Salaj nga Ulqini, ku ai kishte përgatitur dhe kronikën që e transmetojë, ky radio -televizion.
Simbas, tij, në këtë prezantim personalitete të njohura nga komuniteti shqiptar, të cilët krijuan emër në fusha të ndryshme në Amerikë, theksuan rëndësinë e nxitjes dhe bashkëpunimit me bashkëvendasit e tyre në Mal të Zi. Me këtë rast, tha Salaj u shfaq edhe filmi dokumentar “Histori suksesi shqiptaro-amerikane”, realizuar në Nju Jork nga “Albanian Media Group, Fadil Berisha Studio, së bashku me American Councils for International Education’s Kosovo American Education Fund -“ Kurse, në faqen e rrjetiti social facebook Albanian American Success Stories , thuhet se rrjeti “Histori Suksesi Shqiptaro-Amerikanë” është pritur edhe nga Ambasada Amerikane në Podgoricë si dhe ka mbajtur javën e kaluar dy forume të hapura me panelist nga rrjeti “Histori suksesi shqiptaro-amerikane”, në SHBA.
Njoftohet se këto forume kan qenë të hapura për studentët e shkollave të përgjithshme publike, profesionistëve të rinj, sipërmarrësve dhe shumë të interesuarve të tjer. Me këtë rast thuhet në njoftim të rrjetit “Histori Suksesi Shqiptaro-Amerikanë” se këto forume janë mbajtur në partneritet me Ambasadën e SHBA në Podgoricë, dhe aty jan prezantuar një sërë arritjesh dhe është folur për disa nga ngjarjet e rëndësishme.
Bisedat e hapura me komunitetet u mbajtën në Podgoricë, Tuz dhe Ulqin më 17 dhe 18 korrik, 2015, në udhëtimin dy ditor intensiv dhe frymëzues, thuhet në njoftim.
Rrjeti “Histori Suksesi Shqiptaro-Amerikanë” dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Podgoricë, përfshirë edhe zvendes Ambasadorin e SHBA në Mal të Zi, B. Bix Aliu, i cili është edhe pjesë e librit të 150 shqiptarëve më të suksesshëm në Amerikë, zyrtarët e lart komunal, anëtarë të komunitetit, veprimtar dhe aktivist të tjerë, janë takuar në Hotel Otrant, në takimin ku mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe zyrtarë e Organizatës Turistike të Ulqinit.
Zonja Vera Mjeku, drejtore ekzekutive dhe themeluese e Albanian American Success Stories, në profilin e saj në facebook ka postuar fotografitë e këtij udhëtimi në Mal të Zi, duke shoqëruar ato me shkrimin :”Ky ka qenë një udhëtim i mahnitshm, me disa anëtarë të Rrjetit “Histori Suksesi Shqiptaro-Amerikanë” në Mal të Zi. Falenderim të veçantë, thotë zonja Mjeku, në profilin e saj, për ambasadoren e SHBA-së në Malin e Zi Margaret Uyehara, Zëvendës-ambasdorin B. Bix Aliu, zotin Bernard Cobaj dhe veçanërisht grupin vetëmohues, të këtij rrjeti AASS, i cili udhëtoi këto ditë në Mal të Zi, për të ndarë historitë e tyre, të suksesit me shqiptarët në Podgoricë, Ulqin dhe Tuz”/ Beqir SINA/.
LIKUIDIMI I UDHËHEQËSVE FETARË NË ULQIN (1944-1946)
Me rastin e 70-vjetorit të krimeve të komunistëve në Ulqin/
Shkruan: Dr. Nail Draga/Ulqin/
Trajtimi i ngjarjeve dhe personalitetëve që ka të bëj me kohën e Luftës së Dytë Botërore ne lidhje mbi qytetin e Ulqinit dhe të rrethinës së tij paraqet një inspirim të veçantë për çdo individ dhe studiues. E dhëna se nga viti 1941-1944 tokat shqiptare iu bashkangjiten shtetit amë Shqipërisë dhe këtu u vendos administrata dhe pushteti shqiptar me tërë mekanizmin qeverisës paraqiste një sfidë për popullsinë vendore. Por, kjo periudhë kohore ndonse e shkurtër e cila njihet si koha e Shqipnisë është e mbushur me momente dhe ngjarje interesante të cilat deri më tash janë hulumtuar shumë pak. Andaj me ketë rast do të trajtojmë në mënyrë të veçantë rolin e dy figurave fetare si dhe likuidimin e tyre nga komunistët me vendosjen e pushtetit të tyre nga muaji nëntor i vitit 1944.
1.Hafiz Hasan Llunji
Hasan Llunji, i biri i Alushit, myfti dhe myderriz i qytetit, lindi në Ulqin. Ka dy data, vitet 1897 dhe 1900. U rrit dhe u formua në një familje arsimdashëse dhe përparimtare. Ne moshën 13-vjeçare kryen hafizllekun-merr thirrjen hafiz, ndërsa diploma e ti, e lëshuar në vitin 1916/17, dëshmon se ai kreu shkollën dyvjeçare kroate-shqipe të Ulqinit. Më tej dëshironte të vazhdonte shkollimin në mederesenë e Sarajevës. Nga të parët e tij trashëgoj një bibliotekë të pasur me literaturë sa fetare dhe artistike me alfabet arabo-osman. Pasi kreu kualifikimet shkollore, bëri njohuri solide nga lëmi së drejtës trashëgimore të sheriatit. Në këtë lëmë u diplomua dhe u specializua në Shkodër te Sabri Begu, atëbotë kryemyfti i Shkodrës.Gjatë shërbimit në vise të ndryshme si mësues i fesë, ofiçar, myderriz dhe myfti, ka qenë pajtues në disa revista që botoheshin në Sarajevë, në Shkup e sidomos çmonte lart revistën “Zani i naltë” që botohej në Shkodër. Nga ajo revistë informohej për të arriturat e ndryshme në fushëveprimin e tij sidomos për veprimtarinë e shumë emrave të dëgjuar të kulturës dhe të së kaluarës sonë kombëtare.
Gjatë veprimtarisë dhe shërbimit hafiz Hasan Llunji ka shërbyer ne disa vende nga viti 1918-1944. Ka shërbyer në Ulqin, në Krajë, në Anë të Malit, në rrethinat e Tivarit dhe të Tuzit. Ai nuk ka mundur për të qendruar imun ndaj disa dukurive antikombëtare që organizonte pushteti i kohës në Mbretërinë SKS. Kështu në pranverë të viteve 30-ta në Ulqin flitej së do te vinin disa anije turke për të marrë familjet ulqinake të cilat nga skamja ekonomike dhe shtypja nacionale bëhëshin gati për ta lëshuar Ulqinin e për të emigruar në Turqi. Ndaj një veprimi të tillë të strukturave të pushtetit që si qellim kishin shpërnguljen e shqiptarëve nga ky qytet me plot guxim reagoi hafiz Hasan Llunji, duke i bindur bashkëqytetarët e tij për te mos e lëshuar Ulqinin. Nga një qendrim i tillë ai ishte në shënjestër të pushtetit dhe u detyru për një kohë ta lëshojë Ulqinin dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, por po ashtu ka qendruar edhe në Durrës, ku pati takime edhe me Mujo Ulqinakun.
Njohja me dom Nikollë Tushën
Sipas shënimeve dhe dëshmive të njërëzve që e kanë njohur dom Nikollën dhe hafiz Hasanin, këto personalitete të ndritura fetare dhe patriotike, që vepronin në Ulqin, për herë të parë ishin njohur në vitin 1927 në fshatin Salç. Në atë kohë hasani sipas dokumenteve, Hasani kishte qenë mësues i fesë së fëmijëve shqiptarë në shkollën serbe të kohës. Por, ne ketë kohë në Salç kishte ardhur për të shërbyer edhe dom Nikollë Tusha. Që të dy kishin një bashkëpunim të admirueshëm që u bënë shëmbull edhe për qytetarët e zakonshëm. Të dy së bashku perveç së ishin në shërbim fetar me disa patriot të Ulqinit vazhduan aktivitetin kombëtar.
Me vendosjen e pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Ulqin në prill 1941 këto udhëheqes fetarë së bashku me disa atëdhetarë të tjerë iu bashkuan Mustafë Alibegut figurë e njohur atdhetare nga Ulqini i cili ne popull njihej me emrin Cafo Begu. Familja Alibegu, me tradita detare dhe tregtare, ishte me orientime të qarta kombëtare. Kjo familje ka dhënë kontribut të madh, sa në fushën kombëtare at edhe në atë arsimore, në lqin dhe më gjërë. Ai së pari ishte detar, pastaj tregtar dhe anëtar i disa partive, me kohë edhe kryetari i komunës së Ulqinit. Ne kohën e Karagjorgjeviqëve ishte kryetar shumëvjeçar i komunës së Ulqinit, senator në oborrin mbretëror dhe deputet. Gjatë LDB, Cafo Begu ishte sërish kryetar komune në Ulqin, pastaj deputet e më vonë përfaqësues i shqiptarëve të Malit të Zi në parlamentin shqiptar. Ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës të udhëhequr nga Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, lef Nosi, me kryetar Rexhep Mitrovica. Ne ketë staf ai do ta lidhë aktivitetin në Ulqin, gjithnjë i ndihmuar nga shokët e tij dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë: dom Nikollë Tusha, hafiz Hasan Llunji e shumë të tjerë.
Tokat shqiptare i bashkohen shtetit amë Shqipërisë (1941-1944)
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore solli ndryshime edhe ne hartën politike të ballkanit. Kështu pushtuesit e rinjë italian u angazhuan për të përmirësuar gabimin e mëparshëm duke ia bashkangjitur tokat etnike shqiptare nën Mal të Zi shtetit shqiptarë te kohës nga muaji prill i vitit 1941. Një veprim i tillë ishte një surprizë e këndshmë jo vetëm për dom Nikollen dhe hafiz Hasanin dhe Cafo Begun por për të gjithë popullin shqiptarë.
Ne rrethana të reja politike dhe shoqërore nga viti 1941-44 Ulqini ishte nënprefekturë e Shkodrës. Nënprefekt ishte Luigj Lufi, me origjinë nga Mirëdita i cili kishte te kryer fakultetin e historisë, ku përveç gjuhës amtare dinte edhe tre gjuhë të huaja. Truproje e tij ka qenë Rrok Shkreli. Zyrat e nënprefekturës kanë qenë afër Ranës në shtepinë e Bidin Selitës ku është sot pushimorja e pensionerëve. Gjatë kësaj kohe ne Ulqin për të parën herë vendoset administrata në gjuhën shqipe, hapet shkolla shqipe “Skënderbe” me arsmitarë vendas por shumica ishin nga Shkodra ndërsa drejtori i saj ishte shkodrani Jahja Domnori. Ne qytet ka funksionuar edhe gjykata, xhandarmëria, ushtria ku të gjithë ishin shqiptarë. Komandanti i qytetit të Ulqinit ishte Gjon Zefi Ivanaj.
Ne rrethana te reja ne një shtet të ri këtyre dy figurave të nderuara fetare në pranverën e vitit 1941, iu bashkohen edhe qytetarët vendas si Selë Lamoja, Cuf Brahushi, Hodo Alibegu, Rifat Alibegu, Riza Sula, Tahir Nikeziqi e shumë të tjerë. Nuk ka dilemë se ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar me 14.6.1941 paraqet ditën dhe datën me të shënjtë për popullin shqiptarë ne krahinen e Ulqinit. Atë ditë u mblodhen para kishës së Shën Zefit(Mal të Bardhë) rreth 5000 qytetarë pa dallim feje e krahine.
Ja si përshkruan ketë moment historik Rrok Shkreli: ”Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Shestani…. Erdhen edhe krerët e iu bashkuan popullit, dom Nikollë Tusha, Cafo Begu, dom Ivo Bellashi, hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dedë Gjo Nikë Delija, Selë Lamoja me të birin Elezin, Rexhep Dollari e shumë ulqinakë me ta.Së pari ka mbajtur një fjalim të fuqishëm atdhetari dom Nikolla, pastaj ka folur Cafo Begu e ne fund dom Ivo Bellashi në kroatisht pasi ishte kroat…Pas kësaj kemi kërkuar një shkallë për të hypur në kompanjel të kishës, shkallën e ka sjellur Kolë Lucë Ndoja që asokohe iu binte kambanave të kishës. Flamurin e kishte dom Nikollë Tusha, i cili ia dorëzoi Cafo Beg Ulqinit e ky ia dha Dedë Gjo Nikë Delisë; shkallët i solli dhe i mbeshteti fort për mur të kishës Kolë Lucë Ndoja, kurse Dedë Gjoni ma afroi mua shtizën e Flamurit, të cilin e valëvita disa herë në ajër e kjo ndezi zemrat e të pranishmëve, pastaj e vendosa dhe e shtërngova mirë në kompanjol.
Me rastin e ngritjes së Flamurit u ndez gazmendi liridashës e atdhetar ashtuqë të gjithë së bashku i kënduan Flamurit këto vargje:
O Flamur ti kuq e zi
po valon një bukuri
për Shqipni e për liri
në Kosovë e Çamëri
me gazmend e hijeshi
për të shtrejten këtë liri.
More djelt e Traboinit,
të Shestanit e t’ Ulqinit
banju bashkë e lutni i festë
për kufinin që u kanë hjekë,
shkoi kufini ku a kenë motit
n’ Sutorman e n’ Qafë t’ Kokotit “.
Gjatë tërë kësaj ko deri në vitin 1944 ne Ulqin edhe pse kanë pasur kërcnime dhe akuza nga qarqe të ndryshme këta dy figura fetare të nderuara ishin shëmbull me sjelljen, komunikimin dhe bashkëpunimin me popullin. Te dy dilshin vazhdimisht së bashku. Ishte kjo një shoqëri dhe tolerancë që nuk ishte ne favorin e individëve dhe qarqeve të ndryshme antishqiptare. Ata u gëzuan shumë kur ne vitin 1943 mësuan nga Cafo Begu për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishin te bindur se ajo forcë politike dhe ushtarake do të ndikojë në realizimin e aspiratave shqiptare për bashkimin e trojeve shqiptare me shtetin amë Shqipërinë. Ne ketë drejtim ai grup veprimtarësh ulqinakë shkrinë tërë energjinë rreth organizimit të punës lidhur me formimin dhe forcimin e Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Ulqin, në përpilimin dhe në sistemimin e dokumentacionit të tij.
Burgosja dhe pushkatimi
Bëhet më dije se më 24 nëntor 1944, Ulqinin e vërshuan njësitë lokale partizane. Me të hyrë të tyre fillojnë mënjëher ndjekjet, maltretimet, burgimet dhe vrasjet. Një pjesë e veprimtarëve nuk u gjet në Ulqin, një pjesë arratiset, e frikësuar nga hakmarrjet që tashmë ishin bërë skena të ditës, ndërsa një pjesë mbetet në Ulqin.
Ne grupin e atyre që mbeten në Ulqin ishte edhe hafiz Hasan Llunji. Natën e 26 nëntorit nga OZNA arrestohet në shtëpinë e tij dhe dërgohet ne një burg të improvizuar të tyre në Ulqin. Aty gjen edhe tre ulqinakë të tjerë të cilët i kishin burgosur më parë: Hodo beg Bushatin më të birin Ahmetin, notër i Gjykatës së Ulqinit dhe Rafo Goranën, oficier aviacioni. Këtu e turturojnë mizorisht duke iu kërcnuar me pushkatim. Kërkonin të fliste për aktivitetin dhe shokët e tij. Përkohësisht hafiz Hasanin e lëshojnë pasi nuk siguruan prova për akuzen që ia ngarkonin, por nuk vonoi shumë dhe e burgosen përsëri. Organet e OZN-ës përmes spiunëve të tyre përfundimisht realizojnë qellimin e tyre, sepse ata i detyrojnë për të mbledhur nënshkrime nga populli për gjoja krimet që ka bërë ky gjatë kohës 1941-1944. Dhe ne një gjyq të improvizuar në Ulqin, në mbeshtetje të nënshkrimeve të mbledhura, organet e OZN-ës gjoja në emër të “gjyqit të popullit” dhanë fjalen e tyre përfundimtare- deportimin e tyre në Cetinë, në vazhdimin e hetuesisë.
Ende ne varr të përbashkët
Por, me datën 15 dhjetor 1944 katër të burgosurit me duar lidhur: hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, punëtor i gjeodezisë, Caf Canka dhe Zyhdi Fici, me roje të maskuara dhe të armatosur përcilleshin gjoja drejt Cetinës që atje t’iu shqiptohej denimi përfundimtar. Dhe ne drejtim të Tivarit pranë fshatit Braticë arriten ne një kthesë ku iu ishte venë prita, ku i pushkatuan të gjithë.
Ne vendin qe sot quhet “Laku i Hoxhës” i varrosen ne një varr të përbashkët. Edhe sot janë mu ne atë vend pa asnjë shenjë dalluese, edhe pse e kanë merituar të zhvarrosen dhe të varrosen me ceremoni të veçantë.
2. Dom Nikollë Noga-Tusha
Ne sajë te të dhënave biografike që disponojmë Nikollë Noga-Tusha ka lndur në Shirokë(Shkodër) në vitin 1895. Sipas kërkesës së tij, nga kushrini dom Pjetër Noga(Tusha), mbasi kreu shkollen fillore në vendlindje u dërgu në Itali në Sarzana, ku kreu gjimnazin dhe filozofinë, ndërsa më vonë në Gjenova kreu teologjinë. Është shuguruar për meshtar në vitin 1919. Meshen e parë e tha në Genazzano tek shenjtorja e Zojës. Pasi erdhi ne Shqipëri u emëru famullitar në Dush të Pukës dhe më vonë në Qelez. Ne ketë kohë në Shqipëri u krijuan rrethana të reja shoqërore dhe politike sepse ne vitin 1924 ne pushtet vie Fan Noli i cili ne dhjetor të ati viti përmbyset nga Zogu. Ne këto rrethana së bashku me dom Gjon Gazullin organizuan opoziten popullore për rrethin e Pukës.
Largimi nga Shqipëria si kundërshtar i pushtetit
Pushtetarët e rinjë nuk e lanë të qetë sepse ai cilësohej sipas tyre kundërshtar i pushtetit andaj ndiqej nga xhandarmëria. Ne një situatë të tillë që u bë e papërballueshme nga xhandarmëria e Zogut detyrohet me lanë vendin e tij dhe gjen strehim ne Arqipeshkvinë e Tivarit. Më pas emërohet famullitar në Kllezën Poshtë(1927-1933). Por përveç së ishte famullitar ne ketë fshat ne mungesë të priftërinjëve ne vitet 1931-1934 ka administruar edhe famullin në breg të Bunës në Shëngjergj. Për kontributin e dhënë si meshtar i zellshëm nga Selia e Shenjtë në vitin 1933 i jepet titulli Imzot, latinisht “Monsinjor” në vitin 1933, që d.m.th. kapelan i Papës. Ne pragun e Luftës së Dytë Botërore, dom Nikolla shërbeu në Salç. Ne vitet 1940-1945 me shërbim ishte ne Ulqin në kishen e Shën Zefit.
Gjatë kohës së luftës ishte përkrah Cafo Begut dhe të gjitha forcave atdhetare duke përkrahur pushtetin e ri dhe bashkimin e tokave shqiptare shtetit amë Shqipërisë.
Me datën 14 qershor 1941 ishte ndër organizatorët për ngirtjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në kishën e Shën Zefit në Ulqin. Ai këtu mbajti fjalimin e rastit. Ishte ky një moment historik për ketë qytet sepse Flamuri kombëtar valvitej për herë të parë.
Ndjekja ndaj figurave kombëtare
Vendosja e pushtetit komunist ne Ulqin me 24 nëntor 1944 për figurat kombëtare ishte fatale sepse atyre iu pengonte çështja kombëtare shqiptare dhe ngirtja e kësaj vetëdije tek masa e popullit ne ketë mjedis. Andaj te ndodhur ne një situatë të tillë figurat kombëtare u detyruan të shpërndahen sepse filloi ndjekja e tyre. Kështu dom Nikolla e detyru me u largu nga Ulqini dhe u strehu te kushërini i tij në fshatin Juban afër Shkodrës. Por, as këtu nuk ishte i sigurtë sepse sigurimi shqiptarë i cili kishte bashkëpunim të ngushtë me ate jugosllav, zbuloj qendrimin e tij dhe pasi e arrestoj iu dorëzoj jugosllavëve.Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm ku shtetasi shqiptarë iu dorëzohet organeve të ndjekjës së një shteti tjetër.
Por, një veprim i tillë nuk është për çuditur sepse për pushtetarët e rinjë parësore ishte orientimi ideologjik e jo ai kombëtar.Ngjajshëm kanë vepruar edhe me Hodo Alibegun të cilin e burgosin në Shqipëri dhe e sjellin në burgun e Tivarit, ndërsa më pas të dy i sjellin në burgun e Ulqinit. Pas hetuesisë së rëndë, u mbajtë gjykimi publik në sallën e hotelit “Jadran” të Ulqinit.
Procesi gjyqësor dhe pushkatimi
Me qellim që ta komprometonin para masës, dom Nikollë Tushës, ne petk fetar, i jepej në dorë makina e shkrimit që ta barte nëpër rrugët e qytetit deri në sallën e gjykimit. Nga disa fëmijë të porositur përjetoi fyerje derisa kalonte rrugës. Gjyqi këta dy patriotë i dënoi me nga 20 vjet burg të rëndë. Pas shpalljes së denimit dom Nikollë Tusha dhe Hodo Alibegu dërgohen për të vuajtur denimin në burgun e Cetinës. Atje ne burgun Bogdanovkraj pati qendrim burrëror, por pikërisht për ketë qendrim dom Nikollë Tusha edhe pushkatohet më 4 nëntor 1946, në Bjellashka Papretina. Po ashtu janë pushkatuar edhe Hodo Alibegu nga Ulqini, Vasë Filip Mirdita nga Pistulli, Ali Beqir Bajrami nga Krytha, Merush Halil Omeri nga Krytha, Ali Veli Kalimani nga Kalimani, Lekë Maci Perkolaj, Vukë Pjetër Malaj, Gjon Zef Malaj nga Shestani etj. Ende sot nuk dihet gjë për ështrat dhe varrin e tyre.
Përfundim
Me vendosjen e pushtetit të ri te quajtur komunist nga fillimi u dëshmu se kemi të bëjmë me një sistem të diktaturës ku fillimisht filloi me ndjekjen e figurave kombëtare dhe nacionaliste e po ashtu edhe me burgosjen dhe likuidimin e tyre. Pjesëtarët e pushtetit gjatë LDB ne nënprefekturën e Ulqinit me ne krye kryetarin Cafo Begun-Alibegaj u larguan nga qyteti duke dalur ne mal e qendruar kaçakë për disa vite, ndërsa disa te tjerë u burgosen dhe u denuan me gjyqe te improvizuara me burg dhe pushkatim. Ne sajë të autoritetit që kishin dy figurat fetare te Ulqinit hafiz Hasan Llunji dhe dom Nikollë Tusha u pushkatuan.
Nuk ka dyshim se mekati i tyre nga pushteti komunist kishte të bënte me ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar ne Ulqin me 14.6.1941 si dhe ngitjen e vetëdijes kombëtare të populli shqiptar i kësaj krahine. Pushtetarët e rinjë diçka të tillë nuk mund ta përballonin sepse pushteti i tyre ishte me plot demagogji dhe se premtimet e dhëna gjatë luftës i mohuan me të përfunduar ajo. Ishte ky një mashtrim perfid dhe gënjeshtër transparente që dëshmohet me shumë argumente te kësaj kohe. Sepse pushteti i ri komunist dëshironte te mos degjohej zëri i shqiptarëve të cilët deshironin të jenë të barabartë si te tjerët, sepse atyre iu konvenonin individ anonim dhe servil ne shërbim të tyre.
Nuk ka dilemë se trajtimi kompetent i kësaj periudhe kohore meriton një qasje të veçantë sidomos për personat të cilët janë denuar, persekutuar dhe likuiduar vetëm së ishin shqiptarë dhe kishin bindjet dhe pikëpamjet e tyre politike e shoqërore.
Dhjetor 2014