Sokol Paja/
Dielli për Nebil Çikën nuk do të lindë më kurrë. Një gazetar, një patriot, një qytetar model, një veprimtar, një zë i fortë publik, një shqiptar i veçantë nuk do jetë më fizikisht mes nesh. Ai shkoi të pushojë në Parajsën e shpirtrave të mirë e të d’lirë. Një ndër përfaqësuesit më të shquar të ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist shqiptar, një idealist, një profesionist i lartë dhe demokrat qëndrestar, dorëzoi shpirtin e tij te krijuesi i gjithësisë.
Nebil Çika përveç se një gazetar i pa kompromis, një qytetar aktivist, një patriot idealist, ishte edhe një demokrat që nuk u përqafua kurrë me monizmit dhe totalitarizmin e së djathtës. Ai u largua me merakun për Shqipërinë dhe demokracinë. Luftoi ashpër për demokraci, shoqëri e Shqipëri të lirë, të zhvilluar, pa komunizëm. Jeta dhe vepra e Nebil Çikës lidhen ngushtë me dekomunistizimin e institucioneve, demokratizimin dhe luftën pa kompromis me çdo pushtet për zbardhjen e të vërtetave që lidhen me krimet monstruoze të komunisteve mbi shqiptarët e pafajshëm.
Nebil Çika ishte një patriot nacionalist, një idealist që u vu në dispozicion të çështjes kombëtare e kauzave qytetare në çdo veprimtari të tij publicistike e publike. Nebil Çika ishte një zë i fuqishëm për kauzën e të zhdukurve të regjimit komunist shqiptar. Ai befasoi në veprimtarinë e tij dhe angazhimin intelektual pa ndalim për drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Ai iku për të mbetur i përjetshëm në veprën dhe kauzën e tij, kauzën e Shqipërisë pa totalitarizëm demokratik e demokraci totalitare.
Nebil Çika ishte gjithmonë njeri i lirë i fjalës së lirë. Liria, nderi, morali dhe ideali ishin gjithçka dhe u demonstrua në çdo veprimtari të tij. Nebil Çika u shua përgjithmonë. Ai shkoi për të mbetur kujtim, kauzë, ideal dhe frymë në përjetësinë e idealistëve dhe tokësorëve vdekatarë.