Nga Neki Lulaj, Gjermani/
Homazhe para Kolonelit/
(Kushtuar kol.Tahir Zemaj,t i cili u vra më 4 janar 2003 )/
Në janarin e akullt e të plumbt plot re qielli thyhet si magji/
Prita e pabesisë të lugetërve zbraz vrer mbi Prometeun e Lirisë./
Liqeni në Gjeravicë ngrin lotin, buzët si Ortek bore Sharrin ia trondit/
Tradhëtia djeg ujin në e në Lumëbardh mallkon atë që gjakun ka pirë/
Heeej , dëgjoni Kolonel Prometeun tek lëshon zë nëpër katet në parajsë/
Kockat kurrë s’do t;i treten, as në ashkla, as në thërrimen e bukës/
e deshi lirinë në konakun e gjyshit, ndaj lulet nuk vyshken mbi mermerin e bardhë/
djerson balli rrëke kur prangosen tradhtarët gjakpirës në grykë të pushkës./
E kokrrat e lotëve do ta zgjedhin nyjen nën mjekrrën e bardhë.
Kur mbrëmja e janarit të thinjur do ta zgjedhë nenin e tradhëtisë
e Koloneli do ta nxjerrë thumbin nga patkoi i pusisë afër dhe larg
do të buzëqeshë heroi Prometeu i Lirisë si lulet e majit ndër blerim
Gryka e Rugovës akoma rri e mpirë si Lokemadhja me furkë në dorë
E plagët e kolonelit prushojnë e djegin si prush, si lavë i vullkanit
heroit e sakrificave nuk vdesin nga pusia e lugetërve nëpër kohë
por rriten e bëhen Haxhi Zekë, Jakup Ferr luftëtarë lirie të vatanit
Fshehtas shtojzavallet mbulojnë gjurmat e hidhura të krimit të zi
Orët e zanave të malit i zbulojnë si vetëtima rrufeje që fort qëllon
ora e zbulimit vërtitët ndadalë e tradhtarët do prangosën me shpejtës
Në udhët që prekim më shqiptare apo në Çanakalanë tonë
MOS E BRAKTISNI ATDHEUN…!
Neki Lula ne Sofren poetike te Diellit/
MOSNI!/
(Mos e braktisni Atdheun o vellëzerit e mi të bekuar)/
Me tëmthat e gishtërinjve preka plot ëndrra diellin/
Jam duke ecur me qefin ranishtës së blinduar/
edhe në Groenlandën e acareve ku mungon kaltërsia e qiellit/
po gjej gjurmë fisi nga fara pjellore e Arbërit të bekuar/
Edhe po të shkoni përtej oqeaneve e detrave të tërbuar
Do shihni farën e Arbërit që gjithëkah është shpërndarë
zemërimi m’i pëlcet ndjenjat fytyra ime si një hënë e pikëlluar
jam i venitur kur pipthat çelin e shartohen në tokën pa dashuri e varr
A thua farën e shpërndakan shtrëngatat plot me mundim
që në dhënat e huaja të mbjellin rrënjë në shkretëtirë?
Jeta na përplasi historikisht nëpër udhëkryqe e krajata
Por si atdheu i shqipeve s’ka as në brigjet më të largëta
Po këndojnë nuset këngë shqipe edhe në Alaskë
Por zemra ju shtrydh mall e thesar vendlindjeje
Një ditë do të kthehn në atdheun e lashtë
Me shpirtin e gaztë do këndojnë ninulla te djepi fëmijëve.
Mos braktisni atdheun se ju mallkon në liri vetmia
kur ne dhe të huaj mbeteni të vuajtur e të përbuzur kudo
Besoni se do ju marrë malli për rrugët me baltë për varre e vërria
Mosi i lini përindërit, vëllezërit e miqtë pa fjalën e ngrohtë
KËRKOI RRUGËN
Hap pas hapi po eci mbi do rrasa guri kalldrëmeve të vjetra
po i kërkoj gjurmët e mia mbi bërrylin e Lumit të Gjakut
Me mallin e pashuar sa gurët në bedena te kështjella
Dikur ika si fëmijë u ktheva një ditë i thinjur në oborr te lesa
Me syze të trasha e me një shkop prej druri u ula te pragu
Fytyra ime e zbehtë me rrudha ish si horizonti para muzgu
nga thellësia e shpirtit më buron një dashuri që me mban gjallë
Po çmallem me varret e gurët e sokakute e s’dua të jem si murgu
me ata që një ditë u ndava e me kurrë s’kam për t’i parë
Se malli këputka shinat e trenit e malli është plazëm është zjarr
Më lini të çmallem me gurrën e lumit e në oborrin plot bar
Me Koshin në ahur me misrin në hambarë, me tagji që ushqen një kalë
Me lamën plotësuar me mollët në bashqe me livadhë e me arë
Me orën e Pllugun e babës e furkën e sanxhakun e nanës varur në tra
me vekun e motrës kur shkoi nuse me qerre te kuq e më të kuqin bajrak
Pa me lerni të çmallëm unë një herë me ju, o miq, që kurrë s’ju kam harruar
Se kurbeti i mallkuar me ka ndryshkë, më ka vyshkë si limanin m’ka tharë
Nuk e di kur ngopem me ju të dashurit vëllezër e nipa me lerni të çmallem
Mos më merrni lakmi, se ndryshe ja, këtu do të kallem nga ky mall.
BABAIT
(Babait tim me rastin e 13- vjetorit të vdekjes)
Akoma po të shoh sot në Pllugishtë
Duke lëvruar arën me kalë të bardhë
Zëri yt prej bariut të kohërave mes stuhisë
Mbi retë e qiellit je ylber, je oaz
Ishe ballë i rrudhur nga fshikulla me murlane
Duart me plot të çara si një hartë e vjetër
Këmishë e shqyer padrejtësisht nga hordhitë barbare
Shikimi yt ishte lumë i bardhë që kurrë nuk diti të shtjerret.
Ishe gojëëmbli i sinorëve e stinëve në ikje
Se çizmja e huaj rëndë na pat rënduar
Mirë i latoje me aq mençuri fjalët nëpër vite
Kalon edhe kjo” flamë” e shumë si kjo thyen qafën pa kujtuar
U përplase me regjime të egra nëpër mote
Mbi pellgun e vullkanit plot zjarr, plot llavë
Mes kënetave të mykura plot shavar
Ece mbi kepat e malit plot bar, por mbete ngadhnjimtar
Gjithmonë qeshej fytyra jote burrërore dhe engjellore
Se ishe drithnor e mbete pjesë e sofrës së bujarisë
Mes rrudhave të ballit lexoj kapitullin e jetës që rrjedh si kroje
Për mikun mbete mik, ndaj pusho i qetë në parajsën e pavdekësisë.
E sot ngrihu, o balli im, me plot rrudha e bjezga
Ujit lisat me ujin bekoje mbi lëndinë
Kjo lutje ime le të shkojë në vesh të hyjnesha
Le të përkundet i qetë djepi ynë i ardhmërisë
EH, MALLI
Shpesh më sjell malli në oborrin e shtëpisë të mbetur larg
Ma lidh shpirtin me rrënjët e themelit në kullës pragbardhë
Më rëndon si vllakë lanesh që zbresin prej pylli, tek druri
Me gurë malli i mbaj koshin mbi supe si shajak unuri
Këtu nuk më njeh as fqinji, lagjja, as rruga me gjemba drizash
Nuk më përshëndet askush me fjalë marrë nga pellazgjishtja
Një murla cegemin e ngricës po e shkund nga palltoja e vjetër
E degët janë zhveshur nga gjethet e ngrohtësisë së vjeshtës
Atje më pret gurra e stanit e veshur me myshk vetmie
Currilin cërr cërr natë e ditë nuk e ndala, për besë, asnjë çast
Në ahishten e vendlindjes këndon gushëbardha kumurie
Pranverën e thërret bashkë me burrat e menduar mërgimtarë
Ca rreze dielli hapin sytë pas tufanit dhe ciklonit të egër
Edhe toka e thërret të zotin me ardhë në kopshtije e në ugar
Mbi këtë bukuri që ta ndez fort pishën e kuqe të zemrës
Kur zëri përplaset lugjeve të vendit tim plot me flori e arë
NE SOFREN E DIELLIT, NEKI LULAJ
Neki Lulaj/ Gjermani/
TITËRRIMË VARGJESH/
(Poetit Ali Podrimja)/
Si trill poetik na erdhe në kujtesën e mbrame/
Në amëshimin e dhimbjes ku stërkalat rrokullisen/
Vetëtimë e mbushur plot elipse si gjëmimet në Alpe/
Titërron rrokje në ditën që vjen me sinorë befasie/
Lajmi këput më dysh për ty frymëmarrjen në gjoks/
Jetën e fillove si uragan e arratinë more si meteor/
Si t’i lidh sonte litarët e ngërçet plot nyje që nyjojnë/
teksa pisha thërmohet e thyhet në Çabratin shekullor/
Zemra u plagos mbi Ulpanë, në Prishtinë e Dardani
Eshkë e ndezur Lumi në shtratin e Lumit si vërshim deti
Dremit në qetësi hyjnore ky erudit e perlë në poezi
Aliu ynë modern që zanoret e heshtja dhimbshëm i treti
E ai në Rilindje gjen qetësi ku qielli në Torzo fluturonte
Ashti dardan mishëruar në credo zemrat nuk gjetën qetësi
Në mes të fletëve të bardha ku zemra vullkan përlotej
Të ndrydhura në një gjoks atdhetar në sirtarin e ri
Lumi tri dekada rrodhi në vetmi e në pikëpjekjen e papritur
Me poetin e vargut modern bashkë u shua etja për jetë
U takuan me mallin e djegur në përjetësinë yjembushur
Dhe bënë një kullë të re kujtese , një monumet
ATJE
Kohë e ndrydhur nga pagjumësia
Mbi vekun e legjendave
Ninullë e vjetër në qoshe të odës
Rrotull sillen bandillat në kopshtia
E fjala thur qilimin e kohës
Degët gjysëm lakuriq
Luhatin zogjtë gushëkuq
Jo, nuk dinë t’i ndalin cicërrimat
Puthin buzët e tokës ku korret grurë
E eshtrave iu japin gjallëri
Teksa gërhet thellë në lëndinat
Në gjumin e parë të ditës
Era pehat në lugun e ngrohtë
Endërrat në shtratin e drurit
E mashtrojnë paq fund në kohën
Buzët e hënës puthin vetullën e lumit
Në shtratin e valës përkunden zanat
Mbi urën që i ndan dy brigje
Hingëllimat e kuajve dëgjohen nëpër shpat
Duke i varur stërkëmbthin kohës ditë dhe natë
GOZHDËT SHKULI
Mbi gozhdat e shekullit varen 100 vjet mëvehtësi
Tremijë vjet shtet heshtjes ia kreh kaçurrelat
Kombit merr shtëllunga mjegulle në qiell pa kaltërsi
Në male këputen dhe rilindin gjethet te dega
Nëpër shkretëtirat e kohës ecim mbi kalldremin e jetës
E plandosën Krishtin e gjakuan vunë në një kryq gjaku
Mbi trup kamzhik i skuqur gozhdat kurrë nuk u prekën
Vrushkujt rridhnin drurin që nuk e breu teja tek pragu
Lisat e zgjimit nuk digjen e të gjatë e pat durimin
Sa të thellë e kishte shikimin tek muret pjestonin heshtjen
Nga vringëllimat në mes të çarave të kohës vinte lëngimi
Shtetrrethim tremijëvjeçar armiqtë vinin në prag të një dere
GJUM I MËRGUAR
Tërë natën bëra sehir se dikush gjumin ma vodhi
Ajo që po gërhin në dhomën time tejmatanë murit jetim
Recepcionieri dremiste gjumëtrembur në një qoshe
Nata ishte zhytur në një oqean që nuk ia dije thellësinë
E shlodhja ditore rrinte si në një kënetë e përgjumur
Mbi shavarin e jetës më shihte mua mbi tavolinën e vjetër
Dy bërryla si qiri të ndezur në katër këndet e Atdheut
Shëtit shungullima e natës si shtrëngatë në moçalin e nxirë
Stuhi e papërgjumur prek livadhe dhe kroje kristalore
Sonte kujtoi pikëpjekjen e shfletoj kalendarin e vjetër
Ndrydh heshtjen e s’di ta pikturoj fytyrën engjëllore
Ta shkruaj emrin në një shkëmb e në kapakun e zemrës
Kanjusha ime e bardhë mos je lejlek zemre
Në cilën rrasë guri të gdhenda fytyra e bukur
Lotin mbi faqe prush dhe ëmbëlsi e njelmët
Plot margaritarë me vlerë si dielli rrezepurpur
Loti i kripur m’i shëroi plagët e shekullit barbar
Melhem për varr është e vellon do ta blejmë bashkë
Në Vlorë shtizon flamuri për dasmën e madhe
Do e stolisim nëntorin e kuq dhe të bardhë
Testamenti “i heshtjes” në vargëzimet e një poeti…
Persiatje meditative rreth Vëllimit poetik “Vesa mbi gurë” – Neki Lulaj/
Shkruan: Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI/
Njohja me shumë krijues shqiptarë të Mërgatës, shkëmbimi i librave dhe shpalosja e botëkuptimit letrar e kombëtar, të bën të ndihesh e përgjegjshme, jo vetëm për atë që lexon në vepra, por edhe për nëntekstin e tyre, që si nën dritën e një llampadani, dalëngadalë rrezëllinë për të gërryer realitetin. Në atë realitet e gjen “palcën” e ëndrrës që ata kanë. Të këtillë e perceptova edhe veprën e Neki Lulajt, një nga poetët që, me qasje transparente, e sajon udhëtimin poetik nëpër sheshtinat e lodhura…, e me ilustrimet vargëzuese të shpie shekuj larg thesareve të Atdheut.
Një çast, kujtesa ime ndalon në takimin me poetin Neki Lulaj, në Koblenz (Gjermani), kur sapo mbaroi Kongresi – I i Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, më afrohet për të më uruar për fjalën time përshëndetëse në Kongres.
Fjalim i bukur…, duhet botuar në ndonjë gazetë me prestigj! Do ta dërgojmë në “Dielli”, më thotë, pas pak, z. Lulaj.
Gjithsesi e falënderova, nën entuziazmin e një ëndrre që bëhej realitet…! Ishte po ai “Dielli” i tandemit të çmuar të Letërsisë shqipe, Noli – Konica. Me pak fjalë, ky është poeti Neki Lulaj, atdhetari që e ndanë diellin e përbashkët me krijues të tjerë, përderisa vetë ai mbetet “rob” i diellit të Atdheut, me misionin e poetit që do t’i rrëfejë lashtësitë e lavdishme.
Të lexosh veprën “Vesa mbi gurë”, e ke kënaqësi, por ta kuptosh poezinë e tij, duhet të gjurmosh mbi mijëra vjet histori, meqë tek atëherë të hapen drita mëngjesesh të largëta, ngjarje krenarish kombëtare e padyshim edhe shumë kujtime të ajthme, që do të doje t’i zhbëje si ndonjë kujtim prej rëre. Të kuptosh tingullin e fjalës, në vargjet e Lulajt, duhet ndjerë atë varg që shkruhet nga thellësitë e shpirtit, përmes sprovave metafizike, të përshkosh thesare testamentesh të fshehura diku larg brigjeve të kësaj toke.
Të tëra këto janë klithma që zbulohen nga thellësitë, ku ndihet gëzimi i jetës, ritmet e ngarkesave të shpirtit dhe malli i mbetur pa diell: “…Me baladat e vjetra të shpendëve pa gojë, Të anatemuarit prangosur mbeten pa dëshmitarë/Bebëzat u drodhën nga thellësia e shpirtit që vlon” (“Gurgullimë”, 53). Parashikime këto që kuptohen, edhe kur nga pak bie heshtja “metaforike” mbi dashuritë e lashta ilire, atje ku shpesh ndalet për t’u prehur frymëmarrja e poetit.
Saga e vendlindjes
Një vorbullë ngjarjesh, ku përfshihen disa breza (si rrëfimi mbi Noan dhe bijtë e tij), rishfaq aktualitete edhe mbi historinë shqiptare. E tillë është historia jonë që ndër vite njohu përshkallëzime nga më të ndryshmet. Në një farë mënyre, është vetë kuptimi simbolik i brezit “të izoluar” dhe atij “të hapur” që ndërfuten te njëri-tjetri si një ngjizje katalogjizimesh të ngjarjeve historike.
Ëndrra e poetit Neki Lulaj që shtegëton mbi Kosovën e historive të trishta dhe malli i mërgimtarit që nuk shteron, në poezi, mbeten të freskëta si vesa mbi gurë. Vendlindja, në imazhin e poetit, merr gjithmonë tjetër pamje, për të sajohet “Dashuria engjëllore vargjeve u jep ngjyrë ylberi/Natën muzat shpirtërore mbi lumin e qetë thurin kurorë” (“Shtatë zanore”, 50). Mirëpo, jo gjithmonë, vendlindja shtrihet në avlëmendin ku thuren lumturitë për të…, me raste, ajo ndodhet para rreziqesh të mëdha. Me këtë sens, poeti shkruan: “Sulem në stolin e parkut të braktisur mbi gurin e shenjtë…/…Se nëna më iku dhe iku me tregimet e moçme shqiptare/E mbrëmjeve koburen e Shotës e fshihte/Në vetullën e kurorës së gardhit” (“Ka ikur”, 60).
Poeti, nuk e honeps faktin që vendi i tij qëndron me një këmbë në det, e tjetrën në tokë…, për këtë pasiguri ne vuajmë për të humburën dhe gjithmonë na ndjek një copë errësirë në formë zemre ngujuar në gjoks…, dhe shpresojmë në këtë Atdhedashuri. Përderisa beson se engjëjt jetojnë, ai vargëzon një ”Serenatë nate e rritur me frymëzimin në Lumbardh” për të vijuar në katrenën më pas: “Diku shoh perlat e fshehura në testament/Dikund thellë në arën pa vadë/Nëna ime e shtrenjtë nuk ke mbetur pa diell/Çamëri motra ime e dashur s’do të mbetesh pa ëndrra” Të kësaj tematike, përpos “Alienët” janë dhe ca poezi tjera: “Ecje vertikale”, “Ecëm”, “Natë e gjatë”, “Balada e heshtjes”, “Në prehrin e Lokes”, “Lindje – perëndim”…, e kështu, shqetësimet nuk kanë të sosur dhe të duket se “Bebëzat u drodhën nga thellësia e shpirtit që vlon” (“Gurgullimë”, 53). Herë-herë, në vargje ndesh copëza ëndrrash të liga, e do të doje të degdisje larg gjurmëve të tyre, sado që “E vërteta është e ëmbël dhe që sytë na kanë qejf ta shohim diellin” (“Kishtari”, përktheu: Lluka Qafoku). E ky është edhe dielli i ëndrrimit të poetit-mërgimtar, Neki Lulaj.
Miti i heroit
Mitet janë kujtimet e përherëshme mbi të kaluarën, janë si ato “kujtime të përtejme” që ngjiten flatrave të muzave e me hiret e tyre zbresin në ëndrrat e poetit. E poeti i jetëson ato si pentagrame, melodia e të cilave prek çdo ndjesi, rizgjon çdo kujtim. Aty diku ndeshet edhe pulsimi i kohës. Po ky “tik-taku i kohës” e sjell botën, i palos vitet që ikin e ikin për të mos u kthyer kurrë më te kulla stërgjyshore. Lulaj, gjen forcën krijuese dhe e laton penën e tij nga ca paradigma të vjetra, aty ku në heshtje rrënkojnë plagët e Atdheut…, aty ku u stolisën Nëntoret e bardha.
Koha nuk e ndaloi historinë shqiptare! As troku i kalit më të shpejtë s’e ndalon këtë hap kohe, gjersa diku këputen dallgët e kohës nga ato “me uniforma djalli” e trishtimi i reve të hirta e mbulon Kosovën, si të ishte një mallkim i qiellit. Një pëngjasmim ideor dhe formësor ky i shtjellimit të idesë me poetin Jean Follain…, “Shekujt” “Duke parë gjurmën e thundrës/së kalit të tij të përgjakur/kalorësi në atë gjurmë të harkuar/ku tashmë insektet përgatisnin kantierin e tyre/zbuloi shtypshkronjën e ardhshme/pastaj për ta pyetur për rrugën/iu afrua karpentierit/që pranë një trëndafili/duke u çlodhur sodiste luginën/e nuk lexonte kurrë libra”.
Libri “Vesa mbi gurë” është si ditar vargëzimesh. Në të, poeti ngre imazhin mbi mitin e lashtësive dhe kohëve tona, sepse miti bashkëjeton me ne, me poetin e të gjitha kohërave. Miti është bashhkëdyzim i historisë dhe përjetimit-aktualitetit…
Po heroi, si lind heroi?
Në kohë të trazuara, heronjtë janë shpëtimtarët e kohëve të skëterrshme! Janë copëza meteorësh që të tundin si “Gjumë i mërguar”, megjithëse poeti nuk lejon që edhe heroi i tij, të largohet nga kjo botë si shumë të tjerë: “pa një fjalë, pa një cak, pa epitaf/Pa një rrasë varri të shkretë…” (“Hiri”, 46). Heronjtë e poetit janë të shumtë, të ndryshëm, dhe jo vetëm ata të shpatësh e plumbit, por edhe eruditë që e udhëhoqën kombin drejt binarëve të jetës.
Atdheu i Neki Lulajt, nuk ka vetëm erë gjaku, por “Kjo tokë ka erë molle, ka erë trëndeline”, edhe atëherë kur për të derdh një gjerdan lotësh, plot krenari mbi gjurmët e të parëve tu, plot gurë, plot plisa… tokë që “Dremit mbi thesare e mbjellë me lapidarë” (56). Është e madhe dashuria e poetit për truallin e lashtë Dardan, tek shkruan: “Toka ime zbërthen ngjyrat e gjurmëve/Të ashtit që i falen dheut/E unë qofsha ideal Atdheu im është tokë e saj”. Një sërë poezish e trajtojnë këtë motiv, pikërisht mitin e heronjëve e “Pikojnë stërkala shiu mbi mermerin e bardhë të praruar”, e më pas: “…martirët e Dardanisë po ngjallen/duke dalë nga zemra e dheut…” (“Te pllaka”, 61).
Me këtë tis anatemimi, poeti identifikon shkaktarët e zisë së kësaj toke “Në kapakët e kafkave karpatiane do të gjunjëzohet sërish/me varre kuçedra sllave këtu do të mbesë…”, e koha do të ndrisë mbi lapidarët e: Maxhun Smajlit, Zenun Gjocajt, Bajram Bahtirit, Ahmet Krasniqit, Sali Çekut…, Baladën e Gocës së Kaçanikut, Ngjarjeve të Koshares, Loxhës, Prekazit e Gllogjanit…, e të tjera figura erudite si Migjeni, Ali Podrimja, që erdhën pikërisht kur “Zanoret i mbyti heshtja e ti në Rilindje qetësi nuk gjen” (39).
Në përmbyllje të këtij motivi i rivendos dy strofat e poezisë “Atdheu im”, që vijnë si antiteza metaforike:
“Atdheu im është tokë me eshtra të pa tretura
Atdheu im është fushë me kufoma të pagjetura
Atdheu im është tokë dëshmorësh me shekuj
Atdheu im është tokë e bekuar që ka vetëm engjëj.
Atdheu im është tokë me trima e heroina
Atdheu im është tokë e mbushur me legjenda
Atdheu im është tokë me beteja ku ecën lavdia/
Atdheu im është tokë e kullë ku flet rezistenca.
Atdheu im është feniks…
Të gjitha këto, nuk janë thjesht vargëzime, por janë kangjela që bëjnë vend në shpirtin shqiptar, pikërisht “Për ata që nuk vdesin”…, sepse jetojnë në Parajsën e Pavarësisë. Në syrin e përmalluar të mërgimtarit pasqyrohet Feniksi, që ngihet dhe nga hiri për të dëshmuar madhështinë e dashurisë. “Atdheu im është feniks”, shkruan poeti, e mesazhet e poetëve janë jetike, janë gravura që e gërvishtin monotoninë e njëtrajtshmërisë së kullës së Babilonit, sepse Atdheu shqiptar kundërmon erë të përhershme gjaku, por ka erë të këndshme trëndelinash e lulkuqesh!
MOTRES ÇAME-Neki Lulaj NE SOFREN E DIELLIT
Motrës sime çame/
Neki LULAJ?
Larg, o larg, të kam o motër
Të prek zgjuar e në gjumë
Preka shtigje mbarë botës
Por si ti nuk gjeta kurrë.
Muza kurrë s’më le të qetë
Kur e shoh se si po vuan
Larg prej trojesh larg-o mbete
Larg prej vatrës së bekuar
Si ta prek malin dhe zjarri
Që më bëhet pus pa ujë
Fyti thahet si gur zalli
Përt ty motër, zemërprush
Ti më je zemër plagosur
Palcë guri e patharë
Mbi një shekull e brengosur
Për ty qielli derdhi lotët varg.
Do të puth në buzë e faqe
Të prek duart shqiptarisht
Do të mbjell ca manushaqe
Përmbi shpirtin tënd fisnik
E do mbyll dyert lakmie
në folenë që të ngre hasmi
nga një shkëmb me fluturime
Vjen për ty kjo fjalë stërralli
Do të lidhim besë të fortë
Fjalë pas fjale si vullkan
Çamërisë atje në Jon
Do t’i ndezim prapë zjarr.
Nëpër trojet me gërmadha
Në themele kaq të fortë
Shpresa jonë do marrë flatra
E flamuri do valojë.
Masakra e Paramithisë
Në Kllogjer ndjej sërish zgjim kllapie
Era kreh flokët e dëshmorëve të Paramithisë
Pipa të rinj po nxjerrin burrat nga lisat
Drejtë Çamërisë rrugëtojnë burrat me plis
Atë mot përkundeshin mes fletëve degët e ullinjve
E shpirtërat përpëliteshin me dhimbje pas hijeve
thërrisnin për ndihmë për bukë, për ujin në kroje
Europa lavire flinte në gjumin e pajtimeve mortore.
Zbraznin breshër plumbash mes gjokseve foshnjore
Vritnin ëndrrat e thurura në gjergjef nusërie
Me mokër shpirtërash dënesnin kodra, male, hone
Një lot hëne binte mbi troje Çamërie
Valë e lot shkërmoq plisin dhe shkëmbin e rreptë
Gjaku rrëshqet si trimat mbi tokën e tharë
As toka as gjaku, eshtrat tona nuk do i tresë
Nga dhimbja kodet ulin qerpikët se s’ka dëshmitarë.
Në udhë shkronjash ecin krushqit e kombit mes dallgëve
Nisen nga trevat shqiptare drejt Jonit shtegtojnë
Ecin në gjurmë të stuhive tragjike çame
Në agim në fshatin Kllogjer do të ndalojnë
Atje do takojnë 2700 rreze pavdekësie
Që do të shuajnë etjen dhe urinë që kanë përsëri
Atje do të shfletojnë palë të dhimbshme historie.
Te Rrasa e Kujtimt do të rizgjojnë tragjedi.
Malli
Kalinjtë me farë misri varen në hambarë\
Trastat e tagjisë varen në gozhdën e vjetër
Koshat e mbushur flasin për vjeshtë të mbarë.
Grazhdi me rrjetë merimange është mbledhur.
Kjo heshtje e harlisur prek botën e zjarrtë
Në ahur të kuajve kam mall dhe për një bajgë
Kam mall për një fletore të mbetur në sirtar
kam mall për plisin që mbillet në maj.
Mes zgalave të murit rri trasta e grisur
Ngarkuar me ëndrrat që sillen vërdallë
Dua të lëpij plagën e të puth tokën e zhuritur.
Të shpejtoj ikjen me kthim në tokën e etur për zjarr.
Ky lëmsh jete i mbushur si thes me përjetime.
Të fshehura në kurmet e zemrës mbyllur me kapak.
Shpendmira këndon në çardak këngën për kthime.
Blatojnë lulet e manit nga gëzimi në shpat.
Mbi pllakën e kujtimit xixëllojnë shekujt e pavdekësisë.
Shkëlqejnë rriska drite që qetësinë gllabërojnë.
Me mall dashurie thërret mërgimtarët në kthim në agime.
Me gardhin mistik të jetës memorien thurojnë.
Kush bën mur
Shoh zemrën e urës të tokës binjake të palcosur
Kolliten shekujt e sëmurë në ikjen pa kthim
Struken nën ombrellën e trupit të njollosur
Mbuluar nga blozë e zezë e padrejtësisë.
Ibri përplaset mistershëm e me valët pëshpërit
E hapen portat e kohës si bedena me zë briri
Më dalin përpara si pleq që koha kurrë nuk i thinj
Si dy mokra gruri me blojë të mbarë mulliri.
Stinica gjarpëron si gjaku në damarë
Një çarçaf mjegulle që nga Bajgorja po vjen
Shtrihen krahët e freskisë në fushë dhe në mal .
Për të huajt “mollë të ndalueme’ lakmie e kthen.
Plisat e bardhë varen në Ibër e në Trepçë
E ndalen mbi gjamat e kullave të Boletinit në prag.
As myshku, as eshka mbi parmak nuk lënë shenjë.
Gurët e mullirit në oborrin e lesës bënin konak.
Ata ishin e janë kulla bacaloke qëndrese
Zgjojnë burrat që nga Dukagjnin e deri në Prekaz.
Te Urat e Ndasisë digjen mbeturinat me urrejtje
Me Ilirisë Çamëri, Preshevë e deri në Tivar.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 7
- Next Page »