…Ideologjitë politike, si dhe partitë e regjimet politike që lidhen me to, janë të ndryshueshme dhe të përkohshme. Ato vinë e ikin, lindin e vdesin. Ato që mbeten janë populli, kombi, identiteti, shteti dhe ideologjia kombëtare shqiptare, që vë mbi të gjitha interesat e Shqipërisë. Guri i provës i çdo ideologjie është përputhja e saj me interesat kombëtare./
Nga Nelson R. Çabej-Nju Xhersi/
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, një shekull më parë, është dhe do të mbetet njw ngjarje monumentale në historinë e vendit tonë. Duke kremtuar sot këtë jubile historik dhe duke nderuar veprën madhore të heronjve të pavarësisë, ashtu si Naimi, ne sot thërrasim:“Ti Shqipëri na jep nderë, na jep emrin shqiptar!”
Themelimi i shtetit të pavarur shqiptar në 1912 nuk ishte vetëm një akt formal me rëndësi historike, politike dhe diplomatike, as vetëm kurorëzim përpjekjeve të shqiptarëve, të luftëtarëve të lirisë dhe të veprimtarëve politikë e kulturorë të Rilindjes sonë Kombëtare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjes mbanëdalëse të një populli, që, duke u ndodhur në qendrën e vorbullave gjigande çetnizuese e ç’kombëtarizuese perandorake romake, bizantine, bullgare, sërbe dhe osmane, si dhe të dyndjeve të njëpasnjëshme barbare, ia doli të ruajë gjuhën dhe thelbin e tij etnik, ndërkohë që popuj të tjerë të lashtë, në po ato rrethana, u fshinë nga historia e kontinentit.
Si rrallë ndonjë popull tjetër, shqiptarët mbetën të ngulur për mijëvjeçarë në trojet të parëve të tyre ilirë. Vëndi ynë në hartën e Europës nuk ndryshoi kurrë, ndonëse trojet tona u rudhën së tepërmi.
Gjatë një shekulli qysh nga shpallja e pavarësisë, Shqipërisë i është dashur të përballojë reziqe ekzistenciale jo vetëm nga pushtimet e fuqive të mëdha e të shteteve fqinjë, por edhe nga politikat armiqësore çkombëtarizuese, etno-pastruese, etj. të fqinjve në veri e në jug, si dhe ndërhyrjet e intrigat e tyre për destabilizimin politiko-ekonomik dhe përçarjen e shqiptarëve.
Sot, një shekull pas shpalljes së pavarësisë, pozita e Shqipërisë si një vend sovran është konsoliduar. Shqipëria është pjestare e plotë dhe aktive Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe
e të gjitha organizatave botërore që i interesojnë; ajo është anëtare e traktatit të NATO-s.
Komuniteti europian, dhe aleatët perëndimorë, në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara, kanë ndihmuar në mënyrë vendimtare për zgjidhjen graduale të çështjes kombëtare të shqiptarëve, ndreqjen e padrejtësive historike që janë bërë në kurriz të vendit tonë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është një pikë kulminante dhe ende premtuese e kësaj prirjeje të re.
Brenda një shekulli, Shqipëria provoi forma të ndryshme të qeverisjes demokratike, republikane, monarkike dhe komuniste për t’u kthyer përsëri në demokraci, pas shuarjes së komunizmit në 1991.
Mësime nga një shekull pavarësi
Një shekull nuk është një periudhë e gjatë në historinë e një shteti, por ajo përmban vlera dhe mësime të mëdha që ne shqiptarët duhet t’i mbajmë parasysh për të sotmen dhe të ardhmen.
Së pari, ideologjitë politike, si dhe partitë e regjimet politike që lidhen me to, janë të ndryshueshme dhe të përkohshme. Ato vinë e ikin, lindin e vdesin. Ato që mbeten janë populli, kombi, identiteti, shteti dhe ideologjia kombëtare shqiptare, që vë mbi të gjitha interesat e Shqipërisë. Guri i provës i çdo ideologjie është përputhja e saj me interesat kombëtare.
Së dyti, ideologjitë mbikombëtare, si kozmopolitizmi, ndërkombëtarizmi, mondializmi, ndërkombëtarizmi proletar, etj., nuk përputhen me realitetin politik të botës së sotme, të mbarsur me konflikte aktuale dhe potenciale. Të zhvilluara për një botë utopike, të ndryshme nga bota në të cilën jetojmë, ato ideologji janë tërheqëse sidomos për rininë, dhe mund të shfrytëzohen, siç po shfrytëzohen sot, në propagandën kundër shqiptarisë, kundër kombëtarisë dhe ideologjisë shqiptare.
Së trerti, politika, si art i së mundshmes, mbështetet në interesat anëkëmbyese midis shteteve, të cilat janë relativisht të qëndrueshme. Historia na ka treguar sa s’bëhet më hapët se interesat e cilave fuqi europiane e botërore përputhen me ato të Shqipërisë.
Gabimet e së kaluarës për t’i gjetur aleatët ndër vende me ideologji ose sisteme politike të njëjta, e jo në partnerët gjeopolitikë afatgjatë, e kanë futur vëndin tonë në aleanca “strategjike” të gabuara e me pasoja të dëmshme për çështjen kombëtare. Historia na ka mësuar se aleancat ideologjike janë jetëshkurtëra. Ajo na ka treguar qartë se cilat fuqi europiane e botërore janë “proshqiptare” dhe aleate të vërteta strategjike të Shqipërisë.
Së katërti, ndërkohë që duhet të kërkojmë miqësinë me vëndet fqinje, politika e lëshimeve që kemi ndjekur ndaj tyre është e rrezikshme për vëndin dhe nuk ka shpurë në miqësi, por në kërkesa për lëshime të mëtejshme, në nënshtrim dhe dëmtim të interesave tona kombëtare.
Kohë për bashkim kombëtar
Çdo epokë në historinë e një vëndi ka përparësitë e saj politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, etj. Në kohën tonë të trubullt, plot me raste të mira të papërsëritshme, por edhe me reziqe historike, përparësinë e padiskutueshme politike e ka bashkimi i shqiptarëve, pavarësisht bindjeve dhe prirjeve të tyre politike, ideologjike e fetare.
Me krijimin e shtetit shqiptar në Kosovë dhe me hovin e sotëm të zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare në Maqedoni e Mal të Zi, por edhe më tej, bashkimi kombëtar i shqiptarëve ka fituar edhe nje përmasë të re historike ndërshtetërore.
Duke fryrë më shumë se ç’duhet konfliktet e brendshme politiko-shoqërore, për interesa thjesht partiake, ne shumë herë harojmë se reziqet e vërteteta Shqipërisë nuk i vinë nga brënda, nga shqiptarët, por nga jashtë, nga të huajt. Dhe sot, një çerek-shekulli pas shuarjes së komunizmit, ka ardhur koha për të arritur, mbi bazën e urtisë dhe interesit të Atdheut, pajtimin dhe bashkimin politik të të gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e kudo në botë.
Një Shqipëri e fortë për t’u bërë ballë reziqeve dhe kërcënimeve që mban e sotmja, e me të cilat është e mbarsur e ardhmja, kërkon pa tjetër bashkimin tonë kombëtar, si përbërësi më i rëndësishëm i “fuqisë së butë” (soft power) të vëndit.
Ne nuk kemi pse ta fshehim se bashkimi i shqiptarëve brënda Shqipërisë ka rënë në një pikë të ulët historike.
Dhe shkaqet e kësaj gjëndje janë janë të shumta e të njohura nga të gjithë, ndër të cilat:
– Rënia komunizmit në fillimin e viteve 90 krijoi një hutim dhe zbrazti ideologjike, që hapi fushë të lirë veprimi, jo vetëm për ideologjitë mbikombëtare kozmopolite e mondialiste, por edhe për veprimtaritë subversive dhe propagandën e gjithanshme antishqiptare, me pasoja të dëmshme, që nuk duhen nënvlerësuar, për atdhetarizmin dhe ideologjinë kombëtare shqiptare.
Në median shoqërore, në publicistikën shqiptare e të huaj dhe deri në botime “shkencore” të huaja u sulmuan haptas historia e shqiptarëve, identiteti, gjuha dhe prejardhja e tyre.
U shtrëmbëruan ngjarjet e mëdha dhe figurat e historisë, shtetit dhe kulturës shqiptare. Të gjitha këto sollën një trubullirë shpirtërore dhe intelektuale, që dëmtoi edhe besimin e rinisë shqiptare në vetvete dhe në aftësinë për ta bërë Shqipërinë.
Reagimi i intelektualëve ndaj kësaj furtune mediatike antishqiptare ka qënë i pamjaftueshëm kurse në nivelin institucional (Akademia e Shkencave me institutet e saj dhe universitetet) ka qënë thuajse i papërfillshëm.
– Politizimi skajor i jetës, në të cilën interesat dhe çështjet partiake, eklipsuan problemet e mëdha mbarëkombëtare. “Tranzicioni i pafund” tregon se Shqipëria është në një gjëndje kritike, e në situata të tilla, partitë duhet të harojnë ndryshimet e mospajtimet, për hir të interesit të Atdheut.
Fakti që interesat e partive janë të shumta e të ndryshme, kurse interesi i Atdheut është një, na thotë se interesat e partisë shumë herë bien ndesh me interesin e Atdheut, dhe për ne shqiptarët ky është mësim nga përvoja më shumë se sa rrjedhim teorik.
– Krahinorizmi i stimuluar për karriera personale, që në formën më të rezikshme gjeti shprehje në përdorimin e termave thellësisht përçarëse, “veriorë e “jugorë”.
– Ndërhyrja e huaj në institucionet fetare dhe në jetën fetare në Shqipëri, me qëllim të hapët përçarës e me synim të fundit aneksimin e territoreve të caktuara shqiptare.
– Paaftësia e jonë për të gjetur gjuhën e arsyes dhe të pajtimit lidhur me problemet komplekse të sundimit komunist në Shqipëri.
Një Shqipëri e fuqishme kërkon bashkimin e shqiptarëve. Të gjithë ne e duam Shqipërinë të bashkuar e të fuqishme por, përtej dëshirës së mirë, sot ka ardhur koha për të hedhur hapin e madh real të bashkimit të popullit, si një kusht i domosdoshëm i fuqizimit të brëndshëm të Shqipërisë, që mund të japë një ndihmë të madhe e të pazëvëndësueshme për fuqizimin dhe përparimin e çështjes kombëtare në Shqipëri, Kosovë dhe në përbërësin etnik shqiptar në vëndet fqinje. Dhe kjo është plotësisht e mundshme sepse dashuria për Atdheun dhe interesat e përbashkëta si shqiptarë, janë më të mëdha se çdo gjë që na ndan.
Ka shënja të qarta se tanimë shqiptaria ka ngadhnjyer mbi valën e pashëmbullt çerekshekullore të sulmit kundër historisë, kulturës, gjuhës, prejardhjes dhe vlerave morale e kulturore të shqiptarëve në përgjithësi. Andaj sot është koha për bashkim kombëtar; dhe është sot më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Ky bashkim do ta shtynte përpara çështjen kombëtare shqiptare në të gjitha frontet, politike, diplomatike, ekonomike, shkencore e kulturore. Askush nuk ka pse të trëmbet nga bashkimi i shqiptarëve, përveç armiqve të Shqipërisë.
Le t’i tregojmë edhe një herë botës se ne duam, dimë dhe kemi fisnikërinë të ngrihemi mbi mëritë politike që na ndajnë, të ngrihemi në lartësinë e detyrave të mëdha të momentit të sotëm kritik për fatin historik të Atdheut, ashtu siç ditëm në kohën e Gjergj Kastriotit dhe në kohën e
pavarësisë. Nuk ka dyshim se shqiptarët do të dinë ta kalojnë këtë provë madhore të urtisë dhe pjekurisë së tyre politike.
Koha kërkon që udhëheqja politike, të ngrihet mbi interesat sektare partiake e të çastit, të ndjekë politika afatgjata, që t’i bashkojnë shqiptarët e jo t’i përçajnë, si deri sot. Interesat e partisë t’i nënrendohen interesit të Atdheut e të vihen në funksion të tij. Partia është diçka, Atdheu është gjithshka.
Është detyra e “shtetit nënë” ta nisë këtë punë fisnike atdhetare me një diskutim popullor e një kuvënd të bashkimit kombëtar të të gjitha trojeve shqipfolëse.