• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë

September 2, 2016 by dgreca

… dhe Nexhmije Hoxhën/

 -Bujar Kore: Ju rrëfej takimet e mia me Nënë Terezën. Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën/

-Mu dukën të çuditshme përgjigjet e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës për fenë dhe misionin e saj/

-Ramiz Alia nuk lejoi që motrat e saj të çelnin misionin në Shqipëri në vitin 1989/

-Nexhmije Hoxha iu shmang kërkesës së Nënë Terezës, duke thënë, nuk vendos unë/

-Jam i pari operator shqiptar që kam filmuar vizitën e saj të parë historike më 1989/

-Kam mbi 10 orë xhirime me Nënë Terezën, por në arkiv është vetëm një orë, ish-drejtuesit i kanë shitur/

-19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, u njoh botërisht kush ishte Shqipëria/

1ok nene-tereza-1

Nga Albert Z. ZHOLi/

Ai mbetet në historinë e operatorëve shqiptarë, operatori i parë, i cili xhiroi vizitën e parë dhe të dytë të Nënë Terezës në Shqipëri. Emocionet e tij për këtë figurë gjigande shqiptare janë të jashtëzakonshme. Ai përshkruan me detaje të gjitha mbresat, takimet, lëvizjet, urimet, bekimet, komunikimin, dëshirat. Por e veçanta e tregimit të tij është se ai loton kur flet për këtë figurë të shquar, aq impresionuese kanë qenë ato xhirime. Për të, momentit magjik kur Nënë Tereza doli nga dera e avionit, bëri që Bujari për disa momente shtangu nga rrezatimi i figurës së saj, për disa momente nuk e vuri në lëvizje aparatin. Një nga momentet më magjike të saj është pritja që i bëri Papës në Rinas. Aty pa se si Nënë Terezën, Papa e puthi në ballë dhe nuk e lejoi t’i puthë dorën, pasi shenjtëria e saj ishte më e madhe, ndaj theksoi se “Nënë Tereza është Nëna e të gjithë Botës”.

 –Kur e keni takuar për herë të parë Nënën Terezë?

-Për herë të parë Nënën e Madhe të gjithë njerëzimit, e kam takuar në vitin 1989, kur ajo zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit, në tokën shqiptare. ishte një vizitë historike, ku shtypi i huaj i dha rëndësi të madhe ndërsa media jonë e kaloi përciptazi. Ajo ishte e shoqëruar nga disa motra të saj. Ajo që më ra në sy ishte se atë nuk e priti asnjë zyrtar i lartë i kohës. Pra asnjë anëtar i Byrosë Politike apo Kryeministër, ndërkohë që në çdo vend të botës ku ajo shkonte pritej si Perëndi. Ishte një pritje e thjeshtë, tepër modeste për një grua të madhe. Ajo zbriti në Rinas ashtu shtatvogël por që linte pas një ndriçim prarues që të dukej se diçka ndriste në çdo hap që hidhte. Ecja e saj, veshja e saj, shikimi i saj ishte magjeps. Me të vërtetë ajo të shtangte. Bëja çudi kur një botë e tërë çohej në këmbë para saj në Shqipëri kjo lavdi ishte thuajse inegzistente. ishte koha kur ende feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe kultet fetare nuk ishin hapur dhe besimtarët luteshin fshehurazi nëpër shtëpi.

Kush e priti Nënë Terezën në Rinas?

-Ishte zv.minsitri i Shëndetësisë së asaj koha dhe kryetari Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe nja dy tre të tjerë. Ishte një pritje e thjeshtë, pa shumë zhurmë dhe pa shumë ceremoni. Ajo ishte shoqëruar nga disa motra të Misionit te saj.

Ju atë kohë ishit i vetmi televizion në Shqipëri, si u ndjetë që ishit i pari operator, që keni xhiruar Nënë Terezën në Shqipëri?

-Sot kur e mendoj dhe e shikoj në retrospektivë them se kam lindur me fat së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhi. Ndoshta atë kohë atë moment duke pasur parasysh sistemin nuk pata ndonjë emocion, por sot kur shikoj famën, respektin, mirësitë, lavdinë e saj them se ndihem tepër i përkëdhelur. Por edhe ato moment i bëra shumë pyetje vetes. P.sh si ka mundësi që e presin një grua me emër dhe nuk i japin rëndësinë e duhur? Pse nuk pritet si priten shumë kryetarë partish komuniste apo anëtarë të Byrove Politike të vendeve ish-komuniste? E dija që feja ishte ndaluar tek ne dhe ajo ishte një shenjtore, por përderisa e linin të vizitonte Shqipërinë pse të mos bëheshin nderet e duhura?

-Si u ndjetë kur ajo zbriste shkallët e avionit?

-Kisha shumë kureshtje, kisha shumë mendime në kokë. Pritej një shenjtore. E mbaja kamerën në duar dhe prisja momentin të filmoja. Kur ajo zbriti shkallët e avionit për një moment u stepa. Nuk e shkela këmbëzën e filmimit. Kisha shumë kureshtje pasi hera e parë që isha në një pritje të tillë. Sa bëri hapat e para i thirra mendjes. Duhej të lija kureshtjen dhe të bëja detyrën. Unë nuk isha si ët gjithë pro me një detyrë specifike. E çoja kamerën me kujdes ku ajo shkelte. Prisja një gjigante, por ajo ishte e shkurtër e dobët, por kishte forcën e shpirt të madhe. Të impononte dëshirë për ta ndjekur, me atë fytyrë engjëllore dhe veshje specifike më bëri të tërin për vete.

Cili ishte qëllimi i vërtetë i Nënë Terezës në Shqipëri?

-Me sa mora vesh ajo kishte qëllim që misionin e Motrave të saj ta hapte dhe në Shqipëri. Donte patjetër që vendi ynë të ishte pjesë e këtij misioni fisnik. Por atë kohë ishte tjetër ideologji, jo çdo gjë mund të bëhej me një firmë. Feja ende ishte opium, ishte tejet e ndaluar. Ne në këtë drejtim ishim vendi më i pa fe në botë. Feja ishte tabu absolute.

Me cilët pati takime në atë kohë Nënë Tereza?

-Pati shumë takime, por unë do të veçoj dy. Takimi i parë ishte me Ramiz Alinë, vazhduesin e veprës dhe rrugës së Enverit (pra Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH) dhe së dyti me Nexhmije Hoxhën. Takimi i parë u bë në zyrën e Ramiz Alisë dhe takimi i dytë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës. Në takimin me Ramiz Alinë Nënë Tereza i kërkoi shefit të PPSH për një vend apo ndërtesë për të hapur përfaqësinë e misionareve të saj në Tiranë. Të njëjtën kërkesë ja parashtroi dhe Nexhmijë Hoxhës.

Çfarë përgjigje i dha Ramizi dhe Nexhmija?

-Ata i dhanë afërsisht të njëjtën përgjigje. Ramizi i tha se nuk janë pjekur kushtet ën Shqipëri për ligjërimin e fesë dhe të misioneve të tilla fetare në Shqipëri, pasi është e ndaluar me Kushtetutë propaganda fetare. Ndërsa Nexhimja “më me diplomaci” ju përgjigj se nuk kishte ajo autoritetin dhe firmën për një diçka të tillë. Pra si duket ato ishin marrë vesh për të mos e lejuar hapjen e një misioni të tillë të Motrave në Nënë Terezës në Shqipëri. Por me sa shihja Nënë Tereza u habit dhe u mërzit shumë me këtë përgjigje, i dukej absurd. Kjo më tepër se misioni i Motrave të saj ishte përhapur në gjithë botën ku ajo respektohej si një Presidente. Më vinte keq shumë kur shihja fytyrën e saj që shprehte habi. Kishte besim se diçka pozitive do të ndodhte. Por…

A u dha lajm-kronikë në TVSH kjo vizitë?

-Eh…S’di ç’të them, por e vërteta ishte se u dha një kronikë vetëm 40 sekonda. Kronika përcillte se “ Sot në Tiranë erdhi për një vizitë Nënë Tereza….”. Pra shkurt, shkurt fare sikur bëhej fjalë për mbjelljen e domateve në një ndërmarrje bujqësore. Lajmin e përgatiti gazetari Ferdinand Samarxhi.

Ju, sa orë filmuat kur e shoqëruat (total)?

-Ju thashë që pata fatin dhe nderin e madh që të filmoj këtë vizitë. Ajo ishte një Hyjneshë e zotit. E filmova në të gjitha vendet ku shkoi dhe takimet që bëri. E filmova kur zbriti në Rinas, kur Takoi Ramiz Alinë, kur takoi Nexhmije Hoxhën dhe në disa vizita që bëri në veri të vendit. Kam shumë kujtime të bukura dhe foto me të. Kur më prekte dorën apo më afrohej më dukej sikur zoti vetë më merrte në mbrojtje. Kishte një frymë të shenjtë. Shumë takime nuk u dhanë por unë i kam në arkivin tim. Shumë të tjera i kanë marrë televizionet e tjera dhe i përcjellin tek shikuesi si të tyre, pa emër autori. Kam bërë mbi 10 orë xhirime, njëra më e mirë se tjetra. Xhirime që më kanë lënë mbresa të mëdha. Por sot në arkivin e RTSH nuk gjen as një orë xhirime. Ish-drejtorët e asaj kohe me radhë i përvetësuan dhe nuk e di ku i kanë çuar këto xhirime për përfitime personale.

 Kur ka ardhur për herë të dytë Nënë Tereza?

-Për herë të dytë ka ardhur kur proceset demokratike kishin sjellë demokracinë në Shqipëri. Ishte 18 gushti i vitit 1992, kur President ishte Sali Berisha dhe Kryeministër Aleksandër Meksi. Tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Në këtë vizitë Nënë Tereza u shpreh hapur se “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes dashuri”. Asaj prej shumë vitesh i ishte mohuar e drejta të vizitonte Shqipërinë dhe varrezat e të afërmve në Sharrë që nga viti 1928 kur ishte larguar. Ajo nuk kishte vendosur një tufë me lule në varet e të afërmve të saj në Sharrë. Ajo zhvilloi takime me Sali Berishën dhe me Aleksandër Meksin, të cilët i dhanë mbështetjen për hapjen e misionit të saj të bamirësisë së Tiranë.

Po takimi i tretë?

-Vitit 1993! Nënë Tereza priti Papa Vojtilan në Rinas. Më bëri çudi për rëndësinë dhe dashurinë e madhe që tregoi Papa ndaj Nënë Terezës, Ajo donte ti puthte dorën ndërsa ai u ul paksa dhe i puthi kokën (ballin). Një gjest shumë human dhe vlerësues. Papa theksoi se Nënë Tereza është simboli i gjithë shqiptarëve por edhe të gjithë njerëzve të vuajtur. Ajo i ka bërë shqiptarët të njohur kudo në botë me veprën dhe punën e saj. Shërbimet e saj për të varfrit kudo në botë janë shumë të mëdha tha Papa. Ai e quajti Nënë Terezën Nënë të të gjithë Botës.

Kush ishte e veçanta e Nënë Terezës?

E veçanta ishte se ajo nuk bënte dallime në besimet fetare. Ajo të gjithë i quante njerëz dhe takoi krerët dhe besimtarët e të gjitha besimeve fetare, mysliman, bektashinj, ortodoks apo katolik.

Nga xhirimet për të dhe gjatë vizitave të saj, çfarë të veçante do të kujtosh?

-Janë shumë, shumë. Mbaj mend se në takimet që mbajti në Pukë me popullin, një njeri e kishin sjellë me barela pranë saj pasi nuk ecte. Për çudi, sa e vendosën barelën pranë saj, ai i habiti njerëzit përreth kur u çua për disa moment në këmbë. ishte një mrekulli. Ajo vetë nuk e besonte. Por dua të veçoj thjeshtësinë dhe bujarinë e madhe të saj. Sa herë shkonte në Vatikan, afër tij Nënë Tereza kishte dhomën e saj të gjumit. ishte dhoma më modeste që kam parë në jetën time. Unë kam filmuar shumë detaje të jetës së saj pasi ne bëmë një dokumentar me gazetarin Engjëll Ndocaj. Në atë dhomë kishte një krevat të thjeshtë, një tavolinë një frigorifer, perde të zakonshme dhe mbulesë të zakonshme që mund ti ketë dhe njeriu më i varfër në botë. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë dhomë ishte një zemër e improvizuar plastike ku brenda kishte formën reale të zemrës së saj, ku nëpërmjet gypave plastik dukej ose përcillej ngjyra e gjakut të saj. Pra një simbol i dashurisë njerëzore.

19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, cilat ishin të veçantat?

Kjo ditë ishte historike. Gjithë bota në këtë ditë njohu më shumë Shqipërinë. Në këtë ditë flamuri shqiptar zaptoi Vatikanin. Vetëm flamuri kuq e zi mbizotëronte. Në Sheshin e Shën Pjetrit ishin mbi 10 mijë vetë ku pjesa dërmuese ishin shqiptarë. Një moment historik. Gjithë bota njohu se kush ishte Shqipëria. Kishte shumë njerëz që se njihnin dhe morën vesh se çfarë figure të madhe nxori një vend i vogël.

E veçanta e bekimit të Kishës së Shkodrës?

Kur në Shqipëri u zyrtarizua feja dhe besimtarët u çliruan nga izolimi shpirtëror 50-vjeçar, Nënë Tereza nëpërmjet ish-zv.ministrit të Jashtëm shqiptar të vitit 1991 dërgoi ujë të bekuar, për të bekuar muret e kishës së Madhe në Shkodër. Ky gjest u diskutua shumë në botë.

Në Ditën e Lumturimit

Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit. Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i Formulës së Lumturimit nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

 

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Nene Tereza, takimi me Ramiz Aline

SHUMË PAK DHE TEPËR VONË!

September 1, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës po bëhen përgatitje për të shënuar shënjtërimin e Nënë Terezës më 4 shtator, 2016. Natyrisht se atë ditë vëmendja dhe sytë e botës do të drejtohen kah Vatikani dhe Roma, epiqendra e aktiviteteve, aty ku Papa Françesku do të kryesojë meshën dhe ceremoninë për lartësimin e Shënjtëreshës Nënë Tereza, bijës së kombit shqiptar dhe Nënës së më të varfërve anë e mbanë botës. Por nuk feston vetëm Vatikani dhe Kisha Katolike. Festojnë të gjithë njerzit vullnetmirë dhe dashamirës të paqës anë e mbanë botës. Festojnë shtete dhe organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Këtë ditë e shënojnë komunitete dhe organizata fetare dhe bamirëse anë e mbanë botës.

Është e vërtetë se Nënë Tereza i takon botës. Por ajo pikëspari i takon kombit shqiptar. Ajo prej aty doli. Do e s’do dikush, ajo aty i ka rrënjët, si bartëse e virtyteve më të shëndosha të kombit shqiptar. Përfaqsuesja më e denjë e frymës së vëllazërimit më të kulluar midis njerëzve pa dallim, e cila gjatë gjithë jetës luftonte ndasitë midis besimeve, kulturave dhe kombeve. Ndërkaq, ndonëse isha në dijeni të shumë përgatitjeve anë e mbanë botës për shënjtërimin e Nënë Terezës, u turra të shoh se si do e kujtojë Shqipëria bijën e saj në këtë ditë të shënuar. Gjeta njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, të cilën lexuesi mund ta lexojë më poshtë – botuar më 31 Gusht, 2016, — vetëm tre ditë para ceremonisë në Vatikan — ku flitet për një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shënjtërimit të Nënë Terezës. Tepër vonë dhe shumë pak, thashë me vete, pasi Vatikani kishte njoftuar datën e shënjtërimit shumë kohë më parë, pothuaj në fillim të këtij viti. Pa dashur të futem në polemika me askënd, lexuesi të vlerësojë vet nëse Shqipëria mund të bënte diçka më shumë dhe më heret, për tu përgatitur për këtë ditë. Por mu duk si një vendim marrë me gjysëm zemër, pa bindje dhe vullnet serioz se me të vërtetë duhej bërë diçka me këtë rast.

Do e s’do njeriu, ky moment të sjellë ndër mendë për ata që u kujtohet letra që qarkulloi kohët e fundit e që Nënë Tereza i kishte dërguar Ramiz Alisë, drejtuar, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”, më 2 shtator 1989 pas një vizite që kishte bërë në atdheun e saj. Në atë letër ajo shpreh kënaqësinë e saj që, "Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim , më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”. Në atë letër, Nëna Tereze i shkruan Ramiz Alisë se veprimtaria e saj, “nuk është çështje biznesi, as politike" dhe shton se, "Unë nuk kam as ar e as argjent, por juve do t’ju jap motrat". Kërkesa e Nënë Terezes bie në veshë të shurdhët dhe refuzohet kategorikisht nga Ramiz Alia, nga ai, të cilit Nënë Tereza iu drejtua si, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”.

Shqipëria e gjysëm shekulli më parë nuk kishte nevojë as për Nënë Terezën as për motrat e saja, i kishte shkruar Ramiz Alia, Nënë Terezës, pasi “Shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë… i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”. Kjo ishte atëherë, po sot pas 25 vitesh post-komunizëm?

Shpresohej për një mëkëmbje të vlerave, të kulturës dhe traditave të shtypura kombëtare nga regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli. Kultura nuk është një njoftim ose grumbull njoftimesh, por është një fuqi gjykuese morale e vlerave për të cilat shquhej Nënë Tereza dhe për të cilat në këtë tokë ajo u vlerësua me çmimin më të lartë të kësaj bote, me Çmimin Nobel për Paqë. Ndërkaq të djelën më 4 shtator do t’i akordohet titulli më i lartë nga Kisha Katolike, Shënjtëreshë, që mund t’i jepet njeriut të vdekshëm, për meritat, veprimtarinë dhe trashëgiminë që la pas për mbarë botën.

Po të duam të jemi të saktë dhe të sinqertë me vetveten, duhet të pranojmë ashtu siç është prononcuar shpesh edhe ajo vet në shumë raste, Nënë Tereza i përket këtij grumbulli njerzish në këtë tokë, këtij kombi të quajtur shqiptar.

Jo vetëm, sa për sy e faqe, por ajo shprehimisht i përkiste këtij kombi me gjakun dhe zanafillën e saj si element i përbashkët i këtij kombi –megjithëse armiqtë e kombit shqiptar u përpoqën dhe gjithnjë përpiqen ta përvetësojnë atë si të tyren ose të pakën të hedhin tym rreth zanafillës së saj. Po mos ta kishte, kombi shqiptar do të duhej të çpikte një Nënë Tereze, dhe si të tillë duhej t’a mbajë në shuplakë të dorës, për nder të vet si bijë e këtij populli dhe për hir të së vërtetës, po se po, por edhe për sytë e botës. Kjo, në mos për asgjë tjetër, atëherë të bëhet jo vetëm për dëshirën, por edhe për nevojën që shqiptarët, me vlerat që përfaqëson Nënë Tereza, të marrin pjesë në valle me popuj të tjerë, jo si një popull i prapambetur në Europë, por si një komb i cili në venat e gjakut të tij ndjenë thellësisht nevojën për lartësimin moral dhe shoqëror, vlera këto mbi të cilat Nënë Tereza — bijë e këtij populli — kishte përqëndruar veprimtarinë dhe jetën e saj. Mungesa e nderimit dhe vlerësimit të duhur ndaj veprimtarisë së Nënë Terezës, sidomos në këtë moment historik, kam drojë se madje edhe në këtë periudhë post-komuniste, ve në pikëpyetje vullnetin dhe gatishmërinë e Shqipërisë së sotëme për tu ngjitë në shkallët dhe për tu venë në radhët qytetërore me kombet si motra të botës së përparuar.

***

Ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës 3 – 10 shtator 2016 në BKSH

16-08-31-02-51-59big_nene_tereza_poster_nga_bksh

Biblioteka Kombëtare, në nderim të figurës së shquar të nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, fton publikun e kryeqytetit të vizitojë në datat 3-10 shtator ekspozitën “homazh” kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore.

Nga lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores te poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, nga albumet mbresëlënëse te monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për të, kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë mes Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim.

Përmes një bashkëpunimi përherë të suksesshëm me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe shalli i saj, sot pronë e MHK.

Ju mirëpresim!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Nene Tereza, Teper vone

NGA QIELLI VEPRON AKOMA

August 30, 2016 by dgreca

Nënë Tereza ka kryer një mrekulli të dyfishtë : me ndërmjetësimin e saj një hindiane dhe një brazilian,të sëmurë në shkallën e fundit, janë shëruar. Provat e shenjtërisë së Saj./

Shkruar nga RANUCCIO  BASTONI/ GENTE/

E përktheu për DIELLIN nga italishtja Eugjen Merlika/

1 eugjeni perkth

Quhet Marcilio Haddad Andrino ingjinjeri brazilian që në 2008, i rënë në komënë sallën e operacionit për një ndërhyrje të dëshpëruar në tru, papritmas – e në mënyrë të pashpjegueshme – u shërua me ndërhyrjen e Nënë Terezës së Kalkutës, duke shtyrë kirurgët të anullonin operacionin. E njohur nga Kongregacioni i Ҫështjeve të Shenjtëve, është kjo mrekullia për të cilën Papa Françesku ka shpallur për 4 shtatorin 2016 ngjitjen në altaret të themelueses së “Misionareve të Mëshirës, e Lumturuar në 2003 nga Gjon Pali II, për një tjetër shërim të pashpjegueshëm shkencorisht.

Dy mrekullitë, të nevojshme për Kishën me qëllim njohjen e shenjtërisë së Nënë Terezës, kanë histori shumë të ndryshme. Por të dyja i përgjigjen në mënyrë të saktë përcaktimit të profesor Karlo Jovine, ekspertit zyrtar të Kongregacionit të Ҫështjes së Shenjtëve, “asaj që për Kishën vlen si një mrekulli, ose një ndodhi shkencorisht e pashpjegueshme e kryer në mënyrëvendimtare, t’atypëratyshme, të qëndrueshme e të plotë”.

Shërimi i parë mrekullibërës, ai që solli Lumturimin e Nënë Terezës, është ai i Monika Besra-s. Tridhjetë vjeçe, e martuar e me pesë fëmijë, gruaja e re jetonte në një fshat të vogël në veri të Kalkutës. Në fillim të 1998-s ndjeu një dhimbje koke shumë të fortë. Vështrimi i u mjegullua, frymëmarrja u bë e vështirë, temperatura u rrit. Simbas diagnozës së mjekut të vendit, Monika ishte goditur nga një formë e rëndë meningjiti tuberkular, një sëmundje e përhapur në krahinën ku banonte. U shtrua në spitalin e Santa Croce, në qytetin e afërt të Rajibpur, por mbas një muaji i shoqi nuk kishte më para për t’a kuruar dhe e çon në qendrën e pritjes së misionareve të Mëshirës në Patiram. Për një muaj Monika kurohet pa asnjë përmirësim. Pastaj një natë zgjohet me një dhimbje të fortë të shkaktuar nga një fryrje e madhe e barkut që, në ditët e ardhëshme, diagnostikohet “si një tumor shumë i rëndë dhe i përparuar i vezores”

Ndërhyrja kirurgjikale ishte e pamundur : në kushtet e dobësimit skajor organik në të cilin ndodhej, Monika nuk do t’a kalonte. Nuk ishte as në gjendje të përballonte anestezinë. E dërgojnë përsëri në Patiram tek Murgeshat. Është 5 shtatori 1998, përvjetori i parë i vdekjes së Nënë Terezës, dhe motër Bartolomea, eprorja e kuvendit, ulet afër shtratit të saj për t’a ngushulluar. Thërret murgeshat e tjera dhe i fton  t’i luten Nënë Terezës që tëndihmojë vdekësen.

Ja se si, simbas dëshmisë së murgeshës Bartolomea dhe disa zbulesave të padëgjuara, u krye mrekullia. Nëntë herë murgeshat recituan Memorare-n, një lutje e lashtë që i vishej Shën Bernardit të Kiaravalle, që Nënë Tereza e përsëriste nëntë herë kur kishte nevojë për një ndihmë nga lart. “Kujtohu o mëshirëmadhja Virgjën Mari”, thotë lutja “nuk është dëgjiuar kurrë në botë që dikush t’i jetë drejtuar përkrahjes tënde, të jetë lutur për ndihmën tënde, të ketë kërkuar mbrojtjen tënde e të jetë braktisur. I mbushur me këtëbesim po të drejtohem ty, o Nënë, o Virgjër, o Virgjëresha e virgjëreshave, tek ti vij e ulem në gjunjë, mëkatar i penduar. Mos i përbuz o Nëna e Fjalës lutjet e mija, por dëgjomë dashamirëse e më plotëso dëshirën. Amen”.

Mbasi mbaroi këndimi i lutjeve murgesha Bartolomea i bëri thirrje ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Nënës Terezë dhe mbështeti mbi barkun e Monikës një medalje që e ruante me kujdes të madh : ishte ajo që kishte takuar trupin e Nënë Terezësfill mbas vdekjes. Për çfarë medalje bëhej fjalë ? Papa Ratzinger, i kushtuar Nënës Terezë të Kalkutës, e din mirë. Mban gjithmonë me vete një riprodhim, duke i dhënë një kopje besimtarëve më të kushtuar që i bëjnë vizitë. Medalja e ka origjinën tek çfaqja e Zojës së Bekueme para Shën Katerinës Labouré, e ndodhur më 27 nëndor 1830. N’atë rast Virgjëresha kërkoi që të bëhej një medalje në këtë formë : Ajo në këmbë mbi globin tokësor, me rreze drite që zbresin nga duartë e saj poshtë. Për rreth e shkruara : “O Mari, e ngjizur pa mëkat, lutuni për ne që ju drejtohemi Juve”. N’anën tjetër të medaljes duket një M që ka sipër një kryq e rrethohet nga 12 yje. Nënë M duken dy zemra, njëra prej të cilave e therur. Medalje si kjosot janë të përhapura në gjithë botën dhe janë shumë të kërkuara, për shkak të mrekullive që u njihen atyre.

Fill mbas recitimit të nëntëMemorare-ve e prekjes së medaljes në bark, Monika Bersa ra në gjumë. Nuk ndiente më asnjë dhimbje e në orën një të natës, duke u zgjuar, preku barkun e kuptoi që masa tumorale ishte zhdukur. Kontrollet mjekësore vërtetuan se vezoret, mitra, fshika dhe veshkat ishin përsosmërisht normalë. Simbas mjekëve ishte i dukshëm “një shërim i plotë nga një gjëndje sëmundjeje në shkallë të fundit”. Mrekullia më e shtrenjtë për Gjon Palin II, prej së cilës Nënë Tereza do të shpallej e Lumnueme më 2003, u krye.

Miratimi i Papës Françesku për shenjtërimin e Nënë Terezës ka përkuar me ditëlindjen e tij të 79. Në fakt ka qenë 17 dhjetori i vitit 2015, dita kur Papa ka lajmëruar njohjen e shërimit të dytë, të pashpjegueshëm për shkencën, atë të ingjinjerit brazilian Marcilio Haddad Andrino, të njohur themelueses së Murgeshave Misionare të Kallkutës. Historia e kësaj mrekullie, hollësitë e së cilës janë mbledhur nga shkrimtari e gazetari Antonio Gaspari, ka filluar në dhjetor 2008, kur ingjinjerit  Andrino, n’atë kohë 35 vjeç i sapo martuar, i diagnostikohen shqetësime të rënda neurologjike. Më saktë, analizat klinike zbulojnë praninë e tetë abseseve trunore, pra të tetë zonave të infeksioneve të rënda në tru.

“Mbas shtrimit të menjëhershëm”, shpjegon eksperti zyrtar i Kongregacionit të Ҫështjeve të Shenjtëve, profesori Karlo Jovine,“ skaneri vërtetoi rëndimin e gjëndjes dhe pazienti hyri në komë. Mbas pak ditësh, kuadritklinik mjaft dramatik i u shtua çfaqja e një hidroqefali bllokues, pra mbyllja e rrugëve rrjedhëse të lëngjeve në tru. U bë e detyrueshme një ndërhyrje e menjëherëshme kirurgjikale, por atëherë filluan të ndodhin gjëra të pashpjegueshme. Profesori Kabral, kirurgu që pregatitej të kryente operacionin, me habi sheh se ingjinjer Andrino ishte i zgjuar, i vetëdijshëm dhe pyeste “Ҫfarë po bëj un këtu?”. U krye një skaner i trurit për të kuptuar se çfarë po ndodhte me pacientin dhe, në shtangien e përgjithëshme, zbulohet se jo vetëm është zhdukur hidroqefali, por dhe abseset janë zvogëluar në masën 70%. Në pak ditë kuadri i pabesueshëm u plotësua : truri i Andrinos nuk paraqet më asnjë gjurmë parregullsie apo ndryshimi. Më 23 dhjetor, vetëm dhjetë ditë mbas operacionit të munguar, pacienti kthehet në shtëpi i shëruar plotësisht.

“Një rast si ky”, deklaroi profesor Jovine “nuk ka të ngjajshëm më parë, sepse përqindja e përfundimeve fatale në praktikëështë 100%. Duhet të konkludojmë pra, se ngjarja është shkencorisht e pashpjegueshme.” Një mrekulli dhe njohja e saj si ndërhyrje e Nënë Terezës, i detyrohet një sërë elementësh të pakundërshtueshëm. Në fakt ishte gruaja e ingjinjer Andrino-s që kishte kërkuar ndërhyrjen e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës, kur burri po pregatitej të  operohej. Mbrëmjen para operacionit  gruaja, e shoqëruar nga një prift, të cilit i ishte drejtuar, kishte shkuar në spital. Aty prifti, atë Elmiran Ferreira, famullitar i kishës Sao Vicente, i kishte dhënë të sëmurit mirosjen e fundit. Mbasi ishte lutur, prifti vuri mbi pazientin një foto dhe një relike të Nënë Terezës pranë kokës. N’atë çast shërimi mrekullues i Andrino-s filloi.

Marrë nga revista GENTE speciali  Numuri 1, shtator 2016

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Nene Tereza, NGA QIELLI, VEPRON AKOMA

KUJTOJMË VIZITËN E NËNËS TEREZË NË ARIZONË

August 29, 2016 by dgreca

 

Mother Teresa-2

Mother Teresa-4

Mother Teresa-3 (1)

Nga Hajro Hajra/Arizonë/

Në prag të shenjtërimit të Nënës Terezë, një prej personaliteteve më të mëdha shqiptare, le të jetë ky shkrim një ndihmesë e vockël për ta ndriçuar jetën e veprën e Nënës sonë të Madhe, të krenarisë së kombit tonë, figura e së cilës, me kalimin e kohës vjen e bëhet edhe më madhështore. Jemi komb me fat që kemi një ikonë si Nëna Terezë dhe është turp, është pafytyrësi të hidhet baltë mbi figurën e saj, siç po bëjnë disa trutharë shqiptarë, paçka se balta me të cilën këto pjella djalli po përpiqen të njollosin atë, por edhe figura të tjera të kombit, po bie e do të bjerë në surratet e tyre…

Pa u mbushur dy vjet nga dita kur Gonxhe Bojaxhiu kishte kaluar në amshim, fati na kishte degdisur këtu, në Amerikë, në vendin më të fuqishëm të botës, në shtetin që bashkë me aleatët e kishte shpëtuar Kosovën nga kthetrat e kuçedrës Serbi.
Që në takimet e para me mikpritësit amerikanë, të cilët bënin çmos që ta ndienim veten sa më mirë, ne bënim përpjekje që t’u tregonim atyre se kush ishim dhe, në raste të tilla, pashmangshëm ua zinim ngoje me krenari kryeheroin e shqiptarëve e të Europës, Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë, Kadarenë e Madh dhe figura të tjera të shquara shqiptare.
Falë këtyre bisedave, falë faktit se shumë herë e kishim zënë ngoje emrin e Nënës Terezë, në maj të vitit 2000 zonja Bonnie Cottrell, mësuesja jonë e anglishtes që nga ditët e para pas mbërritjes sonë në Amerikë, na solli një dhuratë shumë të çmueshme, një videoxhirim të vizitës së Nënës Terezë në Feniks (Phoenix) të Arizonës, që miqtë e saj e kishin siguruar për ne nga arkivi i Televizionit të Pavarur të Feniksit Channel 3, i njohur si KTVK.
Në bazë të këtij dokumentari, ne arritëm ta “rikonstruktonim” këtë vizitë të Nënës Terezë, një nga vizitat e shumta që nobelistja shqiptare bënte nëpër botë në kuadër të misionit të saj të bamirësisë, të dashurisë ndërmjet njerëzve e të paqes.
Njëzet e shtatë vjet më parë, më 2 shkurt 1989, e ftuar nga ish-guvernatorja e Arizonës, zonja Rose Mofford dhe nga Dioqeza Katolike e kryeqytetit të Arizonës, Nëna Terezë kishte vizituar kryeqytetin e Arizonës, Feniksin.
Arizona Veterans Memorial Coliseum që nxë afro 20 mijë vizitorë atë ditë kishte qenë mbushur përplot njerëz, të cilët kishin shkuar për ta parë atë grua trupvogël e zemërvigane. Hyrja e saj në koloseum kishte ngritur më këmbë atë masë të madhe njerëzish, të cilët me duartrokitje të zjarrta po i uronin mirëseardhje dhe po i shprehnin dashurinë simbolit të paqes e të dashurisë. Ajo ditë shkurti e vitit 1989 kishte qenë më shumë se një festë për adhuruesit e gruas më të njohur e më të dashur të botës. Ishte si një ditë e shenjtë ajo ditë kur në mesin e atyre njerëzve kishte ardhur gruaja që, siç thotë poeti Visar Zhiti, profesion kishte dashurinë, industrialistja e mirësisë, që të vetmen pasuri kishte plagët e botës.
Përfaqësues të Dioqezës Katolike të Feniksit, duke falënderuar Nënën Terezë që kishte gjetur kohë dhe gjendej në mesin e tyre, në qytetin e tyre, e duke e cilësuar praninë e saj aty si një dhuratë Perëndie, kishin falënderuar ata mijëra njerëz, të cilët kishin ardhur për ta nderuar mysafiren e rrallë, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë për të dhe duke respektuar sakrificën e saj për të varfrit. Një falënderim i veçantë ishte për Guvernatoren e Arizonës, zonjën Rose Mofford, e cila kishte bërë shumë që të realizohej ajo vizitë.
– “Falënderoj Zotin për këtë dashuri madhështore që na ka bashkuar!” – ishin fjalët me të cilat i ishte drejtuar masës së popullit Nëna e Sakrificës.
Me një anglishte të rrjedhshme e të këndshme, karakteristike për të folmen e Nënës Terezë, ajo kishte vazhduar:
– “Është shumë me rëndësi që njerëzit të kenë dashuri, të kenë paqe. Dashuria fillon në shtëpi. Fëmijët janë të lindur të bëjnë gjëra madhështore, të lindin në dashuri dhe të rriten në dashuri. Dashuria është faktori kryesor që e mban familjen të bashkuar… Një gotë ujë po t’ia jepni dikujt me dashuri, do t’ia bëni jetën më të lehtë… S’është e thënë të bëni gjëra të mëdha. Secili le të bëjë të mira të vogla, por me dashuri. Njerëzit nuk vdesin vetëm për shkak se u mungon buka (pikërisht se u mungon buka, “bread”, kishte thënë Nëna Terezë, siç themi ne shqiptarët dhe jo u mungon ushqimi, siç thonë amerikanët), ata vdesin më shumë nga mungesa e dashurisë… Kur ndryhet dashuria, ndryhet paqja…”, janë vetëm disa nga thëniet margaritarë shkëputur nga fjalimi gjysmorësh i Nënës Terezë, kohë gjatë së cilës ajo kishte rrëfyer mjaft episode e përjetime të jetës së saj në shërbim të të varfërve, të të uriturve, të të sëmurëve, kur një fjalë e saj e vetme kishte ringjallur shumë njerëz me shpresa të thyera, shumë njerëz që ishin gjendur në cepin e vdekjes.
Duke folur për abortin, ndërkaq, ajo u ishte drejtuar nënave me fjalët: – “Jo abort! Lindni fëmijë e m’i jepni mua!…”
Fjalët e saj, të përshkuara herë pas here me një dozë të lehtë humori, e kishin bërë masën të shpërthente në gaz e të duartrokiste, si në rastin kur Nëna Terezë, teksa kishte folur për të varfrit (edhe për të varfrit e Feniksit), të cilët përpos që kishin nevojë për bukë, kishin nevojë edhe për strehë, i ishte drejtuar guvernatores Mofford, së cilës i kishte kërkuar shtëpi për të varfrit (shtëpi të cilën guvernatorja ia kishte premtuar Nënës Terezë gjatë takimit në mjediset e dioqezës) dhe këtë e kishte ndërlidhur me kërkesën që i kishte bërë shumë vjet më përpara Guvernatorit të Kalkutës, të cilit po ashtu i kishte kërkuar një shtëpi për të varfrit dhe me atë rast i kishte thënë: “Nëse nuk ma jep një shtëpi, do t’i sjell të gjithë të varfrit e mi në shtëpinë tënde…”
Pasi Nëna Terezë kishte përfunduar fjalën e saj me urimin: “Zoti ju bekoftë!” – të gjithë të pranishmit ishin ngritur më këmbë dhe me duartrokitje të gjata e me ovacione kishin shprehur dashurinë për gjiganden e kohës sonë, siç e ka cilësuar Nënën Terezë ish-kryetari Bill Klinton.
Teksa po e linte koloseumin përplot njerëz, Nëna Terezë po merrte me vete dashurinë dhe premtimin e heshtur të asaj mase njerëzish, se secili do të hidhte së paku një gur në kështjellën e dashurisë e të paqes njerëzore.

* * *

Premtimin që ia kishte dhënë Nënës Terezë Guvernatorja Mofford, e kishte mbajtur. Pak kohë pas vizitës së Nënës Terezë, në Feniks është ngritur Shtëpia e Bamirësisë dhe ajo edhe sot u ofron strehë e bukë të varfërve.
Vizita e Nënës Terezë është përjetësuar disa vjet më vonë me ngritjen e një shtatoreje në hapësirën e gjelbëruar ndërmjet Bazilikës së Shën Mërisë dhe ndërtesës së Dioqezës Katolike të Feniksit, fare pranë shtatores së Papa Gjon Palit II. Bazilika dhe ndërtesa e Dioqezës gjenden mu në zemër të kryeqytetit të Arizonës. Shtatorja e Nënës Terezë, me përmasa natyrore, është vepër e skulptorit amerikan Michael Myers nga qyteti Prescott i Arizonës. Është ngritur në vitin 2003 dhe, për habinë tonë, ndonëse ka 13 vjet që qëndron plot madhështi në qendër të Feniksit, nuk zihet ngoje kur flitet e shkruhet për shtatoret a bustet e Nënës Terezë ngritur në shumë shtete të botës.
Që nga viti 2004, në çdo 19 tetor, në përvjetorin e lumturimit të Nënës Tereze, shqiptarë të Feniksit takohen te shtatorja e saj, vendosin aty lule të freskëta e flamuj të vegjël shqiptarë e amerikanë dhe, me fjalë rasti, kujtojnë jetën e veprën e saj të madhe në shërbim të njeriut.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Hajro Hajra, NË ARIZONË, Nene Tereza

KTHJELLTËSIA E NANËS TEREZA

August 29, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

  • Bruksel, mbramje, 5 Shtator 1997. U dha pa kohë njoftimi i ndrrimit të jetës së Nanës Terezës së Kalkutës…Zbrita në sallën e televizorit ku mbretnonte heshtja.

Të gjitha stacionet tv transmetonin lajmin e trishtueshëm të vdekjes së Nanës së miljona fëmijve ma të vorfën, ndër të vorfnit e Botës.

  • Nana nuk ka moshë! Një dhimbje e madhe kishte pushtue fëtyrat e të gjithë të pranishëmve, jo vetëm në sallë, po në të gjitha qytetet e kryeqytetët e rruzullit toksor, ku lajmi mortor binte si shkreptinë rrufeje…tue rroposë gëzim e hare.. Vetem heshtje dhe njerëz të zhytun në mendime, që nuk donin me e besue…Fëtyra e qeshun e Nanës vazhdonte me joshë jetimët e vorfën të shekullit “modern”.
  • Nanë Tereza, asht lé me 26 Gusht 1910, në Shkup prej prindve Kolë e Drande Bojaxhiu, nga Prizreni i Kosovës. Shumë e re shpëton përmbrekulli nga sëmundja e tbc. Ajo periudhë asht momenti vendimtar i gjithë jetës së Saj, kur Ajo, i dedikohet “mjerimit” material të njerzimit, fukarallekut, skamit, vuejtjes, sëmundjeve shfarosëse, dhe asaj ma së vështirës pasojë e trashigueme sa shekullore në Botë: Përbuzjes së këtyne miljona viktimave njerzore.
  • Nga Shkupi shkon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Prej atje shkon në Bengal e Kalkuta. Arrinë me bindë Papën Piu XII, në 1948 se Motra e Loretos ka zgjedhë një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihët ndër kuvendet e Evropës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Ajo, në 1949 asht shtetase Indjane dhe ka formue Kongregatën “Misioni i Dashunisë”, që edhe u miratue nga Vatikani.

Motivi i Saj asht: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as, ndeshkim…!”

  • Vëndosmenia e Saj lidhej me dishka ma shumë se “pasunia” materiale e njeriut.

Dhe, njenimbastjetrit, vazhdojnë vlersimet: Në 1962, Filipinet, Afrikë; Tanzani dhe, pason Australia; Melbourne, Angli, Amerikë, Romë, prap New York, hapën institucionet në Bangladesh, Los Anxheles, e deri në Vietnam, në vitin 1975.

  • Në vitin 1976 në Indi, ka 66 shtëpi që administrohën nga Nanë Tereza, dhe 34 tjera jashta Indisë, ku Motrat dhe gjithë personeli i sherbimit kalon shifren 1350 vetë. Spitalet, shkollat dhe qendrat e mjekimit ku janë përfshi edhe strehimoret, arrijnë në 729. Ndërsa, shifra e njerzve që mjekohet ndër ato qendra apo strehohet ndër jetimore, të sëmurë me gërbulë etj…kalojnë shifrën 6 miljon vetë.
  • Në vitin 1979, me 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqen. Aty, po persëris atë moment që pak vetë e shkruejnë korrekt ose e mohojnë: Ajo, kërkon korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga prirja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Jezusit!”.
  • Janë shtetët që kërkojnë praninë e Motrave të Saja, me “Sarin e Bardhë me vija ngjyrë qielli dhe të ngjeshun për parzëm Kryqin”, tue fillue nga Gjermania, Spanja, Kili, Belgjika, Etiopia, Argjentina, Guinea, Franca, Kolumbia, Japonia, Korea Jugut, Bolivia dhe Gjermania Lindore. Në muejn e kenjes Papë Pali II, në vitin 1980, takohet me Nanë Terezen, dhe Motrat e Saja, ndërsa, “Misionarët e Dashunisë”, janë në Milano, Primavalle të Romës, Napoli, Bari, Raguzë, Kalabri etj.
  • Në vitin 1980 asht “Qytetare Nderi” e Shkupit…
  • Në vitin 1988, Ajo hapë një Shtëpi edhe mbrenda rrethimit të Vatikanit. Depërton në Moskë në 1987, Çeki, Kamboxhia dhe pothuej Emni i Saj, tashma, ka pushtue gjithë skutat e globit njerzor…
  • Në vitin 1991 Ajo, vjen në Atdhe, por këte herë me pikësynime të tjera…Shqipnia ndër të fundit shtete socialiste asht e detyrueme me e pritë në “Pallatin e Sportit” në Shkoder, porsa fillon me u rikthye në thëmelet e para të Kathedrales së dhunueme të vitit 1967…Ardhja e Nanë Terezes në Atë Kishë të shkatrrueme, dukej sikur një prej veprave të artit kur, Jezu Krishti me kamxhik në dorë po dëbonte tregtarët nga Tempulli i këthyem në treg…Por, jo, Nanë Tereza vjen me Rruzaret e Zojës në duert e Saja të bekueme dhe asht Ajo, që dëboi njëherë e përgjithmonë nga zemra e Popullit Shqiptar, ateistët e mallkuem të doktrinës rrënuese të Shekullit XX jo vetëm në Shqipni, po në gjithë Evropën Lindore… E, deri larg në brigjet e tokave të akullta siberiane… Marksizëm – Lenizmi dështoi në gjithë Botën…Feja filloi ripërtrimjen e Saj në gjithë shtetët komuniste tashti të lira.
  • Ja, pra, në pak rreshta kush ishte Nanë Tereza e Kalkutës…

Edhe pse, Shqipnia i rikëthehët kausit në 1997, Nana, me ngulm kërkon Paqen…

Me forcë thërret ndalimin e armëve dhe shkrepjet e tyne barbare… “…Ju lus, mos i shkaktoni njenitjetrit ma shumë vuejtje…!”

  • Sa, domethanëse asht kjo fjali…sikur, do me na kujtue: “A nuk ju dalin boll ata vuejtje që keni kalue…po, kërkoni edhe ma shumë…?”. Megjithate, Shqipnia, vazhdon rrugën e saj drejtë pushkës e vrasjeve, drejt armëve e djegëjes së njeriut në zjarr, në rrugët e zharituna të Vlonës…Komunistët nuk njohin demokraci…Janë ata që ishin edhe para vitëve 1989 – 90, janë ata që drejtonte terroristi Ramiz Alia, nga Presidenca me datën 2 Prill 1991, po nuk duhet të harrojmë kurrë, se me ate janë edhe bijtë e atyne, që kështu kanë veprue edhe në 1944, kur erdhën në pushtet tue brohoritë: “Me gjak…me gjak…!” dhe, me të vertetë “me gjak…e me plumba ata kërkojnë me mbajtë pushtetin atëherë dhe sot..!”
  • Po, Nana e Madhe, vazhdon të lutët: “O Zot, hiqja mallkimin Tand Shqipnisë!..”

Mjeku i Saj i tha Nanë Terezes: “Mendoj se zemren Ua kanë damtue dhimbjet dhe shqetësimet  që, Ajo ndjente për të tjerët…”…E, kush janë “të tjerët..”?…

  • Janë pikërisht, Ata, që tue kenë në mjerim, vuejtje, dhimbje…Në duertë e Nanë Terezes janë “të lumtun”…kur shohin vetën nën Sarin me vija ngjyrë qielli…

Që, vazhdon edhe sot të valvitët rretherrotull globit toksor shumë të trazuem…

  • Tue Lajmue Shejtneshen e Madhe të Njerzimit: NANEN TEREZA !…

Melbourne, Shtator 2016.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Fritz radovani, Kthjelltesi, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT