Nga:Suzana Tahiri/
Çdo komb ka simbolet dhe njerëzit e vet të shquar, të cilave u referohet në ditë të mira dhe të këqia. Edhe shqiptarët, si kombi më i lashtë në Europë dhe më gjerë, përveç që kanë dhënë shumë për qytetërimin botëror, kanë edhe tri figura të spikatura që vlerësohen gjatë të gjitha kohërave.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu lindi më 6 maj 1405 në Dibër. U mor peng si nizam nga Sulltan Murati më 1421. Pas shkollimit kreu detyra ushtarake në Ballkan dhe Azinë e Vogël dhe iu dha titulli fisnik. A ishte organizatori i kryengritjes antiturke, së bashku me 300 kalorës shqiptarë dhe më 28 nëntor 1443 shpall rimëkëmbjen e principatës së Kastriotëve. Ai ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë duke i siguruar vendit 25 vjet liri. Skënderbeu u bë frymëzues për shumë autorë shqiptarë, mes të cilëve Dhimitër Frangu, Marin Barleti, Gjon Muzaka, Naim Frashëri, Fan Noli e deri te Kadare e Godo. Por po aq frymëzues ai u bë edhe për mjaft autorë të huaj, qindra libra u shkruan për të për më shumë se 5 shekuj. Ndër librat e para spikat “Historia de Vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis (Romë, 1508-1510), ndërsa libri i Barletit në latinisht u përkthye rrufeshëm në gjermanisht, italisht, portugalisht, polonisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe në shumë gjuhë të tjera në 5 kontinetet. Me frymëzim nga Skënderbeu, Volteri shkroi “Marrja e Konstandinopojës”, ndërsa autorë brtianikë shkruan në shek.18 tri tragjedi. Heroi shqiptar u bë frymëzues për Ronsarin (shek.16), Longfelloun, Gibonin, Paganelin, Bajronin, për shkrimtarin danez Ludvig Holberg, për kompozitorin italian Vivaldi dhe shumë autorë të tjerë.
Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e Kaluktës lindi në Shkupin e asokohshëm shqiptar më 26 gusht 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Ajo konsiderohet si humaniste më e amdhe në shkallë botërore, fituese e çmimit Nobel për Paqen dhe e shpallur e bekuar nga Selia e Shenjtë në Vatikan më 19 tetor 2003. Një nga presdientët më të shuar amerikanë që ka bërë shumë edhe për çështjen shqiptar, Klinton ka pohuar se “Nënë Tereza, ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Ismail Kadare, ndër shkrimtarët më gjenialë botërorë, ka thyer të gjitha rekordet e nominimit për çmimin “Nobel” në letërsi duke spikatur për novelat e romanet, por edhe përmbledhjet me poezi, poema dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte 16 vjeç dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi 50 gjuhë të botës, përfshi gjuhët kryesore të OKB. Në 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca”, 1996 u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” duke mposhtur edhe disa titanë të Nobelit për letërsinë, në 2009 mori çmimin “Prince of Asturias për Artet”, në 2015 u vlerësua me “Çmimin e Jerusalemit”, ndërsa në 2016 mori “Kalorësin e Legjionit të Nderit”.
Ta gëzojmë universitetin “Nënë Tereza” në Shkup
Nga Arben LLALLA/
Lajmi për hapjen e Universitetit Nënë Tereza në Shkup duhet pritur si diçka pozitive nga shqiptarët, por duhet kritikuar mënyra primitive e lajmit për hapjen e këtij universiteti.
Dëshira për të patur shqiptarët një universitet në gjuhën shqipe në Shkup, në kërthizën e shqiptarisë ka qenë e ka hershme, por ngjarjet historike dhe kushtet kishin imponuar anashkalimin e kësaj qendre shqiptare. Një grup intelektualësh dhe politikanësh shqiptar duke vërejtur se Shkupi tashmë ka nevojë më shumë se kurrë për tju rikthyer vendi i nderit që i takon si stacioni qendror i trekëndëshit kombëtar Tiranë-Prishtinë-Shkup, nxituan hapat për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup. Kjo ide për të hapur universitet në gjuhën shqipe vjen edhe si rrjedhojë për tju treguar Gruevskit dhe VMRO se projekti Shkupi 2014 është një mit i ndërtuar mbi një histori të vjedhur, të falsifikuar sepse Shkupi ka një histori të vërtetë të shkruar me gjak shqiptari.
Projekti për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe ju paraqit Ali Ahmetit i cili këtë ide e parashtrojë në BDI dhe më tej në qeverisë. Projekti është paraqitur në fillim të vitit 2015 dhe është punuar dalëngadalë me hapat e breshkës, por të sigurt. Projekti përfundimtar për universitetin “Nënë Tereza” përfundoj në qershor dhe kishte të gjithë mundësitë që të fillonte me punë në tetor 2015, por ekzistonte frika që ky projekt të keqpërdorej për propagandë në fushatën e zgjedhjeve të prillit 2016, prandaj grupi ideator i përbërë nga politikanë, intelektual dhe diplomatë shqiptar e të huaj vendosën që ky universitet të filloj me punë në shtator 2016. U hodh ideja që rektori të jetë një i huaj, jo shtetas i Maqedonisë me qëllimin e mirë që mos të ketë keqpërdorime në punësimet e profesorëve dhe administratorëve me librezë partie në pushtet.
Përplasje të ashpra ka patur midis përfaqësuesve të koalicionit VMRO dhe BDI, por zgjedhjet e detyrueshme të parakohshme të prillit 2016 e detyruan Nikolla Gruevskin të lëshojë pe për zyrtarizimit e universitetit në fjalë si dhe për bustin e Isa Boletinit në Saraj.
Prandaj nuk mendoj se nuk ka shqiptar që është kundër hapjes së Universitetit në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup, por janë kundër mënyrës së përvetësimit të këtij projekti nga ana e ndonjë ministri që ka diplomuar piratisht. Mendoj se zërat kundër të shprehur për hapjen e këtij Universitetit nuk janë për realizimin e këtij projekti, por ata kanë frik se do të keqpërdoret politikisht ky universitet ashtu siç janë keqpërdorur nga politika ditore hapja e USHT, shkollave, muzetë dhe institucionet e tjera kulturore në Maqedoni. Unë besoj se të gjithë shqiptarët e kanë pritur me gëzim themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup si një arritje politike dhe arsimore për shqiptarët në Maqedoni. Shpresojmë se dëshirat për keqpërdorimin politikisht të kësaj vatre të re shqiptare arsimore do të izolohen.
Tashmë Shkupit ku ndodhen përmendoret e Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit i shtohet edhe vatra më e re e arsimit shqip Universiteti “Nënë Tereza”. Pra, ta gëzojmë edhe këtë vepër, pavarësisht se kush e projektojë, kush çirret dhe kush e realizon, e rëndësishme është se aty do ligjërojnë profesorët shqiptar përpara studentëve që do të ndihen edhe më të nderuar në Shkupin shqiptar.
Kosova uron hapjen e Universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup
Mësimet në këtë universitet do jenë në tre gjuhë, atë maqedone, shqip dhe anglisht/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, ka uruar ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, për themelimin e Universitetit të ri “Nënë Tereza”, në Shkup, i cili do të fillojë të funksionojë nga viti akademik 2016/2017.
“Jam i sigurt se themelimi i këtij universiteti do t’i kontribuojë avancimit të arsimit shqip në Maqedoni, prandaj më lejoni që të shpreh gatishmërinë time si ministër i Arsimit të Kosovës, që edhe më tutje të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer ndërmjet dy ministrive tona respektive, për konsolidimin dhe rritën e këtij institucioni të rëndësishëm dhe për avancimin e sistemit arsimor në Maqedoni”, shprehet ministri kosovar.
Ai thekson se, arsimimi në gjuhën amtare është e drejtë themelore e popujve, prandaj hapja e këtij Universiteti, shënon një ngjarje shumë të rëndësishme në historinë më të re të arsimit shqip.
“Përvec që do të ju shërbejë të rinjve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, Universiteti ‘Nëna Terezë’, do të jetë një mundësi më shumë edhe për të rinjtë shqiptarë që jetojnë në shtetet e rajonit dhe më gjerë”, thuhet në urimin e ministrit Bajrami./b.j/
***
Sipas kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski mësimet në këtë universitet do jenë në tre gjuhë, atë maqedone, shqip dhe anglisht.
“Morëm vendim që të hapet edhe një universitet në Shkup, që do të quhet Universiteti ‘Nënë Tereza’. Do të jetë në tre gjuhë, në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Do të ketë dimension serioz internacional, pasi do të ketë edhe profesorë dhe studentë shqiptarë, maqedonas, por edhe të huaj. Do të ketë profesorë të huaj, është e mundur të ketë dekan dhe rektor të huaj, pasi ligjin e lejon këtë gjë” u shpreh Gruevski.
Kryeministri maqedon gjithashtu ka paralajmëruar se do të ndërtohen edhe tre shtëpi studentore, njëra prej të cilave do jetë për studentët e Universitetit të Tetovës.
NËNË TEREZA – ZEMËR SHQIPTARE
Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit virtytin që i kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi/
Nga KOLEC TRABOINI/
Nënë Tereza tani është kthyer në një simbol, në një virtyt që shpreh tiparet më të larta të popullit që e ka lindur. Të gjithë udhëtarët e botës që kanë kaluar nëpër Iliri-Arbëri-Shqipëri( ku hyn Shqipëria, Kosova, gjysma e Maqedonisë, Çamëria, trojet shqiptare në Mal të Zi, ( kujtoni Bajronin, Pukevilin, Edith Durhamin, Ipen e plot të tjerë), kanë vënë re pikërisht këtë tipar,bujarinë shqiptare, tipar që tek Nënë Tereza jonë u trashëgua e mori përmasat universale të gjenialitetit. Tanimë ky virtyt, si dinjitet e simbol, i përket gjithë njerëzimit por kurrë pa ju mohuar origjinës, Shqipërisë e shqiptarëve. Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit, në mënyrën më të devotshme se kurrkush tjetër, virtytin që e kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi. Ajo me veprën e saj humane si asnjë tjetër, i lartësoi dinjitetin dhe bëri të njohur e të respektuar popullin shqiptar kudo në botë, pikërisht atëherë kur ky popull ishte poshtëruar e rronte si skllav nën zgjedhën e djajve të kuq të ferrit komunist. Edhe ky moment duhet vlerësuar sepse shumë kush aso kohe mendonte se Shqipëria kish njollën e zezë të diktaturës mizore, ndaj dhe ish lënë në harresë e përbuzje prej qarqeve që vendosnin ekuilibrin e kësaj bote. Është në dinjitetin tonë kombëtar, historik, që ajo kur po merrte çmimin Nobel për Paqe, tha tekstualisht “nga gjaku jam shqiptare”. A ka dëshmi më të madhërishme dashurie se sa kur e shpall faqe botës me krenari të qenit me gjak shqiptar, e pikërisht atëherë kur Shqipëria ishte e deklaruar si sinonimi i dhunës e diktaturës me të tmerrshme në Evropë. Në momentin solemn e kujtoi popullin e Atdheun e vet faqe gjithë njerëzimit. E kjo nuk është pak. Për një popull të vogël e të nëpërkëmbur në histori si i yni, është shumë, është më se e mjaftueshme për ta ngritur Nënë Terezën në piedestalin e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Kapur pas rrëfanës se ajo nuk e dinte aq mirë gjuhën shqipe, disa pasionantë interneti, përpiqen ta mohojnë tërësisht, mirëpo harrojnë këta zotërinj se më se shumti nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flet, por e vërteta që thua, nuk kanë fort rëndësi fjalët që thotë goja para dashurisë që mban zemra… Ka shumë shqiptarë në botë që e kanë harruar gjuhën shqipe, por në zemër kanë Shqipërinë. Ne nuk mund t’ua shkoqim nga zemra e tyre dashurinë vetëm me shkakun se nuk dinë të flasin shqip sepse ata flasin me gjuhën e zemrës. Dhe një gjë mos e harrojnë ata që duan ta shohin historinë ndryshe nga se ka qenë në të vërtetë, apo duan ta modifikojnë atë për hir të interesave të kohës, se turqit e historisë (e jo të sotmit sigurisht) dihet mirëfilli se i digjnin shqiptarët të gjallë po t’i zinin tek shkruanin gjuhën shqipe, madje nuk kanë qenë aspak më të mirë se grekët, që vranë shenjtorin e shqiptarizues Papa Kristo Negovani, të cilin edhe sot e kësaj dite greku Janullatos ne krye të Kishës Autoqefale Shqiptare dhe pasuesit e tij e mohojnë. Po të përmendje Gjergj Kastriotin, në kohen e sundimit të sulltanëve të egër të Stambollit, ushtareët e Perandorisë Osmane të fshinin nga faqja e dheut, por populli Skënderbeun e mbajti në zemër nëpër shekuj robërie, dhune, gjaku e tmerresh, paçka se me gjuhë të ndaluar. Ja pra çfarë force madhështore ka gjuha e zemrës. Gjuhën mund ta ndalosh të flasë, por zemrën nuk mund ta ndalosh të rrahë për mëmëdheun sa kohë që njeriu është gjallë dhe ka dashuri për atdheun e vet. Atëherë pra, si mund t’i mohohej Nënë Terezës dashuria për Atdheun e vet, si mund t’i mohohej asaj dashuria për nënën që e kishte lindur, për babain Kol Bojaxhiun që ja kishin helmuar pushtuesit serbë, për motrën që i vdiq në Tiranë (diku në një shtëpi përdhese tiranase) e që të gjithë flisnin vetëm shqip, gjuhën e Shqipërisë e të shqiptareve. A thua për këtë e ndaloi Enver Hoxha që të takonte nënën e motrën e vet në Tiranë, se e hante meraku diktatorin se nuk do të mund të merreshin vesh në gjuhën shqipe? Jo për atë zot, nuk ish ky shkaku i mohimit të diktaturës, nuk është ky shkak i vërtetë as dhe sot, prej disave që vazhdojnë ta mohojnë me të njëjtin pasion të egër, sepse: Dashuria para së gjithash është në zemër e jo në fjalë! Kurrë mos harrojmë ta lexojmë e ta rilexojmë thirrjen e Nënë Terezës, drithërimën nga thellësia e shpirtit drejtuar shqiptarëve në vitin 1997, kur shteti po shkërmoqej si një grusht rërë, populli po vuante e rinia po vritej, varret shumoheshin si brenga në truallin arbëror. Në atë letër ka dashuri në përmasat madhështore të personalitetit të saj. Ajo në atë letër është shqiptare në çdo qelizë në çdo frymëmarrje. Ajo në atë letër është më shqiptare se çdokush tjetër ne këtë dhè e, ku e ku në krahasim me ata që, ani pse e flasin gjuhën shqipe standart, shpesh herë e përdorin atdhetarinë si medaljon. Populli ynë ende ka nevojë për figura të mëdha të ndritura që e lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve faqe botës, sepse ata shtojnë admirimin, shtojnë miqtë e përkrahësit e shqiptarëve, çfarë deri në fillim të këtij shekulli më së shumti na kish munguar. Dhe të mos harrojmë se nuk është e lehtë ti lindësh botës të tillë personalitete që nderohen nga mbarë njerëzimi, tej e përtej religjionit, sepse tipari themelor i saj ka qenë humanizmi, përkushtimi për mbarë njerëzimin. Fundja duhet ta dimë, e në mos e ditshim ta mësojmë ( ani pse tejet të vonuar në këtë mësim), se gjuha shqipe para së gjithash duhet të jetë dashuri…e dashuria është gjuhe e përbotshme që i tejkalon të gjithë kufijtë e barrierat me të cilët historia deri më tash mjaft keq i ka ndarë e përçarë popujt. Shqiptarët kryekreje. E së fundi, fjala para se të dale nga goja duhet të kalojë nga zemra. Vetëm atëherë ajo është e vërtetë si drita e diellit, një e vërtetë që gjen strehë ndër zemra të tjera, siç gjenin strehë tek njerëzit, popujt e kombet e tjerë, fjalët e Nënë Terezës, Nënë Terezës sonë me gjak e zemër shqiptare.
Radio Vatikani- Papa Françesku njeh mrekullinë, Nënë Tereza do të jetë Shenjte
Papa Françesku miratoi Dekretin, që do të çojë në shenjtërimin e Nënë Terezës së Kalkutës. Në Dokumentin, paraqitur dje pasdite, gjatë audiencës me kardinalin Angelo Amato, u njoh ndërmjetësimi i së Lumes në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm e të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru. Në vitin 2008 burri u shërua në mënyrë të papritur, të jashtëzakonshme e të plotë.
Mbrëmjen e 10 shtatorit 1948, Maria Tereza – ky, emri që pati marrë në çastin e kushteve, murgesha e re e Motrave të Loretos – shtegtonte me tren nga Kalkuta, në Darjeling, në viset rrëzë Himalajës, tronditur rëndë prej çrregullimeve.Tregonte më vonë Rregulltarja imcake, 38 vjeçare, e paracaktuar të bëhej ikonë planetare e dashurisë së krishterë: “Atë natë m’u hapën sytë për të parë vuajtjen dhe e kuptova me fund thelbin e thirrjes sime. Ndjeva se Zoti po më kërkonte të hiqja dorë nga jeta e qetë në gjirin e Kongregatës rregulltare, për të dalë në rrugë të madhe e për t’u shërbyer të varfërve”. E shtonte: “Nuk ishte këshillë, ftesë e as propozim. Ishte urdhër!”.
Pikërisht 60 vjet më pas, më 10 shtator 2008, një inxhinier brazilian, në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë një gjysëm ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe, çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme. Është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj që kundron ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja. Ndërsa shumica e mrekullive të miratuara nga dikasteri i Vatikanit, janë të gradës së tretë, domethënë shërime të menjëhershme nga sëmundje, për të cilat mjekësia do të mund të arrinte rezultate vetëm pas një kohe tepër të gjatë.
Është shenja e fundme, që ia hap portat e shenjtërisë Engjëllit shqiptar të të varfërve të periferive, siç do të thoshte Papa Françesku.
- « Previous Page
- 1
- …
- 15
- 16
- 17
- 18
- 19
- …
- 25
- Next Page »