• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nishani nderon shoqatën “Çamëria” me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

July 4, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson Shoqatën Patriotike “Çamëria” me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”/

 4 korrik 2016

Në një ceremoni solemne mbajtur në Institucionin e Presidentit të Republikës,  Kreu i Shtetit, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi me rastin e 25-vjetorit të krijimit të saj Shoqatën Patriotike “Çamëria” me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”:“Në shenjë vlerësimi për kontributin e vyer e të pamohueshëm dhënë ndaj çështjes çame, si dhe për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe nxjerrjen më në pah të vlerave kulturore dhe etnografike të kësaj bashkësie të rrallë shqiptare me histori sa të lashtë, aq edhe të lavdishme”.

Në këtë veprimtari nderimi ishin të pranishëm Nënkryetari i Parlamentit Shpëtim Idrizi, kryetari i Nderit i PDIU-së Dashamir Muhedini, kryetari i “Shoqatës Çamëria” Abaz Hado si dhe anëtarë të bashkësisë çame.

Në përshëndetjen e rastit, Presidenti i Republikës vlerësoi veprimtarinë e Shoqatës me një shtrirje më të madhe në hapësirë dhe në kohë dhe me rrënjë të thella historike dhe atdhetare. Në vijim të fjalimit drejtuar komunitetit çam, Presidenti Nishani cilësoi  tiparin dallues të tyre, krenarinë “për historinë dhe trashëgiminë e pasur të vlerave tuaja të patjetërsueshme atdhetare, kulturore si dhe përpjekjeve tuaja të pareshtura ndër shekuj për të mbajtur të pastër dhe ngritur edhe më lart identitetin tonë karakterizues kombëtar.”

“Që në epokën e artë të Rilindjes të parët tuaj me pushkë e penë, dhe këtu kam parasysh me dhjetëra e qindra patriotë, por do të përmend njërin prej tyre, shumë të veçantë të historisë kombëtare: Hasan Tahsinin, ose si njihej ndryshe Hoxha Tahsin – e deri në fitimin e Pavarësisë ku mes shumë të tjerëve, spikati Abedin Dino – pra të gjithë ata janë shquar ngaherë për kontributet të qenësishme në përpjekjet e pareshtura për liri, dije, arsim dhe kulturë. Në këto njëqind e katër vjet ekzistencë të Pavarësisë së shtetit shqiptar, bashkësia çame ka pasur një përfaqësim jo vetëm intelektual, por edhe qenësisht kontribuues të çështjes kombëtare, të ruajtjes së gjuhës shqipe, zakoneve, traditave të vyera, kulturës sonë kombëtare identifikuese. Deri në ditët tona, çamët të përhapur në pothuajse të gjitha zonat dhe qytetet e Shqipërisë nga jugu në veri, nga Saranda e Vlora, në Fier, Durrës e Tiranë e deri në Shkodër, kudo ku jetojnë e punojnë, kanë spikatur për ruajtjen me fanatizëm të identitetit, të zakoneve fisnike, të gjuhës së pastër shqipe, të muzikës dhe folklorit tonë karakteristik. Vallja tipike para litarit e Osman Takes është një shembull i përkryer i thesarit të çmuar etno-kulturor çam, por jo vetëm, sepse ajo u bë aq e njohur sa fama e saj ka kapërcyer me kohë edhe kufijtë e rajonit tonë ballkanik. Jeta tragjike dhe vepra letrare e Bilal Xhaferit është bërë e njohur deri matanë oqeanit në Amerikën e largët, ku ai u shua para kohe kur ende kishte shumë talent, fuqi dhe dëshirë për të krijuar e për t’iu përkushtuar më tej vlerave tuaj që i përfaqësoi me aq besnikëri.” – tha në vazhdim Kreu i Shtetit.

Më tej Presidenti Nishani theksoi rolin që ka pasur në bashkësinë çame “Krijimi i Shoqatës Patriotike ‘Çamëria’ më 10 janar 1991, në saje edhe të përpjekjeve të Abaz Dojakës në fillimet e demokracisë: “Ajo shënoi jo vetëm themelimin e një shoqate ombrellë për të gjithë ju, çamët krenarë, por i dhuroi mbarë shoqërisë shqiptare edhe një shembull të çmuar se si një bashkësi është në gjendje të shtrëngojë radhët e saj dhe të ruajë, zhvillojë e t’i pasurojë më tej denjësisht të gjitha vlerat e rralla atdhetare, kulturore dhe tiparet thellësisht identifikuese. Ju, që përfaqësoheni e njësoheni me ‘Shoqatën Patriotike Çamëria’ keni në aradhen tuaj të veprimeve, angazhimeve, kontributeve, vlera të patjetërsueshme dhe dinjitet duke u renditur krenarë krah për krah me shoqatat simotra anembanë në çdo cep të Shqipërisë, të cilat ruajnë, pasurojnë dhe zhvillojnë më tej xhevahiret e vyer të kurorës sonë të hijshme historike, kulturore dhe identifikuese. Shoqata Patriotike ‘Çamëria’ ka 25 vjet që me meritë, me zgjuarsi e me aq maturi ka ditur të hedhë hapa të rëndësishme në evidentimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes çame. Ky mision i juaji, i Shoqatës suaj të nderuar, i kontributeve të atyre burrave dhe grave që krijuan këtë shoqatë dhe sot atë e kanë lartësuar me dinjitet në mozaikun e nderimeve që i bëhen kombit, janë argumenti më bindës edhe për Institucionin e Presidentit të Republikës në këtë ceremoni vlerësimi dhe nderimi.” – tha Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit e konsideroi vlerësimin me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Shoqatës Patriotike ‘Çamëria’, edhe si një rast “për të evokuar dhe ndriçuar momente të rëndësishme të jetës historike, publike, kulturore dhe etnografike të një shoqate që meriton vlerësim të lartë nga gjithë institucionet vendimmarrëse të shtetit shqiptar, në mënyrë që çështja çame dhe kauza për zgjidhjen e të drejtave të këtij komuniteti të jenë në agjendën e së ardhmes për diplomacinë, këdo faktor dhe gjithë potencialin intelektual të shoqërisë shqiptare. Suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik dhe atdhetar!” – me këtë urim Presidenti Nishani mbylli fjalën e Tij të mbajtur me këtë rast.

Filed Under: Kronike Tagged With: “Çamëria” me Dekoratën, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nderon shoqatën, Nishani

Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët

May 9, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani: Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët. Çamëria, në luftën e madhe antifashiste, kontribuoi materialisht dhe moralisht.

8 maj 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi sot në Institucionin e Kreut të Shtetit një veprimtari kushtuar “Kontributit të popullsisë çame në Luftën e Dytë Botërore” në kuadër të 71-vjetorit të fitores historike të koalicionit ndërkombëtar kundër nazifashizmit. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, drejtues dhe anëtarë të “Shoqatës Çamëria” si Nënkryetari i saj Dritan Sejko, familjarë të Heroit të Popullit, Ali Demi dhe të dëshmorëve të lirisë, si dhe të të internuarve nga Çamëria në kampet e përqendrimit e të shfarosjes në masë, studiues, historianë dhe publicistë.

Pasi theksoi se “kjo fitore historike e dëshirës, vullnetit dhe sakrificave të popujve liridashës e kurorëzuar më 8 maj 1945, ka në themelet e saj edhe kontributin e shqiptarëve jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por edhe jashtë këtyre kufijve”, Presidenti Nishani, vuri në dukje se: “Fatmirësisht dhe në saje të etjes për liri dhe mosnënshtrimit historik të popullit tonë ndaj asnjë lloj pushtuesi, Shqipëria dhe bijtë e bijat e saj atdhetarë, ditën me mjaft largpamësi të rreshtoheshin në anën e drejtë të barrikadës, krah për krah me ato shtete dhe vende të cilët edhe sot e kësaj dite, pas gati shtatë dekadash, janë partnerët dhe aleatët tanë të palëkundur dhe besnikë në NATO.”

“Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar u bënë  kontribuues të denjë në mbështetje të antifashizmit evropian dhe mbarëbotëror duke treguar një shpirt të paepur për liri dhe demokraci. ‘Pema e lirisë nganjëherë duhet vaditur me gjakun e atdhetarëve dhe të tiranëve!’ – ka thënë dikur ish-Presidenti amerikan Tomas Xheferson. Dhe shqiptarët këtë e vërtetuan me shembullin e tyre. Është ky kontribut i pamohueshëm që na bën sot krenarë faqe botës duke u ndierë të barabartë mes popujve liridashës dhe paqedashës.” – u shpreh Presidenti.

“Heronjtë dhe dëshmorët e kombit tonë brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar janë dëshmia autentike e një rezistence solide dhe një vulosje me gjak të lirisë së atdheut tonë të dashur, edhe pse vlerësimi për ta u bë në mënyrë të pjesshme dhe të pamerituar nga shtetet fituese, ngaqë Shqipëria fatkeqësisht mbeti në kampin e Lindjes komuniste në raport me Perëndimin demokratik. Historiografia kombëtare dhe ajo ndërkombëtare do të duhej të ishte më e thelluar në vlerësimin potencial të kësaj lufte antifashiste, pa anshmëri dhe me gjakftohtësi, pa politizime dhe në funksion të daljes në dritë të të vërtetave, të kontributeve mbarëshqiptare të një kombi që ka prosperuar gjithnjë në shekuj për lirinë e kombit të vet ndaj pushtimeve.” – nënvizoi Presidenti Nishani, duke shtuar se: “Është ky rast që meriton vëmendjen e veçantë për të përshëndetur dhe shprehur mirënjohjen të gjithë atyre luftëtarëve të lirisë, heronjve dhe dëshmorëve të kombit, si dhe atyre që u internuan në kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes në masë në Itali e Gjermani. Gjaku i të rënëve për liri ka ngjyer flamurin tonë kombëtar si dëshmi e një lufte të paepur të shpirtit shqiptar për liri dhe demokraci.”

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të pranishmëve në këtë ceremoni përkujtimore të 71-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin, Kreu i Shtetit i falënderoi në emër të shtetit shqiptar “për kontributin që keni dhënë si antifashistë në luftën e përgjakshme për lirinë e Atdheut!” “Kontributi juaj i rëndësishëm është i madh, me pjesëmarrjen e mbi një mijë luftëtarëve çamë në Çetën dhe më pas në Batalionin Çamëria, në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare, si dhe në batalionin ‘Ali Demi’ në radhët e ushtrisë së ELLAS-it grek. Një respekt të veçantë e meritojnë ata djem e vajza të Çamërisë që luftuan në formacionet partizane edhe jashtë kufijve si në rastin e pjesëmarrjes jo vetëm në brigadat luftëtare në Shqipëri, por edhe në batalionin e katërt të regjimentit 15 së bashku me formacionet antifashiste në Greqi. Janë këto kontribute që na bëjnë të shprehim mirënjohje të thellë ndaj të gjithë pjesëmarrësve dhe veçanërisht ndaj Heroit të Popullit Ali Demi dhe dëshmorëve të shumtë nga Çamëria që dhanë jetën që shqiptarët të ishin të lirë. Të bashkëbisedosh në këtë 71-vjetor të fitores mbi nazifashizmin, me pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këtë luftë heroike, si dhe me pasardhës të familjeve që kontribuuan në luftën antifashiste, është njëherazi edhe një vlerësim dhe mirënjohje, ndaj te gjithë atyre qe sakrifikuan gjithçka ne përpjekjet e rezistencës antinazifashiste.”

“Është e njohur dhe një nga epopetë më të lavdishme, lufta 55 ditore e Konispolit në vitin 1944 në muajt gusht e shtator që batalioni “Çamëria” dhe pjesëtarë të çetave “Ali Demi” e të tjera, që organizuan, drejtuan dhe fituan një betejë, ku u ranë heroikisht në fushën e nderit mbi 40 partizanë çamë.  Janë të shumtë dëshmorët, ndër të cilët do të përmendja dhe nderoja Heroin e Popullit Ali Demi dhe mbi 230 dëshmorë të tjerë, emrat e të cilëve janë të skalitur në kujtesën historike të kontributeve të komunitetit çam, në anën e antifashizmit në Luftën II Botërore. Është ky momenti të veçoj këtu edhe disa pjesëtarë të këtij komuniteti si Hajri Fetahu, Mezan Jonuzi, Nuri Emin Zane dhe Osman Zenel Taka, Bejaz Muhamet Muho e të tjerë të internuar në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes në masë në Itali dhe në Gjermani.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

“Përfundimi i Luftës II Botërore në favor të koalicionit të madh antifashist ku shqiptarët kishin vendin dhe kontributet e tyre, edhe shqiptarët e Çamërisë kanë nderin që të krenohen për këtë investim në shërbim të lirisë dhe demokracisë dhe të respektimit të të drejtave si ato të hebrenjve pas kësaj lufte botërore. Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët. Ata, as u bënë pjesë e masakrave që u bënë në Çamëri. Çamëria, në luftën e madhe antifashiste, kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamë u hodhën në radhët e ELLAS-it, kur EAM-i lëshoi kushtrimin e luftës për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata çame u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër okupatorit dhe formoi Batalionin e 4-t të Regjimentit të 15-të të ELLAS-it. Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan me trimëri dhe vendosmëri kundër okupatorit nazifashist. Gjaku i Heroit Kombëtar Ali Demi dhe i dëshmorit Bido Sejko, gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejselit etj. që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmon konkretisht për këtë fakt.” – theksoi Presidenti në fjalën e Tij.

Në përmbyllje, Presidenti Nishani u shpreh: “Në këtë ditë të shënuar të 71-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin, shqiptarët si komb në përgjithësi, dhe bashkësia çame në veçanti, gjenden përkrah aleatëve të mëdhenj antifashistë me kontributin e tyre të pakontestueshëm dhe të nderuar në historinë e kombit shqiptar! I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e heronjve shqiptarë prej ngado që vinin dhe kudo ku bënë sakrificat më sublime për liri dhe për vlerat e demokracisë, përfshirë edhe ata çamë!”

Filed Under: Histori Tagged With: Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët, dhe as me nazistët, Nishani

NISHANI: TE IDENTI FIKOHEMI SI VENDI DHE POPULLI I NENE TEREZES

May 9, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar: Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës është një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë, teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes.

8 maj 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor “Nënë Tereza” organizuan sonte, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Nënës, një veprimtari solemne që çeli siparin e festimeve për nder të shenjtërimin të bamirëses shqiptare “Nënë Tereza” ku ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Nënkryetari Edmond Spaho, deputetë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, krerë të Kishës Katolike në vendin tonë dhe nga Kosova dhe të bashkësive të ndryshme fetare shqiptare, drejtues institucionesh të artit dhe kulturës, personalitete të artit dhe kulturës, etj.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi: “Sot  është  Dita Ndërkombëtare e Nënës,  një ngjarje  sa përkujtimore aq edhe reflektuese për pozicionin jetik të gruas në shoqërinë bashkëkohore për  sfidat  dhe pritshmëritë që e harkojnë atë. Në këtë kontekst ndjeshmërish dhe standardesh shpesh të diskutueshme ka vend për të diskutuar shtruar e gjatë. Roli i gruas  në botën shqiptare, nderimi që duhet t’i blatojmë asaj  për sakrificat e pafund që bën, ndjesa për fajet tona të përditshme ndaj tyre, loja retorike për barazinë gjinore më shumë si tis, se sa si realitet,  evidentimi i plagëve sociale e kulturore që çojnë te dhuna e pa justifikuar, dramat sociale, papunësia, varfëria, sfidat në familje e karrierë e shumëçka tjetër do të ishin tema të pashmangshme, por lutem të më falin dhe  të më kuptojnë pse  nuk po ndalem gjatë mbi to.”

“Në këtë ditë kam zgjedhur si referencë një shembull, një model, një histori unike,  sintezë shpirtërore e popullit tonë, e cila u  shndërrua në vlerë universale e botës dhe humanizmit. Pa vështirësi mendja  shkon te Nënë Tereza, murgesha shqiptare, e cila më 4 shtator do të kanonizohet si shenjtore në Qytetin e Vatikanit, në atë vend ku Arbërit me Kryezotin Gjergj Kastriot-Skënderbeun farkëtonin aleancat e tyre qytetërimore. Kjo ndodh pas dekretit të Papa Françeskut, Atit të Shenjtë, i cili në pak vjet u dëshmua si mik i madh i kombit tonë duke i ofruar atij mbështetje dhe dashuri pa kushte. Fatmirësisht ne jemi bashkëkohës të një ngjarje të madhe tredimensionale, për historinë tonë kombëtare, për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Në këtë pikëtakim nëpërmjet Nënë Terezës, kësaj lartësie ndërtuar me përvujtni, shqiptaret marrin vendin e merituar në trashëgiminë shpirtërore të popujve. Unë mendoj se çdo shoqëri mund të frymëzohet nga Nënë Tereza e ndoshta pak më tepër çdo grua, nënë a bijë, e mbase disi më shumë, gratë shqiptare, sepse ajo ishte dhe mbetet njëra prej tyre. Pajisur me forcën e besimit  si gurrë e dashurisë për tjetrin, për të ndryshmin, për të braktisurin, për të dobëtin pa e përkufizuar atë nga raca, ngjyra, feja, kombi por duke e parë thjesht si krijesë të Zotit, ajo rrëfeu  fuqinë mrekullibërëse të dashurisë. Në vetë të parë ajo na tha si mund të mposhtet egoizmi, si mund të sfidohen rrethanat e disfavorshme, si mund të delegjitimohet  degradimi i njeriut nga njeriu, si shpresa dhe përpjekja përballen me dorëzimin dhe nënshtrimin duke mbrojtur jetën. Me gjeste të pashlyeshme Nënë Tereza fjalën e Zotit e shndërroi në vepër duke pohuar madhështinë e vetë njeriut. At Zef Pllumi, një ikonë e Kishës Katolike shqiptare po aq një ushtrues i madh i lirisë kundër tiranisë na ka lënë për shenjtoren tonë një përkufizim, të cilin dua ta ndaj me të gjithë ju: ‘Ajo nuk pati kurrë as kapitale, as pushtet shtetnor; kje vetëm shpirti i dashunisë për jetën, për njeriun e për Zotin, që e bani të madhe para njerzve të këtij shekullit.’” – u shpreh Presidenti Nishani.

“Nënë Tereza është emblema e imazhit shqiptar po aq sa shpirti rinovues prej Shën Françesku i Kishës Katolike të përbotshme! Ne duhet t’i bindim të tjerët se ajo nuk është një rastësi, se shoqëria jonë e ka këtë fuqi, gruaja shqiptare po kaq. Evenimente të tilla si shenjtërimi i saj duhet të shndërrohen në një procesion të komunikimit me njëri-tjetrin dhe botën. Një rol në këtë drejtim padyshim mund ta luajë edhe Parlamenti dhe Qeveria shqiptare. Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës nuk është një dëshirë folklorike, por një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes.” – theksoi Kreu i Shtetit shqiptar.

Pas përshëndetjeve të themelueses dhe Presidentes së Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” zonjës Liri Berisha e të Nuncit Apostolik në Tiranë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Presidenti Nishani vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Don Lush Gjergjin, biografin e Nënë Terezës me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij jetësore në drejtim të nxitjes së tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar në trevat shqiptare; për punën e përkushtuar shumëvjeçare intelektuale për nxjerrjen në pah të historisë, trashëgimisë dhe identitetit të popullit shqiptar dhe figurës së ndritur të Nënë Terezës” si dhe Misionaret e Bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme, për humanizmin dhe bamirësinë e pakursyer ndaj njerëzve  të pamundur. Për kontributin e vyer të motrave misionare, si mishërim i dashurisë dhe mëshirës pa dallim të Zotit për njerëzit në nevojë, nën shembullin e ndritur të Nënë Terezës”.

Në vijim të veprimtarisë solemne, të pranishmit ndoqën me ëndje interpretimin artistik të artistes Roza Anagnosti dhe aktorit e regjisorit nga Kosova, Enver Petrovski të disa shprehjeve të famshme dhe lutjeve të vyera të shenjtores së ardhshme dhe vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast me objekte të bamirëses së madhe shqiptare Nënë Tereza në hollin me të njëjtin emër të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Filed Under: Kronike Tagged With: i Nene Terezes, Nishani, TE IDENTIFIKOHEMI SI, VENDI DHE POPULLI

Qeveria kërcënon me shkarkim Nishanin

February 20, 2016 by dgreca

Qeveria kërcënon presidentin Bujar Nishani me shkarkim nga ky detyra, nëse nuk dekreton dy ministrat e rinj, Arben Ahmetajt te Financat dhe Milva Ikonomin te Ekonomia.

Deklarata e fortë, por edhe e pakuptimtë në të njëjtën kohë është bërë nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. Është deklaratë e pakuptimtë pasi për të shkarkuar Presidentin e Republikës duhen 94 vota, të cilat kjo mazhorancë nuk i ka. Nëse do t’i kishte, me siguri që nuk shqetësohej për miratimin e reformës në drejtësi.

“Nëse ka vendosur, në fakt siç e ka shprehur në disa sjellje për fat të keq, që të sillet në institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë si militanti më i rëndomtë nga partia e cila vjen, atëherë natyrisht që do të marrë atë përgjigjie që merr kushdo që guxon të sfidojë, jo Kushtetutën, por guxon të sfidojë sovranin. Natyrisht nuk ngurroj fare ta them që kjo të çon në shkarkim nga detyra”, deklaron Felaj në një intervistë për Top Channel.

Një ditë më parë, kryeministri Rama tha se nuk e kishte e parë të nevojshme të bisedonte me presidentin për këtë çështje, pasi sipas tij Presidenti bisedon me Kushtetutën dhe Kushtetuta bisedon me Presidentin.

I pyetur se çfarë ndodh nëse Presidenti nuk merret vesh me Kushtetutën, Rama ironizoi duke thënë “Ju e dini që unë nuk flas asnjëherë me “nëse”. Kjo, sepse kemi atë frazën e bukur shqipe, që nuk ka nevojë t’iua kujtoj, sepse të gjithë e kanë parasysh tani”

Nga ana tjetë presidenti Nishani ka sqaruar deri më tani se nuk mund të dekretojë dy ministrat e rinj, pa u miratuar më parë në Kuvend dekretet për shkarkimin e tyre.

Filed Under: Komente Tagged With: kercenon me shkarkim, Nishani, qeveria

Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit

December 8, 2015 by dgreca

*Në Tiranë mbahet Konferenca Ndërkombëtare “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit” nën kujdesin e veçantë të Presidentit Nishani/

* Merrnin pjese: ish-presidentin kroat Stipe Mesiç, ish-zv/kryeministrin Theodoros Pangalos, europarlamentaria Doris Pack, Presidentia e Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitetet më të larta të vendit, Kryeministri  Edi Rama, ish-kryeministri Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit si dhe ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, etj./

*Konferencën e nderuan me video- mesazhet përshëndetëse kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku/

Tirane, 8 dhjetor 2015/

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z Bujar Nishani u mbajt sot në Hotel Sheraton Konferenca Ndërkombëtare “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit”, e cila shënoi edhe kulmin e veprimtarive të organizuara nga Institucioni i Presidentit të Republikës me rastin e 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri, ku po përkujtohen dhe festohen ndryshimet e mëdha demokratike, politike dhe shoqërore që kanë ndodhur gjatë këtij çerekshekulli liri.

Kreu i Shtetit mikpriti në këtë organizim të veçantë udhëheqës politikë e figura historike ndërkombëtare të kohës: ish-presidentin kroat Stipe Mesiç, ish-zv/kryeministrin Theodoros Pangalos, europarlamentaren Doris Pack, Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitetet më të larta të vendit, Kryeministrin e Edi Rama, ish-kryeministrin Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit si dhe ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, etj.

Konferencën e nderuan me video- mesazhet përshëndetëse kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në thelb të të cilave qëndronte vlerësimi për hapat e bëra nga Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik të vendit.

Në video-mesazhin e saj kancelaria gjermane Angela Merkel, u shpreh se Shqipëria çon impulse për bashkëpunim në rajon. Ndërsa në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, Sekretari i Shtetit, John Kerry në përshëndetjen e tij vlerësoi ngjarjet e 25 viteve më parë si historike në krye të së cilave qëndruan “udhëheqësit e guximshëm të lëvizjes studentore të mbështetur nga qytetarët e zakonshëm të cilët marshuan  dhe demonstruan kundër diktaturës, dhe të ndihmuar nga ish anëtarë kurajozë të partisë që ndihmuan në vendosjen e një regjimi përfaqësues”.

“Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme gjatë këtyre 25 vjetëve. Sot, Shqipëria është një aleat i përkushtuar i NATO-s që jep ndihmesën e saj për paqe dhe stabilitet në botë. Shqipëria është në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik, duke kryer reformat e nevojshme për të forcuar institucionet demokratike dhe për të zhvilluar një ekonomi konkurruese të tregu të lirë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar dhe dëshirojnë thellimin e partneritetit mes dy vendeve në të ardhmen”, theksoi mesazhi i  Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Në qendër të vëmendjes erdhi për të pranishmit edhe mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, i cili e konsideroi Lëvizjen Studentore si “Përpjekje për përparim në zhvillimin shoqëror”.

Më pas Konferenca vijoi sipas agjendës se planifikuar e ndarë në tre sesione plenare. Në sesionin e parë plenar me tematikën: “Rënia e Perdes së Hekurt – Ndryshimet e sistemit në Evropën Lindore” mbajtën fjalën udhëheqës politike dhe figura historike të kohës si Stipe Mesiç, Theodoros Pangalos, Sali Berisha, Edi Rama, Mevlut Cavusoglu, Doris Pack, Nam Hee Kim, Man Hee Lee.

Konferenca vazhdoi në sesionin e dytë plenar me tematikën “Lëvizja Studentore Shqiptare – 8 dhjetor 1990” në të cilën mbajtën fjalën e tyre personalitete të njohura të shoqërisë shqiptare si Preç Zogaj, Afrim Krasniqi, Blendi Gonxhe, Bislim Ahmetaj, Elsa Ballauri, Kujtim Çashku, Edith Harxhi, Forenc Poka, Werner Daum. Folësit në këtë panel theksuan rolin e kësaj lëvizje si paraprijëse e ndryshimeve demokratike në Shqipëri, e pluralizmit politik, medias së lirë, dhe lindjes së shoqërisë civile.

Konferenca u mbyll me sesionin e tretë plenar me tematikën “Rënia e komunizmit  në kronikat e kohës”, e cila përcolli mbresa dhe kujtime nga gazetarë dhe analistë të ‘Zërit i Amerikës’, BBC, Radio Evropa e Lirë, AFP, Radio Vatikan, dhe nga Shqipëria të mirënjohurit Besnik Mustafaj, Wolfgang Grossruck, Elez Biberaj, Nicola Miletich, Paolo Foresti, Bernd Fischer, Frrok Çupi.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit”, Nishani, president

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT