• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ushqejmë njëri-tjetrin me banane

January 13, 2018 by dgreca

nga Ilir Levonja/

Gjatë vitit 2013, temë e ditës në Shqipëri ka qënë tritoli. Një fushatë qeveritare përmes një institucioni të quajtuar INUK, ose Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik Kombëtar. Një Institucion që po të pyesje dike, të ta përshkruante, me siguri do të vizatonte një figurine midis elefantit dhe Warysnikit, në fund të fundit të dy gjymtyrë kryesore feçkën kanë. Pra 2013-ta nuk ishte asgjë tjetër por tritol dhe feçka e INUK-ut. Një ekstazë sociale, sidomos e të majtëve të bashkuar, pas marrëveshjes së madhe në Shkoder, midis Ramës dhe Ilir Metës. Kaq të dehur nga era e tritolit, sa edhe sot e kësaj dite besojnë se pasurinë kombëtare e kanë zhvatur vetëm demokratët. Shefat e tyre janë të kulluar, madje i quajnë si gjë normale edhe këto format e kanabizimit të vendit, ku tek-tuk fal prokurorisë italiane dhe asa greke bie në rrjetë ndonjë çun blloku apo ish minister që ka protestuar fort, madje është ndeshur me uniformat si luan I vërtetë. Apo tenderime të tjera të mëdha me preteksin se po ndreqin firot e qeverisë parardhëse, në sheshet publike sot me një statut special të
rilindjes kineze.

Si gjithmonë ne entuziastët merremi me të drejtat e shefave, një turmë që mërmërit ca, ia bëri mire qenit, ca të tjerë, na të gëzoj tani… Në fakt është e gjitha kështu, një histori gati vulgare e jona fillo të qeverisësh duke prishur. Pra me prish, ndërto, prish, ndërto…, një motor që përtyp vetveten. Mjafton tu kujtojmë mbikalimin tek Zogu i zi, apo sheshin e legenave në Tiranë. Pa harruar ritin kancer që tender e asfalto sot dhe nesër çaje rrugën fillim e fund vetëm për të shtruar një kabëll. Të gjitha i kemi bërë me qejf, të eksituar pa e kuptuar asnjëherë se, si Berisha, si Basha, si Meta, si Rama. Dhe shpura e tyre në tërësi, nuk humbasin asgjë. Përkundrazi mbarsen, hapin fronte pune për arkat e tyre. Ne jemi vetëm ca gagarelë që bëjmë tifozëllëk majmunësh. Mbajmë në dorë nga një banane, ushqejmë njëri-tjetrin dhe gajasemi, kurse ata kanë plantacionet. Kanë edhe stallat mbushur plot me kokat tona. E njejta gjë po ndodh edhe tani këtë 13 milionshin e eurove dëmshpërblim nga gjykata e Strasburgut, për vjehrrin e Lulzim Bashës. Ca ta shpifin kur shkruajnë dhe pyesin naivisht se ku i gjeti vjehrri i Bashës aq para e token që të ndërtonte tek uji i ftohtë. Ndonjëri, ndofta shikon nga vjehrri i tij dhe habitet pse nuk ka edhe ai ndonjë truall diku, bash ku deti flladit gurët, e hapet tutje, një fushë plot të ardhura. I
hakërrohen prokurorisë… ca të tjerë, fërkojnë duart se dështoi Rama. Me këto politikat ”e forta” të rilindjes shqiptare. Pika që nuk na bie…, kemi dështuar ne. Janë paratë tona. Dhe po të llogarisësh se sa prishje, ndërtime, e prishje janë bërë përgjatë këtyre viteve, jemi taposur me banana para e mbrapa, lart dhe poshtë. Janë para publike që fare mire mund t’i
kishin shkuar investimeve publike. Vetëm në raste të veçanta dhe marrëveshje të mëdha prishen objekte të përmasave të tilla. Qofshin edhe kur janë produkt i tregtisë së zezë. E kam thënë edhe atëhere me një artikull të vogël, Tritol. Pronat e dyshimta mund të shtetëzohen, aq më më tepër që një vend si i yni ka sot kaq shumë nevojë për spitale, shkolla, a shtëpi të moshës së tretë. Dhe nëse tjetri do e fitonte rikthimin me gjyq, siç ndodhi me rastin e vjehrrit të Bashës, i kthehej godina, dhe aq. Kurse sot përfundimi i ftohtë, është, dëmshpërblim i pronarit, plus ato që morën ata banorë që jetonin aty, një
thellim i vrimës së zezë, asaj ku firojnë paratë publike, taksat e shqiptarëve. Pse? Për shkak të ekstazës dhe revolucionit të rilindjes. Një çmenduri të cilën e kurorëzojmë edhe me fronin e qeverisjes.
Që sot ka emrin Edi Rama. Ne, ushqejmë njëri-tjetrin me babane, ata me qeverisje, tenderime, para të thata. Kaq e
gjitha.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, me banane, njeri-tjetrin, Ushqejmë

LE TA DUAM MË SHUMË NJERI-TJETRIN

December 24, 2012 by dgreca

Mesazh i Editorit të gazetës Diellit/

Të nderuar bashkëtardhetarë/

Të nderuar vatranë/

Të nderuar bashkëpunëtorë dhe ju lexues të gazetës më të vjetër të botës shqiptare, DIELLI;/

Më lejoni që t’ju uroj : Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Le të sjellë ky vit i ri që po troket gëzime e lumturi në familjet tuaja! Le të na bashkojë më shumë ky viti që po zëvendëson vitin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit Shqiptar.

Kemi lënë pas një vit të suksesshëm, që mbetet i pashlyer në kalendarin historik të Kombit Shqiptar. Ky qe viti i 100 vjetorit të festimeve mbarëkombëtare të një shekulli shtet i pavarur. Shqiptarët ishin më të bashkuar si asnjëherë tjetër. Politika me gjithë trillet e kurthet e saj nuk arriti që t’i përçante shqiptarët, edhe pse për faj të saj qëndrojmë prapa gardhit të Evropës së Bashkuar: Shqiptarët ishin bashkë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Times Square, në Washington, Florida, në Michigan, në Chikago, Toronto etj! Na bashkoi Flamuri ynë kuq e zi, Flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Këtë vit gjakrat tanë u zbutën me gjithë presionin militant partiak. Deshëm s’deshëm, e pranuam edhe Mbretin, edhe princin; deshëm s’deshëm i afruam pranë edhe Mbretin, edhe Mithat Frashërin, edhe Hasan Prishtinën, edhe Bajram Currin, edhe Elez Isufin, Abaz Kupin, deshëm s’deshëm i nderuam bashkë të gjithë dëshmorët e Kombit; gjithësecilin që bëri detyrën sipas mënyrës së vet për Kombin. Nesër, do të pranojmë edhe kontributet e Mehdi Frashërit, Ernest Koliqit, Xhevat Korces, Xhaferr Devës, Ago Agaj, Mustafa Krujës, Kol Bib Mirakës e të tjereve shërbestarë. Dhe kur të bëhet kjo do të jemi më të çliruar, më të afërt me njëri-tjetrin.

Të dashur bashkatdhetarë të diasporës shqiptare,

Le t’i shërbejmë më shumë Kombit se sa partive këtu në mërgimin e largët. Ky vit qe i veçantë për komunitetin shqiptar të Amerikës. Festimi i 100 vjetorit të Vatrës na bashkoi bashkë dhe pavarësisht hedhjes së gurëve nga individë të pakët, festa qe gjithëshqiptare, gjithëfetare. Rreth 500 vetë në Konferencën shkencore ”Vatra, 100 vjet në shërbim të Kombit”  me 28 prill 2012 dhe mbi 1100 vetë në darkën madhështore të 100 vjetorit të Vatrës me 29 prill 2012, tregoi edhe një herë se Vatra është e gjithë shqiptarëve dhe misioni i saj historik mbetet i vlerësuar dhe i patjetërsueshëm.

Gazeta Dielli, u bë tre vjet që del rregullisht e përmujshme e printuar dhe e përditshme në botimin në on line. Brenda këtij viti u bënë dy botimi me mbi 100 faqe të gazetës Dielli, plus një publikim-revistë përkujtimore speciale kushtuar 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, po ashtu për të parën herë dolën në dritë figurat themeluse dhe shërbesat e Vatranëve në një ekspozitë të përhershme fotografike. Bashkëpunëtorët e Diellit tani i përkasin të gjithë botës shqiptare dhe asaj mërgimtare, jo vetëm nga Amerika dhe Kanadaja, por edhe Belgjika, Zvicra, Greqia, Italia, Australia, Zelanda e Re etj. E mira s’ka fund’ le të shpresojmë dhe të luftojmë që ky vit do të sjellë risi të reja.

Në vlerat e këtij viti është dhe fitimi i një vendi në Asamblenë e Shtetit të New York-ut nga bashkëkombasi ynë, Mark Gjonaj. Natyrisht që me një lule nuk vjen behari, por pas dallëndyshes së parë, të tjera dallëndyshe fluturojnë bashkë me Pranverën.

Të nderuar kolegë

Duke vlerësuar rolin e medias në bashkimin kombëtar, do t’u bëja thirrje që të heqim dorë nga amatorizmi dhe vetëlëvdatat në ekranet e TV-se apo faqet e gazetave, të heqim dorë nga përçarjet dhe sharjet, nga xhelozitë dhe mërirat, dhe le t’i shërbejmë profesionit, duke respektuar me realizëm formulën e informimit,” ku, kur dhe çfarë ndodhi”! Ekzagjerimet sipas miqësive apo grupimeve politike,sipas oreksit të organizatorëve, nuk i shërbejnë informimit real të komunitetit. Brrylat, zhvendosjet, dhe ajo ç’ka është më e padëshirueshme, keqinformimet, sharjet, krijimi i grupeve të sulmeve ndaj individëve, çojnë në përçarje. Le ta mësojmë lexuesin tonë se kur të jenë 20 vetë në një aktivitet, nuk do t’i bëjmë 200 se ashtu dëshirojnë organizatorët, nuk do të themi as dhjetëra, por do të raportojmë aq sa janë 20, 30, 50…100 etj.

Ju të nderuar bashkatdhetarë që mbani me përkushtim e shpenzime, qoftë edhe të kohës, website, lista, gazeta në on line, bëjuni bllok ndaj përçarësve, që shajnë, sajonë e shpifin dhe i kanë kthyer websitet tuaj në rrjeta merimangash të  helmta që nga njëra anë rrahin gjoksin për shërbim ndaj komunitetit, fusin veten në mënyrë fallso në histori, duke pretenduar se janë të parët në hapjen e shkollave, të parët në hapjen e mediave, të parët përgjërues të Kombit…dhe nga ana tjetër kanë lënë pas me dhjetëra bashkatdhetarë të “shpuar” me shigjetat e helmatisura të shpifjeve dhe urrejtjeve. Testoni të vërtetën para se të aprovoni kalimin e një sulmi të helmatisur apo të një shpifje që nuk bëjnë gjë tjetër veçse përçajnë, mashtrojnë dhe keqinformojnë. Kompromisi me shpifësin i jep krah atij(ose asaj)  të shpifë gjithë jetën.

Të nderuar veprimtarë të komunitetit shqiptar

Shërbejini dhe ju bashkimit të komunitetit dhe jo përçarjes. Nëse formacionet tuaja kanë nevojë për militantë mos i kërkoni ata duke sharë organizatat e tjera apo individët e pafajshëm. Sharja sjell përçarjen. Po ashtu i edukoni militantët tuaj që të mos shpifin, të mos sajojnë, të mos kërkojnë bashkëpunëtorë të Sigurimit me imagjinatë, por të kërkojnë nga klasa politike shqiptare që të hapen dosjet dhe sipas fajit, ata, fatzinjët bashkëpunëtorë, të gjejnë vendin.

Ka shumë çështje që na bashkojnë këtu në diapsorë, ndërsa ndarja dhe përçarja janë në dëm të çështjes Kombëtare.

Ju liderë, që keni vendosur të hyni në politikën shqiptare që nga Amerika, mos e bëni politikën me diktatin dhe mostolerancën e politikës së vjetër, por jepni shenja se jeni për politikë ndryshe. Politika inatçore nuk të çon asgjëkundi.

Le të ndjehemi të bashkuar këtu në diasporë që të ndikojmë pozitivisht tek klasa politike në vendlindje!Si mund të bashkohet Kombi kur luftojmë njëri-tjetrin, apo kur e trajtojmë njëri-tjetrin si armiq?

Sa më shumë dashuri me njëri tjetrin, sa më shumë harmoni mes vetes, aq më pak përçarje!

Editori i DIELLIT

Dalip Greca

New York,  Dhjetor 2012

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, mesazh, njeri-tjetrin, ta duam me shume

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT