• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIKTOR KASIMATI, NJERIU QE LA GJURME TE THELLA

July 31, 2015 by dgreca

Ne Foto: Viktor Kasimati/
Nga Agim Xh. Dëshnica-Boston-MA/
Jeta e kujtime/
Shumëkush si një udhëtar i lodhur, pas një shtegtimi të gjatë, hedh vështrimin në udhën e përshkuar e përpiqet të gjejë vendin nga u nis. Vë re, në largësi vetëm një tis të përhimtë resh në trajta malesh, që ndryshojnë ngjyrat e shuhen diku, siç dodh me vitet. Në ato çaste kujton muajt e vitet, kur hidhërimet mposhtnin, edhe gëzimet e rinisë, ndjen në shpirt përsëritjen e tyre, diçka të kundërt nga thënia e poetit fiorentin, përfytyron një rreshtim të gjatë njerëzish, që nis nga gjyshi e vijon me brezin e pasardhësve. Pas tyre shokët e shkollës, bashkëpunëtorët e mirë në jetë e në punë.Të tjerët, misteriozët e asaj kohe të vështirë. i fshin nga kujtesa, siç ngjet me erën e gjethet në vjeshtë, ashtu si valët mbi gjurmë në ranishte,
Shkollat shqipe.
Aty nga vitet e mashtrimit të madh 1945 e 1946, shkollat u hapën si ato të paraluftës, madje me librat cilësorë të asaj kohe të tronditur nga lufta boterore. Pas shkollës fillore me pesë klasa, në Tiranë vijonte Gjimnazi me tetë klasa, i ndarë në degët reale dhe klasike, më pas u prish, Më tej u vijua me uniket me tre klasa, shkollat e mesme me katër klasa, një prej tyre mbajti emrin e pashpallur Gjimnazi “Qemal Stafa.”
Në krahun e djathtë të rrugës së Elbasanit, gjatë vitit shkollor 1945-1946, degjoheshin zërat e nxënësve të shkollës fillore me emrin e trashëguar e kuptimplotë “Kosova.” Aty mësonin zakonisht fëmijtë e familjeve të kulturuara, me banim në Tiranën e Re. Në klasën e pestë, diku në rreshtat e para, ulej një djalë me shtat mesatar e pak i hequr e me tipare fisnike, Viktori nga fisit i Kasimatëve, i lindur në muajin e luleve më 1935. I vemendshëm në mësime, i gatshëm në përgjigje, i dashur e bujar me shokët e çdo niveli, i pashkëputur nga shokët në argëtime gjatë pushimeve. Një ditë mësuesi i ri i fesë, sapo hyri në klasë për mësimin e parë të edukatës islame tha, se kushdo që dëshironte të dëgjonte mësimin e tij, mund të rrinte. U ngrit një vajzë me flokët kaçurel, e veshur me fustan të hollë e me pala ngjyrë rozë dhe foli, “unë nuk besoj” e doli me kokën lart nga klasa. Më vonë do të shquhej si balerinë. Askush tjetër nuk lëvizi nga vendi, as Viktori, i cili deri në vitet e fundit, në ditën e parë të Bajramit ndodhej ndërmjet besimtarëve para xhamisë së Et’hem Beut dhe uronte miqtë e vet. Siç dihet pas disa kohësh mësimi i fesë u ndalua. Familjes së balerinës ia shtetëzuan vilën me pishinë e lulishte. Viktori vazhdoi shkollën me nota të shkëlqyera në Uniken-3. Ndërtesa klasike e shkollës më parë shërbente për Muzeun Historik dhe Etnografik. Në oborr dergjeshin rreth e rrotull shtatore pa kokë, parzmore, mburoja e basorelieve mermeri të nxirra nga koha, të zbuluara nga arkeologët anglezë e italianë në Durrës, Apoloni e Butrint. Në kohën e pushimit mbi parzmoret e mburojat e gurta, uleshin nxënësit e hanin nga pesë biskota nga ndihmat e UNRA-s. Siç dihet shpeshherë në shkollë gjatë javës, kishte edhe ditë me ngjarje gazmore për të gjithë. Në stinën e ftohtë të dimrit apo në ditët me shi, ndalej para portës së shkollës një pajton i mbuluar, ku ishin mbrehur dy kuaj. Papritur u duk tek zbriste nën çadër Viktori i përcjellë nga nëna e mirë e fisnike. Mjaftonte kaq. Të nesërmen në gazetën e murit, ku bashkëpunonte edhe Viktori, shihej karikatura e një djali nën shi të strukur nën jorgan. Ditën tjetër do të mblidheshin para gazetës shumë vetë për një shkrim gazmor të Vikorit, ku tregohej sesi mësuesi i diturisë së natyrës, teksa shpjegonte mësimin për zhuzhakun, iu drejtua “piktorit” K. D, që kruante veshinm, “ç’e ke atë vesh, more djalë, minierë ari? “ Më pas Viktori mbaroi gjimnazin “Qemal Stafa”, i rreshtuar me maturantët, që do të shquheshin në jetë, në degët, siç qenë ekonomia, fizika e kimia, ndertimi e arkitektura, shendetësia e sporti, si Shefqet Ndroqi, Petrit Radovicka, Barjam Preza, Osman Kraja,Viktor Kasimati, Besim Daja, Egon Gjadri, Zihni Gjinali e Rexhep Spahiu etj. Në fushën e letrave: Jakov Xoxa, Mustafa Grablleshi, Mihal Hanxhari, Petro Zheji, Fatos Kongoli etj. Artistë, si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Robert Ndrenika etj. Piktorët, si Nexhmedin Zajmi, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo etj.
Kasimatët.
Viktori ashtu si kishte emrin, ashtu mbeti i paharruar përjetësisht. Ky trashgimtar, që nis nga një brez jurishtesh, inxhinerësh, doktorësh e dijetarësh atdhetar. Këta shqiptarë të aftë, me studime në Paris, Romë, Stamboll, patën fate nga më të ndryshmet, disa mbijetuan, disa humbën jetën në mënyrë tragjike, por kujtimi e veprat e tyre jetojnë. Gjyshi nga nëna, ishte Sulejman Delvina, Kryeminisri i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës. Gjyshi nga i ati, qe juristi libovit Abdurahaman Kasimati, babai i pesë fëmijëve, të gjithë me shkollë të lartë, në shërbim të atdheut. Ndër ta, ing.Refi Kasimati, i ati i Viktorit, i diplomuar ne Paris me punë në Ministrinë e Punëve Botore, ndërsa Sabiha Kasimati biologe e diplomuar në Romë, me punë në Institutin e Shkencave. Në romanin “Nentori i një Kryeqyteti”, botuar në vitin e zi 1975, përshkruhet mjeshtërisht kryeqyteti, që po binte në duart e brigatave çlirimtare, me trokitje natën, rrëmbime e vrasje pa gjyq në zonën lindore të qytetit apo në Tiranën e Vjetër. Ishin ditë paniku, ndaj disa familje nëpunësish të vjetër, po linin qytetin. Në roman, ndër të tjera shkruhej…”po ikin, po ikin Kasimatët!” Përse me fantazinë e vet të pasur shkrimtari, po i largonte Kasimatët patriotë? Në portën e tyre në Tiranën e re, trokitën, vetëm tre ushtarë gjermanë me automatikë të cilët kërkuan pianon e shtëpisë, vetëm sa për një natë. Kasimatëve s’u kishte shkuar as ndër mend, të merrnin më kot udhët e mërgimit. Përse duhej të ikte me familjen ing. Refiu, aq i nevojshëm për rindërtimin e vendit, të dëmtuar nga lufta? Po dijetarja, Sabihaja, e paharruara, pse duhej t’i linte punimet në Institutin e Shkencave? Po dy vëllezërit, njeri mjek, aq i kërkuar në atë vit e tjetri jurist?
Krim e ndeshkim barbar.
Mesa kuptohet, ” bejlereshë armike”, në atë ikje imagjinare, paskësh qenë Sabihaja e gjorë, e kthyer në vitin 1945, për t’u masakruar mizorisht në mesnatën e ftohtë të shkurtit 1951, për një bombë të hedhur nga Sigurimi në oborrin prapa Legatës Sovjetike, që plasariti disa nga xhamat e pasme të ndërtesës. Kumti i saj jeton edhe sot: “evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit.”
Para disa vjetësh shkruesi i këtyre radhëve, u kishte kushtuar, këto vargje të dhimbshme viktimëve të asaj nate vrastare. Jepet vetëm një fragment:
“Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet vorbull, te bregu nën gjeth.
Me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lot-stërkala
sado krim në terr, me pëshpërimë përhapet fjala…
Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,
për gropë martirësh në heshtje dhe gurët vajtojnë.
Dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,
ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.
Nga gropa, nga gropa, shpirtrat fluturuan lart,
Me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë.
Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,
Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!
Në lumenj, det, oqean, dëgjohet thirrja e saj,
shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.
Mërmërojnë valët: Sabi! Sabi! Sabiha!
Buçasin dallgët: Sabiha! Sabiha! Sabiha! 
Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet nën lule e gjeth,
me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lot-stërkala, 
për krime terri me oshëtimë përhapet fjala!…”
Në atë kohë kur diktatura gjaksore u step nga jehona e krimit, Viktori mbushte 16 vjet. Dy vjet me vonë, më 1953, pranohet pa kundërshtim në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e inxhinerisë së ndërtimit, të cilin e përfundoi, si përherë shkëlqyeshëm, më 1958. Nxënësit e besueshëm edhe me nota nën mestaren, dërgoheshin jashtë shtetit në Universitete, në Moskë, Varshavë, Budapest, Bukuresht, disa në Romë apo Paris. Viktori nuk e pati atë fat, s’u dërgua në asnjë shkollë të huaj, sado i pari në mësime dhe zotërues i gjuhëve frënge dhe italiane, ashtu si gjatë kohës së punës, përdorues i anglishtes e rusishtes.
Emërimi në ndërmarrjet e institutet e ndertimit.
Për emërimin në punë, siç dihet u shqyrtuan dokumentet që tregonin prejardhjen e rrethin e tij familjar. Diplomës që dëshmonte për aftësitë e tij, mesa kuptohet, iu hodh një sy i ftohtë. Ndryshe nga shumë të tjerë, pas mbarimit të studimeve më 1959, u caktua në degën teknike të Ndërmarrjes së Ndertimit, me emrin shifror “21 Djetori”. Kjo nofkë pa vlerë, sipas forcës së zakonit, përdoret edhe sot nga shumë vet, pa e ditur, se bëhet fjalë për ditëlindjen e një diktatorit të egër sovjetik. Aty ku kryqëzohet rruga e Kavajës me Unazën, ndodheshin dikur, zyrat e asaj ndërmarrjeje. së bashku me kantierin e qendrës, me disa reparte, si zdrukthtaria për dyer e dritare, oficina e automjeteve dhe një park kamionash ndërtimi etj. Në degën teknike ing.Viktori punoi afërsisht dy vjet, për kontrollin teknik të ndërtimeve në Tiranë. Pastaj u transferua në Kombinatin e Materialeve të Ndërtimit në Laprakë, përgjegjës i laboratorit që merrej me analizat e çimentos, ranës dhe betoneve. Mandej u ngarkua nga Ministria e Ndërtimit, të kryente studimin dhe eksperimentimin e betoneve të paranderur, një detyrë kjo, mjaftë e vështirë dhe me përgjegjësi. Kjo punë kërkimore e panjohur deri atëhere në vendin tonë, synonte përgjysmimin e hekurit në betone, me anën e tërheqjes së hekurit në të ftohtë. Pas provave të shumta me ngarkesë u arrit qellimi i caktuar. Në bashkëpunim me Institutin e Teknologjisë së Ndërtimit, kjo punë e re, u shpërnda, edhe në rrethet e tjera. Për disa kohë Viktori drejtoi, edhe byronë teknologjike të Kombinatit. Por, gjatë punës nuk iu ndanë shqetësimet nga ndërhyrjet e gabuara nga lart, edhe në betonet e zakonshme, me rrjedhoja të rrezikshme. Ndryshe nga arkitektët e pafuqishëm, kundër ndërhyrjeve, ing. Kasimati, me urtësinë e njohur, nuk lejoi asnjë ndryshim në konstruksionet betonarme. Kështu, kur arkitektura në botë përparonte, në vendin tonë, duke filluar nga kryeqyteti, u panë ndërtesa të rëndomta, me paraqitje aspak të hijshme nga jashtë dhe me mungesa të shumta brenda. E kundërta ndodhi me qendrushmërinë e tyre, falë plotësimit të kushteve teknike, sidomos për betonet për të cilat punoi me vendosmëri inxhineri konstruktor. Viktor Kasimati, Ai merrte pjesë në çdo mbledhjet teknike dhe bashkëpunonte me kënaqësi me ekonomistët. Emri tij shënohej rregullisht në komisionet për hartimin e manualeve të Ministrisë së Ndërtimit. Në fabrikat e sheshet e Kombinatit punohej lodhshëm me tre turne. Me materialet e ndërtimit, furnizoheshin kantieret, që merreshin me ngritjen e banesave standarte. Ndërkohë u vu re një drejtim i ri, siç ishte ndertimi i fabrikave të reja të industrisë së rëndë, si Uzina e Traktorëve, Uzina e Tankave, Kombinati Metalurgjik dhe se fundi bunkerët e mbrojtjes për ushtrinë. Kjo marrëzi poltike dhe ekonomike e planifikuar, u mbyll me shembjen e sistemit socialist dhe fundin e diktaturës. Por, shqetësimet ing.Viktorit, nuk i ndaheshin, edhe nga ata, që dergonin letra lart. Kështu një tornitor poet, i kthyer pa diplomë nga kryeqyteti i një vendi lindor, përveç punës së mekanikut, nisi të mblidhte poshtë e lartë të dhëna për çështje ndërtimore. Shpeshherë në bisedë e sipër pyeste dhe shënonte shpjegimet që lidheshin me paranderjen. Viktori i dashur me të gjithë, ia përshkruante atë teori, pothuaj me terë hollësitë e saj. Të gjitha këto mjaftuan që mekniku poet, t’i dërgonte kryeministrit një letër të rrezikshme, ku ankohej, se burokratët dhe teknokratët, si Viktor Kasimati e dikush tjetër e kishin penguar të ecte përpara për të mësuar mjeshtrinë e betonimeve. Papritur në një mbledhje në Kombinat, u duk ministri i ngrysur e i rreptë i ndërtimit R. Hanku. Pas pyetjeve e përgjigjeve, u sqarua gjithçka. Pak më vonë, aty nga viti 1974, ing.Viktori Kasimati, i ngujuar katërmbëdhjet vjet rresht me punë në Kombinatin e tymosur nga pluhuri dhe intrigat, iku triumfues i emëruar në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Veprave Hidroteknike, për t’u marrë me kërkime të tjera. Në romanin, siç u tha më lartë, pas një viti shkruhej: ”po i kin, po ikin Kasimatët!”
Ngadhnjimi i kohës së ëndërruar.
Më 1992 ing.Viktori është punonjës i Institutit të Teknologjisë së Ndertimi, mandej drejtor i tij. Mjerisht, edhe sot lexojmë në shtypin e përditshëm shkrime të gabuara për vlerën e betonimeve. Shumë vetë shqetësohen nga këto emërtime të frikshme gazetarësh. Ndërtimet me betonarme në vendin tonë të pasur me gurë e të varfër me drurë, janë e vetmja mundësi për ngritjen e porteve, digave, urave, banesave etj. në përputhje me kushtet teknike të miratuara shkencërisht nga specialist, si ing.Viktori me bashkëpunëtorët e tij. Shkelje të rënda vihen re vetëm në arkitekturë me projektime e ngritje pallatesh shumëkatëshe me probleme të vështira, mbi një plan urbanistik të gabuar. Ngadhnjyese del në çdo rast, përvoja e ndihmesa e ing Viktorit dhe e konstruktorëve të tjerë. Shembujt janë të shumtë, kur pas tritolit inatçor, ndërtesa qendron më këmbë e patundur, si emri i dashur Viktor, Victorious, Fitimtar.
Nga viti 1992 më 1997, veprimtaria e re e ing.Viktor Kasimatit, ishte detyra e drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme. Pra, pas një përvoje te gjatë, do të punonte me ide të reja ekonomike, me shërbime në shtete, si Greqia, Italia, Franca, Austria, Gjermania, Turqia etj. Ndërkohë u realizua edhe një ëndërr e shuar e rinisë së vështirë, për të kaluar kufirin imagjinar midis robërisë dhe lirisë, tok me diplomatët në takime ndërkombëtare.
Shkurt veprat e ing.Viktor Kasimatit:
Kontrolli teknik i materialeve të ndërtimit dhe veçanërisht i betonit, çelikut, betonarmesë dhe materialeve të tjerë me bazë çimentoje.
Pojektues në Sektorin e Porteve detare. Ka marrë pjesë në hartimin e projekteve të :Kalates lindore në Portin e Durresit ( kalata, sheshe,rrjete inxhinierike, rrugë, hekurudha, etj.)
Thellimet në Portet e Durrësit, Shëngjinit e Vlorës.
Projekt–idesë së plotë të Portit të Ri të Vlorës.
Projekt-Organizimit të Punimeve për ndërtimin e skolierës perëndimore në Portin e Ri te Vlorës.
Pontilit ne Himarë.
Ne studion “Port Projekt”:
Nga viti 1999 më 2010: Inxhinier për projektim portesh në studion “Port-Projekt”, konsulent e projektues.
Ka marrë pjesë në hartimin e projekteve:
Për rikonstruksione dhe ndërtime në Portin e Shëngjinit (Kalata, sheshe, skoliera, thellime).
Për ndërtimt e reja në Portin e Sarandës (kalata dhr sheshe).
Projekt–ide e infrastrukturës portuale për përpunimin e produkteve të naftës dhe të gazit të lëngshëm në Porto-Romano në Durrës.
Ndryshime dhe azhornime në zgjerimin e kalatës në molin “O” në portin e Vlorës.
Për ngarkesat e projektimin e strukturave të ndërtesave civile dhe industriale.
Për studimin e veprimit të erës mbi strukturat e ndërtimit.
Projektimi i strukturave beton arme të ndërtesave civile.
Artikuj shkencorë në shtypin e viteve 1961- 1973.
1961- Shkallët e montazhit, soletat e paratensionuara
1962- Shkallët e montazhit, godina montazhi dy katshe të parafabrikuara
Stylla në formë ” T” prej beton armeje të paranderur për armatimin e galerive të minierave.
Kollona me shtylla cilindrike b.a. Kapriata dhe trarë vinç-urë b.a të paranderura. Soleta “F” të paranderura. Soleta “V” të paranderura për hapësira deri 15m.
Parafabrikatet në masë të tipizuara, prioritet i paranderjes para betonimit.
1973- Për prodhimet e nevojshme, adaptimi i reparteve ekzistues ose ngritja e reparteve të reja. Ngritja e një vinçi CAP dhe zgjerimi i poligonit të parafabrikateve.
Disa mendime të trishtuara.
Duke u njohur me tërë këtë vepritari prej dijetari atdhetar, kur hedh një sy të shpejtë në vëllimin-2, të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, përgatitur nga Akademia e Shkencave, me qendrim te qartë opozitar, edhe më 2008, ndihet fryma e rëndë e luftës së klasave. Nga fisi i Kasimatëve me një shkrim tepër të varfër, përmendet sa për te kaluar radhën, vetëm Sabiha Kasimati, vajza shkencëtare, fama e cilës ka kaluar kufijtë e Shqiperisë, shumë vite më parë. Në atë Fjalor Enciklopedik, të ndrequr keq, shihen emra inxhinierësh që jetojnë, nën nivelin e ing.Viktor Kasimatit. Edhe në shtojcën mjerane, ku shihen emra të harruar dëshmorësh të kombit, si Gani Butka, apo e poetëve të lirisë, të pushkatuar, si Vilsoni e Leka, emri i bukur i Viktorit, të përndjekur fshehtas, mungon, ndoshta si hakmarrje për emtën e vet të masakruar Sabiha, të cilën ai, e ringjalli me intervistat e veta të fuqishme.
Mbarimi i jetës së një dijetari krijues dhe ngritja lart në qiell e një ylli të ndritur.
Në kohë të lirë Viktori, merrej edhe me leximin e letërsisë në gjuhën shqipe, frengjisht, italisht etj. Pëlqente gazetat 55 e RD. Gjithsesi në bibliotekën e vet të pasur, shumica e librave qenë botime të sferës teknike. Çdo javë, në ditën e orën e caktuar, takohej me miqtë e vet të punës, në një kafe, në krye të rrugës “Hoxha Tahasim.” Në raste përvjetorësh ndodhej gjithmonë, në takimin përkujtimor për 22 vitimat e Urës së Beshirit. Janë të njohura intervistat e tij për emtën vet, Sabiha Kasimati. Në raste të ndryshme takohej edhe me punonjësit e vjetër, teknik e inxinierë, të Kombinatit. Ditët e korrikut i kalonte familjarisht diku në një gji të ngrohtë në krahun jugor të Himarrës.
Në këto ditë të nxehta pushimesh, në një gji të ngrohtë të Himarës, banorët e mirë të asaj ane dhe valët e kaltra të Jonit, nuk do ta shohin më Viktorin, ulur në breg, në ajrin e pastër, për të soditur largësitë, se papritur në fillim të korrikut, në ditën e dytë, zemra tij e lodhur pushoi së rahuri. Ai u nda nga jeta, aq e dëshiruar prej tij. Por, si vazhdim i saj, do ta kujtojnë miqtë e tij, sidomos kolegia e vet, e palodhura ing. Elsa Kasimati, me trashgimtarët e saj, mes tyre nipi i vogël, Kostandin, njeriu i ri i Shqipërisë. Për çudi, ky emër na kujton hymnin:“Flamur që lint Shën Kostandinin/Pajton Islamn’ me Krishterimin/ Çpall midis feve vllazërimin/ Flamur bujar për Njerëzi./” Ngadhnjimi i mendimit të lirë, ngriti lart në qiell, një yll të ndritur, Viktorin, studentin e shkëlqyer, inxhinierin e talentuar, publicistin e shkencës, diplomatin e aftë e patriot dhe idealistin e dashurisë njerëzore.

Korrik 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Xh Deshnica, njeriu, QE LA GJURME, TE THELLA, VIKTOR KASIMATI

ATJON ZHITI: AKT EVOLUCIONI: PO I LARGOHET A PO I AFROHET VETES NJERIU?

April 21, 2015 by dgreca

Një nga shkrimet e pakta që na la Atjon V. Zhiti, studenti i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano.Sërisht spikat mendimi rinor, i veshur me ndjenjë, pasioni për t’u endur në kohë, nga lashtësitë deri në çastin kur shkruan, shqetësimi i “individit për individin” dhe universin që e rrethon, e gjitha me origjinalitet dhe freski plot dritë.Me dashuri, në nderim dhe përkujtim të ëndrrës së Atjonit, teksa po e vazhdon në qiell…/
AKT EVOLUCIONI: PO I LARGOHET A PO I AFROHET VETES NJERIU?
– ese nga Atjon ZHITI -/
Konflikti i individit me botën sociale, ku ai jeton, në vetvete është një akt evolucioni që fillon nga teo-gjeneza deri në fundin e pafundmë të kohërave. Individi gjithnjë është munduar të përshtatet me botën, të përkufizohet, pra të humbë liri natyrale të vetes dhe të përshtasë botën, pra të shtojë liri sociale të intelektit të vetes.
Ky është një udhëtim, që:Duhet ditur nga vjen dhe më shumë duhet ditur se ku shkon…
Aristoteli e konsideronte indidvidin një kafshë politike, i destinuar jetës humanitare, ndërsa romakët në kundëpozicion me “homologët” e tyre, me Ciceronin, kishin konceptin e “individium” & “dividium”/ i vecantë, i veçuar, i ndarë, kurse Seneka supozonte që individ mund të quhet çfardo lloj objekti, sendi, gjallësí, entitet që është i pa ndashëm dhe i pa kuptimtë në mos-bashkimin e tij.
Me kalimin e kohës, me zhvillimet bashkë me njeriun, empiristët në fakt mendonin se individi ishte një “tabula rasa”, ku përpunohej si argjili nga eksperienca & edukata që merr, fati kolektiv, do të shtoja unë.
Hegeli theksonte faktin se individi në të vërtetë është një qenie me ndërgjegje e moral të lartë që tejkalon barrierat e kënaqësive të vogla.
Ekzistencializmi me Kierkegardin & Nietzsche e konsideronin individin dhe njeriun një qenie pa-Zot, e cila e kishte krijuar atë në sajë të interesit vetjak dhe individi në të vërtetë duhej të plotësonte dëshirat e tij tokësore me pasion, epsh, etj.
Si të thuash të qenit zot pa Zot.
Gjithë këto ide e mendime për individin (kupto: njeriun) parashtrojnë konfliktin gjithmonë-ekzistues midis individit dhe botës sociale ku ai jeton, pra ku është dhe tjetri, dhe të tjerë, njerëzit – me ata që kanë qenë, që sjellin krahas harresës edhe përvojën e përgjithshme dhe me ata që do të vijnë, që kërkojnë përgjegjësitë e të tanishmes e na bëjnë të krijojmë ëndrrën e së ardhmes, që meqënëse duket sikur bota nuk është e përshtshme për njeriun, por njeriu duhet t’i pështatet asaj, duhet të punojmë me jetën. Dhe jo vetëm.
Individi,pra njeriu arsyeton pa ekziston dhe ky kushtëzim i jetesës dhe i mbijetesës që na qenka në bazë të mendimit, automatikisht sjell konfikt midis individit, sepse gjithsecili mendon ndryshe, ashtu si tjetri, por si vetja më shumë, sipas asaj që intereson, aq sa është arritur të thuhet se njeriu mendon me stomak (Hegel).Konflikti nuk do të shuhet kurrë & nëqoftëse do të shuhej do të sillte shkatërrimin e njerëzimit, por duhet shtuar, si të thuash armët, mjetet, pëveç stomakut, të futet truri dhe zemra, intelekti dhe shpirti.
Njeriu është një qenie që me botëkuptimin e tij është i aftë të prodhojë histori dhe prodhimi i histories është një pjesë shumë e rëndësishme e ermeneutikës së tij. Ky “konflikt” është një indeks zhvillimi dhe evolucioni, sepse nëqoftëse ne vërejmë, gjithmonë problemet & shqetësimet bënë që njeriu të arsyetojë e të mendojë për to, për të gjetur rrugëzgjidhje, gjetja e saj ka rëndësi jetike dhe mosgjetja ka dyfish rëndësi për të tashmen e njeriut, sepse bën që të jetojë dhe bashkëjetojë me problemin & shqetësimin, pra me projektet, jo vetëm të tij, por më gjerë, deri dhe të gjithë njerëzimit dhe si rrjedhojë kalohet në prodhimet e konflikteve shpirtërore, që kanë si qëllim dhe lëndë përkryerjen, përsosjen.
Pra, çdo konflikt transformohet në shpirtëror, duke u bërë, siç kanë qenë përherë, motor zhvillimi për njeriun.
Njeriu duhet të mësojë që nuk janë objektet që kushtëzojnë shqisat, por janë shqisat që kushtëzojnë. Mosbota humane bashkë me atë humane pëzihen dhe socializohen dhe… Dhe?
Shqisat e njeriut, sufiçente në krahasim me të tjera qënie e dukuri dhe insufiçente në krahasim me po ato qenie e dukuri e të tjera që nuk i dimë, por nuk do të thotë që s’do t’i dimë, përbëjnë një thelb jetësie, mundësi dijesh, një konflikt të saj, pra të vetes dhe të vetëve, të jetës sociale, ku jemi ne mes të tjerëve, tjetri tek uni, gjithmonë mes njerëzimit dhe gjërave dhe dukurive e imazheve të tyre, që kohët modern i kanë shndërruar në objekte, po aq të forta, në mos më shumë se origjinalet e tyre, që sa më kundër të bëhen, aq më vështirë për indvidin dhe sa më kundër të jetë individi ndaj tyre, aq më i vështirë vetë-organizimi, i përkryer dhe ende me mistere në lëndën, materien, në mikrobotën ashtu si në makrobotën.
Me mister kuptoj atë që ne ende nuk e dimë.
Po i largohet a po i afrohet vetes njeriu?
Do bëjmë shkencë apo do na bëjë shkenca?
Konflikti nuk mbaron, do bashkëjetojmë me të, gjetja e ekuilibrave që të kujton akrobatin që ecën mbi tel në lartësi me atë stekën ndër duar e ne ngremë kryet e shohim me ankth, do të bjerë apo jo? Në fakt jemi ne që ecim brenda vetes, ne telin e jetës sociale. Të ulim kokën dhe të shohim brenda vetes, është njëlloj me ngritjen e kokës. Ta tregojmë sa të zotë jemi. Në fakt ne bëjmë vetvetet, për veten dhe tjetrin, që jeta sociale të jetë sa më pak tëhuazuese. Që konflikti të mos jetë torture, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë…

Filed Under: ESSE Tagged With: A PO I AFROHET VETES, AKT EVOLUCIONI:, Atjon Zhiti, njeriu, PO I LARGOHET

SHAQIR SALIHU, njëri nga ata që na mbajti gjallë me zërin e shpresës

April 11, 2014 by dgreca

Nga  Beqir Sina /

WASHINGTON D.C : Ka qenë 70 vjetori i Zërit të Amerikës, i cili përkoi për koicidencë edhe me 70 vjetorin e ditëlindjes së njërit prej gazetarëve më të “vjetër” të Shërbimit Shqip, të cilin vetëm pensioni mundi t’a largojë nga Zëri i Amerikës, se “gjë tjetër” ska mundur t’a largojë atë nga Zëri i Amerikës, shqip. Ai doli në pension pas një kariere të larmishme dhe 30 vjeçare. Ai është Shaqir Salihu, i cili filloi punën në Zërin e Amerikës në fillim të viteve 80, pasi kishte ardhur në Amerikë si refugjat politik nga Kosova.Kur Shaqiri erdhi të punojë për Zërin e Amerikës në Uashington, Shqipëria ishte e izoluar, ndërsa në Kosovë vazhdonte shtypja dhe diskriminimi ndaj popullatës shqiptare, thuhej në një koment të kësaj radio kushtuar gazetarit të njohur të Zërit të Amerikës Shaqir Saliu.

Por , ai ende nuk ka “ikur” nga Zëri i Amerikës sepse trashgimtari i tij – Ilir Salihu, punon prej disa vitesh në departamentin e teknikës të Zërit të Amerikës dhe shpesh i takon të punojë edhe për programin Ditari, ku Shaqiri i ri dhe i vogël është producent, është pjesë e Zërit të Amerikës.

Zëri i tij :”Ju flet Zëri i Amerikës nga Uashingtoni! në programin e mbrëmjes i cili i binte në orën 6 të darkës me orën e Shqipërisë dhe në orën 21 sipas orës në Shqipëri, ishte ai zë që vinte nga larg ashtu si lind një mëngjes i bukur, i një dite të bukur.

Nuk mund ta numërojë sesa herë e dëgjoja zërin e tij “unë Shaqir Salihu dhe kolegu im ……” teksa na përcillnin emisionin e radhës që transmetonte në Radioprogramin e Zërit të Amerikës seksioni i gjuhës shqip, në barangat e errta mes skamjes dhe frikës se po na dëgjonin dhe muret, teksa isha i “mbuluar me jorgan ose ndonjë batanie të vjetër. Dy emisonet e Zërit të Amerikës, për atë kohë ishin e vetmja shpresë dhe nga i mbanim syt unë dhe ata mijëra bashkëvuajtësit e mi në kampet e interrnimit.

Në mëngjes kur bëhesh apeli (leximi i emrave të të interrnuarve), nuk kishte ditë që të mos përhapej “vesh më veshë” lajmi se regjimi i Enver Hoxhës së bashku me regjimet e tjera komuniste po binin, era e lirisë po fryente në Kosovë qysh me demostratat e 1981. Nuk kishte ditë që të interrnuarit të mos merrnin ndonjë lajmë, që u hapte zemrat e lirisë , sepse Zëri i Amerikës për shtresën tonë, ishte e vetmija liri dhe ëndërr që kishim ne ndërkohë që lajmet e saj ishin oksigjeni dhe ushqimi i përditëshëm jo vetëm i imi por dhe i atyre mijërave bashkëvuajtësve të mi – fatkeq.

Kur flasim për Zërin e Amerikës ku Shaqir Salihu ka shërbyer me profesionalizëm, vullnet dhe ndershmëri do të kujtojë se isha vetëm 6 vjeç kur nga Zëri i Amerikës , xhaxhai i ndjer mori lajmin se të premten më 22 nëntor 1963 u vra Presidenti i SHBA John Kennedy dhe ai erdhi e na tha se “koministët” Rusë e vranë Presidentin e Amerikës. Dhe isha vetëm 15 vjeç kur plasi skandali i “Watergate” dhe Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen dhe ne të presekutuarve sikur na “vdiqen” shpresat mbas asaj vizite historike të të parit Sekretar Shteti në Kinën komuniste të Henry Kissinger.

Këtij shqiptari që na mbajti gjallë me zërin e tij të shpresës, lirisë e demokracisë për aq vite sa ai shërbeu “Shtëpisë së Lirisë dhe Demokracisë” nga Uashingtoni zotit Shaqir Salihu( ose Shaqes i i thërrisin shpesh herë kolegët e ti) i urojë nga zemra të ketë vite më bukura, më të lumtura dhe më të begatë, me gjithë familje, ndërkohë që trashgëmtarit të tij, dhe kolegëve të tij në Zërin e Amerikës, u urojë që ta ngrenë më lartë Zërin e këtij programi dhe emrin e kësaj “shtëpie” informacionesh të besueshme dhe që është bërë e vetmja shpresë e lirisë dhe demokracisë në botë, për popujt anembanë botës dhe që janë ende në thundrat e regjimeve komuniste.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: i zerit te Amerikes, njeriu, Shaqir Salihu

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT