NGA PROF. SAMI REPISHTI*/
Shtatëdhjetë e katër vjet ma parë, më 7 prill 1939, forcat e armatosuna të Italisë fashiste sulmuen Shqipërinë pa shpallje lufte formale. Ky agresion i çveshun nga çdo justifikim, u paraqit si dëshira e popullit shqiptar të çlirohej nga regjimi i monarkisë dhe veçanërisht nga personi i Mbretit Zog I. Nji gënjeshtër të këtillë, që paraqitej para botës së qytetnueme nga kalemxhinjtë dhe kasnecët e fashizmit italian, nuk e besojshin as italianët.
Mbrapa gënjeshtrës qëndrojshin divizionet italiane në punën e tyne të ndytë të okupacionit në Shqipëri me synime agresive të matejshme në Ballkan, Ajo që më shtyri sot të shkruej ashtë nji ndjenjë pakënaqësie e madhe për mosnjohjen e ngjarjeve të 7 prillit 1939, dhe akoma ma shumë, për mosmirënjohjen e sakrificave të dëshmorëve që paguen me jetë kundërshtimin e agresionit fashist.
* * *
Sipas “Historia e popullit shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (v. III, 2007): “Gjatë luftimeve u vranë mjaft luftëtarë shqiptarë. Më i njohuri u bë Mujo Ulqinaku” (f.367). Sipas kapitenit anglez Smith, i pranishëm në ngjarjet, “…mbrojtësit u mundën vetëm nga numri i madh i sulmuesve, dhe mbasi (shqiptarët) shtrinë përtokë shumë prej tyne “(po aty). Burime të ndryshme konfirmojnë se zbarkimi fashist filloi në orën 4:30 të mëngjesit, dhe vetëm mbas orës 9:00 të mëngjesit italianët hynë në Durrës. “Qëndresa u bë edhe në Rrashbull e te Shkëmbi i Kavajës “(po aty). Kjo “Histori…” tregon se “…italianët lanë në Durrës mjaft të vrarë dhe të plagosur. Edhe nga shqiptarët pati të vrarë e më shumë të plagosur”. (f.368) Në kujtimet e tij, dëshmitari okular, kolonel Sami Koka, shkruen: “…Në tentativat e para të italianëve për të shkelur në bregun tonë, pati të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Italianët me anën e Kryqit të Kuq tërhiqnin të plagosurit e tyre dhe të vrarët për në kryqëzor; po atë gjë bëmë edhe ne më tanët, por me mjetet primitive dhe me zemër të madhe…”(S. Koka. Kujtime) “Në Shëngjin, luftëtarët shqiptarë thyen dy përpjekje për të zbarkuar… Edhe gjatë rrugës për në Lezhë, në Bushat, Barbullush, Bërdicë dhe Beltojë e në hyrje të qytetit të Shkodrës, pushtuesit ndeshën në një qëndresë të fortë… si dhe në Koplik dhe gjetkë…” (ASHeSH. f.368- 9). Ndërsa në Vlorë, komandanti i kompanisë u vra…
Gjatë luftimeve pati disa të vrarë e të plagosur edhe nga shqiptarët. Njëri pej tyre ishte luftëtari Hamid Vashko (f.368). “Luftime u bënë edhe në Sarandë…. Italianët që shkelën tokën e Shqipërisë lanë mjaft të vrarë e të plagosur. Edhe nga shqiptarët u vranë mjaft”. (f.370) Profesor Brndt Fischer (Indiana U., SHBA), në librin Albania at War-1939-1945 (1999) shkruen: “…Më 7 prill 1939, rreth 22 000 ushtarë të mbështetun me afërsisht 400 aeroplana lufte, 300 tanke të lehta dhe disa duzina luftanijesh, sulmuen Durrësin, Vlorën, Shëngjinin dhe Sarandën… Me pak përjashtime, ushtria shqiptare (e stërvitun nga italianët, SR) nuk luftoi… Vetëm Gjindarmëria (e stërvitun nga anglezët, SR) duket se dëshironte me rezistue…. Mbrojtësit, gjindarmëria e Durrësit, nën drejtimin e komandantit Abaz Kupi, megjithëse nën presion të madh numerik dhe e paisun vetëm me nga 50 fishekë, zmbrapsi me sukses sulmet e para… Kupi dhe luftëtarët e tij u mundën vetëm nga numri i madh (italian) dhe mbasi i shkaktuen nji numër të konsiderueshëm viktimësh, u tërhoqën në qytet… Luftimet në qytetin e Durrësit zgjatën dy-tre orë.
Simbas tregimeve të vendësve, në Durrës u vranë rreth 400 italianë. Italianet raportuen vetëm 12 të vramë gjatë gjithë invazionit…. Në Vlorë nuk ka pasë nji rezistencë të randësishme… Në Shëngjin …nuk ka pasë ma shumë se 6 a 7 të vramë nga secila anë”.(F.22) Fischer përfundon: “…. Ka mundësi që afër 200 italianë mbetën të vramë në Durrës dhe se numri i përgjithshëm i viktimave italiane arrin shifrën 700. Viktimët shqiptarë mund të kenë qenë edhe ma të mëdha” (po aty). Ky konstatim i Fischer-it gjindet në Arkivat e Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH). Simbas Fischer, kryekëshilltari i ministrit fashist G. Ciano, Filippo Anfuso, ka deklarue: “Sikur shqiptarët të kishin pasë nji brigadë të armatosun mirë, do të na kishin hjedhë në Adriatik”. (Fischer, 23. Nga dokumentet italiane të kapun nga gjermanët.) U deshën rreth 40 ditë që ushtria italiane të shtrihej në të gjithë Shqipërinë”, shkruen V. Duka “Historia e Shqipërisë 1912-2000” (Tiranë, 2000, f.210), por autorja nuk flet fare për viktimët. Anton Logoreci The Albanians-Europe’s Forgotten Survivors.(London, UK. 1977) kufizohet me këtë frazë: “Më 7 prill 1939, mbas nji përleshje të shkurtë, por të ashpër, forcat italiane okupuen shumicën e vendit mbrenda pak ditësh” (f.64).
Nji botim autoritativ amerikan, Federal Research Division, Library of Congress, “Albania: A Country Study” (1992), përshkruen ngjarjen: “Më 7 prill 1939, trupat e Musolinit invaduen Shqipërinë. Me gjithë rezistencën kokëforte por të shkurtë, veçanërisht në Durrës, italianët i mundën shpejt shqiptarët”. Autorët shtojnë: “Mbreti i Italisë, V. Emanueli III, e kritikoi invazionin e Shqipërisë si “…nji rrezik i panevojshëm”. (f.32-33) “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” (Ed. H. Myzyri et al. Tiranë, 2001) jep këtë përshkrim: “Në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat fashiste italiane prej 35-40 mijë vetësh sulmuen Shqipërinë dhe zbarkuen në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, njësitë e ushtrisë shqiptare të drejtueme nga Abaz Kupi, u bënë qëndresë pushtuesve. Në këtë luftë ra heroikisht Mujo Ulqinaku, i cili u bë dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Me armë në dorë u pritën pushtuesit edhe në Vlorë, në Shëngjin, në Lezhë, në Shkodër, te Ura e Bahçallëkut etj. (f.292)… “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë…” (p.293). Konfuzioni në paraqitjen e ngjarjeve të njenit nga momentet ma fatale të historisë sonë kombëtare nga historianët shqiptarë tregon në esencë mosnjohjen e këtyne ngjarjeve dhe mungesën serizoze të kërkimeve në arkivat e shteteve të vendeve kryesore. Ky manifestim negativ nuk justifikohet! Ai mund të spjegohet me faktin se: a) Me okupimin fashist të vendit, autoritetet italiane dhe shërbëtorët e tyne shqiptarë kanë ba pothuejse të pamundun nji studim të ngjarjeve, dhe sidomos glorifikimin e viktimave të kësaj tragjedie kombëtare; dhe b) me ardhjen e pushtetit komunist u ba nji rregull i detyrueshëm mos me paraqitë të kaluemen në dritën e së vërtetës.
Qëllimi i regjimit të kuq ishte të mbulohej me nji rrjetë harrese e kaluemja e jonë, kështu që “aventura komuniste” në Shqipëri të shkëlqente sa ma shumë. Historia e Shqipërisë fillonte me 29 nandor 1944. Vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku u ruejt. Abaz Kupi u naltesue në fillim dhe u demaskue ma vonë si agjent i fuqive të hueja. Dëshmorët e tjerë i mbuloi harresa, që vazhdon edhe sot. Njizetë e dy vite të “tranzicionit” nuk kanë pasë sukses me shembë këtë mur harrese të plotë. Me përsëritë gjykimin e profesor Fischer: “Shqipëria dhe populli i saj kanë kalue shekullin (njizetë) relativisht në errësinë, agresioni i 7 prillit 1939 ka qëne nji rast i shkëlqyeshëm për shqiptarët me i tregue botës karakterin liridashës dhe shpirtin e sakrificës në ditët e vështira. Ky rast i rrallë, fatkeqsisht, u humb për fajin e klasës politike shqiptare të kohës”. Ai e spjegon këtë fenomen si “…papjekunia e nji entiteti politik (Parathanje). Gjykimi i profesorit Fischer ashtë kapidar! Më 7 prill 1939, të gjithë shqiptarët kishin humbë rastin e shkëlqyeshëm me i tregue botës se cilët janë në të vërtetë shqiptarët. Mungesa e nji koncepti të nacionalizmit në shkallë “kombëtare” te shumica e paformueme politikisht dhe e paekspozueme e ideve perëndimore të “shtetit” dhe “demokracisë” si vlera të nalta permanente, dhe fanatizmi i ruejtes së identitetit të fshatit, qytetit ose krahinës dolën në shesh me të gjithë ashpërsinë e tyne gjatë invazionit fashist të Shqipërisë më 1939-n.
Fatkeqsisht, regjimi komunist e thelloi akoma ma shumë ndasinë krahinore dhe nji plagë e këtill na mundon edhe sot! Edhe ma keq! Kjo “klasë politike shqiptare e kohës” u komprometue plotësisht me nënshtrimin e saj pa rezerva padronit të ri. Më 14 prill iu dhurue kunora e Skënderbeut Mbretit të Italisë. Ma shumë se gjysma e deputetëve ishin nga ish-garnitura monarkiste dhe personalitete të Monarkisë. Shqipëria u tërhoq nga Lidhja e Kombeve. Ministria e Jashtëme dhe ajo e Luftës u shkrinë me atë të Italisë. Mesazhi i Ministrisë së Jashtëme për legatat ishte: “Porositeni të mos bani asnji veprim diplomatik… Mbani gjithëherë kontakte të ngushta me përfaqësitë italiane… Kini besim të plotë në qeverinë fashiste etj.”. (I.Konomi. Faik Konica.-2012, f.204) Ndërsa Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe federata “Vatra” organizojshin demonstrata e protesta kundër invazionit italian dhe i drejtoheshin Presidentit Roosevelt “…për të shpëtuar Shqipërinë heroike, nji vend paqësor dhe i pambrojtur”, (K.211) kolaboracionistët e Tiranës udhëzonin F. Konicën që të bante çdo përpjekje me pengue këto manifestime patriotike.
Më 3 qershor u mbyll Ministria e Jashtëme dhe ajo e Mbrojtjes dhe kaluen në duert e italianëve. Përfaqësimi diplomatik u muer nga italianët. Diplomatët mbetën pa mbështetje, me përjashtim të Turqisë dhe Egjiptit, që nuk njohën pushtimin fashist, dhe përfaqësuesët shqiptarë, Asaf Xhaxhuli në Ankara dhe Abdyl Sula në Kajro, mbajtën legatat të hapuna gjatë gjithë viteve të luftës. Shqipëria po varrosej pa ceremoni! Akuzat e historianëve shqiptarë së “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë” janë vetëm pjesërisht të vërteta dhe pjesërisht mbeturina të historiografisë komuniste. Në SHBA kemi protestat e ministrit F. Konica pranë DASH dhe mirëkuptimin e autoriteteve amerikane. “Kam ardhur të protestoj pushtimin e vendit tim nga Italia”, i tha ai sekretarit të Shtetit, C. Hull, i cili mori kontakt të menjiherëshëm me Presidentin F. D. Roosevelt. Në orën 5:30 mb.dr. të datës 7 prill 1939, Presidenti dhe C. Hull diskutuen në telefon pushtimin e Shqipërisë dhe “…vendosën të mos njohin pushtimin e Shqipërisë, ashtu siç nuk kishin njohur aneksimin e Etiopisë më 1936-n, dhe se Konica do të njihej si përfaqësues i vendit të tij” (K.192).
Më 8 prill 1939, Shtëpia e Bardhë deklaroi: “Pavarësia e vazhdueshme politike, ekonomike dhe sociale e çdo vendi të vogël në botë ka nji efekt mbi sigurinë dhe begatinë tonë kombëtare” (K.193). Po atë ditë, ish-ministri amerikan në Tiranë, Charkes Hart, deklaronte: “…rezistenca shqiptare ndaj forcave të mekanizueme të Italisë do të ishte e kotë, por kundërshtimi ndaj pushtuesit nuk do të vonojë; do të jetë sporadik, por i vendosun “. (K.193) Ndërkaq, shtypi serioz amerikan u jepte hapësinë deklaratave të ministrit Konica. Në mesditën e datës 8 prill, sekretari i Shtetit C. Hull lexoi këtë deklaratë: “Pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë ashtë pa dyshim nji kërcënim tjetër ndaj paqes në botë. Do të ishte dritëshkurtësi të mos mbahej shënim ky zhvillim i matevijon nga faqja 1 Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. jshëm”. (K.194) Senatori William King e quejti pushtimin “…nji sulm burracak dhe i egër ndaj nji vendi të vogël….Qeveria italiane u suall më keq se një gjarpër me zile”.(K. 199) Më 14 prill 1939, Presidenti Roosevelt i bani thirrje qeverive të Gjermanisë dhe Italisë që të japin sigurinë se nuk do të sulmojnë 14 vende të Europës; vendi i parë ishte Shqipëria. Pse ndryshoi qëndrimi amerikan ndaj pushtimit italian? Interesa madhore amerikane ishte të evitohej ballafaqimi me Musolinin dhe të mos shkaktohej nji afrim i tij me Hitlerin në nji front të përbashkët kundër Perëndimit.
Ka arsye me besue se largimi i Mbretit Zog I pa rezistencë, shuemja e shpejtë e rezistencës dhe nënshtrimi i menjiherëshëm i garniturës monarkiste që përfaqësonte “Shtetin shqiptar” ndaj okupatorit, duhet të kenë influence mendimin e diplomateve amerikanë. Britania e Madhe e Franca drejtoheshin nga kapitulluesit Chamberlain dhe Daladier respektivisht, të cilët kishin firmue Marrëveshjen e turpshme të Munich-ut (1938) tue sakrifikue Çekosllovakinë dhe nuk kishin asnji interes me shqetësue balancën e forcave të krijueme në Europë. Jugosllavia e pro-italianit Stojadinoviç ishte e kënaqun që trupat italiane nuk u vendosën pranë kufinit me Jugosllavinë. Greqia e diktatorit pro-fashist gjeneral Metaxas deklaroi se pushtimi i Shqipërisë nuk cenonte marrëdhanjet e mira në mes të Greqisë dhe Italisë fashiste. Para nji situate të këtillë vetëm rezistenca e fortë dhe e qëndrueshme shqiptare mund të kishte influencue opinionet qeveritare dhe do të kishte fitue simpatine e opinionit publik ndërkombëtar, tue e vendosë Shqipërinë pa rezerva në kampin aleat antifashist. Por invazioni ushtarak fashist i Shqipërisë shpalosi dobësitë e thella në strukturën e ushtrisë italiane. Italia nuk ishte e përgatitun për luftë. Pak dite ma vonë, Britania e Madhe nënshkroi Traktatin miqësor me Turqinë, nji shtet që nuk pranoi pushtimin italian të vendit tonë.
Ky akt me randësi tregon se u krijue nji atmosferë e frikës, e cila imponoi formimin e koalicioneve në mes të fuqive antifashiste, që do të përfundojshin në frontin e përbashkët të koalicionit të madh antifashist, e që gradualisht do të shkatërronte agresorët fashistë italianë, gjermanë dhe japonezë. Profesor Fischer shkruen: “Tani mund të thuhet se sakrifikimi i Shqipërisë nuk shkoi kot”(F.32). Nga ky mobilizim i forcave të Perëndimit (e njohun ma vonë si “Bota e Lirë”) lindi shpresa e rilindjes në popujt e shtypun, që përfundoi në organizimin e rezistencës kundër okupatorit edhe në Shqipëri. * * * Krahas mosnjohjes së ngjarjeve të 7 prillit 1939, sot revoltohemi edhe për mosmirënjohjen zyrtare që “shteti” dhe “shoqënia” shqiptare u detyrohen viktimave të 7 prillit. Lind pyetja: Si ashtë e mundun që në të gjitha përleshjet me agresionin në shumë pika të atdheut tonë të ketë humbë jetën vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku? Si ashte e mundun që mbas pesë orë luftimesh në Durrës, zbarkimet në Vlorë, Shëngjin e Sarandë, janë krye vetëm me nji viktimë shqiptare? Simbas nji dëshmie të besueshme, në muejin shtator 1943, menjiherë mbas kapitullimit të Italisë, autoritetet shqiptare kanë konfirmue vdekjen e 12 dëshmorëve të 7 prillit dhe kanë garantue pensionin e plotë për familjarët e tyne. Dokumentacioni për këtë akt dinjitoz duhet të gjindet në Arkivën e Shtetit të muejit shtator 1943.
Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. Kjo mosmirënjohje që jetojmë na sot ashtë nji turp i madh për të gjithë shqiptarët, nji trup që duhet shlye sa ma parë dhe sa ma plotësisht. (Theksimet e mia. SR)
* City University of New York
PS:Falenderojme Prof. Sami Repishtin qe e dergoi shkrimin per publikim ne gazeten Dielli