• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

August 31, 2021 by s p

Nga Genc Pollo

Refugjatët afganas po krahasohen me shqiptarët që lanë vendin duke ikur nga sytë këmbët në vitet 1990-1991. Ky krahasim po përdoret nga propaganda e qeverisë për të ngjallur emocione pozitive dhe për të prezantuar si moralisht të justifikuar strehimin e deri 4000 refugjatëve nga Afganistani. Si zakonisht propaganda nuk kujdeset shumë për vërtetësinë e saktësinë e narrativës së saj. Edhe ky rast nuk përbën përjashtim. Në 90-91 regjimi komunist ishte ekonomikisht e moralisht i drobitur dhe me përjashtim të disa segmenteve të Sigurimit të Shtetit e të rojeve kufitare kishte humbur vullnetin për ushtruar “dhunë revolucionare”. Ata mijëra e mijëra njerëz të paushqyer e të veshur keq që u dyndën në anijet e ndodhura në porte apo marshuan në male e pyje për gjetur diku një jetë më të mirë nuk kërcënoheshin (më) nga internimi, burgosja e pushkatimi. Ata thjesht ishin shpresëhumbur e të dëshpëruar (çdo krahasimi me vitet e fundit nuk është ose është i rastësishëm). Ata nuk ishin bashkëpunëtorë të shteteve të huaja me prani ushtarake, diplomatike apo ojf-iste në vend por njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë (asokohe njiheshin tre: klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste e inteligjenca popullore). Fillimisht ata u pranuan në shtetet fqinjë (Greqi, Itali e më tej në Europë); por kur u duk se u teprua me numrat e mjetet si në gusht 91 u kthyen me forcë në Rinas përmes një ure ajrore. Ndryshe nga refugjatët afganas atyre nuk ju ofrua evakuim me avion nga shtete të huaja dhe as nuk u pritën e përshëndetën në aeroport nga qeveritarë siç po shohim me kryeministrin ekzibicionist; ata u ndihmuan pjesërisht nga strukturat shtetërore e më së shumti nga qasja karitative e shoqërive në vendet strehuese. Krahasimet historike çalojnë në përgjithësi. Por nëse duhet patjetër të gjejmë një paralele shqiptare me minieksodin në Afganistan më e afërta që gjëndet është ajo e viteve 1944-1946. Ata që kolaboruan me Wehrmacht-in e autoritetet gjermane pjesërisht ikën nga deti e toka brenda vitit 1944. Ata që punuan me misionet anglo-amerikane pjesërisht mundën të largoheshin deri në vitin 1946. Ata që mbetën vuajtën keq pasojat e një vrulli ideologjik totalitar e çnjerëzor shumë të ngjashëm me atë të talebanëve në vitet 90. E vetmja gjë për të cilën tashti mund të shpresojmë e lipset të lutemi është që talebanët e vitit 2021 të jenë më pak dogmatikë e më shumë njerëzorë.Përveçse të shpresojmë e të lutemi lipset edhe të veprojmë që projekte idealiste të Perëndimit, si ai që filloi në v. 2001 në Afganistan, të mos dështojnë si pasojë e inkompetencës, paqartësisë, miopisë e korrupsionit. Për këtë sfidat i kemi këtu, në vendin tonë duke mos harruar se i zoti e nxjerr gomarin nga balta. 

30 gusht 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Afganistani, Genc Pollo, opinion

MËSIME NGA STUDIMI SHKENCOR I Dr. NUÇI KOTTA “SHQIPËRIA DHE ÇËSHTJA E KUFIJVE SHQIPTARO-GREKË”1 [1]

September 13, 2016 by dgreca

 

1-uran-butka1                                                                                       NGA URAN BUTKA/

Libri “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë” i Dr.Nuçi Kottës u botua në vitin 1946 në Paris në gjuhën frënge dhe pas 60-vjetësh u ribotua në vendlindjen e tij, i shqipëruar nga Viktor Bakillari.

Për mendimin tim, është  punimi më i mirë i këtij zhanri në literaturën shqiptare, ndoshta edhe europiane. Ai i përmbahet rigorozisht një parashtrimi shkencor, mbështetur tërësisht në dokumente dhe dëshmi autentike me origjinë ndërkombëtare e shqiptare të garantuara, si dhe në autorë tejet të njohur, kryesisht të huaj; ai të befason me argumentet historike, juridike dhe llogjike të pakundërshtueshme, që të çojnë tek e vërteta; të bind me ndershmërinë, paanshmërinë, objektivitetin, saktësinë, përballjen dhe debatin konstruktiv;  të bën krenar me  atdhetarizmin e kombtarizmin  e  kulluar, por edhe me respektin e thellë për popujt dhe kombet e tjerë, si edhe për personalitetet e kohës që kanë ndihmësuar në zgjidhjen  drejtë të çështjes shqiptare.

Këtë përkushtim autori e shpreh qysh në krye të punës  së tij dhe  i mbetet besnik gjatë gjithë trajtimit të temës, por edhe e përsiat në përfundim të saj: “E pamë të nevojshme që të përpiqemi  ta studiojmë këtë çështje ndershmërisht dhe me ojektivitet… Ne nuk e fshehëm qysh në fillim se do të mbronim kauzën kombëtare, por, gjithashtu, jemi përpjekur të tregojmë se ajo përkon  me të vërtetën dhe me drejtësinë, si dhe jemi përpjekur që veprën ta bëjmë të dobishme, të paanshme dhe, nisur nga këto, shkencore. Ne nuk besojmë se i jemi shmangur përkushtimit të imponuar vullnetarisht për të mos u rrëmbyer nga pasioni, i cili rrezikon të çojë në shtrëmbërim dhe në përbuzje ndaj së vërtetës”.

Autori ia ka arritur plotësisht qëllimit, që i kishte vënë vetës në këtë përballje të rëndësishme dhe të vështirë historiko-juridike, duke ndjekur një metodë rigorozisht shkencore për dhënien me vërtetësi të marrëdhënieve brendakombëtare, ndërkombëtare , por edhe të marrëdhënieve  shqiptaro-greke dhe shqiptaro-serbe, në veçanti. Kështu studimi merr peshë kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare, jo vetëm për nga historia e këtyre marrëdhënieve gjatë periudhës që merret në shqyrim, por edhe, çka është më e rëndësishme, për dobinë e njohjes së tyre nga popujt përkatës, për nxjerrjen e mësimeve e të përgjegjësive nga politikat e atëherëshme dhe të sotme të shteteve, qeverive dhe personaliteteve, pra, merr një vlerë sa historike, ashtu edhe aktuale.

Autori, ky njohës dhe analist i mirëfilltë  i  marrëdhënieve ndërkombëtare, i së drejtës juridike ndërkombëtare dhe kombëtare, i konventave dhe marrëveshjeve të fshehta e të hapura europiane, i vendimeve të forumeve më të larta si Konferenca e Paqes në Paris, Konferenca e Ambasadorëve, Lidhja e Kombeve, Gjykata e Përherëshme e Drejtësisë Ndërkombëtare, i skenave dhe prapaskenave kundrejt Shqipërisë etj, shtron, analizon dhe vërteton teza në themel, i ballafaqon ato me tezat e hipotezat kundërshtare, i rrëzon ato me argumente juridike e faktike dhe nxjerr konkluzione të papërballueshme, që i rezistojnë çdo kohe. Një sfidues dhe një vizionar shqiptar i kalibrit europian, por jo i vetmi.

Dhe këtë punë e bën me shumë aftësi, elokuencë dhe kulturë, madje me një thjeshtësi e finesë të admirueshme sjelljeje dhe bisedimi intelektual, që na bën të ndihemi mirë ne si shqiptarë, të akuzuar shpesh si të rrëmbyer, të paditur dhe të pakulturuar.

Në pjesën e parë të studimit “Përcaktimi i kufijve shqiptaro-grekë më 1913 dhe më 1921 dhe pasojat e marrëdhënieve mes dy vendeve”,  autori, së pari, bën një trajtesë historike  të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës kombëtare shqiptare, duke nisur qysh nga Traktati i Berlinit ( 13 korrik 1878), që i jepte një pjesë të Shqipërisë Serbisë dhe Malit të Zi, duke vijuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që mbrojti kombëtarisht  territoret shqiptare, e duke përfunduar me vendimet e Konferencës së Paqes në Paris për Shqipërinë në vitin 1913 dhe reagimin shqiptar kundrejt coptimit. Ndonëse fare konçiz në këtë parashtresë historike, autori nxjerr disa konkluzione të rëndësishme, që vlejnë të theksohen:

-“Porta e Lartë e kishte përkrahur Lidhjen Shqiptare në fillesat e saj, duke menduar të përfitonte nga protestat shqiptare  për të mos përmbushur detyrimet e caktuara në Berlin, edhe pse ishte, siç dihet, e detyruar të luftonte  nën urdhrat e Fuqive ndëshkuese të Berlinit. Por qëndrimi i saj ndryshoi krejtësisht , kur Lidhja vendosi të ndërpriste lidhjet e vasalitetit të Shqipërisë dhe t’i kthente vendit pavarësinë”.

-“Kryengritja e përgjithshme shpërtheu më 1912 në provincën e Kosovës. Kryengritësit morën Shkupin dhe kërcënuan Manastirin., por nuk ditën ta shfrytëzonin plotësisht suksesin e tyre dhe, duke hyrë para kohe në kontakt me qeverinë turke, u mjaftuan me një autonomi të gjerë në vend që të shpallnin në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ky gabim solli si rezultat lënien jashtë të pothuajse gjysmës së territorit të Shqipërisë”…

-“Për të ruajtur paqen mes Fuqive të Mëdha, Shqipëria paguante  një haraç të madh dhe e shihte veten të gjymtuar pa krahinat e pasura të Kosovës dhe të Çamërisë. Rreth një milion shqiptarë gjendeshin të ndarë nga mëmëdheu”…

-“Sigurisht, ne mendojmë që Kosova, herët a vonë duhet t’i kthehet Dheut Amë”.

Pas këtyre konsideratave dhe parashikimeve, autori trajton me themel marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe veçanërisht problemin e kufijve mes tyre, çështje që vështirësoheshin nga pretendimet absurde të palës greke dhe mbështetjes së tezës së saj të pabazuar nga disa Fuqi të Mëdha. Përpara Konferencës së Ambasadorëve në Londër  1913, qeveria greke kërkonte aneksimin e të gjitha territoreve të pushtuara nga ushtritë greke gjatë Luftës ballkanike, përfshirë vilajetin e Janinës dhe kazatë e Korçës e të Gjirokastrës! Kërkesat greke mbështeteshin mbi argumente të stisura si : karakteri grek i këtyre krahinave me një prani të konsiderueshme të popullsisë me besim ortodoks, duke njësuar besimin ortodoks me kombsinë greke dhe duke i konsideruar ortodoksët shqiptarë grekë; së dyti, me ekzistencën e shkollave greke dhe së treti, nisur nga arsyetimi  që ushtritë greke  gjatë Luftës Ballkanike i kishin çliruar këto krahina nga zgjedha otomane.

Kërkesat e palës shqiptare qëndronin në përfshirjen në teritorin e Shqipërisë të katër vilajeteve të dikurshme shqiptare : Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, bazuar mbi kriteret historike dhe etnike.

Autori, me paanësi të admirueshme,  i gjen të dyja pretendimet greke dhe shqiptare mbi baza të paqëndrueshme. Ai mendon se kriteri i vetëm i përcaktimit të territoreve dhe të kufijve, duhet të ishte ai etnik dhe  kombëtar i popullsisë.

Sipas tij, kërkesat e palës greke  në vitin 1913 dhe vijimisht më pas, ishin të komprometuara, sepse karakteri i lashtë dhe i pandërprerë shqiptar i popullsisë së i këtyre krahinave të Shqipërisë së Jugut ishte vërtetuar nga dokumente historike dhe autorë të huaj, të vjetër e bashkëkohorë, grekë dhe europianë, të cilët autori i citon; së dyti,  është gënjeshtër që Greqia e ka çliruar Shqipërinë e Jugut  në vitin 1912. Në çastin kur shpërtheu Lufta Balkanike, Shqiptarët e kishin fituar autonominë e tyre, më pas edhe pavarësinë, ndërsa ushtritë greke erdhën në krahinat tona për t’i robëruar e masakruar, siç ndodhi në të vërtetë,  dhe jo për t’i çliruar; nga pikpamja historike janë shqiptarët  e Greqisë Xhavella, Boçari etj që kontribuan fuqimisht në pavarësinë e Greqisë; së treti, të njësosh ortodoksët me grekët, do të thotë të shpërfillësh kriteret e vërteta të kombësisë. Rumunët, serbët, bullgarët, madje edhe rusët janë ortodoksë, por nuk janë grekë. Kriteri fetar nuk vlen fare; së katërti, shkollat greke ekzistonin me lejën e Patrikanës Greke të Stambollit, sepse shkollat shqipe ishin të ndaluara. Për më tepër, shkollat greke u shndërruan në vatra të helenizmit dhe iu kundërvunë të nxënit shqip, kulturës dhe qënies shqiptare. Lufta e ndërmarrë kundër gjuhës sonë është një provë e dukshme e karakterit shqiptar të këtyre krahinave, polemizon autori.

Edhe ndaj kërkesave shqiptare autori ka rezerva lidhur me përfshirjen e katër vilajeteve te kohës së Turqisë në territorin e Shqipërisë së pavarur, sepse përfshirja e krejt viseve natyrore të këtyre vilajeteve, do të krijonte shumë minoritete dhe probleme me ta, edhe me fqinjët.

Autori është i prirë për një Shqipëri etnike, që të përfshinte krahinat me popullsi tërësisht shqiptare apo me shumicë shqiptare, tezë e nacionalizmit rilindës shqiptar, por edhe një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme.

Në fakt, edhe Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve jug-lindorë, e nisi punën në shtator 1913, duke marrë parasysh kombësinë e popullsive kufitare. Mirëpo hyri menjeherë në lojë dredhija greke e manipulimit dhe e mashtrimit. Autori e trajton gjerësisht këtë farsë, që u mor shpesh si e vërtetë. Kjo lojë e rrezikshme vijoi edhe pas protokollit të Firences 17 Dhjetorit 1913. Ushtritë greke detyroheshin të tërhiqeshin brenda muajit mars 1914 nga krahinat e pushtuara të prefekturës së Korçës, Gjirokostrës, nga Delvina dhe ishulli i Sazanit. Autori i Librit rrëfen me dokumente dhe fakte për masakrat  greke mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave, jo vetëm nëpërmjet ushtrisë së rregullt, por edhe nëpërmjet “batalioneve të shenjta” të rekrutuara nga ortodoksë grekomanë dhe  të destinuara për të luftuar krahas ushtrisë greke. Nga ana tjetër, banda kriminelësh dhe andartësh, kryesisht të sjellë nga Kreta, depëruan nëpër ato krahina, duke bërë presione dhe krime të përbindshme. “Pikërisht më 28 shkurt, në vigjilje të datës së evakuimit, të caktuar nga Fuqitë e Mëdha, ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Z.Kristaqos Zografos, krijoi, nën mbrojtjen e kretasve, një qeveri kryengritëse  të “Epirit autonom”, të përbërë nga personalitete  të huaja me të ashtuquajturën origjinë nga “Epiri i Veriut”- shkruan autori Kotta. Kjo ishte një manovër tjetër greke, për ta marrë kalanë nga brenda. Më 27 mars Gjirokastra u lirua nga trupat e ushtrisë greke, por u sulmua nga kretasit dhe përkrahësit e të ashtuquajturës qeveri e “Vorio Epirit”,. Formalisht edhe qyteti i Korçës ishte zbrazur nga ushtria e rregullt greke, por ky evakuim ishte vetëm në parim- konstaton autori, sepse një numër i madh ushtarësh kishin qëndruar aty si të sëmurë dhe, më 2 prill 1914 shpërtheu një kryengritje e organizuar nga peshkopi grek Germanos. Ushtarët grekë “të sëmurë” dhe “patriotët vorio-epirotë”, të pajisur me armë automatike , pushtuan ndërtesat publike të qytetit, por sakaq ndërhyri gjithë popullsia, që u reshtua në krah të xhandërmarisë shqiptare”.

Dr.Kotta sjell për këto ngjarje dëshmi të oficerëve hollandezë, në mënyrë të veçantë të gjeneralit De Veer, që  ndodhej me detyrë në Korçë, të Justin Godart, që vizitoi Shqipërinë, si edhe opinionet e Z.Albert Musei dhe Profesor Simonardit për kompromisin e turpshëm të Korfuzit dhe përgjegjësinë e qeverisë greke, “Ngjarjet që do të pasojnë  dhe që janë rrjedhojë e këtyre dredhive, në të vërtetë duhet të konsiderohen si kryengritje të rreme. Por Grekët ditën ta vërtisnin mirë versionin e rezistencës spontane, sa problemi u kthye përmbys”- shkruante  Simonardi.

Analisti politik N.Kotta, jep një tabllo të zhvillimeve politike gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që përqëndrohet tek shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës dhe e qenies së saj shqiptare, apo siç e quan autori “Revolucioni  i 10 dhjetorit 1916”, një bashkëpunim i shkëlqyer franko-shqiptar. Ai zbulon se ishte kryesisht vullneti dhe përpjekja e popullsia shqiptare e qarkut të Korçës, që vendosi për këtë vepër madhore në mes të vorbullës së luftës. E dëshmon edhe protokolli i nënshkruar mes përfaqësuesve të popullit dhe autoriteteve ushtarake franceze. “Në përputhje të plotë me vullnetin e popullsisë shqiptare të shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të saj, kazaja e Korçës me krahinat e Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës, u shndërrua në një rreth autonom i administruar nga autoritetet shqiptare nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze”.( Protokolli i 10 dhjetorit 1916)

Komandanti i trupave frënge,  kolonel Deskuën, shkruante: “Gjë unike në historinë e bërë nga vullneti i lirë i një populli, energjitë e të cilit bashkoheshin në të njëjtin ideal lirie. Revolucioni u krye pa dhunë. Ky popull i vogël po i  jepte botës  një mësim të madh”.

Autori i librit zbulon gjithashtu, se shkaku i shpalljes së vetëqeverimit shqiptar të Kazasë së Korçës, ishte rreziku i aneksimit grek të Korçës, siç e provuan katërcipërisht ngjarjet gjatë dhe pas luftës, Traktati i fshehtë i Londrës 1915, marrëveshja e fshehtë Titoni-Venizellos,1919 etj për aneksimin nga Greqia të Shqipërisë së Jugut. Përpjekjet e qeverisë greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, të ashtuquajtur “Vorio-Epir”, vijuan edhe në vitet e mëpastajmë në Konferencën e Paqes në Paris, po ashtu edhe në Lidhjen e Kombeve, madje edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në Konferencën e Paqes më 1946 e më tutje.

Nuçi Kotta, në cilësinë e juristit të shquar dhe njohësit të mirë të së drejtës Ndërkombëtare, ndalet tek reflektimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe e kufijve mes tyre edhe në Lidhjen e Kombeve. Më 2 tetor, me kërkesë të qeverisë shqiptare, Asambleja e Lidhjes së Kombeve ftoi Këshillin të nginte një komision hetimor, i cili duhej të shkonte në Shqipëri për të bërë investigime të thella lidhur me mosmarrëveshjen shqiptaro-greke dhe turbullirat që po ndodhnin në kufi. Komisioni i kryesuar fillimisht nga Ralf Teslefi dhe mandej nga profesor Sederholm, bëri një punë të gjithanëshme dhe të paanshme.

“Dërgimi nga Lidhja e Kombeve  e një komisioni hetimor në Shqipëri ka qenë shumë i dobishëm nga një këndvështrim i dyfishtë. Fillimisht kontriuboi, falë pranisë së tij përkrah Komisionit të përcaktimit të Kufijve, për të shmangur konfliktet midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj dhe për t’i sheshuar këto probleme. Pastaj, nga ana tjetër e këndvështrimit, ky komision përcaktoi me saktësi dhe paanësi karakterin etnik dhe kombëtar të popullsive të Shqipërisë së Jugut. Leximi i punimeve të këtij  komisioni është i domosdoshëm për cilindo që kërkon të njohë një herë e mirë çështjen e mprehtë të kufijve shqiptaro-grekë”- analizon doktori i shkencave juridike të Francës, Nuçi Kotta. Ai evidenton konkluzionet e Komisionit Ndërkombëtar, të vlefshme për në atë kohë, por edhe për sot: “Fillimisht duhet thënë se në Korçë popullsia është krejtësisht shqiptare dhe se atje gjendet nje numër krejt i papërfillshëm elementësh grekë. Është krejt e natyrshme që kjo i kundërvihet në përgjithësi çdo ndërhyrjeje të huaj në punët fetare apo politike të brendshme”( Raporti i prof.Sederholm)

Me këtë rast, studiuesi Kotta trajton edhe problemin e minoritetteve. “Minoriteti grek në Shqipëri, thekson ai, jeton në krahinën e Gjirokastrës dhe në zonën e Çamërisë, përballë pjesës veriore të ishullit të Korfuzit deri në gjirin e Prevezës. Minoriteti grek në Shqipëri, i cili, sipas statistikave të përgjithshme shqiptare të vitit 1930, arrin në 37.270 vetë, shifër kjo që përputhet me të dhënët ë Komisionit të hetimit të Profesor Sederholmit (1922-1923), gëzon të gjitha të drejtat që u njihen minoriteteve nga traktatet ndërkombëtare, si edhe sipas deklaratës të përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Nolit, më 2 tetor 1921. Madje edhe në regjimin e E.Hoxhës, minoriteti grek gëzonte gjithë të drejtat, bile prova më e mire, z.Manol Konomi, minoritar grek, është ministër i Drejtësisë në Shqipëri.

Ndërsa pakica shqiptare që jeton në greqi, kryesisht popullsia autoktone çame, nuk gëzon asnjë të drejtë, që u njihen minoriteteve nga traktatet”. Kotta denoncon shkeljen e konventës së Lozanës nga qeveria greke, e cila shkëmbeu (dëboi) padrejtesisht popullsinë shqipare në Turqi gjoja si popullsi turke, në vitet 1923-1925, duke realizuar një spastrim të gjerë etnik. Po ashtu, ai denoncon masakrat ndaj popullsisë çame në vitet e Luftës së Dytë botërore, si edhe përzënien e tyre nga trojet etnike. “Kështu, për shkak të dobësisë së Lidhjes së Kombeve, pakica shqiptare në Greqi, vazhdon të mos gëzojë anjë nga garancitë që u njihen minoriteteve, nën mëshirën e arbitraritetit të qeverisë së Athinës” – konkludon N.Kotta.

Ai nxjerr në pah konstatimet e Komisionit Hetimor me ekspertë të huaj të paanshëm, se krahas politikës greke, “ndihej edhe ndërhyrja e klerit dhe sidomos e Mitropolive greke, të cilët punojnë hapur për shkëputjen e Shqipërisë Jugore  dhe bashkimin e saj me Greqinë”. Më tej, ekspertët, major Menihu dhe profesor Sederholmi, tregojnë sesi më i zellshmi i këtyre mitropolitëve, peshkopi i Korçës Jakov, – një grek për nga kombësia dhe zëdhënës i helenizmit në Shqipëri, i cili duket tejet i zënë me çështje sa politike aq edhe fetare, ushtronte ndikimin e vet mbi pjesën tradicionaliste, për të organizuar një fushatë propagandistike në dobi të Greqisë.

Autori  nënvizon se ëndrra dhe depërtimi  i helenizmit  ishte nxitur  e realizuar nëpërmjet propagandës, arsimimit në shkollat  greke dhe kishës ortodokse greke, mbështetur prej rolit të Patriarkut grek të Stambollit. Pikërisht kjo trinitri, e shndërruar nga qeveria greke në mjet politik, bëri ços për të penguar dhe ndëshkuar shkollat dhe mësuesit e shqipes, si edhe për të penguar ngritjen e kishës shqiptare në SHBA, veçanërisht të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare në Shqipëri me përpjekjen e Fan Nolit, Vasil Markos, Kristo Kirkës, Visarion Xhuvanit  etj dhe të besimtarëve  atdhetarë ortodoksë, por edhe ndihmesën e shtetit shqiptar.

Kjo veprimtari e ethshme dhe e vazhduar e politikës greke, i ka ndërlikuar dhe vështirësuar marrëdhëniet shqiptaro-greke. Filozofi Kotte nxjerr konkluzione shkaksie: “Nëse neve na u duk me vend t’i shtonim në punimin tonë edhe marrëdhëniet e fesë, e bëmë ngaqë mendojmë se shërbejmë për të sqaruar shkakun e vërtetë  të marrëdhënieve të vështira shqiptaro-greke. Populli grek,  më besimtar se populli shqiptar, qysh nga e shkuara e vet e ka ruajtur me besnikëri besimin, ndoshta edhe më shumë sesa ndjenjën kombëtare dhe ai mund ta kuptojë me vështirësi që një shqiptar i krishterë ndihet shqiptar, ashtu si myslimani shqiptar dhe shumë pranë këtij të fundit sesa vetvetes”.

Këto përfundime, N.Kotta i përqas edhe me konstatime dhe konkluzione të studiuesve apo personaliteteve europiane, veçanërisht të Komisionit ndërkombëtar Hetimor, c cili arriti në përfundimin se jo vetëm që ekziston një komb shqiptar, por edhe ekzistenca e tij është një domosdoshmëri. Komisioni shpaloste arsyet mtë cilat ishtë bazuar ky konkluzion:

1.Arsye teknike: Komisioni vlerësonte se raca shqiptare “me shumë gjasa  e vetmja racë krejtësisht autoktone, që gjallonte në ballkan, ka ditur të ruante në malet e saj pastërtinë e gjakut, të gjuhës dhe të dokeve”.

2.Arsye kombëtare, domethënë e karakterit psikologjik dhe ndjesor: me gjithë sundimet, të cilat e kanë penguar të formojë një unitet politik, shqiptarët, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut e quanin veten me krenari  që formonin një kombësi të dallueshme dhe e shihnin njëri-tjetrin si bashkatdhetarë. Duke studiuar në teren akuzën sipas së cilës ekzistenca e tri feve të ndryshme e bënte të pamundur çdo qeveri të Shqipërisë nga shqiptarët, komisioni vuri re një tolerancë të shkëlqyer fetare falë dokeve të njëjta, traditave  dhe lidhjeve të ngushta familjare, që bashkojnë shumë shqiptarë të tri feve”( Përfundime të Komisionit Hetimor ndërkombëtar)

Justin Godart, shkruante pas udhëtimit të tij të parë nëpër Shqipëri: “Bindja jonë është se nuk ka asnjë fanatizëm në Shqipëri, se çdo shqiptar është para së gjithash shqiptar. Në Shqipëri partiotizmi qëndron mbi fenë. Shqiptari, edhe kur është fetar, e ndan besimin nga kombësia, e vë atë në vartësi të kombësisë”.

Polemisti Kotta nënvizon:  Akoma më e vlefshme është dëshmia e një greku, z.Lefkoparidi, drejtor i revistës “Les Balkans”, i cili shënonte, pasi studjoi historinë shqiptare: ”Shumëllojshmëria e kulteve , nganjëherë e ka komprometuar bashkimin kombëtar, por shqiptarët kanë ditur të japin mëse një herë shembullin e një ndërgjegjeje kombëtare, kur janë gjendur përpara konfliktesh fetare. Historia e luftrave  të tyre për fitoren e pavarësisë e ilustron mahnitshëm këtë pohim. Sa herë që atyre u është dashur të luftojnë për liri, çështjet fetare  i kanë kaluar në plan të dytë”.

Zoti Lefkoparidis konkludonte: “Shqipëria është fort e vendosur për të mbrojtur të drejtën e saj për të jetuar dhe se tashmë ka ardhur koha t’i shikojmë problemet e shqiptare në vetvete, duke pyetur veten, jo cili do të jetë qëndrimi i Fuqive ndaj Shqipërisë , por krejt ndryshe, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë ndaj Fuqive”. Një vlerësim, që ka brenda edhe pofetësinë.

Nuçi Kotta mendon  se populli shqiptar, të cilit të tjerët i kanë rënë në qafë, është treguar gjithsesi paqësor, tolerant dhe thellësisht përëndimor. Shqiptarët dhe grekët as nuk e përbuzin dhe as nuk e urrejnë njëri-tjetrin. Nëse marrëdheniet  shqiptaro-greke kanë qenë të këqia, kjo ka ndodhur vetëm për shkak të imperializmit politik të ndjekur nga qeveritë e Athinës kundrejt Shqipërisë. Ne, thotë vizionari Kotta, nuk dyshojmë se një erë e re marrëveshjeje dhe mirëkuptimi i ndërsjellë do të nisë midis dy popujve dhe do të kontriubojë për të vendosur paqen dhe qetësinë në këtë pjesë të Europës.

[1] Nuçi Kotta, doktor i shkencave juridike në Francë, zv.sekretar I Organizates “Asambleja e Kombeve te Bashkuara të Europës”. Anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, autor i botimeve “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, “Njeriu me 40 eku” etj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Libri i Nuci Kota, opinion, Uran Butka

“Vëllezërit turq”

July 19, 2016 by dgreca

Opinion nga Harry Bajraktari/ Nju Jork/

 Ajo që mua më nxiti t’ i shkruaj këta pak rreshta ka të bëjë me një fakt tjetër se si dhe në ç’ mënyrë reagun disa shqiptarët rreth këtyre ngjarjeve: Në Shqipëri, në Prishtinë, në Prizren, në Preshevë, në Shkup dhe në ndonjë qytet tjetër në trojet tona u dëgjuan shprehje dhe zëra të habitshëm: “Jemi bashkë me vëllezërit turq dhe të gatshëm të luftojmë për Turqinë “, si dhe thirrje të ngjashme me përmbajtje vëllezërore në mbrojtje të saj.

Nga historia dihet se shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan dhe një popull shumë i veçantë, i cili s’ ka asnjë vëlla në këtë planet, asnjë prejardhje të përbashkët me ndonjë popull tjetër, pos që ka fqinjësi me shtetet që e rrethojnë dhe marrëdhënie miqësore, ekonomike e diplomatike me shumë vende të botës, e në këtë kontekst edhe me Turqinë. Ne nuk jemi vëllezër as me turq as me grekë as me tjerët dhe këto thirrje nga disa zëra, tash këto ditë, me rastin e ngjarjeve në Turqi, por edhe më herët, janë për të ardhur keq, të dëmshme në aspektin e identitetit kombëtar, të pakuptimta në aspektin logjik dhe absurde në kontekstin interpretues. Një pushtues në të kaluarën, të jetë edhe jopushtues nuk mund të jetë vëllezër me ne ngase nuk kemi prejardhje dhe trung të njëjtë. Vëllezëria përcaktohet në bazë të kombit e jo siç pretendojnë disa klerikë shqiptarë të infektuar nga radikalizmi islamik. Shqiptarët u përkasin tri besimeve me të cilët jemi vëllezër mes veti si shqiptarë myslimanë , si shqiptarë katolikë dhe si shqiptarë ortodokës dhe këtu përfundon vëllazeria e jonë. Nuk shkon përtej për asnjë milimetër.
Ne nuk mund të luftojmë as për turq, as për grekë dhe as për fqinjët tanë të cilët gjatë historisë na sollën aq shumë vuajtje dhe zaptim të territoreve tona. Me kushtetutën e Shqipërisë dhe të Kosovës në çfardo rrethana që mund të ndodhën këto dy shtete, kemi detyrim me forcë të mbrojmë atdheun dhe popullin tonë, jo siç thonë pretenduesit e “vëllezërve turq”. Ne duhet të punojmë shumë më shumë që t’ i përparojmë shtetet tona, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe territoret tjera shqiptare. Kjo është kauza jonë, e jo e atyre që i thërrasin vëllezër ata të cilët s’ i kemi e as që kanë të bëjnë me kombin tonë.
E dimë të gjithë se sa është dëmtuar imazhin ynë në botë nga radikalizmi islamik i disa klerikëve tanë dhe ky radikalizëm çoi grupe e individë të luftojnë në Siri e Irak për shtetin islamik-terrorist( ISIS). Një gjë e humbur dhe e pakuptimtë për kombin tonë dhe për logjikën e njeriut të shëndoshë.
Çështja e shqiptarëve në Turqi dhe shpërngulja e tyre atje, është pasojë i një historie të dhunës dhe terrorit serb nga Lidhja e Prizrenit e këndej.

Post scriptum: Këtu nuk është fjala për minoritetin turk që jeton në Kosovë dhe Maqedoni.

*Autori është bisnesmen dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, opinion, Vëllezërit turq

NE NUK E DUAM NDRYSHIMIN

March 2, 2016 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/

Për t’i analizuar shqiptarët, nevojitet një studim i thellë. Shqiptarët në përgjithësi janë një popull i çuditshëm dhe tragjikomik. Shqiptarit nuk i zihet besë për asgjë, sepse është njeri jo i fjalës dhe i pabesë. Shqiptarët jo që nuk dinë të bëjnë shtet, por nuk duan të bëjnë shtet. Sepse u pëlqen anarkia, u pëlqen të vjedhin, u pëlqen jeta pa ligje dhe rregulla. Prandaj, shqiptarët të gjithë janë njësoj, hajna dhe njerëz që më së paku ose fare nuk e duan atdheun e tyre. Një popull që e do atdheun e vet, nuk e vjedh dhe nuk e plaçkit, kurse ne e kemi gojën plot atdhedashuri dhe si të na jepet rasti bëhemi edhe ne pjesë e vjedhjeve dhe plaçkitjes së shtetit, bashkë me këtë klasë politike, të cilët tash e 17 vite janë Alfa dhe Omega e krimit ekonomik dhe politik të Kosovës. Shikojeni Shqipërinë, që 25 vite nga rrëzimi i komunizmit, akoma shtet jofunksional dhe në vazhdimësi duke u udhëhequr nga një tufë e hajnave, kriminelëve e banditëve.

Komunikimi me njerëzit!
Shikojeni Kosovën, që 17 vite nga çlirimi i saj, shtet jofunksional, duke u udhëhequr po ashtu nga një tufë e hajnave, kriminelëve dhe banditëve, të cilët vetëm e duan pushtetin dhe jo popullin e shtetin. Edhe sot e 100 vite këto dy shtete do të udhëhiqen po nga hajnat e kriminelët, sa do të largohen nga pushteti njëra palë, do të zëvendësohen me palën tjetër që nuk dallon fare me palën që ishte në pushtet. E kjo e gjitha për shkak se kemi patriotizëm fals, nuk e duam atdheun dhe e kemi në gjen hajninë dhe krimin.
Ne jemi një popull që në mundësinë e parë që na jepet, edhe ne bëhemi pjesë e hajnisë, vjedhjes dhe shkatërrimit të shtetit. Këtë e has çdo ditë në komunikim me njerëzit, të cilët çdo sekondë e minutë, e shajnë dhe kritikojnë ashpër këtë sistem kriminal të krijuar në Kosovën e pasluftës.
Nuk jemi për një shtet ligjor dhe shtetndërtim!
Por, sapo kapin ndonjë post të lartë ose ndonjë punë të thjeshtë shtetërore, me fanatizëm e mbrojnë këtë sistem kriminal dhe thonë se nuk bën ndryshe, por duhet t’i përshtatemi dhe pajtohemi me këtë sistem, edhe pse është sistem i kriminal, mafioz dhe shkatërrues. Prandaj, ky popull nuk më bind fare që mund ta ndryshojë këtë gjendje të krijuar në Kosovë, sepse pjesa dërrmuese e këtij populli nuk janë për ndryshime, nuk janë për ekonomi më të mirë, arsim dhe shëndetësi më cilësore. Nuk janë për një shtet ligjor dhe shtetndërtim, por e duan dhe e pëlqejnë këtë sistem. Një popull i vetëdijesuar, një popull që e do atdheun e tij, nuk do të lejonte që 17 vite fatin e tij në dorën e një grushti politikanësh mafiozë, kriminelë dhe injorantë. Me një fjalë, ky popull nuk dallon fare me këta që i kemi në politikë, se tekefundit këta nuk kanë ardhur nga qielli, por janë pjellë e këtij populli.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Nuk e duam ndryshimin, opinion

PROTESTA E OPOZITES ME 8 DHJETOR

December 9, 2015 by dgreca

OPINION NGA ASLLAN BUSHATI/

Sic premtoi, opozita e Shqipërisë zbriti më 8 dhjetor 2015 në (kuadrin e 25 vjetorit të shembjes së diktaturës komuniste) në shesh betejë. Fillesat e demostrimit të forcës opozitare, ishin bërë të ditura që më parë në Parlament dhe në media , por të detajuara ato u cfaqën në demostratë. Brendia e demostratës ishte thellësisht politike dhe me kerkesa të qarta për të sotmen dhe të ardhmen e afërt. Përmbledhtazi mund të themi se opozita në demostratë , deklaroi formulimet e më poshtëme:”Edhe pas 25 vitesh atdheu ynë i përbashkët nuk gjenë paqe, jemi këtu për t’i dhënë atdheut atë që i mungon ,pra paqen sociale.Jemi këtu për ti thënë ndal rikthimit të së kaluarës komuniste diktatoriale dhe vrasjes së shpresës. Nuk duam të jemi bashkëfajtor në rrezikimin e mëtutjeshëm të së ardhmes së vendit. Kjo qeveri në dy vite e ka mbyllur ciklin e vet, sepse Shqipëria me udhëheqjen e saj, po prek fundin e varfërisë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë përfshitë cdo segment të qeverisjes dhe jetës shoqërore, dukje e këthyer vendin në një skëterrë e pa perspektivë ku shqiptarët ikin nga vendi i tyre, sic ikin sirianët nga lufta. Mijra gra e vajza janë larguar dhunëshëm nga puna, mbi 400 mijë të rinjë kërkojnë azil në Amerikë dhe BE. Qeveria e tanishme është këthyet në një regjim policoro- totalitar. Askush nuk mund të na gjunjezojë pa rrëzimin e ketij rregjimi. Shqipëria është buzë greminës me këtë udhëheqje të pa përgjegjëshme.Si përfundim i gjithsa më lart largimi sa më para i qeverisë Rama – Meta, kalimi në një qeveri teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohëshme , i bën mirë ekonomisë, paqes sociale, të ardhmes dhe vendit në tërësi,”

Me ndiesitë e më sipërme, (madje shumë e më shumë se kaq), dhe me mëllefin e grumbulluar për dy vite, qindra mijra njerëz të përfshirë në vorbullën e kësaj kauze, zbritën në Sheshin “Skenderbej” dhe para godinës së Kryeministrisë. Nën thirrjet e fjalimet e Kryetarit të PD-së Z.Lulëzim Basha dhe të drejtuesve të rinj e të vjetër, i treguan muskujt qeverisë dhe bënë me dije se ky është fillimi i revolucionit demokratik të paralajmëruar. Disa që hodhën gurë e sende të forta kundër godinës së Kryeministrisë e dy ministrive të tjera ,bënë gabim duke i kaluar caqet e një demostrimi demokratiko-paqësor, por këto ishin thjeshtë disa individ të vecuar. Kurse ata që hodhën bojë e vezë, bënë mirë se i thanë qeverisë me gojë e me shkrim ”shiko se e kemi seriozisht ,prandaj ndal e na dëgjo edhe ne”.

Pas demostrata, akuza e kunder akuza.

Qeveria, duke u fshehur pas një deklarate të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe të BE-së, përpiqet ta cvendos vemenjen e opinionit nga brendia politike e demostratës tek” dhuna, vandalizmi e mungesa e vizionit të opozitës”.Ajo thotë se lëvizja e dhjetorit të 1990-tës, ishte krejt ndryshe nga kjo e sotmja. E para kishte synim përmbysjen e komunizmit, kurse kjo e sotmëja rivendosjen e metodave të dhunëshme të komunizmit, rivendosjen e ideve diktatorshipe të tetë viteve të fundit të PD-së. Ajo e dhjetorit 90 ishte liri –demokraci, kjo e sotmëja qesharake, e dhunëshme e anti art, duke patur parasyshë djegien e prishjen e bunkerit pranë Ministrisë Brendeshme. Lidershipi i PD-së, (sipas qeverisë) i bëri thirrje turmës të sulmonte godinën e Kryeministrisë dhe ministritë duke i shkaktuar vendit 164 miljon lek dëmtime. Dekomunistizimi dhe dekriminalizimi, janë parrulla idiote të opozitës të cilat nuk i sjellin asaj asnjë votë, përkundrazi e cvleftësojnë atë. Kurse Edi Rama në face book i vu kapakun akuzës duke e cilesuar demostratën si “shëmti e trishtueshme e mendjeve të errta të SHQUP-it, keqardhje për të verbërit, neveri për politikat e PD-së etj”. Këto e shumë letrarizime të tjera ishin akuzat e qeverisë ndaj opozitës ,duke u përpjekur të largojnë vemendjen nga realiteti i hidhur shqiptar.

Kurse kundër akuzat e opozitës ndaj qeverisë, vec atyre të theksuara fort gjatë demostratës, vijuan edhe më pas në masmedja, ku theksohet se: “ Ne jemi të bindur në rrugën që kemi zgjedhur, sepse ekonomia ka rënë në kufij të pa pranueshëm, shteti është kapur nga krimi dhe korrupsioni madje është bërë shpesh ortak me të. Liria e individit është cënuar, më shumë se 38 mijë persona janë të burgosur, modeli juaj i qeverisjes nuk është model i ri, por model i kërcënimit të gjithanëshëm dhe i kamxhikut.Kjo lëvizje është mbarë popullore, demokratike e civile pa kriminelë.Hedhja e sendeve të forta mbi godinat qeveritare nga disa persona të vecantë është e dënueshme edhe nga opozita, madje deputetë të PD-së dolën para turmës dhe i ndaluan ata të bënin xheste të tilla. Kurse djegia dhe shembja e bunkerit (me ftesë të përfaqësuesve politik të të dënuarve politik) është e pranueshme, sepse ai si symbol, provokonte ndjenjat e një shtrese të shumëvuajtur nga regjimi totalitar.Ata ja bënë me dije shumë herë qeverisë vullnetin e tyre, por ajo e bëri veshin e shurdhër, madje provokoi me foto e shalla të E.Hoxhës dhe dhënien e dekoratave kriminelëve të nomeklaturës kuqe, deri sa mllefi u shumëfishu. Asnjë polic dhe asnjë institucion politik nuk u prek. Ju shumëfishuat borxhet,mbytët bizneset e vogla, humbët mbi 500 milion euro nga afera korruptive me CEZ-in, miloina të tjera në dogana e në tendera të qeveritarëve duke i shkaktuar dhimbje të mëdha këtij populli.

Këndshikimi i një emigrant në SHBA.

Festimi i 8 dhjetorit (vecanërisht përvjetore si ky i sivjetëmi), i bëjnë mirë shoqërisë shqiptare sot ,mot e sa të jetë jeta. Kjo ditë ju sjellë njerëzve në kujtesë një regjim sadist,gjakatar, e totalitar gati 50 vjecar që sundoi Shqiprinë. Por po ashtu ajo, ju kujton rininë studentore dhe intelektualët që drejtuan atë lëvizje dhe përmbysën regjimin komunist si: Azem Hajdari, Sali Barisha, Gramoz Pashko,Aleksander Meksi,Arben Imami, Genc Ruli,Besnik Mustafaj,Besnik Selami, Prec Zogajetj, të cilët u përballën me regjimin. Vlerat e 8 dhjetorit janë të shumëfishta se ato sollën: lirinë e individit, të drejtat e tij, transformimin e shtetit nga totalitar në sherbim të individit, hapsira për pronë e biznes, shkollimi, levizja e lirë, punësimi, zhvillimi e mbrojtja e vlerave etj.

Pikpamjet e mija politike nuk përputhen me ato të Edi Ramës për zhvillimin shoqëror e politi të Shqiprisë, por dështimin e tij në politikat ekonomike, seriozisht nuk e kam dëshiruar. Jo nga simpatia por nisur nga interesat familjare e kombëtare. Në këto dy vitet e qeverisjes së tij, familjarët e mi, të afërmit, njerëz të krahinës e të njohur nga treva të tjera, janë më të varfër se më parë, kanë marrë rrugët e mërgimit dhe kanë boshatisur fshatra e krahina të tëra nga keq qeverisja. Ne keto kushte e ndej për dertyrë t’ju bëj thirrje gjithë shqiptarve t’i bashkohen opozitës dhe kauzës së saj, për të larguar qeverinë Rama-Meta me mjete demokratike, pa dhunë pa eksese, për të kaluar në një qeveri teknike dhe më pas në zgjedhje te reja e të lira. Në se ata nuk pranojnë opsionin e opozitës, atëherë , kjo e fundit ka të gjithë të drejtën të bllokojë parlamentin,komisionet e tij, institucionet qëndrore të qeverisë e deri tek rrugët kryesore të komunikacionit. Në se ajo e bën një gjë të tillë pa thyer edhe një xham të vetëm do ta duartrokas dhe përkrah pa asnjë rezervë. Por, në se dhunon do ta qortoj po ashtu pa asnjë rezervë dhe do ti ftoj njerëzit ta braktisin kauzën e saj.

Klasa politike në Shqipëri këtë cerk shekulli pas shembjes së diktaturës totalitare ka bërë shumë gabime, të cilat kanë patur e vazhdojnë të kenë kosto dhe dhimbje të madhe njerzore. Shpresoj të ketë marrë sado pak mësim nga kjo përvojë e hidhur. Shpresoj po ashtu ,se edhe SHBA më fort e pa doreza diplomatike, do të godasin cilindo qeveritar që lidhet me afera korruptive e kriminale.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, ME 8 DHJETOR, opinion, PROTESTA E OPOZITES

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT