• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËRQIA- KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT

July 26, 2021 by s p

Prof. Dom Nikë Ukgjini*

Nevoja e një Kuvendi Arbërorë

Ndër tiparet dalluese të marrëdhënieve të papatit në lidhje me Arbërinë ka qenë, në të gjitha kohët përpjekja  e tij për të qëndruar pranë vështirsive  e rreziqeve qe u janë kërcënuar, nga armiqtë e jashtëm e sidomos gjatë  pushtimit 500 vjeçarë të perandorisë  osmane.

Mbështetur në burimet e Selisë së Shenjte të shek.. XVI – XVIII vuajtjet më të mëdha dhe rreziqet e shpërbërjes së popullit të Arbrit ndodhnin gjatë pushtimeve osmane. Përhapja e Islamit në tokat arbërore, ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave, politike, ekonomike, kulturore e fetare. Disa aspekte të politikes së shtetit osman kundrejt vendeve të përfshira në pushtim rrjedhimisht edhe ndaj Shqipërisë, shërbyen si shkaqe të mirëfillta, që inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame ndaj shqiptarëve, duke përdorë forma të ndryshme nga dhuna e presionet  ekonomike e deri të joshja për islamin në forma të shumëllojshme.

Në shek. XVII arbërorët përjetonin  një përhapje tëjashtëzakonshme të Islamit i cili në Arbërinë e mesme dhe atë veriore kishte arritë në përmasën e 50% të popullatës që kishin braktisë besimin katolik e duke kaluar në besimin islam. Procesi i rrënimit dhe tkurrjes se katolicizmit, në Gegëri, (fjala është edhe për Maqedoninë e sotme)  si rrjedhojë e përparimit të procesit te islamizimit dhe ortodoksisë sllave, manifestohej gjithashtu edhe në pakësimin e numrit të dioqezave dhe të famullive, sidomos në kryedioqezën e Tivarit dhe atë të Shkupit.

Në këtë drejtim, relacionet e Imzot Pjeter Bogdanit, (1656-1877) nga gjysma e shek. XVII e në vazhdim, flasin për braktisje masive të fesë katolike dhe përqafim të islamit dhe ortodoksisë sllave në Kryedioqezën e Tivarit dhe të Shkupi dhe ku në vitin 1665, në kryedioqezën e Tivarit numëroheshin vetëm 2.400 besimtarë, ndërsa në qytetin e Tivarit nuk kishte asnjë familje katolike.

Ndryshimet në strukturën fetare të arbërorëve si rezultat i depërtimit të islamit dhe ortodoksisë sllave, u reflektuan edhe në aspektet të tjera, arkitekturës, urbanistikes se vendbanimeve, alfabetit, gjuhës e kulturës, dokeve e zakoneve etj. Një gjë e tillë, sipas studiuesit Ferid Duka,  kuptohet qartë edhe nga njoftimet që na jep në lidhje me qytetet e ndryshme të Arbërisë udhëpërshkruesi osman i gjysmës se dytë të shek.. XVII E. Çelebiu e në veçanti kur flet për Shkodrën.

Rrjedhojat e ngjarjeve politike dhe fetare, e detyruan Imzot Pjetër Bogdanin, në cilësinë e kryeipeshkvit të Shkupi,  në vitin 1689, të jetë organizator kryesor i kryengritjeve të shqiptarëve në Kosovë së bashku me gjeneralin austriak, Pikolimin, e ku në luftën e Kaçanikut, të vitit 1690, për shkak të epidemisë së kolerës, shqiptarët pësuan humbje të rëndë, çfarë ndikoj në përshpejtimin e  braktisjen e katolicizmit, përqafimin e islamit dhe ortodoksisë sllave në Maqedoninë e sotme.

Duke i referuar, barrës së rendë të shkaktuar shqiptarëve nga pushtuesit si nder faktorët qe stimulonin islamin, Arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajeviq, në  raportin e tij të viti 1702, parashikonte rrënimin e shpejt dhe të plotë të popullatës katolike. Më qëllim që të shpëtonte besimtaret e vet nga rreziku i mëtejshëm të mohimit të fesë katolike dhe problemit të kriptokatolicizmit, si rrjedhojë e pushtimit të egër osman, Zmajeviqi arsyetonte para Papa Klementit XI, Albanit, mbajtjen e një Kuvendi Mbarëkombëtar, si një analizë e domosdoshme dhe shumëpalëshe. Më qëllim që të ndalej tatëpjeta e Katolicizmit, si rezultat e përhapjes gjithnjë e më shumë të fesë islame dhe fenomeneve të tjera brenda kishe katolike, me nxitjen e përkrahjen  e Papa Albanit nga i cili gufonte gjaku arbërorë, u mbajt në rezidencën e ipeshkvit të Lezhës, Nikollë Vlladanjit në Mërqi, të Lezhës në vitin 1703 Kuvendi Mbarëkombëtar i Arbrit.

 Kuvendi në fjalë i kryesuar nga delegati papnore Vinçenc Zmajeviq, me praninë e të gjithë ipeshkvijve të tokës së Arbrit, vendosi si një vetëmbrojte kombëtare, midis të tjerash, që t‘i jepej fund dhe dilemave për çështjeje të kalimit të katolikëve në islam, kriptokatolizimit si fenomen tashme i përhapur në gjitha trojet shqiptare dhe përdorimit sa më shumë i gjuhës shqipe nga misionaret që vepronin në Arbëri etj..

Një pyetje e mprehetë shtrohet: si u lejua mbajtja e Kuvendit të Arbrit, kur vala e kryengritjeve  të armatosura të arbërorëve, kundër perandorisë osmane ishte e pranishme në çdo hapsirë të vendit tonë dhe vendet evropiane. Përgjigja mund të jetë se tendosja që karakterizonte në përgjithësi marrëdhëniet në mes administratës osmane dhe krerëve te Kishës Katolike Arbërore, nuk përjashtonte momentet e mirëkuptimit në mes të dyja palëve, veçanarishtë, kur në poste të rëndësishme të perandorisë qëndronin vezirët apo pashët me njëvetëdije më të lart të gjakut arbërorë. Për rastin në fjalë kemi të bëjmë me periudhat e qetësimit të gjendjës më Paqen Karlovcit 1698, prezencën në Portën e Lart të vezirit të Madh me gjak arbëror, Mustafë Qypriliu dhe pashait të Dukagjinit, Hydaverdi Pashë Begolin nga Peja me origjinë nga fshati Sumë në veri të Arbërisë i cili mbahej si Pasha i lart për gjithë Arbrin dhe konsiderohej mik i mirë i Zmajeviqit. Por, evidentimi i burrave të armatosur në veri të Arbërisë, sipas zonave dhe famullive, nga abatit i Mirditës, Gjergj Stampaneo, dërguar Selisë së Shenjtë në vitin 1685, nuk shërbeu vetëm si motiv për realizimin kryengritjeve të Imzot Pjeter Bogdanit, në Kosovë, por ishte edhe si vigjilencë e shtuar për sigurimin e mbajtës së Kuvendit të Arbrit. Në këtë kuptim duhet marrë edhe hartat e P. Coronellit, të vitit 1688 dhe Rossi-Contanelli të vitit 1689.

Por, për çdo eventualitet, për ta kuptuar rrjedhën paraprake, të gjithë kësaj ngjarje është e domosdoshme të behën kërkime për gjetjen e korrespondencës të padalë akoma në dritë, në mes Portës së Lartë dhe Romës, për të mësuar detajet e gjithë rrugëtimit të ngjarjes që solli lejimin e  mbajtjes së këtij Kuvendi.

Famullia e Mërqisë, vendi ku u mblodhën burrat e dheut

Vetë pozicioni gjeografik, politik e historik i Lezhës ka qenë arsyeja që në këtë dioqezë në momente të caktuara historike janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme, me karakter politik, shoqëror dhe fetar, si Besëlidhja e Lezhës në vitin 1444, dhe Kuvendi i Arbrit në vitin 1703. Për dioqezën e Lezhës ka qenë dhe mbetet një nder i madh miratimi nga Papa Albani që Kuvendi i Arbrit  të mblidhej në Lezhë, në Kishën mbi një faqe mali të Mërqisë,  ku shkëlqente rezidenca  ipeshkvore më e bukura në Arbëri e ndërtuar që në vitin 1668, nga ungji i Nikollë Vlladanji, Imzot Gjergj Vlladanji.

Ky gjest i Papa Klementi si një figurë më kryesore botërore e kohës, i dha dioqezës dhe fshatit një vlerësim të jashtë zakonshëm, duke i vendosur emërtimet e tyre në analet e historisë kishtare botërore. Ndërsa mbajtja e Kuvendi i Arbit në Lezhë, në kuptimin më të përgjithshëm, tregon se shpirti i  Gjergj Kastriotit i cili mblodhi burrat e dheut në Besëlidhjen Shqiptare në Lezhë dhe po aty që varrosur në vitin 1467, “jeton i gjallë në zemrat e shqiptarëve, si brenda vendit, ashtu në ngulmimet jashtë tij”, do thoshte Mark Vuji.

Pas rënies së Lezhës në vitin 1478 nën pushtimin osman, dioqeza sipas relacioneve kishtare, nuk kishte një rezidence të fiksuar për shkak të përndjekjeve turke, por, selia ipeshkvore qarkullonte nga një famulli në tjetrën, si në Mërqi,  Velë, Dibër dhe në fund në famullinë e Kallmetit nga vitet 1845 e në vazhdim, vit ky kur qe ndertuar Katedralja e Kallmetit me iniciativën e Imzot IvanTopich.

Famullia e Mërqisë, kushtuar Shën Gjon Kryepremit, si administratë kishtare,  gjendet në verilindje të qytetit te Lezhës dhe kufizohet me famullinë e Kallmetit, Veles, Balldrenit dhe famullin e Lezhës.

Në dokumentet të deritanishme të njohura historike, emri i Mërqisë, sipas prof.. Kasem Biçokut, figuron në defterin e Sanxhaku të Ohrit të vitit 1583, dhe i përkiste krahinës së Petro Gjonimës, me 80 shtëpi, që përbenin 6.55 % banorëve të krahinës. Shquhej si prodhuese e madhe e drithërave, verës e ullinjve. Sipas Defterit një pjesë e popullatës që nga kjo kohë, kishin kaluar në besimin islam.

            Dokumentet historike, ku mund ta ndërtojmë ngrehinën e kësaj famullie në vazhdim, janë relacionet e vizitorëve Apostolik dhe relacionet e ipeshkvijve të Lezhës, drejtuar Selisë së Shenjtë në Romë.

Shënimin e parë nga relacionet dërguar Selisë së Shenjtë e shkëpusim nga delegati Apostolik, Imzot Marin Bici, i cili në vitin 1610, duke folur për gjendjen e Kishës Katolike në Arbri ndalon edhe në Mërqi. Pa dhënë shënime për Kishën si objekt, do shprehej së famullia ishte e dominuar nga ushtarët turq dhe te kroi (vraga) në Mërqi, mbaheshin kuvendet e Alibeiut dhe krerëve të popullit, e kunjë rast edhe vetë ai kishte shkuar atje me ndërmjetësimin e Ndoc Gjankut nga Merqia,  duke e marrë lejen për t’i vizituar kishat të tjera të dioqezës se Lezhës, të cilat gjendeshin të mjerueshme. Duke u shprehur për Ipeshkvin e Lezhës, Inocenti Stoiçi, (1596-1620), Bici, konstaton së ai për shkak të torturimeve turke, dioqezën udhëhiqte nga Raguza. Ky veprim për Bicin cilësohej si i pa pranueshëm.

Duke folë në vazhdim për ipeshkvin Stoiçi, shprehet se në fillimet e tij rezidencën e kishte afër një Kishe poshtë kalasë të Shën Katarines, në një shtëpi prej kashte. Ndërkohë Lezha nga një qytet më shumë lavdi, ishte shndërruar në një fshat, më shumicën e shtëpive të rrënuar e të dëmtuara keq, të banuara prej turqish që janë më të dhunshëm se në çdo vend tjetër, konstaton Bici.

Më ardhjen në selinë ipeshkvore të Benedikt Orsinit (1621-1654) dioqeza filloi të rimëkëmbej. Nga relacioni e tij vitit 1629, kuptojmë se gjatë pushtetit të tij, shumë Kisha dhe qela që ishin gjysmë të shkatërruar nga sulmet turke, qenë meremetuar. Më këtë rast përmendet edhe meremetimi i Kishës dhe qelës në Mërqi. Nga relacioni i mëvonshëm i Gjergj Vlladanjit i vitit 1663, kuptojmë së Orsini qe i pari ipeshkëv i cili rezidencën e tij e kishte vendosur në Mërqi. Orsini, meqenëse flet në vija të përgjithshme, për ndërtime dhe meremetime brenda dioqezës, dhe nga ana tjetër kuptojmë se rezidencën e kishte vendosur në Mërqi, me këtë rast, nuk përjashtohet mundësia që vet Orsini ta ketë ndërtuar Kishën e sotme të Kuvendit Arbrit. Dhe themelet e Kishës dhe qelës që sot gjenden në patologun poshtë varreve, mund të jenë të kohës para Bicit. Kjo nisur edhe nga një arsye e thjeshtë, së kroi(vraga) të cilin e veçon Bici në relacion, me pozicioni natyrore që ka, do furnizonte lirshëm me ujë më rënie të lirë të dy objektet poshtë varreve.

Nga relacioni i Ipeshkvit Gjergj Vlladanji,(1656-1689), i vitit 1663, kuptojmë se ai për një kohë të caktuar selinë e tij e kishte zhvendosur në Velë, për shkak se ishte mu në mes të besimtarëve që jetonin nëpër vargmalet e Mirditës dhe nuk ishin akoma të nënshtruar islamizimit në krahasim në pjesën fushore që kishin filluar të nënshtronte pushtetit turk, siç shprehet Vlladanji. Dhe tek në vitin 1665, me urdhrin e Selisë së Shenjtë, Vlladnji, kthehet në Mërqi, aty në vitin 1668, ndërtoi rezidencën e vet, me një materiae shumë të mirë, ku kishte 6 dhoma dhe një sallë të madhe, dhe cilësohej si ma e bukura në Arbëri. Relatori Apostolik, Stjefen Gaspri, në 1671, shprehet se Kisha e Mërqisë, ka famullitar, dom Pjeter Negrin dhe është ndërtuar me mur guri, por është në gjendje të keqe. Më këtë rast, Gaspri, për të parën herë nga gjithë relatorët jep statistikat e besimtarëve, duke thenë se famullia ka 80 shtëpi me 500 besimtar. Ndërsa Abati i Mirditës, Gjergj Stampaneo, në letrën e tij të vitit 1685 dërguar Selisë së Shenjtë, duke shprehur se  Rezidenca e ipeshkvit qëndron në Mërqi, jep edhe numrin e burrave katolik që janë të aftë për armë, në zonën e Lezhës, nga Pellana deri ne Mërqi, e ku rezultojnë së janë 1. 500 burra. Evidentimin e Mërqisë dhe Raboshtës e gjejmë edhe të harta e  P. Coronellit, të vitit 1688 ku Raboshta kishte  20 shtëpi më pak turq, kurse Mërqija kishte më shumë turq (shqiptarë të islamizuar). Edhe në hartën e Giacomo Rossi dhe Giacomo Contanelli, të vitit 1689, nxitur nga Francesk Albani si sekretar i kurjes Romake, evidentohen, Mërqia e Raboshta.

Në prag të Kuvendit të Arbrit, pasardhësi Nikollë Vlladanji (1692- 1728) në relacionin e tij të vitit 1694, shprehet se famullia e Mërqisë, përbehet nga Raboshta e Domja, dhe gjithësejt ka 60 familje 560 besimtar, më famullitar Mark Krythai cili jeton s’bashku me ipeshkvin në rezidencën e tij. Nga ky relacion kuptojmë, së Kisha është e ndërtuar prej guri, ka portikun dhe sakristin për mbajtjen rrobave të shenjta. Brenda është në rregull. Ka altarin kryesor dhe dy të vegjël dhe një kambana,  por pa kambanore  të mirëfilltë.

Në relacionin e Kuvendit të Arbrit mbajtur më 14-15 janar 1703, ku kryesues qe kryeipeshkvi i Tivarit, Vinçenc Zmajeviq, ai nder të tjera, shkroi se dioqeza e Lezhës, kishte dy rezidenca, njëra në pjesën malore të Mirditës dhe tjetrën në Mërqi. Famullia përfshinte Mërqinë e Raboshtën dhe kishte 60 shtëpi me 410 besimtar. Kisha ishte në gjendje shumë të mirë dhe kishte të gjitha pajisjet shërbestare; një kryq argjendti dhe një sakresti; altarin e madh në krye më figurën e Shën Gjon Pagëzuesin dhe një kambanë të madhe. Më tej Zmajeviq,  shprehej se rezidenca është e ndërtuar shumë mirë dhe nuk e ka shoqen në Arbri. Vendi është shumë i mirë dhe syri të shef fushën e Lezhës, Sapës, Shkodrës dhe Krujës deri në Kepin e Redonit që duket si kalorës. Famullia ka shumë tokë pune, vreshta, ullinj e livadhe. Ka famullitar Demeter Negrin (Ziun).

Në relacionet e tyre, pas Kuvendit të Arbrit, ipeshkvi Nikollë Vladanji 1710, e Gjon Gallata në vitin 1735, nuk evidentojnë ndryshime në këto mjedise. Gallata thotë së Mërqia kishte famullitar dom Simon Negri. Në vitin 1743, numëron 97 shtëpi më 869, besimtar dhe për shkak të shtimit të popullatës, kishte edhe dy priftërinj të tjerë si ndihmëse.

            Shënime me interes gjejmë te ipeshkvi Anton Kryeziu (1750-1765), në relacionin e tij 1753 i cili banonte edhe në Velë. Ai shprehet se në këtë Kishë ka qenë mbajtur Kuvendi i Arbrit me delegatin Apostolik Vinçenc Zmajeviq dhe Kisha është në gjendje të mirë, por qela e madhe e ndërtuar shumë mirë, tani është e pabanueshme për shkak të dhunimit të turqve. Kisha, shprehet Kryeziu,  ka dy kambana, njëra 50 libra peshe e tjetra 30. Kjo zyre famullitare jep ndihmë me ushqime të ndryshme edhe kishave të tjera nga pasuria që posedonte. Rektor i kësaj Kishe ishte  Dom Mark Popa dhe ndihmësit e tij dom Nikollë Negri dhe dom Pal Stambaneo. Famullia kishte 82 shtëpi me  932 besimtar dhe 20 shtëpi myslimane.

Pasardhësi, Imzot Mikel Kryeziu (1786 -1797) në relacionin e tij të vitit 1787, njofton, se Kisha e Mërqisë si shumë kisha të tjera në Zadrimë e Kurbin, ka qenë e dëmtuar keqas, gjatë luftës për një autonomi më të zgjeruar shqiptare të pashallëkut të Shkodrës, në mes Karamahmud Pashë Bushatliut dhe besnikut të sulltanit, Mehmet Pashë Çaushollit gatë viteve 1785-1796. Kryziu në vitin 1789, thotë se Kisha është aq e prishur sa duket se do të rrënohet në mos sot o nesër dhe mezi qëndron në këmbë. Popullata është varfëruar nga plaçkitjet turke dhe për ringritjen e Kishës duhet ndihma e Propagada Fide në Romë. Famullia ka 136 familje me, 886 besimtar.

 Për fillimin e rindërtimit të Kishës, dhe sfidat më të cilat ndeshet ky rindërtim, flet Kryezui në relacionin e viti 1792.

            Kryeipeshkvi i Durrësit, Tommazo Mariani, në cilësinë evizitorit, në 1795, jep informacion se, rezidenca dioqezane dhe shkolla janë akoma në Velë. Në Mërqi ku u mbajt Kuvendi i Arbrit i udhëhequr nga Zmajeviqi, qëndron një pallat i bukur ndërtuar nga Gjergj Vlladanji, por Kisha famullitare është e shembur dhe duhet rindërtuar. Selia e Shenjte ka ndarë një fond, por kërkohet ndihma edhe nga kleri dhe besimtaret. Por duhet marr licenca për rindërtim, nga kadiu i Lezhës, sepse ky objekt ka një rendësi të veçantë për shkak të Kuvendit të Arbrit, thekson Tommazo.

Imzot, Nikollë Malçi(1797- 1825), nga rezidenca në Velë, më 10 shkurt, viti 1800, flet për rindërtimin e ri të përfunduar të Kishës së Mërqisë, me ndihmën e Propaganda Fides. Por meqë nuk mjaftuan financat populli mezi arriti t’i përfundojë muret dhe çatinë e saj. Në relacionin e vitit 1801, me 4 shtator, Malçi flet se kisha ishte e ndërtuar krejtësisht e re me mure të gurit dhe e mbuluar mirë. Famullitar, kishte Dom Mark Bardhin.

Imzot Ivan Topich, (1842- 1853), administrator i Shkupit, 5 maj të vitit 1844, rrëfen në Mërqi ka 106 shtëpi më 810 besimtar. Kisha e ringritur kishte një kambanë të madhe, kurse qela është duke u rrënuar nga dhembi  kohës. Në relacionin e më vonshëm të vitit 1846, Topich, flet për zbukurimet e brendshme të Kishës, me orendi veneciane, xhama vitrat me motive të ndryshme fetare, altari dhe cibori (kelkshenjti) dhuratë nga shqiptaret e Italisë, kurse tavani i zbukuruar sipas traditës shqiptare. Zbukurimet e mëtejshme janë realizua edhe në kohen e Luigj Çurqisë ( 1853-1858), me ndihmën e Austrisë, shkruan, Pal Dodmasei, ( 1858-1868),  në vitin 1865 dhe shton se Mërqia kishte 82 shtëpi me 659 besimtarë. Dodmasej, thotë së nga Kakarqi shkova në Mërqij. Atje Kisha ishte e bukur e ndihmuar për pajisje nga brenda nga Austria, në kohën e ipeshkvit  Mons. Luigi Çurçia, në vitin 1853 dhe famullitar ishte Mark Gallat. Me këtë rast, më në fund  Kisha e Mëlqisë e kishte fituar dinjitetin e merituar.

Mërqia pas pavarësisë së vendit tonë

Por ai shkëlqim sikur nuk zgjati shumë. Në vitin 1912, e në vazhdim rifillon kalvari i ri i shkatërrimit të këtij objekti. Sipas relacionit të Luigj Bumçit,(1911-1943), famullitar ishte  dom Jak Kukulla. Qela qe djegur dhe shkatërruar me 19, mars 1912, nga turqit në ikje. Sipas delegatit Apostolik, për Shqipërinë, Ernesto Kocit në relacionin e tij vitit 1918, gjitha kishat dhe qelat në dioqezë kishin nevojë të restaurohen, sepse shumica prej tyre kanë qenë të dëmtuar nga esadistet shqiptar në vitin 1915 dhe dhembi i kohës.

Në vitet në vazhdim, këto objekte të Kuvendit të Arbrit nuk patën trazime të theksuar, pos nevojës për mirëmbajtës të zakonshëm nga degradimet e kohës.

Në regjistrin e vitit 1945, të kohës së Komunizmit, mësojmë së Mërqia kishte 440 banor dhe 78 kryefamiljar dhe famullitar ishte dom Zef Shtufi. Ndërsa në vitin 1959,kur famullitar ishte Dom Ndoc Sahatçia, famullia numëronte, 84 familje me  650 banorë. Në këtë kohë, Kisha e Mërqisë ka qenë zgjeruar në pjesën e altarit të sotëm dhe ka pasur një kambanare të gjatë në anën e majtë të hyrjes.

Me mbylljen e kishave në Shqipëri në vitin 1967, edhe këto dy objekte më rendësi historike e patën fatin e keq si shumë objekte të tjera të kultit. Kisha e qela e Kuvendit të Arbrit, për një kohë të caktuar qenë shndërruar në stallë bagëtish dhe më vonë duke i lënë në mëshirën e fatit ato u shkatërruan, e sidomos qela që mbeti nën qiellin e hapur me katër muret e saj.

Pas hyrjes së demokracisë në vitin 1991, meqenëse Dioqeza e Lezhës, si dhe të gjitha dioqezat të tjera në Shqipëri, ishte ende e pa organizuar mirë, Kisha e Mërqisë e cila ishte në gjendje rrënimi, u meremetua plotësisht nga famullitari atëhershëm, Dom Dodë Gjergji, duke u inaugurua ditën e Shën Gjon Kryepremit më 29 gushte të vitit 1996. Por, qela nga e cila kishte mbetur vetëm në muret jashtëm, nuk u arrit të meremetohet as sot e kësaj dite.

Projekti ynë

Pas sistemimit dhe restaurimit të Kishës të poetit Mjeda në Kukël, (2014), kishave mesjetar të Balldrenit (2019) dhe asaj të Pllanës, (2020), duke kuptuar rolin që ka në historinë e popullit Kuvendi i Arbrit, një grup vullnetmirë, hartuam projektin për krijimin e një qendre përkujtimore në Mërqi. Projekti i Arbrit do shtrihet në gjithë hapësirën e oborrit të Kishës ekzistuese, rehabilitimin e mureve të rrënuar të qelës si dhe rehabilitimin e pjesshëm të Kishës në fjalë. E shohim të domosdoshme, edhe kryerjen e gërmimeve në rrënojat e Kishës së vjetër poshtë varrezës, si dhe në rrënojat e Kishës paleokristine në Sukën e Gjelit, poshtë Mërqisë, të zbuluara nga arkeologet shqiptar e gjerman në vitin 2008.

* KONFERENCË SHKENCORE JUBILARE: PAPA KLEMENTI XI DHE SHQIPËRIA.

TIRANË, 15 KORRIK 2021

MBAJTUR TE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHIQIPËRISË.

Filed Under: Histori Tagged With: dom Nike Ukgjini, Merqia, Papa Klementi

PAPA KLEMENTI I XI ME ORIGJINË SHQIPTARE – MBROJTËS I IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE

July 21, 2021 by s p

(Me rastin e 300-vjetorit të ndarjes së tij nga kjo jetë)

Nga Frank Shkreli

Ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve midis Vatikanit dhe Republikës së Shqipërisë si dhe 300-vjetorin e vdekjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementit të XI me origjinë shqiptare nga ana e babait, i njohur ndryshe si Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani). Me këtë rast, javën që kaloi, u mbajtën seminare në Romë dhe në Tiranë për të kujtuar këto dy përvjetore me rëndësi. Sipas të dhënave nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit si dhe të programit shqip të radio Vatikanit, javën që kaloi me 12 Korrik, 2021 nën drejtimin e të Ngarkuarës me Punë pranë Vatikanit, diplomates shqiptare, Majlinda Doda, në sallën prestigjoze Zuccari të Senatit të Republikës italiane, u organizua Konferenca me titull: “Roli i Papa Klementit XI për Rizgjimin e Identitetit Shqiptar dhe të Kulturës Italiane të Kohës.”  Në konferencën — e cila u inaugurua nga Presidenti i Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinali Gianfranco Ravasi, me një përshëndetje edhe nga Presidentja e Senatit të Republikës italiane, Maria Elisabeta Alberti Casellati — morën pjesë studiues të njohur arbëreshë, shqiptarë dhe italianë.  Ndër ta, Profesori arbëresh Françesco Altimari i Universitetit të Kalabrisë paraqiti studimin me titull: “Papa Albani për Rilindjen Kulturore shqiptare dhe arbëreshe”.  Profesori shqiptar Gëzim Gurga nga Universiteti i Palermos solli referatin, “Mësimi i Gjuhës shqipe nën Pontifikatin e Papës Albani”. Ndërkohë që Profesoresha italiane Carla De Bellis e Universitetit, “La Sapienza” në Romë foli për lidhjet e Papa “Klementit XI me Akademitë Romake”. Ndërsa në fund të seminarit, në kujtim të këtyre dy përvjetorëve me rëndësi për historinë e marrëdhënieve të lashta dhe aktuale midis Vatikanit dhe Shqipërisë, artisti arbëresh, Franco Azzinari paraqiti pikturën unike kushtuar Papës Françesku dhe takimit të tij imagjinar me Papa Klementin XI (Albani), titulluar “Malli i Arbërit”, duke prezantuar dy papë që kanë patur dhe kanë një dashuri e përkushtim ndaj popullit shqiptar e arbëresh.


Papa aktual Françesku në një takim imagjinar me Papa Klementin e XI, vepër e artistit arbëresh, Franco Azzinari.

Kardinali Gianfranco Ravasi u tha të pranishëmve se kjo pikturë do të vendoset në Vatikan,  simbol i marrëdhënieve, historikisht, të ngushta midis Vatikanit dhe shqiptarëve, me përjashtim të periudhës së politikës patologjike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që ishte më i interesuar të vriste fetarë dhe poetën. Sipas informacionit nga Ambasada shqiptare, e Ngarkuara me Punë e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Doda njoftoi se konferenca e javës që kaloi në kujtim të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan due të 300-vjetorit të vdekjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementi i XI  është vetëm fillimi i disa aktiviteteve të tjera gjatë këtij viti. Diplomatja shqiptare, citohet t’u ketë thënë të pranishëmve se,”Këto manifestime hapen pikërisht me Papa Klementin XI i cili udhëhoqi Kishën Katolike për 21 vjet për të sjellë në vëmëndje lidhjet e lashta midis Vatikanit dhe Shqipërisë, interesimin e Klementit XI për popullin shqiptar e Shqipërinë e pushtuar nga turqit, përpjekjet për ruajtjen e identitetit, të gjuhës shqipe dhe fesë katolike, por për të venë në dukje edhe kontributin e tij në fushën ekulturës dhe të artit në përgjithësi”, nënvijoi Përfaqsuesja diplomatike e Shqipërisë pranë Vatikanit.

E ngarkuara me Punë e Republikës së Shqipërisë, Majlinda Doda  gjatë conferences në Romë, kushtuar 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan dhe 300-vjetorit të vdekjes së Papës me  origjinë shqiptare, Klementit XI me Presidentin e Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinalin  Gianfranco Ravasi.

Në atë konferencën e Romës, njoftohet se u fol edhe për marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, “I gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë”, siç u kishte thenë Papa Pali i VI mërgimtarëve shqiptarë në Romë (1968), me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Gjatë diskutimeve të konferencës në Romë, javën që kaloi, u theksua gjithashtu persekutimi i klerit katolik në Shqipëri gjatë regjimit komunist dhe u nënvijua edhe ndihma e Vatikanit për Shqipërinë pas shembjes së komunizmit zyrtar në vitin 1991 e deri më sot. Ia vlen të kujtohet se 30-vjetë më parë u vendosën lidhjet diplomatike midis Shqipërisë dhe Vatikanit me 7 shtator, 1991, një përvjetor ky që u shënua gjithashtu me këtë rast. Përfaqsuesi i parë diplomatik i Vatikanit, ose Nunci i parë Apostolik në Shqipëri, ishte ipeshkvi indian, Ivan Dias, ndërsa Ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë Shënjte ishte Willy Kamsi, i cili i ka paraqitur Letrat Kredenciale Papës Gjon Palit II, pak para se ai të bënte vizitën historike të një Pape në Shqipëri, (25 prill 1993). Ndërkaq, javën që kaloi në Tiranë u organizua gjithashtu një konferencë e dytë shkencore nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkpunim me Përfaqësinë Diplomatike të Papës – Nunciataura Apostolike në Tiranë me rastin e këtyre përvjetorëve ku u theksua, nga folës të ndryshëm, se figura e Papa Klementit të XI Papës me origjinë nga Shqipëria e Veriut  është një figurë identitare për kombin shqiptar, ashtu siç janë Gjergj Kastrioti -Skenderbe dhe Nëna Tereze.

Në konferencën e Tiranës me temën, “Papa Klementi XI dhe Shqipëria” u diskutua, ndër të tjera, për Papa Klementin XI si një mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve. U theksua se burime të ndryshme të kohës së tij, flasin për krenarinë e Papa Klementit XI për prejardhjen e tij shqiptare. Folësit e ndryshëm në konferencën e Tiranës theksuan, ndër të tjera, lidhjet e ngushta që Papa Klementi XI kishte me popullin dhe Kishën Katolike Shqiptare të asaj periudhe historike. Për këtë subjekt dhe për lidhjet e tija me viset shqiptare folën akademikë dhe historian të njohur, si Prof. Bardhyl Demiraj, Prof. Francesco Altimari, Dom Nikë Ukgjini, At Mikel Pllumbaj, Prof. Evalda Paci, Prof. Ardian Ndreca dhe Dr. Albin Saraçi, e tё tjerё. Sipas një njoftimi në portalin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Kryetari i këtij enti të dijes, Skender Gjinushi theksoi mes shumë meritave të Papa Klementit të 11-të, “përgjithësimin e etnonimit të ri të vendit dhe të popullit, Shqipëri e shqiptar, që u përdorën për herë të parë si zëvendësues Arbëri e arbër në procesverbalet e Kuvendit të Mërqisë, i njohur ndryshe si Kuvendi i Arbnit”.  Në njoftimin e Akademisë mbi punimet e konferencës, thuhet se Z. Gjinushi foli edhe për disa iniciativa me rëndësi historike-epokale, që ka ndërmarrë gjatë jetës së tij Papa Klementi i XI Albani, në favor të vendit të tij të origjinës. Konferencën jubilare në Tiranë e ka përshëndetur edhe Arkipeshkvi Luigi Bonazzi, përfaqsues i Vatikanit në Shqipëri, i cili ka theksuar se Papa Klementi XI ka mbështetur Kuvendin e Arbnit dhe shqipen. Ai foli edhe për praninë e Selisë së Shenjtë në botën arbërore deri në ditët e sotme dhe theksoi faktin që Papa Klementi XI rridhte nga një familje me origjinë shqiptare dhe ishte mbështes i Arbërit, thuhet në njoftimin mbi punimet e koneferencës jubilare në Tiranë. 


Pjesëmarrësit në Konferencën jubilare të organizuar në Tiranë nga Akademia e  Shkencave në bashkpunim me NuncinApostolik, përfaqësuesin diplomatic të Vatikanit në Shqipëri.

Papa Klementi XI krenohej me prejardhjen me origjinë shqiptare, citohet të ketë thenë arkipeshkvi Luigi Bonazzi, duke theksuar se gjithmonë ka ekzistuar një lidhje e ngushtë mes Selisë së Shenjtë dhe popullit shqiptar. Ndërkaq, një folës tjetër, Dom Nikë Ukgjini në kumtesën, “Mërqia – kisha e Kuvendit të Arbrit, në të kaluarën dhe sot”, tha se origjina e Papa Klementit është nga Laçi i Shqipërisë dhe solli dëshmi për zhvillimin e Kuvendit të Arbërit në kishën e Mërqisë në Lezhë.  Ai theksoi nxitjen dhe përkrahjen e Papa Albanit për Kuvendin e Arbërit në një kohë kur një nga tiparet dalluese të papatit ka qenë në të gjitha kohët, përpjekja e tij për të qëndruar pranë vështirësive e rreziqeve që u janë kërcënuar nga armiqtë e jashtëm, e sidomos gjatë pushtimit 500-vjeçar të perandorisë osmane, tha ai.

Papa Françesku gjatë vizitës në Shqipëri.

Papa Klementi ishte figurë botërore kryesore e kohës, shtoi mes të tjerave Dom Nik Ukgjini, ndërsa paraqiti të dhëna për famullinë e Mërqisë në Lezhë, ku është mbledh Kuvendi i Arbërit, miratuar nga Papa Albani, Klementi i XI. Sipas portalit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë edhe folësit e tjerë theksuan prejardhjen shqiptare dhe kontributet e ndryshme të Papës Klementit XI, përfshir Prof. Bardhyl Demiraj i cili në kumtesën, “Papa Klementi XI në kujtesën kolektive shqiptare”, nënvijoi kontributet e vazhdueshme të Klementit të XI për të bashkuar krishtërimin në Shqipëri, ku kisha katolike e ortodokse bashkëjetuan paqësisht, ndërsa theksoi se Papa Klementi luftoi edhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Ndërsa Prof. Francesco Altimari në kumtesën: “Regeneratio albanica: roli i Papës Klementi XI për zgjimin e kulturës dhe të identitetit në botën shqiptare”, diskutoi për prejardhjen shqiptare të Papa Klementit-Albani duke u kujdesur posaçërisht për fatin e vendit të paraardhësve të tij, me prejardhje nga familja fisnike e Mikel Laçit. Familja e Papa Klementit XI u vendos në Urbino të Italisë dhe mori mbiemrin Albani, tha ai.  Prof. Altimari citohet të ketë theksuar në konferencën shkencore se në kohën e Papa Klementit pati edhe një rilindje të arbëreshëve, ku klerikët ishin të parët që nisën të shkruajnë në gjuhën shqipe.  Një tjetër folës, Àt Mikel Pllumbaj në kumtesën “Papa Klementi dhe Illyricum Sacrum”, foli për enciklopedinë madhore me 9 vëllime dhe 5500 faqe, ku flitet për historinë e ilirëve e arbërorëve ku sipas tij edhe aty Papa Klementi XI zë vend të rëndësishëm edhe si atdhetar shqiptar. Përmblëdhjen e shkurtë të raportit mbi punimet e konferencës mund ta lexoni në faqen e Alademisë së Shkencave , përfshir folësit e tjerë. Siç vihet në dukje nga prezantimet akademike në dy konferencat jubilare me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Vatikanit dhe Shqipërisë dhe të 300-vjetorit të shkuarjes në amshim të Papës shqiptar, Klementit XI, lidhjet midis Kombit shqiptar dhe Vatikanit janë të lashta dhe vazhdojnë të përmirësohen pas periudhës së errët komuniste. Ato janë forcuar, sidomos, këto tre dekadat e fundit me vizitat e dy Papëve në Shqipëri: Papës Gjon Pali II në vitin 1993 dhe Papës Françesku në vitin 2014 dhe vizitave të zytarëve të lartë shqiptarë në Vatikan, gjatë viteve.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit

Konfrencat jubilare me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan dhe kujtimi i 300-vjetorit të vdekjes së Papa Klementit XI si dhe vizitat historike të Papës Françesku në Shqipëri në shtator 2014, ashtu siç ishte edhe vizita e Papës Gjon Palit të Dytë në prill 1993 në tokën arbërore megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, përfshir Kishën Katolike Shqiptare, qoftë për arsye fetare ose politike, tregon se në këtë jetë gjithçka ngjallet e përtërihet.  Arsyeja, e vërteta dhe e drejta megjithëse, për fat të keq kishin humbur rrugën gjatë regjimit komunist në Shqipëri, tani mund të shpresojmë se më në fund e kanë gjetur rrugën dhe vendin që u takon në token e Arbërit dhe se e mira, më në fund, triumfon gjithmonë mbi të keqën dhe që Kombit shqiptar pas 30-vjet tranzicion të mundimshëm shpresojmë që t’i hapen shtigje të reja kah liria, e vërteta dhe drejtësia e përhershme. Shpresojmë, pasi shpresa vdes e fundit.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Papa Klementi, Vatikani

SHQIPËRI-ITALI, FESTË NË LAC

April 17, 2016 by dgreca

*FESTOHET 25-VJETORI I KRIJIMIT TË SHOQATËS KOMBËTARE TË MIQËSISË E BASHKËPUNIMIT SHQIPËRI-ITALI/

*Në Laç-Kurbin, ishte një delegacion i ShShASh “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi/

Nga: MURAT GECAJ/

1.Nuk është hera e parë që përfaqësues të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Arstitëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi, bëjnë vizitë në Shqipëri. Kësaj here, ata kishin edhe një motiv më shumë për ta bërë këtë gjë, pra sollën me vete dy libra të rinj. I pari është vepra “Thesar Kombëtar i Mërgatës  Shqiptare në Suedi”, Nr.4 dhe Vepra-1 (Vlerësime, Opinione, Intervista e Recensione”, me autor Hysen Ibrahimin. Kopje të këtyre veprave ata lanë në Bibliotekën kombëtare e ua dhuruan mjaft lexuesve, si në Tiranë e Durrës dhe, sidomos, në qytetin e Laçit.

Pasi bënë vizita e takime të vlefshme dhe me interes në kryeqytetin Tiranë, ditën e djeshme ata ishin të ftuar dhe pjesëmarrës në festën e bukur, që u organizua në Laç-Kurbin, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, me president Nikollë Lleshin. Në delegacionin e ShShASh “Papa Klementi XI-Albani”, ishin kryetari i saj, Hysen Ibrahimni dhe juristja Saranda Iseni, ardhur posaçërisht nga Suedia, si dhe “Anëtarë-Nderi” të kësaj Shoqate, prof.Murat Gecaj e shkrimtari i mirënjohur Viron Kona.

2.Në veprimtarinë, që u organizua në sallën kryesore të Pallatit të Kulturës së Laçit, ishin të pranishëm anëtarë të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, si dhe të ftuar nga disa rrethe të vendit, si Tirana, Vlora, Durrësi, Lezha, Shkodra etj. Ndër ta, ishin edhe kryetari i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi dhe kryetarja e këshillit bashkiak, Edlira Lleshi; ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, Zhani Ciko; presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka; zv.drejtori i TVSH, Engjell Ndocaj; ish-kryetari i parë i kësaj Shoqate, Ylli Malaj,  Padre Gjovani, famulltar i Milotit etj

Për udhën 25-vjeçare të kësaj Shoqate foli presidenti i saj, Nikollë Lleshi, i cili u ndal shkurtimisht në veprimtaritë  kryesore, që janë zhvilluar. Gjithashtu, shfaqi mendime për përmirësimin e punës në të ardhmen. Ndër të tjera, ngriti shqetësimin për ngritjen e shkollave në gjuhën amtare për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Itali, për vazhdimin e botimit të revistës “Miqësia”, me kryeredaktor Vlash Prendin etj. Në mbyllje, ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe sponsorët, të cilat janë ndodhur kurdoherë pranë Shoqatës së tyre.

Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie festive ishte shpërndarja e “Mirënjohjeve” dhe e dëshmive për “anëtarët e nderit”, që janë pranuar në këtë Shoqatë, kohët e fundit. Kështu, me ceremoni iu dorëzuan dokumentet përkatëse: Saranda Isenit, Zhani Cikos, Amando Dukës etj., të cilët e falënderuan përzemërisht kryesinë e Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, për nderin që iu bë.

Sipas programit, që e drejtoi Isuf Myrtaj, në vazhdim, kjo festë u gjallërua dhe u bë më të gëzueshme nga këngët e vallet e bukura popullore. Ato u luajtën me shkathtësi e bukuri nga djem e vajza, por dhe të moshuar të ansamblit amator të krahinës së Kurbinit.

3.Me mjaft interes ishte, për  një pjesë të pjesëmarrësve në këtë veprimtari mbresëlënëse, sidomos për mysafirët nga Suedia, vizita në lartësinë e malit mbi qytetin e Laçit, ku ndodhet kisha e lashtë dhe e njohur e Delbnishtit. Unë, Vironi e Martini e falënderojmë përzemërsisht Pjetër Nikollën, si për shoqërimin me mjetin e tij dhe shpjegimet e bëra gjatë udhës, për historinë e kësaj ane të malësisë së Kurbinit. Ashtu si gjatë tërë kësaj feste, por sidomos aty, u bënë filmime dhe fotografi të përbashkëta, që do të mbeten kujtim i paharruar. Simbolikë e bukur ishte çasti, kur Hysen Ibrahimi dhe Saranda Iseni mbollën një ulli, në oborrin e kësaj kishe.

Pas zbritjes në qytet, kryesia e Shoqatës mikpritëse shtroi një drekë në mjediset e Hotel-Restoranit “Ambasador”, që u sponsorizua nga pronari Sandër Ndoci.

Të gjithë të ftuarit u larguan nga qyteti i Laçit, pra dhe mysafirët nga Suedia, të mbushur me kënaqësi, emocione dhe me falënderime për organizatorët dhe tërë mbështetësit e kësaj veprimtarie mbresëlënëse, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali.

Tiranë, 17 prill 2016

Filed Under: Komente Tagged With: FESTË NË LAC, Murat Gecaj, Papa Klementi, SHQIPËRI-ITALI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT