Trepça zinte vendin e dytë në Evropë me prodhimin e metaleve të ngjyrosura, ndërsa të tretin në botë.- Në thellësitë e minierave të Stantërgut ekzistojnë 20 milionë tonë rezerva të xeheve, ndërsa sipas hulumtimeve të rralla ka trupa xeheror jashtë Stantërgut në Mazhiq, Zijaq dhe gjurmë tjera, po ashtu rreth 20 milionë tonë të tjerë
Shkruan:XHAVIT ÇITAKU/
Shqiptarët vazhdimisht kanë dëshmuar para botës se Serbia në Kosovë nuk lufon për “ djepin e serbizimit”, as për kishat e manastiret që i ndërtoi mbi themelet e faltoreve autoktone ilire-shqiptare, as për “ Ditën e Vidovdanit”, as për mbrojtjen e një grushti serbësh në Kosovë, por “ miti” serb për Kosovën ishte dhe mbeti pasuria e saj përrallore mbi dhe nëntokësore, që vlerësohet të jetë mbi 500 miliardë dollarë, e sidomos “ Trepça”, njëra ndër begatit më të mëdha të Evropës dhe të botës. Po dëshmia e shqiptarëve deri vonë hasi në vesh të shurdhër dhe se argumenti më i fortë për këtë është gjendja e sotme në qytetin industrial, Mitrovicën dhe në vetë “ Trepçën”. Dihet mirëfilli nga janë kufijtë e Kosovës, prandaj dihet mirëfilli se “ Trepça” është brenda Kosovës dhe rrjedhimisht dihet se ajo është begati dhe pronë e Kosovës. Qyteti i Mitrovicës padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare dhe artificiale u nda dhe tash e një kohë të gjatë po bëhet problem. Edhe pasuria e “ Trepçës” u nda në dysh, thënë figurativisht drithi u mbeti shqiptarëve, kurse mulliri serbëve.
Të uritur mbi ari
“ Trepça” është njëri ndër gjigantët më të mëdhenj në botë. Trepça” zinte vendin e dytë ne Evropë me prodhimin e metaleve të ngjyrosura, ndërsa të tretin në botë. Në thellësitë e minierave të “ Stantërgut” ekzistojnë 20 milionë tonë rezerva të xeheve, ose punë për 40 vjetët e ardhshme. Ndërkaq, sipas hulumtimeve të rralla, si quhen ato, ka trupa xeherorë jashtë Stantërgut, në Mazhiq, Ziajq dhe gjurmë tjera, me rezerva, po ashtu, rreth 20 milionë tonë xehe. Është arritur deri në horizontin e 11 në Stantërg dhe nuk ka shenja se rezervat po shtërzojnë, na patën thënë bashkëbiseduesit tanë Aziz Abrashi, Nysret Magjera dhe Safet Merovci në nëntor të vitit 2000. Pasurisë së madhe jo rrallë popujt e vegjël ia kanë pa sherrin. Përfundimisht “ Trepçën” Serbia e ripushtoi me 1989, duke i nxjerr nga puna të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, ekspertë dhe punëtorë. Që nga ajo kohë e deri me sot, edhe pas çlirimit të vendit, popullata e këtij rajoni, që ekskluzivisht varet nga puna e “ Trepçës”, të mbesë në gjendje vëretë të rëndë dhe të mjerë ekonomike e sociale, apo siç tregohet ajo legjenda për të “ uriturit mbi dukat”.
Problemi i Mitrovicës është “ Trepça”
Menjëherë pas përfundimit të luftës, nisur nga rëndësia e madhe ekonomike dhe strategjike që ka miniera e “ Trepçës” unë dhe kolegu im Ymer Avdiu për gazetën Rilindja u munduam që sado pak të grumbullojmë të dhëna lidhur me këtë gjigant e sidomos rreth pretendimeve se kinse ka pasur investime nga firma të huaja. Gjatë vitit 1999 QPK kishte caktuar si udhëheqës të Korporatës Dr. Safet Merovcin i cili ndër të tjera na pati thënë se “ Trepça” nuk është problem i askujt dhe se çështjen e borxheve e konsiderojm të arsyeshëm vetëm deri në aplikimin e masave të dhunshme për të cilën gjë mund të bisedohet në kuadër të suksesionit të ish-Jugosllavisë. Thënë konkretisht, investimet greke e franceze ishin bërë në kohën e sanksioneve, pra kur “ Trepçën” e pushtuan arbitrarisht serbët, ndaj edhe investimi në tokë të huaj pa e pyetur të zotin është faktikisht uzurpim i padrejtë i një pasurie që nuk ka mbështetje ligjore, sepse “ Trepça” është e Kosovës dhe se vetëm kosovarët janë ata që do ta udhëheqin këtë gjigant, që do t’i gëzoj profitet dhe humbjet e saj. E kujt është “ Trepça” është një imagjinatë e atyre që pretendojnë të jetë e tyre. Ndoshta do të vjen koha që ne do t’i akuzojmë disa në gjyq që sot pretendojnë se kanë interesa në “ Trepçë”, pati thënë Merovci.
Ndërkaq, i ndjeri Aziz Abrashi, njëri ndër udhëheqësit më të suksesshëm të Trepçës” gjatë bisedës më të na pati thënë se edhe me Ligjin mbi ndërmarrjet të dalë nga Kushtetuta e vitit 1974 e Kosovës resurset ishin shpallur si pasuri të Kosovës dhe se tash mbetet loja e Milosheviqit që ka fut kapitalin e vetë përmes firmës së Rizanit dhe firmës greke, që tenton që me çdo kusht të mbaj “ Trepçën” Problemi i Mitrovicës nuk ekziston si problem, këtë e kuptojnë edhe fëmijët, por problemi është “ Trepça” dhe në momentin kur të zgjidhet ky problem dhe punëtorët t’ia nisin punës, Mitrovica më nuk do të jetë aktuale. Një pjesë të madhe të mjeteve që kanë dhënë kinse këto dy investitorë i kanë realizuar në formë të letrave pa vlerë, për të mbajtur qetësinë politike në Serbi, pa investime të brendshme, formalisht i kanë marrë paratë, kinse në Serbi kanë arritur pajimet e “ Trepçës”, që në të vërtetë kështu janë krijuar humbjet për ta shkatërruar atë. Edhe Nysret Magjera theksoi se Baza e kapitalit në fondet e Qipros, Greqisë dhe të Francës nëpërmjet të kompanive multinacionale të këtyre vendeve, edhe pse në nazë të Rezolutës së OKB-së Serbia ishte nën embargo, kapitali i “ Trepçës është bartur jashtë Kosovës. Këto kompani nuk kanë angazhuar kapital të vetin. Në mënyrë fiktive e prezantojnë kapitalin që Serbia e ka pasur në botën e jashtme, domethënë në mënyrë të kontrateve fiktive, llogarive fiktive, është paraqitur malli i shitur i “ Trepçës”, ndërsa paratë janë derdhur në kontot e jashtme që i ka pasur Serbia në emër të këtyre firmave dhe po ai kapital është dhënë në formë të kredive, apo formë investive në “ Trepçë”. Në këtë mënyrë “ Trepça” është obliguar të kthejë kapitalin e vet me interes të caktuar, pati thënë ai.
“ Trepça” punonte Beogradi ndërtohej
Miti serb mbi Kosovën, pra, ishte pasuria përrallore e saj. Ky konstatim dëshmohet më të dhëna konkrete që ashiqare i pa tërë bota. Pasi ish- Kryesia e RSFJ-së shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, udhëheqja serbe pa fije turpi të njëjtën metodë filloi ta aplikoj edhe në kolektiva punonjës në mënyrë që të përfitoj sa më shumë para për të mbajtur gjallë regjimin dhe qetësinë politke e shumë më tepër të derdhte mjete në fonde private, që ishin hapur, sidomos në Qipro. Cak i parë i këtij sulmi të vrazhdë në ekonominë kosovare ishte pikërisht “ Trepça”, e cila me kapacitet disponuese të vitit 1989 mbante primatin e prodhuesve më të mëdhenjë. Nuk diti udhëheqja serbe apo deshi që ti fsheh marifetlleqët e veta duke i dëbuar nga puna të gjithë shqiptarët, pa të cilët siç u pa më vonë nuk arriti të bëj asgjë , përkatësisht nuk mundi të eksploatoj minierat e pasura me xehe, pos disa shtyllave mbajtëse, që shërbenin për sigurinë e horizonteve dhe të vetë minierës së Stantërgut.
Deri në vitin 1989 Trepça ishte shtyllë më e rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe të pjesëve tjera të ish-Jugosllavisë, ngaqë ky gjigant me 21 mijë e 500 punëtorë arrinte të krijonte mjete të mëdha për vete dhe të tjerët. Dhe nuk duhet harruar protestat e studentëve shqiptar nga viti 1968 kur thonin shtruar se “ Trepça punon- Beogradi ndërton”. Pra, pos ndërtimit të Beogradit me mjetet e Trepçës u ndërtua edhe fabrika e industri të tëra në Serbi, Mal të Zi dhe Vovodinë. Po përmendim fakte për pronësinë e Trepçës jashtë Kosovës:miniera me flotacion “ Rudnik”, Bobo Lubonja, industria e baterive në Sombor, ndër më modernet në Evropë, që janë të aktivizuara në Serbi dhe Vojvodinë dhe dy miniera në Mal të Zi. Vlera e këtij kapitali të investuar kap një shumë të madhe dhe shi për këtë do të ishte më së e domosdoshme që ato mjete të kthehen, sikurse që kontesti gjyqësor ishte duke u zhvilluar rreth minierës së Bllagodatit, e cila ishte shkëputur nga gjiganti kosovar me insistimin dhe mbështetjen e ish- kryetarit vtë Serbisë Dragosllav Markoviqit. Për të gjitha mjetet e investuara ekziston dokumentacioni përkatës, na patën thënë në “ Trepçë” dhe për të gjitha investimet që ka bërë Trepça jashtë Kosovës do të hapen arkivat dhe të dëshmohet qartë se edhe Kosovës do të duhej t’i ktheheshin pasuritë që me djersën e punëtorëve i kishte investuar pa u pyetur në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë e më së shumti në Serbi. Pra, Kosova nuk i ka asgjë borxh Serbisë, përkundrazi ky shtet grabitqar duhet të kthej gjithë atë pasuri të madhe që e ka fal gjigantit kosovar “ Trepçës”.
*XHAVIT ÇITAKU, eshte bashkepunetor i Gazetes “Dielli”