• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME ËNDËRRËN E KAHERSHME, SËRISH NË PRIZREN

June 1, 2017 by dgreca

Kalaja e PrizrenitNga Pëllumb Gorica/
1 Shtepia Historike   Nuk jemi shtegtarë si zogjtë për t’iu përshtatur stinëve të vitit në trojet andej e këtej që kanë ndjeshmërinë e gjakut tonë etnik shqiptar. Ndaj, me gëzimin e kapluar, unë dhe miq të mi udhëtojmë drejt Kosovës, një ëndërr e kahershme e çdo shqiptari. Një diell i ngrohtë me rreze të arta që shpërndan një ndriçim mbi natyrën përreth na përshëndet me mesazhe frymëzuese. Rruga që, herë turret gjarpëruese faqes së kodrinave me pemë vende-vende të dendura, herë pushtohet nga fushat me hapësira të gjera e të gjelbëruara, të shoqëron pas çdo kilometri udhëtim e të dhuron një përjetim ndryshe. Qartësisht nga dritaret e makinës sonë, me kanatë hapur e me sytë depërtues, të kap një emocion i beftë, sepse para syve të jepet mundësia të sodisësh e vozisësh kalimthi ndërtimet e rrethuara me gjelbërim, të cilat të rrëmbejnë vështrimin e të çlodhin.  Por ne i shijojmë këto bukuri natyrore edhe përtej tyre, ku trajtat e maleve, me cipë dëbore në majë shpërfaqin pamje të tjera që me të vërtetë të mahnisin. Ndaj e adhuron të bukurën e peisazhit mbresëlënës, sidomos në një ditë të tillë pranvere, ku e ndjen edhe kundërmimin joshës të stinës. Këtë e paraqesim edhe si dëshmi se Kosova e bekuar ka pasuri të shumta ujore, lumenj të rrjedhshëm dhe fusha të gjëra, muzera mahnitës natyrorë, male dhe qytete me një arkitekturë impresionuese.

Hamami

Herë pas here të shfaqen lapidarë përkujtimorë, që janë historia më e re dhe më e dhimbshme e kësaj toke. Janë epose dëshmorësh dhe dhimbje shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella.

Diku ndalojmë për pak çaste pranë këtyre memorialëve të lartuar në nderim të gjakut të derdhur dhe viktimave prej çmendurisë serbomadhe; për të ledhatuar e vendosur një tufë lulesh, por edhe për të vështruar më pranë pamjet, si edhe për t’i memorizuar ato, gjë që e bën udhëtimin të këndshem.

Ura e GurtëDuke zhbiruar copëza historie

A e kishte caktuar historia që këtë tokë, këto troje arbërore, të na i shkëpusnin me dhunë grabitqarët e pangopur, qysh një shekull më parë ? !

Sot ndjen mrekullinë më të madhe, kur ata shqiptojnë fjalët: “Tani jemi bashkë, jemi të pandarë, jemi një komb”. Kosova u kthye në kështjellë të shqiptarisë e “gjuhës së zjarrtë”, siç thotë poeti ynë kombëtar, Naimi.  Këtu, në këtë vend të shenjtëruar, kanë çjerrë namin e nishanin mijëra armiq historikë të kombit shqiptar. Dhe jehojnë përjetësisht ngjarje për gjakun tonë të derdhur, ku në çdo majë kodre, dru e gur, ka një histori për të treguar, një këngë për të kënduar, një mesazh trimëror për t’ua përcjellë kohëve dhe breznive…

Duke zhbiruar këto copëza të historisë, duhet thënë se ato ishin bubullimat e një stuhie në qiellin e Kosovës, të cilat kanë vrapuar me një shpejtësi të madhe, si të ishin vënë në garë me njëra – tjetrën. Më pas shtrëngata e furishme e fundshekullit të kaluar që zgjati kohë, me mobilizimin e djemve dhe burrave deri sa Bota u bë e ndërgjegjshme, duke ndërhyrë për të ndalur furinë e makinës vrastare serbe e cila përpiqej të robëronte dhe shkatërronte gjysmën e kombit shqiptar.

Shekulli i kaluar, që humbi qetësinë, na mban pranë kujtesën mes kërcëllitjeve të ujqërve serbë, duke  u lenë vendin trallisjeve të tyre që shtoheshin tej mase e derdheshin nëpër rrugët e qyteteve dhe vendbanimeve, me ulërima e thirrje histerike kundër Shqipëtarëve. Ajri atëherë u bë më i rëndë, sa që mezi mbushej  me frymë njeriu, koha dhe vendi. Serbët lehnin dhe skërmisnin dhëmbët, si pasojë e një egërsie të thepave nga vinin. Nuk mund të hiqen nga memoria e kohës raprezaljet e shumta ndaj popullsisë shqiptare për t’i përzënë nga trojet e  veta, por edhe pamjet e krimeve monstruoze, të torturave, dëbimeve, të pushkatimeve në rrugë, shtëpi, pyje dhe përrenj, të familjeve të tëra, me fytyrat e përvuajtura të mijëra prej tyre, të cilët u shpërndanë në të gjitha trojet e tjera shqiptare. Më  kanë treguar se si brenda një nate thuajse shumica e tyre e kanë braktisur Kosovën duke lënë gjithçka, sepse do te sulmoheshin prej çetnikëve serbë.

Kosova gëzon sot pavarësinë, duke jetuar e lirë në trojet e lashta, këtu ku liria më shumë se kurrë ka marrë të tjera përmasa drejt realitetit për një Shqipëri natyrale. Flamuri i kuq si gjaku valvitet në çdo shtëpi, ku çdo palë e tij si dallgët e kohërave të rrepta, flet aq shumë; tashmë për mijëra shqipe me fletë që vunë shpirtin e tyre të paepur në themel të shtetit të ri të Kosovës.

Prizreni, qyteti simbol i historisë

Nëse udhëton në qytete të njohura të Kosovës të ndizet dëshira, për të rrokur e për të prekur më shumë historinë, të lidhur me ngjarje madhore të atdhetarizmit shqiptar dhe vlerat e tyre monumentale, por edhe panoramat, të cilat nëna Natyrë i ka krijuar si një prehje e këndshme e dehëse, që të çlodhnin e të magjepsin. Prizreni, i shtrirë në shpatet piktoreske të Sharrit, të sjell në çdo hap shpalosjen dhe të bën të ndjehesh ngrohtë si në shtëpinë tënde, ku ruhet me fanatizëm historia, arkitektura, traditat, kultura…

Për historinë e Prizrenit është shkruar prandaj, që të përsërim ato që janë thënë, do të kufizohemi, duke i hedhur një vështrim të shkurtër.

Prizreni një qytet muz,e magjik, ashtu sikundër ka qënë gjithmonë ka historinë të lashtë e cila vjen nga koha e Ilirëve, me fillesa në periudhën Iliro – Dardane dhe Bizantine, duke vazhduar  si një nyje rrugore dhe qëndër ekonomiko – administrative në shekujt e pushtimit turk, me kontribut të veçantë historik në çështjet madhore të kombit.

Për ta njohur më mirë në brendësi këtë qytet të bukur dhe me një histori të lashtë nuk mjafton një ditë, sado e gjatë.  Ai të shfaqet më i mrekullueshëm dhe joshës se herë të tjera e kjo ndjehej nga gjallëria e lumit të turistëve, por edhe nga zhurmimi i tingujve të një muzike, si cicërima zogjsh që vinte nga larg. Të admirosh mrekullitë e qytetit në tërësinë e tij, përveç të tjerave, ato që të befasojnë janë monumentet natyrore. Në lagjen e Marashit gjendet një rrap madhështor e pranë tij Lumëbardha, që gurgullon e tejmbushur nga ujërat dhe potershëm nga shirat si gjithë lumenjtë malorë; me urat e shumta ndanë mes për mes qytetin në dy pjesë. Banorët e Prizrenit të rrëfejnë jo pak histori në lidhje me këto monumente dhe të fusin në të fshehtat e tyre interesante, të mbushura me çudira. Ne sydashuruar i kundrojmë anekënd me kënaqësinë e pamatë që provon kushdo i cili është para pamjeve të tilla.

Vepra të shumta arti, basorelieve dhe buste që u kushtohen figurave të njohura të qytetit i ndesh në çdo shesh, në rrugë e parqe. Në një shesh të vogël përballemi me bustin e Musa  Shehrzades, përfaqësues i Lidhjes së Prizrenit dhe teqen ku ai sherbeu.

Por, duke ecur nëpër rrugëza të kalldrëmta, dredha-dredha e anash tyre ndërtime dy – trekatëshe me motive midis së bardhës dhe së verdhës së mureve, sup më sup me njëra tjetrën e çatikuqe, ndeshemi një arkitekturë tipike, ku menjëherë bien në sy vlera monumentale.  Ndaj nuk mund të mos emocionohesh kur vështron jo pak ndërtesa të stilit oriental: xhami të shumta me minare, hamame, ura me pamjet e tyre kaq mbresëlënëse që të bëjnë t’i admirosh gjatë. Veçse po dëshmohet se ka rendje në emër të modernizimit të çdo hapsire, por, për fatndërtimet e vjetra, që nuk janë të pakta, po i rrezistojnë shkatërrimit e e betonizimit. Gjithsesi, të ndërthurura me ndërtime moderne ato tregojnë më së miri se prizrenasit janë ruajtës të historisë në respekt të vazhdimësisë dhe traditës artizanale.

Nuk mund të mos emocionohesh kur kalon Urën e Gurit të ndërtuar së pari në shekullin XV. Për Prizrenin, si një udhëkryq tregtar, ura i shërbeu më së shumti qytetit, por, duke mos i përballuar vërshimet e lumit, pësoi dëmtime dhe u shkatërrua plotësisht. Kështu ajo rindërtohet sërish para 40 vjetësh dhe, për vlerat arkitekturore, është shpallur monument kulture; ashtu si Xhamia e Sinan Pashës, e cila është një nga më të vjetrat në këtë qytet, ndërtuar  aty nga viti1600. Pak më tutje, arkitektura mrekullisht e bukur e Xhamisë së Bajraklisë të tërheq vëmendjen. Ndër të rrallat ndërtesa karakteristike me arkitekturë të jashtëzakonshme është edhe Hamami në qendër të qytetit. Mahnitëse është pamja e mjediseve të brendshëm dhe e 9 kubeve. Është unikal në llojin e vet.

Kalojmë pranë Gjashtë Çezmave për të cilat tregohet një histori interesante e cila vjen nga thellësitë e shekujve dhe në çdo kohë ruan një vlerë të veçantë; Gratë që nuk mund të bëheshin nëna vinin këtu, duke besuar se ajo u sjell shtatzaninë. Aty pranë është edhe Mulliri i Pintollit. Sa histori mban mbi vete ky mulli i lashtë! Sikur të kishte gojë e të tregonte ç’ka parë në kohëra të shuara!

Vlera dhe vetëm vlera që të emocionojnë.

Një frymë e gjërë madhështie të shoqëron, ngado ku ecim mes historisë e legjendës në Prizren. Me kërshërinë për të parë këto vende historike, që lidhen me historinë tonë kombëtare, këmbët na çojnë në kompleksin monumental të Lidhjes së Prizrenit rindërtuar pas djegies në vitin 1999 prej shovinistëve  serbë, të cilët shpresonin se me këtë shkatrrim do të fshihej kujtesa. Por, ta rindërtosh të njënjtë pas shkatërrimit, do të thotë ta shndërrosh në një mbivlerë për brezat që do të vijnë. Si një obelisk i rëndësishëm historik i gjithë shqiptarëve, kushdo që shkel këtu patjetër prek historinë me dokumente autentike, ngjarje, emra, buste, piktura, data, faksimile dhe relike të ngjarjes së madhe historike e cila ka marrë vlera të tilla kombëtare.

Kalaja ngrihet mbi majën e një kodre epike dhe  zotëron një pamje të gjerë, si një ballkon natyror, rrethuar nga gjelbërimi. Ajo, si pjesë e hershme e historisë së këtij qyteti dhe një nga simbolet e tij, me konstruktin ndërtimor, por edhe me vendosjen, të imponon ta vështrosh me kërshëri nga larg. Historianët kanë vlerësuar të rëndësishme kalanë e Prizrenit e cila, duke i rezistuar rrebesheve të kohës; ka reflektuar me anë të dëshmive të Parahistorisë e më vonë mbijetesën  e banorëve të hershëm në këto troje.

E ruajtur mirë dhe e mbrujtur me histori e legjenda, pa diskutim ajo e të tjera kujtesa historike në morinë e vlerave epike të Prizrenit janë marrë në mbrojtje të veçantë nga institucionet përkatëse të Kosovës, duke u vënë mrekullisht në shërbim të vizitorëve. Krenaria dhe kënaqësia e pasqyruar për të kaluarën e gjatë historike asnjëherë nuk është e tepërt…!6 çezmat                                                   ******

Dëshira për të vizituar qytete e treva të tjera është e madhe, por koha s’na mjafton. Sa dëshirë do të kishim që orët të bëheshin ditë, ditët muaj, muajt vite dhe vitet shekuj. Por është një gjë që nuk varet thjesht nga ne. Rëndësi ka që Kosova sot është e lirë.

Largohemi me dëshirën për të ardhur përsëri, sepse etja për të vizituar këto treva të Lashtësisë e krenarisë shqiptare nuk ka për të sosur kurrë. Ne nuk jemi shtegtarë për në trojet tona, as thjesht adhurues, por të lartojmë dhe të evidentojmë këtë krenari e këto vlera të merituara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Pellumb Gorica, SËRISH NË PRIZREN

JANINA TË DEH ME AROMË HISTORIE SHQIPTARE

May 5, 2017 by dgreca

  NGA PËLLUMB GORICA/3 Janina  Është kënaqësi të nisësh një udhëtim të gjatë, kur qyteti ende s’është zgjuar dhe kur pret që erërat e Jugut të të thërrasin për së largu. Po udhëtoj drejt kufirit grek, nën një qiell të shndritshëm, të nënshkruar  vende- vende nga trille resh të bardha.

1 ok Janina

 Miqtë, që kishin vizituar edhe më parë, më kishin lëvduar natyrën e bukur të Janinës dhe shekujt e historisë së saj, ndaj edhe më tundonin bisedat e tyre. Megjithëse dëshira ka qënë e kahershme për ta parë, ca nga pamundësia e pak nga preokupimet e jetës, e kisha shtyrë për një kohë tjetër. Veçse vjen një ditë që e shkel dhe njeh nga afër historinë e saj. Duke përfytyruar gjithë thesaret që mban ky qytet i njohur, kjo dëshirë u ndez  më shumë në udhëtimin prej dhjetra  kilometrash drejt saj, së bashku me udhëtarë të tjerë, në autobuzin shumëvendsh e komod, i ngjashëm me një shtëpi të ngrohtë dhe të dashur.    1 xhamia

 Rruga dhe ndalesat më miqësuan me mjekun Llluka Heqimi, shkrimtarin Abdyl Bakiu, Aida Metin të apasionuar pas udhëtimeve e Afred Kopanin nga Elbasani dhe kësisoj më pas çdo gjë ishte e këndshme. Secili tregonte diçka rreth së kaluarës dhe së tashmes së Janinës, por, kur kalon doganën e Kakavisë biseda përqëndrohet në fenomenin e natyrës së zhveshur këtej dhe kodrat e pyjet e gjelbëruara andej si në përrallë, të cilat parakalonin mes freskisë së këndshme nën këmbë malesh. Prilli me harlisjen e tij të bën ta adhurosh më shumë këtë stinë. Kjo dehje e Natyrës, e mbështjellë me kurreshtjen për këtë tokë të shkëputur padrejtësisht në vitin 1913 nga fqinji ynë, Greqia, më pushtoi emocionet.  

                                    Simbolikë historike

Ndërsa makina i afrohej Janinës, sytë humbën në detin e ndërtimeve të gërshetuara midis të shkuarës  me të sotmen. Në mendje më erdhën fjalët e këngës: “Janinës ç’i panë sytë”. Qyteti i shtrirë në konture kodrash të gjelbëruara dhe i mbështjellë nga një aureolë drite prej pamjes piktoreske të liqenit Pamvlotis, në mes të të cilit gjendet ishulli, të deh me aromë stinësh; ndaj lodhja e udhëtimit të gjatë tjetërsohet. Pikërisht pozicioni i favorshëm pranë liqenit dhe rrugës së lashtë që lidh detin me pjesë të tjera të territoreve, bëri të mundur ngritjen e tij. Fillesat e saj Janina i ka në kohën e Bizantit e rrethuar nga jo pak vendbanime Antike, të cilat kanë lënë gjurmë, si pjesë e kulturës së lashtë dhe dëshmi të hershme të jetës njerëzore këtu. Pak kilometra nga qyteti i Janinës ndodhet Dodona Pellazgjike me shkallët e stërlashta, ku dikur janë luajtur kryeveprat e Lashtësisë Greke, tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, etj.

1 JaninaI zhytur thellë në meditime, me gjithë kohën e pamjaftueshme për të shkelur anëkënd qytetin dhe për të përthithur  me të rrokshmen nën rrukullimën e përjetimeve, nuk mund t’i lejoj vetes kurrsesi të tregohem shpërfillës ndaj ndërtimeve arkitekturore që të shpërfaqen aty, të cilat janë ruajtur aq mirë, të lidhura me ngjarje dhe emra. Por, kur ndodhesh para këtyre vlerave të lashtësisë, unë zë t’i lidh me ato që kam lexuar. Diku i has dhe ndjej kënaqësi, por shpejt e kuptoj se njohuritë e mia janë të pakta e më duket krejt e arsyeshme të eksploroj më shumë nëpër përmasat e thella të historisë së saj, mbi të tashmen dhe gjenezën, i bindur se duart e artistëve të huaj kanë lënë shumçka edhe nga kultura e tyre.

 Ajo që përbën një nga pasuritë e rëndësishme historike dhe të zgjon aq shumë interes  mbi çdo gjë tjetër, është  kalaja madhështore. Sa shumë legjenda dhe tragjedi i rrethojnë konstruktet e saj. Kalaja e njohur që në shekullin IV para Krishtit e ndoshta më herët e kthyer sot në një qëndër turistike, aty buzë liqenit, duke i tërhequr aq shumë vizitorët, jo vetëm me pamjen, por edhe me përzjeierjen magjepsëse të qytetërimeve. Dhe kjo duket qartë nga struktura solide e ambienteve me jete aristokrate në kohëra, diku-diku të shkatrruara nga flaka e luftërave. Vështron parrëfyeshëm muret e larta, xhamitë, kishat e ndërtimet e vjetra si dëshmi që i rezistuan kohës, pikëvendodhjet e tyre, edhe duke e ndërprerë një çast ecjen për t’i soditur. Kurreshtja bëhet më e papërmbajtshme kur atë e tret mbi kullën e madhe të sahatit, në rrugicat me gurë të gdhendur që kryqëzohen nëpër objektet e hershme, si edhe në pjesët e mbetura nga topat, gjylet, kolonat dekortive të gdhendura në kohëra të ndryshme, aty ku gjendet varri pa kokë i Ali Pashë Tepelenës. Krejt pa dashje të vjen në mend frëngu Pukvil me përshkrimet e tij.

  Marrim rrugën në pikën më dominuese të  kalasë, drejt xhamisë, që prehet e heshtur mes shkëlqimit verbues të diellit e kthyer në muze bizantin. Ajo shquhet për arkitekturë dhe mendohet se i përket ndërtimeve të shekullit  XVI. Xhamia të prezantohet me kube të vogël e me një minare të lartë, por më së shumti e veshur me dekoracione murale. Vizitorë të shumtë enden nga njëra  kthinë në tjetrën duke vështruar reliket, antikuaret, ormanentet dhe zbukurimet e shumta të disa periudhave. Ato të ekspozuara me fanatizëm, me kuptim dhe peshë të madhe, të fusin thellë në kulturën e shekujve të Janinës, por edhe të çojnë si pa u ndjerë në një kohë tjetër.

 Pranë ndërtimeve të ronitura të shekullit të kaluar, të njohura ndryshe si Lagjet e Vjetra,  të cilat shquhen për uniformitet, sytë kërkojnë  “Zosimean”, gjimnazin e famshëm të Janinës, të cilësuar si “Shkollë e Madhe e Kombit”.  Gjimnazi “Zosimea”, tepër i rëndësishëm për vlerat njerëzore e kulturore të dhjetra figurave të njohura shqiptare të fushës së artit, kulturës e politikës që studiuan aty. Le të përmendim: Konstandin Kristoforidhin, Jani Vreton, Naim, Sami e Abdyl Frashërin, Ismail Qemalin, Zenel Gjolekën, Hasan Tahsinin, Ali Asllanin,  Abedin Dinon, Mustafa Krujën, Qazim Mulletin, Sylejman Delvinën, Sali Nivicën, Myfit Libohovën, etj.Nuk gjen fjalë të tepërta për të përshkruar emrin e kësaj shkollë, që ka rrezatuar në kohërat e këtij qyteti, si një nga vatrat me vlera historike, ku nëpërmjet saj përçoheshin aq shumë ndjenjat shqiptare, por nuk duhet harruar koha kur u hap, në lulëzimin e madh të Pashallëkut të Janinës dhe me kontribut të veçantë të Ali Pashë Tepelenës.

Është në interes të përmendet fakti që Janina në shekujt e XVIII dhe IX ishte kryeqendra e Jugut (Pashallëku i Janinës) e territoreve shqiptare. Ishte koha kur Perandoria Osmane krijoi Pashallëqet Autonome të sistemit të saj administrativ dhe Janina, është e lidhur pazgjidhshmërisht krahas të tjerash me emrin dhe sundimin e Ali Pashë Tepelenës si pasha i saj. Ai këtu kaloi një pjesë të jetës së tij mes dashurisë edhe si histori pasioni. Janina ishte një nga tre pashallëqet shqiptare me zhvillim dhe vlera kulturore të kohës. Greqishtja asqë njihej këtu dhe gjuha jonë i kishte rrënjët thellë në të kaluarën e identitetit tonë. Një dëshmi e këtij zhvillimi ishte zejtaria dhe tregëtia.

 Janina në fillim të shekullit të kaluar përjetoi luftime të ashpra dhe të përgjakshme. Duke hedhur dritë mbi këto ngjarje, është mirë t’i referohesh sa më shumë fakteve rreth shpërfytyrimit të këtyre territoreve. Është kjo një nga ato të vërteta të hidhura që dihen, si një pjesë e historisë së këtij qyteti dhe e luftës së shndërruar në kurthe vdekjeje për qindra luftëtarë shqiptarë, të cilët, me qëndresën vetmohuese, sakrifikuan edhe jetën për të mbrojtur qytetin nga Grekët dhe, ku shpënguljet masive të Çamëve myslimanë drejt Turqisë morën një hov në mesin e shekullit XX.

 Politika diskriminuese ndaj shqiptarëve çamë është e dhimbshme, e cila pasoi edhe më vonë me një genocid të pashoq ndaj tyre, por ajo që e bën të prekshme këtë dhimbje është sëmundja e mendjeve të qorrollespura greke.  Spastrimi etnik i këtyre territoreve është dhe mbetet plagë edhe sot. Dhe Evropa që bëhej shurdhemece asqë donte të dinte për Çamët, duke u besuar dinakëve grekë. Unë nuk kam ndërmend të shkruaj më shumë, sepse nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, por mund të shprehem se, pa kurrëfarë mëdyshje për aq sa dihet tashmë, duke dashur të mos besosh, Grekët e kanë falsifikuar historinë,  gjë që duket sheshit, sepse ushqejnë edhe në Mijëravjeçarin e tretë idenë e një politike intensive në emër të Epirit, për të thënë se ende  ka një klimë acaruese. 

 

                    Rrëfimi i bashkmoshatarit emigrant

 

  

  Ecim mes Natyrës që ka derdhur artin e saj në liqen, ku, buzë tij edhe dora e njeriut ka krijuar ambiente të bukura.Rrjedha e kalimtarëve të shumtë që shëtisnin e të tjerë teksa nxitojnë për diku mbushte ajrin me zëra të gjuhëve të ndryshme, duke i dhënë një tjetër atmosferë qytetit. E ndjen kështu veten të zhytur në këtë kakakofoni, por befas një muzike shqiptare që vinte nga një kafene e vogël na tërhoqi drejt saj menjëherë. Sapo u ulëm dhe ishim gati të porosisnim një kafe dikush më thirri në emër. E kthej kokën dhe m’u rikujtua menjëherë ajo fytyrë, edhe pse kishte ndryshuar aq shumë. Solla ndërmend shikimin e tij… Ishte ai, Idajeti nga Mallakastra, miku i viteve të Rinisë. U përpoqa të fsheh emocionet e çastit, por ai më përqafoi me gëzim dhe nuk pushoi së më pyeturi për miqtë tanë. U zhytëm në kujtime, sigurisht në ato më të veçantat e që na sillnin aq shumë mall. Më pas rinisëm bisedën për hallet tona. Tregon se jeta këtu ka rrjedhur si uji në shtratin e një lumi të rrëmbyeshëm, herë me valë e herë me dallgë. Në Janinë ka nisur jetën bashkshortore dhe aty i kanë lindur fëmijët, që tashmë janë bërë burra. Herë me punë e herë pa punë, çdo gjë e ka ndërtuar me djersë, duke hapur dhe biznesin e tij, këtë kafene të vogël, mes vështirësive që po kalon Greqia sot, ku më së shumti mblidhen shqiptarë. Megjithatë ai nuk harron dhe kujton udhëtimim e parë për në Greqi, në një rrugë të ngjashme si e milingonave të cilat nisen për të kërkuar ushqim larg. Këtu, ku çdo gjë ishte e huaj; gjuha, peizazhi, njerëzit, ai u vendos dhe nisi jetën e re. Sepse kjo udhë ishte për të ndryshuar jetën e mundimshme e të varfër. Emigracioni ka lënë gjurmë, jo vetëm në pamjen, por edhe në bisedat e tij.

 -Atdheu ynë ende nuk është gati të na mbajë -thotë ai me keqardhje.

Eh, ndaj u detyrua si qindra të tjerë të ecë drejt Greqisë, më këmbë netëve nëpër male, pyje e lumenj dhe rrugë e pa rrugë ashtu si jo pak që humbën jetën.

   Më kujtohet kalimi i kufirit ato ditë kur ai u nis. Ndoshta tepër i vështirë, sepse nëpër faqet e gazetave dhe në qëndër të emisioneve televizive bëri bujë vrasja e dy ushtarëve dhe një oficeri shqiptar në një postë kufitare afër Kakavisë nga bandat greke. Ai e kujton shpesh këtë udhëtim, që është ende i gjallë, sikur ka ndodhur dje, ndaj nuk i përmbajti emocionet që rridhnin nga vetëdija e tij.

 – E kalova kufirin, – thotë ai, – natën së bashku me dhjetra të tjerë, me një trastë ushqimesh të thata dhe pak veshje të vjetra për ndërresë, por me zemër të ngrirë prej frikës së policisë greke. Ishte një kohë e keqe atë natë. Dukej se edhe qiejt ishin çarë. Ecja i lagur deri në palcë nga shiu pa mundur të gjeja vend ku të fut kokën. Të nesërmen kaluam në një qytet të vogël dhe u çudita me bollëkun, ndriçimin, pastërtinë dhe ndërtimet që më bënë aq shumë përshtypje. Kështu e më bukur është gjithë Greqia. Punova ca ditë aty të mbaja frymën gjallë e më pas udhëtova në Trikalla. Por erdhën kohë që lëvizja e lirë drejt Greqisë bëri të mundur të udhëtohet në kushte komode; gjithsesi nuk duhen harruar ato vite dhe sakrificat e shumta.

  Ajo kafe me Idajetin me shijoi më tepër se çdo kafe e servirur në lokalet luksoze të Janinës dhe zgjoi aq shumë emocione, kujtime, mall, në këtë kohë, kur emigrimi jo pak prej miqve tanë i ka shpërndarë nëpër  Botë, sepse respekti është një nga vlerat njerëzore. Nuk ndodh shpesh që jepet me dashuri e përkujdesje, por pikërisht këtu në Janinë e përjetova ndryshe.

   

                              

              Ishulli i ditëve të fundit të Pashait

 

 Morëm rrugën për më tutje mes grishjes së kësaj lashtësie, por asnjëri prej nesh nuk e vuri në mëdyshje vizitën në ishull, si një arsye më shumë për të të vizituar muzeun e Ali Pashë Tepelenës. Ishulli shfaqej së largu ngjyra-ngjyra si një ndër vendet e parapëlqyer nga turistët. Natyrisht të ngazëllon liqeni nën një sfond me re që lëvizin drejt lindjes dhe përthyhen aty, si një pikturë gjigande, por sidomos varkat dhe anijet e vogla që lundrojnë, ashtu si pulbardhat tufa -tufa të cilat fluturonin e të zhyteshin në ujë për të kërkuar ushqim. Ndërsa rrepe degëshpërndarë si gishtrinj, buzë liqenit, të dhurojnë përshtypje të tjera nga ky qytet hijerëndë e me një natyrë emotive.Ndaj është një mrekulli të jesh dëshmitar i këtyre çasteve magjike.

Anija lundron drejt ishullit dhe timonieri i saj, një grek trupmbushur, të tregon legjendën që lidhet me mbytjen e 17 grave janiniote prej Ali Pashë Tepelenës, i cili, duke parë degradimin moral të qytetit, urdhëroi vdekjet e tyre në një natë dimri. Aliu duke qënë i i pamëshirmshëm ndaj veseve të shoqërisë, vendosi rregull e rend dhe u bëri rezistencë Turqve në Pashallëkun e Janinës së bashku me të tjerë shqiptarë: Zylyftar Podën, Ago Vasjarin, Omer Vrionin, Tahir Abazin, Tafil Buzin, etj. Me natyrën e mprehtë e kryengritëse që zotëronte, ishte edhe tepër  madhështor në sytë e atyre të cilët në Janinë drejtonin misionet diplomatikë të Perandorive Evropiane, duke e cilësuar atë si Luani i Janinës. Kjo madhështi nuk ndërfshihet kurrsesi e cila ka frymëzuar poetë, shkrimtarë, studiues historie, piktorë, aktorë, më së shumti të huaj, ta përjetësojnë si emër mitik.

 Teksa zbresim në breg, sytë e mi ndjekin vijëzimin e kalldrëmt me ndërtimet arkitekturore të vjetëruara rreth e qark, që të tërheqin vëmendjen menjëherë. Por kurreshtja që më kishte pushtuar bëhej më e thellë nga hapat drejt  Manastirit të Shën Pandelejmonit, i përshtatur si muze. Ndaj dhe ndjej se kam ardhur enkas për të takuar Aliun dhe historinë e lavdishme të Janinës.

 Në fund të rrugicës së ngushtë, e cila të shpinte në derën e muzeut, aty- këtu është e pamundur të bëj qoftë edhe një hap para pa ndeshur antikuarë e ormanente, që janë aq magjike, të ekspozuara nëpër dyqane e stenda. Nuk e di pse më rëndohet hapi në këto çaste.

 Brenda muzeut heshtja mbizotëron dhe sikur e ka hermetizuar historinë e Ali Pashë Tepelenës  me ngjarje të kristalizuara aq qartë. Shtangem përballë topit dhe armëve të lara me flori, por edhe nga gjithçka tjetër që rrëfen betejat me prijësit, atributet e veçanta, të cilët të ngacmojnë aq shumë e të ringjallin kohën dhe personalitetin e Aliut me pushtet të gjithanshëm.

Sytë i përqëndroj mbi sofrabezët e kuq, që më verbojnë me fuqinë mahnitëse të tyre dhe që i tërheq aq shumë vizitorët e huaj me fotot, portretet, veshjet, pikturat ikonografike, dokumentet e një mori dëshmish të ruajtura e të radhitura bukur. Ato të krijojnë kështu magjinë e befasisë art; porse nëpër stenda, vitrina, kthina, qeli me lagështi, është e stërzgjatur paraqitja e objekteve fetare ortodokse e të tjera të cilat kanë të bëjnë me Revolucionin Grek të vitit 1822.Midis dhjetra portreteve, ajo e Aliut mjekërbardhë me Vasiliqinë më merr shikimin e më mban mbërthyer. Dhe, ndërsa e vështroj, ndjesitë e mia përshëndeten nga një jehonë zëri, si dikur kur ushtonte heroika e tij me një fund paksa tragjik.  

 Por ajo që më bëri më tepër përshtypje është kur ciceroni i muzeut tregoi reliket dhe mbishkrimet greqisht, kur tenton t’u ik të vërtetave shqiptare, duke i cekur kalimthi ngjarjet që kanë lidhje me shqiptarë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë të thella, pa denjuar për të thënë edhe disa fjalë për secilin prej tyre. Sepse kjo Grekëve nuk u pëlqen ta rrëfejnë, dhe të pranojnë faktin që ata ishin dominues në veprimtarinë e këtij qyteti dy shekuj më parë. E pafalshme kjo, kur Historia Botërore flet ndryshe dhe kur atë Grekët tentojnë ta privatizojnë.     Ku janë të dhënat për shqiptarët, pyeta dhe nga ciceroni nuk mora përgjigje; vetën ngritje supesh. Ndaj, është detyrë për ne shqiptarët që për çdo gjë e cila i përket historisë sonë duhet të reagojmë me kurajo sa here që ndeshim  mohime dhe heshtje të tilla të qëllimta.

                               *  *  *

 Një tufë re zë e tërhiqet nga liqeni kur ne zbresim nga anija. E lemë pas krahëve Janinën e historive të mëdha dhe të pashait gjëmimtar, sepse do të na duhej të udhëtonim drejt qyteteve të tjera të Greqisë. I dhënë pas historisë dhe bukurive natyrore, orët e kësaj dite s’di se si më fluturuan aq shpejt me plot kënaqësi, saqë është e vështirë t’i përshkruaj të gjitha përshtypjet. Por do të kthehem sërish këtu, sepse se mbi gjithçka kujtimi i pashait të madh më josh me madhështinë e tij.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: arome shqiptare, Kanina, Pellumb Gorica

NË KORAB, NË KRESHTËN QË PUTHET ME QIELLIN!

March 31, 2017 by dgreca

Liqeni i Zi17342861_10206709756782933_5517090294314920513_nAlpinisti Fation Plaku

 NGA PËLLUMB  GORICA/

1 Gjatë një pushimi1 Korabi 12 Korabi

Lumturinë e vlerëson kur përballesh me udhëtime-Jean Sasson/

      Ka rrugë të cilat nuk maten me kilometra e orë udhëtimi, por me mori impresionesh dhe emocionesh që të falin ato. Ndaj, kur rrugëton, ashtu si uji që rrjedh e gurgullon në shtratin e vet duke lenë pas rrugë të shkelura në kërkim të atyre të reja, te Natyra çdoherë gjejmë qetësi e kënaqësi. Ajo të fton mes bukurive magjike dhe me të vërtetë të bën ndjesor, por edhe miqësohesh shpirtërisht me të. Përmes saj ndjekim dëshirat që të çojnë drejt realizimit të qëllimit për të dashuruar më tepër çdo copëz të së tërës. Por, sa herë nisemi në rrugë të largëta me padurimin për të arritur sa më parë, nuk e di si të shprehim emocionet frymëzuese për ta bërë atë pjesë në krijimtari, biseda miqsh e të njohur.

Në fshehtësinë e së bukurës

Panoramat zëvendësonin njëra – tjetrën, ndërsa makina jonë mori drejtimin e një rruge të përbaltur, që në çdo metër e troshiste atë, në lartësinë e kaperximit të 1500 m mbi nivelin e detit. Me vështrimin e puthur pas malit Korab, që së largu ai na shfaqet me shpatet dhe majat e tij të zbardhura nga bora për të na dhënë mirseardhje, mbërrijmë paksa të lodhur nga rruga prej disa orësh nëpër luginat e thella, pranë thepisjeve të ashpra shkëmbore, përrenjve e vendbanimeve. Kryeneç ndaj djallëzive të kohërave, Korabi që ngrihet madhështor drejt qiellit, një Parajsë Shqiptare dhe një nga ato befasitë e këndshme, të bën të ndjehesh i ekzaltuar së paku kur kundron pikturën madhështore të tij.

Radomira, e shtrirë dhe e shpërndarë këmbëve të malit, magjepsëse dhe gjithë ngjyra në të katër stinët; aty ku egërsia e Natyrës, ajri i pastër, ujërat e kristaltë, kullotat, bagëtitë, gurë e drurë, të krijojnë në shpirt të tjera emocione. Kjo, e rrokshmja e terrenit të ashpër të Radomirës, ndërthuret me përzemërsinë e banorëve të saj, të përcjellë aq bukur edhe në këngën perlë ”Cuca e Radomorës”. Ata janë të shpenguar e miqësorë, për më tepër fisnikë, të sinqertë e të respektueshëm. Në bisedat e tyre ndjehet shqetësimi që hasin në jetën e përditshme, si ajo e zakonshmja, kur ne shqiptarët, duke mos treguar vëmendjen e duhur, jemi të shkujdesur; ndoshta pak të skajshëm që t’i shpërfillim vlerat me këndvështrime realiste, mbi të gjitha për mundësitë që të afron jeta këtu, por edhe problematikat. Së pari, që të lulëzojë Turizmi kërkohet më shumë vëmendje dhe investime nga shteti. Kryesorja rruga e fshatit le për të dëshiruar. Dhe që për ironi nuk është më shumë se 5 km. Ndaj, duhet rregulluar ajo, me vizon në shpalosje, që kësisoj të tërheqë më shumë vizitorë. Le të jenë këto rreshta një apel për qeveritarët, se bukuritë natyrore nuk lypin vota elektorale, por përkujdesje për këta njerëz, për jetesën e tyre, për vështirësitë e kushtet që përjetojnë.

Sapo mbërritëm ne, Haxhi Hima, me dashamirësinë e mirësjelljes na fton në bujtinë, ku kushtet dhe veçantia e saj ndërthuren me përkujdesjen e vet për të pushuar nga lodhja e rrugës së gjatë. Aty, zjarri i një sobe që bubullonte e përshkëndriste, të jepte ngrohtësinë e duhur. Por më shumë se çlodhëse janë bisedat e çiltra, (si të njiheshim prej kohësh), përpara përkëdheljes së gotave të rakisë së kumbullës. Ato të ngërthyera nëpër tema, të cilat rrotullohen rreth kulisave të Politikës, zemërgjersisë së traditës, krenarisë së sportit, më pas rrjedhin interesante për malin, ngjitjet, alpinistët të cilët janë preferuesit e tij.

– Nuk e kanë të gjithë privilegjin – thotë Haxhiu -, neve që banojmë në Radomirë, në këtë bukuri, të cilin na e ka falë Natyra jemi krenarë. Mali është i ashpër, që ashtu siç ka bukurinë e tij ka shkaktuar edhe fatkeqësi.Fjalët e tij të shtien në mendime të thella, jo rrallë në keqardhje për fatkeqësitë e ndodhura, gjë që i topiti të gjithë.

Pas gjithë këtyre mendimeve që na goditën në kokë si çekan, e nesërmja na priste në rrugëtimin tonë drejt majës së Korabit e cila përbën arsyen e ardhjes këtu.

Njeriu i maleve

Miqtë e mi alpinistë, me forcën shpirtërore që i tërheq gjithmonë drejt majave, e shkelin prej vitesh këtë mal, duke e shndërruar në diçka joshëse dhe magjike. E, natyrisht, me faktin që pasionet e njerëzve janë të ndryshme edhe prej mjedisit ku jetojnë, ka ndikim: i nxisin më shumë hovet e shpirtit. Rrugëtimet e tyre këtu, por edhe nëpër lartësi të tjera shqiptare, janë sfida të guximshme për të matur forcat në një sport ekstrem siç është Alpinizmi. Nuk janë pak që u ngjiten lartësive të Korabit, ashtu siç mund të pohosh se nuk janë shumë: jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe nga Polonia, Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Anglia, Amerika, etj. Por, sa herë që vijnë aq më shumë u shtohet oreksi dhe dëshira, që i bën të fluturojnë në krahët e kënaqësisë.

– Ajo që të pëlqen, – të thotë Lavdie Sulo një alpiniste të cilën e njoha këtu – kthehet në pasion, mjafton të kesh kohë e dëshirë të zjarrtë. Prej vitesh e kam pasion të rrugëtoj edhe nëpër male e të ushtroj Alpinizmin.

Është kjo dëshirë dhe pasion që i thith ëmbëlsisht e i që bën të lehta vështërsitë. Që herët kam pasur dëshirë të ngjitem në malin e Korabit; për më tepër se dëshirë për të eksploruar shpalosjen e panoramave të tij. Ndaj, kur kjo dëshirë për shijimin e lartësive të ngacmon bukurisht, mezi e pret udhëtimin dhe distancat të bëhen të afërta. E pata fatin e mire që bashkë me grupin e alpinistëve të ngjitem edhe unë. Ftesës dashamirëse të mikut tim Fation Plaku, një ndër alpinistët më të njohur shqiptarë i u përgjigja me kënaqësi.

– Mirë! Bukur! … Më pëlqen dhe mezi pres të shkojmë atje.

I gëzuar, nisa rrugëtimin, i përgatitur dhe i përqëndruar, jo vetëm shpirtërisht për të shijuar atë maksimalisht, por edhe fizikisht për të përballuar vështirësitë e njohura, që do i ndeshja.  Por, kur je edhe në shoqërinë e njerëzve të duhur, ke shumë arsye për ta ndjerë veten mirë. Fationi është i lidhur ngushtë me malet, por edhe me detin, liqenet, shpellat, ujëvarat e gjithçka tjetër të Natyrës; përjetues i një mozaiku interesant nëpër vende të ndryshme të Botës. Ato janë me rëndësi në jetën e tij, si dëshirë e një vullneti këmbëngulës për të arritur atë që e ka pasion, ndaj nuk merr guximin t’i braktisë. Ka njohur sa e sa vise dhe gjithmonë mbetet i joshur pas tyre. Dhe i prirur e më tepër se çdo gjë tjetër e mbush jetën e vet me të njënjtën mënyrë si puna krijuese e një artisti, gjë që ka ekzistuar që në krye të herës tek ai, e cila ka gjithçka; ka një kuptim, sepse ai gjen veten në qetësi e paqe, por që i ngjan fluturimit të Fluturës së Natës kur i qepet dritës së llampës. Tek ecën përmes udhëtimeve, shpesh ndërmjet fotove dhe vidiove, tregon bukuritë e rralla natyrore. Si një protagonist i alpinizmit shqiptar, për të nuk ekziston asgjë e pamundur; sepse malet i njeh aq mirë me majat e tyre, bukuritë, por edhe me vështirësitë. Ato kanë formësuar në shpirtin e tij një oaz kënaqësie. Çdo rrugëtim i tij në lartësi është i këndshëm dhe ndonjëherë i vështirë. Të tregon për endjet andej e këndej Shqipërisë, që shpesh janë edhe misterioze. Ai nuk harron emocionet e ngjitjes në Çatinë e Botës, Everestin e 8848 metrave lartësi, atje ku jeta është edhe në fije të perit.

-Alpinizmi jo vetëm i bën mirë shëndetit- thotë ai, – por edhe të largon nga monotonia e ditëve dhe veset, që, për fatin e keq, e kanë prekur shoqërinë tone, veçanërisht rininë.

Pasioni i vërtetë te njeriu nuk shuhet kurrë. Ai jeton së bashku me njeriun, me mundësinë e shpalosjes së tij, edhe kur mosha bën të vetën. Në shoqëri vlerësimet për aftësitë e tij kanë tregues të tillë që shpesh, ndërmjet epiteteve, e kanë krahasuar me Njeriun e Maleve.

                              Në majëmalin e Korabit

Janë orët e para të një dite që “zgjohet” në prehër të malit, mes një përballje kontrasti drite dhe mugëtire të errësuar nga retë, të cilat sikur e kanë banesën e tyre këtë mëngjes. Por, diku më tutje, ca ndriçime skajore të tretura larg në maja të larta, tregonin se dielli, nëpërmjet të çarave të reve, lëshonte rrezet e veta. Nisemi të përshëndetur nga era e ftohtë, që të fishkullon fytyrën, me ndjesinë drithëruese të të ftohtit; se, dimri nuk jep shpirt aq lehtë, pavarësisht se është mars e ditët po bëhen më të ngrohta.
Në hapësirën kohore të hapave të para, aty ku fillon të lartësohet mali me madhështi, ndjekim një rrugëkalim gjarpërues dhe këtë e tregonte një tabelë orientuese. Më tej, gurët kilometrikë të shenjuar, para disa vitesh nga alpinistët polakë, eleminojnë vështirësitë nga mosnjohja e terrenit. Rrjedha e një përroi, që zhurmon e shkumbëzon me rrapëllimë nëpër gurë e guralecë të murrmë, të cilët e bënin më epike pamjen e tyre, kthehej në jehonë si një simfoni. Ecim pranë copëzave të arave të shkarravitura nga gurët, staneve e lëndinave të Radomirës dhe përmes një pylli të harlisur pishash Arrnoj, siç i thonë vendasit, ku era që frynte me ngulm e përzier me kundërmimin e aromës së tyre, e lëkundte dhe shkundte borën nga degët. Ato, me gjelbërimin e thellë, kombinuar me bardhësinë e borës, krijonin një tablo mahnitëse dhe i bënin karshillëk në çdo çast shpateve shkëmbore të thikta e të grinjta të Kapistogjit dhe Luftanjit me forma të çuditshme, të krijuara nga kataklizmat e hershme tektonike.
Bora gjithandej malit kishte hedhur shtresën e bardhë e cila në disa vende shkonte deri në gju. Veçse bukuria e kristaltë dhe e statujuar vetvetiu të emocionon. Fjolla të borës, si flutura, e miellëzonin më shumë natyrën teksa hapat krijonin një zhurmë kërcitëse. Pa ia ndarë sytë rënies së flokëve të dëborës, nën një kope resh të hirta si një hartë që kacafyteshin qiellit e duke dhënë sinjale se diku do të zbrazeshin, vazhdojmë të ecim nëpër një terren të shkatërruar nga gërryerjet, ku ca gjurmë kafshësh të egra tregonin se kishin kaluar pak para nesh. Dhe shushurima e ujërave që rrjedhin nga burime e rrëkeza, të cilat furnizojnë me ujë qytetin e Peshkopisë, duket se i japin një frymarrje dobiprurëse malit, ndërsa neve na shoqërojnë një copë udhë bukurive të përjetshme të Natyrës.

Thjesht i kalojnë me sy një varg majash të pjerrëta, tashmë të borëzuara, të cilat janë të janë aq të njohura për alpinistët, ngrihen të larta me shpalosjen e tyre të veshur me bardhësi. Ato të pushtojnë aty për aty shpirtin për të frymëzuar deri në thellësi të tij, gjë që është e pamundur ta përshkuash me fjalë. Me vështrimin e syve zhbirues shquanim në largësi konture të mjegullta të majave të tjera, por qëllimi i vetëm i alpinistëve është ngjitja në majën më të lartë të malit Korab, si lajmotivi i ardhjes këtu, ku ndodhet edhe kufiri me Maqedoninë. Alpinistët ndjejnë lodhje dhe frymëmarrje të shpeshtuar, të cilën e shton më shumë era dhe një perde e padukshme që e bënte të vështirë ecjen.  Në një ngjitje prej 5 orësh, edhe mes një çasti pushimi, që janë një nga ato ndijimet e ëmbëla të çlodhjes, ata bëhen soditës të natyrës, për më tepër që edhe dëbora së cila reshti së rëni, i lejon të pushojnë. Zbresim dhe lartësitë, që tanimë i kishin lënë prapa, të mundimshme dhe me një paralele zymtësie prej reve të përhimta, ditën e bënë muzg.

Syri i një mjelme

Mbresa të veçanta të shtojnë kënaqësinë e etur në shpirt. Sidomos kur e vështron natyrën magjepsëse, të zhytur në heshtje, duke zbuluar oaze të saj që të mbeten të pashlyera në mendje. Ndaj nuk mund të jesh indiferent nga tërë ai dekor hijerëndë i malit, me larmi panoramash; nën hijet e mëdha të reve, me sytë e gjelbërimit të përhershëm të pishave dhe mes lojës së rrezeve të diellit mbi to, ku patjetër ke se ç’të qëmtosh të qëndisurën e hireve të kësaj natyre. Por, duke mos qënë thjesht një përshkues i lartësive të malit Korab e më shumë një adhurues i bukurive të tij, fluturon si një zog i vetmuar në kërkim të tyre. Fundja edhe kjo ka të bukurën e vet, sepse të miklon larg e më larg skenografia e qiellit me vazhdën e reve, herë të serta e herë të bardha, të cilat diku bëhen tufë.

I hap udhën vështrimit me atë ndjesinë e një shëtitjeje eksplorore me veçantinë e vet. Në mes të pishave qindravjecare, një udhë e ngushtë këmbësore dhe gjithë gjarpërime që ngjitej siç thotë ajo fjala e urtë “shtegu i rrahur të çon diku”, të bënte të mos ndaloje për asnjë çast, sepse edhe ajri i pastër të nxiste vetvetiu ecjen. Përtej lodhjes, duke u rrekur mes vështirësisë së saj, ku diku vraga e rrugës të humbet pllaskave gjurëmbardhë, porse shpina e një kafshe laramane, herë pas here i lejon vetes ndalesa mes drurëve të pishave që, përveç bukurisë mahnitëse e mbushin shpirtin me aromën dehëse.

E shijon me një mendim tjetër natyrën që nderet nga një frushullimë e lehtë paqeje, ku të vetmet zhurma që janë të zakonshmet këtu, janë ato që ndjehen rreth e rrotull: Një degë që pëshpërin nga era për të shtuar murmurimë freskie, fëshfëritja e krahëve të një turme trumcakësh endur ngeshëm tutje, të cilat me gjasje i ngacmon kërcitja e hapave; më të rrallë ndonjë këngëzim i tyre nga larg, por që të bënte mbret të kësaj kësaj natyre. Këto çaste, që nuk i përjeton përditë, të bëjnë t’i thuash vetes: Sa mirë bëra që erdha këtu, larg zhurmave e telasheve, larg barbarisë që po i bëjnë Natyrës. Të shpëton edhe ndonjë psherëtimë ndjesie, sepse ndodh që përherë Natyra zbut e çiltërson shpirtin edhe në kulmin e rrëmujave politike e të ngjarjeve të rënda.

Me vete bluan këto mendime pa i shqitur sytë kurreshtarë pamjeve dhe nuk mund të të shpëtojë një tjetër nga bukuritë e Korabit, Liqeni i Zi në një hapësirë të vogël 0.8 ha, të rrethuar me pemë të larta. Ashtu me plot emocion, së brendshmi e rrok bukurinë e mjelmët të liqenit të Radomirës, këtij syri magjik, që natyra e ka krijuar në lartësinë e formacionit përrallor të malit. Emocionohesh aq shumë sa që rraskapitja e ngjitjes zbehet në çast.

***

Përshtypjet nga rrugëtimet mbeten gjatë në kujtesë me embëlsinë e emocioneve që të dhurojnë mbresat. Edhe unë që përjetova një të tillë ndjehem i pushtuar nga mbresat e kësaj dite. Në këtë mënyrë u plotësua edhe një dëshirë, por edhe për të shkruar çdo gjë të bukur; atë gjurmën e thellë që ka lënë në shpirt, për t’ia transmetuar lexuesit me qëllimin e vetëm se endjet në këto lartësi, të prekura nga alpinistët shqiptarë, mund te vlejnë po aq sa edhe një poezi, apo një tregim i bukur.  Ne u larguam si krushqit që kanë marrë nusen, kalëruar mbi kuaj të bardhë, por edhe me konceptin e të këndshmes së vlerave, si një ftese që të rikthehemi sërish këtu, në malin më shtatlartë të Shqipërisë, të mbuluar me bore, për t’u çlodhur nga stresi i qyteteve të zhurmshme.

Filed Under: Featured Tagged With: NË KORAB, NË KRESHTËN QË PUTHET ME QIELLIN!, Pellumb Gorica

FESTA QË I URON MIRËSEARDHJEN PRANVERËS

March 14, 2017 by dgreca

unnamed-4NGA  PËLLUMB GORICA/
Enë me ujë dhe lule   Nga rrëketë e shekujve kanë gurgulluar e gurgullojnë shumë rite pagane. Këto janë përcjellë, sa në antologjinë gojore popullore, aq edhe në plastikën e lëvisshmërisë së jetës, si një dëshmi e madhe e kulturës së lashtë të një vendi. Dita e Verës është një prej riteve festive të lashta pagane, e cila përkon me çeljen e parë të Pranverës. Ajo hyjnëzon këtë stinë dhe, sipas traditës së mbetur, të ruajtur e përcjellë në trevat shqiptare, veçanërisht në atë të Elbasanit, festohet si Dita e Verës më 14 mars. “Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur ende krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e vjetër, perënditë e luleve” do të shkruante ideologu i shquar shqiptar, Faik Konica. Dita e Verës është një festë me karakter të mirëfilltë popullor, e cila rrjedh nga thellësia e etnitetit të jetës sonë ilire me rite të bukura, të rrënjosura në vetëdijen e kohëve, që rrallë i gjen në ndonjë vend tjetër kaq të vyer e, mbi të gjitha, e lashtë.unnamed-1

Në përmbajtjen e saj Dita e Verës përshkohet nga një tis, tipar i përbashkët i gëzimit njerëzor, që pasqyron kalimin e Dimrit dhe ardhjen e Pranverës, për përtëritjen e natyrës, nga dëshira për prodhimtari të mbarë; për shëndet e mirësi në familje, shoqëri, miqësi. Stina e pranverës sjell gëzim. Dimri, si stinë, i mbyllte njerëzit brenda mureve të shtëpisë, ndaj edhe festohej, sepse do të sillte një rizgjim në punë, gëzim, lëvizje të jetës dhe gjallërim të natyrës.  unnamed-2

Studiuesit e fushave etnokulturore (e jo vetëm ata) nëpërmjet hulumtimeve kanë prurë të dhëna interesante dhe e kanë paraqitur festën e Ditës së Verës me ritet pagane si thesar të paçmuar. Ritet pagane, sipas akademikut Mark Tirta kanë lidhje me ripërtëritjen e natyrës, me krahasimin, afritë dhe pikëtakimet në terminologji…unnamed-3

Origjina e kremtimeve të kësaj feste me rite pagane te ne, më së shumti, është Çermenika (Kandavia), një krahinë afër Elbasanit, e cila është e banuar që në kohët e lashta parahistorike, dhe nuk mungojnë gjetjet që i përkasin kësaj periudhe. Ajo ka një shtrirje kulture të pasur me tradita. Këtu qëniet mitike të indentifikuara dhe me kultin e perëndive gjatë periudhave parahistorike kanë lënë gjurmë në kujtesën e popullit. Duke hyjnizuar dukuritë që njerëzit e asaj kohe nuk dinin t’i shpjegonin, krijuan besime tek idhujt paganë, të lidhur ngushtë me rite. Një nga figurat e mitologjisë ishte Zana, apo Diana, që jetonte pyjeve, ujëvarave, shpellave e lëndinave. Ajo ishte perëndia e pyjeve, e gjuetisë, dhe e gjithë Natyrës. Figura e saj në këtë trevë (dhe jo vetëm këtu), është pasqyruar në legjenda, përralla, ninulla e gjetje arkeologjike. Një shekull më parë arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober, gjatë një ekspedite kërkimore në trevat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, pikërisht në rrënojat e një ure romake pranë lumit të Moraçës, zbuluan një altar mermeri me një mbishkrim interesant. Ky mbishkrim i ishte kushtuar perëndeshës Diana të Kandavëve. unnamed-6Ndaj edhe festa e Ditës së Verës ka lidhje historike e kulturore me Ulqinin dhe trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi, të lidhura me tempullin e Dianës në Dioklea, ashtu sikurse lidhet me tempullin e Artemisës dhe Dianës në Martanesh. Ajo, sikurse perëndia ilire më e njohur, simbol bukurie, e kalonte kohën me festa, me muzikë, duke kënduar e hedhur valle mes luleve, shelgjeve, burimeve dhe ndjehej e pranohej si fatsjellëse e engjëllmbrojtës ndër banorët, dhe ata i organizonin asaj festa, duke bërë për atë dhurata. Kështu, duke buruar nga kulti i figurës mitologjike të Dianës, ritet pagane për nder të saj morën karakterin e mirfilltë të një feste me pije, ushqime, lojëra, ndezje  zjarresh, etj në fillim të stinës. unnamedProfesor Hasan Ceka do të shkruante: “Dita e Verës i kushtohej Dianës së Kandavëve, bukurisë së saj dhe ku dëshmohet karakteri pagan i festimit që  lidhet me natyrën, me ndërrimin e stinës, ardhjen e pranverës, fillimin e punëve bujqësore”. Si pasojë edhe e ecurisë së zhvillimit në kohëra festa e Ditës së  Verës u përhap edhe në trojet e tjera dhe është e gjithë shqiptarëve. Në Dibër, Strugë, Tetovë, Gostivar, Prespë, Berat, Përmet, Pogradec, Korçë, Gjirokastër, Himarë, Çamëri, Krujë, Burrel, Mirditë, Lezhë, Malësinë ë Shkodrës, Ulqin, Kosovë, por edhe tek arbëreshët ka nuanca festimesh të ndryshme, por shtratet e riteve kryesore janë njëlloj.

Është mbresëlënëse se si kjo festë ka përshkuar shekujt. Ka përballuar mugëtirat e kohëve të vështira, sisteme shoqërore me fe e religjone të ndryshme, luftra e pushtues të huajve duke prurë kulturat e tyre. Ndaj nuk u harrua; nuk u harruan as ritet e shumta, lojërat popullore, ushqimet e cilësuara, të gatuara për këtë ditë, festa me miqtë, të njohurit, etj. Fetë rrëmbyen shumë rite të kësaj feste, por asnjëherë nuk e tjetërsuan atë, edhe pse u munduan.

Fryma pagane në festën e “Ditës së Verës”

Kjo festë është bërë tradicionale si një lidhje e gëzimit njerëzor për lindjen e Pranverës. Ritet e festës së Ditës së Verës në thelb janë të një kulture të lashtë të kohës së Paganëve. Për të hyrë në atmosferën e festës, përgatitjet fillojnë një ditë më parë. Në mbrëmje, kodrave, grupe-grupe të rinjtë mbledhin shkarpa drurësh dhe ndezin zjarre për të dëbuar errësirën e Dimrit. I kapërcejnë flakët, duke besuar se kështu marrin shëndet e fuqi dhe ky rit tregon zhdukjen e të këqiave, që kishte mbartur viti i kaluar. Djemtë demostrojnë forcat. U bjen zileve e këmborëve, trembin zhapikët, gjarpërinjtë e tërë të këqijat e Tokës. Vajzat përreth zjarrit këndojnë e hedhin valle për ardhjen e stinës së re. Vendosin verore në qafat e duarve, të cilat janë një ndërthurje penjësh të kuq, të bardhë dhe të gjelbër,  që simbolizojnë gjakun e brezave, pastërtinë e shpirtit dhe gjelbërimin e Natyrës. Vendosja e verores në dorë me fije shumëngjyrëse është karakteristika kryesore që i bashkon gjithë shqiptarët në festimimet e Ditës së Verës.  Autori elbasanas Hyjni Ceka e konsideron veroren një distiktiv që elbasanasit e vendosin gjatë festimit të Ditës së Verës. Ato hiqen nga dora kur fillojnë e vijnë dallëndyshet pas shtegtimit. Verorja ka fuqi mbrojtëse nga e liga. Gratë e prisnin mëngjesin me gatime për ditën e nesërme. Zjejnë misra, vezë, gatuajnë gjelin e detit, tavat me pistil, nxjerrin nga arkëzat: arrat, lajthitë, palat e fikut, shegët, mollët e ruajtura pikërisht për këtë ditë. Po ashtu, bëhen gati dhuratat për fëmijët, që njihet ndryshe edhe si shpërndarja e hiseve për ata që të nesërmen në mëngjes, kur trokasin në derën e shtëpisë për të uruar Ditën e Verës u dhurohen ëmbëlsisht. Vizitat e tyre këtë mëngjes Ditëvere shikohen ende si mbarësi. Të moshuarit në mëngjesin e 14 marsit shpejtojnë të hapin derën për të sjellë bujari e mirësi. Në përshëndetjet interesante janë: “Të shkoftë Vera me shëndet!”, “Të dëgjofsha zërin e mirë!”, etj. Në mëngjes herët, bëhet stolisja e pragut të derës me degë bimësh, sytha e lule të çelura. Vendoset pranë saj një plis me bar dhe tek magjia e bukës lule e degë me gjethe të njoma. Gratë shkojnë te burimi e mbushin ujë të freskët, në të cilin janë hedhur lule e degë të gjelbërta. Fëmijët dhe pjestarët e tjerë të familjes spërkaten me këtë ujë, duke bërë edhe zgjimin e tyre e më pas ata lajnë fytyrën. Rituali qëndron edhe te spërkatja e themeleve të shtëpisë me ujë burimi. Gjithashtu spërkaten edhe bagëtitë, pasi besohet se do të jenë më të shëndosha. Këto rite bëhen mes një morie formulash urimi si: “Unë dimrova ti veroj!”, “Lulëzo si këto lule!”, etj. Vajzave u vendosem lule mbi jastëk. Në “Ditën e Verës” nuk punohej. As nuk pritej dru i njomë, apo filiz i ri, që do të thoshte se e reja e ka jetën e gjatë.

Në këtë ditë fëmijët, por edhe të rriturit, veshin rroba të reja. Në sheshe dhe kodra, ku çel gjethi e avullon toka, cicërojnë zogjtë e lëvrijnë gjallesat e ku bari ka filluar të shpërthejë nga toka, luhen lojëra popullore si: vrapime me kuaj, hedhje guri, mundje, ngjitje në pemë, etj; për të pasur shëndet e lumturi. Fëmijët dhe të rinjtë këndojnë e hidhin valle nën tingujt e fyjeve, pipëzave, daulleve, nën shoqërinë e diellit, dhe freskisë ripërtëritëse të natyrës. Vajzat mbledhin lajmëtaret e pranverës, manushaqet dhe karakaftet duke stolisur njëra-tjetrën me kurora lulesh.

Elbasani, kryeqyteti i festës

Me lindjen e formimin e qyteteve dhe gjatë periudhave të mëvonshme historike, festa u përhap duke u shtrirë më gjërë. Elbasani si qëndër administrative, që në kohët e hershme i trevave të Shqipërisë së Mesme, ishte faktori kryesor që e mbështolli atë. Një qytet me një histori të lashtë e zanafillë që në shekullin e II para Erës Sonë, i përmendur me emrin Mansius, në kryqëzimin e rrugës së lashtë Egnatia; i lidhjeve me Antipatrean, Apoloninë, Dyrraun, Pelionin, Dimalin, etj, ku edhe dyndjet e pushtuesve (edhe pse linin pasoja shkatrrimtare) nuk e shuan mbijetesën e tij. Të ardhurit nga krahina rrotull qytetit sollën tradita, rite pagane e midis tyre edhe festën e Ditës së Verës. Qyteti, duke u kthyer në një qendër të zhvilluar zejtarie e jetese në vazhdimësi,  këtë festë pagane e trashëgoi dhe e festoi më bukur për të shprehur shpirtin bujar të gëzimit.

Ndaj kjo festë ka hyrë në fjalorin dhe ndjenjën njerëzore të këtij qyteti prej shekujsh si një traditë, mbi të cilën portretizohet gëzimi i ardhjes së Pranverës. Ajo, e materializuar, e ka përsosur cermonialin  e saj me elementë të tjerë. Por shekujt do të rendnin me hapat e tyre, duke kapercyer pengesa të njëpasnjëshme, për të ulur disi tempin e saj në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Sistemi totalitar socialist, i instaluar në Shqipëri, persekutoi zakonet prapanike, festat e ritet fetare. Ndërsa festën e Ditës së Verës, për vetpërmbajtjen e karakterit popullor e lejoi të festohej në heshtje. Ndaj kjo festë asnjëherë nuk është ndërprerë. Kjo, sepse elbasanasit e festuan në familje, në natyrë, edhe me një masivizim të rinisë shkollore, punëtore, etj, gjë që edhe nuk i cënoi punë sistemit. Kur erdhi Demokracia, si një erë e re, ngarkuar me ajër të ndryshuar, festa e Ditës së Verës, u shpërfaq, ashtu si festat fetare, me një madhështi për t’u admiruar. Ajo sot i është përshtatur kohës dhe vazhdon të festohet si një ditë gëzimi e hareje, që tregon vlerën dhe tagrin që mbart, si festa më e vjetër e trojeve tona dhe unikale në shtrirjen evropiane.

Për të përjetuar me kënaqësinë e festës

Dita e Verës, e cila është pjesë e gëzimeve të banorëve të Elbasanit, në historinë e tij mijëravjeçare, përjetohet si një ngjarje e madhe. Ajo thith një angazhim moral e material dhe në thelb ruan traditën, që festohet aq këndshëm me një repertor të pasur në familje, në shoqëri; me begati ushqimesh e me shumë rite pagane, blatime, etj. Duke i pranuar Elbasanit autorësinë, festimet i përcjellin edhe disa veçori, ku inkludohen dhe mbështetjet shtetërore me veprimtari të ndryshme muzikore, gara sportive, panaire lulesh, zbukurime artistike, prodhime ushqimore, ku më së shumti bie në sy ballokumja. Vite më parë, klubi letrar “Kostandin Kristoforidhi“ në Elbasan organizonte festivalin poetik “Trëndafilat e Elbasanit”. Emocionet e  kënaqësia e festivalit i shtonte shkëlqim festës së Ditës së Verës mes bukurive të qytetit, ku edhe gurgullima e Shkumbinit plak shoqëronte vargjet e poetëve, mjeshtër të fjalës, të mbledhur bashkë me shpirtin e tyre plot lirizëm pranveror. Ky konitacion nuk duhet harruar.

Gjatë festimit të Ditës së Verës, Elbasani bëhet më i bukur dhe merr vlera, sepse në brendinë e tij ndesh harmoninë e plotë me të gjithë komponentet përfshirës (dhe jo vetëm argëtues) të një kënaqësie mrekulluese. Nëpër rrugët, sheshet, lulishtet e zbukuruara dhe lokalet e shumta që gumzhijnë jo vetëm të banorëve të qytetit, e cila ndikon në gjendjen e çdokujt me entuziazmin e frymëzimit pranveror. Gëzimi derdhet e të duket sikur noton edhe me fluksin e njerëzve nga qytete e krahinat e tjera. Ka njerëz që udhëtojnë qindar- mijëra kilometra për të ardhur. Elbasanasit, të larguar në emigracion, kthehen me mall. Cila është ajo forcë e çuditshme, çfarë i shtyn ata të marrin udhën?! Respekti dhe dashuria për festën e të parëve të tyre, malli për origjinën për të gëzuar me njerëzit e tyre të dashur, do të thosha, për t’i mbyllur këto rreshta.

Në mbrëmje qyteti vesh petkun e shëndritshëm të dritave dhe të ngjan sikur janë derdhur mijëra yje. Çdo familje përgatit ushqimet më të mira për këtë festë. Nënat dhe gjyshet gatuajnë, në heshtje e me një solemnitet për t’u përgëzuar, të ndërthurur me urime si: “Tu bëftë jeta behar”!,“Kështu të gjetë behari!”, etj. Pjekin ballokumet, që është ëmbëlsira më e veçantë e kësaj feste dhe karakteristike e Elbasanit, me gatimin nazik të saj. Të impresionojnë fjalët e thëna shpirtërisht nga studiuesi Thanas Meksi: “Hiroshja Ditë Vere futet shtëpi më shtëpi e sofër më sofër, te pasaniku, por edhe tek i vobekti. Sepse edhe ky i fundit me kursimet e mbledhura gjithë vitin, shpenzon pak gjë, ndaj nuk mund të festohet ardhja e festës së Ditë së Verës pa Gjelin e Detit, gëzimin e fëmijëve, apo pa ballokumet me sheqer”.

Por më shumë se ditët e tjera, në këtë ditë feste, ua ka enda të rendin në natyrë, në kodrat, pyjet, lëndinat, e pranë lumenjve për të festuar me familjen, të afërmit; me miq e shokë. Elbasani shquhet për panorama të larmishme, jo vetëm në kolorit e formë, por edhe në sistemim, dukshmëri dhe shije të hollë artistike. Kjo është edhe pjesa më e bukur e festës së elbasanllinjve. Vendet e bukura të Elbasanit si: Burimi i Bushekut, Rrapi i Mansit, Varrezat e Mëdha, Kroi i Kalit, Tepja, Ullini i Qejfit, Teferiçi, Çezma e Kasinës, etj marrin tjetër kuptim e dimesion marramendës njerëzor e, me spikatje gëzimi dhe hareje që sjell festa, e ndikuar dukshëm nga natyra, ku lakuriqësia e trishtë e saj këmbehet me lule e gjelbërim. Dhe të tëra këto shërbejnë si një forcë shpirtërore, jo vetëm në sytë e fëmijëve, mbushur me dritë gëzimi, por edhe në rruthat e të moshuarve. Një gërshetim brezash për të gëzuar e festuar së bashku me të afërmit, miqtë e shoqërinë. I gëzohen më shumë të rinjtë ardhjes së stinës së re. Ajo shërben edhe si një mundësi njohjeve dhe zbavitje për ata. Ata që shiheshin për herë të parë takoheshin, pëlqeheshin dhe më pas mblesët piketonin fejesat dhe martesat e tyre. Një ditë e gjatë me argëtime të shumta si lojëra popullore, këngë e valle. Nuk harrohen këngët e Isuf Myzyrit si: “Për gjithë shokët asht Ditë Vere, Dimni tem s’ka të mbaru/Ç’janë k’to lajme, k’to habere?/Ah, erdh koha me kalu…!.”

Në këtë ditë feste urimet burojnë nga shpirti i çdokujt: “Gëzuar Ditën e Verës!”, “Me shëndet behari!”, “Gëzofshi të ritë!”, etj.

Është kjo festë kaq e bukur dhe e lashtë, sa që jo vetëm e ka pasuruar botën shpirtërore të njerëzve të kësaj treve, por edhe që flet për një kulturë të lashtë dhe të veçantë.

Përmbylltasi në formatin e këtij parashtrimi u synua jo vetëm të sjellë anën burimore të këtyre riteve pagane, veçanërisht Ditën së Verës, por edhe përqëndrimin e saj dhe shtrirjen, me ngarkesën emocionale përjetuar me efektet tepër ndikuese, të cilat duhen ruajtur, duke i dhënë një mesazh vazhdimësisë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: FESTA QË I URON MIRËSEARDHJEN, Pellumb Gorica, PRANVERËS

MIRËNJOHJE PËR MËSUESIN

March 6, 2017 by dgreca

2normalja-e-elbasanit-1909-300x177Një kontribut 100 – vjeçar i mësuesëve elbasanas në krahinën e Sulovës/1 Pellumb-Gorica-250x293

NGA PËLLUMB GORICA/Ndodh që njerëzit të çfarëdo kategorie qofshin këta, të impenjuar për të ecur me ritmin e kohës, e kthejnë kokën herë pas here prapa për të nderuar e kujtuar me respekt, ata që kanë treguar përkushtim. Sidomos ata që kanë derdhur mund dhe dashuri me profesionin e tyre. Vitet ikin, por në kujtesë mbetet respekti për mësuesit që mbollën dijen. Është një profesion ku mirënjohja e kontributi për shoqërinë dhe edukatën është e pakrahasueshme. Banorët e fshatrave të Sulovës së Elbasanit kujtojnë me mirënjohje të thellë mësuesit që punuan aty në shkollat nga qyteti i Elbasanit. Është një kontribut 100 – vjeçar.

Në fillim të shekullit të kaluar, si në mbarë Shqipërinë e pushtuar dhe të mbushur me varfëri, mjerim e padituri, ishte e madhe dëshira për dije e arsimim. Për këtë shumë herët edhe në krahinën e Sulovës u hap shkolla shqipe. Për hapjen e shkollës së parë kontribuan patriotët e Elbasanit, sidomos Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi, Ahmet Dakli e Emin Matraxhiu. Shkolla u hap në Mollas në vitin 1916. Si mësues i parë ishte Dhimitër Deliana (Konomi) nga lagjia Kala e Elbasanit. Mësimin e zhvilloi në xhaminë e Mollasit me kushte të vështira. Nxënës të ulur në dysheme, por me dashuri për dije. Ishin 24 nxënës nga disa fshatra të Sulovës. Nga kujtimet e familjes Deliana në Elbasan ruhet një dokument thuhet se Dhimitër (Taq) Deliana dha mësim në shkollën e parë të Mollasit gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shërbeu për një vit. Këtë e vërteton një dokument i përpiluar nga pleqësia e fshatit Mollas në këtë periudhë, e firmosur dhe e vulosur me pulla takes, ku thuhej se të ardhurat i shkonin Kryqit të Kuq. Në librin e Ilir Kaninës “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës I Botërore“, faqe 58 është shkruar: “Më pas në shkollën e Mollasit në vitin 1918 erdhi mësuesi nga Elbasani Qamil Xhani, i cili punoi deri në vitin 1920’’.

Me historikun e shkollës së Mollasit lidhet pazgjidhshmërisht emri, përkushtimi dhe veprimtaria e gjatë e mësuesit nga Elbasani Musa Kongoli. Ai punoi si mësues në Mollas në vitet 1920-1924. Historitë gojore kanë arritur tek brezi i ri nga ish nxënësit e tij, që në tregimet e tyre e kanë dhënë shumë bukur madhështinë e këtij njeriu. “Ishte i ri kur erdhi në Mollas, një djalë i burrëruar para kohe nga hallet.” E kujtojnë me respekt për disiplinën, taktin pedagogjik dhe dëshirën e zjarrtë për t’u mësuar fëmijëve sulovarë shkrim e këndim. Ai nuk ishte vetëm një mësues i mirë, por edhe një patriot i vendosur, që luftoi deri në fund të jetës, për përparimin e vendit.

Në gjysmën e parë të shekullit XX, historia e arsimit në Shqipëri ka ecje e ngecje, vështirësi. Shkolla e Mollasit, si e vetmja në Sulovën e Poshtme, kishte probleme me ambientet, kushtet, largësinë e mësuesve, por edhe të nxënësve. Këto i dëshmojnë tërthorazi të dhënat arkivore kujtimet e mësuesve elbasanas që punuan këtu. Kjo i detyronte herë pas here autoritetet e kohës që ta mbyllnin. Sipas dokumenteve, në vitin 1924 numri i shkollave në gjithë vendin erdhi duke u pakësuar ashtu si mësuesit që jepnin mësim. Në vitin 1925 regjimi i Zogut e mbylli shkollën në Mollas me mësues Musa Kongolin. Kur askush nuk interesohej për shkollën dhe as për mësues patriotët sulovarë protestuan. Ata e ndjenin nevojën e arsimimit të fëmijëve dhe nuk mund të linin ata pa dituri, prandaj kërkuan me çdo kusht vazhdimësinë. “Historiku i zonës së Mollasit” shkruan:“ Një grup patriotët sulovarë shkoi te prefekti i Elbasanit dhe kundërshtuan këtë vendim të qeverisë, duke kërkuan me insistim rihapjen e shkollës. Qeveria nga presioni u detyrua që të rihapë atë”. Për shkak të vështirësive që dolën nga kriza ekonomike në vitin 1931, shkolla e Mollasit u mbyll përsëri dhe nxënësit mbetën pa mësim disa muaj. Qeveria e Zogut kërkoi, që mësuesit t’i paguajnë vetë populli siç paguan hoxhën e fshatit, sepse nuk është parashikuar në buxhet. Për shkak të kushteve të vështira, por edhe të largësisë, mësuesit ndërroheshin herë pas here, duke punuar në periudha të shkurta. Përmendet puna e palodhur e mësuesit Hysen Pajenga. Ai edukoi breza nxënësish sulovarë, midis të cilëve edhe mësuesin e parë sulovar, Riza Cërrikun i cili nuk do të harronte gjithë jetën: “E kam ende të freskët në kujtesë mësuesin e klasës së parë. Ishte njeri i mirë, që përpiqej për të na mësuar, megjithëse ishte i rreptë ’’. Mësues të tjerë elbasanas që në këto vite ushtruan profesionin në Mollas ishin “Llaz Topalli, Spiro Gjirazi, Maliq Mullaholli, Musa Shehu etj”.(“Historiku i zonës së Mollasit”) Sipas mundësive punuan pa u kursyer dhe e deshën profesionin e mësuesit, i deshën fëmijët, banorët e natyrën e krahinës. Ata shpesh u përplasën me opinione negative për arsimin e fëmijëve prej banorëve, se nuk u duhet shkolla, kush do t’i ndihmojnë të ruajnë bagëtitë. Shumica e mësuesve ishin diplomuar në Normalen e Elbasanit, e cila ishte në atë kohë institucioni më i lartë dhe më i kualififikuar arsimor i vendit, ku jepnin mësim një plejadë e tërë pedagogësh të spikatur e patriotë të flaktë. Është periudha kur familjet elbasanase do të sakrifikonin për arsimin dhe kulturën dhe pavarësisht mundësive të pakta ekonomike, vepronte një frymë e përbashkët në Elbasan për arsimimin, që vinte si rezultat i një tradite të hershme. Një kohë tepër e vështirë kur Shqipëria së pari vuante nga varfëria e tejskajshme dhe arsimit aspak i kushtohej vëmëndje. Ndoshta sot nuk e besojnë, por ja që kjo është e vërteta e jetës së këtyre mësuesve për të shpërndarë dijen e mësuar fëmijët edhe në Sulovë. Mësuesi nderohej nga të gjithë në Sulovë. Shumë prej tyre në këto vite e më vonë banonin në familjet e sulovare. Midis tyre kishte edhe nga ata që vepronin me metoda antipetagogjike, ndëshkime fizike ndaj nxënësve. Shkolla e Mollasit prej mësuesve elbasanas që në fillimet e saj ishte një fidanishte e patriotizmit dhe e formimit kulturor për brezat e ardhshëm në Sulovë.

Përpjekja për zhdukjen e analfabetizmit pas Luftës së Dytë Botërore ishte e madhe. Kudo kishte skamje, por dëshira për të përhapur dije më e madhe. Janë fakte që bëjnë të njohur kontributin e të tjerë mësues elbasanas. Është me interes të tregonim se kujtimet për këto vite, vlerësojnë sakrificat e mësuesve, seriozitetin e dëshirën për punë të mira, dashurinë për profesionin fisnik. Vitet kalojnë, por nuk do të harrohet durimi, këmbëngulja, vështirësitë me shqetësimin e vazhdueshëm për ambiente të përshtatshme, mungesat e mjeteve, frekuentimin i nxënësve e mbarvajtjen e mësimeve. Ishte koha kur nevojat për arsimtarë ishte e madhe me hapjen e shkollave në çdo fshat. Mjaftonte të kishin arsimin e mesëm. Jo pak prej tyre patën në fillim vështirësi të përballonin jetën e fshatit. Një sërë pyetjesh zinin vend në mëndjen e tyre, se si do të ishte vendbanimi, si do të ishin njerëzit e mbi të gjitha si do të përballonin kohën aty. Ishin vite që mungonin shumë gjëra. Mungonte komunikacioni. Nga Elbasani në Sulovë në ato vite të para të pas çlirimit të vendit vinin më shumë në këmbë se sa me makinë. Deri në Gostimë mund të gjeje mjet, që edhe kur kalonte ndonjë kamion shpresa mbetej vetëm te zemra e shoferit, që duhej të paguaje përndryshe duhej të ecje, por mandej në fshatrat e Sulovës ecnin në këmbë, mes rrugës së shkretë, të ftohtit, baltës në dimër, me vështirësi kalonin lumin Devoll e përrenjtë dhe në verë nuk i shpëtonin vapës përvëluese e pluhurit. Mësuesi Astrit Bishqemi kujton: “Nga Dumreja, vitin tjetër arsimor më hodhën në krahinën e Sulovës, tre vjet në Selvijas dhe një vit në Mollas. Luftë me padijen, me baltrat, me ujët e lumit Devoll.” Në fshatrat e Sulovës u emëruan dhjetra mësues. Kujtohen me nderim: Mehmet Dardha, Itarik Peshtani, Mithat Leka, Nazif Baholli, Mustafa Shupaku, Galetana Çaushi, Astrit Bishqemi, Loni Duda, Faik Pleshti, Xhaferr Guriçi, Nuri Dushku, Sami Domni, Dilaver Shkodra, Zeliha Shkodra, Ethem Mullajonuzi, Rruzhdi Belegu, Mustafa Pajenga, Albert Stoja, Hysen Pobrati, Sabaudin Pobrati, Liri Arapi, Ismail Kafexhiu, Sami Paralloi, Bexhet Belegu, Nafie Çaushi, Ollga Zhupa, Esat Gjevori, Hysen Saraçi, e sa a sa të tjerë që punuan pak vite. Përshkrimi i punës së çdo njërit prej tyre tregon se ishte i vështirë. Sulovarë të ndryshëm e midis tyre edhe Xhevit Çela, Ramiz Nasufi, Hekur Braushi, Alush Xheria flasin me respekt për mësuesit e kësaj periudhe. Mosha ka bërë të vetën, flokët u janë zbardhur e diku u kanë rënë, por nuk harrohet Astrit Bishqemi, aftësia e tij profesionale dhe zelli për punë, të cilin ai e tregoi edhe ndërmjet kolegëve me paraqitjen, ngrohtësinë shpirtërore dhe pasionin studiues. Kujtohet Sami Domni, si një ndër mësuesit që punonte shumë në organizimin e orës së mësimit dhe me pasionin e tij ngjallte tek nxënësit për ta bërë shkollën më të dashur. Të shkruash për Dilaver Shkodrën, do të thotë të shkruash për një intelektual, një njeri të kompletuar dhe, mbi të gjitha, që e donte profesionin, dijen, zhvillimin. Bashkë me shumë kolegë të tjerë, për çdo ditë ai ndërtonte një vizion të qartë të arsimimit të sulovarëve.
  Në fund të viteve ‘60 edhe në fshatrat e Sulovës u kalua në arsimin 8-vjeçar dhe në fillim të viteve ‘70 u hap shkolla e mesme bujqësore me dhe pa shkëputje nga puna në Mollas. Hapja e këtyre kategorive të shkollave dhe shtrirjes kërkonte edhe mësues më shumë, por dhe të kualifikuar. U emëruan mësues të tjerë nga Elbasani si: Vilson Karanxha, Rifat Xhina, Marjeta Osmani, Kujtim Spahiu, Arben Haxhiymeri, Eva Kajanaku, Abedin Stringa, Flora Vyshka, Ardjan Papajani, Fitnet Struga, Natasha Ballta, Mimoza Gremi, Agim Tarba, Avni Isai, Vladimir Ganjolli, Spiro Kallajxhiu, Shefki Ruda, etj, të cilët janë vetëm disa nga shumë e shumë emra, që nuk kanë qenë vetëm mësimdhënës, por, duke u përfshirë në jetën e fshatrave, u shquan si aktivistë shoqëror, pjesëmarrës e drejtues në veprimtaritë kulturore -sportive. Ishte koha e një masivizimi të madh të aktiviteteve kulturore-sportive. Me kulturën e tyre në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale e ndërtuan hapësirën e punës, miqësisë në interes të këtij zhvillimi shoqëror të fshatrave dhe pas shumë vitesh u kthyen në Elbasan, falë vlerave që shfaqën si mësues me perspektivë. Përhapën në Sulovë kulturën e qytetit dhe po shumë morën nga traditat e Sulovës. Meritojnë mirënjohje për kontributin që kanë dhënë në formimin cilësor të brezave të tjerë. Nuk harrohen lidhjet e tyre me sulovarët dhe fëmijët e tyre, dashurinë e ndërsjelltë që ekzistonte, një dashuri e pastër si vetë jeta, e cila mposhte varfërinë e brengat. Mjafton të shtojmë se ashpërsia e kësaj kohe, krijoi edhe ndaj mësuesve dënime dhe persekutime. Pushtetarë të pazotë që me prirjet e tyre të paaftësisë e fodullëkut e si të padenjë për pozita të tilla, luftonin me intriga vlerat, kontributet. Mësuesit, në sajë të kapacitetit mendor e kulturës që i karakterizonte, por edhe të mbështetjes, dashurisë nga mjedisi i ngrohtë e mikpritës i sulovarëve, i anashkalonin këto me punë përkushtuese me nxënësit. Thuajse shumica e mësuesëve në këto vite ishin të rinj. Me përkushtim për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, rininë e kaluan fshatrave të Sulovës, në Selitë, Linas, Mollas, Dragot, Selvijas, Floq. Kjo ishte edhe koha më e bukur e jetës së tyre. Ishte praktikë e sistemit të kaluar qeverisës, që të emëroheshin nëpër fshatra mësues, mjekë, ekonomistë të sapodiplomuar. Kjo periudhë e rëndësishme do të linte gjurmë në formimin e karakterit të tyre. Profesioni i mësuesit u jepte gëzim dhe vrulli i moshës i bënte të kapërcenin vështirësitë. Ndaj shumica nuk ranë në limonti, veçse lexonin shumë, studionin gjuhë të huaja. Bëhen përpjekje për përgatitjen e mësuesve nga Sulova, për të cilët kishte nevoje ajo. Emri i mirë dhe puna që bënë kujtohet edhe sot, se asnjëherë nuk ka munguar kujdesi, zemërgjërësia, mikpritja e respekti. Duke u kthyer në retrospektivën e asaj kohe ata ndjejnë nostalgji për këtë respekt vlerësues. Përmendim një fakt kuptimplot, që banorët i respektonin dhe ishin bujarë me ta, i ftonin në gëzime. Ky nderim një vlerësim i punës së tyre, për thjeshtësinë, sjelljen e kulturuar,për t’u hapur sytë fëmijëve. Interesante është që për vite me radhë jo pak mësues jetuan dhe punuan familjarisht. Nuk mund të harrohen çiftet e mësuesve: Sulejman e Dafina Haxhihasani, Eqerem e Vjollca Isai, Pandi e Marica Strati, Albert e Myzejen Palloi, Pëllumb e Marjana Dedja, duke lënë gjurëm përjetsisht të pashlyera në mëndjen e sulovarëve. Jo pak prej tyre ruajnë momente të bukura, por edhe vështirësi si jehona kujtimesh në thellësi të shpirtit, të cilat, i kanë shoqëruar gjatë gjithë viteve të jetës. Dikush ishte me cene në biografi dhe ai shtet në themel të tij kishte ndëshkimin. Në secilin prej tyre shikoje të materializuar përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e mjaft cilësi të humanizmit, mirësisë, që sot kujtohen me një lloj respekti të veçantë nga banorët. Pa harruar të shkruajmë se edhe për shkak të karakterit të tyre të ftohtë apo edhe disnivelit kulturor të banorëve, një pjesë qëndruan larg miqësisë dhe virtyteve. Ndoshta, edhe të demoralizuar nga që nuk e kishin pritur mirë emërimin në Sulovë, por e përgjithshmja është se shumica e tyre e ndjenin veten të lidhur me shkollën, nxënësit, banorët. Nuk harrohen vështirësitë dhe ajo punë kolosale që u bë. Natyrisht ka qenë vitaliteti me impulse të shumta, i cili ishte i domosdoshëm për të përballuar mundin e vështirësitë e krijuara në vitet më të mira të jetës së tyre. Në shkollën e mesme të Mollasit punuan vite me radhë një grup profesionistësh të zotë, që më vonë u bënë petagogë në Institutin e Lartë “Aleksandër Xhuvani”, sot Universiteti i Elbasanit, si Arben Haxhiymeri,Ardjan Papajani, Abedin Stringa, por edhe profesionistë të tjerë në gazetari e institucione shtetërore si Sulejman Haxhihasani, Pëllumb Dedja. Niveli i lartë teorik dhe pedagogjik ishte i lavdërueshëm në përgatitjen e brezave. Nxënësit të zellshëm edhe pse të veshur e mbathur keq, nuk mungonin, duke ardhur në mësim të lagur e të mardhur në dimër, pasi bënin përditë 3-5 kilometra rrugë. Mësuesit elbasanas ishin krenarë kur nxënësit e tyre të cilët vijonin formimin intelektual në shkollat e larta brenda e jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera.
    Sot në shkollat 9-vjeçare të Linasit, Selitës, Selvijasit, Floqit dhe të mesmen e Mollasit vazhdojnë të tjerë mësues elbasanas, të cilët ecin në gjurmët e traditës së mirë si misionarë të dijes në Sulovë. Përherë për këtë kontribut mbetet diçka pa u thënë e pa u shkruar. Puna shpesh anonime e mësuesve e bën të vështirë atë kronikë jetësore të kësaj armate. Në një ditë të shënuar si 7 Marsi ata formojnë lulen më të freskët të mirënjohjes së kësaj zone.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mirenjohje, Pellumb Gorica, PËR MËSUESIN

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT