• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIRËNJOHJE PËR MËSUESIN

March 6, 2017 by dgreca

2normalja-e-elbasanit-1909-300x177Një kontribut 100 – vjeçar i mësuesëve elbasanas në krahinën e Sulovës/1 Pellumb-Gorica-250x293

NGA PËLLUMB GORICA/Ndodh që njerëzit të çfarëdo kategorie qofshin këta, të impenjuar për të ecur me ritmin e kohës, e kthejnë kokën herë pas here prapa për të nderuar e kujtuar me respekt, ata që kanë treguar përkushtim. Sidomos ata që kanë derdhur mund dhe dashuri me profesionin e tyre. Vitet ikin, por në kujtesë mbetet respekti për mësuesit që mbollën dijen. Është një profesion ku mirënjohja e kontributi për shoqërinë dhe edukatën është e pakrahasueshme. Banorët e fshatrave të Sulovës së Elbasanit kujtojnë me mirënjohje të thellë mësuesit që punuan aty në shkollat nga qyteti i Elbasanit. Është një kontribut 100 – vjeçar.

Në fillim të shekullit të kaluar, si në mbarë Shqipërinë e pushtuar dhe të mbushur me varfëri, mjerim e padituri, ishte e madhe dëshira për dije e arsimim. Për këtë shumë herët edhe në krahinën e Sulovës u hap shkolla shqipe. Për hapjen e shkollës së parë kontribuan patriotët e Elbasanit, sidomos Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi, Ahmet Dakli e Emin Matraxhiu. Shkolla u hap në Mollas në vitin 1916. Si mësues i parë ishte Dhimitër Deliana (Konomi) nga lagjia Kala e Elbasanit. Mësimin e zhvilloi në xhaminë e Mollasit me kushte të vështira. Nxënës të ulur në dysheme, por me dashuri për dije. Ishin 24 nxënës nga disa fshatra të Sulovës. Nga kujtimet e familjes Deliana në Elbasan ruhet një dokument thuhet se Dhimitër (Taq) Deliana dha mësim në shkollën e parë të Mollasit gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shërbeu për një vit. Këtë e vërteton një dokument i përpiluar nga pleqësia e fshatit Mollas në këtë periudhë, e firmosur dhe e vulosur me pulla takes, ku thuhej se të ardhurat i shkonin Kryqit të Kuq. Në librin e Ilir Kaninës “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës I Botërore“, faqe 58 është shkruar: “Më pas në shkollën e Mollasit në vitin 1918 erdhi mësuesi nga Elbasani Qamil Xhani, i cili punoi deri në vitin 1920’’.

Me historikun e shkollës së Mollasit lidhet pazgjidhshmërisht emri, përkushtimi dhe veprimtaria e gjatë e mësuesit nga Elbasani Musa Kongoli. Ai punoi si mësues në Mollas në vitet 1920-1924. Historitë gojore kanë arritur tek brezi i ri nga ish nxënësit e tij, që në tregimet e tyre e kanë dhënë shumë bukur madhështinë e këtij njeriu. “Ishte i ri kur erdhi në Mollas, një djalë i burrëruar para kohe nga hallet.” E kujtojnë me respekt për disiplinën, taktin pedagogjik dhe dëshirën e zjarrtë për t’u mësuar fëmijëve sulovarë shkrim e këndim. Ai nuk ishte vetëm një mësues i mirë, por edhe një patriot i vendosur, që luftoi deri në fund të jetës, për përparimin e vendit.

Në gjysmën e parë të shekullit XX, historia e arsimit në Shqipëri ka ecje e ngecje, vështirësi. Shkolla e Mollasit, si e vetmja në Sulovën e Poshtme, kishte probleme me ambientet, kushtet, largësinë e mësuesve, por edhe të nxënësve. Këto i dëshmojnë tërthorazi të dhënat arkivore kujtimet e mësuesve elbasanas që punuan këtu. Kjo i detyronte herë pas here autoritetet e kohës që ta mbyllnin. Sipas dokumenteve, në vitin 1924 numri i shkollave në gjithë vendin erdhi duke u pakësuar ashtu si mësuesit që jepnin mësim. Në vitin 1925 regjimi i Zogut e mbylli shkollën në Mollas me mësues Musa Kongolin. Kur askush nuk interesohej për shkollën dhe as për mësues patriotët sulovarë protestuan. Ata e ndjenin nevojën e arsimimit të fëmijëve dhe nuk mund të linin ata pa dituri, prandaj kërkuan me çdo kusht vazhdimësinë. “Historiku i zonës së Mollasit” shkruan:“ Një grup patriotët sulovarë shkoi te prefekti i Elbasanit dhe kundërshtuan këtë vendim të qeverisë, duke kërkuan me insistim rihapjen e shkollës. Qeveria nga presioni u detyrua që të rihapë atë”. Për shkak të vështirësive që dolën nga kriza ekonomike në vitin 1931, shkolla e Mollasit u mbyll përsëri dhe nxënësit mbetën pa mësim disa muaj. Qeveria e Zogut kërkoi, që mësuesit t’i paguajnë vetë populli siç paguan hoxhën e fshatit, sepse nuk është parashikuar në buxhet. Për shkak të kushteve të vështira, por edhe të largësisë, mësuesit ndërroheshin herë pas here, duke punuar në periudha të shkurta. Përmendet puna e palodhur e mësuesit Hysen Pajenga. Ai edukoi breza nxënësish sulovarë, midis të cilëve edhe mësuesin e parë sulovar, Riza Cërrikun i cili nuk do të harronte gjithë jetën: “E kam ende të freskët në kujtesë mësuesin e klasës së parë. Ishte njeri i mirë, që përpiqej për të na mësuar, megjithëse ishte i rreptë ’’. Mësues të tjerë elbasanas që në këto vite ushtruan profesionin në Mollas ishin “Llaz Topalli, Spiro Gjirazi, Maliq Mullaholli, Musa Shehu etj”.(“Historiku i zonës së Mollasit”) Sipas mundësive punuan pa u kursyer dhe e deshën profesionin e mësuesit, i deshën fëmijët, banorët e natyrën e krahinës. Ata shpesh u përplasën me opinione negative për arsimin e fëmijëve prej banorëve, se nuk u duhet shkolla, kush do t’i ndihmojnë të ruajnë bagëtitë. Shumica e mësuesve ishin diplomuar në Normalen e Elbasanit, e cila ishte në atë kohë institucioni më i lartë dhe më i kualififikuar arsimor i vendit, ku jepnin mësim një plejadë e tërë pedagogësh të spikatur e patriotë të flaktë. Është periudha kur familjet elbasanase do të sakrifikonin për arsimin dhe kulturën dhe pavarësisht mundësive të pakta ekonomike, vepronte një frymë e përbashkët në Elbasan për arsimimin, që vinte si rezultat i një tradite të hershme. Një kohë tepër e vështirë kur Shqipëria së pari vuante nga varfëria e tejskajshme dhe arsimit aspak i kushtohej vëmëndje. Ndoshta sot nuk e besojnë, por ja që kjo është e vërteta e jetës së këtyre mësuesve për të shpërndarë dijen e mësuar fëmijët edhe në Sulovë. Mësuesi nderohej nga të gjithë në Sulovë. Shumë prej tyre në këto vite e më vonë banonin në familjet e sulovare. Midis tyre kishte edhe nga ata që vepronin me metoda antipetagogjike, ndëshkime fizike ndaj nxënësve. Shkolla e Mollasit prej mësuesve elbasanas që në fillimet e saj ishte një fidanishte e patriotizmit dhe e formimit kulturor për brezat e ardhshëm në Sulovë.

Përpjekja për zhdukjen e analfabetizmit pas Luftës së Dytë Botërore ishte e madhe. Kudo kishte skamje, por dëshira për të përhapur dije më e madhe. Janë fakte që bëjnë të njohur kontributin e të tjerë mësues elbasanas. Është me interes të tregonim se kujtimet për këto vite, vlerësojnë sakrificat e mësuesve, seriozitetin e dëshirën për punë të mira, dashurinë për profesionin fisnik. Vitet kalojnë, por nuk do të harrohet durimi, këmbëngulja, vështirësitë me shqetësimin e vazhdueshëm për ambiente të përshtatshme, mungesat e mjeteve, frekuentimin i nxënësve e mbarvajtjen e mësimeve. Ishte koha kur nevojat për arsimtarë ishte e madhe me hapjen e shkollave në çdo fshat. Mjaftonte të kishin arsimin e mesëm. Jo pak prej tyre patën në fillim vështirësi të përballonin jetën e fshatit. Një sërë pyetjesh zinin vend në mëndjen e tyre, se si do të ishte vendbanimi, si do të ishin njerëzit e mbi të gjitha si do të përballonin kohën aty. Ishin vite që mungonin shumë gjëra. Mungonte komunikacioni. Nga Elbasani në Sulovë në ato vite të para të pas çlirimit të vendit vinin më shumë në këmbë se sa me makinë. Deri në Gostimë mund të gjeje mjet, që edhe kur kalonte ndonjë kamion shpresa mbetej vetëm te zemra e shoferit, që duhej të paguaje përndryshe duhej të ecje, por mandej në fshatrat e Sulovës ecnin në këmbë, mes rrugës së shkretë, të ftohtit, baltës në dimër, me vështirësi kalonin lumin Devoll e përrenjtë dhe në verë nuk i shpëtonin vapës përvëluese e pluhurit. Mësuesi Astrit Bishqemi kujton: “Nga Dumreja, vitin tjetër arsimor më hodhën në krahinën e Sulovës, tre vjet në Selvijas dhe një vit në Mollas. Luftë me padijen, me baltrat, me ujët e lumit Devoll.” Në fshatrat e Sulovës u emëruan dhjetra mësues. Kujtohen me nderim: Mehmet Dardha, Itarik Peshtani, Mithat Leka, Nazif Baholli, Mustafa Shupaku, Galetana Çaushi, Astrit Bishqemi, Loni Duda, Faik Pleshti, Xhaferr Guriçi, Nuri Dushku, Sami Domni, Dilaver Shkodra, Zeliha Shkodra, Ethem Mullajonuzi, Rruzhdi Belegu, Mustafa Pajenga, Albert Stoja, Hysen Pobrati, Sabaudin Pobrati, Liri Arapi, Ismail Kafexhiu, Sami Paralloi, Bexhet Belegu, Nafie Çaushi, Ollga Zhupa, Esat Gjevori, Hysen Saraçi, e sa a sa të tjerë që punuan pak vite. Përshkrimi i punës së çdo njërit prej tyre tregon se ishte i vështirë. Sulovarë të ndryshëm e midis tyre edhe Xhevit Çela, Ramiz Nasufi, Hekur Braushi, Alush Xheria flasin me respekt për mësuesit e kësaj periudhe. Mosha ka bërë të vetën, flokët u janë zbardhur e diku u kanë rënë, por nuk harrohet Astrit Bishqemi, aftësia e tij profesionale dhe zelli për punë, të cilin ai e tregoi edhe ndërmjet kolegëve me paraqitjen, ngrohtësinë shpirtërore dhe pasionin studiues. Kujtohet Sami Domni, si një ndër mësuesit që punonte shumë në organizimin e orës së mësimit dhe me pasionin e tij ngjallte tek nxënësit për ta bërë shkollën më të dashur. Të shkruash për Dilaver Shkodrën, do të thotë të shkruash për një intelektual, një njeri të kompletuar dhe, mbi të gjitha, që e donte profesionin, dijen, zhvillimin. Bashkë me shumë kolegë të tjerë, për çdo ditë ai ndërtonte një vizion të qartë të arsimimit të sulovarëve.
  Në fund të viteve ‘60 edhe në fshatrat e Sulovës u kalua në arsimin 8-vjeçar dhe në fillim të viteve ‘70 u hap shkolla e mesme bujqësore me dhe pa shkëputje nga puna në Mollas. Hapja e këtyre kategorive të shkollave dhe shtrirjes kërkonte edhe mësues më shumë, por dhe të kualifikuar. U emëruan mësues të tjerë nga Elbasani si: Vilson Karanxha, Rifat Xhina, Marjeta Osmani, Kujtim Spahiu, Arben Haxhiymeri, Eva Kajanaku, Abedin Stringa, Flora Vyshka, Ardjan Papajani, Fitnet Struga, Natasha Ballta, Mimoza Gremi, Agim Tarba, Avni Isai, Vladimir Ganjolli, Spiro Kallajxhiu, Shefki Ruda, etj, të cilët janë vetëm disa nga shumë e shumë emra, që nuk kanë qenë vetëm mësimdhënës, por, duke u përfshirë në jetën e fshatrave, u shquan si aktivistë shoqëror, pjesëmarrës e drejtues në veprimtaritë kulturore -sportive. Ishte koha e një masivizimi të madh të aktiviteteve kulturore-sportive. Me kulturën e tyre në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale e ndërtuan hapësirën e punës, miqësisë në interes të këtij zhvillimi shoqëror të fshatrave dhe pas shumë vitesh u kthyen në Elbasan, falë vlerave që shfaqën si mësues me perspektivë. Përhapën në Sulovë kulturën e qytetit dhe po shumë morën nga traditat e Sulovës. Meritojnë mirënjohje për kontributin që kanë dhënë në formimin cilësor të brezave të tjerë. Nuk harrohen lidhjet e tyre me sulovarët dhe fëmijët e tyre, dashurinë e ndërsjelltë që ekzistonte, një dashuri e pastër si vetë jeta, e cila mposhte varfërinë e brengat. Mjafton të shtojmë se ashpërsia e kësaj kohe, krijoi edhe ndaj mësuesve dënime dhe persekutime. Pushtetarë të pazotë që me prirjet e tyre të paaftësisë e fodullëkut e si të padenjë për pozita të tilla, luftonin me intriga vlerat, kontributet. Mësuesit, në sajë të kapacitetit mendor e kulturës që i karakterizonte, por edhe të mbështetjes, dashurisë nga mjedisi i ngrohtë e mikpritës i sulovarëve, i anashkalonin këto me punë përkushtuese me nxënësit. Thuajse shumica e mësuesëve në këto vite ishin të rinj. Me përkushtim për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, rininë e kaluan fshatrave të Sulovës, në Selitë, Linas, Mollas, Dragot, Selvijas, Floq. Kjo ishte edhe koha më e bukur e jetës së tyre. Ishte praktikë e sistemit të kaluar qeverisës, që të emëroheshin nëpër fshatra mësues, mjekë, ekonomistë të sapodiplomuar. Kjo periudhë e rëndësishme do të linte gjurmë në formimin e karakterit të tyre. Profesioni i mësuesit u jepte gëzim dhe vrulli i moshës i bënte të kapërcenin vështirësitë. Ndaj shumica nuk ranë në limonti, veçse lexonin shumë, studionin gjuhë të huaja. Bëhen përpjekje për përgatitjen e mësuesve nga Sulova, për të cilët kishte nevoje ajo. Emri i mirë dhe puna që bënë kujtohet edhe sot, se asnjëherë nuk ka munguar kujdesi, zemërgjërësia, mikpritja e respekti. Duke u kthyer në retrospektivën e asaj kohe ata ndjejnë nostalgji për këtë respekt vlerësues. Përmendim një fakt kuptimplot, që banorët i respektonin dhe ishin bujarë me ta, i ftonin në gëzime. Ky nderim një vlerësim i punës së tyre, për thjeshtësinë, sjelljen e kulturuar,për t’u hapur sytë fëmijëve. Interesante është që për vite me radhë jo pak mësues jetuan dhe punuan familjarisht. Nuk mund të harrohen çiftet e mësuesve: Sulejman e Dafina Haxhihasani, Eqerem e Vjollca Isai, Pandi e Marica Strati, Albert e Myzejen Palloi, Pëllumb e Marjana Dedja, duke lënë gjurëm përjetsisht të pashlyera në mëndjen e sulovarëve. Jo pak prej tyre ruajnë momente të bukura, por edhe vështirësi si jehona kujtimesh në thellësi të shpirtit, të cilat, i kanë shoqëruar gjatë gjithë viteve të jetës. Dikush ishte me cene në biografi dhe ai shtet në themel të tij kishte ndëshkimin. Në secilin prej tyre shikoje të materializuar përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e mjaft cilësi të humanizmit, mirësisë, që sot kujtohen me një lloj respekti të veçantë nga banorët. Pa harruar të shkruajmë se edhe për shkak të karakterit të tyre të ftohtë apo edhe disnivelit kulturor të banorëve, një pjesë qëndruan larg miqësisë dhe virtyteve. Ndoshta, edhe të demoralizuar nga që nuk e kishin pritur mirë emërimin në Sulovë, por e përgjithshmja është se shumica e tyre e ndjenin veten të lidhur me shkollën, nxënësit, banorët. Nuk harrohen vështirësitë dhe ajo punë kolosale që u bë. Natyrisht ka qenë vitaliteti me impulse të shumta, i cili ishte i domosdoshëm për të përballuar mundin e vështirësitë e krijuara në vitet më të mira të jetës së tyre. Në shkollën e mesme të Mollasit punuan vite me radhë një grup profesionistësh të zotë, që më vonë u bënë petagogë në Institutin e Lartë “Aleksandër Xhuvani”, sot Universiteti i Elbasanit, si Arben Haxhiymeri,Ardjan Papajani, Abedin Stringa, por edhe profesionistë të tjerë në gazetari e institucione shtetërore si Sulejman Haxhihasani, Pëllumb Dedja. Niveli i lartë teorik dhe pedagogjik ishte i lavdërueshëm në përgatitjen e brezave. Nxënësit të zellshëm edhe pse të veshur e mbathur keq, nuk mungonin, duke ardhur në mësim të lagur e të mardhur në dimër, pasi bënin përditë 3-5 kilometra rrugë. Mësuesit elbasanas ishin krenarë kur nxënësit e tyre të cilët vijonin formimin intelektual në shkollat e larta brenda e jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera.
    Sot në shkollat 9-vjeçare të Linasit, Selitës, Selvijasit, Floqit dhe të mesmen e Mollasit vazhdojnë të tjerë mësues elbasanas, të cilët ecin në gjurmët e traditës së mirë si misionarë të dijes në Sulovë. Përherë për këtë kontribut mbetet diçka pa u thënë e pa u shkruar. Puna shpesh anonime e mësuesve e bën të vështirë atë kronikë jetësore të kësaj armate. Në një ditë të shënuar si 7 Marsi ata formojnë lulen më të freskët të mirënjohjes së kësaj zone.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mirenjohje, Pellumb Gorica, PËR MËSUESIN

NJË QIRI PËR MËSUESIN E SHKOLLËS SHQIPE

February 12, 2015 by dgreca

Me rastin e vrasjes së Papa Kristo Negovanit, 12.2.1905-12.2.2012/
Nga Arben LLALLA/
Gjatë revolucionit kulturor të shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe nga fundi i shek.XIX dhe fillimet e shek.XX janë vrarë nga turqit dhe grekët shumë mësues që hapën mësonjëtoret e para në gjuhën shqipe.
Një nga këta mësues që u masakruan nga grekët ishte edhe Papa Kristo Negovani, i cili lindi në vitin 1875 në fshatin Negovan që ndodhet afër Kosturit (Kastoria) rrugës për në Edesa. Sot ky fshat quhet Flamuria. Gjatë një vizite që bëra në vitin 2003, bisedova shqip me pleqtë e fshatit që ende e flisnin gjuhën e të parëve. Pra, nga ky katund ishte atdhetari Kristo Negovani (Harallambi). Në fshatin e lindje Papa Kristo mbaroi shkollën fillore në gjuhën greke duke vazhduar më tej gjimnazin në Athinë. Pas tre viteve studimesh në Athinë ai i braktis ato për arsye sepse një çetë kusarësh gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre i vranë babanë. Pasi u kthye në vendlindje papa Kristo filloi punë në shkollën greke të fshatit. Vitet shkonin dhe mësues Kristo Negovani shikonte se si brezi i ri në fshat po edukohej me kulturë dhe gjuhë greke duke humbur traditat dhe gjuhën e mëmës, shqipen. Në ato vite greqizimi i shqiptarëve po shtrihej në të gjitha trevat që banoheshin nga popullsia shqiptare. Ky greqizim përhapej në forma të ndryshme si në arsim, në kishë dhe politikë administrative. Edhe pse Papa Kristo ishte i edukuar në shkollat greke, edhe pse paguhej nga shteti grek për mësimin që jepte në shkollën e fshatit, të tëra këto nuk kishin ndikuar në zemrën e tij për të dashuruar kulturën dhe gjuhën e huaj greke. Gjatë mësimit të gjuhës greke në shkollën e katundit të tij ai u thoshte nxënësve: “Përmbi çdo gjë gjuha shqipe ishte ajo që duhej mësuar, sa më parë”. Me një vullnet dhe guxim djalërie ai vendosi të hapte shkollat e para në disa fshatra që banoheshin nga shqiptarët për rreth Kosturit dhe Follorinës. Shkrimin e gjuhës shqipe me Alfabetin e Stambollit Kristo Negovani e kishte mësuar në Rumani ku kishte punuar marangoz për tre vite. Ato vite ishte lidhur edhe me shoqatën “DRITA” dhe me disa anëtarë të shoqatës “DJALËRI” të Stambollit. Më 1897 u shugurua prift në fshatin e tij. Ky dalë i ri që për hir të çështjes kombëtare u bë prift do jetë pararendësi i frymëzimit për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Kisha dhe shtëpia e papa Kristos u bënë vatrat e para ku mësohej gjuha shqipe, por kjo gjë nuk u pëlqeu grekëve të cilën e kërcënuan disa herë. Ishte një natë e errët e 12 Shkurtit të vitit 1905. Mësonjësi Kristo Negovani po shpërndante naforën në kishë, një grup njerëzish të panjohur e rrëmbyen dhe e shpunë jashtë fshatit. Në errësirë të dërguarit e Dhespot Fotit filluan ta masakronin Papa Kriston me sopata e thika. Pasi e copëtuan trupin, i prenë kokën për t’ia dërguar porositësit të kësaj vrasje. Por kriminelët e dërguar nga Athina nuk u ndalën me kaq, po atë natë ata i vranë dhe të vëllanë, Theodhos Negovanin i cili edhe ky përhapte shkollën në gjuhën shqipe. Atdhetarët shqiptarë kudo që ishin u prekën shumë nga këto dy vrasje që ndodhën.

Histori e shkurtër e fshatit Negovan-Flamburo*
NEGOVANI, më 1928 iu ndërrua emri në Flamburo. Në këtë fshat ende banojnë shqiptar ortodoks dhe pak vlleh. Nga viti 1912 e deri 1928, në Negovan banonin rreth 1.100 njerëz.
Fshati Negovan është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij, për hapjen e shkollës shqipe dhe mbajtjen meshën në gjuhën shqipe që në fillim të shek. XX. Në këtë fshat kanë lindur shumë figura kombëtare, ndër ta përmendim papa Kristo dhe Theodhos Harallambi Negovani, të cilët u vranë nga grekët më 1905, sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe. Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit.
Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.
Shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro Nini Luarasi. Në fund letra ka edhe vulën e pleqësisë së mësonjëtores me vitin e themelimit të saj 1909. Origjinali i kësaj letre gjendet në muzeun e qytetit të Elbasanit. Kjo shkollë u drejtua deri në vitin 1911 nga Petro Luarasi .
Nga Negovani është dhe ish-ministri i brendshëm i Republikës së Shqipërisë Koçi Xoxe (1911-1949), njëri nga figurat qendrore të Partisë Komuniste. Gjatë kohës së diktaturës komuniste është shkruar se Koçi Xoxe ishte sllav-folës, por në Negovan nuk ka pasur asnjë familje sllav-folëse. Një kushëri i Koçi Xoxes i quajtur Mihal Xoxe, në fund të shek.XIX kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike. Aty janë botuar edhe librat e Frashëllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilat ndezën në ato vite shumë ndjenjat patriotike. Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.
Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.
Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.
Shina, 1.500 banorë të krishterë, kishë, shkollë dhe një han.
Kënçov, 620 shqiptarë të krishterë dhe 100 vlleh.
Brankof, 96 bullgarë të krishterë, 110 grek, 300 vlleh dhe 1.080 shqiptarë të krishterë. Fshati kishte dy shkolla fetare, tre mësues dhe 200 nxënës.
Millojeviç, 110 shtëpi ku banojnë shqiptarë ortodoks dhe 3 shtëpi vlleh ortodoks.
Në regjistrimin e vitit 1932, fshati kishte 210 familje të huaja që flisnin gjuhën shqipe dhe pak prej tyre gjuhën sllave dhe rumanishten, dhe 44 familje kanë deklaruar hapur se janë shqiptar.
Riki Van Boeschoten dhe Helleen van der Minne, banorët e Negovanit janë deklaruar të gjithë shqiptarë. Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë.
(Marrë nga libri: “Demografia e Fiseve Shqiptare në Greqinë e Veriut”, Tetovë, 2013.

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: arben llalla, e shkolles shqipe, NJË QIRI, PËR MËSUESIN

Artikujt e fundit

  • DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË / SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • 2023 A Consequential Year for Cybersecurity – Albania, Example of What Can Happen
  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT