• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

METAFORA E PRANVERËS DURRSAKE

May 6, 2016 by dgreca

Mbresa nga festivali “Pranvera poetike durrsake”/

 NGA PËLLUMB GORICA/

 Nuk ka rëndësi se sa çaste të bukura kalojmë në jetë, por çfarë emocioni dhe gjurmësh lenë ato në kujtesë, dhe më e bukura është se si i ndajmë me njëri tjetrin. Kjo është arsyeja që ftesa në festivalin e përvitshëm “Pranvera poetike durrsake”, dhe dëshira për të takuar miqtë e mi, më bëri të gjendem pranë komunitetit të krijuesve durrsakë. Ishte një ditë e mbingarkuar me veprimtari letrare në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme (kavalishenca) te Plepat– Durrës, por edhe me bukuri mendore e modesti shpirti. Vlerat njerëzore, kulturore e krijuese, me të cilët shumica nga ne kalojmë një pjesë të mirë të jetës, varen nga këndvështrimi që i percepton ato. Edhe kjo veprimtari mbesëlënëse, në një mjedis romantik, dhe që i shërben një qëllimi, ka rëndësinë e vet. Madje, e shëndërruar në një ngjarje kulturore me përmasa mbarë shqiptare, çastet e bukura, përjetimet aty dëshiron jo vetëm t’i fiksosh në foto, por edhe të shkruash. 

  Durrësi, ky pendëartë qysh nga hera, jeton jetën e vet të vrullshme e dinamike, e që meriton të përmendet. Këtu lashtësia 3000 vjeçare flet me heshtjen e mureve të kalasë, mozaikut dhe amfiteatrit antik. E kombinuar me modernen në qendër e periferi të tij, ajo udhëton këndshëm si dy miq të mirë, ku hijeshia, poetika e kultura, bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës. Brenda këtij gërshetimi, udhëton edhe geni popullor i Durrahut të lashtë. Natyrisht janë këto, që tregojnë se kush janë ato, nga kanë ardhur, cilët kanë qenë figurat e ndritura dhe vlerat e tyre njerëzore, që i kanë dhënë emër qytetarisë durrsake, traditës dhe kulturës sonë kombëtare. 

 – Historia e qytetit tonë nuk tregohet vetëm në libra historie, në mure të vjetër, apo stenda muzeore, as edhe me një shpjegim të shkurtër historik nga thellësia e shekujve, – të thotë miku ynë, poeti Edmond Agolli, që të imponon menjëherë me pamjen e njeriut energjik, edhe pse në në kurorën e flokëve të tij ka rënë lehtë e bardha borë. Dhe kur e pyet për të ditur më shumë ke dëshirë ta dëgjosh më gjatë. Emrin e qytetit nuk e ka zbehur asnjëherë mosnjohja, rëndësia, historia e lashtë, vlerat, figurat, bujaria, poezia, miqësia… Qyteti i ngjan këto ditë një sofre të madhe poetike, dhe në këtë sofër bujaria e poetëve të Durrësit i shtron të gjithë, pavarësisht moshës, të njohur apo kalimtarë rreth saj. Kështu, në këtë ditë kur dielli lëshonte rrezet e tij bujare, dhe të gëzonte syrin, u end ajo mes miqve poetë, të rinj e të vjetër në moshë, e me gjeografinë e trevave shqiptare, të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Greqisë, por edhe nga Vlora, Elbasani, Saranda, Tirana, Korça, Kavaja, Shkodra, Dibra, Burreli etj. Edhe pse disa nga ata të ardhur për herë të parë në këtë veprimtari, me ndjesinë se njihen prej vitesh, atmosfera e ngrohtë dhe miqësore i rrëmbeu këndshëm. Pas përshëndetjeve me njëri tjetrin, me respekt e përzemërsi, thuajse të gjithë kanë dëshirë të tregojnë ngutshëm botimet, gëzimet e pasionin e tyre. Shumica prej tyre të dhurojnë kopjet e librave të botuar kohët e fundit me urimin për suksese në rrugën e vështirë, por të bukur të artit. Ndaj, është më se e natyrshme që me mençurinë dhe nivelin intelektual nisin bisedat, edhe pse koha fluturon si pa u ndier. Diskutojnë me një rrymë gjallërie, e ngrohtësie të shpirtit të tyre, në fjalë kumbuese e pa droje, por me plot dashuri e mirësi për një gamë temash, ku tradita dhe historia, kultura dhe arti, udhëtimet dhe poezia, vendlindja dhe pija e poetëve, vera, etj janë miqtë e mirë dhe më kryesoret. Miqësitë e krijuesve kanë shumë ngrohtësi, sinqeritet, origjinalitet, gazmend, qoftë kur pi një kafe, apo edhe kur shijon një drekë të thjeshtë mes vargjesh poetike, e patjetër kur mblidhen në festa të mëdha krijuese. Në përkitjet me shoqërinë e miqve poetë e me vlera nuk duhet të harrojmë se ato janë njerëz të etshëm për të çmuar, vlerësuar e respektuar miqësinë poetike, duke ndarë emocione që të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Sidomos kur ky respekt vjen nga veprimtaritë, promovimet e brumit krijues të këtij qyteti. Nuk gjej fjalë të tepërta të rrëfej se ç’atmosferë mbresëlënëse lenë këta krijues me prezencën e tyre në veprimtaritë letrare.

    Pranvera poetike është një veprimtari e rëndësishme e krijuesëve durrsakë, që nxit, organizon, vlerëson dhe u jep jete e bukuri poetëve, shkrimtarëve, këtyre njerëzve me botë të mrekullueshme. Kjo e bën këtë festival poetik një festë të bukur e me shumë kuptim. Përkushtimi i krijuesëve durrsakë: Nikolla Spathari, Gjergj Vlashi, Naim Kërçuku, Agim Bajrami, Vladimir Muça, etj, ka realizuar e po realizon pa egoizëm e interes personal, dhe larg llafogjisë bërtitëse e mjerane të tilla kuvendime të fjalës së bukur me peshë artistike, e me një pjesëmarrje të madhe, duke krijuar një traditë. Ndaj, interesimi i  botuesëve periodikë; Roland Lushi i revistës letrare “Obelisk”, dhe i Mujo Buçpapës të gazetës “Nacional” ishte domethënës. Por, Nikolla Spathari, Kryetari i Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, i thyer në moshë, i këndshëm e shpërthyes në gojëtari, dhe i një elokuence mbresëlënëse vazhdon t’i jap kuptim  vlerash veprimtarive letrare në Durrës. Është humori i tij që u jep zjarr bisedave tona.

 Natyrisht të shkruash një libër, dhe sigurisht ta promovosh me miqtë poetë nga të gjitha trevat, në një veprimtari të tillë si festivali ” Pranvera poetike durrsake “ është kulmi i një kënaqësie. Aq më tepër kur aty shpalosen vlerat e librave të ndryshëm, të shkruar nga autorë entuziastë, si  Sami Velçani me promovimin e librit të tij, të ri poetik “Ditari i së djelës”. Ishte një promovim interesant e mbresëlenës, që rrezëlleu nga përgëzimet, urimet dhe vlerësimet, por edhe valëzimet e ëmbla të vargjeve të tij recituar këndshëm nga studentët e Universitetit të Durrësit. Vëllimi poetik “Ditari i së djelës”, të thotë poeti Agim Bajrami, vjen në vazhdën e librave të tjerë të botuar nga autori përmes një gjuhe figurative të zgjedhur, e pa truke mikluese, por që pasqyron më së miri realitetin absurd të kohës. Në trajtimet analitike të këtij botimi me një perceptim konçiz, u shprehën fjalë vlerësimi për forcën shprehëse, gjetjet mataforike, por edhe konsiderata për librat e tjerë të botuar të Sami Velçanit, nga studiuesit: Alisa Velaj, Rruzhdi Mata, Vladimir Muça, etj.

 Atmosfera sharmante e frymëzimit i inspiroi poetët të lundrojnë me frymën e shenjtë të poezisë. Kjo mund të themi se ishte thelbi i bukurisë së festivalit poetik ”Pranvera poetike durrsake” në një konkurimin të drejtëpërdrejtë të gjashtëdhjetë poetëve, ku meliodiziteti i vargjeve, dhe dimesioni i lartë shpirtëror shpalosej nën flakërimat magjike të emocioneve. Kjo dinamikë shprehëse e bëri më të larmishëm festën poetike me duartrokitjet entuziaste. Ndjen kënaqësinë që dhurojnë vargjet e recituara në tematika aktuale të poetëve: Kalosh Çeliku, Pandeli Koçi, Iljaz Bobaj, Agim Bajrami, Xhelal Tosku, Skënder Temali, Nebih Bunjaku, Edmond Agolli, Anila Toto, Alisa Velaj, Adem Zaplluzha, Irena Gjoni, Ibrahim Berjashi, Nikollë Berishaj, Argëzon Sulejmani, Vladimir Muça, Myrteza Mara, Laureta Petroshati, Bedri Neziri ,Riza Braholli, Manushaqe Toromani, Naxhije Doçi, Ramadan Mehmeti, Sabit Rustemi, Nexhat  Çoçja, Lindita Ramushi, Agim Desku, Adivie Hoxha, Xhevahir Cirongu, Urime Staka etj. Fituesit ishin nga treva të ndryshme, të njohur dhe të panjohur të elitës së poezisë shqiptare. Me çmime të III u nderuan Vladimir Muça nga Durrësi dhe Anila Toto nga Vlora. Me çmime të II Pandeli Koçi nga Tirana dhe Berat Batiu nga Prizreni. Ndërsa çmimin e I e meritoi poeti Iljaz Bobaj.

 Panorama e detit të qetëson shpirtërisht. Nën ngrohtësinë e rrezeve të praruara të këtij dielli mesdhetar, me gëzimin që të fal ai, shëtitja bregut të detit i çon poetët në meditime, e që fluturojnë larg hapësirave të pafundme të imagjinatave. Me  këtë lumturi dhe gëzimin shpirtëror që ndjen kur je mes miqve të tillë, natyrisht askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie tunduese si kjo.

 U mbyll festivali poetik “Pranvera poetike durrsake” me kënaqësinë e një dite të këndshme, dhe dëshirën për të ardhur në veprimtari të tjera, për të promovuar këngë, emocione, e vepra të reja letrare.

Fotografia: Luan Jaupi

Filed Under: ESSE Tagged With: durrsakë, E PRANVERËS, METAFORA, Pellumb Gorica

NË SHPAT, ME FTESË TË ‘‘ ONUFRIT ’’

April 29, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

Me dëshirën e hershme, por disi të vonuar, një ditë udhëtuam për në Gjinar, të Shpatit, trevën më të njohur të Elbasanit, me miqtë e mi, të rinj e të vjetër në moshë. Mbresat e këtij udhëtimi spontan filluan të na pushtojnë në çdo kilometër që ne ngjiteshim drejt Gjinarit, pikësynimit tonë, të cilat shumoheshin në mënyrë progresive. Ato filluan të bëhen pjesë e qenies dhe shpirtit tonë. Janë të panumërta dhe njëra më befasuese se tjetra, por unë po përmend ato që mendoj se do të flenë gjatë në kujtesën tonë, për vite të tëra. Po ia le lexuesit të përjetojë më interesantet në këtë udhëpërshkrim. Por sado të shkruaj unë, që t’i shijosh dhe të lumturohesh nga këto mrekulli e natyrës, duhet të shkelësh edhe ti lexues në Shpat, midis kodrave, të mbushura me gjelbërim, të dëgjosh këngën e zogjve, që hidhen nga njëra pishë te tjetra, duke e mbushur peisazhin me zëra mahnitës. Këto ndjesi i përjeton ai që e shkel këtë rrugë çdo ditë, e ka thithur ajrin e pastër dhe aromën e pishave, por sidomos më shumë ai që vjen për herë të parë këtu. Flladi i freskët dhe dehës, t’i çlodh sytë nga gjelbërimi i dendur dhe zemra do të zgjerohet nga kënaqësia e peisazhit.

Për Shpatin është shkruar dhe folur shumë, por, kur gjendesh aty, kur e prek dhe e shijon me të gjitha shqisat, mëson shumë gjëra interesante. Si një eksplorues i peisazheve dhe historisë, gjatë udhëtimeve të mia hulumtoj për vendet të veçanta. Shpati, kjo perlë e veçantë në llojin e saj, është një trevë mjaft e pasur me burime natyrore, e cila ka kushte të rralla për zhvillimin e turizmit malor. Këtë përfitim ia mundëson brezi pyjor mjaft i pasur i pishave të larta e të dendura. Aroma e rrëshirës së tyre ndihet kilometra larg dhe me një efekt të fuqishëm kurimi. Nga largësia e viteve na vijnë histori të lashta që lidhen me Shpatin me karakteristika të spikatura historike dhe kulturore. Historia e Shpatit e vulosur nga dëshmitarët e kohërave, ndërtimet e lashtësisë, kala, kisha, rrugëkalime të vjetra, dokumentet arkivore, njihet edhe nga dimensioni i legjendave. Ngjarjet e shumta kanë shpërndarë mugëtirën e kohërave dhe e kanë bërë të njohur Shpatin për trimërinë, patriotizmin, traditat dhe dëshirën e madhe për dije e kulturë e një vitalitet të banorëve gjatë gjithë shekujve, duke i dhënë impulse gjithfarsoj mbijetesës së tyre. Ndaj nuk mund të vazhdoj të shkruaj më tej, pa i përmendur ato qoftë edhe përciptazi. Me emrin e Shpatit lidhen figura historike dhe të artit në kohëra si: Prijësi Gjorg Golemi, Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Konstandin Shpataraku, Petro Petroshi, Isuf Qosja, këngën e të cilit plaku takie-bardhë nga Sulova, Hamit Miraka, e këndonte gjithmonë në konakun e tij, e sidomos kur i vinin miq nga Shpati. Shpatarakët janë njerëz fisnik, të çiltër, të dashur, gazmorë dhe të mençur. Ata trashëgojnë cilësi tepër të rralla njerëzore si: mikpritja, bujaria, organizimi i mirë i ceremonive dasmore, apo rasteve të fatkeqësive familjare etj. Ndaj ndjen simpati për Shpatin e njerëzit bujar, punëtor, të këngës, të valles, të librit e të konakut…

Ne nuk i përfillëm vështirësitë e rrugës, e cila derdhonte shpateve të kodrave, duke u bërë bashkudhëtare me ne, sepse fantazia jonë na tërhiqte atje, në Gjinarin turistik. Një shoku ynë poet dikur, pasi arriti me stërmundim në Gjinar, fshihu djersët dhe me të qeshur na tha se, këtu në këtë parajsë erdha nëpërmjet ferrit, por tani po e shoh se ia paska vlejtur. Dhe s’kishte faj: Rruga e gjatë dhe tepër e lodhshme i stërmundonte udhëtarët. Por kohët ndryshuan dhe rruga e shtruar vitet e fundit e ka bërë më të lehtë ardhjen këtu. Kodrat e sistemuara me vreshta e ullinj të veshura me petkun e gjelbër, sigurisht, të lënë përshtypjen e përkujdesjes së banorëve ndaj tokës dhe pemëve frutore. Mushkëritë tona filluan të mbushen me ajër të pastër dhe sytë me gjelbërimin e pafund të kodrave në të dy anët e rrugës. Qielli i kthjellët, lartësitë malore dhe flladi i lehtë i mëngjesit e lehtësonte më shumë udhëtimin për të na mundësuar edhe shijimin e kënaqësisë së peisazheve interesante. Tingujt e këngëve elbasanase përhapeshin nga buzët e Albert Tafanit, i cili i valëviste ato, me një drithërimë të veçantë, teksa buronin nga kasetofoni i makinës së Bardhit. Si në ekran i kalojmë me radhë vendbanimet, duke kthyer kokën sa në një anë në tjetrën, për të mos na shpëtuar pa parë asnjë grimë të kësaj bukurie rurale. Çajmë përmes Hajdaranit, lëmë mënjanë Mlizën, që për nga pozicioni i relievit të le mbresa me ndërtimet e reja e të shumta, dy e trekatëshe. Askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie të tillë tunduese si kjo, e cila shtohej, kur nga lart vështronim qytetin e lashtë dhe modern të Elbasanit, lumin Shkumbin, malin e Krrabës, që janë sfondi i kësaj panorame. Pa kaluar shumë ja ku na shfaqet me gjithë pamjen e tij Shelcani, në shpatull të Shpatit historik, sikur të nanurisej i shtrirë në prehërin e kodrave dhe nën hijen e pemëve të gjelbërta. Por, ajo që përveç panoramës e bën atë më interesant dhe më të dëgjuar në Shqipëri, është Kisha qindravjeçare e Shën Nikollit, e veçantë në llojin e vet, e cila njihet me emrin, e Onufrit, ikonografit më të madh të shekullit XVI. Kjo kishë është befasuese për vizitorët, sepse në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë. Askush nga ata që kalojnë pragun e saj nuk mund të mos mbetet i shokuar dhe i mahnitur kur përballet me dorën mjeshtërore të piktorit, Onufrit të madh.
Vazhdojmë rrugën drejt lartësive të Shpatit. Tutje, në largësi, nën velin e shtëllungave të bardha të reve,vështrimi të përplaset mbi peizazhin e papërsëritshëm të malit Bukanik, një bukuri e gjelbër, që kërleshet çdo mëngjes, para se rrezet e diellit të përflakin majën e tij, me mjegullën e dendur. Në shpatet e thepisura veriore të tij ende ka pllaska të bardha bore, sikur shpina e një qeni laraman. Të duket se ky mal ka marrë bekimin nga Zoti për të qenë përjetësisht i gjelbër, i mbuluar me pisha, duke krijuar kurorën e mrekullueshme të kësaj krahine, e cilësuar edhe si mushkëria e qytetit të Elbasanit. Nga aty të ulet në pëllëmbën e dorës një pjesë të fshatrave të Shpatit: Lleshani,Valshi, Selta, Shelcani, Probati,  Derstila, Gjinari … Po nga aty, tek kjo pikë natyrore vrojtimi vështron deri tutje Tomorricën, Vërçën, Sulovën, Dumrenë, dhe malet: Tomorrin, Valamaren. Shpiragun … Pas dredhave të shumta të rrugës kalojmë Lleshanin e njohur me krenarinë e dikurshme e të fshehur në legjenda. Mes nesh endet fjala rreth një kalaje antike, por të rrënuar tërsisht. Arbeni, poeti vendas dhe njohës i historive të Shpatit, nis e tregon për kalanë e Lleshanit, të ndërtuar në një majë shkëmbore të thepisur, rreth 1200 metra të lartë. Vendi ku ndodhet kjo kala është një fakt që vërteton lashtësinë e këtyre territoreve. Disa metra larg rrugës, në krah të majtë ndodhet një pemë madhështor (dushk), monument natyror i mbrojtur nga shteti. Nuk mund të vazhdosh më tej pa e vështruar disa minuta kurorën e tij madhështore të mbushur me histori interesante. Dhe biseda jonë fokusohet në histori të thëna e stërthëna, por ne na vjen mirë të përsëritim atë që e tregon Arbeni, sigurisht të dëgjuar nga të moshuarit: “Thonë se Dushku i Lleshanit është mbi 700 vjeçar. Një fëmijë i vogël (djalë apo vajzë, legjenda nuk e përcakton), mbytet nga një lende dushku (frut). Ai  vdiq, dhe u varros këtu, ku pas disa muajsh mbin një bimë dushku , e cila nga viti në vit hodhi shtat dhe rreth tij u hapën varre të tjerë. Ndaj ka mbetur edhe si vend i shenjtë.” Si kujtim të ardhjes tonë, pranë këtij dushku madhështor, Verjoni propozoi të bëjmë fotografi. Dhe kështu bëjmë. Herë-herë gëlonin bisedat tona gazmore. Secili tregon prej tyre. Shumë të bukura. Qeshim dhe vetëm qeshim. Ndaj dhe këto çaste gëzimi lenë mbresa e frymëzimi ndër ne.
Pasi lëmë pas këtë monument natyror, duke dredhuar rrugën, para syve të shfaqet Gjinari i shtrirë nën këmbët e malit të Bukanikut. Ai është një vendbanim me histori në përpjekjet për liri e arsim. Peisazhi i tij me të vërtet i bukur. Ajri i pastër, gjelbërimi, e maja e malit, kanë krijuar këtu një peizazh magjepsës, por është akoma një perlë thuajse e harruar.  Dikur para 20 vitesh, jo vetëm në muajt e verës, por edhe vjeshtë e dimër, Gjinari mbushej aq shumë me të ardhur nga Elbasani, Tirana, Durrësi. Dhe ngjante me një qytezë të begatë, të mbushur me të gjitha të mirat. Ato pak gabina prej druri ofronin mundësi të shumta pushimi dhe gëlonin nga zërat gazmorë. Tranzicioni i stërzgjatur i shkatërroi, dhe sot tek – tuk dallohen skeletet e tyre të kalbëzuara si rrënoja lufte. Gjithandej turizmi po kthehet në biznesin fitimprurës, ndërsa këtu ai ndihet pak. Kjo është pasojë e mungesës së investimeve që janë fare të vogla. Këtu i kalojnë pushimet shumë pak familje, të strehuara në shtëpitë e banorëve, kryesisht nga Elbasani dhe Tirana. Ringjallja e turizmit, aty këtu me pak bar- kafe dhe restorante si një mundësi e madhe që u ka falur natyra, në Gjinar, duhet të shfrytëzohet akoma më shumë. Por kjo duhet bërë dhe mbështetur nga të gjithë. Ajo mund të kthehet në një vend ç’lodhës me pak punë. Nuk mjaftojnë kronikat e pakta të TV me reklama promovuese, shkrime gazete, e as fotot e peisazheve të Shpatit, që postohen në rrjetet sociale të komunikimit, por kërkohet një strategji për zhvillimin e turizmit, me krijim të kushteve më të përshtatshme për pushime ditore, por edhe të gjata, nga drejtuesit e pushtetit, që më së shumti janë të fjetur në ide konkrete. Kjo patjetër do të sjell më shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. Ky udhëpërshkrim ndoshta do të tregojë një farë interesimi, që të pushojnë sa më shumë në këtë perlë të harruar. Duhet përgëzuar vlera artistike e Ardjan Bërdufit, fotografit të kësaj treve, si një promovues i turizmit në Shpat. Të bën përshtypje fjala e tij e thjeshtë.

– Ajo që bëj është një pasion për të treguar peisazhin dhe etnokulturën, që ka Shpati. Promovimi e zhvillimi i tij ndihmon banorët në rritjen e të ardhurave. Ndaj, duhen ftuar sa më shumë vizitorë, por që kërkohen investime, që të hapen sa më shumë vende pune. Asgjë nuk vjen nga qielli, por së bashku të ndërtojmë të ardhmen, dhe ka shumë faktorë që ndikojnë në ecjen përpara kundrejt llogjikës së interesave politike.

 -Ne kemi peisazhe të bukura dhe kur ato vizitohen ndihem mire” – të thotë ai.

 “Unë personalisht ftoj vizitorët, se do të ndihen të mrekulluar mes bukurisë malore dhe njerzore të Shpatit, në monumentet e natyrës së tij, siç janë Dushku i Lleshanit, Kanionet e Valshit, Pishat  e Bukanikut, kishat e Shelcanit dhe e Valshit, etj. Në Shpat kostumet popullore, apo punimet e dorës, që janë karakteristikë, po evidentohen jo vetëm në festat familjare, por edhe në manifestimet kulturore. Këtu në Gjinar çdo fillim qershori organizohet festa “Miqtë e malit”. Vizitorët në Shpat kanë mundësi të shijojnë shumëllojshmërinë e produkteve bujqësore – blektorale dhe cilësinë e tyre Bio. Mirsevini në Gjinar, Shpat, Elbasan, Albania!”
Qëndrimi ynë në Shpat është i shkurtër. Duke u larguar nga panorama pamore e tij, nën soditjen e perëndimit të diellit, në këto lartësi, përjetuam kënaqësi të veçantë. Dielli ndriçonte mbi çdo gjë, mbi ndërtesat, malin e mbuluar nga pishat ku flladi lozte ëmbëlsisht, duke bërë tejet të gëzueshme ardhjen tonë, dhe mundësinë për t’i soditur ato. Sa e bukur e qetësuese për shpirtin kjo pamje. E të gjitha këto s’janë gjë tjetër veçse pjesë e një peizazhi interesant, një perlë të harruar. Mrekullia e peizazhit të fton ta vizitosh përsëri.

Filed Under: ESSE Tagged With: ME FTESË, NË SHPAT, Pellumb Gorica, TË ‘‘ ONUFRIT ’’

UJËVARA E SOTIRËS – MONUMENTI MË UNIKAL NË SHQIPËRI

April 24, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/

Një udhëtim për në Ujëvarën e Sotirës së Gramshit, pamvarsisht kapërcimit të shtigjeve të vështira, herë- herë me pengesa, të ngjan se hap brenda teje një hapsirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapsirë e çuditshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ndërtimin tektonik, natyra ka krijuar mjedise të bukura, peisazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujvara, liqene… Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.

 Një udhëtim i bukur

 Pikërisht me pasionin e udhëtarit jemi nisur në Ujëvarën e Sotirës. High Albania Mountain Club, organizatore e udhëtimeve, ka vite që mundëson grupe vizitorësh vendas, por edhe të huaj të eksplorojnë natyrën shqiptare. Ujëvara e Sotirës është një nga perlat e natyrës sonë. Por, të shkosh atje është një aventurë, edhe pse ajo ndodhet 16 km larg qytetit të Gramshit, nën këmbët e malit Tomorr. Udhëtimi ynë drejt Ujëvarës së Sotirës shoqërohet nga një mugëtirë e lehtë, që herë davaritet në qiell e të pengon disi të sodisësh peisazhin parakalues. Për kilometra të tëra të shoqëron rrjedha e lumit Devoll. Prurjet e ujit, herë në njërin krah e herë në tjetrin, gurgullojnë mes zajeve e nëpër brigjet e gjelbërta. Befasohesh me pamjet e maleve në sfond. Grykat e ngushta dhe majat e thepisura,me ndjesinë e tyre madhështore rrethohen nga retë. Që këtu imazhi i malit Tomorr të përshëndet  me rrezet e ngrohta këtë mëngjes. Pasi përshkon rrugën, që kalon në të djathtë të rrjedhës së lumit Devoll, aty ku H/C i Banjës po hedh shtat, e po konturohet si vepër energjitike e Shqipërisë, të shfaqet qyteti i Gramshit. Konfiguracioni i tij shtrihet në një kodër buzë lumit Devoll. Një qytet i vogël dhe me shumë gjelbërim, i krijuar para 60 vjetësh, e që e ka zanafillën nga fshati me të njënjtin emër. Dikur, para 40 vjetësh, këtu u ngritën fabrika dhe uzina ushtarake, ndërsa sot kjo industri nuk ekziston. U shkatërruan me një egërsi të pashembullt, dhe punëtorët mbetën të papunë, por jo vetëm kaq. Për të përballuar jetën në kushtet e reja që erdhën, shumica me familjet e tyre morën rrugën në emigracion, dhe në qytete të mëdha: si Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë. Në një pushim të shkurtër në qëndër të qytetit, e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Gramsh, që në fillim është fakti se, banorët janë të qetë dhe të kulturuar, e gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësin e tyre.

                            Gramshi, vendi i mrekullive turistike…

 Ndonëse, infrastruktura rrugore le shumë për të dëshiruar, kjo vështirësi bëhet e papërfillëshme çdo ditë nga dhjetra adhurues. Duhet thënë lexuesit, që krahinat e Gramshit janë një vend me kontraste gjeografike dhe peisazhe të mrekullueshme, që dita ditës po kthehen në një shkretëtirë të mjerueshme. Në përgjithësi ato i ka mbërthyer një zhgënjim, që vështirë të tejkalohet shpejt. Madje rruga e keqe dhe kushtet më elementare të jetës, e kanë bërë pjesën më të madhe të banorëve, që të braktisin këtë trevë dhe të largohen. Si kudo, ku më shumë e ku më pak, të njënjtat probleme ka. Por, në krahinat e Gramshit shenjat e braktisjes janë të dukshme. Po çfarë po mbetet pa emigruar? Pyjet po ja shkatërrojnë, gurët po ja marrin. Ështe fatkeqësi që ajo po shkatërrohet nga babëzia e pandalshme njerzore nën fjalën zhvillim. Është një katastrofë si shumë të tjera drejt degradimit ashtu si shoqëria, edhe flora e fauna jonë. Me tepër se kurrë, tani njerëzit duhet t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të ndalin rrënimin e natyrës, por edhe institucionet duhet të mendojnë më shumë për turizmin malor, pasi natyra e ka bërë punën e saj. Nëse në Ujëvarën e Sotirës, Kanionin e Holtës, Shkëmbin e Kopaçit, Liqenin e Zi, Shpellën e Kabashit, Grabovë, Kanionin e Seraselit, Kalanë e Irmajt apo edhe të Tërvolit, infrastuktura e rrugëve me terrene të vështira shkon në nivelin e duhur, as diskutohet që e gjithë treva e Gramshit do të ketë gjallërinë e vendeve turistike. Madje mund të bëhet e zhvilluar nga ana ekonomike dhe sociale, si një magji pak e eksploruar. Gjithçka varet nga vullneti, jo vetëm i pushtetarëve, por edhe i banorëve, që të japin kontributet e tyre. Ndoshta nuk është momenti për të shkruar më gjatë për këtë gjë, por kjo evidenton krizën e thellë morale në thelb të të paaftëve, që përpliten në kërkim të identitetit të humbur në pellgut ujëqelbur të një përditshmërie të amullt dhe pa ide. Ndaj, me potencialin panoramik, kulturor e historik që ka kjo trevë kërkohet më shumë impenjim për ta bërë atë të vizitueshme, jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj. Gjithsesi, duhen përgëzuar inisiativat e gramshiotëve, që në faqet elektronike sensibilizojnë opinionin për bukuritë e peisazheve të trevës. 

                          Reliev piktoresk rural

 Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë i mëtejshëm drejt Ujëvarës së Sotirës. Kalojmë Devollin ujëshumë ndërmjet urës që lidh Gramshin me krahinën e Sulovës. Gjelbërimi e bën më të magjishëm udhëtimin. Ndaj bisedat rrjedhin natyrshëm për udhëtimet, vendet e bukura, eksperiencat. Jani, më i moshuari i grupit të vizitorëve, u jep udhë bisedave me informacione të ndryshme. Aleksandri, Roza, Artani ndërhyjnë dhe ajo bëhet më interesante. Fisniku në rolin e ciceronit tregon për ujëvarën, vendet ku do kalojmë, për malin Tomorr e për çdo gjë tjetër. Me këtë rast është për tu përmendur diçka shumë e veçantë e kësaj krahine të mbushur me lumenj, kodra, pyje, e monumente natyrore, si dhe historike. Një karakteristikë është se rrjedha e dy lumenjve; e Devollit dhe e Tomorricës që kalojnë përbri saj, por edhe e dhjetra përrenjve kanë krijuar një peisazh të veçantë. Ajo është një krahinë e punës, mëndjes, traditave të rralla e të admirueshme, të mikpritjes, respektit dhe bujarisë. Bukuritë e saj janë magjepëse dhe një privilegj për çdokush që i viziton ato. Në valëzime kodrash, që zgjaten pa mbarim, e që lartësohen drej malit Tomorr, aty këtu shfaqen vendbanime me pamje mbresëlënëse, e secili prej tyre paraqitet me veçanti karakteristike. Kushtet e përshtatshme gjeografike dhe klima e kanë bërë Sulovën të banueshme, që nga koha e hershme e zhvillimit të saj. Dora e njeriut i ka qëndisur akoma më shumë peisazhet e gjelbëruara, dhe tokat i kanë mbjellë me gjithfarë bimësh e drurësh frutorë. Duke jetuar me natyrën, sulovarët arrijnë të jetojnë edhe kështu, por dëshpëruese është rruga e pashtruar dhe e ngushtë, ku nuk shkëmbehen dot automjetet, që asnjë pushtet nuk ka arritur të ua ndërtojë ashtu siç duhet. Një rrugë gjarpëruese, që ngjitet e zbret kodrave të buta me ulje e ngritje të vrazhdë, e ku zgjaturinat e tyre priten nga rrjedha e lumit të Tomorricës, i cili i shoqëron për kilometra të tëra.

                    Rritur me Tomorrin në sy e në zemër

 Tomorri është një nga malet më madhështore në Ballkan, dhe pamjen më të bukur e ka në krahinat e Gramshit. I magjepsur s’ngopesh, duke vështruar këtë mal, mahnitës e mbizotërues ai shpaloset gjithmon, i mbuluar majave me qeleshen e borës.  Ecim dhe në qiell grumbuj resh të bardha shtëllunga – shtëllunga shfaqen lartësive të malit. Dielli i ngrohtë rrethuar nga copëza qielli të kaltër në kurorën e tij, e ka hedhur vellon shkëlqyese. E sodit dhe të jep të drejtën të meditosh në heshtje. Me madhështinë shekullore të shenjtërisë, perënditë e kanë bekuar atë, edhe me ujin kristal të burimeve, e  bukururinë e pamata të pyjeve dhe shkëmbinjëve. I kam admiruar përherë këto vise, dhe i kam shijuar që në fëmijëri, duke ruajtur vazhdimisht dëshirën për të ardhur kohë pas kohe me kujtime e mbresa të bukura. Ndaj, nuk i shmagem dot emocioneve kur i shkel përsëri. Bashkë me mua ecën edhe fëmijëria me imazhin e Tomorrit madhështor, që të tërheq me pamjen e tij të paharrueshme dhe emocionale si një ëndërr, të kërleshur nga retë e bardha.

                                     Ja dhe Sotira!

 Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm. Rrugëtimi ynë na solli shpejt në Sotirë, e sapo ndalojmë kemi kohë e mundësi t’i hedhim një sy fluturimthi këtij vendbanimi. E ngritur poshtë disa bregoreve, Sotira të shfaqet me ato pak shtëpi çatigri nën hijen e pemëve. Diku më tutje të pret një natyrë e zemëruar me formacione erozionesh të degraduara, por edhe egërsia e peisazhit të braktisur nga jeta e banueshme njerzore. Mbase kjo ndjesi te shkaktohet kur vështron pamjen mjerane të lagjes së sipërme të Sotirës, që të ngjall një zbraztësi në shpirt me shtëpitë e gurta në rrënim e sipër. Ashtu të rrënuara e sado të braktisura, ato mbeten dëshmitare të pakundërshtueshme të banimit të hershëm, si dhe një trashëgimi për brezat. Largimi i shumë familjeve e ka shuar gjallërinë. Tani ka mbetur vetëm qetësia dhe cicërimat e zogjëve, por edhe ndonjë kumbim i zbehtë zile bagëtish.

                                   Peisazhe mahnitës

  Duke ngjitur rrjedhën e lumit të Sotirës, që humbet mes gurëve ngjyrë gri me madhësi të ndryshme, e mes gjelbërimit të një pylli që fëshfërin lehtë e të çlodh, morëm rrugën për në Ujvarë. Rruga është e vështirë, por ky detaj nuk të pengon të sodisim peisazhin me një ndjesi të pakrahasueshme, të lëndinave me bar e lule, ajrin e pastër dhe blerimin përthithës të pranverës. Syri të mbushet me kënaqësi. Rrezet e diellit tashmë të ngrohta, e po aq të këndshme në këtë stinë, janë një emocion i veçantë dhe e çiltërsojnë peisazhin. Tingëllojnë cicërimat e zogjëve të përzier me zhurmat e tjera të stinës. Vështrimin e marramenduar s’mund ta largojmë lehtë nga tufa bagëtish të përhapura në një pllajë të gjerë. Era lëkund lehtë degët e pemëve me lule, të ngjyrave të ndezura, që shpërndajnë aromën e tyre. Kështu të joshur nga pamjet e pashlyeshme herë pas here ndalojmë, dhe sodisim me kënaqësi bukurinë e peisazhit. I gëzohemi kësaj gjallërie buisëse. Përballë shfaqen konturet e një shkëmbi gëlqeror me një pamje tërheqëse. Ecën dhe ndjen një shprushje në shpirt, i yshqyer aq magjishëm nga atmosfera e ujëvarës së Sotirës me mrekullinë e saj. Shushurima e rrjedhjes së ujit vjen si muzikë magjepëse. Shumë rrallë të ndodh në jetë e natyrisht sytë dhe shpirti të fluturojnë nga gëzimi i pushtuar prej kënaqësisë. Padyshim rruga e gjatë,e aspak e përshtatshme në ngjitje, mbërritja aty dhe pamja mrekulluese me gurgullimën e fuqishme të ujit, të freskon ledhatueshëm, e të heq si me dorë lodhjen. Venitet ajo, edhe nga pesha e emocioneve, kur sytë përplasen në masivin e malit Tomorr të mbuluar me borë. Artani, më entuziasti i grupit tonë tund kokën, buzëqesh duke shijuar pamjet. Jemi përpara një mikrobote mrekullie, me ujra që rrjedhin tërsëllimë prej barkut të shkëmbit, dhe që shkumbzohen papushim. Këtu hijëzimi i pyllit me drurë të llojeve të ndryshme dhe të harlisur, por edhe lëndinat me bar e lule, të dhurojnë një tjetër kënaqësi çlodhëse, ashtu si ajri i lagësht, që drithërohet nga forca e ujit e të shpupurit flokët.

                                  E bukur në çdo stinë

 Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujrave. Lidhur me këtë ujëvarë, gjeologu Selim Marishta, bir i Sotirës shkruan se ajo buron në rrugëfshehjen brenda shkëmbinjëve gëlqeror të malit të Tomorrit. Më shumë shton ai, ajo është një ujëvarë unikale në vendin tonë, si për nga forma e daljes dhe e derdhjes së ujit në trajtë çurgjesh. Ujërat e saj dalin nga dy tre çarje, njëra përmbi tjetrën. Pak metra nga ujëvara gjendet edhe një katarakt, që rrjedh nga përroi i fshatit Dardhë të Beratit. Uji rrëzohet me uturimë mbi 100 m, duke u përplasur në fund të shkëmbinjëve mbi disa gurë të mëdhenj, për të krijuar një pellg të vogël me ngjyrë të gjelbër. Pas rënies ujëvara rrjedh në një lum të vogël, por këto dy vitet e fundit ndërmjet një kanali ekologjik, e kanë bërë ekonomike atë me fuqinë prodhuese për të përfituar energji nga një H/C i vogël.

                                 Epilog përshtypjesh

   Ja kështu të ngazëllyer nga ajo ç’ka vështruam në udhëtimin tonë magjik me qetësinë e lëndinave të gjelbëruara,Tomorrin madhështor dhe ujëvarën, pikërisht aty ku edhe u çlodhëm, nisëm sërish rrugën e kthimit nën morinë e përshtypjeve. Në ambientet mirseardhës të një lokali, teksa pijmë kafenë e kthimit ke dëshirë që të shohësh sy më sy malin madhështor dhe banorët e Sotirës. Është një dialog pa zë, por shumë nënkuptues. Ndaj, epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme, dhe jo aq metaforike. Sepse, këtu e prek gjelbërimin, ndjen freskinë, aromën flladitëse të luleve, vështron bardhësinë e borës, lëndinat, ngjyrat e këndëshme, dëgjon tingujt gjallërues, blegërimën e bagëtive në kullota, ndaj në shpirt lumturohesh. Duke falenderuar, shtrënguam duart miqësisht me ata, që na dhanë mundësinë e shijimit të kësaj kënaqësie, që rrallë ndonjeherë mund ta përjetosh, duke ëndërruar për rikthimin.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Pellumb Gorica, UJËVARA E SOTIRËS

HISTORIA, ARKITEKTURA DHE DOKET E NDËRTIMEVE NË SULOVË

April 19, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

Sulova, është një zonë kodrinore e Elbasanit, e banuar që në periudhat e hershme historike, me veçorinë e vargut të kodrave shkëmbore, dhe shtrirjen e luginës ku rrjedh lumi Devoll. Ajo është e njohur për peizazhin e  saj të gjelbër, traditat e bukura, por edhe histori që enden të mbushura me patriotizëm. Është mëse e kuptueshme dhe e natyrshme, që një zonë, me një pozitë të tillë gjeografike, të mos mbetej jashtë vëmendjes së çdo bashkësie njerëzore. Atë e vërtetojnë zbulimet e objekteve të shumta arkeologjike, fortifikimet, dhe vendbanime të vjetra, por edhe dokumente e toponimia e shumtë. Gjatë antikitetit të vonë, në shekujt IV-VI, aty do të shfaqen karakteristika  interesante në ndërtimet me karakter fortifikues, (kala, kulla) rrugë, ura, por edhe në periudha të tjera të mëvonshme historike, e sidomos në shekujt e parë pas pushtimit turk, me ndërtime publike dhe fetare, që do të ishin të shumta në atë kohë.

Por në  këtë shkrim studimor ne do të flasim për banesat familjare në këtë zonë, të cilat nga një periudhë historike në tjetrën, dhe nën ndikimin e faktorëve luftarakë, ekonomikë e shoqërorë kanë ndryshuar në formë dhe strukturë.

Banori i kësaj zone e deshi jetën, dhe e lidhi atë fort me banesën e tij. E ndërtoi  atë prej guri, apo prej druri. Atje ku kishte gjetur tokë të përshtatshme, burim uji e mera për bagëtinë, por edhe për mbrojtje nga sulmet e pushtuesve, keqbërësve, apo edhe kafshëve të egra. Dikur si fillesë të banimit mendohet të kenë shërbyer ndërtimet brenda kalave, kullave antike, dhe pasi njerëzit janë siguruar në mundësitë e jetës në këto vende është kaluar në ndërtimet e terreneve të hapura. Ka pasur banesa brenda rrethimeve të fortifikuara si në kalanë e Qafës. “Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë një kompleks banesash (13 shtëpi banimi) brenda mureve rrethues të kalasë”. (Y Cerova, Iliria Nr 2, viti 1987, faqe 167). Ndërtimet aty kanë pasur karakter kryesisht mbrojtës, sepse jeta e pasigurt, dhe njerëzit preferonin të banonin brenda mureve të fortifikuara megjithëse jo në kushte të përshtatshme. Në periudha të mëvonshme u ndërtuan banesa edhe jashtë këtyre fortifikimeve ka shumë histori gojore që tregojnë në lidhje me vendbanimet e vjetra. Ndër më të njohurat janë ato që tregojnë për  Klosin, një vendbanim i vjetër e me një shtrirje të gjerë në një pllajë poshtë kalasë antike të Qafës. Një histori thotë se: “Shtëpitë  në këtë zonë ishin ngritur njëra mbi tjetrën, rrethuar me mure, përpjetë dhe tatëpjetë kodrës, me rrugë të ngushta dhe të pjerrëta”. Gjithashtu qarkullon edhe një histori tjetër se: “Aq të dendura ishin banesat sa ato ngriheshin njëra pas tjetrës nga kalaja deri te kisha dhe keci shkonte nga çatia në çati pa prekur këmbët në tokë.” Kjo histori e të tjera si kjo, në Sulovë dëshmojnë se ka pasur një bazë e mbështetje reale madhësia dhe lashtësia e vendbanimeve.

Zakonisht banesat u ndërtuan në vende të ngritura dhe zotëruese, me pamje dhe horizont të gjerë, në kodra dominuese, duke u dhënë edhe atyre  shpesh pozicione strategjike, në terrene të thyera mbi toka joprodhuese për të ruajtur arat. Toponimet me emra të vjetër në këtë zonë ruajnë dhe përcjellin ende karakteristikat e vendbanimeve të dikurshme, veçanërisht: Kloset, Vilza, Kisha, Goricë e Çalës, Bovisht, Skunaj, Guri i Bardhë, Lekri, Radësh, Zhavur, Mëhallë e Kuqe, etj. Banesat ishin të vendosura në një parregullsi, në varësi të kushteve të terrenit, të grumbulluara, të rrethuara nga gjelbërimi i drurëve të ndryshëm frutorë e jo frutorë, me mure të larta e pengesa të tjera pasi jeta e pasigurt në periudha të caktuara e bënte edhe sulovarin të mbrohej sa më mirë. Një tipar tjetër dallues, i këtyre vendbanimeve ishin banesat larg njëra-tjetrës, pasojë kjo e mundësive që të ofronte terreni në kushte të caktuara të kohës, si edhe karakterit të pronësisë,të cilat ishin ndërtesa dykatëshe prej guri me mbulese prej rrasash guri.

Mbizotëruese në periudhën e regjimit të Zogut ishin banesat njëkatëshe, apo ndryshe tip “përdhese” prej gardhi lyer me baltë dhe të pashtruar, mbuluar me kashtë. Ky tip banesash ishte shprehje e varfërisë së popullsisë, që mbizotëronte në Sulovë, sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Gjëndjen e këtyre banesave dokumentat e shtypi i kohës e nënvizonin. “Gjëndja ekonomiko-shoqërore dhe shëndetësore e kësaj prefekture nuk është e mirë, sidomos popullsia e krahinave Çermenikë, Dumre, Shpat, Mollas (Sulovë). Nuk kanë as shtëpi të mira,as jetesë të mirë dhe mungesa e komunikacionit, e arsimit i ka izoluar, i ka lënë mbrapa’’ (Letër drejtuar qeverisë në vitin 1925 nga Prefekti i Elbasanit Murat Pod Gorica).

Orientimi i banesave bëhej nga jug-perëndimi. Ky ishte dhe është një rregull i përgjithshëm, por me përjashtime në varësi të terrenit, dhe përshtatjes së ekonomisë familjare. Ndërtimi i banesave të mira dëshmonte para së gjithash edhe për forcën ekonomike të porositësve të tyre, ku pasqyrohej edhe diferencimi klasor, ndaj shumë nga ndërtimet kanë qenë njësoj. Por, për ndërtimin e e këtyre banesave vendimtare në çdo kohë kanë qenë ndikimet e mënyrës së jetesës dhe doket e popullit sulovar. Zakonisht banesat ndërtoheshin në vende të kulluara, e me taban e, por që kishin fushëpamje të gjërë, me oborr, tërësisht apo pjesërisht me kopsht të gjelbëruar pemësh frutore nga më të ndryshme, të rrethuara me mure, por ka pasur edhe  shumë shtëpi të rrethuara me gardhe ferrash veçanërisht në familje të varfra. Tokën për ndërtim e përcaktonin të moshuarit e fisit. Kushti i parë ishte të ruhej, se mos në atë vend ka pasur varre të vjetra, apo ka qenë vend i shenjtë,  e siç thuhej në popull, i nemur, në troje që banorët e tyre ishin shuar nga fatkeqësitë. Trualli për banesë duhet të ishte afër pronave, Është e njohur në traditën popullore, që në zgjedhjen e trojeve për banim një faktor i rëndësishëm ka qenë mundësia e sigurimit të ujit të pijshëm, dhe që në mjaft raste largësia e burimeve diktonte transportin me krahë e kafshë ngarkese. Sipas mënyrës së atëhershme popullore, një truall konsiderohej i mbarë  vetëm mbas disa provave më të përhapura, sidomos ajo e vathëve të dhenve. Në truallin që mendohej për ndërtim tufa e bagëtive lihej tre net me radhë, nëse delet pushonin të qeta ai truall konsiderohej i mbarë dhe fillohej ndërtimi i saj. Provë tjetër, ishte ajo me tre rrasa guri. Nëse ato mbusheshin me milingona ai konsiderohej përsëri i mbarë, dhe vetëm mbasi përcaktohej trualli fillonte grumbullimi i materialeve të ndërtimit. Si materiale bazë janë ato prej guri dhe druri. Prania e gurit edhe sot është e dukshme në këtë krahinë, dhe nuk ka qenë asnjëherë problem e shfrytëzohej bollëku i gurëve nga rrënojat e vjetra, por edhe të diktuara nga terreni,nga lartësitë shkëmbore, dhe gurët e përrenjve. Përpara se të ndërtohej banesa apo diçka tjetër, guri duhej të gjendej sipas cilësisë së kërkesave të përdoruesit të kohës. Me gurë të gdhendur në mënyrë mjeshtërore përgatiteshin qoshet e pragjet, por edhe shkallët nga jashtë. Guri përdorej edhe për mullinjtë e blojës, për të larë rrobat e trasha në dërstila, apo për të pirë ujë bagëtia. Me gurë ndërtoheshin edhe çezmat, ledhet e arave, vetulloret e ullinjve, apo pendat mbrojtëse nga vërshimet e përrenjve. Si material mbulimi të shtëpive përdorej rrasa e gurit. Me rrasa guri shtrohej edhe para shtëpisë oborri, rrugica, lëmenjtë e shirjes së të lashtave, kasollet e bagëtive, dhe gardhecët e drithërave. Gati çdo gjë ishte e ndërtuar apo e mbuluar më këtë material të fortë dhe me kosto të ulët. Por, ndërtimi i gjithçkaje prej guri në ndërtimin e shtëpive është një dëshmi i një pune të madhe e të mundimshme, duke marrë parasysh gjëndjen e tij për ta sjellë në formën e dëshiruar, si për qoshet apo edhe për portikët, pragjet, etj. Teknika e ndërtimit me baltë dhe gëlqerja e përzier me rërë lumi, preferohej shumë nga banorët, pasi ajo përmbante elementë lidhës, dhe ka përbërë një traditë ndërtimi. Druri përdorej për trarët, duke e mbushur çatinë me një katrahurë trerësh, çatmash, dërrasash, të cilat janë përdorur shumë edhe për dyshemetë e ndarjet e kthinave, por edhe për dyert e dritaret. “Punimet e drurit dyer e dritareve qenë të punuara nga duart e ustait më të zotë e mjeshtrit Elmas Qosja nga Dragoti”, shkruan autori nga Gramshi Shyqyri Tafa në librin e tij “Në mes njerëzve të thjeshtë”, faqe 45. Në shumicën e familjeve tavanet mungonin,dhe rrallë herë me kallama. Hapësira në mes gurëve të mëdhenjë mbushej me gurë të vegjël. Në banesat e vjetra deri në periudhën e mbretërimit të mbretit Zogu nuk është përdorur suvaja në mure. Vetëm në vitet ‘30 të shekullit të kaluar u vu re prirja për të futur në përdorim suvatë, e për të ndërtuar tavane e dritare të pajisura me xham, madje në ndërtimet e asaj kohe është vënë re në mënyre të natyrshme faktori klasor, i pashkëputur nga faktorë të tjerë. Dhe shtëpi të tilla në atë kohë ishin një luks i rrallë për atë kohë, që jo çdo familje e pasur mund ti kishte. Tipi më i përhapur i banesave me dyer e dritare të ngushta, ishte banesa me hajat, tip dykatëshe, që më vonë pati përmirësime në materialet e përdorura në përmasat, shtrirjen, orientimet etj.

Themelet e banesave sipas besytnive të kohës hapeshin vetëm ditën e shtunë. Ndërtimi shoqërohej me ceremoni të shumta. Festohej kur nisnin punimet, por edhe kur hyhej në shtëpinë e re. Zakoni i cili ishte aq i vjetër sa s`mbahej mend, kur hidheshin themelet therej një kurban, (zakonisht dash.) Urohej “qoftë truall i mbarë”, “për hajër trualli i ri”,“ta gëzoni me fëmijë e të dashur” etj.

Për ndërtimin e banesave deri në vitet `50 të shekullit të kaluar, ustallarët më të dëgjuar më së shumti vinin nga krahina të tjera. Të moshuarit e kanë çmuar punën shumë të mirë të ustallarëve nga Opari. Historitë gojore tregojnë se ata vinin në formë grupi, 5-6 vetë kryesisht në muajt e verës. Në të gjithë vendin, nuk ka mjeshtër më duarartë se ustallarët oparakë për punimin e gurit në ndërtim. Ata ndërtuan në Sulovë jo vetëm shtëpi, por edhe rrugë, ura, kisha, xhami, dhe është fakt që këto objekte në përgjithësi kanë një teknikë të lartë. Gurët ata i gdhëndnin me kujdes, dhe i lidhën me llaç gëlqere të përzier me lesh dhie, mjeshtri që trashëgohej qysh prej ndërtimeve në periudhën e Arbërisë së herëshme. Në ndërtimin e këtyre shtëpive, mendimi i ustallarëve oparak zinte vend në zgjedhjen e materialeve, por edhe të vendit për ngritjen e saj. Për punën që bënin, sulovarët i shpërblenin ata jo vetëm me para, por edhe me mikpritje e urime të shumta.

Kohërat zëvëndësojnë kohrat dhe gjurmëte këtyre banesave tashmë pothuajse janë zhdukur. Diku janë kthyer në gërmadha, e të mbuluara nga ferrat e fieret, aq sa nuk përcaktohen më se ç’janë, dhe se ç’kanë qënë dikur, e ç’kohë i përkasin, por e ruajnë lashtësinë e tyre.

Është e vërtetë që në formatin e një shkrimi të tillë e pamundur të pasqyrosh të plotë historinë e ndërtimeve dhe arkitekturës së një zone, por me aq sa shkruajtëm shkurtimishi mendojmë se kemi thënë diçka.

 

Filed Under: Histori Tagged With: arkitektura, e ndertimeve, historia, ne Sulove, Pellumb Gorica

NJERZIMI NË PËRMENDORE ME TRE SIMBOLIKA TË KËQIJA*

April 12, 2016 by dgreca

Mendime rreth vëllim poetik “Qyqja në hanin e Ferrit”, të Mëhill Velaj/

 NGA PËLLUMB GORICA/

Me tre fjalë një poet mund të thotë më shumë se me treqind të një njeriu të zakonshëm.“Qyqja në hanin e Ferrit”,e poetit Mëhill Velaj është titull, që ngërthen në vetvete një simbolikë jetësore, e cila nuk është e lehtë të deshifrohet që në krye.

Në kërkim të një simbolike, që është e aftë të personifikojë vajin e vetmisë, dhe fatkeqësisë, autori zgjedh Qyqjen, si përmallim therës për atë lumturi që ekzistonte dikur, por që erdhën dhe e vodhën arbitrarisht padrejtësitë e kohës në shekuj.

Hani, është vendstrehimi, vendfshehja e mistereve, e ëndrrave të pafjetura, i kujtimeve të nxehta, që ndizen e pikojnë mall të përvëluar, e duhet të ndjekin pas brezat.

Ferri, është simboli i së keqes së përjetshme, i gjykimeve dhe ndëshkimeve shpirtërore e fizike, i dhënies llogari për mëkatet e kryera nga çdo moshë në jetë.

Por merita kryesore e poetit është se të tria këto si simbolikë e së keqes që jeton bashkë me njerëzimin, autori i shpalos si ana tjetër e medaljes së një jete, që gjen forca të mbijetojë e t’i mposhtë ato gjithmonë në dobi të së mirës sëtij. Poeti ka meritën e veçantë se të tria etapat: të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, i sheh të lidhura dialektikisht, duke argumentuar artistikisht se asnjëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën.

Vëllimi me poezi “Qyqja në hanin e ferrit”, i poetit Mëhill Velaj është i konceptuar në pesë cikle, të lidhura me mesazhin e qartë se gjithçka në këtë botë është ëndërr e shpresë, luftë e paqe, humbje e fitore, por asgjë nuk zhduket e humbet, që tjetërsohet e përmirësohet në ardhmërinë e saj, duke mbajtur të pazbehur vulën e kohës. Poeti gërmon në kujtime, për të rindezur traditën, e për t’i mbushur brezat me krenarinë e ligjshme për këtë vend ku “rrodhën më shumë lumenj gjaku se sa lumenj me ujë”. Të shkruara në varg të bardhë, dhe me një ritmikë këmbëngulëse, poezitë e vëllimit “Qyqja në hanin e ferrit” të Mëhill Velaj kanë larmi tematike, figuracion disi të errët, që nuk është i lehtë në të kuptuar. Me simbolikën dhe guximin e shprehjes, çdo varg kullon dhimbje e mall për atdheun, shpalosen dëshira dhe mesazhi i madh, se pavarësisht pengesave e brengave jeta meriton të jetohet. Ndaj edhe pse i brengosur për gjithçka që nuk është realizuar, i përmalluar nga ndarja me atdheun e tij, riafirmon lidhjen e përjetshme me jetën si nocion biologjik e filozofik me Kosovën e tij, nënë të pavdekshme kur shkruan: “Unë do të vij përsëri / E ardhmja e fatit tim/  Je ti Kosova ime/ Emrin zemër ke”.

Në vargjet e vëllimit poetik,“Qyqja në hanin e ferrit” të Mëhill Velaj shprehet më së shumti thelbi i dëshirës së madhe të poetit, për ta kthyer lotin në ëndërr, dhimbjen në dashuri, dhe dëshpërimin në shpresë: “Ende gjenim guximin, forcën e brendshme/ Dhëmbjet dhe humbjet tona ishin/ Lotët e shpresës e të dashurisë”. Poeti njeh humbjen dhe pranon fatkeqësinë si një fenomen i natyrshëm që ndodh, pavarësisht nga dëshira jonë. Ai analizon të kaluarën dhe nxjerr mësim nga realiteti që jeton dhe pastaj thjesht e pa jehonë, jo nga pozita e heroit apo e martirit, por të ushtarit që sakrifikon për jetën: “Dhimbjet dhe humbjet tona ishin/ Lotët e shpresës dhe të dashurisë”. Dhe për ta garantuar e qartësuar më mirë këtë proçes të pashmangshëm, thërret në ndihmë zërin e të parëve: “Dëgjojmë zërin e largët të etërve:/  Mos kini frikë dhimbjen e vdekjen/ Hapni portën e së ardhmes / Aty do të gjeni PAQEN”.

Poezia e Mëhill Velaj është si një këngë e papërfunduar kurrë për jetën, si një ëndërr në zgjim. Ndaj kur lexon vargje, që rrezatojnë vetëm mall atdhedashurie e shpresë të ringjallur, që i thurin hymne ardhmërisë së bukur njerëzore, të sjellin padashur në mendje mendimet e humanists, Nënë Tereza. Ja si shkruan poeti: “Ndjeni dashuri, kur ju jepni dashuri/ Jo vetëm kur ju merrni/  Drita është me ju/ Mos harroni“. Malli e brenga, pengesa dhe vështirësia e ngacmojnë përtej njerëzores poetin. Fakti që “qyqja këndonte vargun në një degë të thatë“ e bëjnë poetin “të varet në litarin e vargjeve”, por qartëson se ai këtë nuk e bën në emër të humbjes, por të optimizmit dhe ringjalljes, e të përtëritjes së jetës. Poeti si një krijesë e shkrirë dhe shpirt e mendim me mjedisin që e rrethon shkruan: “Jeta është e bukur/ Jeta jam unë/ Vargjet që i thur për të”. Poeti pasi njeh deri në palcë gjithçka që ngërthen në vetvete nocioni jetë, mposht gjithçka që i kundërvihet logjikës së zhvillimit, e drejton vështrimin nga dashuria dhe njerëzorja, dhe jep garanci për të ardhmen e kombit të tij: “Unë e di se secili prej nesh nuk i beson më vdekjes/ Unë e di atë, siç nuk i besoj më vetë/ Unë e di se secili prej nesh udhëton drejt dashurisë patjetër/ Ngulur thellë në themele të shtëpisë së vjetër”. Çdo invid e komb ka një të kaluar, jeton një realitet e ka një të ardhme, por gjithmonë mbështjellë me veçantinë e traditës dhe kulturës së tij. Kombi që i përket poeti e ka zgjedhur vetë rrugën e tij: “Me eshtrat e ngurosura shtruam rrugën e lirisë/ Tabanin e përjetshëm të atdheut tim”. Dhe në një poezi tjetër vazhdon po me atë gjuhë e zemër: “Jeta nuk është shtrati me trëndafilla/ Jeta është vallja për tu kërcyer deri në fund/ Jeta është e mbushur me zhgënjime/ Jeta ka mistere energji trishtim, dashuri/ Jeta është dhuratë fat, tragjedi entuziazëm/ Jeta është vetmi e sfidë”.

Poezinë e Mëhill Velaj e ndriçon simbolika dhe e bën të ndjeshëm vargu i lëmuar me kujdes, e i vënë me siguri në vendin që i takon, si një gur kështjelle, dhe i jep ritmin e ngjyrën e së veçantës gjuha e rrjedhshme pa sforcime e zbukurime, por edhe tematika e zgjedhur, rima e goditur, e sidomos aliteracioni, e forca e mendimit. Megjithatë poeti duhet të shmang një përsëritje jo të justifikuar të leksikut poetik, e cila vihet re nga njëra poezi tek tjetra. Gjithashtu duhej edhe një lidhje më organike të pesë cikleve në funksion të një tematike të vetme, duke e bërë vëllimin më të ngrohtë.

Rrallë mund të gjesh metafora, simbole e krahasime të tilla si: “Varrosa shpirtin sallatë prej thike”; “Pranvera merr një lule nga lulet e mia”; “Lotët e motrës vaditin pluhurin e dëshpërimit”;  “Mbi kokë qëndrojnë retë si flamuj argjendi”; “udhë me krahë zogjsh”; “Sa ngushtë midis tokës dhe qiellit”; “E ardhmja ka ardhur në të kaluarën”; “Delet kullotnin bar e gjak”; “Zgjoheshim nga një ëndërr e binim në një tjetër”; “Fara u bë zogj që fluturuan në kaltërsi“; “Me kohën nën sqetull” etj, që bëjnë të gumëzhijë vargu për një kohë të gjatë e të lërë gjurmë të pashlyeshme në mendje.

Por për poetin është dashuria ajo që mban në këmbë njerëzimin, jetën, dhe ai duke dashur të falë vetëm dashuri, kërkon që të vdesë për të, si martir i saj. Ndaj, e ka zgjedhur rrugën e tij, e ka përcaktuar atë fat, të cilën kërkon që të mbajë në buzë përjetësisht me këngën e dashurisë: “Ky është fati im/ Të vdes duke kënduar”.  Dhe s’ka fat më të bukur e më të madh, se ky. Fat që e pati: Dantja, Hajne, Pëtefi, Gëtja, Esenini, Pushkini, Petrarka, Migjeni, Noli, e shumë këngëtarë të tjerë të poezisë. Se ata që vdesin duke kënduar, në fakt nuk kanë vdekje kurrë.

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “Qyqja në hanin e Ferrit”, Pellumb Gorica, të Mëhill Velaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT