Mars 2015, fillim pranvere në fshatin Fllakë, komuna e Karundit të Ri në rrethin e Durrësit. Si kudo në mbarë vendin, “Dita e mësuesit” u festua si rrallë herë edhe në shkollën e re të fshatit Fllakë, që mban emrin e mësuesit, dhe luftëtarit Bajram Gashi, “Deshmor i kombit”. Ndryshe nga motet e tjerë, në këtë ditë të shënuar, veç mësuesve, nxënësve dhe prindërve, erdhën edhe plot mysafirë të ftuar nga fshatrat përrreth, nga Durrësi, Tirana dhe më tej akoma nga komuna e Istogut në Kosovë. Të gjithë së bashku i dhanë festës bukuri e gjallëri, lezet dhe seriozitet. Të pranishëm ishin drejtuesit e Komunës së Katundit të ri, Kryetari z. Hil Priska, kryetari këshillit të komunës z. Sadik LLulla dhe ish drejtori i shkollës së Mesme, tani në pension z. Jusuf Hoti.
Ndoshta kjo festë nuk do të merrte shtrirje e përmasa kaq të mëdha, në qoftë se nuk do të kishte pasur një ngacmim dhe ndihmë nga Bajram Halil Gashi, deri pak vite më parë mësues e drejtor i shkollës së Mesme të bashkuar “Besnik Hidri” në Shënavlash, sot pensionist, studjues dhe botues i librit “Një shekull në udhën e dijes”. Libër kushtuar historikut të shkollës së Shënavlashit, ku një vend të veçantë zenë portretet e heronjëve Bajram Gashi dhe Haki Taha, dy figura të ndritura që i bëjnë nder Shënavlashit dhe Kosovës.
Në një vizitë rastësore në shkollën e Fllakës, në bisedë me drejtoren znj. Tina, duke i dhuruar edhe një kopje të librit të tij, Bajrami i kujton, se ky vit përkon me 70-vjetorin e rënies, (Shkurt 1945), së mësuesit e luftëtarit Bajram Sali Gashi, i cili në krye të çetës me 300 – 400 luftëtarë, u ngrit në luftë kundër forcave serbe që ripushtuan Istogun e Kosovën. U theksuan fjalët e tij: “Ndigjoni vllazën! Unë gjakun tem ja kam fal Kosovës!”, më tej thënien e tij profetike: “Kosova do të çlirohet kur fëmijët tanë do t`i kenë 30 vjet shkollë”. Kaq mjaftoi në këtë bisedë dhe mendimi mori udhë.
Drejtorja e shkollës znj. Tina Gjoka, e cila gjeti mbështetje të admirueshme te kolektivi i mësuesve, u kujdes që për këtë dite të madhe e të bukur të kishte diçka të veçantë. Veç koncertit, fjalimeve dhe organizimit të festës, si fillim kërkoi ndihmë për zbukurimin e shkollës, duke vendosur emrin në krye, më pas flamuj dhe stenda në holl, ku me dokumenta dhe foto të paqyrohej jeta dhe vepra e Bajram Gashit. Agim Kabashi, nip i heroit të këtij shkrimi, u tregua i gatshëm dhe i përgatiti të gjitha me shpenzimet e veta. Më pas u përgatitën ftesat, ku të ishin pjesëmarrës familjarë e të afërm të mësuesit dhe heroit tonë Bajram Sali Gashi, që të kujtonin dhe gëzonin së bashku.
Diçka e mirë dhe e bukur lind e piqet, kur detyra dhe nderi bashkohen në një, ndaj dhe të gjitha problemet u zgjidhën si me magji. U mirëprit me nderime znj. Liri Kabashi, vajza e mësuesit, emrin e të cilit po mban shkolla. Ajo sot është e moshuar dhe me zor mban gëzimin, krenarinë, lotët dhe emocionet, pasi në heshtje, ka një jetë që ka pritur këtë ditë. Ishte veç një ëndërr e kyçur në mendje e në zemër, që të shikojë emrin e babës së vet në ballë të shkollës së re, pikërisht në tokën që ai bleu këtu e 75 vjet më parë dhe e dhuroi për shkollë. Ndër familjarët e mirëseardhur ishin znj. Albana Vokshi, mbesa e Bajram Gashit, sot deputete në kuvendin e Shqipërisë. Mes familjarëve dhe miqve ishte edhe akademiku i nderuar z. Fadil Kepi.
“7 Marsi”, ose “Dita e mësuesit”, pararendëse e pavarësisë, është festë kombëtare tradicionale. S`ka pse harxhohen shumë fjalë, për të thënë se ç`bëhet në çdo shkollë, apo qelizë arsimi. Kudo organizohen veprimtari të gëzueshme, ku marrin pjesë mësues, nxënës dhe prindër. Dekori dhe përmbajtja janë të përafërta, meqënëse bëhet fjalë për shkollë: këngë, valle, recitime, lojra, ndonjëherë të ftuar mësues të vjetër, apo ish nxënës, të cilët rrëfejnë kujtimet dhe mbresat e tyre. Në pamje të parë, të gjitha këto na duken sikur janë pjesë të detyruara të programit të festave dhe në shumicën e rasteve nuk tingëllojnë as si lajm, ndaj edhe kalojnë pa u vënë re, pavarësisht se shpesh herë, disa nga pjesëmarrësit janë njerëz të veçantë e shumë prej tyre drejtues e personalitete me zë në jetën shoqërore, arsimore, shkencore e politike të vendit. Megjithatë edhe kaq do të mjaftonte për një reportazh të bukur, për të përgjithsuar këtë veprimtari në shkollën e Fllakës, që i bën jehonë mësimit, edukimit, vazhdimësisë dhe shenjërimit të figurës së mësuesit e të shkollës. Dhe në fund, e gjitha do të kundrohet si një fotografi e bërë nga një njeshtër arti, që fikson njerëzit dhe kohën.
Këtu nuk duhet ngutur, pasi kjo veprimtari është një ngjarje që nuk mbaron me kaq, sepse të ftuar nderi ishin katër përfaqësues të arsimit e medias nga komuna e Istogut, zotërinjtë: Agim Haxhiu, drejtori i Arsimit për komunën e Istogut, Nuredin Ymeraj, koordinator i disa shkollave, Beqir Ibrahimaj, drejtor i shkollës “Tre Dëshmorët” në fshatin Uçë dhe Zeqir Ahmetaj, drejtor i Radios “Fontana”. Të katër këta mysafirë kishin mbi vete dy përgjegjësi ndaj vetes dhe detyrës:
Së pari, nderuan figurën dhe emrin e Bajram Sali Gashit, si mësues dhe luftëtar, që penën e këmbeu në pushkë për liri, duke dhënë jetën si deshmor e martir për Kosovën e lirë. Veç kësaj, Bajram Gashi vërtet ka qënë mësues e drejtor shkolle në Shënavlash të Durrësit, në vitet 1938 – 1941, por rrënjët i ka në Kosovë, pasi vendlindja e tij ëshë në fshatin Uçë, në komunën e Istogut. Ç`duhet shtuar tjetër fjalë, për të thënë se ai është hero me të cilin kanë të drejtë të krenohen, pasi ka dalë nga dheu, vatra dhe gjaku i tyre. Heronjtë kurdoherë meritojnë nderim. Jeta dhe vepra e tyre frymëzojnë brezat ndër shekuj.
Së dyti, me rastin e këtij takimi festiv, mysafirët bënë me dije dëshirën e mësuesve dhe nxënësve të shkollës “Tre deshmorët” në fshatin Uçë, për binjakëzim me shkollën “Bajram Gashi” të fshatit Fllakë. Ashtu siç u shpreh në fjalën e tij edhe Z. Agim Haxhiu: “Sapo i njoftuam për ftesën, na porositën që bashkë me urimin festiv, “Ta gëzojmë 7 Marsin”, t`u përcjellim dëshirën për t`u lidhur mes nesh, sepse vepra dhe gjaku i Bajram Gashit na përket të gjithëve ne shqiptarëve. Jemi të vetëdijshëm, se me ardhjen dhe fjalën tonë, shprehim një ide dhe veprim mjaft i dobishëm. Nxënës e mësues të dy shkollave, njihemi e afrohemi me njëri – tjetrin, formojmë miqësi, shkëmbejmë vlera, ide dhe përvojë në fushën e edukimit dhe mësimit, për të cilën kemi nevojë të gjithë, duke i shërbyer zhvillimit të arsimit tonë mbarëshqiptar”.
Ky është lajmi dhe mesazhi më i bukur që u soll e u përcoll nga ky tubim gazmor e miqësor, në këtë 7 Mars, për t`u dëgjuar e vlerësuar nga prindërit, nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave, mbase edhe më përtej, nga të gjitha institucionet arsimore, që të nxisin e mbështesin lidhjet e vizitat e ndërsjellta. Trojet tona këtej e andej kufirit janë të bukur e duhen parë e prekur, sidomos nga të rinjtë. Jemi një komb e kemi shumë ç`t`i themi e ç`t`i japim njëri – tjetrit.
Drejtore Tina, që në hapje të veprimtarisë, me emocionet e nikoqires së festës, falënderoi në emër të kolektivit mësimor, nxënësit, prindërit miqtë e të ftuarit, që erdhën të festojnë së bashku. Njëkohësisht premtoi, punë të pareshtur në mësimdhënie dhe edukim, për të ngritur vlerat e shkollës dhe emrin që ajo mban. Në fund të fjalës së saj, shprehu gëzimin dhe urimin:
“Le të festohetë kjo ditë e shenjtë, për mijëra vite të tjerë!”.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës më 10. 03. 2015