• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NË PENËN E SHKRIMTARIT KADRI TARELLI

May 18, 2021 by dgreca

Nga Bajram Gashi/

Titullin e këtij shkrimi e vendosa me mëdyshje dhe e kam ndryshuar disa herë. Mua më pëlqen kështu, ndërsa Kadriu në shumicën e shkrimeve dhe poezive, për Kosovën vendos emërtimin “Dardani”. Një emër i lashtë sa vetë jeta e shqiptareve në këto troje. Duhet ta pranoj, se zëri i Kadriut dëgjohet më larg, pasi nuk le pas dore edhe trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror, si shqiptarët e Maqedonisë apo Malit të Zi dhe Çamërisë. Nuk kam frikë se po nxitoj të them që në fillim edhe një shprehje, që miku im e përdor sa here bie fjala për Kosovën, sepse me këtë i bën nder e dritë edhe poezisë: “Komandant Jashari, të presim ku je? Kushtuar heroit legjendar Adem Jashari. “Dashtë Zoti, me Flamurin Kombëtar në krye, të marrim dhe Kosovën e Çamërinë. E nëse nuk do t‘ia arrijmë kësaj, brezat e ardhmë do na gjejnë në varr, me gishtin drejtuar nga këto vise”. Rauf Fico. (Diplomati më i njohur i Monarkisë shqiptare)

Jam njohur me Kadriun shumë vite më parë, si koleg dhe drejtues shkolle. Unë në Shënavlash, ai në Qerret dhe Katund të Ri, në rrethin e Durrësit, më pas në shkollën “Bajram Curri” këtu në Plazh të Durrësit. Ai ka lindur në Devoll, por u rrit dhe u shkollua në Durrës. Vitet e fundit kam bashkëpunuar me të, i ftuar si redaktor dhe konsulent i dy librave të mi: “Një shekull në udhën e dijes”, libër historik i shkollës së Shënavlashit, dhe “Ah Shqipni mos thuj mbarova…..!”, kushtuar rapsodit Dervish Shaqa e Demush Neziri, legjendës së këngës popullore shqiptare të Kosovës. 

Çuditërisht, këtë e pranon edhe vetë, se rrjedha e fatit e ka sjellë që ai, gjithë jetën të punojë në komunitet kosovarësh. Si fillim në vitet 1960 e përtej, në Qerret të Kavajës, me kosovarë të ardhur në vitet 1923-24, dhe të sistemuar në toka që i dha mbreti Zog I. Ishte mësues i ri në ato vite, por i njohu nga afër ata njerëz mikpritës dhe punëtorë, që nuk e harronin vendlindjen, Kosovën, si në kuvend e oda zjarrit, ashtu edhe në veshje e zakone. Këtu e ka burimin shkrimi “Plisi dhe fëmijët”, botuar në gazetat. “Bota sot” dhe “Durrësi Bulevrd”. Shtator 2019. 

Besoj se kjo është edhe arsyeja kryesore, që ai ka një nderim të veçantë për Kosovën dhe kosovarët, megjithëse kur e pyes, ai shton: – “Është edhe kjo, por ka edhe arsye të tjera, si bie fjala: Arsimi, meqë jam diplomuar për histori, dhe më kryesorja e kryesoreve, është edukata atdhetare në familje, që edhe kur flitej nën zë, në bisedat me të rriturit, përmendej me adhurim e keqardhje, Kosova dhe Çamëria”. 

Kjo përmbledhje e shkurtër, më ndihmon të hyj në temën dhe brendinë e këtij shkrimi, duke shtuar edhe veprimtarinë politike dhe atdhetare, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare që u zhvillua në Kosovë, e që solli mëvetësinë e saj. Ai ishte drejtor shkolle, por nuk u shmang të jetë në kryesinë e Fondacionit “Sulejman Vokshi”, të themeluar në Durrës, nga kosovari Qazim Kreka. Nuk u tërhoq, por u vu në ballë të mitingut madhështor “Një komb një qëndrim”, që u organizua në sheshin kryesor të Durrësit, në Maj 1998, ku ai mbajti fjalën e hapjes. Më kujtohen si sot ato fjalë magjike: “Për kombin, asnjëherë nuk është vonë, dhe gjithçka nuk është e tepërt”. Megjithëse ka kaluar mjaft kohë, unë nuk i heq nga mendja, shkrimet: “Një copë Drenice në Plazhin e Durrësit”, botuar në “Durrësi Bulevard” dhe “Pavarësia Neës”, në Nëntor 2005. “Gjeneralmajor  Skënder Çeku”. Dëshmor i kombit. (Si e njoha unë).  Gazeta “D. Bulevard”. Revista “Dituria”. Suedi. “Bota Sot”. Kosovë.. Maj 2006. Etj, etj. 

Si koleg i vjetër, atij i shkon përshtat emri “Misionar i udhës së dijes”, kur kujtoj ato përpjekje për të ndihmuar fëmijët e ardhur nga Kosova, në prag të luftës së madhe. Nuk i tha kush, as e urdhëroi dikush, që të interesohej për ata fëmijë të traumatizuar e hallakatur nga lufta. Si fillim, gjatë verës 1998, ai gjeti mundësi dhe hapi një kamp veror për këta fëmijë, duke thirrur në ndihmë edhe mësues kosovarë. Në ato muaj të ngarkuar me shumë dhembje e të papritura, u organizuan disa takime në shkollën “B. Curri”, me prindërit dhe të afërmit e këtyre fëmijëve, që në qershor 1999, arriti numri rreth 750 nxënës e 35 mësues. Fati e deshte që Kosova u çlirua dhe fëmijët, si dallëndyshet fluturuan në folenë e tyre, në shumicën e herës të djegura e të shkatërruara nga lufta. 

Kam përshtypjen, se gati të gjitha ngjarjet e mëdha të asaj periudhe të trazuar, e më pas, janë trajtuar nga pena e këtij kronisti të zellshëm e të kujdesshëm. Jam dëshmitar, se për të gjitha udhëtimet dhe takimet në Kosovë dhe në Durrës, ai ka publikuar shkrime, si në shtypin vendas ashtu edhe në Kosovë, madje edhe në Londër, SHBA, Zvicër, Suedi, etj. 

Po përmend disa prej tyre: “Kosovë. E gëzofshi pavarësinë”! Veprimtari në shkollën “Rilindja”. Sallmone. Shijak. Durrës., “Kongresi i Manastirit”, “Shkolla  e ShënVlashit në Durrës, pret miq nga Kosova”, “Luftëtarët e Batalionit “Atllantiku”, kthehen tek “Drenica” në Durrës, “Dy heronjtë e Kosovës, Haki Taha dhe Bajram Sali Gashi, mësues në Shënvlash të Durrësit”, “Sokol Demaku, “Model” i veprimtarit atdhetar”. “Kolegu ynë i çmuar. Drejtor Bajram Demaj”, “Një shekull në udhën e dijes”, (vështrim librit të Bajram Halil Gashit). Trimi “Bajram Sali Gashi. Mësuesi që këmbeu penën me pushkë për liri”, “Istog. Kuvend shkencor”. (Gjuha standarde dhe dialektet). Isha edhe unë i pranishëm në atë tubim të diturish, kur Kadriu në fjalën e tij të përshëndetjes, theksoi përafësisht kështu: “T’i ruajmë dialektet, sepse janë trashëgimi e mbijetesës së kombit, por të kujdesemi për gjuhën letrare, apo standarde, sepse jo vetëm lidhet dhe afrohet kombi ynë i çarë dhe përçarë nga historia, por rritet edhe hapësira e shpërndarjes dhe leximit të librit. Shkrimtari apo krijuesi, me librin e tij i përcjell mesazhe kombit, jo vetëm fshatit apo mëhallës së tij…….”. 

Më tej po shtoj edhe të tjerë shkrime: “Niman Ferizi, Pishtar i arsimit shqip”, (Monografi) nga Shevqet Canhasi. “Hytbi Tarelli, sjell nga Toronto në Prekaz, shtatoren e Adem Jasharit”. “Unë kosovari Dush Zeqiraj, çdo fundmarsi jam në Durrës”. “Sadulla Zendeli-Daja. Hartuesi i fjalorit Suedisht-shqip”, “Arsimi shqip në Suedi. Vepra 2. Monument mësuesve të mërgatës shqiptare”, nga Hysen Ibrahimi, “Dervish Shaqa, Demush Neziri dhe Merushe Badolli, mbërritën në Deçan”, (Reportazh), “Merushe Badolli, Legjenda e valles kosovare”, “Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” dhe Isuf Veseli”, “As Alia, as Ilia”, roman nga shkrimtari Hamit Gurguri. “Djemt e Podgurit do ta mbajn bajrakun”. (Baladë), “Të papriturat e udhëtimit Istog-Pejë”, “Emine Hoti. “Marigoja” shqiptare në Norvegji”. “Kim Mehmeti. Kuvend me lexuesit durrsak”, “Bajram Muharremi dhe libri “Vullkani i fjetur”, “Portreti i Isak Ahmetit, gdhendur në libër”. “Një urim me kripë deti”. Po citoj pak vargje: “Në Prizrend mblidhet kuvendi,/me poetë nga trojet mbarë./Jemi shumë e s’na nxen vendi,/shqip këndojmë, jemi një farë”.

Kështu siç e kam zënë, do më duhen faqe e faqe, për të shkruar listën e artikujve, takimeve, kuvendeve, udhëtimeve, konferencave, konkurseve dhe përshëndetjeve të rastit. Ndaj po e thjeshtoj mendimin: Një pjesë e mirë është përmbledhur në katër librat e tij: “Misionarë në udhën e dijes”, (portrete, reportazhe, tregime), më pas libri “Kur lexoj një libër”, (kritikë letrare). Studimi “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”. (monografi), dhe “Koha në vargje” (poezi). Të tjerë libra presin të mbushen me shumë shkrime, që i kushtohen Dardanisë. Më pëlqen mendimi i tij, kur thotë: – “Shkrimet, janë si kokrrat e grurit, mund të humbasin po nuk u mblodhën në thes, kështu i hanë mizat, apo kalben dhe harrohen. Ndërsa futja e tyre në libër është vlerësim, kujdes dhe domosdoshmëri. Libri është “Arka e kujtesës njerëzore”, që i reziston shekujve.

Në mbyllje të këtij shkrimi, më duhet të them, se: “Më vjen mirë, se ky autor, edhe sot e kësaj dite, po vazhdon të shkruajë me po atë ritëm, si 30 apo 20 vjet më parë, duke mbetur cilësor në tematikë dhe frymë atdhetare”. 

Në bisedë, Kadriu rrëfen me modesti se ka edhe shumë shkrime që meritojnë dhe duhet të futen në libër, jo pak por mund të bëhen edhe katër të tillë. Veç duhet pak punë për t’i sistemuar, më tej edhe ca para. 

Punën e ka vetë në dorë, ndërsa paratë duhen gjetur……!

Urime z. Tarelli! Presim shkrime e libra, me shumë përkushtim, dashuri e atdhetari, për Dardani e shqiptari.

Itali. Maj 2021.

Foto pranë bustit të Gjeneral Major Skender Çeku (dëshmor) Korrik 1998, në fshatin Qysk, pranë qytetit të Pejës, Kosovë. Nga e djathta: Avdyl Buçpapaj, Bajram Halil Gashi, Kadri Tarelli dhe Mehmet Berisha.

Filed Under: Analiza Tagged With: BAJRAM GASHI

MËSUESI QË KËMBEU PENËN ME PUSHKË PËR LIRI

March 15, 2015 by dgreca

Mars 2015, fillim pranvere në fshatin Fllakë, komuna e Karundit të Ri në rrethin e Durrësit. Si kudo në mbarë vendin, “Dita e mësuesit” u festua si rrallë herë edhe në shkollën e re të fshatit Fllakë, që mban emrin e mësuesit, dhe luftëtarit Bajram Gashi, “Deshmor i kombit”. Ndryshe nga motet e tjerë, në këtë ditë të shënuar, veç mësuesve, nxënësve dhe prindërve, erdhën edhe plot mysafirë të ftuar nga fshatrat përrreth, nga Durrësi, Tirana dhe më tej akoma nga komuna e Istogut në Kosovë. Të gjithë së bashku i dhanë festës bukuri e gjallëri, lezet dhe seriozitet. Të pranishëm ishin drejtuesit e Komunës së Katundit të ri, Kryetari z. Hil Priska, kryetari këshillit të komunës z. Sadik LLulla dhe ish drejtori i shkollës së Mesme, tani në pension z. Jusuf Hoti.
Ndoshta kjo festë nuk do të merrte shtrirje e përmasa kaq të mëdha, në qoftë se nuk do të kishte pasur një ngacmim dhe ndihmë nga Bajram Halil Gashi, deri pak vite më parë mësues e drejtor i shkollës së Mesme të bashkuar “Besnik Hidri” në Shënavlash, sot pensionist, studjues dhe botues i librit “Një shekull në udhën e dijes”. Libër kushtuar historikut të shkollës së Shënavlashit, ku një vend të veçantë zenë portretet e heronjëve Bajram Gashi dhe Haki Taha, dy figura të ndritura që i bëjnë nder Shënavlashit dhe Kosovës.
Në një vizitë rastësore në shkollën e Fllakës, në bisedë me drejtoren znj. Tina, duke i dhuruar edhe një kopje të librit të tij, Bajrami i kujton, se ky vit përkon me 70-vjetorin e rënies, (Shkurt 1945), së mësuesit e luftëtarit Bajram Sali Gashi, i cili në krye të çetës me 300 – 400 luftëtarë, u ngrit në luftë kundër forcave serbe që ripushtuan Istogun e Kosovën. U theksuan fjalët e tij: “Ndigjoni vllazën! Unë gjakun tem ja kam fal Kosovës!”, më tej thënien e tij profetike: “Kosova do të çlirohet kur fëmijët tanë do t`i kenë 30 vjet shkollë”. Kaq mjaftoi në këtë bisedë dhe mendimi mori udhë.
Drejtorja e shkollës znj. Tina Gjoka, e cila gjeti mbështetje të admirueshme te kolektivi i mësuesve, u kujdes që për këtë dite të madhe e të bukur të kishte diçka të veçantë. Veç koncertit, fjalimeve dhe organizimit të festës, si fillim kërkoi ndihmë për zbukurimin e shkollës, duke vendosur emrin në krye, më pas flamuj dhe stenda në holl, ku me dokumenta dhe foto të paqyrohej jeta dhe vepra e Bajram Gashit. Agim Kabashi, nip i heroit të këtij shkrimi, u tregua i gatshëm dhe i përgatiti të gjitha me shpenzimet e veta. Më pas u përgatitën ftesat, ku të ishin pjesëmarrës familjarë e të afërm të mësuesit dhe heroit tonë Bajram Sali Gashi, që të kujtonin dhe gëzonin së bashku.
Diçka e mirë dhe e bukur lind e piqet, kur detyra dhe nderi bashkohen në një, ndaj dhe të gjitha problemet u zgjidhën si me magji. U mirëprit me nderime znj. Liri Kabashi, vajza e mësuesit, emrin e të cilit po mban shkolla. Ajo sot është e moshuar dhe me zor mban gëzimin, krenarinë, lotët dhe emocionet, pasi në heshtje, ka një jetë që ka pritur këtë ditë. Ishte veç një ëndërr e kyçur në mendje e në zemër, që të shikojë emrin e babës së vet në ballë të shkollës së re, pikërisht në tokën që ai bleu këtu e 75 vjet më parë dhe e dhuroi për shkollë. Ndër familjarët e mirëseardhur ishin znj. Albana Vokshi, mbesa e Bajram Gashit, sot deputete në kuvendin e Shqipërisë. Mes familjarëve dhe miqve ishte edhe akademiku i nderuar z. Fadil Kepi.
“7 Marsi”, ose “Dita e mësuesit”, pararendëse e pavarësisë, është festë kombëtare tradicionale. S`ka pse harxhohen shumë fjalë, për të thënë se ç`bëhet në çdo shkollë, apo qelizë arsimi. Kudo organizohen veprimtari të gëzueshme, ku marrin pjesë mësues, nxënës dhe prindër. Dekori dhe përmbajtja janë të përafërta, meqënëse bëhet fjalë për shkollë: këngë, valle, recitime, lojra, ndonjëherë të ftuar mësues të vjetër, apo ish nxënës, të cilët rrëfejnë kujtimet dhe mbresat e tyre. Në pamje të parë, të gjitha këto na duken sikur janë pjesë të detyruara të programit të festave dhe në shumicën e rasteve nuk tingëllojnë as si lajm, ndaj edhe kalojnë pa u vënë re, pavarësisht se shpesh herë, disa nga pjesëmarrësit janë njerëz të veçantë e shumë prej tyre drejtues e personalitete me zë në jetën shoqërore, arsimore, shkencore e politike të vendit. Megjithatë edhe kaq do të mjaftonte për një reportazh të bukur, për të përgjithsuar këtë veprimtari në shkollën e Fllakës, që i bën jehonë mësimit, edukimit, vazhdimësisë dhe shenjërimit të figurës së mësuesit e të shkollës. Dhe në fund, e gjitha do të kundrohet si një fotografi e bërë nga një njeshtër arti, që fikson njerëzit dhe kohën.
Këtu nuk duhet ngutur, pasi kjo veprimtari është një ngjarje që nuk mbaron me kaq, sepse të ftuar nderi ishin katër përfaqësues të arsimit e medias nga komuna e Istogut, zotërinjtë: Agim Haxhiu, drejtori i Arsimit për komunën e Istogut, Nuredin Ymeraj, koordinator i disa shkollave, Beqir Ibrahimaj, drejtor i shkollës “Tre Dëshmorët” në fshatin Uçë dhe Zeqir Ahmetaj, drejtor i Radios “Fontana”. Të katër këta mysafirë kishin mbi vete dy përgjegjësi ndaj vetes dhe detyrës:
Së pari, nderuan figurën dhe emrin e Bajram Sali Gashit, si mësues dhe luftëtar, që penën e këmbeu në pushkë për liri, duke dhënë jetën si deshmor e martir për Kosovën e lirë. Veç kësaj, Bajram Gashi vërtet ka qënë mësues e drejtor shkolle në Shënavlash të Durrësit, në vitet 1938 – 1941, por rrënjët i ka në Kosovë, pasi vendlindja e tij ëshë në fshatin Uçë, në komunën e Istogut. Ç`duhet shtuar tjetër fjalë, për të thënë se ai është hero me të cilin kanë të drejtë të krenohen, pasi ka dalë nga dheu, vatra dhe gjaku i tyre. Heronjtë kurdoherë meritojnë nderim. Jeta dhe vepra e tyre frymëzojnë brezat ndër shekuj.
Së dyti, me rastin e këtij takimi festiv, mysafirët bënë me dije dëshirën e mësuesve dhe nxënësve të shkollës “Tre deshmorët” në fshatin Uçë, për binjakëzim me shkollën “Bajram Gashi” të fshatit Fllakë. Ashtu siç u shpreh në fjalën e tij edhe Z. Agim Haxhiu: “Sapo i njoftuam për ftesën, na porositën që bashkë me urimin festiv, “Ta gëzojmë 7 Marsin”, t`u përcjellim dëshirën për t`u lidhur mes nesh, sepse vepra dhe gjaku i Bajram Gashit na përket të gjithëve ne shqiptarëve. Jemi të vetëdijshëm, se me ardhjen dhe fjalën tonë, shprehim një ide dhe veprim mjaft i dobishëm. Nxënës e mësues të dy shkollave, njihemi e afrohemi me njëri – tjetrin, formojmë miqësi, shkëmbejmë vlera, ide dhe përvojë në fushën e edukimit dhe mësimit, për të cilën kemi nevojë të gjithë, duke i shërbyer zhvillimit të arsimit tonë mbarëshqiptar”.
Ky është lajmi dhe mesazhi më i bukur që u soll e u përcoll nga ky tubim gazmor e miqësor, në këtë 7 Mars, për t`u dëgjuar e vlerësuar nga prindërit, nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave, mbase edhe më përtej, nga të gjitha institucionet arsimore, që të nxisin e mbështesin lidhjet e vizitat e ndërsjellta. Trojet tona këtej e andej kufirit janë të bukur e duhen parë e prekur, sidomos nga të rinjtë. Jemi një komb e kemi shumë ç`t`i themi e ç`t`i japim njëri – tjetrit.
Drejtore Tina, që në hapje të veprimtarisë, me emocionet e nikoqires së festës, falënderoi në emër të kolektivit mësimor, nxënësit, prindërit miqtë e të ftuarit, që erdhën të festojnë së bashku. Njëkohësisht premtoi, punë të pareshtur në mësimdhënie dhe edukim, për të ngritur vlerat e shkollës dhe emrin që ajo mban. Në fund të fjalës së saj, shprehu gëzimin dhe urimin:
“Le të festohetë kjo ditë e shenjtë, për mijëra vite të tjerë!”.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës më 10. 03. 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: BAJRAM GASHI, Kadri Tarelli, mësuesi, PENËN ME, PUSHKË PËR LIRI, QË KËMBEU

BAJRAM GASHI, DESHMOR I KOMBIT, NË 70-VJETORIN E RËNIES

February 6, 2015 by dgreca

U lind në fshatin Uçë të komunës së Istogut, në shkurt të viti 1910. Vjen nga një familje patriotësh, nga fisi i njohur Muzliaj. Dy xhaxhallarët e tij Avdyl dhe Nezir Idrizi (Gashi), ishin firmëtarë të shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Më vonë, si shumë patriotë të tjerë, u vranë nga dora e shkjaut.
Bajrami që në moshë të mitur, duke qendruar e dëgjuar bisedat e të rriturve në odën e burrave, mësoi se kush ishte armiku, sa i egër ishte pushtuesi serb i Kosovës dhe sa gjak po derdhej për lirinë e pavarësinë e saj.
Shkollën fillore e kreu në Krumë të Hasit, së bashkë me gjakovarin shumë të përmendur Haki Taha. Dy vjet gjimnaz i keru në Shkodër gjatë viteve 1930-1932, duke qendruar në konviktin “Malet tona”. Më pas vazhdon edhe dy vjet të tjera 1932-1934, ku dipllomimohet si normalist në mësuesi. Në dëftesën e firmosur nga Kol Margjini dhe zv.drejtor Anton Çeta, mësojmë se veç lëndëve të tjera të kulturës së përgjithshme, zotëronte shkëlqyeshëm dy gjuhë të huaja, frëngjisht dhe gjermanisht. (shënimet janë nga fotokopja e deshmisë origjinale)
Sipas ligjeve të kohës, mësuesi para fillimit të punës në arsim bënte betimin: “Me ja dhan besën atdheut, dijet dhe punën me ndershmëri”. … të gjithë bashkë përgjigjemi përpara kombit dhe para zotit”. Kështu me dekret të veçantë nga Mbretnia Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, firmosur nga Mirash Ivanaj, emrohet mësues në shkollën Mashkullore në rrethin e Krujës, me pagë mujore 160 frënga ari. Në këtë shkollë shërbeu si mësues për dy vjet. Përsëri me vendim qeverie shkon në Itali (1936 – 1938), ku kryen shkollë ushtarake. Me t`u kthyer nga Italia, përsëri me vendim të Mbretnisë, Bajrami emrohet drejtor i parë i shkollës fillore në fshatin Shënavlash të Durrësit. Brenda një kohe të shkurtër ai e afrmoi veten si mësues dhe drejtues i aftë, duke vënë në zbatim ligjet dhe urdhëresat e qeverisë. Si fillim, arriti të zbatojë në fshat arsimin fillor të detyrueshëm. Me punë bindëse, mundi të sjellë në shkollë të gjithë fëmijët që i kapte mosha shkollore. Më tej, me shtimin e numrit të nxënësve lindi nevoja të shtohej edhe trupa mësimore me mësues të rinj. Ishte kjo kohë, kur në shkollën e Shënavlashit u emruan mësuesët Haki Taha, (i shumë njohur për atentatin ndaj Miladin Popoviçit), Nafie Mema, gruaja e poetit Lasgush Poradeci dhe Agetina Qeraxhija.
Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 1941, Bajram Gashi, Haki Taha, Xheladin Hana, Hysni Zajmi, Fadil Hoxha e qindra mësues të tjerë e “msynë” Kosovën. Bajrami u shkëput nga arsimi, pasi u caktua me detyra shtetërore për dy komunat Pejë dhe Istog. Shpesh bënte mbledhe e tubime me popullin e Rrafshit e Dukagjinit, ku pas fjalëve: “Ndigjoni vllazën! Unë gjakun tem ja kam fal Kosovës!”, bante thirrje për mos pajtim me komunizmin, me Titon dhe komunistat shqiptar.
Pikërisht kur ushtria italiane kaloi në zonën neutrale, në fshatrat përrreth Pejës e Istogut u bë një kasaphanë e vërtetë. U vranë rreth 500 vet, burra, gra, pleq e fëmijë. Bajrami revoltohet dhe bashkë me Mulla Zek Bërdyna dhe të tjerë patriotë, mbledhin gjymtyrët e të masakruarve, i fusin nëpër arka, i sjellin në Pejë dhe i varrosin.
Janë këto ngjarje dhe të tjera, që në prag të mbarimit të luftës, në fundvitin 1944 e fillim i 1945, kur po ripushtohej Kosova dhe Istogu, Bajram Gashi kapi pushkën, ngriti çetën e tij me 300 – 400 vet dhe doli në mal. I kërkuan përfaqësuesit e partisë komuniste Shqiptare dhe Jugosllave për bashkëpunim me ta, por Bajrami ishte betuar: “Nuk pajtohem me komunistët, që bashkëpunojnë me armiqtë e kombit tim”. Këtij trimi kosove dhe shokëve të tij, bukur i shkojnë vargjet e Fishtës:
“ Ma mirë dek, nën dhe m`u kja,
se për t`gjall me mbet nën shkja”.
S`kaloi shumë kohë, në fillim të shkurtit 1945, kur e gjithë Kosova kaloi në shtetrrethim, Bajrami ndodhej në Pejë. Përshëndetet për herë të fundit me të shoqen, duke i lënë porosi: “Unë edhe mund të mos kthehem, por vajzat mos m`i len pa shkollë”. Iku baba. Ishte hera e fundit që e pashë tek largohej nga shtëpia”, kujton Liria, vajza e madhe, sot e moshuar, atëherë ishte vetëm 6-vjeç.
Një nga bashkëluftëtarët e tij në çetë, plaku 96-vjeçar Isuf Hajdari nga fshati Uçë, kur e pyeta se kush ishte Bajram Gashi, u ngrit në këmbë, pika loti i pikuan nga sytë dhe më thotë: “As nuk ka le, e as nuk len nana, burrë trim si Bajram Gashi”. Ishte natë, duke u gdhirë 8 shkurtit, kur çeta e tij rrethohet nga forcat serbe në “Stanet e Vojdullit” në bjeshkë të Istogut. Luftojnë gryk n`gryk me shkijet, vriten mbasi e kanë paguar shtrenjët veten. Ushtarët serb i bartin kufomat dhe i sjellin në Istog-qendër. Ushtarakë dhe përfaqësues të partisë mbajnë fjalime mbi kufomën e tij, duke e shkelmuar e duke shfryrë: “Kështu do ta pësojnë të gjithë ata që luftojnë kundër Jugosllavisë”. Kjo mënxyrë për Istogun dhe Kosovën mbahet mend e kujtohet mirë, pasi në këtë ngjarje të kobëshme, për terror u thirrën plot njerëz. Aty ishte edhe lokja Rabe, nëna e Bajramit. Aty kish ndodh edhe Rexhep Dranova me të birin Muhametin. Aty ishte edhe Tahiri, babai i Isa Lipajt nga fshati Kamenicë, komuna Istog. Janë profetike fjalët e Bedri Pejanit: “Mosni djema! Nuk zgjidhet çështja shqiptare në bashkëpunim me serbo-sllavët”.
Nuk çuditemi me veprimet e pushtuesve serb, që këtyre heronjëve nuk u la as eshtra e as varr për t`u vajtuar e kujtuar. Pikërisht ky është modeli serb i provuar në qindra vjet, që u kopjua nga komunistët ndaj kundërshtarëve politik dhe “armikut” të klasës. Sot pas çlirimit të Kosovës, në Istog ndodhet një memorial, një pllakë, ku shkruhet: “Më datë 08. 02. 1945, u vranë tre heronj të Istogut. Bajram Gashi, Ram Alia dhe Sali Rama”, (Sali Rama është biri i Ram Alis). Një rrugë kryesore në qytetin e Istogut mban emrin “Bajram Gashi”. Po kështu në fshatin Fllakë të rrethitë Durrësit, pikërisht pranë vendit ku dikur ishte shkolla fillore (pronë e Bajram Gashit e blerë dhe e lënë për shkollë), sot ngrihet shkolla 9-vjeçare, që në nderim të tij, mban emrin “Bajram Gashi”.
Vitet shkojnë, ndërsa vepra e Bajram Gashit, këtij luftëtari të lirisë, mbetet e gdhendur në kujtesën e kombit, si mësim e këmbanë për brezat. Është e artë thënia e ish presidentit gjerman Richard Von Weizsackers, kur thotë: Të gjithë ata që mbyllin sytë para të kaluarës, janë të verbër në të ardhmen e tyre”.
Lavdi veprës së heronjëve që ranë për liri të Kosovës!

Përgatiti:
Bajram Gashi
Shënavlash.
Durrës.

Filed Under: Histori Tagged With: BAJRAM GASHI, DESHMOR I KOMBIT, E RËNIES, Në 70 vjetorin

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT