Deputeti i Partisë Demokratike, Mhill Fufi deklaroi dje se asnjë nga autoritetet përkatëse nuk e ka informuar mbi atentatin e planifikuar për eliminimin fizik të tij. Përmes një deklarate për shtyp, Fufi bëri të ditur se e dhe pse si Kryeministri, Kryetari i Kuvendit apo edhe Ministri i Brendshëm kanë qenë në dijeni të këtij atentati, asnjë prej tyre nuk e ka marrë mundimin që ta informojë atë. Fufi përgënjeshtroi deklaratat e disa deputetëve se atij i ishte ofruar mbrojtje fizike. Fufi theksoi gjithashtu se është shpifje e ulët edhe aludimi sikur në këtë skenar qenkan përfshirë njerëz të afërt me ish-kryetarin e Partisë Demokratike.
“Edhe pse rezulton se Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe Ministri i Brendshëm paskan pasur informacion prej 6 muajsh për një plan të eleminimit tim fizik, unë nuk jam thirrur dhe as nuk jam informuar nga asnjë organ apo institucion për këtë skenar.
Në këto kushte, hedh poshtë trillimet e bëra nga deputetë të caktuar dhe nga Kryetari i Kuvendit, sipas të cilëve më është ofruar mbrojtje fizike.
Eshtë shpifje e ulët edhe aludimi sikur në këtë skenar qenkan përfshirë njerëz të afërt me ish-kryetarin e Partisë Demokratike.
I bëj thirrje drejtësisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vërë para ligjit përgjegjësit.
Ngjarja është shumë e rëndë dhe kërkon një hetim të thellë objektiv dhe të painfluencuar nga klanet e pushtetit” është shprehur deputeti demokrat, Fufi.