Nga Kim MEHMETI/
Ia lidhën duart kryetarit të Komunës së Prishtinës, por harruan se regjimi që mbështetës të vetëm ka policinë, se pushtetarët që prangosin të zgjedhurin e popullit, kurrë nuk do mund t’i shpëtojnë mallkimit të popullit. Si diktatorë të vegjël e të mjerë, dalin e paturpshëm thonë se mediat janë duke ua rrënuar shtetin, e nuk shohin se për çdo natë, Kosovën e braktisin me qindra të rinj. Dhe me të drejtë e dënojnë dhunën dhe thonë se vota, e jo protesta në rrugë, të sjellin në pushtet, por harrojnë se deri dje këtë e thoshin edhe robëruesit e Kosovës, harrojnë se drejtuesit e shtetit nuk përfaqësojnë vetëm votuesit e tyre, por e kanë në duar fatin e tërë popullit. Dhe si të tillë-njësoj si çdo zaptues, i cili fatin e shtetit e të popullin e barazon me fatin e vet politik-ata e konsiderojnë armik çdonjërin që i kundërshton, si të tillë ata shohin vetëm gurët e protestuesve, por jo edhe pamjet trishtuese kur të riut të shtrirë, i vërsulen policët!
Dhe drejtues të tillë janë të rrezikshëm për popullin dhe shtetin, drejtuesit e tillë janë trishtues për tërë shqiptarinë, ngaqë ata janë të gatshëm t’ia thyejnë popullit edhe boshtin e patriotizmit! Andaj duhet thënë: Regjimi i sotëm që drejton Kosovën, me shumëçka është fytyra e së djeshmes, që vret dhe varros të sotmen dhe të ardhmen e rinisë kosovare! Nëse do ishte ndryshe, nëse drejtuesit e sotëm të Kosovës me të vërtet do kishin për qëllim të mirën e vendit dhe të popullit, atyre do u mjaftonte edhe një pik gjaku polici apo protestuesi, që të dilnin e të thoshin: Ne jemi pushtetarë, por jo pushtues të popullit e të vendit tonë, andaj ejani që gjithë së bashku ta ndajmë të mirën e të keqen e këtij vendi! Pra ata do propozonin të mundshmen që sot mund ta qetësojë Kosovën: një Qeveri teknike, që do e nxirrte vendin nga ky tunel ku është futur! Por, këtë nuk mund ta presësh nga ata me mendësi nga djeshmja e pushtuesit, nga ata që marrjen e votës, e barazojnë me marrjen e ‘tapisë’ që të shpallë pronarë të Kosovës!”
Rama dhe Vuçiç – përplasen për Kosovën
Radiotelevizioni publik serb nuk përkthen 15 minuta të fjalës së Ramës/
Vizita e parë në Beograd e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, u përshkua nga mospajtimet thella që ekzistojnë ndërmjet Beogradit e Tiranës për Kosovën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç u përplasën në Beograd për shkak të Kosovës . Mikpritësi serbe e cilësoi si provokim deklaratën e kryeministrit Rama në një konferencë të përbashkët me gazetarë “pavarësia e Kosovës është realitet i pamohueshëm, i cili duhet respektuar si i tillë” dhe se “pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”.
Kryeministri serb tha se nuk e ka pritur këtë “provokim nga zoti Rama që e përmend Kosovën dhe nuk e di çfarë lidhjeje ka Kosova me zotin Rama, më vjen keq që e ka ngritur këtë çështje, për të cilën nuk jemi marrë vesh”, tha ai, duke theksuar se “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”.
Ndërsa kryeministri Rama tha se pavarësia e Kosovës është “realitet që shumë e kanë njohur. Sa më parë që ta njihni aq më shpejtë do të ecim përpara” i tha ai mikpritësit të tij.
Më herët kryeministri serb tha se vizita e shefit të qeverisë së Shqipërisë në Serbi është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe për Serbinë dhe për gjithë rajonin.
Ndërsa kryeministri Rama, foli mes tjerash foli për rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë dhe siç u shpreh “që fëmijët të mos vuajnë në të ardhmen, për shkak të së shkuarës së hidhur”.
Vizita e sotme e zotit Rama në Beograd shënon të parën e një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh.
Vizita e sotme po zhvillohet në një klimë tensioni mes dy vendeve, pas ngjarjeve në stadiumin e Beogradit 14 tetorin e kaluar, të cilat u pasuan nga një shkëmbim i fortë akuzash mes palëve.
Deri përpara ndeshjes, kur planet ishin që vizita të zhvillohej më 22 tetor, elementi që vihej në dukje ishte ajo e vizitës që realizohej për herë të parë pas vizitës së Enver Hoxhës në Beograd 68 vjet më parë.
Marrëdhëniet mes dy shteteve prej kohësh ishin mbajtur në nivel korrekt diplomatik, duke u ndikuar më së shumti nga temperaturat mes Beogradit dhe Prishtinës, apo zhvillimet e papritura në Luginën e Preshevës. Dialogu me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian mes Serbisë dhe Kosovës ishte një peshë më pak në përpjekjet për të ndërtuar një tjetër raport mes palëve. Shumëkush e kishte cilësuar edhe “historike” vizitën e 22 tetorit, dhe vetë pala shqiptare kishte folur për “hapjen e një kapitulli të ri me Serbinë”.
Por klima e helmuar nga gjuha e rëndë e përdorur pas incidenteve në ndeshjen e futbollit, veçanërisht deklaratat fyese të presidentit serb Nikoliç, duket se e bën të vështirë këtë objektiv. Në rastin më të mirë, vizita është një mundësi që së paku fletët e kapitullit të marrëdhënieve mes dy vendeve të mos vazhdojnë të kthehen pas, apo një përpjekje për të qepur plagën e hapur, e cila për t’u mbyllur duhet të kurohet me qetësinë e dialogut dhe jo duke u ngacmuar herë pas here me retorikat e nacionalizmit.
Kryeministri Rama duket më në avantazh, ndërsa për asnjë moment nuk u tërhoq nga ideja për të vizituar kryeqytetin serb, ku në të kundërt, duket se u bë gjithçka për të çuar në dështimin e saj. Në të vërtetë, ishte trysnia e komunitetit ndërkombëtar ajo që bëri që vizita vetëm të shtyhej për disa javë. Deklaratat e autoriteteve serbe, që kanë paraprirë vizitën, kanë lënë pikërisht shijen e diçkaje që janë të detyruar ta bëjnë më shumë se sa e dëshirojnë.
Ndërkohë që një etapë jo pak e rëndësishme për kryeministrin Rama do të jetë edhe vizita e tij të martën në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, zonë e banuar nga një shumicë shqiptarësh, një vizitë, konfirmimi i së cilës është mbajtur gjatë pezull nga ana e autoriteteve të Beogradit. Kryeministri shqiptar, i pari zyrtar i një niveli të tillë që viziton komunat shqiptare atje, pritet të ketë takime me drejtuesit lokal shqiptarë dhe popullsinë e atjeshme.
(Kortezi: Armando Mero-VOA)
Radiotelevizioni publik serb nuk përkthen 15 minuta të fjalës së Ramës/
BEOGRAD, 10 Nëntor/ATSH/-Radiotelevizioni serb, ka ndaluar së përkthyeri fjalimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ndërkohë që ai po fliste për realitetin e krijuar në Ballkan dhe pavarësinë e Kosovës.
Rama ka folur më shumë se 10 minuta, por shumica e serbëve, nuk e kanë marrë vesh fjalimin e tij, në mungesë të përkthimit. Pas konferencës nuk u lejuan as pyetje nga gazetarët.
Në anën tjetër Vuçiç ka reaguar ashpër ndaj Ramës, pas konferencës. Ai as nuk ia ka zgjatur dorën kryeministrit shqiptar, ndërkohë që i ka bërë me dije se nuk ka qenë e paraparë të flitej për Kosovën.
HARADINAJ; ÇERTIFIKATE EVROPIANE PËR KOSOVËN…
Shkruan: Dëfrim CANI/Publicist,Studiues/ Tiranë/
Demokracinë si praktikë shtetërore, si qeverisje dhe si “rend” social e çertifikojnë rregulla të njohura, prej të cilëve përfitojnë individët, shoqëria, institucionet dhe bashkëpunimi gjithënivelësh. Në rendet totalitare, kjo praktikë ka qenë dhe është e pamundur, jo vetëm për shkakun e burimit doctrinarë ideologjik, mbi të cilin është ngritur shteti totalitarë, por dhe si praktikë e polarizimit të thellë të shoqërisë dhe parimit të luftës së klasave.
Në historinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përbën qëndrimin unikal të pranimit të rregullit demokratik, të parë brenda shoqërisë shqiptare dhe në raportin bashkëpunues me shoqërinë ndërkombëtare. Pas një akuze të njëanëshme dhe folklorike, të ngritur posaçërisht kundër tij dhe një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh, pikërisht në momentin kyç të shtetit të ri të Kosovës dhe të karrierës së tij si kryeministër, Ramush Haradinaj i dha jetë dhe ambicie qytetare dimensionit demokratik, jo vetëm në Kosovë, por në Ballkan.
Përmes “dorzimit“ në Hagë, jo vetëm një herë, por dy herë, d.m.th, sa herë e deshi Haga, Ramush Haradinaj i bëri nderin më kapital Kosovës, në rrethanat më fondamentale që asaj i duhej, i bëri nder modelit të liderit politik dhe burrështetit, që drejton një vend të caktuar të sapodalë nga lufta, i bëri nder dhe çliroi nga kompleksi i forcës dhe paprekshmërisë nga drejtësia, duke e qytetëruar atë në kuptimin e të drejtës, njeriun me pushtetin që ai kishte atë rast, i bëri nder emrit shqiptar në hierarkinë e posedimit të vërtetës përballë drejtësisë.
Haradinaj nuk kapërceu vetëm vetveten, nuk kapërceu vetëm kultin e burrit trim dhe tradicional shqiptar, nuk kapërceu vetëm kutin e politikanit, por kapërceu realitetin tradicional ballkaniko- evropian. Duke besuar tek e drejta, Ai i çeli rrugë praktikës teorike – demokratike, se drejtësia është mbi të gjithë njerëzit, të çdo niveli qofshin ata.
Haradinaj e kapërceu emrin që ia ka thirrë nana dhe baba (Ramush) në djep, në fëmijëri dhe më vonë. Tashma ai thirret Haradinaj, thirret në mbiemër, me çfarë thirren njerëzit e shquar. E në emrin e tij të “ri”,- Haradinaj, simbolika e tij valorizuese, të njofton Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët dhe konceptin e tyre burrërorë, të kujton “mitin” e lirisë.
Për shërbimin kapital, që Haradinaj i ka bërë kohës shqiptare, rrugëtimit të gjatë shqiptarë në Botë, Kosovës dhe shqiptarëve, vetëm sa ka filluar:
-Ai rrëzoi mitin e mykur sllavo- serb, se shqiptarët nuk e njohin drejtësinë dhe se nuk i binden asaj,
-Ai rrëzoi akuzën e vjetër dhe të re të kundërshtarëve të shqiptarëve, se shqiptarët nuk janë bashkëpunues dhe se ata nuk njohin organizmat ndërkombëtarë,
-Ai përplotësoi ndërkombëtarisht të drejtën dhe luftën e UÇK-së për çështjen më jetikë të Kosovës, çështjen e çlirimit nga një pushtues, dhunues e barbarizues të njërit nga popujt më autokton të Ballkanit.
Haradinaj la detyrën e rëndësishme në Kosovë dhe iu bind thirrjes së Hagës. Askush qytetarë në botë nuk do ta rrespektonte me kaq qytetari dhe urtësi thirrjen për t’u gjykuar (në të vërtetë ai u thirr për t’u dënuar), por ai besoi dhe ylli i Kosovës shkëlqeu në përmasën ndërkombëtare, kur atë kërkuan ta groposnin.
Haradinaj la në kurthin e vet kundërshtarët historik të shqiptarëve, paragjykuesit ballkaniko- evropian, akuzë-ngritësit e tij për “krime lufte”, po ashtu dhe kundërshtarët e tij politik në Kosovë apo dhe Shqipëri.
Haradinaj është produkti më genetik i genit më të mirë tradicional dhe bashkëkohorë i shqiptarit, i cili në udhëtimin e tij historik s’ka harruar vatanin, lirinë dhe të drejtën. Rendi i Ri Demokratik në Botë është rendi i të drejtës dhe qytetarisë së saj.
Kush burrështeti në botë nuk do të ndjehej i suprizuar dhe nuk do ta mbështeste burrështetasin Haradinaj, i cili e ka dhënë provën e tij në të gjithë përmasën dhe nivelin e saj.
Sot, është mirë që Kosova e ka këtë Çertifikatë të Artë Europiane, në njërin nga liderët e saj si Haradinaj, ndër më aktivët dhe më të nevojshmit për Kosovën.
Tiranë, 5 shtator 2014
Kongresmeni Eliot Engel:Zgjedhjet e 8 qershorit, sprovë për Kosovën
Engel ka bërë thirrje që populli i Kosovës të dalë masivisht në zgjedhjet parlamentare të dielën në Kosovë, dhe që zgjedhjet të jenë të qeta dhe demokratike duke shtuar se” më datën 8 qershor besojë që zgjedhjet do të jenë të lira, transparente dhe të drejta”.
“Një palë zgjedhje të tilla, do të avancojnë demokracinë e Kosovës, dhe do ta shtojnë suksesin e shënuar, përballë sfidave që e presin Kosovën” thotë zoti Engel një mik i dëshmuar i shqiptarëve.
Për Kongresmenin demokrat të Nju Jorkut Eliot Engel : “Marrëdhëniet SHBA-Kosovë janë nga më të mirat, dhe në Kosovë shqiptarët janë të bindur se Prishtina ka një mik dhe aleat që janë Shtetet e Bashkuara. Unë jam i bindur, thotë ai se SHBA do të vazhdojë të qëndrojnë me Kosovën në demokratizimin e mëtejshëm të saj zhvillimin dhe lulëzimin, e saj- gjithnjë, e më e integruar me strukturat Euro-Atlantike.”
Si gjithmonë kur ne flasim për zgjedhjet në Kosovë, edhe në këtë intervistë, unë jam duke marrë parasysh se si ata kanë zhvilluar në të kaluarën zgjedhjet lokale e parlamentare. Unë do të doja të t’i quaja ato ” një model në të gjithë rajonin “- bile edhe më mirë se në Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Çfarë prisni ju zoti kongresmen nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahet të dielën më 8 qershor 2014?
Engel: Edhe unë duke pasur parasysh zgjedhjet e kaluara por edhe më të fundit, në nëntorin e kaluar(3/nëntor/2013) kur Kosova mbajti zgjedhjet – pra një palë zgjedhje lokale paqësore dhe të rregullta, unë jam shumë optimist se procesi i votimit edhe( më 8 qershor) në këto zgjedhje, do të jetë transparent dhe të mirë-menaxhuar. Unë gjithashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë relativisht e lartë. Mbasi, këto zgjedhje paraqesin një hap të rëndësishëm, për të bër përpara për demokracinë e re të Kosovës, normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, ecjen e saj në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik.
A mendoni se institucionet e Kosovës, kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme?
Engel: Është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të bëjnë gjithçka, që kanë në “dorën” e tyre, për të siguruar që qytetarët janë në gjendje të ushtrojnë të drejtën themelore, për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tyre. Unë gjithashtu, me këtë rast u bëj thirrje autoriteteve në Beograd të bashkëpunojnë plotësisht me Prishtinën në inkurajimin e serbëve të Kosovës, që të votojnë në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun. Unë besoj se do të jet një proces i suksesshëm zgjedhor, që do të jetë një tjetër hap i rëndësishëm përpara për demokracinë e re multietnike dhe do të avancojë perspektivat për stabilitet në Kosovë dhe në rajon më gjerë, mendojë unë.
Si një mik i të gjithë popullit shqiptar, çfarë mendoni se për momentin janë sfidat më të mëdha për të ardhmen e institucioneve të Kosovës?
Engel: Duke pasur parasysh atë se ku Kosova ishte vetëm një dekadë më parë, unë besoj se progresi i saj është i dalluar. Por edhe me gjithë arritjet e saj – prapë për Kosovën mbeten sfida të tilla si : papunësia e cila është ende e lartë, korrupsioni mbetet një shqetësim, tjetër, dhe rritja e besimit ndëretnik dhe bashkëpunimi ka nevojë të përmirësohet. Duke vazhduar për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas meje është kyç për zhvillimin e të dy vendeve, si dhe për stabilitetin më të gjerë rajonal. Kosova duhet të forcojë përpjekjet e saj për të integruar serbët dhe minoritetet e tjera. Së fundi, Kosova duhet të vazhdojë punën e saj për të konsoliduar demokracinë e saj dhe sigurinë për të integruar plotësisht në institucionet Euro-Atlantike.
Cili është angazhimi i SHBA-ve në këto zgjedhje? Pse SHBA nuk dërgojë në Kosovë, një grup vëzhguesish për të monitoruar zgjedhjet këtë herë?
Engel: Shtetet e Bashkuara mbeten edhe më tej – tejet të angazhuar në mënyrë aktive dhe po i ndjekin zhvillimet nga afër. Ambasada e SHBA, në Prishtinë, ka organizuar disa ekipe të vëzhgimit për të ndihmuar në monitorimin e zgjedhjeve.
Qëndrimi politik amerikan ndaj zhvillimeve në Kosovë, ka rëndësi të madhe. Ju lutem komentoni diçka mbi marrëdhëniet SHBA-Kosovë?
Engel: Marrëdhëniet SHBA-Kosovë – jan nga më të mirat, dhe në Kosovë shqiptarët janë të bindur se Prishtina ka një mik dhe aleat që jan Shtetet e Bashkuara. Unë jam i bindur se SHBA do të vazhdojë të qëndrojnë me Kosovën në demokrazimin e mëtejshëm të saj, zhvillimin dhe lulëzimin, e saj- gjithnjë, e më e integruar me strukturat Euro-Atlantike.
Kohëve të fundit ka pasur zhvillime në Kosovës – disa “probleme” u zgjodhën, disa kanë mbetur për t’u zgjidhur – siç ishte çështja e këmbëngulësisë e disa subjekteve politike në respektimin e kushtetutës rreth ulëseve të rezervuara për pakica. Në anën tjetër, patëm qëndrimin e disa grupeve të pakicave që nuk deshën ta mbështesin Ligjin për Forcën e Armatosur të Kosovës. Cili ësht komenti juaj për këto ?
Engel: Me duhet të them me këtë rast se çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet, është një çështje që i përket popullit të Kosovës dhe qeveria dhe parlamenti, është për të punuar për zgjidhjen e këtij problemi. Sa për forcat e armatosura, Kosova, është një vend sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtën e saj për të krijuar një forcë të saj ushtarake si çdo vend tjetër Europian. Kjo është edhe shpresa ime se pas zgjedhjeve Kuvendi i ri që do të dalë nga ato zgjedhje do të miratojë krijimin e një force ushtarake.
Është thënë vazhdimisht nga ndërkombëtarët, se Serbia dhe Kosova duhet të shkojnë së bashku në Evropë; megjithatë, siç shihet Serbia është më afër anëtarësimit në BE dhe Kosova ende nuk është duke parë e “dritën e gjelbërt” nga BE-ja ? qysh me liberalizmin e vizave….!
Engel: Unë mendojë se anëtarësimi në BE dhe NATO, pra ajo që ne e quajmë shpesh her integrimi Euro – Atlantik, nuk janë të lirë – “are not free”. Kosova dhe Serbia do të duhet të bëjnë një punë edhe më të madhe për të përmbushur kërkesat e të dy institucioneve kyçe. Nuk duhet që të jetë një situatë ku Serbia mund të hyjë në BE dhe më pas të bllokojë anëtarësimin e Kosovës. Unë besoj se ajo duhet të jetë kusht i pranimit të Serbisë, që të njohë një Kosovë të pavarur. Dhe ndërsa ajo është thellësisht e padrejtë, rruga e Kosovës do të vazhdoje te jete e “tatëpjetë”, për shkak të kundërshtimit nga shtetet anëtare të cilat nuk janë diskonstruktive dhe ende refuzojnë të njohin Prishtinën . Por unë kam besim se Kosova, me punën e saj të vazhdueshme madhe dhe mbështetjen e saj në rritje, me sukses ka për të përmbushur kërkesat për të dy institucionet Euro- Atlantike, në BE dhe NATO.
Kongresmen Engel ju faleminderit për kohën që morët për të na dhënë këtë intervistë, dhe tash në fund a do të dëshironit të jepni një mesazh për lexuesit tanë?
Engel: Unë do të doja të them se jam me të vërtet i suprizuar nga përparimi i pabesueshëm që Kosova, ka bërë prej se kur ajo shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008. Megjithatë, unë e di se ka sfida të shumta përpara dhe probleme për të kapërcyer, por Shtetet e Bashkuara kane qëndruar pranë Kosovës, dhe do qëndrojnë, sepse populli kosovar ka triumfuar gjithnjë mbi vështirësi të pabesueshme. Unë pres që të shohim në të ardhmen që partneriteti ynë të vazhdojë të lulëzojë që Kosova të ndërtojë një demokraci të begatë dhe të sigurt brenda një Evropë të Bashkuar, e lirë dhe në paqe. (Intervistoi:Beqir SINA)
Raporti i Human Rights Watch për Kosovën
Nga Isabela Çoçoli/Zeri i Amerikes/
Human Rights Watch publikoi të martën më 21 janar 2014 raportin vjetor për të drejtat e njeriut nëpër botë në vitin 2013. Në kapitullin për Kosovën vihen në dukje arritjet në marrëdhëniet me Serbinë, por edhe mangësitë e udhëheqjes në drejtimin e vendit, nga e cila kërkohet të forcojë shtetin ligjor. Të ndjekim për hollësi kolegen Isabela Çoçoli.
Në Raportin e Human Rights Watch, thuhet se në Kosovë, gjendja e të drejtave të njeriut vazhdon të jetë e dobët. Megjithë reformat e deritanishme, sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me një numër të madh çështjesh që presin për t’u gjykuar. Komunitetet etnike, roma, ashkali dhe veçanërisht egjiptianët, vazhdojnë të diskriminohen. Gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë qënë objekt i kërcënimeve dhe sulmeve gjatë vitit 2013, thuhet në raportin e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Hera herës, thekson më tej raporti, gjendja u tensionua në veriun e ndarë, megjithë përmirësimin e marrëdhënieve politike me Serbinë pas arritjes së një sërë marrëveshjesh, si ajo e muajit prill për krijimin e postit të një komandanti të posaçëm policie dhe të një gjykate apeli për pakicën serbe; marrëveshja e gushtit për krijimin e pikave të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2014; dhe eliminimi në shtator i strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.
Në muajin korrik, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të bashkëpunojnë për zgjidhjen e çështjes së personave të humbur në Kosovë. Deri më sot, vë në dukje raporti, 1700 njerëz ende figurojnë të humbur që nga lufta me Serbinë.
Në muajin shtator, vë gjithashtu në dukje Human Rights Watch, një sulmus i paidentifikuar vrau një oficer të policisë së EULEX-it që po udhëtonte pikërisht me makinën e policisë së EULEX-it.
Ndër problement kryesore, në raport theksohet se gazetarët punojnë në një mjedis armiqësor. Në muajin maj, në bombë me gaz u hodh në shtëpinë e kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Raporti flet edhe për kërcënimin e gazetares Jeta Xhara nga një ish funksionar dhe kolegë gazetarë. Po ashtu në raport përmendet edhe rasti i mbrojtëses së shquar të të drejtave të njeriut, Nazlie Bala, e cila u sulmua nga të paktën dy persona jashtë apartamentit të saj. Gjatë 2013 pati edhe raste të tjera sulmesh të organizuara kundër gazetarëve dhe readaksive të tyre.
Raporti i Human Rights Watch, vë gjithashtu në dukje edhe rezolutën e miratuar në muajin janar nga Asambleja e Këshillit të Evropës që kërkon nga autoritetet e Kosovës të luftojnë korrupsion, të kryejnë reforma në gjyqësor, të trajtojnë çështjen e krimeve të luftës, të mbrojnë dhe të promovojnë të drejtat e pakicave rome, ashkali dhe egjiptine, të sigurojnë pavarësinë e medias dhe mbrojtjen e mjaftueshme për gazetarët, si dhe për forcimin e luftës kundër trafikimit njerëzor. Rezoluta i bën gjithashtu thirrje Bashkimit Evropian ta përqendrojë dialogun e tij me Kosovën në forcimin e shtetit ligjor, përfundon Raporti i Human Rights Watch.
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- Next Page »