• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Elizabeth Kuchler lë Zvicrën për të jetuar në Kosovë

July 28, 2013 by dgreca

Komoditetin dhe rehatinë që ia ka dhënë Kosova, nuk i ka plotësuar Lucerni i Zvicrës. Pensionistja Elizabeth Kuchler jeton në Livoç të Gjilanit, në një shtëpi moderne. Ajo thotë se në Kosova ia ka plotësuar ëndrrën/

Për shumëkënd mund të konsiderohet si paradoks, por është vërtet se zvicerania Elisabeth Kuchler, është ndër rrallat, apo e vetmja që ka lënë shtetin helvetik, për të jetuar në Kosovë, në një shtet që akoma nuk funksion normalisht.E para herë që erdhi në shtetin më të ri të Evropës, ishte korriku i vitit 2008. Nuk kishte dëgjuar më parë për këtë vend, e as në hartë nuk e dinte ku ndodhej Kosova. Por, vetëm një javë qëndrim në shtetin, i cili atë vit shpalli pavarësinë, i mjaftuan që jeta e saj të merr kahe komplet tjetër.

Ishte 63 vjet, kur në Zvicër pësoi aksident, nga i cili as sot nëntë vite pas nuk është shëruar plotësisht. “IP magazinë” ishte në shtëpinë e saj në fshatin Livoç të Gjilanit, për të parë nga afër zviceranen që jetonte në mesin e shqiptarëve, në një shtëpi të madhe, dhe oborr të bukur.

Komoditetin dhe rehatinë që ia ka dhënë Kosovë, nuk ka plotësuar Lucerni i Zvicrës. Ajo kishte ëndërruar plot gjashtë dekada për të pas një shtëpi, një kopsht dhe një jetë pa brenga, por nuk e kishte arri atje, ndërsa në Livoç aji kishte “prekur” ëndrrën.

“Në Lucern kisha një apartament krejt të vogël, nuk kisha hapësirë që të organizoj gjithçka ashtu siç doja. Një shtëpi si kjo që kam sot në Livoç, në Zvicër do të kushtonte një milion euro, e unë nuk kisha aq para për të plotësuar ëndrrën time”, shprehet Elisabeth raporton “Reporter”.

Ndërmjet Lucernit dhe Livoçit, zgjedh këtë të fundit 

Livoçi i Poshtëm është një fshat që për pak minuta vozitje të nxjerr në qendër të Gjilanit. Në mesin e shtëpive të zakonshme të autoktonëve, është ajo e Elizabeth e cila tërheq më së shumti vëmendje.

“Duke parë standardin e ulët të jetesës, dhe marrë parasysh pensionin që kisha, e kam parë që nuk mund të jetoj me aq pak para në Zvicër. Me një pension rreth 1500 euro ishte e pamundshme t’ia dilja. E dija që me aq para këtu mund të jetoja mirë. Dhe u ktheva në Kosovë”, shpjegon Elisabeth.

Zvicerania më pas shpjegon peripecitë për ndërtimin e shtëpisë, nga plani që ia kishte bërë një arkitekt zvicerane e deri te ndërtimi, që po ashtu ishte një kompani kosovare me bagazh zviceran.

“Më 23 shkurt lash përgjithmonë Zvicrën, shita apartamentin tim atje, mora gjithçka me vete dhe erdha në Livoç. Për gati tre muaj qëndrova në shtëpinë e fqinjëve të mi këtu. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe merresha me enterierin dhe të tjera gjëra rreth shtëpisë”, tregon ajo.

Në 22 Maj ëndrra e saj mori përfundimisht u bë realitet. Në këtë finalizim të përmbushjes së një synimi të cilin e arriti vetëm dy ditë para se t’i mbushte shtatë dekada jetë. Dhe e donte rendi që dëshira, tashmë e kthyer në realitet për të nisur një jetë ndryshe, të festohej.

“Kisha dy arsye për të festuar, ditëlindjen dhe plotësimin e ëndrrës që kisha gjithë jetën për të pasur një shtëpi, ndërkohë që unë po nisja një jetë të re, në një vend të ri”, vazhdon Elisabeth.

Nuk po arrin ta mësoj gjuhen shqipe

Zvicerania megjithatë ka një hendikep. Ajo përkundër investimeve në kurse, në fjalorë, etj, nuk po arrin ta mësoj gjuhen shqipe. Ose gjuha që e falin kosovarët është e vështirë sintaksisht, ose ajo është e moshuar për t’i artikuluar fonemat e shqipes.

“Pas aksidentit, neurologu më tha që truri im nuk mund të pranojë më informata të reja. Për gjithë këto vite kam paguar rreth 2000 franga, kam librat, CD-të dhe gjithçka tjetër në shqip, por nuk ia dola. Është tmerruese kur të tjerët më thonë që duhet ta mësoj gjuhën tuaj, por ata nuk dinë për aksidentin tim”, thotë Elisabeth.

Historia e mësimit të gjuhës shqipe ka nisur para se ajo të vinte të jetonte këtu. Madje atëbotë i kishte thënë vetes që brenda tre muajve do ta mësonte gjuhën. E nisi kursin për shqipen në Zvicër, për ta vazhduar më pas në Kosovë, por duket se ky është mision i pamundur për të.

Që nga mosha 38 vjeçe, Elizabeth jeton vetëm. “Por këtu nuk jam e vetme, kam fqinjë të mirë dhe katër mace që kujdesem për to”, thotë ajo.

Elizabeth është edhe një kuzhiniere e mirë, edhe pse nuk preferon të gatuaj ushqime tradicionale shqiptare. Kujdesi për t’u ushqyer shëndetshëm, është detaj që shihet edhe në enterierin e kuzhinës së saj. Përzgjedhja e dollapëve me pemë e perime, janë mesazh jo krejt i rastësishëm.

“Më pëlqen të gatuaj, por nuk gatuaj ushqimet tuaja tradicionale, ngase nuk i ha ato. Ha sallatë, perime, peshk, djathë, vezë dhe shumë pak mish. Madje ka periudha që nuk ha ushqim”, shpjegon Kuchler.

Ndryshe, veç dashurisë që ka për kuzhinën dhe gatimin, profesionit që ka ushtruar në Zvicër si ekonomiste në një kompani konstruksioni, Elisabeth në rininë e saj ka luajtur saksofon dhe ishte fituese e shumëfishtë e garave me vetura.

Brenda shtëpisë ku sot jeton, nga kati i parë për në katin e dytë, janë 18 shkallë, të cilat ajo i cilëson si “shkallët e gjimnastikës”. I kalon 20 herë në ditë këto shkallë, dhe ato e ndihmojnë ta mbajë trupin në formë.

Disa gjëra ma më mundojnë

Ajo është shumë e lumtur me jetën dhe ato që i ofron Kosova. “Ndihem mirë kur çdo javë takoj njerëz të rinj dhe me secilin nga ta mund të flas anglisht, gjermanisht ose frëngjisht”. Por,  ka disa gjëra që asaj nuk i duken krejt normale.

“Në traditën tuaj njerëzit heqin këpucët në hyrje të shtëpisë. Unë kam papuçe tek dera e hyrjes për të respektuar traditën tuaj, por siç hyj unë me këpucë ashtu mund të hyni edhe ju. Kam parë që ju i lani tepihët disa herë në vit, ndërkohë që tepihun duhet ta mirëmbani, por ta lani vetëm pas pesë vitesh”, thotë Elisabeth.

Shtëpia e saj ka një sallon të madh, në kënd të tij një mini- bibliotekë. Për të vazhduar me korridorin që ndante kuzhinën gjigante me gjitha mjetet e punës, plus një ‘shpajz’ për ushqimet rezervë. E më specialja është dhoma e punës.

“Tavolina, karrigeje dhe të tjerat janë të gjitha që i kam marrë nga Zvicra, aty ku kam punuar. Në fakt kështu dukej zyra ime edhe atje”, shpjegon ajo.

Një tjetër dhomë është ajo, ku Elisabeth bënë terapitë e saj, të cilat i mungojnë kur ishte në Zvicër. Një makinë qepjeje në dhomën tjetër të punës tregon për një tjetër talent që ajo ka në kujdesin për veshjen.

I mungojnë të afërmit

E fundi i korridorit në katin e dytë, duket të jetë vendi më i pëlqyer për të. Një ulëse dyshe e shoqëruar me një tavolinë të vogël, e kthejnë atë në kujtime. Që të dyja i kishte në banesën e saj në Lucern, e po të njëjtat i kishte marrë këtu.

Një pjesë të mirë të kohës ajo e kalon duke lexuar në këtë kënd, të cilin vet e quan “Këndi Zviceran”.

Ndryshe Kosova asaj ia ka plotësuar ëndrrën për kushte të mira të banimit, por ia ka lënë një boshllëk. Asaj i mungojnë familjaret dhe shoqet, të cilat Kosovën e vizitojnë të fundit.

Madje për shtatë vite sa është në Kosovë, atë e ka vizituar vetëm një shoqe e shkollës, derisa katër vëllezërit e saj nuk kishin ardhur kurrë këtu.

“Në maj të këtij viti, ka qenë për vizitë një shoqe imja e shkollës. Asaj i ka pëlqyer vendi juaj dhe jeta që ju bëni. Më ka premtuar që do të kthehet sërish, e unë besoj që do ta bëjë”, thotë Kucher.

Megjithatë, në kohën kur shqiptarët e marrin model Zvicrën për jetë më të mirë, “si në Zvicër”, Elizabeth Kuchler kishte lënë Zvicrën për të jetuar në Kosovë. Atë që nuk ia plotësoi Zvicra ia plotësoi Kosova. “Mirupafshim në Livoç…!”(M.SH.AlbInfo.ch)

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Elizabeth Kuchler, le zvicren, per Kosoven

MOS-HARRESË: DIOGUARDI ME SENATORIN BOB DOLE, NJË ZË I FUQISHËM PËR KOSOVËN NË CAPITOL HILL

July 25, 2013 by dgreca

Më 15 maj 2007 ”Cekani i artë” për Senatorin legjendar Bob Dole, miku i madh i Kosovës dhe i të gjithë Shqipërisë. Në gusht 1990 ishte DioGuardi i cili u bë iniciator i inisiativës të vizitës së  Bob Dole (ish kandidat për president i SHBA-1996, dhe gjashtë senatorë të tjerë amerikanë në Kosvoë./

NGA BEQIR SINA /

CAPITOL HILL – WASHINGTON D.C: Në një koment të “IWPR” thuhej pak vite më parë se Kosova të shpallte pavarësinë, se :”Diplomacia “vullnetare” e shqiptarëve dhe e serbëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte e përfshirë në një intensifikim të ashpër të luftës lobiste për çështjen e Kosovës. Gara atëhere ishte ndezur në zyrat dhe institucionet e Uashingtonit dhe Nju Jorkut, ku të dy kampet po tregojnin njëra tjetrës “muskujt”, por edhe kuletat – parat që shepzonin për lobim. Në fund “IWPR”, sqaronte se :” Kur vjen çështja te kjo pikë, sërbët kanë mbetur shumë më prapa kundrejt rivaleve të tyre shqiptarë, të cilët e kanë nisur punën me Kosovën qysh në vitet 1980″. Dhe për koicidencë kjo mori më shumë “zjarr” në fundvitet e 90′ kur në Shqipëri komunizmi u rrëzua dhe ish-Jugosllavia nisi të shkerrmoqej. Në dritë doli lobi i parë shqiptarë i udhëhequr dhe i krijuar nga një arbereshë – nga një shqiptarë, si e quan veten ai – pikërishtë Joseph DioGuardi.

Joseph Dioguardi në fillim dhe më pas kur u martuan së bashku, Shirli Klojes Dioguardi, kanë vite që punojnë për çështjet më të rëndësishme që preokupojnë shqiptarët në Ballkan. Organizata e parë e krijuar për të lobuar në interes të shqiptarëve në SHBA, e cila është Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), e udhëhequr nga Xhozef Dioguardi, një ish-kongresmen amerikan me origjinë shqiptare, ka sensabilizuar dhe ka futur në Kongres, Senat dhe Administratën amerikane, pa dallim çështjen shqiptare . Dioguardi vetë si ish kongresistë i njohur në Capitol Hill, sponsorizoi një numër rezolutash të Kongresit Amerikan për Kosovën, ndërsa mbajti me qindra takime e dhjetra  demostrata në Nju Jork e Washington, për Kosovën dhe çështjen shqiptare.

Ai ishte ndër të parët që organizoi vizitën e parë të një kongresmeni amerikan në Kosovë më 1990, ku mori pjesë Tom Lantosh, një tjetër lobist proshqiptar.” Dhe, në gusht 1990 ishte po DioGuardi, i cili u be iniciatori i vizitës së Bob Doll (Bob Dole), (ish-kandidat për President i SHBA në 1996) dhe gjashtë senatorëve të tjerë të senatit të SHBA në Kosovë.

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Senatorit Bob Dole, do të ri sjell reportazhin nga Capitol Hill – i mbajtur ditën e enjte – 9 maj 2007, në një eveniment të veçantë, që tërhoqi vemendjen e këtij lobi, dhe të gjithë miqve të shqiptarëve në Capitol Hill. Ai ishte aktiviteti i inicuar prej dy lobistëve të njohur, ish-Kongresmenit republikan, Xhosef DioGuardi, presidenti vullnetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe Këshilltares së Çështjeve Ballkanike Shirli Klojes – DioGuardi, në kryeqytetin amerikan Capitol Hill – Washington D.C.

Kur mbas rreth 20 vitesh ish kongresmeni i Nju Jorkut, Joe DioGuardi, u pa të ulej sërish, me ish kongresmenët e kongresmen në karrigen e Kongresit(House floor), për të nderuar mikun e tij të madh Bob Doll (Bob Dole), (ish-kandidat për President i SHBA në 1996)

Me këtë rastë një grup i ish – kongresitëve nderojë me pllakatën “Çekani i Artë ” – “Golden Gavel Award”, senatorin e përjetshëm dhe ish kandidatin për president të SHBA-ës, Robert Jospeh Dole. “Senatori legjendar Doll, është “klasifikuar” si mik i madh i Kosovës, dhe i shqiptarëve i cili për tre dekada, e ka përkrahur çështjen e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.” Ish kandidati i Partisë Republikane për president të SHBA, Bob Dole, ka qenë dhe i emëruar si Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA, nga ndjeri Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë, ai emëroi Bob Dolin (Bob Dole), senator shumëvjeçar amerikan, Ambasador Nderi të Kosovës në SHBA, në ndërkohë që z Elmi Berisha, ka qenë atëhere ish përfaqësues i Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në ish Zyrën e ambasadorit të nderit të Kosovës në Amerikë, Bob Dole.

Për koincidencë, dita e enjte 9 maj 2007, për dy lobistët e njohur, ish-Kongresmenit republikan, Xhoe DioGuardi, presidenti vullnetar i Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe mikut të tij Bob Doll në kryeqytetin amerikan Washington D.C. do të vazhdonte me takime, në të njëjtën sallë kuvendi, ku ata kishin diskutuar qysh më parë Kosovën, dhe rreth çështjeve të të drejtave të shqiptarëve në Mal te Zi, Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në Maqedoni .
Në këtë kuadër, dy lobistët e njohur që punuanë kaq shumë për çështjen shqiptare, thonin se duhet punuar më shumë, për të ndryshuar disa perceptime të gabuara që njerëzit kanë për shqiptarët, në, Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare dhe në Amerikë. Ata mendojnë se një imazh pozitiv për shqiptarët si popull do të ndihmonte mjaft për të shpejtuar zgjidhjen e problemeve të tyre jetike. Dhe se duhej edukuar politika amerikane me çështjen shqiptare.

Lobimi i DioGuardit, nisi në fillim të viteve 1990, mbasi në Amerikë vepronin prej vitesh shoqata Vatra, partia Lëvizja e Legalitetit, Balli Kombëtar (Fronti Nacional), Bllokut i pavarur (Blloku Independet),Bashkimi Kombëtar Demokrat në SHBA-a, etj,. Këto ishin sa për të mbajtur gjallë çështjen shqiptare në mërgim, sepse ai që frymojë atë  ishte një person – emri i të cilit tashmë është bërë mjaft i njohur në Amerikë, në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare, si lobues i fuqishëm i çështjes shqiptare. Ai është Joseph J. DioGuardi, ish kongresmen në SHBA nga pjesa e lartme e New Yorkut, dhe një miku i ngushtë i Senatorit Bob Dole, i cili sapo festoi 90 vjetorin e ditëlindjes së tij.

Ky ishte një kongresistë me origjinë shqiptare, që e nisi punën e tij me shqiptarët e Amerikës, me disa këshilla shumë të rëndësishme që shqiptarët e Amerikës, të cilët duke iu bashkëngjitur atij kan qenë në gjendje të bëjnë aq shumë sa bëri edhe vetë DioGuardi, në këto vite, mbasi u largua nga Capitol Hill dhe u lidh me shqiptarët për Shqipërinë, Kosovën, apo Çamëri, ose për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Maqedoni dhe Mal të Zi, Josef DioGuardi ishte kyçi për të hapur dyert e qeverisë amerikane, Senatit dhe Kongresit, dhe i pari që solli liderit shqiptarë të Kosovës të dëshmonin gjendjen e tyre në Uashington në vitin 1990.
DioGuardi është pranuar shumë mirë nga shumë patriotë, demokratë, të cilët kishin qenë duke punuar për kombin dhe vendin e tyre për dekada të tëra, edhe pse ata e dinin se puna e tyre me rezultatet të cilat ata dëshironin dhe luftonin nuk kishin arritur deri atëhere pa ndihmën e pa kursyer të DioGuardit. Duke jetuar në Amerikë, shqiptarët e vjetër ishin të vetëdijshëm për mënyrën grupeve të diasporës dhe të lobimit në sistemin amerikan, megjithse kishin gjetur ish senatorin Bob Dole dhe ndonje senator apo kongresmen, ata asnjeher nuk arriten nivelin dhe rezultatet e udhëheqësit të parë dhe të vetëm në SHBA, Joe DioGuardit.

Emigrantë shqiptarë kanë qenë të organizuar në grupe të ndryshme duke u përpjekur të ndihmojnë kauzën kombëtare shqiptare, por ajo kurrë nuk ka ndodhur me ta për të kërkuar me një kongresmen ose senator në Amerikë, i cili do të ishte me origjinë shqiptare. Këto grupe ishin të etiketuara si armiq të vendit nga ana e regjimeve komuniste në vendet e tyre, dhe të vetmin mik në atë kohë kishn Bob Doll.
Tani, pyetja është ndoshta nga ajo që bënë çdo njeri nga ne; pse ka bërë për shqiptarët kaq shumë DioGuardi ? Përgjigjëia mendojë se është fare e thjeshtë:” Joseph J. DioGuardi, është i vetmi  nga politikanët më të njohur me origjinë shqiptare në Amerikë, i cili vjen nga ai “Gjaku i shprishur”  Greci, Itali . DioGuardi është i vetëm shqiptarë që ka shërbyer ndonjëherë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Themeluesi dhe udhëheqësi i të parit dhe të lob shqiptarë në Shetet e Bashkuara të Amerikës, miku i ngushtë i Senatorit Bob Dole, dhe sa e sa kongresmenve dhe senatorëve të tjerë, presidentëve dhe zyrtarëve të lart të administratës amerikane. Ai është pikërishtë njeriu që në gusht 1990  u be iniciatori i vizitës së Bob Doll (Bob Dole), (ish-kandidat për President i SHBA në 1996) dhe gjashtë senatorëve të tjerë të senatit të SHBA në Kosovë. Kur populli i Kosovës do të dilte dhe të presinin Sentorin Bob Dole në Prishtinë,në vitin 1990  duke vrarë frikën e regjimit gjaktar të Serbisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bobe Dole, Joseph DioGuardi, nje ze i fuqishem, per Kosoven

NJE LIBER I ZI PER KOSOVEN DHE UCK

July 21, 2013 by dgreca

Botohet një libër tjetër i “zi” për Kosovën dhe UCK-në, nga autori francez Pierre Péan /

  • Turp për Shtëpinë Botuese Franceze “Fayard” (botuesja e I. Kadarese) që merret me fantazistë të tillë, që lumturohen duke shpifur/

Sipas mediave franceze , ky autor francez nuk jep asnjë dëshmi (“Pierre Péan Il défend la thèse discutable, que l’Europe, sur fond de trafic d’organes, aurait choisi d’en faire un pays mafieux. Mais il n’apporte aucune preuve.» ) në librin e tij të sapo botuar nga shtëpia botuese “Fayard” e Parisit ”Kosova: një luftë vetëm sa për ta krijuar një shtet mafioz” (“Kosovo : une guerre juste pour créer un État mafieux””)  quhet libri i posabotuar mbi Kosovën nga autori Pierre Péan, një gazetar dhe polemist në të cilin flet sidomos rreth luftës së  UCK-së , mbi trafikun e orgeneve dhe Kosovën e pasluftës, madje duke  e quajtur Kosovën si  “një shtet mafioz”. Agjencia Preshavjone, duke iu referuar mediave franceze , thote se ky autor francez  nuk jep asnjë dëshmi (“Pierre Péan Il  défend la thèse discutable, que l’Europe, sur fond de trafic d’organes, aurait choisi d’en faire un pays mafieux. Mais il n’apporte aucune preuve.» ) në librin e tij të posabotuar nga shtëpia botuese “Fayard” e Parisit njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.

Atori, megjithse paraqet opinonin e tij  personal mbi të “zezat” në  Kosovë siq i shef nga prizmi i tij, ai  mbron publikisht përmes librit të tij dhe dhe mediave tjera franceze idenë e diskutueshme në disa qarqe antishqiptare mbi “trafikimin e  organeve.”

I ftuari i redaktorit të TV francez Mathieu Mabin, autori i librit Péan,  një gazetar investigativ ka denoncuar siq shprehet ai “dështimin dhe mashtrimin e komunitetit ndërkombëtar.” Fillimisht autori i librit për Koovën dhe UCK-në në TV “France 24h” përmenend librin e Crala Del Pontes, Bernrad Kouchner dhe Dick Martyn sipas të cilit janë personzahe kyqe mbi zbulimin e trafikut të organeve në Kosovë nga UCK..”Pyetjet që duhet të kërkohet sot, dhe ne do të donim për të gjetur në librin e Pierre Péan, do të ishte kjo: Pse kaq abuzime për Kosovën dhe kush përfitoi ? Në këtë kënd pyetje autori i librit zihet. Sipas tij, “shqiptarët si një tërësi, dhe shumica e pjesëtarëve të ish UÇK-së në veçanti janë banditë pa dallim. Ajo përgjithëson trafikimin e organeve në të gjithë vendin, ndërsa zyrtarët e implikuar përfaqësojnë vetëm disa anëtarë të UÇK-së.” Ai, po ashtu evokon Bernard Kushner, i cili në vitin 2010 filloi të qeshte kur një gazetar serb i tregon atij të trafikut të organeve të mundshme.

“Trafikut që nuk mund të jetë me mbyllje e syve e shërbimeve sekrete, dhe se, shërbimet perëndimore… “ ka nënvizuar autori i librit të zi për Kosovën. Por në këtë pikë, Pierre Péan,  thjesht dhe pa ekuivoke nuk arrinë të dëshmoj asnjë më të voglat elemente si dëshmi, bile së paku për ta justifikur titullin e librit të tij: “Kosova: një luftë vetëm sa për ta krijuar një shtet mafioz”   Gjitha fjalëve të këtij “gazetari invistigativ” dhe librit të tij ndoshta do t’i kishim besuar sikur t mos ishte financuar ai nga qarqet serbe apo sikur t’mos  kishte jaran Patriarkun serb Irinej i cili takoi në Beograd së fundi në shtatorin e vitit 2012 ( shih foton poshtë) dmth pak ditë para se t ia fillonte të shkrunte apo më mirë të thmi pershkruante (copy-past) librin e tij për Kosovën./(Kortezi: standardi.info)

 

Filed Under: Komente Tagged With: dhe UCK, Nje liber i zi, per Kosoven

Vërejtje për “Kosovën…” e Schmit-it

December 23, 2012 by dgreca

Nga Shkëlzen Gashi/

“Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e historianit Oliver Jens Schmitt vjen më në fund edhe në shqip. Libri, siç e thotë autori në hyrje, ndahet në dy pjesë: e para shtrihet deri në përfundimin e sundimit osman më 1912, e dyta vijon deri në shpallje të pavarësisë më 2008, vit kur ky libër botohet në gjermanisht. Ky artikull shqyrton veç pjesën e dytë të këtij libri.

Krejt në fillim duhet thënë se habit mungesa në libër e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës përgjatë shekullit 20. Fjala vjen, nuk përmendet kryengritja shqiptare e vitit 1912, e prandaj as ndarjet mes politikanëve shqiptarë të Kosovës gjatë kësaj kryengritje: bejlerëve e agallarëve, që kundërshtonin autonominë dhe udhëheqësve të kryengritjes, që e synonin autonominë territoriale. Nuk theksohen as përçarjet mes vetë kryengritësve të vitit 1912,mbasi një pjesë e tyre pëlqenin me mbetë të lidhur fort me Perandorinë Osmane, për çka edhe kërkesat u degradojnë në autonomi jo-territoriale.

Ndër komponentet më interesante dhe më së miri të realizuara në libër është spiralja e dhunës dhe e kundërdhunës, e ushtruar nga serbët por dhe shqiptarët gjatë tërë shekullit 20. Megjithëkëtë, kur trajton krimet e forcave sërbe më 1912, Schmitt pohon se “llogaritet të jenë vrarë 20-25.000 shqiptarë myslimanë”. Nuk sqarohet se të vrarët janë civilë të pafajshëm dhe këta papërjashtimisht paraqiten si muslimanë, ndonëse nga kujtimet e botuara të priftërinjve katolikë të kohës, Zef Mark Harapi dhe Lazër Mjeda, mësojmë për vrasjet e shumë shqiptarëve katolikë në vjeshtë të vitit 1912 nga forcat sërbo-malazeze.

Schmitt e trajton me korrektësi periudhën gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe atë mes dy luftërave botërore, duke përfshirë krimet dhe kolonizimin, rrymat politike të shqiptarëve – kaçakët dhe xhemijetin – qëllimet e tyre, por edhe bashkëpunimet me përfaqësuesit politikë e ushtarakë të Sërbisë. Mbase e vetmja vërejtje këtu mund të bëhet për trajtimin e krimeve të kryera kundër sërbëve nga grupe të armatosura shqiptarësh gjatë qëndrimit të trupave autro-hungareze në Kosovë më 1915-18, sepse Schmitt jep veç versionin sërb.

Te periudha e Luftës së Dytë Botërore autori nuk adreson ngjarje të rëndësisë së veçantë, si Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943- 1 e 2 janar 1944) dhe pastaj Kuvendi i Prizrenit (10 korrik 1945), të dyja organizime të komunistëve të Kosovës, madje me përbërje të ngjashme pjesëmarrësish, por me qëllime diematralisht të ndryshme. Ndërsa Rezoluta e Konferencës së Bujanit thotë se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, ajo e Kuvendit të Prizrenit shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Sërbisë federale, si pjesë përbërëse e saj. Autori nuk sqaron as se gjatë kësaj periudhe në një anë vepronte rryma “nacionaliste” me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e mbështetur nga nazistët gjermanë,e në tjetrën ajo “komuniste” me Këshillin Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Metohi, e mbështetur nga komunistët jugosllavë. Nuksqarohet as se partizanët komunistë të Kosovës ndahen brendapërbrenda: Fadil Hoxha në njërën anë, Shaban Polluzha në tjetrën. Ky i fundit madje s’përmendet fare në libër.

Autori nuk saktëson se edhe pas LDB në njërën anë vepronte rryma “legale”, si pjesë e institucioneve të sistemit jugosllav, e në tjetrën “ilegalja”, që e kundërshtonte sistemin jugosllav. Te periudha e Ranković-it, autori do të bënte mirë sikur të pahtësonte se gjendja e tmerrshme e shqiptarëve kundërshtohej nga Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), e themeluar më 1963 dhe e udhëhequr nga Adem Demaçi,  më i rëndësishmi organizim i shqiptarëve të Kosovës në dekadat e para pas LDB. Grupi i studentëve me orientim kombëtar që organizon demonstratat e vitit 1968, nuk krijohet pas rënies së Ranković -it, siç thotë Schmitt, por më përpara, sepse bash të rinjtë e LRBSh-së i organizojnë demonstratat e vitit 1968, të cilat, pohon edhe vetë Schmitt, e ndryshojnë kursin politik të Kosovës.

Segment interesant dhe i trajtuar mirë është mungesa e mbështetjes për Kosovën nga Shqipëria gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, por do të ishte më i plotë sikur të trajtohej mungesa e mbëshetjes edhe para ardhjes së Zogut dhe pas mbarimit të pushtetit komunist të Hoxhës.

Schmitt nuk shfrytëzon fakte të bollshme për ta demaskuar propagandën e Sërbisë kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1980, e cila synonte me përgatitë terrenin për ta suprimuar autonominë e Kosovës. Ndonëse në parathënien për botimin në shqip, Schmitt sqaron se ka bërë saktësime të rëndësishme lidhur me disa shifra të diskutueshme, prapëseprapë mjaft nga shifrat e ngjarjet mbeten të pasakta. Në shumë pjesë të librit Schmitt bie pre e propagandës shqiptare, konkretisht te shifrat e dhëna për të vrarët gjatë demonstratave të vitit ‘81, ‘89 dhe ‘90. Mandej, proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve të akuzuar në vitet ’93 dhe ‘95 për rezistencë kundër Sërbisë, Schmitt i cilëson sikurse edhe propaganda shqiptare e kohës: procese të montuara.

Ngjarje të rëndësishme të viteve 90-91 prezentohen me pasaktësi, që në shikim të parë mund të mos duken fort relevante: mospërfshirja e Deklaratës Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), pastaj, jo veç huqja e datës, por edhe e qëllimit të referendumit për Kosovën shtet sovran e të pavarur me të drejtë lidhjeje me Jugosllavinë (26-30 shtator 1991), e kështu me radhë. Duhet thënë se te periudha e viteve 90, Schmitt arrin t’i prezentojë në nivel deri diku të kënaqshëm rrymat politike në Kosovë, por jo aq edhe qëllimet e tyre.

Vërejtje mund të bëhen edhe për pasqyrimin e Marrëveshjes së Rambujesë e të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, por edhe për prezentimin e misioneve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë. Këto ngjarje prezentohen me gabime, shpejt e shpejt dhe mjaft sipërfaqësisht. Po ashtu, ta zëmë, trazirat e marsit 2004 pasqyrohen disi njëanshëm dhe s’përmendet kund p.sh. se kishat dhe manastiret ortodokse të shkatërruara në këto trazira, rregullohen më vonë nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Te kjo periudhë, pjesa më e mirë e librit janë kritikat ndaj UÇK-së.

Shifrat për vrasjet e kryera nga forcat sërbe kundër shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, mund të saktësohen në ndonjë ribotim eventual, meqë ka disa vite që për këto vrasje kemi regjistrimet e kryera nga dy OJQ, një Beograd e një në Prishtinë. Nga ana tjetër, autori shënon vetëm krimet e kryera pas luftës nga pjesëtarë të UÇK-së kundër sërbëve, jo edhe ato gjatë luftës.

Autori thekson se “…shumica e shqiptarëve të cilët jetonin në veri të lumit Ibër, u detyruan të largoheshin nga ky rajon, përkatësisht nuk patën mundësi të ktheheshin më, pasiqë atje sërbët edhe më tutje e mbanin kontrollin politik”. Por, kishte me qenë më korrekte të saktësonte edhe se në pjesën veriore të Mitrovicës në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 vriten 11 dhe dëbohen 11.364 shqiptarë nga sërbë të armatosur, madje në praninë e forcave të KFOR-it. Po ashtu, kishte me qenë mirë të shtohej se këto vrasje dhe dëbime i shtyjnë rreth 100 mijë shqiptarë nga gjithë Kosova të marshojnë paqësisht drejt Mitrovicës në shenjë solidarizimi me qytetarët shqiptarë të Mitrovicës.

Për fund, “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e Oliver Jens Schmitt-it, jo veç për shkak të mungesës së fusnotave dhe pasaktësive e lëshimeve, disa prej të cilave u parashtruan në këtë shkrim, por edhe për shkak të mosprezentimit të disa ngjarjeve të rëndësishme dhe prezentimit të njëanshëm e të shpejt e shpejt të disa ngjarjeve tjera, nuk e tejkalon assesi librin “Kosova – një histori e shkurtë” të Noel Malcolm-it. Megjithëkëtë, ma merr mendja se, përkundër këtyre mangësive që u përmendën – është e pamundshme të evidentohen të gjitha mangësitë në një shkrim si ky – do të ishte e dobishme të zhvillohet kritikë e matur ndaj këtij libri e me sugjerime për përmirësime eventuale, e jo denigrime ad hominem, siç patëm kohëve të fundit kundër autorit të librit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Libri i Schmitit, per Kosoven

ÇFARË PËRFAQËSON PLANI MË I RI SERB PËR KOSOVËN?

December 23, 2012 by dgreca

Shkruan Dr. Enver Bytyçi /

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Tiranë./

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, parlamenti serb dhe kryeministri i këtij vendi, Ivica Daçiç, kanë publikuar prej ditësh një “plan të ri” për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Ky dokument erdhi në piskamë pasi të dy kryeministrat loajalë, Thaçi dhe Daçiç, nënshkruan në Bruksel marrëveshjen që rregullon administrimin kufitar midis të dy vendeve në konflikt. Ndërkohë plani serb është konsideruar si “një model” për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Me qëllim që të mos përceptohet si një herezi, ky platforma më e re e Serbisë është krahasuar herë me zgjidhjen në Katalonjë të Spanjës e herë me statusin e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë. Eshtë sponsorizuar një elaborim i gjerë dhe i thellë i idesë së modeleve, vetëm e vetëm që në Bruksel askush të mos trembet nga kërkesa e Serbisë për të krijuar një entitet shtetëror brenda shtetit të Kosovës.

Gazeta Blic e Beogradit njoftonte se Brukseli dhe ë….ashingtoni e kanë kritikuar këtë projekt, por asnjëri prej këtyre kryeqyteteve nuk e ka shpallur publikisht qëndrimin e tij kritik. Thjesht kanë sjellë në vëmendje se “Nikoliç dhe Daçiç e përdorin planin aktual për konsum të brendshëm” dhe madje disa thonë se edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi “po e përdor retorikën e tij kundërshtuese për përdorim të brendshëm”. Që të dy palët kanë si objektiv manipulimin politik të opinionit. Kjo dukuri ka qenë, është dhe do të jetë e dukshme në gjithë spektrin politik ballkanik. Kështu ndodh në Shqipëri, në Maqedoni, në Greqi, Mal të Zi, Bosnjë e nuk ka pse të mos ndodhë edhe në Kosovë e në Serbi.

 

Modelet e dështuara si “argument” i planit të ri serb.

 

Por në të gjithë këtë ballafaqim politik për t´i dhënë zgjidhje përfundimtare konfliktit në Kosovë e për Kosovën dalin disa hamendje, ose siç quhen në fjalorin filozofik, abstraksione. Më së pari ka nevojë të shpjegohet çfarë përfaqëson platforma serbe e krahasuar me rastin i Katalonjës dhe atë të Republikës Srpska të Bosnjë-Hercegovinës?

Sipas modelit katalonjas do të duhej që serbët e Kosovës në veri të saj e në komunat ku ata përbëjnë shumicën të merrnin të gjitha të drejtat e administrimit në fushën e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, policisë, të ekonomisë, energjisë, telekomunikacionit, si dhe në atë të medies. Shkurt, gjithë procesi i administrimit në këto komuna do të zhvillohej jashtë programeve politike e ligjore të qeverisjes qendrore të Prishtinës, çka nënkupton nën mbikëqyrjen dhe autoritetin de facto të Beogradit. Ndërkohë duhet vënë në dukje fakti se Katalonja ka planifikuar një referendum për pavarësinë e saj për vitin 2014, proces i cili nënkuptohet edhe në rastin e sërbëve të Kosovës, së paku të pjesës veriore të saj.

Ndërsa sa i përket modelit të Republikës Srpska të Bosnjës dhe krahasimeve me këtë model, platforma e Beogradit për Kosovën parashikon krijimin e dy dhomave të pushtetit legjislativ. Sipas projektit dhoma e komunave serbe do të bllokojë ligjet dhe formimin e institucioneve të Kosovës përmes parlamentit. Pra parlamenti do të funksionojë, nëse atë e jejojnë disa komuna me shumicë serbe, edhe pse këto komuna përbëhen prej një ose dy fshatrave. Tashmë eksperienca e Bosnjë-Hercegovinës është e njohur dhe Bosnja është shndërruar përfundimisht në peng i udhëheqësit serb të Bosnjës, Dodik, shkurt Sarajeva është de facto peng në duart e Beogradit. Në rastin e Kosovës edhe Prishtina parashikohet të vihet nën pretektoratin e Beogradit.

Më shumë sesa për Bosnjë-Hercegovinën Nikoliç dhe Daçiç kanë parashikuar që Kosova të jetë e demilitarizuar, të mos ketë ushtrinë e saj, ndërkohë që çeshtjet e sigurisë t´i administrojë një forcë mbrojtëse e Bashkimit Europian. Ky është thelbi i planit të Serbisë për Kosovën, përveç kërkesës së pranuar nga Prishtina për një status special të objekteve fetare e historike serbë në territorin e Kosovës.

Ndonëse plani më i ri është kundërshtuar në Prishtinë, vetë serbët në veri të Mitrovicës e shohin me skepticizëm. Blerim Shala, një nga politikanët dhe analistët më të formuar të Kosovës, i thoshte gazetës Koha Ditore se, nëse Daçiç do të këmbngulë në autonominë e veriut të Kosovës, atëherë delegacioni shqiptar do të tërhiqet nga bisedimet. Shala është njëkohësisht koordinator i “përhershëm” i këtyre bisedimeve. Dikur (1995) e kishte ngarkuar me këtë detyrë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, së fundmi e ka emëruar si koordinator kryeministri aktual, Hashim Thaçi. Thaçi, nga ana e tij, e ka quajtur ëndërr të pareailzuar planin e fundit serb për Kosovën. Ndërsa për deputetin kosovar të parlamentit të Serbisë dhe liderin e serbëve të Kosovës, Marko Jakshiq, platforma e Serbisë për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë është e vonuar, pasi ajo është shpallur pas nënshkrimit të marrëveshjes për kufijtë. Ndërkaq Jakshiq e kritikon përmbajtjen e saj, pasi, siç thotë ai, kjo platformë nuk i përmbahet bindshëm rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

 

Çfarë përfaqëson platforma e Beogradit?

 

Nga kjo paraqitje lind detyrimi të shpjegohet se çfarë pëfaqëson platforma e Serbisë për Kosovën? Historikisht Serbia, përfaqësuesit e saj shtetërorë, politikë, akademikët, autoritetet kryesore të Kishës, madje dhe shtabet ushtarake e policore të saj, kanë hartuar memorandume, platforma, projekte dhe plane të pafundme për Kosovën. Të gjitha, pa përjashtim, përfshirë dhe dokumentin e fundit të Daçiçit dhe Nikoliçit, kanë pasur dhe kanë synim shtrirjen e sundimit të Serbisë në Kosovë dhe në territore të tjera të banuara nga shqiptarët. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë viktimat e terrorit të projektuar në plane e projekte të panumërta e të njëpasnjëshme prej vitit 1844 e deri në vitin 1999. I pari plan për asgjësimin e shqiptarëve daton aty nga mesi i shekullit XIX, me Naçertanien e kryeministrit dhe ministrit të Serbisë, Ilia Garashanin. Pas tij janë formuluar dhe zbatuar disa projekte të tjera nga Cvijiç, Gjorgjeviç, Pashiç… Por kulmin e ka shënuar memorandumi i akademikut Vasa Çubrilloviç i 7 marsit 1937, me të cilin shqiptarët përfundimisht u klasifikuan si “mish i huaj në trupin e Serbisë”. Jo më pak racist ishte gjithashtu memorandumi i kryterait të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Dobrica Qosiç, i viti 1986.

Ndërsa plani i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë i janarit 1999 projektoi vrasjen dhe asgjësimin fizik të të gjithë shqiptarëve, duke e konsideruar si një aksion të papërfunduar më parë nga paardhësit e Milosheviçit. Ky i fundit u bë publik para disa muajsh, përmes një deklarimi të ish-ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, e cila pranonte se kopjen e këtij dokumenti të zbuluar nga shërbimi i fshehtë e vendit të saj, ia kishte dorëzuar aso kohe ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer. Se çfarë kishin në platformë këto projekte shqiptarët tashmë i kanë përjetuar në kurriz. Nëse ne harrojnë kaq shpejt mizoritë serbe në shpinën tonë, nëse harrojmë dhjetra mijë viktimat e qindramijë të shpërngulurit në bazë të këtyre platformave, atëherë ne duhet të pranojmë se kemi probleme me kujtesën historike, me vetëdijen e subkoshiencën tonë, duhet të pranojmë se meritojmë të ndëshkohemi nga çdo lloj pushtuesi, jo vetëm nga pushtues barbarë të tipit çfarë janë dëshmuar serbët në Kosovë.

Sepse në gjykimin tim plani i ri i Serbisë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim nga të gjitha planet dhe platformat e mëparshme. Dikush mund të thotë se kjo nuk është e vërtetë, pasi gjuha dhe modelet duken si atraktive dhe jo asgjësuese për Kosovën. Mund të arësyetohet se kohët kanë ndryshuar dhe se bashkësia ndërkombëtare është garante e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Përvoja negative e Bosnjës është e mjaftueshme për të njohur faktin se bashkësia ndërkombëtare i përmbahet parimit të legalitetit dhe nëse palët bien dakort, çdo krizë, çdo ngërç, të gjitha pengesat për Kosovën bëhen dhe vlerësohen si legjitime.

Por nëse dikush niset nga forma e shfaqjes, atëherë do të duhet të pranojë se jo pak platforma të tjera antishqiptare të formuluara në Beograd nuk ishin marrë seriozisht në Perendim, pasi ata i kishin lexuar me nota melankolie planet serbe për asgjësimin fizik të shqiptarëve, Do të përmend vetëm një shembull. Askush nuk e mori shumë seriozisht memorandumin e vitit 1986 të Akademisë së Shkencave të Serbisë (Jugosllavisë). Por ai dokument nxiti dhe solli urrejtjen dhe konfliktin më të egër midis popujve, parasëgjithash midis shqiptarëve dhe serbëve. Kombi serb vuan edhe sot indoktrinimin që solli ai memorandum, sipas të cilit “shqiptarët përbëjnë kërcënim për Serbinë”. Dhe mbi të gjitha, nëse analizojmë përmbajtjen e referendumeve asgjësuese për shqiptarët të hartuara në Beograd, dokumenti i fundit nuk bën përjashtim në këto synime. Madje fryma e tij është po aq antishqiptare, raciste dhe motivuese, sa plani i Çubrilloviçit. Platforma e re serbe nuk niset nga parimi i mbrojtjes së të drejtave të serbëve në Kosovë, sepse ato të drejta janë projektuar në planin Ahtisaari dhe janë reflektuar gjatë këtyre gati pesë viteve në pavarësi. Asnjë pakicë tjetër në botë nuk i ka të zhvilluara të drejtat e tij siç i kanë serbët në Kosovë.

 

Pasojat e politikës “së re” serbe në Kosovë

 

Platforma e re serbe, njësoj si ato të mëparshmet niset nga parimi i armiqësisë dhe qëndrimit racist kundër shqiptarëve. Në të gjitha programet serbe kundër Kosovës ka qenë projektuar prezenca e Serbisë në këtë vend. Të njëjtën gjë bën edhe platforma e shpallur së fundmi. Të gjitha projektet kishin në objektiv fillimisht asgjësimin e lirive politike, kombëtare e sociale të shqiptarëve dhe të njëjtin objektiv ka projekti i fundit i Beogradit. Me këtë projekt shqiptarët, të cilët përbëjnë 90 përqind të popullsisë, vihen në mëshirën e një komuniteti që përbën vetëm 6 përqind të kësaj popullsie. Sipas të gjitha projekteve të dikurshme, më parë se t´u merrej shpirti, shqiptarëve u grabitej liria politike, fetare, kulturore, gjuhësore dhe ekonomike. Kështu ndodh dhe me projektin e fundit të Nikoliçit dhe të Daçiçit. Ajo ngjason plotësisht me ligjet e Milosheviçit pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, ligje me të cilat jeta e shqiptarëve në Kosovë u kushtëzua nga dhuna e pakicës serbe në këtë vend e mbështetur prej Beogradit. Pra çeshtja se çfarë përfaqëson platforma e fundit serbe nuk ka dritëhije, është krejt e qartë, e lexueshme dhe pasojat e saj janë gjithashtu tragjike.

Nëse analizojmë pasojat, atëherë do të duhet të kuptojmë se me këtë plan Kosova bëhet de jure vasale e Serbisë. Vasalizimi vjen nga të gjitha pikat e planit, nga autonomia substanciale, nga vetoja e serbëve, nga mosfunksionimi i shtetit si një tërësi territoriale, nga bllokimi i ligjeve të zhvillimit e të integrimit dhe nga shumë aspekte të tjera. Beogradi merr përgjegjësitë dhe kompetencat e plota për ta administruar dhe kontrolluar jo vetëm komunitetin serb, por gjithë jetën politike, ekonomike e sociale në Kosovë, deri te telekomunikacioni. Ai dokument i zhvleftëson të gjitha marrëveshjet e derisotme, të cilat janë nënshkruar nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe ndërkohë ende nuk janë implementuar. Përmes serbëve Serbia do të jetë e pranishme njësoj si në kohën e Milosheviçit në të gjithë territorin e Kosovës, do të kontrollojë të gjitha institucionet e saj. Dhe nëse nuk i kontrollon, do t´i bllokojë ato deri në asgjësimin përfundimtar të pavarësisë e të lirisë së shqiptarëve. Pasi të asgjësojë pavarësinë dhe lirinë e shqiptarëve, ajo do të përdor politikat që përdor sot në Luginën e Preshevës për t´i degdisur në Perendim e për ta boshatisur vendin prej tyre. Madje, nëse i vjen rasti, do të përdor ushtrinë dhe gjithë potencialin luftarak për t´i masakruar, asgjësuar dhe dëbuar shqiptarët. Dhe shpesh herë thuhet se rasti është mbreti i botës. Kush mendon se bota në një të ardhme të largët nuk ndryshon, ai gabon. Ndërkohë ndryshimet nuk vijnë gjithmonë në favorin e shqiptarëve. U dasht që të presim një shekull për të ardhur te koha jonë. Por kohën tonë do të duhet ta mirëpërdorim.

 

Përulja dhe përgjumja e Prishtinës

 

Nga kjo arësyetoj se në të gjitha rastet kur Serbia dhe Beogradi kanë hartuar plane e programe për asgjësimin e shqiptarëve, ne shqiptarët kemi pritur në derën e thertores “si cjapi te kasapi”. Nuk kemi mundur të bëjmë as rolin e viktimës, me qëllim që dikush në Europë me shpirt njerëzor së paku të na mëshironte. Kjo ka ndodhur se kemi bërë “cubin” pa qenë thuajse asnjëherë të tillë. Më ngjan se historia po na përsëritet edhe në këto kohë të vështira, kur Serbia kërkon me çdo kusht rikthimin e saj në Kosovë. Kur presidenti kroat ironizoi para disa ditësh përuljen e udhëheqësve politikë të Prishtinës ndaj faktorit ndërkombëtar, ai nuk e bëri këtë se i urren shqiptarët. Përkundrazi, Josipeviç paralajmëroi se përulja do ta rikthejë de fakto Kosovën nën sovranitetin e Serbisë.

Mësimet që na jep Bosnja janë shumë të qarta. Ky vend është bllokuar dhe nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Republikës Srpska. Në Marrëveshjen e Dayton-it parashikohet përdorimi i vetos dhe tashmë serbët bëjnë lojën e tillë, që ta lodhin komunitetin ndërkombëtar deri në atë masë sa të pranojë vullnetin e serbëve të Bosnjës për t´u shkëputur nga Bosnjë-Hercegovina dhe për t´u bashkuar me Serbinë. E njëjta gjë po ndodh me Kosovën. Beogradi e ka lodhur komunitetin ndërkombëtar me krizën e stërzgjatur. Asgjë më shumë të mos kenë bërë, udhëheqësit politikë dhe diplomatët serbë ia kanë arritur ta imponojnë te shumë protagonistë të diplomacisë dhe politikës perendimore idenë se “Mjaft më me Kosovën, tashmë duhet imponuar një zgjidhje, qoftë kjo edhe një zgjidhje e keqe për shqiptarët”.

Ndërkaq në Prishtinë, që prej kohës kur ndërroi jetë Ibrahim Rugova, askush nuk qe në gjendje të shfrytëzojë epërsinë morale të shqiptarëve në dobi të aspiratës dhe kërkesës për pavarësi të plotë e të pakontestueshme të Kosovës. Gjithçka mund të themi, por kontestimi për një kohë kaq të gjatë i pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë ka ndodhur kryesisht për fajin e udhëheqësve politikë të Prishtinës. Unë i kam kontestuar publikisht të gjitha veprimet e dhunëshme të Lëvizjes Vetëvendosja. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë të drejtë kur thonë se “Udhëheqësit e korruptuar nuk mund t´i realizojnë aspiratat e shqiptarëve për liri e pavarësi”. Nëse një vend si Kosova udhëhiqet nga hajdutët dhe të korruptuarit, atëherë ai vend ve në pikëpyetje ekzistencën e shtetit, gjë që nuk ndodh me vendet njëmendësisht të pavarura. Korrupsioni dhe implikimi i politikës në trafiqe i ka shtuar asetet serbe kundër Kosovës, por edhe e ka lehtësuar palën serbe në dialog me Prishtinën. Ky është fakt dhe kjo duhet të marrë fund. Sa më shpejt, aq më mirë.

 

Llogaritë dhe hilet e politikanëve të Beogradit

 

Në Beograd mund të llogarisin se jo të gjitha pikat e planit asgjësues të lirisë së shqiptarëve mund të pranohen. Por Nikoliç dhe Daçiç do të ishin të kënaqur, nëse realizojnë qoftë dhe një pjesë të pikave të planit të tyre antishqiptar. Mjafton të ngulin “gozhdën e Nastradinit” në trupin e Kosovës. Ata mund ta dijnë p.sh se nuk mund ta ndalojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës, por çfarë roli do të kishte ushtria në një vend ku politikisht sundon Serbia?!

Nëse vemë re qëndrimet e Daçiçit, shohim pelegrinazhin politik të tij. Aty ka cinizëm, hile, hipokrizi, mashtrim të klasit të parë. Sapo u evidentua çeshtja e zhdoganimit dhe doganimit në kufi, ai paralajmëroi se do të tërhiqej nga bisedimet, nëse nuk gjendej një zgjidhje. Dhe zgjidhja u gjet. Kamionët me mallra mund të hyjnë në veri të Kosovës, por nje thes miell nuk lejohet të kalojë pa doganë nga Vërmica në drejtim të Kukësit dhe anasjelltas. Kjo do të thotë se qeveria e Kosovës qeveris me dy palë ligje, me dy modele, me dy masa. Që këtu fillon shkatërrimi i shtetit dhe i shtetbërjes. Dhe nuk janë domethënëse 100 milionë euro dëme që shkakton moszhdoganimi në Jarinjë, sa është domethënëse vënia në pikëpyetje e ekzistencës së shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. Duke lëshuar këtu, duke lëshuar aty, qeveria e Kosovës po e lëshon përditë e më shumë sovranitetin e saj në duart e Nikoliçit dhe Daçiçit. Atë që këta dy udhëheqës të Serbisë nuk mundën ta fitojnë me luftë, megjithëse masakruan dhjetra mijë shqiptarë, duket se kanë ndërmend ta arrijnë “me paqe”.

Para dy ditësh Daçiç bëri dhe një lojë tjetër. Ai gjoja iu hakërrye disa kritikëve në partinë e tij milosheviçiane për vërejtjet që ata i bënë udhëheqësit të tyre rreth politikës për Kosovën. Për të qetësonte partnerët ndërkombëtarë të mërzitur me planin e ri për Kosovën, Daçiç u tha atyre “Mjaft më “Kosova është Serbi”, të shpëtohet çka mund të shpëtohet”. Brenda një fjalie ai tribloloi në kuptimësinë e saj. Në një anë qetësoi perendimin, nga ana tjetër dha mesazhin se plani i ri serb është në tavolinë.

Nga e gjithë kjo analizë më duhet të vij në përfundimin se planet serbe hartohen në Beograd e zbatohen në Kosovë. Dikur ato i zbatonin serbët pa pyetur shqiptarët. Ndaj dhe shqiptarët mundën të bindin botën se janë viktimat e terrorit serb. Ndërsa në kohët e sotme, nëse bëhet qoftë dhe lëshimi më i vogël, plani më i ri serb do të mund të zbatohet në Kosovë vetëm me lejen e shqiptarëve. Kjo e ndërlikon shumë situatën ndër ne, sepse bota “nuk do të na lejojë as të qahemi”. Do na thonë “Ju jeni problemi”, “Ju jeni e keqja”, “Me ju nuk bëhet” dhe më në fund do të humbasim çdo mundësi që miqtë tanë ndërkombëtarë të na mbështesin në udhën e lirisë, të zhvillimit e të integrimit. Mundet që dikush të bëjë thirrje “për luftë” kundër Serbisë!!! Po çfarë vlere do të ketë kjo?! A mund ta risjellë lufta paqen?! Më duhet të them se kemi një histori humbjesh në luftra dhe ndërkohë shoh se kam ndjesinë e dhimbshme se do të humbasim jo pak edhe në paqe, pa dashur të luaj rolin e pesimistit të pandreqshëm.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Enver Bytyci, per Kosoven, plani serb

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT