• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HILMI HARADINAJ, ATDHETAR E SAKRIFIKUES I MADH PER LIRI

June 19, 2018 by dgreca

HILMI HARADINAJ DO TË PËRKUJTOHET SI ATDHETAR DHE SAKRIFIKUES I MADH PËR LIRI/

1 Harry Rrusta

Dje në Gllogjan të Deçanit, me nderime të larta shtetërore u Vorros Hilmi Haradinaj, babai i tre dëshmorëve të kombit, Shkelzenit dhe Luanit e Enveri Në ceremoninë e varrimit morën pjesë shumë personalitete, një masë e madhe e qytetarëve nga Kosova, Shqipëria dhe trojet e tjera etnik shqiptare. Në mesin e tyre ishte presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Princi leka II e personalitete të tjera të shtetit dhe të partive politike.

Unë me Rrustem Gecin dhe djalin e tij Avni Geci nga New York-u erdhem dje në Kosovë për t’i dhënë lamtumirën e fundit të ndjerit Hilmi Hardinajt. Mirëpo, rruga e largët bëri që ne të tre, të mos mbërrijmë me kohë në ceremoninë e varrimit.

Me Rrustem Gecin dhe djalin e tij, Avniun, menjëherë pasi arritjes në Kosovë, shkuam në Gllogjan për t’ i shprehur ngushëllime familjes Haradinaj, Kryeministrit Ramush Haradinaj, deputetit të Kuvendit të Kosovës,Daut Haradinajt dhe anëtarëve të tjerë të kësaj familje, e cila dha gjithçka për lirinë e Kosovës.
Dje, gjithashtu bëmë homazh edhe te varrin i Hilmi Haradinajt në Gllogjan, ku përkujtuam kontributin e tij që i dha Kosovës, duke sakrifikuar gjithçka për të dhe kombin tonë.
Hilmi Haradinaj rriti me plot vuajtje fëmijët e tij, duke i edukuar dhe frymëzuar për lirinë e Kosovës kundër pushtimt serb.

Hilmi Haradinaj do të kujtohet gjithmonë si prind, atdhetar dhe sakrifikues i madh për liri të Kosovës.

Harry Bajraktari
Kosovë, 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: ATDHETAR E, harry bajraktari, HILMI HARADINAJ, per Liri, SAKRIFIKUES I MADH

Në kërkim të eshtrave të të rënëve për liri dhe demokraci

January 16, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Ishte dhjetori i vitit 1991. Në një nga këto ditë më ndaloi në rrugë Shpëtimi, një shoku im.
– Kemi një kërkesë nga shokët tanë – më tha
– Çfarë?
– Jua thashë, kemi një kërkesë. Vij si i dërguar i familjarëve të të pushkatuarve në vitin 1945. Kërkojmë eshtrat e prindërve dhe vëllezërve tanë. Duam t’u bëjmë një varrim dinjitoz, ashtu siç e meritojnë.
U mendova për një çast. Në kryesinë e shoqatës e kishin biseduar një gjë të tillë. Ajo ishte një nga pikat e para të programit tonë. Kishin gjetur edhe një dëshmitar të gjallë, Ali Mingën nga Kanina e Vlorës, që dinte vendin e saktë ku ishin ekzekutuar.
– Ti e di që s’e kemi harruar, – i thashë Shpëtimit. – Së shpejti do të marrim vendimin përfundimtar.
Në të vërtetë vendimi u mor që atë mbrëmje. Do të kërkonin të gjenim eshtrat e të rënëve. Para syve të mi dilnin figurat e shquara të mbi shtatëmijë të rënëve dhe të vdekurve nepër burgjet komuniste që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot apo të vendosesh një buqetë me lule. Në mendjen time endej meditimi:
– Mijra arkivole bosh presin eshtrat e të rënëve. Është detyra jonë që ta kryejmë këtë për këta martirë, për të qetësuar shpirtrat e tyre dhe për të përmbushur detyrimin tonë ndaj atdheut. Është detyrë e çdo shqiptari që të japë ndihmesën e tij në këtë drejtim.
Iu drejtuam organeve të ruajtjes së rendit për të na ndihmuar në saktësimin e vendit të pushkatimit të martirëve. Është për të ardhur keq por, me gjithë thirrjen tonë të sinqertë, ato e bënë veshin të shurdhër karshi kësaj thirrjeje njerëzore. Ne iu drejtuam ish-pjesëmarrësve në këto krime, duke iu thënë se heshtja e tyre ua rëndonte më shumë ndërgjegjen që edhe kaq e kishin shumë të ngarkuar.
Mendja fluturoi përsëri në hapësirat e pafund. Ishte pikërisht gjaku i këtyre martirëve dhe mijëra të tjerëve që na kishte sjellë lirinë. Kjo liri tashmë duhej mbrojtur me çdo mjet. Nuk duheshin lejuar hijet e së shkuarës të mbulonin diellin e ri që kishte lindur. Unë vazhdoja të meditoja:
– Era e lirisë dhe demokracisë ka filluar të fryjë. Sistemi i dështuar socialist ka filluar të përpëlitet. Ai po hiqet zvarrë. Tani këtij zvarraniku i është prerë vetëm bishti. Për ta zhdukur atë i duhet prerë koka. Europa dhe bota na kanë shtrirë dorën e miqësisë. Le ta kapim atë dorë! Le të ecim edhe ne si kombet e tjera, ashtu siç ëndërronin rilindasit e ndritur, luftëtarët e pavarësisë, martirët e luftës kundër komunizmit.
Objektivi i shoqatës ishte gjetja e eshtrave të të rënëve të pushkatuarve në tre vende. Vendi i parë ishte vendi i quajtur “Bishti i Kalldrëmit” ku preheshin eshtrat e njëmbëdhjetë të rënëve: Tahsim Halili, Hamdi Çeprati, Muharrem Sharra, Azbi Ademi, Qemal Xhyheri, Nazif Çela, Shako Alushi, Meto Ngucaj, Bego Ahmeti, Hysen Çobo dhe Kaçandon Breshani, pushkatuar më 22 qershor 1945. Në grupin e dytë, në vendin e quajtur “Ura e Ballistave”, preheshin gjashtë martirë: Avdul Kuçi, Shahin Nuredini, Hysni Xhindi, Sabri Myslymi, Alush Runa dhe Petref Risilia, pushkatuar më 1 maj 1945. Ndërsa Hysni Durmishi, pushkatuar më 17 dhjetor 1945, ndodhej i vetmuar.
Për realizimin e këtij objektivi iu kërkua ndihma Komitetit Ekzekutiv Pluralist të
Rrethit. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Agim Kadiu, u tregua i gatshëm. Premtoi se do të vinte në dispozicionin tonë një skrap.
Gërmimet filluan qysh të nesërmen. Fillimisht në vendin ku ishin pushkatuar njëmbëdhjetë martirë. Për këtë i ndihmoi edhe Aliu, dëshmitari i vetëm që kishte parë me sytë e tij çastin e pushkatimit.

Atë natë ai po kthehej shumë vonë në shtëpi. Kishte qenë në një mbledhje të fshehtë që zhvillonte grupi i tij klandestin. Mbledhja kishte mbaruar shumë vonë dhe ai duhej të kthehej shpejt pasi të nesërmen do të dilte në punë qysh herët.
Shtëpia e tij ishte jashtë qytetit në rrëzë të një kodre të rrethuar nga ullinjtë. Ishte qershor. Një natë me hënë të plotë. Aliu ecte dhe mendonte për vendimet që kishin marrë në mbledhje. Papritmas ndjeu një zë:
– Ndal!
Para syve të tij dalloi dy gryka pushkësh. Në fillim u tremb. Mendoi se ishin hajdutë. Kur i vështroi mirë vuri re se ishin ushtarë.
– Çfarë doni? – pyeti si e mblodhi veten.
– Ku shkoni? – pyeti zëri pa iu përgjigjur.
– Në shtëpi.
– Ku e keni shtëpinë?
– Në rrëzë të kodrës.
– Ti qenke Ali? – pyeti ushtari tjetër që e kishte njohur, – Po ku paske qenë, mor i uruar, që kthehe kaq vonë?
– Një kushëriri im marton djalin të dielën dhe shkova për urim. Kështu që u vonova dhe po nxitoj, – gënjeu Aliu.
– Mirë, mirë, – foli përsëri zëri, – ik tani dhe drejt e në shtëpi. Mos dil më jashtë.
U nis. Rrugës kujtonte fjalët e tij dhe mendonte se çfarë kërkonin ata në këtë orë. Diçka duhej të ndodhte. Kureshtja e shtyu të fshihej pas një ulliri dhe të priste.
Kaloi gati një orë. U ndie një zhurmë makinash. Ktheu kryet dhe pa të dilnin nga kthesa tre prej tyre. E para ishte një veturë. Pas saj vinte makina e mbyllur e burgut dhe më prapa një kamion plot me policë dhe ushtarë. Makinat ndaluan si ndonja njëqind hapa larg tij. Ushtarët zbritën dhe e rrethuan vendin, ndërsa policët hapën dyert e makinës burg. Prej saj zbritën njëmbëdhjetë burra. Atë të parin prej tyre e njohu. Ishte një fshatari i tij, Tahsimi, komandant i çetës nacionaliste për Kaninën. Edhe të tjerët që vinin pas tij i njihte. I dyti ishte Muharremi, vëllai i një mikut të tij,Azizit, vrarë në një atentat nga komunistët në kohën e luftës. I treti, Hamdiu, komandant i çetës tjetër nacionaliste, asaj të Çepratit pranë qytetit. Më pas të tjerët. Të njëmbëdhjetë burrat i rreshtuan para një grope të madhe të hapur më parë. Përballë tyre qëndronte toga e ekzekutimit. Në krah të saj komandanti, i gatshëm për të dhënë urdhrin. Një ushtarak tjetër, i shoqëruar nga një civil qëndronte në anën tjetër.
– Patjetër ata janë prokurori me mjekun, – mendoi Aliu.
– I pandehur, fjalën e fundit! – iu drejtua prokurori komandant Tahsimit.
Ai ngriti kryet lart dhe me një zë që gjëmoi thirri: – Rroftë Shqipëria!
I erdhi rradha Muharremit të thoshte fjalën e fundit:
– Vdekje tradhtarve, Shqipëria e shqiptarve! – foli ai me një zë të vendosur.
Ndërsa Hamdiu:
– Ju nuk e shuani dot nacionalizmin shqiptar. Ai është i pavdekshëm.
Kështu folën të njëmbëdhjetë ata burra. Një batare armësh buçiti dhe trimat ranë në gropën e hapur. Prokurori erdhi pranë tyre dhe i dha secilit goditjen e fundit në kokë. I fundit që
u afrua pranë të ekzekutuarve ishte mjeku, i cili konfirmoi vdekjen e tyre.
Sytë e Aliut ishin mbushur me lot. Ndjeu një dhimbje në zemër. Ngriti sytë nga qielli dhe duke hapur krahët foli me një zë të ultë që të mos e dëgjonin rojet:
– O Perëndi! Si e lejove një krim të tillë? Si nuk të erdhi keq për ata trima? Përse? Përse? Ku është ndëshkimi yt për kriminelët?
Dhe qëndroi ashtu me krahët hapur deri sa çeli rrezja e parë e dritës.

Gërmimet vazhduan disa ditë. Ndërruan disa vende. Koha e gjatë që kishte kaluar kishte fshirë çdo gjurmë. Kishin humbur pothuajse çdo shpresë se mund të gjenin gjë, kur dëgjuan zërin e Aliut që thirri:
– Ejani, ejani këtu!
Të gjithë vrapuan. Ai mbante ndër duar një eshtër. E vështruan të gjithë. Një mjek që kishin me vete konstatoi se ishte eshtër njeriu. Filluan të gërmojnë. Kësaj radhe jo me skrap, por me lopata dhe me ngadalë. Iu dukej sikur do t’i lëndonin ato eshtra. Zbuluan njëmbëdhjetë skelete. I morën dhe i vendosën në njëmbëdhjetë arkivole kuq e zi që i kishin përgatitur më parë dhe i dërguan në xhaminë e qytetit. Atje do të preheshin deri sa të zbuloheshin edhe eshtrat e të rënëve të tjerë.
Ditët e tjera puna vazhdoi me kërkimin e të rënëve të grupit të dytë. E njëjta proçedurë. Të njëjtat vështirësi. U zbuluan gjashtë skelete. I vendosën edhe ato në arkivole kuq e zi dhe i dërguan në xhami. Njëkohësisht u zbulua edhe vendi ku ndodheshin eshtrat e të rënit të vetmuar. Edhe ato u vendosën në xhami. Të gjithë të pushkatuarit ishin të fesë islame.
Të nesërmen, më 29 janar 1992, u zhvillua ceremonia e rivarrosjes së tyre. Një ceremoni madhështore funebre. Merrte pjesë pothuajse i gjithë qyteti si dhe autoritetet e opozitës së djathtë. Nga kryeqyteti kishin ardhur Kryetari i Shoqatës Osman Kazazi, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafiz Sabri Koçi dhe një grup shoqërues të tjerë, personalitete të ish të burgosurve politikë.
Pasi u bënë lutjet e rastit, folën Lalë Osmani dhe Hafiz Sabriu, folën edhe të tjerë. Zërat e tyre buçsnin në sheshin para xhamisë, të mbushur plot e përplot me qytetarë të qytetit.:
– Motra dhe vëllezër! Pjesëtarë dhe të afërt të familjeve të të rënëve! Jemi mbledhur sot këtu në këtë ceremoni të përmortshme për të nderuar kujtimin e këtyre martirëve të cilëve plumbat e diktaturës komuniste mundën t’u merrnin vetëm jetën, por kurrë nuk mundën të shuanin emrin e veprat e tyre.
Kanë kaluar dyzeteshtatë vjet nga ato ditë të kobshme të vitit 1945, megjithatë ne sot i kemi përsëri të gjallë, përsëri me kokat lart, ashtu siç qëndruan edhe para togave të zeza të pushkatimit. Ja tek i kemi para syve tanë të mbuluar me flamurin kombëtar, i cili është ashtu siç e ëndërruan ata, pa spatën e fashizmit dhe pa yllin e komunizmit.
Unë shikoja arkivolet e martirëve dhe mendoja për një çast:
– Sa të tjerë janë që nuk e kanë ende një varr? Deri kur do të presin? A do të kujtohet
shteti shqiptar për gjetjen dhe rivarrosjen e tyre?”
Këto pyetje tingëllonin fort në mendjen time. Më dukej sikur nuk po jetoja në këtë botë, sikur po fluturoja diku në hapësirën e pafund. Kjo bëri që, për disa çaste, të heshtja. E mblodha veten dhe thashë:
– Lavdi të përjetshme kujtimit të tyre të paharruar!
Kortezhi përkujtimor u nis drejt varrezave të qytetit. Një numër i paparë njerëzish
shoqëronin arkivolët që shkonin për në banesën e tyre të fundit. Arkivolet e martirëve u vendosën në një parcelë të veçantë. Përsëri fjalime përkujtimore nga miq të të rënëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe demokraci, Në kërkim të eshtrave të të rënëve, per Liri, reshat kripa

SHQIPTARËT, SA SHUMË VULLNETARË PËR LIRI

November 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Dr. Hasan Ademaj/ New York/

Shpesh, gjatë kohës së lirë më është bërë zakon t’u kthehem librave e materialve të tjera që kanë të bëjnë me luftën çlirimtare të viteve 90-të, si, fjala vjen përshkrimeve të betejave të ndryshme, dëshmive të ish-luftëtarëve të atëhershëm tek përshkruajnë akte heroike të shokëve të tyre, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më, por edhe qëndrime burrërore të njerëzve të thjeshtë të cilët sfidonin terrorin e pushtuesit serb, pa i u dridhur qerpiku. Një ditë, ndërsa isha duke shikuar një emision televiziv, kushtuar vëllait tim, Vezir Ademaj,  i cili braktisi perëndimin e begatë për t’u radhitur në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mendjen time m’u bë një listë jo e shkurtër me emra të rinjsh të cilët kishin bërë të njejtën gjë. Dhe, me të vërtetë, vetë UÇK që në embrionin e saj, nuk ishte tjetër veçse një produkt vullnetarësh, të cilët, mbi të gjitha vunë idealin e lirisë, të çlirimit të vendit nga pushtuesi serb, ideal për të cilin kishin luftuar edhe paraardhësit e tyre. Askush nuk i u bashkua radhëve të UÇK-së si pasojë e ndonjë urdhëri të ndonjë grupimi politik apo të çfardo karakteri tjetër, askush nuk mori armët për të nxjerrë ndonjë përfitim personal e aq më pak për të synuar ndonjë post a privilegj tjetër pas çlirimit nga kthetrat e Serbisë.Ashtu si vëllai im,  një pjesë jo e vogël e luftëtarëve të saj i përkasin asaj kategorie që braktisën perëndimin me të mirat dhe privilegjet që kishin atje për t’u vënë totalisht në shërbim të luftës për liri. Jo pak prej tyre, do të bënin sakrificën më sublime duke dhënë jetën  e tyre të re për  kauzën e shenjtë të lirisë ose falë vetmohimit tëe treguar në beteja do të bëheshin udhëheqës kryesorë të formacioneve të UÇK. Por, nuk ishte vetëm kjo; radhët e UÇK-së do të mbusheshin dhe me vullnetarë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, në radhë të parë dhe nga vendi amë Shqipëria. Përsa i përket kësaj, është mjaft domethënës fakti se ndër 2260 dëshmorë, 68 ishin vetëm dëshmorë dhe martirë nga Shqipëria. Një faqe të shkëlqyer që do të linte gjurmë të pashlyeshme do të shkruanin vullnetarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të inkuadruar në Batalionin “Atlantiku” disa prej të cilëve do të radhiteshin në listën e dëshmorëve të luftës. Kështu, duke hulumtuar për këtë dukuri të “vullnetarizmit” që karakterizoi luftën e viteve 90-të, ndoshta dhe për faktin që mbijetesa e kombit shqiptar, brez pas brezi,  është e lidhur me beteja të vazhdueshme për liri, dashje pa dashje filluan të më kujtoheshin shumë gjëra nga ato që kisha lexuar nga historia e luftrave të shumta të shqiptarëve falë të cilave ata do të siguronin mbijetesën e tyre.

 

Duke i hedhur një sy periudhave të ndryshme të historisë së kombit shqiptar, në çdo moment të rëndësishëm e vendimtar, veçanërisht,  kur kanë qenë në lojë fatet e kombit , mund të gjesh shembuj të panumërt kur shqiptarë nga treva të ndryshme kanë braktisur gjithçka duke u vënë në dispozicion të çeshtjes kombëtare, për t’u ndodhur aty ku ndaheshin fatet e kombit, ku vendosej e ardhmja e tij, apo ishte e kërcënuar nga  rreziqe, të cilët nuk kanë qenë të paktë. Ishte mëse e natyrshme, që, në mungesë të një shteti të tyrin, e vetmja gjë e cila u kishte mbetur shqiptarëve, për të mbrojtur trojet ku jetonin e punonin,ishin organizimet në baza vullnetare. Vullnetarë ishin ata të cilët në kuadër të Lidhjes së Prizrenit do t’i bënin një rezistencë të pashembëllt ushtrive osmane të cilat kishin si qëllim të nënshtronin “shqiptarët e pabindur” që duke hedhur poshtë vendimet e Kongresit të Berlinit u ngritën në mbrojtje të trojeve, të cilat, fuqitë e mëdha kishin vendosur t’u a jepnin fqinjëve. Më vonë, kjo gatishmëri për të dalë vullnetarë do të shpalosej në çdo moment, sa herë të lëshohej kushtrimi për të mbrojtur trojet  në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët, pasi dihet që teritore të tëra shqiptare ishin bërë objekt pazaresh ndërmjet fuqive të mëdha të cilat në kuadër të kontrasteve për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkanin që po çlirohej nga pushtimi disa shekullor otoman po synonin që  ta arrinin këtë duke zgjeruar shtetet e sapokrijuara duke u dhuruar troje shqiptare. Në këtë mënyrë, nën pretekstin e luftës kundër Turqisë ato nxisnin shtetet në fjalë që të aneksonin territoret historikisht shqiptare. Në rrethana të tilla, shqiptarëve, të lënë në mëshirën e fatit, u është dashur t’i dalin zot vetes duke u përballur me ushtritë e organizuara të fqinjëve, që kishin dhe mbështetjen e fuqive të mëdha. Kështu, vullnetarët shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini, gjatë luftës greko-turke, do të merrnin pjesë në frontin e Thesalisë, sigurisht, jo për të mbajtur gjallë “të sëmurin e Bosforit”, por, me qëllim mbrojtjen e tokave shqiptare nga grekët. Edhe në veri, të organizuar po vullnetarisht, nën drejtimin e prijësave të tyre, shqiptarët do të kundërshtonin përpjekjet e vazhdueshme të serbëve për të depërtuar në teritorin e Kosovës. Gjithashtu dhe kryengritjet e viteve 1910-1912, të cilat e tronditën pushtetin e sunduesit turk duke e shtrënguar të ulet në bisedime me shqiptarët ishin të organizuara në baza krejtësisht vullnetare sipas parimit të njohur shqiptar “sa pushkë do të nxjerrë filan fshat apo filan krahinë…”. Shpërthimi i luftrave ballkanike, në një kohë që Turqia ishte në gjendje agonie, bëri që vetë shqiptarët  të ngriheshin në mbrojtje të vendit të tyre duke  organizuar një qëndrese vullnetare përballë ushtrive të rregullta të vendeve fqinje, të cilat i u vërsulën trojeve shqiptare si të ishin një mall pa zot. Kështu, në mesin e tetorit të vitit 1912 ushtria e rregullt serbe në radhët e së cilës numëroheshin rreth 260 mijë ushtarë, do të sulmonte nga tre drejtime teritorin shqiptar. Në kohën që Turqia u gjend krejt e papërgatitur për luftë, mbrojtja mbeti plotësisht në duart e formacioneve vullnetare shqiptare. Edhe armët e premtuara nga shteti turk nuk i u dërguan asnjëherë vullnetarëve shqiptarë. Megjithatë, kjo ushtri vullnetare shqiptare do të zhvillonte beteja të ashpra duke u shkaktuar humbje të paparashikueshme armatave serbe. Duke qenë se ushtria turke kishte braktisur frontin një ditë para se të fillonin luftimet ishin forcat e vullnetarëve shqiptare të Kosovës, nën udhëheqjen e figurave të tilla si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri…  ato të cilat mbajtën vijën e gjatë të frontit.

Lufta e Vlorës është një tjetër ngjarje historike ku spikat edhe njëherë gatishmëria e shqiptarëve për t’u organizuar vullnetarisht në një luftë të pabarabartë me ushtrinë italiane e cila mbante të okupuar qytetin e Vlorës dhe disa zona përreth. Nga të gjithë qytetet e Shqipërisë do të dilnin vullnetarë të shumtë për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës në mbështetje të vëllezërve vlonjatë. Mjafton të përmendet fakti që edhe një qytet i  vogël si Kavaja arriti të krijonte një batalion prej 400 vullnetarësh i cili mori pjesë aktivisht duke u shquar në betejat me italianët. Por në luftën e Vlorës do të kishte vullnetarë edhe nga radhët e shqiptarëve të cilët kishin emigruar në vende të ndryshme kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në pranverë të vitit 1920 do të hidhej ideja e dërgimit të vullnetarëve që do të shkonin në Shqipëri në mbështetje të çështjes kombëtare duke filluar me Luftën e Vlorës. Sipas dokumentave 200 shqiptarë të cilët dhe kishin filluar të stërviteshin shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Ata udhëhiqeshin nga Aqif Përmeti. Jo vetëm kaq, po Organizata “Vatra” vendosi të dërgonte në Shqipëri edhe bandën e saj muzikore nën drejtimin e Thoma Nassit.

Ende pa mbaruar Lufta e Vlorës Shkodra do të gjendej e kërcënuar. Beogradi dhe Çetinja kishin planifikuar me kohë të pushtonin Shkodrën pavarësisht se në Konferencën e Paqës në Paris kishin njohur shtetin shqiptar dhe kufijtë e tij. Me tu lëshuar kushtrimi rreth 200 vullnetarë nga Shkodra do t’u bashkoheshin dy kompanive të xhandarmërisë të komanduara nga minstri i brendshëm 25-vjeçar, Ahmet Zogu dhe sapo ushtria italiane do të largohej nga Vlora mbi 300 vullnetarë nga pjesë të tjera të Shqipërisë do të mbërrinin në brigjet e Bunës të gatshëm për të kaluar në veprime luftarake. Ndërkohë, sipas shtypit të kohës, 200 luftëtarë nga Gjakova e Prizreni ishin rreshtuar përkrah vullnetarëve shkodranë kurse 260 vullnetarë të tjerë nga Kosova ndodheshin të dislokuar në Shkodër në pritje për t’u nisur në frontin e luftimeve. Një rast i veçantë është edhe ai i personalitetit arbëresh, Terenc Toçi, i cili, vullnetarisht, do të vendosej në Shqipëri që në vitin 1911 me qëllimin për të krijuar një qeveri të përkohshme gjë të cilën edhe e arriti me përkrahjen e disa prej krerëve të Veriut. Para se të vinte në Shqipëri, Terenc Toçi kishte qenë në Amerikë në përpjekje për të sensibilizuar komunitetin e atjeshëm në mbledhjen e fondeve për organizimin e luftës në Shqipëri si dhe për të tërhequr vemendjen e perëndimit lidhur me çeshtjen shqiptare. Duke qenë se dhe unë nuk jam një historian i mirëfilltë, është e kuptueshme që shembujt e përmendur më sipër janë vetëm një pjesë shumë e vogël e morisë së madhe që ofron historia e kombit shqiptar lidhur me këtë aspekt. Por nga ana tjetër, më shqetëson fakti i pamohueshëm që ne shqiptarët kemi mangësi të konsiderueshme për të evidentuar jo vetëm ndjenjën e “vullnetarizmit” nëse do ta quaja kështu, por edhe shumë cilësi pozitive e vlera që kemi si komb në përgjithësi. Kështu, në muzeumet tona mund të gjesh shumë pak materiale, dokumente e objekte të tjerë me të cilat mund të ilustrohet konkretisht gatishmëria e treguar historikisht nga shqiptarët për nisma vullnetare në mbrojtje të interesave të atdheut e kombit. E njejta gjë mund të thuhet dhe për ata që merren me historinë, të cilët shpesh përqëndrojnë gjithçka rreth rolit të ndonjë individi duke injoruar të tjerët më saktë kontributin e këtyre. Jo rrallë ka ndodhur që edhe heronjtë tanë i kanë respektuar më shumë të huajt se sa ne vetë. Dhe pastaj ankohemi se “po këta heronj” po na i vjedhin të tjerët. Fakti që në qendër të Shkupit i ndërtojnë një monument madhështor Nënë Terezës, ndërsa në Tiranë janë munduar ta përjetësojnë me një statujë “lilipute”, në një shesh sekondar, flet shumë në këtë aspekt. Madje dhe nga lufta e UÇK-së e cila shërbeu si zanafillë për këtë shkrim, nuk mungojnë shembujt e nënvleftësimit të herojve. Heroi Bekim Berisha i cili dha jetën në betejën për mbojtjen e Junikut në vitin 1998 mund të thuhet se më shumë është nderuar në Kroaci, ku dhe atje u shqua në luftime të ashpra siç ishte Vukovari se sa në Kosovë. Presidenti kroat, Tugjman ndërsa bëri që kroatët të mbanin zi ditën e rënies së do të shprehej se “ Bekim Berisha është një hero, me të cilin duhet të krenohen Kosova dhe Kroacia” ndërsa me kohë i kishte dhënë dhe gradën e lartë të gjeneralit të ushtrisë kroate. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq kur përballesh me mungesën e kujdesit por edhe të përgjegjësisë që kemi në shqiptarët për të ngritur heronjtë, figurat e personalitetet tanë si dhe për të ruajtur objekte historike që kanë të bëjnë me ngjarje të rëndësishme historike. Siç duket nuk e marrim aspak në konsideratë rëndësinë që kanë gjëra të tilla në edukimin e brezit të ri me ndjenja kombëtare. Gjithashtu, nuk ka si të mos indinjohesh kur shikon që përballë interesash fare banale sakrifikohen materiale, dokumenta e objekte me rëndësi historike dhe pastaj studiuesit tanë detyrohen të gërmojnë në arkivat e vendeve fqinje.(Dielli, numer special 28 nentor 2013)

* Ne Foto, luftetaret e Batalionit Atlantiku, nga Amerika shkuan ne Kosove per ta cliruar nga pushtuesi serb

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Hasan Ademaj, per Liri, sa shume vullnetare, shqiptaret

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT