• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi: Baca Hilmi kishte zemër të madhe atdhetare

June 18, 2018 by dgreca

Presidenti Thaçi: Baca Hilmi kishte zemër të madhe atdhetare, vdiq në muajin e çlirimit/

PresidentiThaci0PresidentiThaci1PresidentiThaci3PresidentiThaci9PresidentiThaci4

Deçan/Gllogjan, 18 qershor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin komemorativ kushtuar Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi ka thënë se lajmi për vdekjen e bacës Hilmi ishte i dhimbshëm për familjen dhe të gjithë ne.

“Bacën Hilmi e njoha qysh në fillimet e para të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, në pranverë 1996. Më herët, përmes Kadri Veselit e kisha takuar Luanin. Me Luanin dhe Kadriun kalonim kufirin Shqipëri-Kosovë, deri në rënien heroike të Luanit. Gjithmonë nga udhëtimi i gjatë dhe rraskapitës, në dimër dhe verë, me të hyrë në Kosovë, me ne ishte dhe Shkëlzeni, për t’u strehuar tek baca Hilmi dhe për të vazhduar tutje në Jabllanicë. Baca Hilmi gjithmonë tregonte urtësi, maturi dhe vendosmëri të lartë patriotike. Ishte ndër pjesëtarët e bërthamave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë vazhdonte me këshillat e mençura dhe atërore për të gjithë ne, para, gjatë dhe pas luftës. Nuk kishte si të mos ndodhte kështu, sepse Ismail Haradinaj qysh herët ishte ndër udhëheqësit e lëvizjes kombëtare për kauzën e Republikës së Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke iu drejtuar familjes Haradinaj, kreu i shtetit ka thënë se ata humbën një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm, kurse ne mbetëm pa një veteran, pa një bashkëluftëtar, pa një njeri me zemër të madhe atdhetare.

Ai theksoi se baca Hilmi ishte një burrë i dëshmuar dhe i sprovuar në ditët më të vështira të Kosovës.

“Baca Hilmi nuk u dorëzua as përballë sfidave jo të lehta edhe në kohën e pasluftës. Ai me dinjitet dhe qetësi përballoi padrejtësitë e burgosjeve të të bijve. Të gjitha goditjet e jetës i përballoi faqebardhë. Ishte njeri me vlera të thella, i urtë, modest. Burrë i Dukagjinit dhe Kosovës”, shtoi presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se baca Hilmi vdiq në muajin qershor, kur anembanë Kosovës po shënohet 19 vjetori i çlirimit.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi për të ndjerin Hilmi Haradinaj ndau Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Baca Hilmi Haradinaj, percjellje, Presidenti Thaçi

SI NË NJË FAMILJE TË MADHE

March 2, 2017 by dgreca

– Nga përcjellja për në atdhe të të ndjerit ALTIN HAXHIRAJ-
Nga Llazar VERO/ Filadelfia/
 
Për ne janë gëzimet dhe hidhërimet. Por gëzimi shtohet dhe hidhërimi pakësohet me shokë dhe miq. Për tu gëzuar së bashku, ne shqiptarët sikur bëhemi më sqimatar, ndërsa në fatkeqësi bëhemi të gjithë bashkë, afrohemi dhe i gjëndemi pranë njëri – tjetrit, siç i thonë, pa dallim moshe, krahine, bindjeje. Dhe kjo është gjë e mirë. Shumë e mirë! Por sikur të kalonim ca më shumë së bashku edhe në gëzimet, hallet e vogla, të mirën e përbashkët, do të ishte më mirë. Jeta i kërkon të gjitha. Larg atdheut, ca më shumë.
 
 Shkak për këto shënime u bë një fatkeqësi që ndodhi në bashkësinë tonë , në Filadelfia. Bashkatdhetari ynë, nga Memaliaj, Altin Haxhiraj u nda nga jeta papritmas, pas një sulmi të rëndë në zemër. Nuk i kishte mbushur akoma të 45 vitet. Ishte i ri. Njëri i dashur dhe i shkuar me të gjithë bashkatdhetarët. Për të flasin mirë dhe me respekt kuksiani dhe fieraku, dibrani dhe gjirokastriti, të gjithë . Njeri që jepte dashuri pa kursim. I ndjeshëm dhe zemërgjërë, që falte dhe kërkonte përherë dashuri dhe respekt të pastër. Punëtor i palodhur dhe bujar si ai…
 
Unë që po shkruaj këto rradhë për Altinin, nuk e njihja. Ky portret, apo skicë porterti, për atë u bë me ndihmën e shokëve dhe miqëve të tij, Marselit, Florit, Mexhitit, Neritanit… Ishte Flori dhe Marseli që më dhanë të parët lajmin e ndarjes së tij nga jeta.  U thash se duhet të takoheshim së bashku tek godina e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” të nesërmen mbrëma. Njoftova kryesinë e shoqatës dhe të nesërmen në lokalin e saj u mblodhën, jo 3-4 vetë por rreth 20. Ishte kryetari i Shoqatës që si zot shtëpie priste të gjithë bashkatdhetarët, nënkryetari i shoqatës dhe shef i financës së shoqatës Bujar Gjoka, Marseli, Flori, Neritani, pak më vonë erdhi baca Ahmet Shabani, nga Kukësi, Mexhit Kaboci me disa shokë… Disa megjithëse vinin për herë të parë, përshëndeteshim si miq të vjetër. Kishte dhimbje dhe shqetësim në fytyrat e të gjithëve.  Zoti Tajar Domi njoftoi bashkatdhetarët për fatkeqësinë që kishte ndodhur, ndarjen e papritur të Altin Haxhirajt nga jeta, duke shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe detyrat për organizimin e lamtumirës këtu në Filadelfia dhe përgatitjet për udhëtimin e fundit të tij për në Shqipëri, pranë familjes. “Për të gjitha këto – tha zoti Tajar – duhen një shumë të hollash që ne mendojmë se mund t’i mbledhim së bashku. Këtë ne e kemi bërë edhe më parë siç ndodhi me bashkatdhetarin tonë nga Kukësi , të ndjerin Hasan Kotarja.” Ende pa mbaruar fjalën, Marseli, Mexhiti fajlëpak e punëshumë, Neritani, Flori, baca Ahmet… shprehën gatishmërinë për të përballuar nevojat nga ata vetë si fillim.
 
 Pastaj kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” zoti Tajar Domi ndau detyrat për secilin. Ndërkohë Bujar Gjoka me Florin kishin përpiluar lajmërimin për humbjen e Altinit dhe e shumëfishuan atë. Të gjithë donin të bënin diçka. U tha që lajmërimet të afishoheshin në të gjitha kafenetë shqiptare në Northeast dhe Riçmond të Filadelfias, të shoqëruara me një fletë- listë për dhuruesit. Bile që aty, në sallën e kafenesë së shoqatës filluan dhurimet e para.
 
 U tha që  arkivolin me të ndjerin Altin Haxhiraj në udhëtimin e tij të mbramë për në Shqipëri duhej ta shoqëronte dikush. Dhe mënjëherë  Neritan Manushi dhe Florian Ferko shprehën gatishmërinë për ta kryer këtë detyrë dhe nder ndaj shokut dhe mikut të tyre.
 
 Shumë shpejt filluan të mblidheshin paratë. Në fillim 5700 dollarë, pastaj  $9850… Baca Ahmet Shabani që shkonte mengjezeve në çdo kafene filloi të ndihej më i qetë për realizimin e qëllimit. Mexhit Kobaci lajmëronte me telefon shokë e miq për fatkeqësinë që kishte ndodhur dhe ndihmën që duhej siguruar. Kiço Kokthi me të dy djemtë ishin ndër të parët që dhanë ndihmesën e tyre.  Pastaj filluan të vijnë dollarë nga Nju Jersi dhe Nju Jorku nga miq dhe të njohur të të ndjerit dhe familjes së tij. Listatpo mbusheshin njëra pas tjetrës. Vetëm në kafenenë e shoqatës u mbushën dy të tilla me një shumë të konsiderueshme. Ajo çka ishte e veçantë në këtë aksion ishte pjesëmarrja e madhe e bashkatdhetarëve dhe kjo të bënte të ndjeheshe mirë në mes të ketij hidhërimi. Dhuruesit ishin nga të gjitha krahinat e vendit tonë, duke filluar nga Kosova e Çamëria, Gjirokastra dhe Shkodra, Korça dhe Durrësi, Fieri dhe Tirana… E kishin marrë vesh nëpërmjet fejsbukut të shoqatës , lajmërimeve të afishuara, telefonatave me njëri-tjetrin…nëpërmjet dhimbjes dhe dashurisë.
 
Më 27 Shkurt në orën 6.00 pm në shtëpinë e funeraleve Fluer &Sons Inc. në 3301-15 Cottman Ave. të Filadelfias, Shoqata Atdhetare “Bijtë e Shqipes” së bashku me shokë dhe miq të të ndjerit, organizuan ceremonin e lamtumirës për bashkatdhetarin tonë Altin Haxhiraj.  Në emër të shoqatës dhe të dy bashkatdhetarëve nga Kukësi Mexhit Kobaci dhe Ahmet Shabani u vendosën dy kurora me lule. Pastaj edhe shokë të afërt të Altinit sollën buqeta me lule. 
 
– Por ju sikur thatë se nuk ka asnjë nga familja dhe të afërmit e tij – tha një punonjës i moshuar i shtëpisë së funeraleve.
 
 -Ja, ne jemi familja  e tij këtu – iu përgjigj njëri nga shokët e Altinit si i fyer – Nuk mjaftojnë !?
 
Vërtetë . Ishim si një familje e madhe. Në sallë e mori fjalën zoti Llazar Vero, që në emër të Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” lexoi letrën që do i dërgohej nënë, motrës dhe vëllezërve të Altinit në Memaliaj, ku i shprehej ngushëllimi dhe dhimbja për ndarjen nga jeta e njeriut të tyre të dashur. Pas leximit ai i ftoi pjesëmarrësit për të mbajtur një minutë heshtje në nderim të jetës dhe kujtimit të të ndjerit.
 
Pas ceremonisë në shtëpinë e funeraleve pjesëmarrësit u ftuan për një kafe në godinën e shoqatës. Lokali i kafenesë u mbush plot shumë shpejt. Selfo Muça që kishte ardhur bashkë me djalin, kishte sjellë me vete edhe nje shishe raki Shqipërie. Tek ekspresi i kafesë hsërbente ingxhinieri nga Kosova Fitim Hamzai i ndihmuar nga agronomi prej Elbasani Bashkim Bërdufi, Llazari shërbente rakinë… Ndërkohë kryetari i shoqatës zoti Tajar Domi mori fjalën dhe pasi falenderoi të gjithë pjesëmarrësit , jo vetëm në këtë ceremoni për në të gjithë aksionin për mbledhjen e të hollave, duke përmëndur me emër ata që ishin në krye të punëve si Bujar gjoka ,nënkryetar dhe shef i financave të shoqatës, Llazar Vero, antar i Këshillit Drejtues. Mexhit Kobaci, Ahmet Shabani, Marsel Meçe, Neritan Manushi, Florian Beka dhe Florian Ferko… informoi pjësmarrësit për shumën prej 19.875 dollarësh të mbledhur deri në atë moment, pa llogaritur ato që janë duke ardhur orëve të fundit.  Ai falenderoj edhe pronarët e lokaleve: Petro Kukuri, Kalosh Kupa, Nevin Abedinaj, Spiro Lica, Sefret Ferko, Krenar Hoxha,Foto Kopali, që morën përsipër të grumbullonin dhurimet që do të bëheshin. Po ashtu, sqaroi pjesëmarrësit edhe se si ishte menduar të shpenzoheshin këto shuma. Pas mbulimit të shpenzimeve për shtëpinë e funeraleve dhe biletat e udhëtimit për shoqëruesit, shuma tjetër do t’i dorëzohet nënës së Altinit të ndjerë në nderim të jetës dhe dashurisë tonë për të.
 
Për të gjitha këto , vazhdoi më tej z. Tajar Domi, do të kini një informim të detajuar dhe të dokumentuar në web-in dhe fb e shoqatës në ditët që vijnë.
 
  – Ju faleminderit dhe u takofshim për gëzime! – ishin fjalët e mbylljes  së kryetarit të shoqatës.
 
 Pastaj e mori fjalën z. Neritan Manushi që lexoi një falenderim të ardhur në celularin e tij nga një vëlla i Altinit në Memaliaj. Folën edhe shokë e miq të afërt të Altinit si Marsel Meçe etj.
 
 Kishim të gjithë një dhimbje por zemrën e kishim të ngrohtë. Kishim bërë një punë të mirë. Nderuam veten dhe bashkatdhetarin tonë. Jo për nga vlera monetare. “Ka një kapital pa vlerë në treg- thotë miku  im i mirë Sefedin Çela në Tiranë,- që të mbanë në këmbë dhe të ndihesh i pasur: dashuria, zemra plot, shpirti plot. Një komb shpirtzbrazur nuk është i varfër, është i vdekur”- përfundon ai. Ne treguam se e kemi shpirtin plot me dashuri njërëzore, se  e duam jetën dhe njëri-tjetrin.
 
LLAZAR VERO
 
Filadelfia, 28 Shkurt 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Altin Haxhiraj, Lazzaro vero, percjellje

Kongresi i Lushnjës konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar

January 23, 2014 by dgreca

NGA ENGJELL ZERDELIA*/

Kongresi i Lushnjës, realisht është një ngjarje e madhe në historinë e popullit shqiptar në shekullin e XX. Ndërsa, 28 Nëntori i vitit 1912 njihet si akti kur u vendos guri i themelit të shtetit shqiptar, Kongresi Kombëtar i Lushnjës e konsolidoi këtë shtet, duke sfiduar të gjitha intrigat e asaj kohe të vështirë e të amullt. Për shumë vjet kam hulumtuar arkiva e materiale të ndryshme, kam komunikuar me dhjetra e qindra njerëz mbi temën “Kongresi Kombëtar i Lushnjës”. Takime mbresëlënëse janë sidomos ato me të afërt të delegatëve, apo edhe të përfaqësuesëve të këtij Kongresi. E kam dalluar pastër dhe qartë se bashkëbiseduesit kanë shumë nevojë të lexojnë dhe të njohin veprimtarinë e atyre që bënë të mundur këtë Kongres. E këtyre njerëzve që si busull orientimi tërë jetën patën, kanë e do të kenë atdheun dhe përparimin e tij. Në të vërtetë, ka shumë shkrime dhe libra që trajtojnë Kongresin Kombëtar të Lushnjës, por jo detaje të hollësishme për secilin pjesëmarrës në Kongres. Ky libër u realizua për të plotësuar këtë boshllëk për të kaluarën jo shumë të largët. Sot janë mundësitë, pasi është koha, kur nuk të pengon askush për të nxjerrë të vërtetën, pavarësisht mundimeve herë-herë të pashpjegueshme dhe të paimagjinueshme që dalin gjatë punës. Në bisedë e sipër me ish-senatorin e Selisë së Shenjtë të Vatikanit, zotin Willi Kamsi më shprehet ngultas që “duhet për këdo njeri të shkruhet e të hidhet dritë, se përkundrazi të mbulon pluhuni i harresës që asht shumë i damshëm dhe errësina nuk i nevojitet kërkujt”. Duke u konsultuar me studiuesin e pasionuar, zotin Mentor Quku, apo me profesorin tonë të dikurshëm, por shumë të dashur e të ditur, zotin Hasan Leka po në Shkodrën loce nënvizonin të njëjtin emërues: “profesor Engjëlli, ju duke shkuar tek qytetet dhe krahinat e delegatëve, me dashurinë dhe përkushtimin që keni, patjetër do të gjeni materialet e kërkuara e s’ka qajre pa i gjet ato”.

Për një kohë relativisht të gjatë, jam njohur dhe konsultuar me shumë e shumë dokumente historike të periudhës së viteve 20-të, kryesisht me ato që flasin për kongreset e mbajtura në vendin tonë. Nuk ka munguar edhe komunikimi me studiues shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit dhe që janë të interesuar e kompetentë për këtë ngjarje të madhe. Mbështetja e rëndësishme për punën, ka qënë Arkivi i Shtetit Shqiptar dhe sidomos Biblioteka Kombëtare Shqiptare, ku janë shfletuar hollësisht gazetat e kohës, librat e autorëve të ndryshëm, që trajtojnë Kongresin e Lushnjës. Po kështu, të një rëndësie të veçantë kanë qënë fletoret zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të viteve 1920-1930.

Ku kishte kënaqësi më të madhe që gjatë studimit, hulumtimit, grumbullimit apo sistemimit të materialeve, kam bërë konsultime e kam kërkuar ndihmën e çmuar te miqtë e mirë siç janë profesorët: i ndjeri Iljaz Gogaj, Sherif Delvina, Drita Kadillari, Nebi Sefa, Luftar Mane, Uran Asllani, Alferd Frashëri, Besim Cengu, Hysen Koçillari, Terezina Vata, Suzana Burrja, Petro Luarasi, Thoma Goga, Selman Sheme, Nasho Jorgaqi, Kaliopi Naska, Isa Kuliçi, ing. Petrit Kanina,

Gjergji Tane, Genc Xhuvani, Nikollë Paluca, apo dok. Hyrie Hida, Nermin Vokopola, Kol Prifti, ekonomist Zeqir Canaj, skulptor Maksim Bushi, piktorët Agim Zajmin, Arben Morinën, tregtar Nard Marku, Jak Mema, Ylli Bega, avokatët Artan Gjermeni, Fatmir Braka, Sofika Risto, e shumë të tjerë.

Në materialet studimore jam mbështetur fuqimisht në punimet serioze kushtuar Kongresit. Kam bërë ç’është e mundur që t’i ilustroj dokumentat me përpikmëri autentike dhe të gjej mundësinë e paraqitjes sa më reale, duke qëndruar besnik i dokumentit të gjetur. Bashkëpunimi me arkivin e Ministrisë së Brendshme e sidomos me drejtorin e saj, zotin Kastriot Dervishi, për delegatët e Shkodrës e të tjerë ka qenë shumë i frytshëm. Edhe në qytetet e Elbasanit dhe të Korçës kam gjetur gjuhën e përbashkët dhe kam grumbulluar materialet e nevojshme dhe shumë të domosdoshme, si në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në muzeun e Elbasanit dhe tek shkolla “Normale”. Në një kohë qetësie, përkthyesi i njohur i qytetit të Korçës, zoti Anxhelo Kondili, më shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për punën e bërë. Ndërsa artisti zoti Dhimitër Orgocka më nxit dhe inkurajon duke më thënë: “Profesor, nuk shkruani as për mua e as për Anxhelon, as për Korçën, as për Lushnjën, as për Shkodrën, Tiranën, Gjirokastrën, Gjakovën, Prizrenin e Prishtinën, por po shkruani për tërë shqiptarinë dhe Shqipërinë, prandaj të urojmë vetëm suksese”.

Në Përmet, takohem me studiuesit Kastriot Bezatin apo Sinan Vakën, Ligor Kriston, Bledi Manen dhe të ndjerin ing. Ylli Dulen, biseda rrjedhshëm shkon tek materialet që më nevojiten për Eshref Frashërin, Faslli Frashërin, Meleq Frashërin, Leonidha Frashërin apo Spiro Qarroqin (Kosova). Natyrisht, ato çfarë më duhen i gjej, falë interesimit dhe përkujdesjes së tyre. Do të veçoja prof. dr. Alfred Frashërin që më vuri në dispozicion jetëshkrimin e frashërllinjëve dhe jo vetëm kaq, por edhe për shumë komisionerë dhe delegatë të tjerë. Kjo punë e përkorë e kryer prej këtyre zotërinjëve të nderuar është për t’u vënë në dukje dhe për t’u falenderuar.

Në Gjirokastër takoj mikun e fëmijërisë dhe studiuesin Besnik Shehu. Sa i gatshëm e vital ky njeri i papërtuar më vendos në dispozicion të gjitha materialet e shumëpritura dhe unë marr çfarë më duhet! Po e njëjta metodë më shoqëron në Sarandë, në Vlorë, Prishtinë, Prizren, Pogradec, Gramsh, Fier, Ballsh, Skrapar, Leskovik e kudo që më shkeli këmba, vetëm e vetëm për të pasuruar jetëshkrimin e atyre burrave që e shkrinë jetën e tyre të artë për atdheun, për të cilët, siç më thotë edhe Artisti i Popullit z. Reshat Arbana se nderon veten profesor Engjëlli, me nderën e kombit, deklaroj publikisht që të jenë “Nderi i kombit”.

* Kjo është përcjellja që Engjël Zerdelia, i bën librit të tij”Kongresi i Lushnjës”. Gazeta Dielli në print do të botojë një special nw numrin e radhës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Engjell zerdelia, Kongresi i Lushnjes, percjellje

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT