• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur pema bie nën pemë

December 17, 2014 by dgreca

Romani ” Pavijoni i “filozofëve” të Ilinden Spasses/
Esse nga Përparim Hysi/
Titulli i kësaj esseje modeste është lehtësisht i lexueshëm. Vet mbiemri i autorit të çon tek një prozator të madh të gjuhës sonë: tek i pavdekshmi, Sterjo Spasse. Nuk kam qëllim tani që të flas për meritat e prozatorit të madh që ,veç tjerash, kam patur ca arsye që ta dua. Së pari, Sterjo Spasse ka qenë normalist në Elbasan dhe bashkë me jehonën e romanit “Pse?” që vinte si një kollajllëk i madh dhe i volitshëm: – Psenë nuk e ka gjetur Sterjo Spasse, duke i veshur autorit një mantel lavdie dhe të mistershëm, njëkohësisht. Mandej, pak nga pak, ky “mister” siur u zhbirua, kur profesori im i dashur i letërsisë, i ndjeri Azmi Stringa aliaz Babë Stringa më servirte pak veças faqe nga revista “Normalisti” ku gjeja atë: ezhdërhanë që kish shkruar dhe romanin “Pse”. Pastaj Sterjo Spasse u bë aq i njohur, sa mungonte vetëm takimi kokë për kokë. “Të fala nga fshati”, “Afërdita”, “Ata nuk ishin vetëm” (po kush nuk e kujton atë “Rezistenca e Goricarëve” që bënim në shkollë?). Për mos vazhduar dhe me të tjera: Sterjo Spasse, sado që ishte nga pakicat maqedonase në zonën e Prespës, qe autor i një teksti gjuhe që bëhej në shkollat tona. Pra, përfundimisht, qe një nga shkrimtarët e mi të dashur. Mbresat bëheshin më prekëse për Sterjon edhe për faktin tjetër: mësuesja ime e dashur, Vjollca Omari, motra e të ndjerit Mustafa Greblleshi,e lakonte Sterjon si një nga miqtë e të vëllait dhe, para se t’u jap fund përshtypjeve për Sterjon, e gjeta sërishmi miqësinë e Sterjos me të ndjerin Mustafa, edhe prej shkrimeve të fundit të Kadaresë “Mëngjeset e kafes “Rostand”. Kadare shkruan me superlativa për Sterjon dhe miqtë e tij ku përfshihej dhe i ndjeri Mustafa me të cilin kam patur njohje. Dhe kaq, siç e shihni, nuk është pak.

* * *
Objekti i essesë sime modeste nuk ka të bëjë me Sterjon, por me Iliden Spasse që shtë autor i romanit “Pavijoni i “filozofëve”. Ilideni është i biri i Sterjos dhe them që nuk shkruaj me apriori që është “pema që ka rënë nën pemë”. Me Ilidenin, së pari, më ka njohur profesor Muat Gecaj aliaz Babushi që ka punuar së bashku me Ilidenin, ky i fundit si punonjës shkencor në Institutin e Studimeve. Spassja i ri nuk ka vegjetuar pranë atij instituti. Përkundrazi. Skrupuloz për dije, ai ka fituar titullin profesor-doktor dhe, krahas punës shkencore, si “pema nën pemë” ka lëvruar dhe letërsi të mirëfilltë.
Në vitin 1970 ka botuar librin me tregime “Cuca e pavijonit”; në vitin 1976 romanin “Përtëritje”. Në vitin 1995 ka botuar një nga librat më të bukur të memorastikës shqiptare me titullin:” Im atë, Sterjo”. Në vitin 2005 librin “Ankthi” me tregime dhe këtë vit romanin “Pavijoni i ” filozofëve”. Veç këtyre veprave, Ilideni ka përkthyer” 100 personalitete të shquara në histori” të Majkëll Hart qysh në vitin 2001. Sado që ka dalë në pension, ILiden Spasse bën një jetë aktive letrare.

* * *
Për romanin e Ilidenit, para se të më binte në dorë, më foli me superlativa, mikja ime, Meri Lalaj. Kjo, Meri Lalaj, qe dhe “kumbara” që organizoi takimin tonë tek ” Taiwani”. Me ILidenin, thuaj, sikur shkëmbyem tepsitë. Ai më dha romanin e tij dhe unë tri librat e mi në prozë dhe dy me poezi. Sa erdha në shtëpi , zura që ta lexoj romanin. Më intrigonte kurreshtja: vallë a ka atë “vlagë” të cilin ia njihja që me monografinë që kish shkruar për të ndjerin atin e tij aq të nderuar. Dhe e them që në fillim: ILiden Spasse ka shkruar një roman nga më të bukurit të kësaj periudhe të posttranzicionit. Është shkruar me aq thjeshtësi dhe me aq pathos, sa, pasi e mbaron, ke një kënaqësi që rrallë e has nëpër libra të shkruar. Ka një humor çlodhës dhe aq të karikon, sa, dhe po qe në një moment të ngarkuar apo stresant, tak dhe ta heqë si me dorë mjeku ekselent. Të duket se autori ka vënë lupën e tij vëzhguese mbi gjithë peripecitë që kalon vendi ynë, populli ynë në këtë tranzicion- maratonë dhe, ashtu si Shën Thomai në librat e religjionit, i zë plagët me dorë për t’i bërë të besueshme. Kushdo që lexon romanin, sheh tipa të tillë që frymojnë pranë nesh. Në bëhen lolo e qesharakë me veprat e tyre, kjo nuk është shpikje e autorit. Ky është një realitet që ne e shohim përditë; e kemi parasysh dhe, për turpin tonë, bëjmë sikur nuk e shohim. Pikërisht, këtë detyrë i vë vetes: që të na hapë sytë. Na bënë ta “çajmë mjegullën” dhe gjërat t’i shohim açikë. Jo të futim kokën në rërë si struci se, gjasme, kjo nuk ka të bëj me mua dhe, me një gjuhë popullore “një byrek që nuk është për mua, le të digjet. Spassja i ri, i zbulon, i zhvesh, pothuaj, lakuriq dhe na inkurajon që të themi: “mitet janë lakuriq”.
Syri vëzhgues i tij nuk ka lënë fushë të jetës pa vëzhguar. Duke u sjell rreth Malum Lumit e Ban Biles, ai fut në kaleideskopin e vëzhgimit, pothuajëse gjithçka që ndodh në Shqipëri. Në qeveri, në parlament, në letërsi e art, në administratë dhe kudo. Sikur gjithçka ta përmbledhim në një emërues të përbashkët, siç veprohet me thyesat, vërejmë se në Shqipëri veprohet me metodën: nëm të të jap. Është një piramidë e tërë apo një zinxhir ku, secila hallkë, ka peshën e vet specifike të fajit. Kur lexon romanin dhe sheh personazhë të tillë, gati, grotesk,si: Malum Lumi apo Ban Bilja nuk ke se si mos gajasesh. E mbyll për një çast librin dhe futesh në meditim:- Kush është ky, Malumi, që shkruaka aq libra me “vlerë”, sa i paskan mohuar deri Nobelin? Kini parasysh Malum Lumi nuk është nga ata “Ufot” që bie mes nesh dhe ikën mjegullash. Jo. Ai është këtu: ngjitur me ne. Ai është ai grafomani apo plagjiati që nuk e ka as për pesë, të “vjedhë” djersën e të tjerëve dhe, kapur nga të të hyrit vetja në qejf, do të ngjitë shkallët e lavdisë së pamerituar. Si pikëmbështetje në karierën e tij, shërben “vëllaisiamez” i tij, ministri, Bani Bile. Autori duke dashur që mos e merzis lexuesin me syfete të tilla, i bindur se gjithë derrat një turi kanë, loz me penën: janë aq të ngjashëm sa kanë lindur në një ditë e minut në “ditën e shejatnit”. Sa faqe shfleton, aq më shumë befasohesh duke i njohur më mirë këta syfete, që, për çudi, me zvetnimin moral dhe pangopësinë prej “gargantoje” për t’u pasuruar, sa vijnë dhe bëhen jo vetëm qesharakë, por dhe të përçudnuar apo dhe ca më keq: të përbuzur. Autori duke i rënë pragut që të dëgjojë dera, sikur na thotë: krejt sistemi dhe shoqëria është e sëmurë; është e molepsur. Sado që librat e “nobelistit” Malum Malumi dhe me dedikime i gjen të shitet si libra pa vlerë, trotuareve, ai bën përpjetë. Si patericë e njeriut me pushtet, Bani Bile, ai korr “zarfa” të mbushur me para në adresë të ministrit mik dhe ky, t’i kthejë këto “mani-mani”, në tendra për të tretët. Pra, parimi; njëra dorë jep, tjetra merr dhe, që të dyja, ngrejnë ngrehinën e korrupsionit. Ky, korrupisoni, është si metastazë galopante që është përhapur në të gjitha poret apo qelizat e shoqërisë. Iliden Spasse duke e konsideruar shoqërinë apo gjithë sistemin në këtë tranzicion si një trup anatomik, ka marrë bisturinë dhe ka bërë diseksionin e këtij trupi. Natyrisht, si njeri i penës, autori nuk ka si mos stigmatizoj dhe atë “koloni” shkrimtarësh që janë vetshpallur si të tillë: atributet ruse që kanë vënë si spaleta mbi supe, me emra si “Esenin”, “Paustovsk”, “Lermontova” e për mos vazhduar me të tjerë, s’ka se si mos të gajasin, me të vërtetë.
Tek dua t’i mbyll këto shënime, nuk kam se si mos qëndroj tek një fakt shumë interesant. Në roman ka një personazh që përfaqëson njeriun e “dosjeve”. Atyre dosjeve të dikurshme që të bënin gjëmën. Ky njeri ,sado pak vend zë në roman, ka një peshë specifike pak të rëndë: sado “thuqash” dhe i pashkollë, ai jo vetëm kërkon favore, po ende e ndjen veten të fortë. Ndërsa e lakoj, këtë “thuqash”, më bën përshtypje një fakt shumë domethënës: çështja e dosjeve, po lakohet e stërlakohet tani, kurse libri i Ilidenit ka dalë me kohë. A nuk tregon kjo për një shkrimtar që paraprin me intuitën e tij për probleme që janë aq të mprehta në këtë tranzicion. Në përshtypjen time si një lexues, romani i Spasses junior gjëron nga një humor shpotitës e çlodhës që mund të lexohet kohë pas kohe pa u bërë i mërzitshëm. Tek them se ka po atë hare çlodhëse që e gjen tek “Don Kishoti” i Servantesit dhe tek “Shvejku proverbial” i Hashekut, nuk besoj se gaboj. Lexojeni dhe do më jepni të drejtë.
Tiranë, 17 dhjetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Kur pema bie, nën pemë, perparim Hysi

Unë isha aty

November 21, 2014 by dgreca

Tregim nga Përparim Hysi/
Tek kthehesha nga një promovim libri, hyra në kompjuter që të shkruaja përshtypjet e mia nga promovimi. Kam një praktikë pune: së pari, vështroj e-mailet nga miq e të njohur se, ndoshta, për ndonjë nuk pret puna për një përgjigje. Dhe u çudita që në adresën time elektronike kish ardhur përmjet e-mailit ky tekst ku fekste titulli: “Unë isha aty!”. Pa dyshim, jo vetëm që e lexova me kërshëri, por, nuk kam se si e mohoj një fakt shumë domethënës: u mundova të çaja mjegullën që kish vënë koha mbi kujtesën time. Personi që ma shkruante, nuk ish se fshihej ” pas gaxhoit”, kur thonë, por qe defekt i kujtesës sime dhe aq. Ende jam rob i asaj mjegullle dhe jam i sigurt: edhe po të jem ballas me të, as që do ta dalloj. Se kanë kaluar jo pak, po plot pesëdhjetë vjet.
***
Unë do ta sjellë pak me “arna” tekstin që më erdhi dhe dua, që, sado pak, të ndërtoj “legjendën” për të zhbiruar një ndodhi të gjysëm shekulli më parë. Dhe për mos e bërë tërkuzë, po flas në vetën e parë, siç më flet e panjohura që, ndoshta, nuk do arrij ta takoj.

* * *
E di që do çuditesh. Dhe ke plotësisht të drejtë. Kanë kaluar plot pesëdhjetë vjet dhe unë po heq siparin, për të përqasur atë pak kohë kur kemi punuar bashkë. Kemi punuar?! Po të ishte për kaq, as që e vlente që të shkruaja. Por ka ndodhur më shumë se sa kemi punuar. Tek do flas çiltër, e kam vënë kryqin mbi shpinë dhe nuk kam më droje. Jo vetëm jam një gjyshe, por, për fat të keq timin, vuaj dhe nga një sëmundje që nuk lë vend për shumë entuziazëm. Pse po flas tani? Epo pas pesëdhjetë vjetësh hapen arshiva sekrete shtetesh dhe jo mos rrëfehem unë që tani jam për “andej” nga nuk kthehesh më.
Lajmi erdhi para se të vije ti. Drejtori komunikoi në personel: gjuhën e letërsinë në shkollë do ta japë një mësues që vjen nga Fieri. Dhe, kur drejtori, tha emrin tënd, Lilua, që të njihte që nga shkolla e mesme, tha: – Aha, kur do të ketë bërë ndonjë “proçkë” se jo më kot e bien nga 60 km larg.
– Ka bërë ç’ka bërë, ka bërë se ka gjetur, po këtu… me demek, jam zot unë, e kishte për vete drejtori. Po Lilua si Lilua, as që u druajt nga drejtori, po vazhdoi me të tijën:- More e njeh atë ti? Për tri vjet me radhë në shkollë ka qenë me notë të thyer në sjellje dhe shkollën e mbaroi se qe i dalluar në mësime.
-Po lëna, o Lilo, me gjithatë. Se këtu ka zot hauri. Lilos sikur i hante hunda për sherr.
Drejtor,- tha Lilua,- mos të duket vetja më i zoti se Vasil Kamami, ty?
-Po ç’hyn, Vasil Kamami?
– Hyn, si nuk hyn? E njoh mirë unë: sa punon mirë, aq dhe kokëshkretë është. Ne, të tjerët, veç dëgjonim dhe mezi prisnim se ç’ mostër do ishe. Kur erdhe ti, s’është se të lije përshtypjen e një njeriu që, pse kishe bërë një “proçkë”, pa dhe të kishin degdisur
larg. Shumë larg. Ne qemë mbledhur në personel dhe ti na përshëndete. Lilua t’u hodh në qafë dhe, pa lënë të bësh as
gëk as mëk, tha duke qeshur:- Epo sa ndreqet gunga e gungaçit, aq ndreqesh dhe ti. Po hë, më qafshë,- të shpoi ai,- ç’korroqyqe bëre?
-Po, jo , mor Lilo,- u përjgigje gjysmë me të qeshur,- jam ushtar i partisë dhe shkoj atje ku më thërrret detyra.
– Dhe kush? Një si ti? Po unë shpohem në hundë,- vazhdoi Lilua,- kur mos ia ke bërë bamp.
Por ç’ta zgjat? Ti fillove punën dhe ne që nuk të njihnim, prisnim kur do filloje që të bëje nga ato “proçkat” që thoshte Lilua. Le “proçka” që nuk bëre, po ne, të gjithë, po të shikonim me një sy tjetër. Nxënësit të donin dhe unë mend plasa nga zilia, kur Moza, motra ime më e vogël që vazhdonte klasën e shtatë ( atë kohë shkolla ishte me 7-vjet), më tha: – Jame ( për dijeni unë jam Bajamja që i jepja ato lëndë para se të vije ti), e di se sa mirë që shpjegon. Edhe kur vjen ora e pestë as që e ndjejmë lodhjen apo urinë. Harrohemi pas tij. Sidomos, kur reciton! Mandej, ca nga ca, ti po lakoheshe dhe nëpër shtëpitë e fshatit ku bujtje si jabanxhi. Siç duket,- i them Lilos,- ai miku yt është djegur nga qulli dhe po i fryn kosit. Dhe Lilua, ma pat mu në sy të të gjithëve:
– Jame, po cila nuse e theu shtëmbën që në javën e parë? Fliste me rromuze Lilua dhe më shumë i binte pragut që të dëgjonte dera. Ke parë ti që Lilua kish patur të drejtë. Sa kish hyrë nëntori (dy muaj kishte “nusja” që pritej të bënte “proçka”) dhe, kur të dëgjojmë ty që i thoshe drejtorit. I thoshe… aha, qe larg kjo “thoshe”, po bërtisje: – Ore, xhuxhmaxhuxh ( nuk është për të qeshur, por drejtor-ziu qe më i shkurtëri nga të gjithë), po kujt i flet me atë gjuhë ti? A e di se çfarë të bëj? Të kap prej zverku e të hodha nga këtu tek përroi i Gadurovës! Dhe u sule andej, po Lilua që t’i dinte “huqet” të doli përpara dhe të solli në personel. Neve na u bë qejfi që ia theve atij “buburrecit” që xhëç i dukej vetja. Unë që atë çast, fillova që të shikoja me një sy tjetër dhe, sikur mos mjaftonte kaq, nuk më linte rehat Moza. – Jame kështu e Jame ashtu. Kur na tregoi për “Manteo Falkone”, kur për “Vajza e kapitenit”. Po ku mbaroheshin “kuret” për ty. Dale, dale,- tha Lilua. Prapa vjen haberi.

* * *
Dhe “haberi” erdhi. Sado që qe “haber” i hidhur, unë e kujtoj sikur ka ndodhur sot. Ka qenë ditë e shtunë e nëntorit të vitit 1964. Drejtori apo xhuxhmaxhuxhi si e “përkëdhele” ti, qe hakmamrrës i egër. Kur nuk mundej vet, donte që të “vriste” me duarët e botës. Fyerjen ( nuk qe fyerje, po kërcënim!) tënde nuk e përtypte dot. Kish lajmëruar inpsektorin dhe ai, si të ish pas derës, u rrëfye në mëngjesin e asaj të shtune. Atë të shtunë nuk e harroj dhe, pse nuk e harroj, po të dërgoj dhe këtë e-mail që nuk është imi. Gjykuar kështu, ky do jetë i pari dhe i fundit. Po sa rëndësi ka tanimë kur “byreku” që po “gatuaj” tanimë është i djegur. Po le të mos ngutemi. Çdo gjë me radhë. Mbrriti inspektori. Si erë me shi dhe, si e rrahën mirë e mirë problemin, kokë për kokë, inspektori i zgjati tentakulat e hakmarrjes. – Do na shohin sytë ndonjë adhap,- foli Lilua. Kur pamë inspektorin që seç bisedoi me ty dhe, mandej, hyri pas teje në orën e mësimit, e dinim se ky “kontroll si me porosi”, kish një prapavijë të keqe. Kur mbaroi mësimi, ne u futëm në sallën e personelit dhe, ndërsa prisnim seç do thoshte inspektori, pamë që ky hyri me drejtorin në drejtori. Drejtoria qe ngjitur me personelin. Qe drekë dhe, ndërsa prisnim ç’do bënim, pamë që një nga mësuesët ( gjithmonë si në tërë kolektivat dhe këtu kishte nga ata që qenë “sytë e veshët” e pushtetit), nga shtëpia solli një pulë të pjekur, një shishe me raki dhe në një sini ca vesha rrushë.
– Do hanë,- thamë ne,- po si nuk e thirrën dhe Fatmirin se vetëm ky është jabanxhi.
Ti as që e bëre veten, por tek të shihja nga banka ku qeshë ulur, të lexohej një shqetësim i madh. Hëngrën e pinë sa u dëndën dhe, për turpin e tyre, të servirën ty “diçka” nga ajo që kishin lënë. Turp i madh. Mallakastra është e varfër, po për mikun bëhet copë. Kur ta zgjatën atë “pjatë lëmoshë”, ti nuk e deshe veten, por e ruajte gjakftohtësinë.
– Të faleminderit,- i the atij syfetit që u shërbente,- por nuk më hahet. Ndërkaq, erdhën ata. Drejtori dhe inspektori. Drejtori, dy pëllëmbë mbi tokë dhe inspektori, i gjatë si një hosten nga ata me çapë që bujqit e përdorin kur lërojnë.
Tani,- tha inspektori,- do fillojmë mbledhjen e këshillit pedagogjik.
Me leje,- fole ti. A ka mundësi që të largohem unë,se jo vetëm jam larg, po kam dhe një javë pa shkuar në shtëpi?
– Jo, mor jo,- foli tërë mlllef inspektori. Paske një javë? Epo punë e madhe se ke një javë. Ti do ikësh në shtëpi, kur të duam unë dhe ky. “Ky”, merret vesh që qe drejtori. dhe kaq mori përpjekur, sa u duk se u rrit nja dy pëllëmbë të tjera. Ti, dalëngadalë, si puna e asaj makinës që sa ndizet dhe merr xhiro, po e rritje tempin dhe, përsëri, u mundove të ruaje gjakftohtësinë:
– Dëgjo, mor shoku inspektor, unë jam dakord me të gjitha ato që do diskutohen këtu, por pa merrni pak me mend: jam familjar; kam një çun të vogël në shtëpi për të cilin më ka marrë malli.
-Avash, avash se na përgjërove nga malli!- hingëlliti ai. Kur tha kështu, atëherë ti shpërtheve:
-More abrash që nuk i ke lënë gjë gorillës, mos fol më se ta mora atë tepsinë që ke aty pas dhe ta vërvita surratit. Shimpanze! Tfu!- mbështyte. Jo vetëm “dordolecët” u futën si kërrminjtë në guackë, por dhe ne u mpimë. Bëre kështu, hodhe xhaketën mbi sup dhe deklarove: – Juve, të dyve, kurrë të mos u shoh surratin! Ditën e mirë, shokë. Dhe dole. Më nuk erdhe në shkollën tonë. Unë tek të shihja që dridheshe nga inati, fillova të të doja. Të të doja sipas mënyrës sime. Femrat i duan njerëzit e guximshëm. Të doja po as të thashë dhe as më the gjë. Mbledhja u prish (ajo paskej qenë enkas për ty) dhe, tek more çantën me libra nga klasa, unë të rashë pas:
-Edhe unë sot jam për Fier. Do shkoj nga halla. Do më presësh?
-Patjetër,- the ti.

* * *
Shkova në shtëpi dhe, sa bëra këmbë të bashkohesha me ty, ime ëmë ma priti:- Deri në Fratar do të vijë dhe Petriti ( im vëlla i vogël). Aq u mërzita, sa doja të kthehesha, po ti po prisje. Me një barrë turp, erdha së bashku me tim vëlla.
-Paske marrë trim me vete!- shpotite ti. Unë u skuqa. Po a flet “faji”? Ca më tepër qeshë si “fajtore” pa faj. Bëmë goxha rrugë tok. Po qemë tre. Vetëm e mbaj mirë në mend që të thashë:- A ç’ua bëre mirë atyre dyve, ndyrësirave! Ti as pohove dhe as mohove. Prita që të thoshe ndonjë gjë, por siç duket nuk të linte “trimi”, sado që qe nxënës në klasën e katërt fillore. Kur zbritëm në Fratar, dita qe thyer fare dhe këmbë makine për Fier nuk kishte. “Skodat” të ngarkuara me qymyr në Memaliaj, vendet i kishin të zëna dhe ne, për ta bërë pak më të lehtë gjetjen e një makine, u dhamë këmbëve për në Bejar. Se në Fratar kish të tjerë hallexhinj si ne. Prit e prit dhe po errej. Aha,- the ti,- natën do ta gdhijmë tek mullarët e Bejarit, se makinat sikur kanë vdekur. Mua m’u duk se u rrotullua dynjaja dhe u kthye përmbys. Tek mullarët e Bejarit dhe me kë? Me këtë që është i famshëm për “proçka!!!”. Epo laj-thaj, unë e ti qemë e bjerë përmbys. Ti nuk e di seç tirrje me vete, po unë asaj “furkës” sime i kisha vënë një goxha shtëllungë që vetëm frikë tirrte. Mend po dridhesha nga e keqja. Kur dhanë ballë dy pleq të moshuar. I ngulën dhe ata putrat aty. Për Fier, jemi dhe na,- tha plaku. Plaka nuk u ndje. Tani dhe mua më erdhi gjaku në vend. Prit për makinë dhe nuk ka. Tek mullarët,- foli plaku. Dhe ne, si ushtarë të bindur, pas tij. Zumë vend dy nga dy dhe, kur xha Zeneli (kështu quhej plaku) e ndezi, ti i the:- Xha Zenel, ruhu se mos na vë flakën, se, sado nëntor, por kashta është si barot. Por xha Zeneli më kish qenë barot nga goja, aty për aty, na e priti: – Këtij zjarrit tim, e di vet babai se si fle me nënën, po atij zjarrit tuaj, nuk i bëhet dermani. Dogra e rëndë kjo që zbrazi xha Zeneli. Jo vetëm kaq, po u tregua që nuk ia hante qeni shkopin kollaj dhe, dinak nga natyra, tha:- Moj keçe e xhixhait, shko mblidhu me atë “kërcuren” time, se unë e qy (ky) do vdesim me burrat!!! Hajde- hajde, se në ç’usta që ramë! Tek po mblidhesha me atë “kërcuren” e xha Zenelit, trak ma bëri zemra! Nuk qe e thënë. Dhe as që mbylla sy. Për ty nuk e di, po me vete e mallkova xha Zenelin: – T’u bëftë në grykë!

* * *
Sa u gdhi, gjetëm makinë e sosëm në Fier. Më nuk u pamë. Lilua tha një ditë:- Iku. E kanë çuar ushtar andej nga veriu. Dhe nuk u pamë më. Por, papritur e pakujtuar, ime mbesë më ftoi në këtë promovim.
-Hajde, gjyshe, se është nga fshati yt,- tha. Dhe unë erdha. Për ty as që e dija se do ishe. Po kur dëgjova emrin, tak dhe u kthjellova dhe solla në mend atë kohë. Sa m’u bë qejfi, se, kur more fjalën, ndryshe nga të gjithë, fole në këmbë. Jam mësues,- the,- dhe mësuesit, po u ul, i thyejnë notën në sjellje. M’u bë zemra mal, kur the:- Kam qenë mësues atje dhe bukën e atij fshati e kam në grykë. Atje kam ndjerë atë mikpritje: urdhëro, se në mos kemi bukë, e kthejmë me ujë. Tani e kupton që unë kam qenë aty. O Zot, pse më erdhën parasysh të gjitha dhe pse u ndjeva si sot e pesëdhjetë vjet të shkuara? E di që koha nuk kthehet pas, po kohën mund ta përjetosh siç dhe po bëj. Tani t’i thashë të tëra dhe jam më rehat. E-mailin tënd e gjeti imembesë në facebook dhe jam e çliruar që të shkrova. Të jesh mirë, o njeri i “proçkave” që vetëm porçka nuk bëje.
E solla ashtu si më erdhi dhe më nuk shtoj asnjë fjalë. Po të shtoja, më duket se i ikte dhe shija dhe kripa. A më sëmboi një e- mail i tillë? As që e mohoj, por , në se vihem në kërkim të James, kam frikë se prish një tabu. Edhe kaq, besoj se ia vlen.

Tiranë, 19 nëntor 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: perparim Hysi, Tregim, Une isha aty

“Varfëri e pasur” të Poetit Qerim Skënderaj

November 15, 2014 by dgreca

Në promovimin e një libri-përshtypjet e një pjesëmarrësi/
Nga Përparim Hysi/Në datën 13 nëntor, në një nga sallat e Muzeut historik, u bë promovimi i librit me poezi “Varfëri e pasur” të poetit Qerim Skënderaj. Nuk marr përsipër që të them se në ç’masë është i njohur për lexuesin shqiptar, poeti dhe prozatori Qerim Skënderaj. Por, para se të flas për një poet lirik si Qerim Skënderaj, e gjej të udhës që, përciptas, të bëj një biografi letrare të tij. Me origjinë, Qerim Skënderaj, është nga Ninshi, një fshat i largët i Mallakastrës. Aq i largët është, sa “për dy çapa”, sos në Tepelenë. Profesioni i tij nuk lidhet me letërsinë dhe aq më shumë me poezinë. E, megjithatë, të them në fillim atë që do them në fund: Qerim Skënderaj është një poet i bukur lirik me një zë të ëmbël dhe të vetin që, pa një grimë subjektivizmi, zë vend krahas lirikëve të bukur që ka SHqipëria: duke filluar nga Poradeci, Ali Asllani e për të vazhduar me të tjerë, si: Frederik RReshpja, Koçi Petriti, MIljanov Kallupi, Pano Taçi, Jorgo Bllaci, Skënder Rusi e të tjerë. Linja e lirizmit të tij i ngjet atij burimit ku ka pirë ujë krojeve dhe burimeve të fshatit. Dhe çuditesh: Qerim Skënderaj ka mbaruar shkollën e bashkuar dhe është diplomuar si oficer kondraajror! Tek i hedh një sy skiç biografisë tij, nuk kam pse mos ndaloj në një fakt gati historik: ( e thashë dhe në fjalën time) asaj shkollës së bashkuar i detyrohemi jo vetëm se nga ajo kanë dalë ushtarakë të zotë, por, veç tjerash, se nga ajo shkollë kanë dalë dhe një aradhë e vërtetë që me penën e tyre, në prozë e poezi janë kthyer në vlera. Kur them kështu, sikur të rreshtoj para jush vetëm disa syresh, patjetër që do jini me mendimin tim. Emra si: Ibrahim Gani, Roland Musta, Lirim Deda,Iliriana Sulkuqi, Shpend Topallaj, Myrteza Mara,Petraq Kote,Riza Lahi, Agim Bacelli dhe të tjerë që t’më falin për listën shumë të cunguar timen, kanë shkruar dhe vazhdojnë të pasurojnë fondin e Letërsisë SHqipe. Po ka dhe një fakt tjetër shumë domethënës: “produkt” i kësaj shkolle ( në rast se mund të shprehem kështu), ka qenë disidenti më përfaqësues dhe më i bukur në letërsinë tonë. Qe oficeri dhe Poeti, Trifon Xhagjika që bërtiti:- Atdhe, të shoh lakuriq! Një britmë e tillë nuk qe britmë lufte, por apel i një Prometeu të vërtetë që nuk ishte mitologjik, por real. Kjo britmë që nuk qe një metaforë, as klithmë vaji, është dafina më e bukur në ballin e atij martiri që, për çudi, në gjykimin tim (qofsha unë i gabuar), nuk është evendituar në shkallën që e meriton. E, pra nga kjo shkollë, ka dalë dhe Qerim Skënderaj.

* * *
Qerim Skënderaj ka botuar 9 libra me poezi dhe tri në prozë. Në vitet e demokracisë ai ka emigruar në Itali dhe, edhe atje, krahas punëve të rëndomta, mësoi itlaisht dhe aq përparoi,sa shkroi në gjuhën italiane dy libra: “Shqipëria- akti i fundit” dhe”Itaka e fundosur”. Atje është nominuar me çmim të posaçëm dhe jo më kot: nga pena e Qerim Skënderajt, qoftë në prozë dhe qoftë në poezi kanë ardhur para lexuesëve, shkrime me vlera. Qerim Skënderaj nuk shkruan sikur ta ndjekë dikush nga prapa me shkop, por është i tillë që, mat shtatë herë e pret njëherë. Pse është i tillë, ai është pritur aq mirë nga lexuesi: brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Tek fliste për fillimet e tij letrare, me një modesti aq njerëzore sa ç’ndodh me çdo fillestar që kanë nevojë për një mentor si mbështetje, mirënjohës si gjithnjë, në promovim ai lakoi: poetin dhe prozatorin Faslli Haliti. Transferimi i oficerit Qerim Skënderaj nga Tirana në Lushnje kish një prapavijë të lexueshme: është shpallur “nongrata” për Tiranën dhe dërgohet në Lushnje. Por ashtu si çdo e keqe nuk vjen vetëm për keq, kështu ndodhi dhe me Qerimin. “Ngacmimet” letrare që “flinin” në sepeten e tij prej ushtaraku, ra në dorën e një “Ustai” të Letrave si Faslli Haliti. Do t’ju lutem , ndjashtimin “Usta” për Faslli Haltitn mos ma merrni si metaforë. E kam thënë dhe e përsëris: Faslli Haliti jo vetëm që është një emër i nderuar si krijues gjithëplanësh, por dhe një altruist që nuk ka shok. Në atë personalitet made in Faslli Haliti, gjen mësuesin, piktorin, poetin, prozatorin, publicistin, përkthyesin dhe, sikur mos mjaftonin të gjitha këto: Njeriun me zemër të madhe. Dhe në fjalën time, kur fola, e theksova: ashtu siç ka thënë një shkrimtar rus për Gogolin:” Ne, të gjithë, sikur kemi dalë nga “Manteli” i Gogolit, kështu dhe krijuesit lushnjarë janë bërë aq të bukur,se kanë patur një mentor si Faslli Haliti. Qerim Skënderaj e tha, por këtë e thotë dhe Bajame Çeliku (Hoxha), e thotë dhe Visari, Fatbardh Rustemi, Elmaz Qerreti, Sherif Bali për të mos vazhduar me emra të tjerë.
* * *
Dhe së fundi: pse ka të tillë vlera si poet e prozator, libri u promovua nga një shtëpi botuese nga më prestinciozet, siç është Shtëpia Botuese “Toena”. Unë shkruaj dhe vet: në prozë e poezi dhe ia di mirë vlerat kësaj shtëpie. “Toena” është shtëpi e mirë. Domosdo dhe “krushqinë” do ta zgjedh të mirë. Pse ishte i tillë,Qerim Skënderaj, pa u bë dhe “krushqia”. Parë me një sy kritik dhe të paanshëm, mund të them: qe jo vetëm një promovim i bukur, por dhe një përkim i vlefshëm. Recencën të parapërgatitur për librin e kishin bërë: Profesor-doktor Klara Kodra së bashku me Faslli Halitin. Recenca u dëgjua me shumë vëmendje dhe, “thela përmbi bisht”, në të gjithë këtë “gosti letrare” qe nga Zonja Irena Toçi si moderatore e Shtëpisë Botues “Toena”. Zonja Irena shkaktoi ilaritet të vërtetë, tek recitonte disa nga peozitë më pikante nga libri “Varfëri e pasur”. Ajo që ia rrit prestigjin dhe vlerat kësaj shtëpi botuese, se nuk e lënë punën në mes rrugës. Ata bëhen promotorë skrupulozë deri në reklamimin dinjitoz të autorit që ka “trokitur” atje. S’kish më bukur kur shikoje zonjën Irenë në tribunë dhe Fatmir Toçin në plate. Si pjesëmarrës në këtë promovim, u mbresova aq, sa nuk mund të heshtja. Ç’pata për të thënë, i thashë atje. Sidoqoftë, ky shkrim imi ka për qëllim që ta bëjë të njohur atë atmosferë aq të bukur të atij promovimi. Qerim Skënderajt, siç i thashë dhe atje, i uroj; me botime të tjera e me bereqet të bardhë!

Tiranë, 15 nëntor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: "Varfëri e pasur" të Poetit, perparim Hysi, Qerim Skënderaj

Më “hëngrën” a analogjitë *

November 12, 2014 by dgreca

Takimi Rama-Vuçiç në optikën time/
Nga Përparim Hysi/
Sado që nuk kam prerje për politikë, nuk rri dot pa dhënë vështrimin tim për këtë takim historik.Politika është një “lojë” e vështirë për mizurën time dhe nuk do mend: kam kohë, që kur m’u dha rasti për ta “luajtur” atë, u dorëzova. Kjo ndodhi në vitin 1991 kur kandidova si deputet për PD dhe nuk fitova. U dorëzova jo se nuk fitova, por me aq pak kohë dhe si përfaqësues i PD në pushtetin lokal, e pashë që nuk ia thosha fare. Në një poezi timen për politikanët, kam thënë:- Politikanët e kanë lëkurën të trashë si bualli! Duke thënë kështu: si bualli, nuk jam larg të vërtetës. Koha ka provuar se nuk dëgjojnë as nga thumbat dhe as nga “plumbat”. Unë, siç duket, jam lëkurëbrishtë dhe nuk duroj as thumba dhe ca më shumë: plumba. E kam fjalën për atë artileri të rëndë fjalësh që politikanët tanë i zbrazin pa kursim. Por, megjithatë, larg politikës dhe gjykimeve për të nuk jam. Kur po i cicëroja një politikani të vjetër ca rreshta antipolitikës, ai, si lëkurëshuall që qe, më tha: – Edhe duke recituar për politikën, po bën politikë. Për të bindur lexuesin se nga është e drejta, po e sjell atë 4-vargshin që i kumtova atij:”Politika loz si era/ Mos ma pruftë Zoti tek dera/ Kush loz me politikën/ Brisk e ka dhe fare e fikën/ . Sado që “lëkurëshualli” u mundua të më bindë, po nuk ia arriti dot.

* * *
Pa ndonjë retorikë të lodhshme, në optikën time, Rama tregoi vlera të një pushtetari të qytetëruar e të guximshëm. Tek shihja Vuçicin që kërcente sikur po e hanin pleshtat, pa dashje më shkon mendja tek ajo përralla historike e Andersenti që,sado që “mbreti qe lakuriq” ( i hiqte apo nuk i hiqte kufjet,Vuçiçi), nuk donte që të shihte një të vërtetë që bënte mu. Qe para një fakti të kryer historik. Në i kthehem dhe futem historive me shënjtorë, njëri prej tyre, SHën Thomai thotë: ” Që të të besoj, plagën dua ta zë me dorë”. Dhe Rama ia tregoi këtë “plagë”, tjetër punë që Vuçiçi kish vënë “lente të zeza” mbi sytë dhe veshët i kish zënë me dyllë. Qe në një pozitë aq qesharake që përsëri dua ta vë përbri një shëmbulli analog. E kam përjetuar dhe po e sjell për lexuesit.
* * *
Në vitet kur pushtetit tonë “popullor”, punët po i shkonin aq “mbroth”,sa në dyqane nuk gjeje asnjë ushqim pa”tollonë”, veç tjerash mungonte dhe sapuni. Një sapun Rrogozhine që sikur kishe gjetur një shishe parfumi nga Franca. Kish nxënës e nxënëse me parazitë në kokë. Erdhi urdhër nga lart që nxënësve t’ua qethnim kokat si ushtarëve me urdhër. Kështu dhe bënim. Po kish nxënës që këtë edhe e kundërshtonin. Një i tillë qe dhe Gjoleka, një nxënës imi në klasën e tetë. U desh ndërhyrja ime si mësues kujdestar që Gjoleka ta qethte kokën zero. E qethi nga e keqja dhe aq i pabindur qe, sa, dhe kur kokën e kish zero, thoshte: – Ja, të shihni, do qethem?! Natyrisht, Gjoleka që u qeth “forcërisht”, u bë butaforik. Tek e takoj tani që është bërë dhe gjysh, i bërtas:- Ja, të shohësh, do qethem?!!! Duke sjellë raste analoge, them se lexuesi mund ta dallojë mirë evropianin Edvin Rama dhe provincialin Aleksandër Vuçiç.
Edhe një anologji tjetër. Kisha shkuar me një shok tiranas të shihja një praktikë stërvitore të 17 nëntorit kur ish trajner , i madhi Myslim Alla. Në një nga ato senkuencat që ndiqnim, i thotë një mbrojtësi të tij: – Vrej tuna, çuno, ruhu prej Jarecit se aj dhe,kur nuk asht tuj bo ndonji gjo, ta bon golin e ta merr erzin! Dhe them që “Jareci” e shënoi atë gol fitoreje!

* * *
Por në fund të fundit, Rama vetëm pohoi një fakt historik. Në Vuçiçin e Co…, i zunë djajtë e së keqes, kjo nuk është punë për një botë të qytetëruar dhe evropiane. Të huajtë, historikisht, kanë lozur “arushë” me fatet tona. Pse ka qenë kështu, historikisht, s’kam si mos sjellë në mend një nga profesorët e mi, në ish-Normalen e Elbasanit, të ndjerin e të respektuarin, profesor Enver Palluqi ( mes nesh e quanim Arbreshi se aq bukur e shqipëronte gjithë Letërsinë Arbreshe) , që, tek na fliste për invazionin e huaj në Shqipëri, na thoshte:- Arbreshët kanë një thënie postulatë që ua lënë pasardhësve, brez pas brezi. Kjo thënie është pak proverbiale: ” Rihi birli nga ltini, si driri nga topra”. E merrte me mend që kështu nuk e merrnim vesh dhe shqipëronte:- Ruhuni bij nga të huajtë, siç ruhet druri nga sopata! Më tej, nuk kam se çfarë shtoj. E, sa për ata që e shohin qëndrimin aq evropian e kontemporan të Ramës me lente të zeza, dua që t’u përgjigjem me fjalët e një personazhi tim, që thotë për raste të tilla: ” Ai që nuk të do, edhe, po ta mbash në krah, do kollitet!”

Tiranë, 11 nëntor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Më "hëngrën" a analogjitë, perparim Hysi

Përkime të çuditëshme

October 31, 2014 by dgreca

Rrëfenja nga Përparim Hysi/
Rrahmëni qe bashkëfshatari im. Qe jo vetëm familjar i mirë, por dhe punëtor që nuk kishte shok. Veç këtyre tipareve qe dhe gojëëmbël dhe kurrë nuk u grind me njeri. Kudo që punonte, dallohej se bënte punë me cilësi. Jetonte, kur thonë, me djersën e tij. Po, kur thonë turqit, nuk ka iksan pa noksan që, më shqip fare: çdo njeri ka të mira, por dhe ndonjë huq që nuk e kanë të tjerët. I tillë qe dhe Rrahmëni. Në çdo bllok ku punonte apo kudo ku i shkelte këmba, kurrë nuk kthehej në shtëpi pa një krah me dru. Të ishin dhe shkarpa, ai do t’i çonte në shtëpi. Thoshte: e para është buka; mandej ujë dhe e treta druja. Duhet, or tunjatjeta, si në dimër, po dhe në behar. Në dimër, s’ka njeri që nuk e do drunë se do zjarr të ngrohet. Se kush nuk e di atë këngën nga qëmoti: xhan o burrë, xhan o zjarr/. Po dhe në behar se do ndezësh zjarr për rrobat, po për banjë e ku mbarohen hallet e robit.
Kur shkoje në shtëpinë e tij, jo vetëm të priste me krahët-hapur, por nuk të linte pa vizituar ” muzeun” e tij të druve. Aty prapa shtëpisë (oborri qe i pastër se të tillë e mbante dhe vetë, dhe e shoqja aq e mirë), të ftonte për një “vizitë” pak extra. Ja, shiko,- të thoshte,- këtë kapicën këtu e kam nga bloku 8, këtë tjetrën e kam që nga “Guri i gomares” kur qemë për zbor. Kapica këtu është marrë në Seman. Dhe vazhdonte e vazhdonte. Çdo vizitor (unë kam qenë një i tillë, se Rrahmëni e ka ngjitur shtëpinë me shkollën) nuk rri dot pa vënë buzën në gaz me këtë “muzeum” drush e shkurresh të ngritur aty pas shtëpisë së RRahmënit. Mbi çdo kapicë ka ndonjë etiketë. Emërtoje si të duash: daç muzeum drush me disa pavijone. daç dhe “farmaci” me disa “sirtarë” në miniaturë. Kurrë “muzeumi” nukmbetë bosh. Mbarohet njëri “pavijon” dhe Rrahmnëni e zëvendëson me tjetër. Aty shënohet një etiketë e re. Kur e pyet për këtë “huq” ( pa dyshim, një huq i mirë), të thotë:- Aha, vetëm ujku ha qesim. Ropi ndaj i ka mendtë. Duhet të ecë me llogari. Se të vijë si të dojë dimri, Rrahmëni ia ke gjetur “ilaçin”: me ca dru lisi prerë tek pylli i Vajkanit dhe dimri më bëhet kurban. Shkarpat për behar. Druri është si zahreja: teste-teste! Si do zot, trahanaja. Lezettin e ka në dimër, se nuk hahet në gusht, de! Rrahmëni… sa njeri punëtor! Një ditë vjeshte me vetëtima e gjëmima, tek shkonte në punë, këptutet një degë e trashë plepi dhe i bie mbi trup. I dëmtoi shtyllën kurrizore dhe u kthye në invalid. Katandisi mbi ato karrocat e invalidit. Nuk ka më “muzeum” drush në shtpinë e tij dhe pleqtë e plakat që merren me nomatisje e “tertipe” të moçme, tek i qajnë hallin për fatkeqësinë që e gjeti, shtojnë: tek drutë e kishte shtirë Zoti dhe nga druri e gjeti. I shkreti! RRahmëni tani nuk e ka “muzeumin”, por ajo karroca e invalidit shkëlqen tek e sheh që del, qoftë dhe rrallë nga shtëpia. I hanë duartë për punë dhe laj-thaj e pastron atë karrocën që dhe rrotat i mban dritë.

* * *
Një plak hollak, i gjatë si hosten çapitet rrugës. Dëgjohet një uturimë makine dhe, nga karroceria, pasagjerët: kooperativistë që po shkojnë në qytet, i bërtasin plakut:
-Hajde, xha Ristan, se do shkojmë në qytet!
– Ju paça, çuna,- përgjigjet plaku hokatar,- po nuk më pret puna. E kam me ngut!!!
“Çunat” brohorasin nga të qeshurit. Ia dinë huqin. Xha Ristani nuk hipën kurrë mbi makinë. Ka hipur njëherë në jetë të tij dhe u përcoll së gjalli: – Më zuri “xhindi”!.- tregonte. Më nuk vë këmbë. Dhe nuk vuri tërë jetës së tij. Sado që qytetin e kish larg, por në këmbë e niste dhe e bitiste. As mos ma merrni me rezerva: dhe në Tiranë e soste në këmbë. Bukën me vetez,- tregonte,- dhe han më han, për tri ditë e soste. Qe njeri që kishe qejf ta dëgjoje kur merrte fjalën. Gënjeshtër nuk njihte. – Më gavnjeve njëherë, me mua nuk i ndreq më urat. Nuk është se të vura “tomatikun” tek koka dhe më gavnjeve. Po ashtu badjava hesapi, pepja nuk e ha më atë “pshesh”. Në do nder dhe erz, mos gavnje. Pa të më kesh shkuarje dhe me botën (shoqërinë),se në këtë jallane ropi duhet ta ketë mirë dhe me qerrexhinë, po dhe me arixhinë. E thoshte këtë me “arixhinë” se një lagje në fshat qe me arixhinj. Xha Ristani shquhej për miqësi me arixhinjtë. -Janë bujarë,- thoshte,- dhe, në i bëre miq, nuk të lënë në baltë kurrë. Ja t’u tregoj pepja se sa më të mirë nga ne që nuk i sajdisim, janë.
– Më erdhi Elmazi, që thoni, dhe më tha:- Xha Ristan më duhen nja 500 lekë hua,se iu dogj shtëpia Dalanit. Ia dhashë. Por nuk m’u ndënj pa i thënë:- Ore Elmaz, por ti më duket sikur nuk i ke mirë “urat” me atë, Dalanin? Aha,- ma priti,- në fatkeqësi ne,arixhinjtë, nuk e lëmë në baltë njëri-tjetrin. U skuqa, or çuna, nga llafi tij. Ma kish llafin me bereqet. Kështu që t’i vëmë kokë muhabetit: ta kesh mirë si me qerrexhinë(është fjala për njeriun ethjeshtë), ashtu dhe me arixhinë (nënkupto:fukaranë). Dhe, pa pritur, një ditë prej ditësh, xha Ristani pësoi ifrakt. U palos diku buzë rrugës. Aty, pa frymë,e gjeti një bashkëfshatar që qe arixhi. Ou,- bëri arixhiu,- xha Ristani i mirë. E mori në krah, e hodhi mbi qerre dhe e çoi në shtëpi.
Tek e përcillnin në banesën e fundit, thoshin:- Paske qenë “ilaç”, o xha Ristan! Siç thoshe dhe të ndodhi.

* * *
Pas dyzet vjetësh punë si marangoz, Alushi, doli në pesnion. E kishte filuar punën që i ri. U nda me kolektivin dhe, kur mori pensionin e parë, ndodhi dhe çudia. Tërhoqi paratë si gjithë të tjerët, po para se t’i fuste në protofol, zuri po u merrte erë?! Ore,- i tha dikusn nga bashkëshokët,- pse u merr erë parave? Aha,- shpjegoi Alushi,- u marrë erë , se dua të provoj se çfarë “ere” kanë?
– Hë,- i thanë,- e gjete se çfarë “ere” kanë?
-E gjeta. Kanë erë dheu. Na bëjnë thirrje për andej ” për matan”,se ndryshe qe ajo “paraja” më parë: qe era djersë. Djersë pune. Dëgjuesit për rreth nuk kishin si mos çuditeshin me këtë “erën” që ndjente Alushi, ai marangozi i vjetër që, porsa doli në pension. Pakëz për të qeshur qe. Me domosdo. Çudia qe, që marangozi Alush nuk erdhi më për pension. Era e”dheut” kish fryrë dhe e mori me vete. Ç’përkime të çuditëshme! Ndodhin, pa i tregojmë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Përkime të çuditëshme, perparim Hysi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT