• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JAM KETU!

March 2, 2021 by dgreca

-Në përkujtim të përvjetorit të lindjes së Profesorit Sejfulla Malëshova/

Nga Naum PRIFTI/

PARASHIKIM GJENIAL/

Në Plenumin e Beratit në tetor 1944, Sejfulla Malëshova e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për lëkundje të vijës së partisë midis dy ekstremeve, oportunizëm dhe sektarizëm. Vrasjet e kundërshtarëve politikë nga njësitet guerile dhe nga atentatorët, në rrugë e nëpër lokale, të kryera me urdhër të Partisë, ai i cilësoi akte terroriste. Parulla e përdorur “në emër të popullit”, nuk kishte asnjë bazë ligjore. Malëshova paralajmëroi se po të vazhdohej në këtë rrugë, partia do të katandisej në një bandë me vrasës e kriminelë. Parashikimin e tij gjenial e vërtetoi koha. Profesor Malëshova bëri një gabim të pafalshëm taktik kur propozoi krijimin e postit të kryetarit të Partisë. Nuk kishte kandidat më të kualifikuar dhe me të gjitha premisat e mundshme veç Sejfullait. Bagazhi i tij përmbante aktivitet të gjatë patriotik me shumë figura kombëtare. Faik Konica dhe Fan Noli e konsideronin “poetin rebel” Lame Kodra si dishepullin e tyre dhe bashkëpunëtor të radhës së parë. Në botimet shqiptare si edhe në ato të Federatës “Vatra” në Amerikë dëshmohet veprimtaria, inteligjenca dhe patriotizmi i Sejfulla Malëshovës. Shkrimet e tij publicistike ishin orientim për platformën kombëtare. Fan Noli, i cili ia njihte zotësitë intelektuale dhe atdhetare, e mori në kabinetin e tij qeveritar në 1924. Malëshova ishte një nga veprimtarët e KONARE-së (Komiteti i Çlirimit Nacional) e krijuar në Vjenë nga emigrantët e majtë, Përveç studimeve filozofike e politike-ushtarake, Sejfulla Malëshova kishte mbrojtur disa grada shkencore dhe ishte njohës i disa gjuhëve. Si bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Moskës, Sejfulla Malëshova në koordinim me shumë patriotë atdhedashës shqiptarë ishte në krye të lëvizjes për një Shqipëri të lirë. Ai ishte aktivist me përvojë revolucionare dhe konsiderohej prijës i përpjekjeve të emigracionit shqiptar për çlirimin e vendit. Duke i ditur zotësitë e tij, propozimi në Berat ishte sfidues për Enver Hoxhën sepse detyrimisht sekretari do të spostohej në plan të dytë, prandaj e hodhi poshtë si të panevojshëm dhe të parakohshëm.

Për politikën e jashme Sejfullai udhëzonte të mbahej distancë e njëjtë si ndaj Bashkimit Sovjetik, ashtu edhe ndaj Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Vënia e Aleatëve në të njëjtin plan sfidonte Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, çka i dha rast Enver Hoxhës ta damkoste si oportunist. Në politikën e brendshme Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat. Kjo qasje mjaftoi për ta etiketuar si liberal.

Të gjithë ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në plenumin e Beratit, më vonë e pësuan dhe u eliminuan njëri pas tjetrit nga mjeshtri i prapaskenave. I pari e pësoi intelektuali Sejfulla Malëshova. Për mënjanimin e Malëshovës, Enver Hoxha kërkoi mbështetjen e Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Tuk Jakovës, Kristo Themelkos, Gogo Nushit, Hysni Kapos. Të partishmit me arsim të kufizuar e hoqën qafe, me gëzim e lehtësim profesorin e nderuar, dijenitë dhe horizonti i të cilit i bezdiste. Kompleksi i inferioritetit të Enver Hoxhës mori shpërblimin e merituar me përjashtimin e Malëshovës.

Pas përjashtimit nga Byroja Politike, filloi e tatëpjesta e pafund e profesor Malëshovës. E shkarkuan edhe nga posti i Ministrit të Arsimit, madje nuk e lanë as kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në gusht 1947 u provokua Konferenca III e Lidhjes së Shkrimtarëve. Doktor Dishnicës iu kërkua të bënte autokritikë për parathënien e tij në librin “Vjersha” të Sejfulla Malëshovës ku ai i jepte atribute të çmuara autorit si poet e mendimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Dr. Ymer Dishnica deklaroi se nuk i hiqte asnjë presje parathënies që kishte shkruar. Kjo i zemëroi autoritetet dhe si pasojë Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja dhe u shkarkuan nga detyrat që kishin. Sejfulla Malëshovën e degdisën në Patos me detyrën e magazinierit të një depoje, Ministrin e Shëndetësisë Doktor Dishnicën e dërguan mjek të thjeshtë në Spitalin e Tiranës, pastaj e “transferuan” në Berat, ku punoi gjithë jetën, deri sa u shemb diktatura, ndërsa Luarasin e hoqën nga Drejtoria e Teksteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe e emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike.

Në vitin 1947 Sejfulla Malëshova u përjashtua nga Byroja Politike, i akuzuar si oportunist dhe properëndimor. Këto cilësime të PPSh-se do mjaftonin për ta ngritur figurën e tij në piedestalin e demokratëve.

JAM KETU

Një pasdite tek bisedonim me profesor Skënder Luarasin përpara Liceut Artistik në Tiranë pashë të kalonte te ana tjetër e trotuarit një burrë i moshuar, me ecje të qetë, paksa i ngadalshëm, por i përqendruar, pa shikuar as majtas as djathtas.

-E njeh atë burrë? – më pyeti profesor Luarasi që ndoqi shikimin tim.

-Më duket se jo, – i thashë.

–Profesor Sejfulla, – më tha ai.

E thërriti me emër dhe Sejfullai ktheu kokën e përshëndeti me dorë, buzëqeshi hijshëm me mirësjellje dhe vazhdoi rrugën e vet.

– Në Tiranë ai u mënjanohet takimeve se dyshon që e gjurmojnë. Tregohet i kujdesshëm, për të mos vënë asnjeri në pozitë të keqe, – më tha profesori.

Vetë Skënder Luarasi shquhej për guxim qytetar dhe nuk druhej ta takonte e të bisedonte me të internuarin Lame Kodra. Madje ngacmonte edhe kolegët e tij, që kalonin aty pranë dhe bënin sikur nuk i shihnin. “I dashur mik, a nuk po e njeh profesor Sejfulla Malëshovën?” Paksa të zënë ngushtë, kolegët kërkonin të falur, këmbenin dy fjalë formalisht dhe largoheshin shpejt nga frika se mos i shihte kush që po takoheshin me një të damkosur nga partia.

Nga mesi i viteve 1950 mësova nga kunati im Dhori Çaushi, i emëruar ndihmës dentist në Patos, se Sejfulla Malëshova punonte si magazinier në një nga depot e ndërmarrjes. Aty Sejfullai kryente dënimin si i internuar. Sipas rregullave ai duhet të flinte në një dhomë më vete, po për ngushticë strehimi, e kishin rrasur tok me 5-6 djem të rinj beqarë të flinin si në kushte konvikti, me shtrate druri ala-marinarçe. Dhori më tregonte se në netët e ftohta të dimrit, profesori mbështillej me batanije dhe kërrusur mbi shtrat lexonte ose shkruante.

Malëshova qëndroi i internuar disa vjet në Patos, përpara se të transferohej në Fier. Në periudhat e shkurtëra të zbutjes së luftës së klasave, Sejfullai erdhi disa herë në Tiranë për punë personale, sigurisht duke marrë leje nga Dega e Brendshme e Fierit. Zbutjet ishin si pranvera të parakohshme, të cilat pasoheshin gjithmonë nga acare dimri më të hidhura.

Dy herë ditën, në mëngjes e mbrëmje, Malëshova duhej të paraqitej në Degë për të vërtetuar që ishte aty. Vendasit e kureshtarët e shihnin profesorin të kalonte para sportelit të dezhurnit të Degës së Brendshme, duke ngritur dorën lart, si t’i thoshte: “Jam këtu!” Ky ritual i pandryshueshëm vazhdoi derisa vdiq më 1971.

PËRKTHYESI I TALENTUAR

Lame Kodra (pseudonimi letrar i Sejfulla Malëshovës) është përkthyesi i shumë poezive të zgjedhura dhe veprave nga një sërë autorësh me famë botërore, midis tyre hyjnë: “Ançari” i Pushkinit, “Punëtorët e Avlemendit” i Heinrik Haines, “Mbreti i Tulës” nga Gëte, cikël me poezi nga Nekrasovi, prozë nga Bokaçio dhe F. Argondica, “Kopshti i qershive” i Çehovit, prozat poetike të periudhës romantike të Gorkit “Zgalemi” dhe “Stuhija”. Stili i prozës së tij poetike është i dallueshëm për lirizëm të thellë dhe forma sintaksore si “mbi të thinjin shesh” ose “si e zezë vetëtimë” me të cilat ai ruante kadencën dhe ritmin e origjinalit, pa krijuar kurrfarë disonance. Ja një fragment i paharrueshëm nga “Zgalemi”:

“Mbi të thinjin shesh të detit, era fryn dhe mblidhen retë. Midis detit edhe reve, kryelartë shkon Zgalemi si e zezë vetëtimë. Prek me krahë ai valët, si shigjetë ngritët reve, dhe këthet dhe retë gjegjin gazin-kthimë të asaj shprese.”

Në periudhën e zbutjes së tensionit politik, në kohën e Krushovit, Malëshovës iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit “Kopshti i qershive”. Ai e përktheu, por u zhgënjye kur nuk e pa emrin e përkthyesit në frontespic. Protestoi te drejtoria e shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” se e kishin mashtruar, se nuk ishte e drejtë të mos figuronte emri i tij, por ankesa nuk u përfill. Duket se urdhri për t’ia fshirë emrin kishte ardhur nga lart. Shtëpia Botuese iu lut të përkthente edhe vepra të tjera, me kusht që të mos i vihej emri, por Lame Kodra, edhe pse kishte nevoja të ngushtshme të kompensonte rrogën e tij qesharake si magazinier, nuk pranoi. Për të, dinjiteti personal kishte më shumë vlerë se shpërblimi material.

SI E DUA SHQIPERINE

Poezinë “Si e dua Shqipërinë” e lexova për herë të parë në antologjinë e klasës I të shkollës unike. I magjepsur prej bukurisë së saj e mësova menjëherë përmendësh dhe nuk e harrova kurrë. Më kujtohet se në shtypin letrar shqiptar të viteve ’60-’70 u ndez një diskutim interesant midis estetëve dhe kritikëve për fillesat e realizmi socialist në Shqipëri, dhe kujt i takonte të ishte nismëtari. Mendimi se themelet i vuri Migjeni u kundërshtua me argumentin se krijimtaria e tij artistike i përkiste suazave të realizmit kritik ku temat e mjerimit dhe protestat sociale ishin rryma e viteve ‘30. Kryeveprat e Fan Nolit “Anës lumenjve:, “Marshi i Barrabait” nuk u përshtateshin kallëpeve të realizmit socialist. As autorë si Qemal Stafa e Veli Stafa, këngë të luftës, poema satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Shevqet Musarait, nuk i përmbanin elementet e realizmit socialist. Bartësin e vërtetë të kësaj metode të re letrare, Sejfulla Malëshovën, nuk guxoi ta përkrahte askush. Poezitë e tij të shkruara në prag dhe gjatë viteve të luftës, të mbledhura në vëllimin “Vjersha” më 1945, çelën shtegun drejt metodës së realizmit socialist, pavarësisht se më vonë kjo metodë u bë gangrena e letërsisë. Poezitë e Malëshovës “Si e dua Shqipërinë” janë modele të shkëlqyera me një konceptim të ri për artin nga këndvështrimi proletar.

“S’kam çiflig e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë,

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarpë e për një gur,

Për kasollen mi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

——————————-

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë.

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisat gjethe-shumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë.

——————————–

Ku hamalli nëpër skela,

Ngarkon hekur e varela,

Këmbëzbathur bythëçjerrë

Punon vetëm për të tjerë.”

Portretin e dokerit Malëshova e jep me vërtetësi dhe mjeshtëri. Si vargjet ‘me mesazh’ ashtu edhe poezitë me motive shoqërore shquhen për muzikalitet me bukuri të jashtëzakonshme. Për këtë arsye ato mbaheshin mend me lehtësi dhe recitoheshin nga njerëz që mund t’i takoje në çdo kënd. Kështu ngjau që gjatë një stërvitje ushtarake në vitet ’70 dëgjova një oficer të recitonte vargjet:

“Këmbëkryq përmbi selishte

Po nis këngën pleqërishte,

Ndez çibukun dhe kujtoj

Djalërinë që më shkoj.”

I nxitur nga kureshtje e pyeta oficerin nëse e dinte se të kujt ishin vargjet.

-Nuk e di, – më tha,- por më pëlqejnë.

Nuk ia zbulova autorin, se mbase oficeri do skandalizohej, por u gëzova që poezia e Sejfullait ishte jetësuar në formën e vargjeve popullore, si krijime anonime, që përcillen brez pas brezi.

PARADOKSI I DEMOKRATIT TE ANATEMUAR

E kam dëgjuar shpesh pyetjen: Si shpëtoi Sejfullai? Si ngjau që Enver Hoxha nuk e pushkatoi apo nuk e burgosi atë ndërsa figura të tjera më pak të njohura dhe me më pak peshë i capërleu? Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku prej tij, as imediat, as potencial, mbasi Sejfullai ishte tip meditativ, i mbyllur në vetvete, njeri i letrave, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar si asket. Partia e eliminoi Sejfulla Malëshovën duke e dënuar me vdekje civile të ngadaltë, të mënjanuar, i lënë për tu harruar. Për mua, ironia dhe paradoksi manifestoheshin para ekraneve atëherë kur në mbyllje të çdo kongresi të PPSH-së, Byroja Politike edhe delegatët këndonin bashkarisht “Internacionalen” e poetit francez Eugjen Potje, përkthyer shqip nga ‘liberal-oportunisti’ Sejfulla Malëshova. “Internacionalja” tingëllonte paradoksale në gojën e komunistëve superdogmatikë shqiptarë, që të vetizoluar nga gjithë bota bërtisnin “për bllokadë e rrethim të egër imperialisto-revisionist”, ndërsa refuzonin ndihmat e ofruara nga shumë shtete perëndimore, sepse “vinin nga armiq të betuar të vendit të vetëm socialit”.

Sejfulla Malëshova ishte vizionar atdhedashës dhe për artin- Lame Kodra- me mendimet e tij demokratike, me krijimtarinë letrare, me përkthimet e shkëlqyera ishte prurësi i një bote të re në letërsinë dhe kulturën shqipe.

Filed Under: Politike Tagged With: Naum Prifti, pervjetori, Sejfulla Maleshova

MIC SOKOLI, NË PIEDESTANIN E NDERIT DHE TË LAVIDSË SHQIPTARE…

April 30, 2015 by dgreca

Në përvjetorin e rënies/
Shkruan: Prof. Murat Gecaj/
Mic Sokoli nji fjalë po e flet,/
i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!/
Pa u farue Malësia krejt/
këtu nuk hyn krajl as mbret!…/
Beteja e përgjakshme dhe legjendare e Slivovës, e fundprillit të vitit 1881, kundër pushtuesve shekullorë osmanë, e ngriti në piedestalin e nderit dhe të lavdisë shqiptare, birin e paharruar të Bujanit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Mic Sokol Rama. Po cili ishte ai kryetrim, që e mbylli me gjosin e tij, pa u trembur aspak, grykën e topit armik, i cili villte zjarr mbi luftëtarët tanë të lirisë?
***
Në të djathtë të rrjedhës së lumit të Valbonës, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), kalimtarëve u bie në sy një shtëpi karakteristike. Ajo është Kulla e njohur e “Heroit të Popullit” Mic Sokoli, trimit të rrallë të atyre anëve, i cili me aktin e tij mbeti i paharruar dhe i skalitur me shkronja ari, në faqet e lavdishme të historisë së brezave.
Kishte lindur në fshatin Bujan, më 1839, në një familje me tradita të shquara atdhetare. Babai i tij, Sokol Rama dhe xhaxhai, Binak Alia, ishin dalluar si udhëheqës popullorë në kryengritjet e pandërprera antiosmane. Edhe Mici, qyshë në moshën 16-vjeçare u rendit përkrah forcave popullore, në luftë kundër pushtuesve serbo-malazëzë. Siç tregojnë dokumentet arkivore, kangët popullore dhe dëshmitarët e asaj kohe, ai mori pjesë në beteja të shumta, duke lënë kudo gjurmët e trimërisë dhe të guximit.
Në vitin 1862, Malësinë e Gjakovës e sulmuan afër 12 batalione osmane, të komanduara nga Mehmet Ali Pasha. Ishin të armatosur deri në dhëmbë e të pajisur me topa malorë. Ndër trimat malësorë, që u përballën me armiqtë pushtues, ishte dhe Mic Sokoli i ri. Vargjet e këngës popullore dëshmojnë më së miri këtë gjë:
Mic Sokoli n’ armë të bardha,
vendin Pashës s’ mun’ ia fala,
n’ ujë e mbyta e armët ia ndala!
Ndërsa, duke përmendur betejat e mëvonshme, rapsodi popullor thotë:
Mic Sokoli n’ dy tagana,
-udhë e mbarë,- m’i ka thanë nana;
lufto bir-o për Shqipni,
mos i le turqit me hy!
Përgjigja e kryetrimit ishte e tillë, sa mbeti përbetim i shqiptarëve në roje të tokës amtare:
Mic Sokoli nji fjalë po e flet,
i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!
Pa u farue Malësia krejt,
këtu nuk hyn krajl as mbret!
Ndër aktet kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte dhe krijimi i ushtrisë kombëtare. Me këtë rast, nën komandën e Mic Sokolit, në Malësinë e Gjakovës u formua një batalion i posaçëm, që shërbeu si gardë e këtij Kuvendi historik. Kongresi famëkeq i Berlinit vendosi t’i jepeshin Malit të Zi tokat shqiptare të Plavës e Gucisë. Por kjo shënoi protesta të fuqishme mbarëpopullore. Në luftimet e zhvilluara, mbeti i plagosur djaloshi malësor Mic Sokoli, i cili nuk donte të kuptohej nga armiqtë dhe kërkonte ruba (fasho) për t’i lidhur plagët:
Sillni rubat, t’i lidhi varrët,
t’ lidhi varrët e ta shtërngoj shtatin,
mos t’ ma shohi asqeri gjakun…
Për t’i nënshtruar shqiptarët, Porta e Lartë dërgoi në Kosovë e në malësitë e Veriut mareshallin Ali pashë Maxhari. Po trimat shqiptarë ishin të vendosur që ta bënin “dekën si me le”. Me prijësit e shquar në ballë, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Binak Alia etj., ata bënë betimin që:
Tokën e të parëve mos m’e dhanë,
pa u mbushë vorre anë e mbanë!
Malësorët trima vërshuan drejt Gjakovës, ku ishte vendosur komanda e ushtrisë armike dhe iu shkaktuan atyre dëme të mëdha, në njerëz e armatime. Me gjithë masat e ashpra, që po merrnin ndaj shqiptarëve, ata nuk nënshtroheshin. Përsëri Porta e Lartë nisi një gjeneral tjetër gjakatar, Dervish Pashën, në krye të një ushtrie të madhe. Ndërkaq, në Malësine e Gjakovës komandantët trima, si Mic Sokoli, Ali Ibra etj., dhanë kushtrimin e përgjithshëm, me thirrjen: “Në shtatë e në shtatëdhjetë, për mbrojtjen e vatanit!’ Kënga popullore bëhet dëshmitare me vargjet:
Mic Sokoli po bërtet,
Ali Ibrës po m’i thërret:
-Merr’ bajraqet e hajde shpejt!
Më tepër se 3 mijë luftatarë malësorë u sulën drejt Slivovës. Kurse konandantët armiqë, siç dëshmon kënga popullore, pyesnin:
Ku i ka çadrat Mic Sokoli,
ku i ka çadrat, ku i ka t’ parët?/
M’ ka çue mbreti me ja çartë.
Me ja çartë m’ ka çue mbreti,
se don me kenë krejt në veti!
Pra, qëllimi i tyre ishte ta dëmtonin sa më shumë Mic Sokolin dhe forcat e tij, pasi këta donin të ishin të lirë e të pavarur. Në këto kushte, në ballë të sulmeve armike, luftëtarët e Malësisë së Gjakovës u vendosën në Grykën e Carralevës, me Mic Sokolin në ballë. Betejë e përgjakshme u zhvillua sidomos më 22 prill 1881. Luftime me armë, përleshje trup me trup. U plagosën rëndë Sulejman Vokshi, Ali Ibra etj. Në këtë kohë, Mic Sokoli printe përpara, përmes një shtegu, në ballë të luftëtarëve. Predhat armike e ndriçonin vendin për rreth. Një top i markës “Krup” villte zjarr papushim, nga një kodër përballë Grykës së Carralevës. U vranë e u plagosën disa shqiptarë. Mori plagë në trup edhe Mic Sokoli, por nuk tërhiqej.
Kënga popullore bëhet dëshmitare e atij akti tragjik, por dhe heroik e i rrallë në histori:
Mic Sokoli ban me dorë:
-Bini, shokë, se s’ mujë me folë,
se m’ ka ra do gjak në gojë;
se m’ ka ra do gjak në bark,
shtatë martine i kam në shtat…
Më tej, kënga jep një dëshmi tjetër nga ajo përleshje, për jetë a vdekje:
Man Avdia bveti (pyeti) fisin:
-A m’i patë Zmajlin e Micin?
– Fyt për fyt-o me Dervishin!…
Si një ortek mali, megjithëse me shtatë plagë në trup, Mic Sokoli iu sul me furi topit armik. Donte ta shuante atë, mos ta lente t’i vriste bashkëluftatarët dhe kështu t’u jepte atyre zemër, për t’i thyer me çdo kusht armiqtë. Me gjoksin e tij vigan e mbylli grykën e atij topi, i cili villte zjarr e hekur. Simbol i heroizimit tonë mbarëpopullor, në luftërat për pavarësi e liri, Mic Sokoli ra, për të mbetur i përjetshëm. I frymëzuar nga akti i tij legjendar, duke dashur të përmbledhë të gjithë atdhetarizmin e brezave, rapsodi popullor thuri vargjet lapidar: “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola!…”.Ai mbeti pwrherw nw piedestalin e nderit dhe tw lavdisw shqiptare.
Tiranë, 29 prill 2015

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: Mic Sokoli, Murat Gecaj, pervjetori

Përvjetori i një masakre të pashembullt

February 26, 2014 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Duke parë filmin në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që regjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Në të njejtën kohë kujtoj edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera që u degdisën në vendet më te humbura të atdheut tonë. Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj “mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik”, i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të  “vëllezërve jugosllavë” të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.

Në  rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste” thuhet: “Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara”

Ndërsa. zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi: Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi të  ketë  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke i bërë jehonë kryediktatorit të zi dhe epokës së tij si dhe duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë, duke i etiketuar kolaboracionistë të fashizmit e të tjera epitete.

Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e Komunizmit’ Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010 gjashtë ministra të jashtëm, ata  të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, zotit Ilir Meta, por ajo mungoi. Përse? Deri në vitet 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Lidhur me këtë  në një intervistë që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë,  kohë  më  parë, televizionit  “Top Channel”,  deklaroi:

Në  Gjermani  dhe  në  Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

Me vendim të qeverisë amerikane, në Washington është ngritur madhështor monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë monumentin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky monument, aq më tepër kur ekziston edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave për të? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më e theksuar këto ditë, kur kremtuam përvjetorin e rrëzimit të  atij  monumenti.  Ky  do  të  ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

Në këto çaste ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës së përmendur më sipër:

  Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.

 Një deklaratë dinjitoze e një intelektualeje dinjitoze.

          Për sa më sipër, unë mendoj se megjithëse kanë kaluar mbi njëzetetre vjet nga ndryshimi i sistemit politik, në vendin tonë vazhdon të mbizotërojë mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike dhe realitetin e sotshëm. Sot, në vendin tonë, kemi një armatë të madhe të rinjsh, të shkolluar në universitetet më në zë të botës perëndimore, me tituj dhe urdhëra të çmuar. Përse nuk thirren ata dhe të vendosen në vendet kyçe të institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore, por vazhdojnë të qëndrojnë ende figura të përlyera nga sistemi komunist?

Vajza e një mikut tim, emirante në Greqi, përfundoi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Shtatë universitete amerikane u vune në garë se kush do ta merrte. Sot ajo vazhdon studimet atje. Po Shqipëria deri kur do të lejojë t’i rrjedh truri i saj? Kur do të kujtohet për bijtë e vetë që ndodhen në botë?

Kjo pyetje kërkon përgjigje.

*   Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Filed Under: Opinion Tagged With: i nje masakre, pervjetori, reshat kripa

Gëzuar ditlindjen e parë dega e Vatres ne Jacksonville

November 18, 2013 by dgreca

Nga Lek GJOKAJ/
Vetem dhjetë dita para festimit madhështor të njëqind vjetorit të Pavarsisë së Shqipërise në skajin verior të Florides në qytetin e Jacksonvilles qytet që i uron çdo turisti të botës mirëseardhjen në Florida disa shqiptarë më ëndrrën e Nolit e Konices, më ëndrrën e bashkimit të diaspores shqiptare formuan degen e shoqatës Pan Shqiptare Vatra.Ishtë kjo një foshnjë e sapo lindur që sot mbush një vit.Është rritur, ka ditlindjen dhe dëshirën e zjarrtë që të burrërohet.
Rruga e saj nuk ka kthesa, është e drejte , e njejte dhe kuptueshme si për një lares pjatash apo një inxhinier, avokat, mesues, shkëncar, pensionist apo të ri.Sigurisht që do të ketë ditë me shi dhe dite me diell.Dikush që interesin personal e vendos mbi interesat e Vatres do ta kuptoje së ka hyre gabim dhe nuk është i përgaditur për kete mision të shenjtë të Vatres dhe do kthehet pse jo edhe pak i turpërur andej nga erdhi.Vatra ka kapërcyr një shekull dhe çdo ditë mundohet që të kete një frymarrje sa me të mire jete.Ka një kanunore(Status) perfekt që me një figuracion artistik mund ta quash një “kushtëtute të vogel” amerikane që ka nevojë për ndryshime të vogla por jo radikale sepse ndryshe nuk vazhdojme dot ëndrrën e Nolit e Konices.
Gezuar ditlindjen e pare Vatra e Jacksonvilles sot me 18 Nentor.Edhe shekuj të tjete.Edhe qindra e qindra shqiptare që jetojnë në Jacksonvillë u befshim sa me pare pjese e familjes tende.Atdheu na do.Vertete jemi larguar për një jete me të mirë por nëna Shqipëri nuk i harron femijet e saj, loton nga malli per ne, loton së akoma Atdheu po vuan, loton kur sheh gjymtyret e saja të coptuera në pese shtete por edhe gezohet.Gezohët për cicerimat e femijeve, gezohët për shqiptaret mërgimtare që ia nderojne faqen Shqiperise kudo që jetojne neper bote.
Gëzohet dhe i buzëqesh shpirti sa here që degjon emrin e Vatres të ketij djepi të shqiptarizmit që ka ndihmuar pa cak Shqipërine , Kosoven në pika kyqe të historise se saj dhe tani në shekullin e ri po punon që kjo ndienje shqiptarie të mos shuhet, që brezi i ri të mos asimilohet por si Arbereshet e Italise te bashkoje bashkë edhe shqiptaret në diasporen e Amerikes qe të ruajnë kulturen, historinë dhe gjuhen e ëmbël shqipe.

Gezuar ditlindjen dega e Vatres së Jacksonville Florides!..Gëzuar !..

Filed Under: Featured Tagged With: dega jacksonville, Lek Gjokaj, pervjetori

URIMET MË TË MIRA PËR VALENTIN LUMAJ!

October 20, 2013 by dgreca

Nga Pjetër Jaku/

Vatranët e Degës së Michighanit, me datën 18 Tetor 2013, përkujtuan ditëlindjen e njërit prej veprimtarëve të kësaj Dege, Valentin Lumaj. E përcaktuar si një nga nismat më të mira të vatranve të Michiganit, përkujtimi i ditëlindjeve dhe rasteve të tjera, jo vetëm që kthehen në një festë, si një darkë e madhe familjare, por edhe shtrohen projekte për takime e aktivitete të tjera të kësaj dege, herë edhe bëhën analiza e  jepen opinione, pa e prishur karakterin miqësor të tyre.

Përgaditjet e tyre  janë për meritë të Kafe “Kuvendit”, ndërsa  darka  e mrekullueshme e kësaj nate ishte meritë e aktivistës më të re të Vatrës dhe mikes së  “ Kuvendit”, Aida Gjergji.

Në këtë rast, festën e  hapi Sekreatri i Degës së Vatrës, Mondi Rakaj, i cili shkurtimisht vuri në dukje miqësinë me Valin dhe rëndësinë e këtyre aktiviteteve kaq të mira e shumë domethënëse. Më pas, Valentinin e përshëndeti  Alfosn Grishaj, i cili vuri theksin te veprimtaria e Valentinit në vitet e vështira të ndryshimeve dhe, veçanërisht si pjesëmarrës i demostratave të prillit 1991, kur Valentini ishte student. Julian Çefa nenvizoi se e kishte njohur vonë Valentinin dhe, pikërisht në 100 vjetorin e Vatrës në New York. Jam i bindur, – vazhdoi Juliani,- se kam njohur një njeri të mrekullueshëm dhe është nder që në radhët tona kemi njerëz të mirë si Valentini. Pokështu, Valentinin e përshëndetën edhe Nevrus Nazarko, Kujtim Qafa,  Pal Rakaj e Luvigj Stërbyçi.

Valentini i përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke e vlerësuar si një nder të madh që i bëhej  për këtë rast. Të gjithë vatranët e kësaj dege i përshendes, pasi në të vërtetë po bëjnë punë të mira që kur janë krijuar. Poashtu, – vazhdoi Valentini, – një përshëndetje të veçantë kam për Dom Ndue Gjergjin, që krahas punëve të shumta që ka në famullinë e tij, gjeti kohën të vij në këtë mbrëmje, të cilen miqtë e mi e kanë organizuar kaq mirë.

Dom Ndue Gjergji në fjalën e tij e theksoi më të madhe rëndësinë e gjetjes së njerëzve të mirë si Valentini. Te tillë, – tha Dom, Ndoi, – jam i sigurtë se ka shumë në komunitetin tonë. Është meritë e Vatrës,   organizatës më të  madhe, e cila luajti rolin e shtetit të parë shqiptar, kur në Shqipëri ende nuk kishte trokitur Pavarësia, që e gjeti Valentinin dhe e bëri të saj, ashtu siç edhe ne e kemi bërë pjesën e  trupit tonë të mirë.

Në muzikën e  Bedri Rukaj dhe përcaktimin e  projketeve  të reja për të arthmen, mbrëmja kaloi në një atmosferë gazmore.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: 18 tetor, pervjetori, Pjeter Jaku, Valentin Lumaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT