• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Petraq Zoto, ende dëgjojmë rrëfimin tënd!

September 13, 2015 by dgreca

Shkruan: Raimonda Moisiu/

Aty ku ka jetë, ka edhe vdekje. Edhe pse një sentencë e njohur kjo, ne përsëri gjejmë forcë e dashuri, të ngushëllojmë veten, duke menduar se jeta dhe drita e trashëgimisë që njeriu lë pas, vazhdojnë përjetësisht, pas vdekjes. Shumë artistë, poetë, shkrimtarë dhe të tjerë njerës të vlerësuar nga koha e historia,ne ende i dëgjojmë rrëfimet e tyre, sepse ata vazhdojnë të jetojnë përmes këtyre rrëfimeve, teorive, artit dhe ideve. Ata bëhen të pavdekshëm, se janë magjia e ndjenjës dhe thellësia e mendimit, të sigurtë për vlerën e tyre, ata vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e jetës dhe botës sonë, pavarësisht se nuk frymojnë apo të jenë fizikisht mes nesh. Jo se ata sa kanë qenë gjallë kanë kërkuar famën, por ata e kanë arritur atë parakohe me veprat e tyre, ndikimin e thellë të këtyre veprave në shoqëri, art, kulturë dhe historinë e një kombi. Shkrimtarët jo vetëm pasqyrojnë dhe rrëfejnë jetën, por ata i japin frymë asaj dhe formësojnë shoqërinë në të cilën jetojnë dhe marrëdhëniet njerëzore, ndryshojnë mënyrën e të konceptuarit të botës, jetës dhe të situatave sociale dhe historike, që ata i shprehin përmes artit të të shkruarit, ndaj të tashmes së paqëndrueshme, të ardhmes që shfaqet në horizontin e largët dhe të kaluarës në perëndimin e largët. Para pak ditësh u nda nga jeta një prej shkrimtarëve më të mirënjohur, pionier i letrave shqipe, një burrë plot virtyte, mik, koleg bashkëshort i devotshëm dhe një artdashës i çmuar, shkrimtari korçar, Petraq Zoto. Ajo ç’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korçar Petraq Zoto, sepse ai ishte aq i ëmbël në pamje, po aq edhe i ëmbël në penë, dhe mbi të gjitha i përkiste binomit jetësor njeri dhes shkrimtar. Ndjej një emocion të veçantë teksa shkruaj këtë esse, për këtë kitarë të çmuar korçare, që mbeti varur përjetësisht në degën e blertë të blireve të Korçës sonë, jo vetëm sepse rrëfimet e tij i kam lexuar që në fëmijërinë time, si një shkrimtar i letërsisë për fëmijë, por edhe më pas, eruducioni i tij si shkrimtar dhe intelektual ka hedhur dritë në shumë aspekte të krijimtarisë sime, një dritë aq të fuqishme, sa unë më pas u bëra një vëzhguese e krijimtarisë së tij letrare, deri edhe në intervistimin e këtij njeriu të shquar të letrave shqipe. Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, shkrimtari Petraq Zoto në veprat e tij, zotëronte një ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës, mjeshtër i rrëfimit dhe fjalës së përkorë. Ai ka shkruar tregime dhe romane, që përhapnin tinguj e aromë lulesh. Sa shpirt njerëzor ka në veprën e tij! I pëlqente të eksperimentonte me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sillte në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij disa dekada.

Petraq Zoto, Origjina, shkollimi dhe fillesa në udhëtimin e gjatë krijues

Petraq Zoto ka lindur në Ziçisht të Devollit, një fshat arsimdashës dhe me kulturë të hershme. Karakteristikë e këtij fshati tradicional e historik janë shtëpitë dykatëshe dhe rrugët e bukura të shtruara me kalldrëm. Fshat i njohur ndjeshëm për kitarat e serenatat që në vitet ’30-të, ku bëheshin mbrëmje vallëzimi dhe këndoheshin serenata, dhe një veçori se martesat në përqindjen më të madhe lidheshin nëpërmjet dashurisë. Nga Ziçishti kanë dalë vazhdimisht personalitete të spikatura të artit, kulturës, shkencës e historisë, sikundër Evllogjio Kurila, Doktor i shkencave në filologji e histori, që në fillim të shekullit të kaluar, mitropolit i Korçës në vitet ’30; Kosta Çekrezi, një ndër personalitetet më të shquar shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX;nga Ziçishti ishte edhe Llambi Andrea, i cili solli automobilin e parë në Korçë.As vetë Mjeshtri i rrëfimit, Petraq Zoto nuk e mbante mend se kur qartësisht kishte filluar të shkruante. Në rininë e tij të hershme ka qenë i pranishëm në një takim me një nga shkrimtarët shqiptarë më në zë të shekullit XX-ë, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern që evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve, Sterjo Spasse. Trupmadh me flokë të gjatë e të dredhur përfund, sikundër e përshkruan Petraqi në një intervistë, të cilin e shihte me kërshëri të zbulonte ç’gjë të veçantë kishte ai njeri, Sterjo Spasse, që ishte bërë tashmë një shkrimtar i mirënjohur. Gjimnazisti pasionant i letërsisë nga Ziçishti, i mrekulluar dhe dashamirës i krijimtarisë së tij, i afrohet dhe i thotë se ka lexuar një roman të tij dhe gjatë leximit bënte përqasjen e personazheve të romanit me njerëzit që njihte dhe e rrethonin. Sterjo i hedh vështrimin, duke e parë me vëmendje dhe e inkurajon: “Lexo sa më shumë, dhe provo të shkruash!”. Shkrimi i parë i Petraq Zotos lindi pikërisht nga mbresat rreth atij takimi me shkrimtarin e shquar, dhe ja dërgoi gazetës “Zëri i Rinisë”, që për fatin e shkrimtarit të ardhshëm, nuk u botua kurrë. Por, Zoto nuk u dekurajua, dhe ndërkohë nisi të shkruajë tregime. Tregimet e para ia con shkrimtarit tjetër të mirënjohur nga fshati i tij, Sotir Andonit, i cili i tregon edhe sekretin se si punohet me tregimin. Pasionin për të shkruar dhe hedhur në letër gjithçka që i shihte syri e mendja, përvojat jetësore, Zoto filloi ta perfeksiononte duke frekuentuar rrethin letrar pranë pallatit të kulturës Korçë, një nga rrethet më aktivë të kohës, ku bëheshin diskutime të shumta krijuese, të krijimtarisë të Zotos, të Teodor Laços dhe të Koci Petritit, shokë e shkrimtarë që i përkasin një gjenerate të artë, duke lexuar krijimet e njëri tjetrit dhe bisedonin për to, por që ishin një shkollë e vërtetë letrare. Tregimi i parë që iu botua ka qenë një tregim për almanakun te “Korça letrare”, tregim që u përzgjodh nga vetë shkrimtari Andon Mara. Një tjetër iu botua në gazetën “Pionieri”, pastaj dhe një në faqen letrare të revistës “Ylli” e kështu në vijim. Ky ishte fillimi. Këto botime e inkurajuan dhe Petraq Zoto vazhdoi të shkruante në udhëtimin e gjatë krijues të tij deri në fund të jetës. Botoi librin me tregime për fëmijë, “Tirka”, të cilat i dërgoi në konkursin kombëtar të vitit 1966 dhe vlerësohet me Çmimin e tretë. Më pas Petraq Zoto zhvendoset nga fshati në Korçë, ku kalon pjesën më të rëndësishme të jetës së tij. Qyteti i Korçës e bëri për vete djaloshin nga Ziçishti, qysh herët, si qyteti që i priu lëvizjes kombëtare dhe kulturës së artit shqiptar. Korça e shkollës së parë shqipe dhe e Liceut Francez me kontribut universiteti, qyteti i serenatave e i korit pasionant karakteristik dhe i teatrit brilant, sikurse i një aradhe shkrimtarësh e artistësh me emër në mbarë vendin, mes të cilëve shkrimtari Petraq Zoto punoi e krijoi dhe e afirmuan atë si shkrimtar dhe si drejtues në sferën e kulturës dhe të artit. Për më se 30 vjet, Zoto ka qenë drejtor i Pallatit të Kulturës, pastaj i Teatrit, kryetar i degës të Lidhjes së shkrimtarëve e të Artistëve me 120 anëtarë. I inspiruar nga patriotët Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno, Vani Kosturi, Sevasti Qiriazi e të tjerë në vitin 1981-ë, botoi një libër me tregime historike. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje.

“Letërsia nuk është një fushë beteje, ku shkrimtarët kacafyten për t’i rrëmbyer trofetë njëri-tjetrit, por një arë e madhe, në të cilën çdonjëri punon një ngastër, e mbjell, e selit me përkushtim dhe vjel frutin e dëshiruar. Pra, secili ka pjesën e vet dhe mund të bëjë të vetën, thënë ndryshe, me çdo libër të tij të ri, të sjellë një vlerë të re letrare”, kjo është thënie brilante, kredoja e Petraq Zotos!

Në fjalën artistike të Petraq Zotos dëgjohej Mitrush Kuteli në bashkëbisedim me Vangjush Mion. Zoto ishte një rrëfimtar i talentuar dhe krijonte karaktere realiste bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësve të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Dritero Agolli, Sotir Andoni, Vasil Xhaçka, Teodor Laço, Vangjush Ziko, Petraq Kolevica, Petraq Samsuri, e cila vijon më tej, me më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, Skënder Rusi, Ylber Merdani, Kostaq Duka, etj, etj.

Shkrimtari i mirënjohur korçar Petraq Zoto si një pionier i letrave shqipe, mbetet një rrëfimtar terrifik, zotëronte talentin dhe forcën letrare –artistike në ndërtimin e karaktereve realistikë me një sens të mprehtë; të së mundshmes e të paparashikueshmes, një vështrim të brendshëm dhe ndjeshmëri mahnitëse, stil poetik që synonte subjektin e vështirë, ta transformonte në një subjekt të dritës e shpresës, arrinte të depërtonte brenda të bukurës e njerëzores.

Postscriptum

Petraq Ilia Zoto lindi në Ziçisht të Devollit më 20 dhjetor 1937. Ka kryer Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, degën gjuhë-histori, pastaj edhe Universitetin e Shkodrës, degën gjuhë-letërsi.Afro dhjetë vjet punoi në arsim, mësues në Devoll dhe në Korçë. Në vitin 1969 u emërua drejtor i pallatit të kulturës të Korçës, më pas drejtor i teatrit “A. Z. Çajupi”. Në dhjetor të vitit 1986 u shkarkua nga detyra për një koncert recital që u konsiderua me shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste. Ndaj kësaj mase reaguan mjaft shkrimtarë e artistë, së pari Dritëro Agolli, kësisoj u rikthye në detyrë në tetor 1988. Në vitet 1981 – l991 ka qenë edhe kryetar e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për rrethin e Korçës. Petraq Zoto mbylli sytë përgjithmonë me 6 Shtator 2015, në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë bashkëshortes, Tatjana, me vështrimin nga qyteti i magjishëm i Korçës nuse e plakë, ku dhe mori jetë nektari i krijimtarisë së tij letrare. Librat e shkruar prej tij, me krenari mbajnë emrin dhe mbiemrin Petraq Zoto- të njërit prej mjeshtrave të letrave shqipe. Prehu në Paqe, Mjeshtër i Rrëfimit dhe Fjalës së Përkorë!

Veprat dhe çmimet e shkrimtarit Petraq Zoto

Vëllime me tregime: -Dritat nuk u shuan,1967,/Taksia u ndal te kthesa,1969,/Kumbimi i një krisme,1975,/ Bredhi i gjelbër,/1981,/Nesër bëhet vonë,1986,/Enigma e një ftese 2014-ë.

-Libra për fëmijë e të rinj, me tregime: -Mësuesi im i parë, 1966,/Ndërgjegjja 1967,/ Tregimet e një nxënësi,1968,/Tregime,në greqisht-Tiranë,1968,/Mëngjesi i përflakur,1972/Mësuesi i parë,/ Prishtinë,1968,/Tregimet e një nxënësi,botim për lexime jashtë klase,Prishtinë,1972,/Tregime të zgjedhura,1975,/ Ndërgjegjja,botim për lexime jashtë klase,Tiranë,1976,/Dy buzëqeshje,1981,/Gjahu i së dielës,1984.

-Romane: Verka ,1971,/ -Për sot dhe për ditët që vijnë,1978, Kali fluturues 1989, -Bishti i dhelprës,1997, Burimi i drerit,1999,/Genta, 2004,/Vetja tjetër,2010-ë.

–Çmime kombëtare: -Tirka, Cmim i III 1966(u botua në dy libra :Mësuesi im i parë 1966 dhe Ndërgjegjja 1967,/Tregimet e një nxënësi, çmim III, 1969,/Mëngjesi i përflakur, çmim II, 1971,/ Sot erdhi dita, çmim III 1978 (u botua me titullin; Për sot dhe për ditët që vijnë,/ Gjahu i së dielës -libri më i mirë për vitin 1984 në prozën shqiptare për fëmijë e të rinj,/Nesër bëhet vonë, çmim II,1986,/Kali fluturues, çmim III,1989,/Bishti i dhelprës, çmimi “Ezopi” nga shoqata mbarëshqiptare e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj dhe ambasada greke në Tiranë, 1998,/Burimi i drerit, “Penda e argjendtë”, viti 2000.Kohët e fundit jetonte në Tiranë dhe punonte në shtëpinë botuese “Mësonjëtorja”, redaktor i botimeve letrare.

Filed Under: ESSE Tagged With: ende dëgjojmë, Petraq zoto, Raimonda Moisiu, rrëfimin tënd!

NDERROI JETE SHKRIMTARI PETRAQ ZOTO

September 7, 2015 by dgreca

Nga Raimonda Moisiu/

Shuhet  shkrimtari i mirënjohur  korcar Petraq Zoto-ky rrëfimtar terrifik, Pionier i letrave shqipe./

*Tronditet komuniteti i Letrave Shqipe, dhe Klubi i Shkrimtareve “Bota e Re”, Korce!/

 *Rest in Peace MJESHTER I Rrefimit dhe Dialogut!/

Ajo c’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto, është se ai në radhë të parë i përket binomit jetësor Njeri & Shkrimtar. Njeriu që transmetonte  mesazhin hyjnor të dashurisë njerëzore. Kjo,  jo për shkak  se ka lindur në Ziçishtin e dashurisë e të traditës kulturore,  por sepse ai ka sjelle  për lexuesin tregime e romane me dashurinë e një zemre humane. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit  personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje.  Zoto është një rrëfimtar i talentuar dhe krijonte karaktere realiste  bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësive të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Sotir Andoni,  Teodor Laco, e cila vijon më tej më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, etj, Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, zotëronte një  ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës. Ai ka shkruar dhjetra  tregime e romane.  I pëlqente  të eksperimentonte  me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sillte  në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij dhjetravjecare. Shkrimtari i mirënjohur  korcar Petraq Zoto si një pionier i letrave shqipe, mbetet një rrëfimtar terrifik, zotëronte  talentin dhe forcën letrare –artistike në ndërtimin e karaktereve realistikë me një sens të mprehtë; të  së mundëshmes e të paparashikueshmes, një vështrim të brendëshëm dhe ndjeshmëri mahnitëse, stil poetik , që synon subjektin e vështirë, ta transforomjë në një subjekt të dritës e shpresës, arrinte të depërtonte  brenda të bukurës e njerëzores.

Si intelektuale e shkrimtare, si mike e kolege, bashkeqytetare e Korces  me Shkrimtarin e Shquar Petraq ZOTO, por edhe si Kryetare e Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane ne Diaspore dhe Anetare e Kryresise se Klubit te Shkrimtareve Korcare  “Bota e Re”-i kerkoj Ministrise se Kultures znj. te nderuar Mirela Kumbaro, Keshilltarit Diplomatik per Artin e Kulturen Shqiptare prane Kryeministrise, – i referohem z. Fate Velaj-te hapin dyert e Ministrise se Kultures -qe miq e mikesha, kolege e shoke, dashamires te krijimtarise se Shkrimtarit , Mjeshterit te Rrefimit e Dialogut, te Shquarit Petraq Zoto, – i ndare sot nga jeta -t’i behen Nderet dhe Homazhet, nga Bota e letrave Shqipe, nga miq e kolege te aferm e njerezit e tij te dashur,nga krejt Shoqeria Shqiptare per t’i dhene Lamtumiren ketij njeriu qe i ka dhene aq shume Letrave Shqipe!

Raimonda MOISIU

Anetare e Kryresise se Klubit te Shkrimtareve Korcare  “Bota e Re”

Filed Under: Kronike Tagged With: nderroi jete, Petraq zoto, Raimonda Moisiu, shkrimtari

Shkrimtari Petraq Zoto në udhëtimin e gjatë krijiues!

December 20, 2013 by dgreca

Intervistë me shkrimtarin Petraq Zoto/

Bisedoi:Raimonda Moisiu/

Ajo c’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto, është se ai në radhë të parë i përket binomit jetësor Njeri & Shkrimtar. njeriu që transmeton mesazhin hyjnor të dashurisë njerëzore. Kjo,  jo për shkak  se ka lindur në Ziçishtin e dashurisë e të traditës kulturore,  por sepse ai sjell për lexuesin tregime e romane me dashurinë e një zemre humane. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit  personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje.  Zoto është një rrëfimtar I talentuar dhe krijon karaktere realiste  bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësive të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Sotir Andoni,  Teodor Laco, e cila vijon më tej më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, etj, Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, zotëron një  ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës. Ai shkruan tregime e romane.  I pëlqen të eksperimentojë me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sjell në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij dhjetravjecare. Ai  vazhdon të shkruajë e të na befasojë  në  udhëtimin e gjatë  të krijimtarisë e tij…

Për më tepër ndiqni bisedën që unë bëra me shkrimtarin e shquar Petraq Zoto.

 

  -Kur e mësuat se lindi pasioni e dëshira për të shkruar?  Si keni mundur të arrini deri këtu?

– Fillimin zor ta ketë kush qartësisht të përcaktuar. Në rininë e hershme isha i pranishëm në një takim të Sterjo Spasses me lexuesit. Trupmadh, me flokë të gjatë e të dredhur përfund, e shihja me kërshëri të zbuloja ç’gjë të veçantë kishte ai njeri që tashmë ishte shkrimtar i mirënjohur. Gjeta rastin e i thashë se kisha lexuar një roman të tij dhe se bëja përqasje ndërmjet personazheve e njerëzve që njihja. Ai më pa me vëmendje. Lexo sa më shumë, më tha. Dhe provo të shkruash…Që atë ditë bëra një shkrim me mbresa nga takimi me të, e dërgova në gazetën “Zëri i rinisë” e prisja të botohej. Nuk u botua, po ndërkohë nisa të shkruaja tregimet Bëra disa, dy ia çova Sotir Andonit, ai më tha si punonte me tregimin. Pastaj frekuentova rrethin letrar pranë pallatit të kulturës në Korçë, një rreth tejet aktiv, bënim diskutime të shumta krijuese, ia lexonim krijimet njëri-tjetrit e bisedonim për to, një shkollë e vërtetë letrare. Në atë kohë shokët e mi të afërt ishin Teodor Laço e Koçi Petriti. Mbaj mend se Andon Mara më përzgjodhi një tregim për almanakun “Korça letrare”, një tjetër m’u botua në gazetën “Pionieri”, pastaj dhe një në faqen letrare të revistës “Ylli” e kështu në vijim. U inkurajova e shkruaja vazhdimisht, pas një kohe tregimet për fëmijë i mblodha në një libër me titullin “ Tirka” e i dërgova në konkursin kombëtar të vitit 1966, ku u vlerësua me çmimin e tretë. Kështu qe fillimi.

  – Ku qëndron forca juaj për të ecur përpara? Është ambicje , sfidë apo të dyja bashkë?

Më tepër dëshira për të bërë sa më shumë, për t’ia vjelë të gjitha frytet e mundshme jetës e për të shtuar vlera të reja.

  – Cili është elementi më i rëndësishëm dhe interesant për të shkruar  prozë të suksesshme? 

– Përveç talentit, të kesh jetë të pasur dhe kulturën e nevojshme letrare. Këto jo përherë varen nga autori, por ai mund e duhet t’i kompletojë vazhdimisht.

 -Kur e mësuat se mund të shkruani  prozë? Si ju lindi ideja të bëni novelë dhe roman?

– Besoj se kjo ka të bëjë me prirjet krijuese. Krijimtarinë e mirëfilltë letrare e  nisa me tregime, më vonë erdhi edhe romani. Atëherë isha mësues e shkrova romanin “ Verka”, në të cilin pasqyroja jetën e një klase të shtatë. Mësuesit e pritën me kënaqësi, bënin  lexime jashtë klase me të e shpreheshin me entuziazëm. Në atë kohë jo unë, por as letërsia jonë s’kishte përvojë në prozën e gjatë për fëmijë e të rinj ( dy romane të mëparshëm, “Debatiku” i S. Vaqarit dhe “ Shpella e piratëve” e P.Markos ishin hequr nga qarkullimi për shkak të autorëve). “Verka” pra, ishte përvojë e inkurajim.

  – Sa kohë ju merr shkrimi i një libri?

– Nuk është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë. Librin “Gjahu i së dielës” e kam shkruar brenda një muaji, romanin në punim e hodha në letër gjatë dimrit 2005-2006, iu riktheva në fillim të vitit 2009 e them ta përfundoj brenda gushtit 2010.

  – Si ka mundësi që ju shkruani kaq shumë dhe nuk konfuzoheni aspak në shkrimet tuaja?

– Më parë shkruaja shpejt dhe po shpejt i çoja për botim. Me fitimin e përvojës, mënyra e të shkruarit s’ka ndryshuar; kur jam i frymëzuar, shkruaj vrullshëm, shpesh trembem se mos më zbehen a më shuhen ato që kam në mendje, mirëpo prej kohe nuk ngutem më për botim, krijimet  i mbaj gjatë në dorë e iu rikthehem e i ripunoj vazhdimisht. Po të mos ndihem mirë e s’më ecën, nuk shkruaj, por bëj punë përgatitore ose merrem me ndonjë rishikim të krijimeve në proces.

Në fillim kam shkruar vetëm tregime, më pas edhe romane, pra kam qenë i qartë në prirjet e mia e s’kam ndier kurrfarë konfuzioni.

-A keni bërë poezi?

– Kam shkruar edhe poezi, po s’pata nxitje për t’i botuar, as për t’iu kushtuar poezisë.

– Si e balanconi jetën midis të qenit shkrimtar dhe familjar?

– Njerëzit e mi përherë kanë qenë të përkushtuar ndaj meje, pasi puna si drejtues i  institucioneve kulturore e artistike më merrte shumë kohë. Punoja  para e pas dite, krijimtarisë  i kushtohesha kryesisht kur e merrja lejën krijuese.  Tani ndihem mjaft i qetë në këtë aspekt.

    -Kur shkruani një libër, ç’ aspekt është më i vështirë, shtjellimi  i personazheve apo i ngjarjes në tërësi? 

– Asnjëherë s’ndodh të kem një rend të caktuar. Bëj kujdes t’i hedh sa më parë ato që më shtjellohen në kokë, pastaj vijoj me çfarë kam më të qartë. Qysh herët përvijohet një piketim i librit e  i personazheve, punoj qetësisht kur arrij ta fiksoj hyrjen dhe fundin. Shpesh një gjetje e bukur të bën me krahë. Fjala vjen, para se të shkruaja romanin “Genta”,e kisha të qartë mesazhin, i cili thotë se sa keq është kur mendohet për martesën pas martesës. Si krejt të veçantë do të përmendja ciklin me tre romane fantastike, ideja për të cilët më lindi menjëherë, pasi lexova librin e Thimi Mitkos “ Bleta Shqiptare”.

– Jam impresionuar sa mirë i trajtoni personazhet në tregimet dhe romanet tuaja. Si ia arrini kësaj?

– Sado e fuqishme qoftë, fantazia e shkrimtarit nuk i krijon dot gjithë ata tipa që na ofron me bujari jeta njerëzore. Krijuesi  zgjedh ndër tipat e përafërt që ka njohur e i plotëson sipas synimeve të tij artistike. E rëndësishme është të ketë jetë aktive, pra t’i njohë njerëzit.

    – Cilët janë librat që ju keni punuar në të njëjtën kohë?

– Nuk punoj me dy a më tepër libra njëherësh. Madje më duket disi e çuditshme që një autor të lëvrojë disa gjini e lloje letrare. Krijimtaria e suksesshme do përqendrim sa më të plotë. Vetëm në dy raste më ka ndodhur të merrem me dy libra në të njëjtën kohë, më mirë të them njëri i hyri në hise tjetrit. Në verën e vitit 1984 isha me lejë krijuese e po punoja për vëllim me tregime “Nesër bëhet vonë”. Befas, një mëngjes vetiu nisa të shkruaja diçka tjetër, një tregim për fëmijë. E shkrova me një frymë e vazhdova tregimet me personazhe kafshë e mbresa gjuetie. Në 24 ditë shkrova 18 tregime. E përfundova edhe librin për të rritur, të dy fituan çmim të dytë në konkursin letrar të atij viti, ditën e fundit u vendos që një autor të mos merrte më shumë se një çmim, kështu m’u dha vetëm ai për “ Nesër bëhet vonë”. Por tjetri, “Gjahu i së dielës”, e nisi mbarë dhe në vitin pasues u vlerësua si libri më i mirë i viti 1984 në prozën shqiptare për fëmijë e të rinj. Një gjë e ngjashme më ka ndodhur edhe me romanin “Kali fluturues”.

    – A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot? Ç’ mund t’u thoni kritikëve të sotëm?

– Tani kritika është sporadike, s’ka më institucion kritike, dua të them s’ka ndonjë organizëm që të inkurajojë kritikën. Bëhen promovime, shpesh të bujshme, ku shokë e miq të autorit flasin për librin që promovohet, pastaj mendimet e tyre i publikojnë në shtyp e media televizive si arritje të veçanta në letrat shqipe. Kohët e fundit lexova dy shkrime vërtet cilësore nga Gëzim Alpion, njëri për një libër të Thanas Jorgjit, tjetri për romanin e fundit të Visar Zhitit, dhe një shkrim mbresues nga Ardian Kyçyku kushtuar një novele të Istref Haxhillarit. Përveç nivelit të lartë të trajtimit, është kënaqësi të vëresh se të dy studiuesit nuk druhen aspak të bëjnë vlerësime të larta edhe për autorë që s’janë aq shumë të njohur.

    – Të largohemi paksa nga tema. Jeni nga Korça. Çfarë nënkupton vendlindja për ju?

– Unë kam lindur në Ziçisht, një fshat me shtëpi dykatëshe e rrugë të shtruara me kalldrëm  ku që në vitet ’30 bëheshin mbrëmje vallëzimi e këndoheshin serenata dhe martesat lidheshin përmjet dashurisë. Fshat arsimdashës e me kulturë të hershme, ka nxjerrë vazhdimisht personalitete të spikatura. Nga Ziçishti  kanë qenë Evllogjio Kurila, doktor i shkencave në filologji e histori që në fillim të shekullit të kaluar, mitropolit i Korçës në vitet ’30; Kosta Çekrezi, një ndër personalitetet më të shquar shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX; Vasil Xhaçka, Sotir Andoni, mjaft shkrimtarë të rinj si Thani Naqo, Andon Andoni, Gjergji Dushku, Llaqi Zoto, profesorë e doktorë shkencash, artistë. Nga Ziçishti qe Llambi Andrea, i cili solli automobilin e parë në Korçë.

Në Korçë kam kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës sime. Korça u bë qyteti im dhe unë qytetari i saj i përkushtuar. Më bëri për vete qysh herët qyteti që i priu lëvizjes kombëtare dhe kulturës e artit shqiptar, Korça e shkollës së parë shqipe dhe e Liceut me kontribut universiteti, qyteti i  serenatave e i korit pasionant karakteristik dhe i teatrit brilant, sikurse i një aradhe shkrimtarësh e artistësh me emër në mbarë vendin, ndërmjet të cilëve punova e pata mirëkuptim, dhashë e mora mirënjohje. Korça më afirmoi si shkrimtar e si drejtues në sferën e kulturës e të artit, për më se 30 vjet kam qenë drejtor i Pallatit të Kulturës, pastaj i Teatrit, kryetar i degës të Lidhjes së shkrimtarëve e të Artistëve me 120 anëtarë. I inspiruar nga patriotët Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno,Vani Kosturi, Sevasti Qiriazi e të tjerë në vitin 1981 botova një libër me tregime historike. Për Korçën refuzova dy emërime të konsiderueshme në Tiranë.Bashkëshortja ime është po ashtu korçare, qytetin e magjishëm e kemi përherë me vete, në trevën e saj e ka marrë dhe e merr nektarin krijimtaria ime letrare.

    – Cili është shkrimtari Petraq Zoto për lexuesin shqiptar?

– Autor i disa librave të vyer për fëmijë, mosha e adoleshencës së hershme. Një cikël prej tre romanesh me pikënisje nga përrallat e hershme shqiptare dhe “ Gjahu i së dielës” po ribotohen shpesh, çka  dëshmon vlera të qëndrueshme artistike e jetëgjatësi, gjë fort e dëshiruar për çdo shkrimtar. Me botimet e fundit, ( romani “Genta” e libri me tregime “Universi njeri”),  dhe me romanin në përfundim e tregimet e zgjedhura që synoj t’i përgatit së shpejti, them se sjell kontribut dhe në prozën për të rritur.

    – A jeni zhgënjyer ndonjëherë?

– S’besoj të ketë njeri pa zhgënjime, veçanërisht një shkrimtar. Sapo del nga shtypi një libër i ri, bëhem kritik i vetes. Por kam edhe libra që, edhe pas botimit, vijoj t’i dua e s’resht së ripunuari, fjala vjen, romani “ Burimi i drerit” këtë vit pati botimin e 8-të të përmirësuar.

    – Sot vemë re një mërgim të inteligjencës shqiptare. Si e shikoni ju të ardhmen e Shqipërisë?

-Mërgimi i postdiktaturës ishte tronditës. Është e dhimbshme të mendosh sa shumë intelektualë e lanë vendin e bëjnë punë të rëndomta, por dhe kënaqësi që shkrimtarët e  vazhdojnë me sukses krijimtarinë e tyre, sikurse brezi i ri po shkollohet e afirmohet në vende të zhvilluara. Nga ana tjetër, kombi ynë është vital, gjeneron vlera. Në fillimet e demokracisë kujtonim se do të qe e lehtë, s’na doli kështu, kemi pësuar mjaft zhgënjime, por e ardhmja tashmë s’vihet në dyshim, besoj në një të ardhme evropiane.

– Ç’është dashuria për ju? Cilat janë dashuritë tuaja? Sa i ruani ato brenda shpirtit ? Kur e ndjen se një burrë  ka të tilla në jetë?

– Dashuria në kuptimin e gjerë të fjalës, për njeriun e jetën, natyrën, të bukurën e të mirën dhe të drejtën, po edhe në kuptimin më të ngushtë,  është pjesë e jetës. Duke pasur një ndjeshmëri të lartë, krijuesit janë më të prekshëm prej saj. E jetuar a virtuale, kalimtare apo jetëgjatë, sido qoftë, dashuria injekton prushitjen e shpirtit krijues dhe të vetë krijimtarisë. Kur privohet nga  një dashuri, njeriu bëhet edhe më i dëshiruar ndaj dashurisë. Njëzet vjet që jetoj me Tatianën, herë më duket se tani sapo jemi njohur, herë të tjera se së bashku kemi qenë gjithnjë. Lexuesja e parë e krijimeve të mia, prej saj e pres miratimin e parë, sikurse edhe sugjerimet për përmirësime të mëtejshme. Ajo bën përkujdesjen letrare të librave të mi. Dhe e bën me zell e dëshirë, me dashuri.

    – Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit ?

– Prej vitesh nuk përzihem shumë në mjediset krijuese, le që tashmë thuajse mungojnë krejt. Në këtë vështrim klubi Bota e Re përbën oazin e një klime të frytshme bashkëpunimi, ndoshta i vetmi mjedis krijues me vazhdimësi, ku publikohen krijime e debatohet rreth tyre.

    – Ç’synime keni për më tej?

–  Ju s’e bëtë pyetjen e rëndomtë ç’po shkruaj, e cila më parë qe grahje për të shkruar sa më shumë. Nxitja bëhej me konkurset letrare, me dhënien e lejëve krijuese, oraret e reduktuara, me informimet mbi krijimtarinë që kërkonte LSH e organizma të tjera. Për pasojë shtohej sasia e krijimtarisë dhe ulej cilësia e tyre artistike. Tani kemi shpëtuar nga kjo lloj nxitje e bezdisshme, secili shkruan kur të dojë e çfarë të dojë, ekziston realisht mundësia që krijimtaria letrare të jetë e lirë e vetjake. Jam duke përfunduar një roman mbi raportin ndërmjet fajit dhe pranimit të tij, në kushtet e mjedisit dhe gjyqësorit tonë që e ndërlikojnë problemin dhe e vështirësojnë zgjidhjen. Pas kësaj do të përgatit një përmbledhje me tregime të zgjedhura. Projektet krijuese nuk reshtin,njëherë tjetër për libra të tjerë.

       – Çfarë ju ka mbetur peng?

– Sikur ta nisja nga e para, do të isha më racional në raportin ndërmjet punës për të tjerët e për veten si shkrimtar, pasi kjo është puna që s’e fshin koha e  ndihmesën s’ta mohon dot askush. Peng e kam, gjithashtu, ndikimin e keq të grahjeve krijuese, sidomos në periudhën e parë të krijimtarisë. Nga viti 1966 deri në fillim të viteve ’80 botova 11 libra, për disa prej të cilëve s’jam dhe aq krenar.

    – Hobi e pasioni juaj.

– Kohë më parë pata pasion gjuetinë e pokerin. I përhershëm e i pareshtur ka qenë e mbetet pasioni ndaj librave, sidomos letërsia artistike. Kam lexuar shumë e lexoj vazhdimisht.

    – Mesazhi për inteligjencën shqiptare dhe talentet e reja.

– Të bëjnë më të mirën e mundshme. Të shkruajnë kur e ndjejnë se kanë vërtet për të thënë diçka të vlertë.

Ju faleminderit

Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

Filed Under: Interviste Tagged With: bisede me shkrimtarin, Petraq zoto, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT