-Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miraton Masë të përkohshme për Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe/
-Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata/
PRISHTINË, 10 Nëntor 2015-B.Jashari/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miratoi Masë të përkohshme për marrëveshjen Kosovë – Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në njoftimin e sotëm të Kushtetueses kosovare thuhet:
Në seancën e mbajtur më 10 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme në rastin KO130/15, në kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës “Lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore’ me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 [Barazia para Ligjit], Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilin suspendon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të këtyre “parimeve të përgjithshme/elementet kryesore” të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës.
Në 30 tetor njoftohej se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Në Kosovë, “aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me mbi 200 mijë nënshkrime, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’”, janë paralajmërimet e vazhdueshme të opozitës që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
ISA MUSTAFA NUK E GEZON POSTIN E KREUT TE KUVENDIT?!
Gjykata Kushtetuese pezullon Isa Mustafën/
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Parlamentit, deri në vendimin e këtij institucioni për kërkesën e deputetëve të PDK-së.
Vendimi është publikuar pak çaste më parë në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese.
“Të mërkurën, më 23 korrik 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi rastin KO119/14, të parashtruar nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilën pezullon Vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 05-V-001, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit më 17 korrik 2014, dhe me të cilin obligohet Kuvendi të përmbahet nga çfarëdo veprimi deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës”, thuhet në vendimin e gjykatës.