• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Xhevahire Shqipërie

April 15, 2016 by dgreca

Nga Pirro Dollani/

Rastësisht duke lexuar shtypin në Internet, pashë që gazeta Shekulli.com.al kishte botuar shkrimin tim “Kudo që shkoj atdheun mbart si plagë”, shkrim i botuar fillimisht te gazetat Illyria dhe Dielli, më 6 Prill 2016. Më erdhi turp kur fillova ta lexoj: e kishin gjymtuar dhe botuar në rubrikën “letra në redaksi.” Mendova t’u shkruaja e t’u kërkoja llogari që e kishin rrëmbyer dhe sakatuar, pa çarë kokën për të drejtën e autorit. Por, hoqa dorë menjëherë se m’u kujtua një rast më ekstrem se ky. Kur u botua në Amerikë libri i Moikom Zeqos “ZODIAK” botova një shkrim te gazetat Illyria, dhe Dielli me titull “Për Moikomin” më 12 dhjetor, 2016. Me vonë e pashë shkrimin për librin “ZODIAK” te gazeta Shqiptarja.com. Por çuditërisht, në fund të shkrimit, kishin vënë inicialet e nje “autori imagjinar”, S.M (?!) Qesha me vete, dhe thashë se do te jetë ndonjë gabim ortografik. Kështuqë, u dërgova një shënim miqësor kryeredaktores, zonjës Alba Malltezit si edhe përgjegjëses së rubrikës Z. Dhurata Hamzai. U thoja që gabimisht në vend të autorit të vërtetë poshtë shkrimit ishin vënë inicialet S. M(?!) Gjithashtu, u kisha bashkëngjitur edhe linkun e gazetave Illyria dhe Dielli që të shikonin autorin e vërtetë të shkrimit, dhe datën e botimit që ishte më përpara se data e botimit të tyre. Dhe me naivitet prisja ndonjë email nga zonjat ku do të lexoja: “Z. Pirro Dollani, falemnderit që na informuat. Ju njoftojme se e korrigjuam.”  Por asgjë nuk ndodhi.  Kaluan një, dy, tre javë dhe asgjë. Duke jetuar për mëse 20 vjet në Amerikë, dhe duke njohur nga afër ligjin e rreptë të së Drejtës së Autorit, si edhe etikën e lartë profesionale që kanë gazetarët këtu, heshtja e tyre më bënte shumë përshtypje. Dhe jo vetëm heshtja! Shkrimi vazhdonte të mbante poshtë inicialet e dikujt që s’ka asnjë lidhje me artikullin. Më vonë u dërgova të dyja “gazetareve me etikë të lartë profesioniste” edhe një mesazh tjetër. Por përsëri heshtje. Edhe tani, mbas 4 muajsh, në gazetën online “shqiptarja.com” shkrimi mban përsëri “emrin imagjinar” të pagëzuar nga këto gazetaret tona. Nëse gjëra të tilla do të ndodhnin në shtypin amerikan, gazeta e gazetari do të ndëshkoheshin ashpërsisht. Por në Shqipëri xhevahire të tilla e shumë më të mëdha se këto janë gjëra të zakonshme. Prandaj vendosa që të mos u shkruaja gazetës shekulli.com.al., që jo vetëm e kanë botuar shkrimin “Kudo ku shkoj Atdheun mbart si plagë” pa u marrë leje gazetës Illyria e Dielli, por edhe për redaktimin përçudnues që i kanë bërë artikullit. Sepse asgjë nuk pres nga gazetarë të tillë, që u mungon etika e gazetarit si edhe profesionalizmi. Këtë përfundim ma “mësuan” zonjat e “Shqiptarja.com.” me papërgjegjësinë e tyre. Më poshtë, mund të shihni që edhe tani, 15 prill, 2016, mbas katër muajsh, shkrimi mban inicialet S. M. Fakti që ato zonja nuk pranonjnë të korrigjojnë këtë gabim, duke vënë emrin e vërtetë të autorit, ose tregon se për to nuk ka rëndësi fare vërtetësia e shkrimeve që botojnë në faqet e gazetës ose kanë krijuar një autor “imagjinar” për këtë shkrim për të futur në xhepat e tyre ndonjë honorar që mund t’i kenë paguar S. M-së për shkrimin. Jam i paaftë të gjej një tjetër arsye!

  1. S.

Ja shkrimi botuar tek Gazeta Illyria dhe Dielli, më date 6 Prill, 2016, që edhe sot, date 15 Prill, vazhdon të mbajë emrin e autorit imagjinar, S.M.

‘Zodiaku’ i Moikom Zeqos botuar në

Amerikë duhet të kthehet në ngjarje

Ka pak kohë që ka dalë nga shtypi në dy gjuhë-anglisht ë shqip-vëllimi poetik “Zodiac” ë Moikom Zeqos, me një përkthim tejet të mirë të Anastas Kapuranit dhe të Wayne Miller.

Çdo libër ë ri natyrisht, Ë MIRË duhet të jetë një shkak për ta festuar! POR, kur bëhet fjalë për një vepër të një niveli të tillë artistik, siç është “Zodiaku” ë Moikom Zeqos, botimi duhet të shndërrohet në një ngjarje, veçanërisht, kur kjo vepër ka marrë vlerësime jashtëzakonisht të larta nga autorë të shquar amerikanë.

Për çdo lexues dhe adhurues të librave të Moikomit, si edhe për ne, shokët ë miqtë ë tij, botimi në gjuhën angleze ë këtij libri në një periudhë jo shumë të këndshme për të, na gëzon dhe na shton besimin se Moikomi do ta kalojë me sukses këtë periudhë ë do ta mund atë sëmundje të flamosur, pasi Moikomi ende s’i ka thënë të gjitha.

Madje, edhe ato vargjet ë bukura në mbyllje të poezisë së brishtë të Robert Frostit, “Stopping by the Woods on ë Snowy Evening”, duket sikur janë thënë më tepër për Moikomin: “The woods are lovely dark and deep/ But Ë have promises to keep/ And miles to go before Ë sleep/ And miles to go before Ë sleep! Po ë dashur Moikom: “Kemi edhe shumë milje për të bërë përpara se të biem të flemë!”

Para disa ditësh mora një email nga shkrimtari ë njohur amerikan, Richard Powers, autori ë romanit “Jehona ë Kujtesës”, ë cili sapo kishte mbaruar librin “Zodiac”. Ja si shkruan:

Jam mjaft ë gëzuar që me jepet rasti të falenderoj Moikomin nëpërmjet teje për këtë vepër të shkëlqyer dhe për frymëzimin që më jep mua ndërkohë që po punoj mbi librin ë ri. Dhe falenderimet ë mia më të përzemërta për poezinë frymëzuese dhe të shkëlqyer, ë cila tashmë po rimbjell dhe po ripërhap vetveten në veprën time.”

(“I’m overjoyed to have the chance to thank Moikom, through you, for the magnificent work and the inspiration it gives me as Ë work on my new book. . . And most of all, my heartfelt thanks for the exuberant and inspiring poetry, which is already replanting and re-propagating itself in my work.”)

Ja disa citime nga këta autorë amerikanë që kanë bërë vlerësime maksimale për këtë libër. Ja si shkruan, Ilya Kaminisky, poet, kritik vlerësuar me shumë çmime:

“Në këtë kohë, është një gjë ë rrallë të gjesh një poet që vërtet është ë madh ë kompleks dhe që krijon jo thjesht një portret njerëzor, një komunitet apo një refleksion, por një kozmologji të tërë, ashtu siç ishte para së gjithash edhe “Komedia Njerëzore”, një kozmologji—njësoj si “Duino Elegies” ë Rilkes apo “Four Quartets” ë Eliotit”, apo në kohën tonë, ndoshta si “Cántico Cósmico” ë Ernestro Cardenales”.

(“It is rare these days to find ë poet who is truly large and complex, creating not just ë human portrait, or ë community or ë reflection, but ë whole cosmology; the way Divina Commedia was, first and foremost, ë cosmology—like Rilke’s Duino Elegies or Eliot’sFour Quartets or, in our time, ndoshta Ernesto Cardenal’s “Cántico Cósmico”.)

Ja një citim tjetër nga Kevin Prufer, poet, eseist, po ashtu vlerësuar me shumë çmime

“Zodiaku” është një libër ë mrekullueshëm që është sjellë në jetë për anglisht folësit me një përkthim të fuqishëm të Wayne Miller dhe Anastas Kapuranit.

(Kevin Prufer, poet, eseist, po ashtu vlerësuar me shumë çmime: Zodiac is ë marvelous book, brought to life for readers of English by Wane Miller’s and Anastas Kapurani.)

Redaksia online

(S.M/shqiptarja.com)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Pirro Dollani, Xhevahire Shqipërie

KUDO KU SHKOJ ATDHEUN E MBART SI PLAGË….

April 6, 2016 by dgreca

E KENI PROVUAR T’T TELEFONONI  AMBASADES SHQIPTARE NE WASHINGTON… PERGJIGJE QE TE VRASIN SHPIRTIN…A FLASIN KESHTU DIPLOMATET? /

Shkruan: Pirro Dollani/Las Vegas/

Shkak për këtë shkrim u bë telefonata e një mikut tim Amerikan, që do të niset në një udhëtim nëpër Evropë. Ai dëshironte qëgjatë vizitës në Evropë të ndalej edhe në Shqipëri.Më pyeti nëse dija se çfarë dokumentacioni kërkohej nga qeveria shqiptare për ato raste kur të huajt udhëtojnë së bashku me kafshët e tyre, si qeni, macja në Shqipëri. U krijua një pauzë, pasi s’dija çfarë përgjigje t’i jepja, kur ai vazhdoi. “U dërgova një email Departamentit të Bujqësisë në Uashington, dhe ata më kanë dërguar dokumentacionin që duhet plotësuar për vendet e Evropës së Bashkuar.Në atë dokument thuhet se Shqipëria ka miratuar rregulloren e Evropës së Bashkuar, por, njëkohësisht, udhëtarët udhëzohen që të marrin kontakt me Ambasadën Shqiptare për kërkesat që ka vendi. Menjëherë, vazhdoi miku im, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës Shqiptare në Washington. Kliktova tek “Embassy Services” (“Shërbime të Ambasadës”) dhe poshtë nëntitullit s’kishte asgjë, madje as edhe një gërmë.”

U krijua një heshtje, sa që miku im, pyeti: “Hello, are you there?”

Aty jam që mos qofsha, thashë me vete, dhe si një elektroshok trurin ma përshkoi vargu i famshëm i poetit Nobelist e Diplomat,Jorgos Seferis:

“KUDO KU SHKOJ ATDHEUN E MBART SI PLAGË!”

“Miku im, iu drejtova bashkëfolësit, nëse të pret puna, më lejo të komunikoj vetë me ambasadën.”

Sapo ula telefonin, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës së Shqipërisë. Në faqen e parë ishte një ekspozitë fotografish nga veprimtaritë e ambasadës. M’u duk bukur! S’ka më bukur! Kalova tek faqja  “Shërbimet e Ambasadës” . . . e bardhë si bora e maleve tona!!!U ktheva përsëri tek faqja e parë. Paçka se aty ishin fotografi me Obamën, John Kerrin, takime me ambasadorë të ndryshëm, mua më la shijen sikur isha para atyre Stendave të Bashkimeve Profesionale të dikurshme! Mbasi humba nja gjysmë ore duke qëmtuar në “faqen e bardhë” të Ambasadës sonë, thashë t’i nis një email nga faqja e tyre. Kësisoj, rreth datës 19 ose 20 Mars, u shkrova një email të shkurtër ku në krye vija emrin dhe mbiemrin tim, dhe pa hyrë në hollësi u lutesha që t’më dërgonin ndonjë kërkesë specifike, përveç atyre që kërkoheshin nga rregullorja e Evropës së Bashkuar për udhëtarët që vinin në Shqipëri me kafshët e tyre shtëpiake.

Kur kaluan 3-4 ditë dhe askush nuk u bë i gjallë nga Ambasada, i mora në telefon. Pikërisht, ditën e Enjte, datë 24 Mars, rreth orës 10 të mëngjesit, me orën e Las Vegasit. Sapo dëgjova zërin e një vajze nga ana tjetër e telefonit, e përshëndeta, tregova emrin tim, i thashë që jam banues prej mëse 20 vjeteve në Las Vegas dhe,më pas, e pyetase me kë kam nderin të flas.

Përgjigja: “Me Ambasadën Shqiptare në Washington.”

Unë: “Ju lutem, si quheni?”

Përgjigja: “Ç’e do emrin tim!”

(Jo, jo s’ka mundësi, thashë me vete, do të kem telefonuar ndonjë nga ata fshatarët që shesin pa leje në shkallët  e pallatit, se nuk ka mundësi që një përfaqësuese e Ambasadës Shqiptare në Amerikë të përgjigjet në një formë të tillë. )

“Më fal, i thashë, unë u prezantova, dhe dua të di se me kë kam nderin të flas.”

Punonjësja e Ambasadës: “S’ke ç’e do emrin. Ne jemi vetëm tre veta këtu.”

(Ajo vajzë, nuk e di që në atë punë që e kanë caktuar, pavarësisht pozitëssë ulët që mund të ketë, kur ngre telefonin e përgjigjet, përfaqëson Shqipërinë. Presim ne të bëjnë diplomaci diplomatët tanë, kur nuk dinë as të flasin në telefon! Ndoshta, të kanë prurë në ambasadë ty si shumë e shumë të tjerë nga shkalla e fanatizmit për partinë tënde, por të paktën, këto vite që ke këtu, të kishe mësuar nga ajo shitësja e thjeshtë që shet lule, nga ai punonjësi i thjeshtë i kompanisë, që posa bie telefoni, të përgjigjet, me një zë të ëmbël duke të thënë: “Dyqanit i luleve. Quhem John, si mund t’ju ndihmoj?”)

Kur e pashë kështu, e pyeta se ç’dokumente duhet për udhëtarët që marrin me vete qenin a macen kur vijnë në Shqipëri. Përgjigja e saj ishte e prerë:

“S’merremi ne me këtë çështje!”

(“Vrit veten” më tingëlloi shprehja e saj.  I bën një pyetje punonjëses së Ambasadës shqiptare për rregullat e hyrjes në Shqipëri, dhe në vend të thotë, më fal se nuk jam shumë e informuar, por më lini nr. e telefonit ose adresën e emailit, dhe do t’ju kthej përgjigje më vonë, të thotë “S’merremi ne me këtë çështje!”  Një nga detyrat kryesore të personelit të ambasadave është të japin ndihmën e menjëhershme qytetarëve të tyre kudo ku ndodhen në botë, madje duke u afruar edhe ndihmë më të specializuar, po të jetë e nevojshme. E këta diplomatët tanë të periudhës postkomuniste, vazhdojnë të njëjtën politikë të diplomacisë komuniste ndaj atdhetarëve të tyre. Eh mor Pirro, thashë me vete, shqetësohesh nga etika e punës së saj.)

Duke ruajtur qetësinë, e personalizova problemin dhe i thashë: “Kam prerë bileta për vete, gruan, dhe dy macet, rreth 3000 dollarë, dhe kam përgatitur dokumentacionin sipas kërkesave të Evropës së Bashkuar. Por në informacionin që kam marrë nga Departamenti i Bujqësisë në Washington nënvizohet që duhet patjetër të kontaktojmë Ambasadën e Shqipërisë. Dhe ju më thonë që “s’merremi ne me këtë çështje” A mund të flas me konsullin?

Ajo: “Unë jam Konsullja.”

Heshta, s’dija ç’të thosha. Kur ajo vazhdoi: “Është një punonjëse këtu që i din këto punë, na nis një email, e të kthejmë përgjigje.”

“Më fal, i thashë, por ju kam nisur një email para 3-4 ditësh. Dëshironi t’ju nis edhe një tjetër tani?”

Ajo: “S’ka nevojë.  Por, ta dini që ne kemi aq shumë emaila, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve!”

(“. . . nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve. Bir Selman i nanës Bir! E tha këtë fjali, apo më bënë veshët?!?)

S’dija ç’të thoja më tej!  Të dy qëndronim në të dy anët e linjës telefonike të heshtur. Dhe në atë heshtje, ndjeva keqardhje për të. Thashë se mos bëhem unë shkak ta heqin nga puna. Nuk e kam me të personalisht, por me shërbimin e dobët që shqiptarët ndeshin nga këta diplomatët tanë. Gati-gati doja ta justifikoja. Pyeta veten se mos po me zinte Sindroma e Stokolmit. E çuditshme, të lindin ndjenja pozitive për njerëz të tillë.

PS.Asgjë e re nga Ambasada jonë e shtrenjtë deri tani në orën 5 mbasdite të dates 5 Prill. “Por ta dini që ne kemi aq shumë email, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve.”

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: E MBART SI PLAGË...., KUDO KU SHKOJ ATDHEUN, Pirro Dollani

Kush mban përgjegjësi për rrugaçërinë që shohim në Parlament?

December 17, 2015 by dgreca

Nga Pirro Dollani-Las Vegas/

Një nga kontributet e vyera që kemi fituar gjatë këtyre 25 vjetëve në “demokraci” është se u mësuam me fyerjet, sharjet, ulërimat, grushtet, etj. jo vetën në rrugë, por kudo, deri atje lart në Parlament. Parlamenti është shndërruar në një arenë ku janë mbledhur gangsterë adoleshentë që duan të tregojnë forcën e tyre, jo përpara një njeriu apo grupi, por para të gjithë shqiptarëve. Si çdo grupim gangsterësh edhe këta kanë fanellat (më fal, “flamurët”) e tyre. Ca mbajnë flamurë vishnje, ca blu, të tjerë mbajnë copëra rreckash të fëlliqura, të shkëputura nga këto dy flamurë. Dhe as skuqen e as nuk zverdhen fare edhe kur e dinë se i shikon një popull i tërë. E jo vetëm ne, por mbarë bota. Por ky nuk është turpi i tyre, por KRYETURPI ynë. Po, po i Yni; i çdo shqiptari që ka votuar e voton për njerëz të tillë. Këta gangsterë adoleshentë nuk erdhën nga hëna, ne i votuam. Madje me votime me “standarte demokratike.” Vërtet?

Vetëm po të bësh një përqasje të thjeshtë ndërmjet “demokracisë” në periudhën e komunizmit, me këtë “demokracinë” e sotme njëzetepesë vjeçare, vërejmë se do të ishim të “lumtur” nëse në kohën e tanishme, procedurat për zgjedhjen e kandidatëve për deputet, të paktën, FORMALISHT, të afroheshin me procedurat “demokratike” që zbatoheshin nga diktatura. Mënyra sesi bëhet seleksioni brenda partive në zgjedhjen e kandidatëve nuk është aspak demokratike, për të mos thënë që nuk gjen as më të voglin element demokratik. P. sh. Në komunizëm kandidatët për në Kuvendin popullor zgjidheshin nga organizatat e partisë në rrethe (sado formal që ishte ky proces) dhe pastaj shpalleshin emrat e tyre për çdo zonë elektorale. Paskësaj, kandidatët bënin takime me popullin e zonës së tyre, kështuqë votuesit e kishin të qartë se për kë votonin, pavarësisht se nuk kishte asnjë rëndësi nëse votoje për Fuatin, Prengën, apo traktoristin Ibrahim, pasi roli i tyre ishte vetëm një: të ngrinin dorën sa herë u kërkohej kjo gjë. Edhe pse zgjedhjet elektorale në komunizëm ishin pa asnjë vlerë, madje ishin një farsë, pasi rezultati dihej qysh para se të fillonte procesi i votimit: 99.99%, megjithatë diktatura përpiqej që formalisht të krijonte përshtypjen se zbatohen procedurat demokratike.

Po tani në këtë periudhë demokratike, si procedohet? Ja kështu: kryetarët e partive bëjnë lista rendore sipas midesë së tyre, duke vënë në krye ata individë që do ta duartrokasin edhe kur kryetari të bëj një. . . P- të madhe! Përpilimi i listës nga një individ është shpata e Demokleut që u rri në kokë secilit. Dhe me këtë shpatë, kryetarët e partive të sotme, s’kanë nevojë të qëndrojnë në krye të partive për 40 vjet a 20 vjet, ata në çastin që zgjidhen, fitojnë një pushtet absolut! Dhe ironia është se kjo dukuri ndodh në këtë periudhë që e quajmë postkomuniste. Prandaj, askush  nuk ka më guxim të bëjë një kritikë sado të vogël, sepse kanë frikë që s’u futet më emri në listat e kandidatëve. Dhe për të mbijetuar duhet të duartrokasin kryetarët e Partive edhe kur vendosin në krye të listës idiotë, puthadorë, analfabetë, hajdutë, vrasës, trafikantë! Dhe ditën e votimit, ne si popull, (ngaqë kemi qenë gjysmë shekulli nën diktaturë, jemi mësuar ta përkulim kurrizin deri te këmbët e qelbura jo vetëm të kryetarit të partisë, por të çdo anëtari fanatik), shkojmë me atë entuziazëm bolshevik në votime dhe hedhim votën tonë: jo për një individ të caktuar, me mish e gjak, por për ca “iniciale të vdekura” që përfaqësojnë kufomat e partive që kanë vite që kanë vdekur. Në fletat e votimit nuk ka emra konkretë! Ka vetëm “frymë të vdekurish”: PS, PD, LSI, etj. Dhe ne si popull me kulturë demokratike pranojmë të votojmë. Dhe pikërisht, ky është MËKATI ynë, e njëkohësisht TURPI e KRYETURPI ynë! Prandaj kur t’i shohim në Parlament sesi zihen, rrihen, shahen, përflasin njëri-tjerin si bushtra, etj.etj. s’duhet t’u vemë asnjë faj, pasi ne, sikur të jemi të verbër, votojmë për ta! Prandaj këta gangsterë adoleshentë tallen me ne, me mbarë një popull, pasi e dinë se çdo katër vjet, ne përsëri do të shkojmë të votojmë, jo për njerëz konkretë, që i njohim, por për lista të përpiluara plotësisht nga kryetarët e partive! Ja pse ne të gjithë duhet të mbajmë turpin për rrugaçërinë e parlamentarëve tanë në Parlament e kudo!

Filed Under: Analiza Tagged With: Pirro Dollani, Rrugaceria ne Parlament

Për Moikomin dhe vëllimi poetik “Zodiac”

December 9, 2015 by dgreca

NGA PIRRO DOLLANI/Ka pak kohë që ka dalë nga shtypi në dy gjuhë—anglisht e shqip—vëllimi poetik  “Zodiac” i Moikom Zeqos, me një përkthim tejet të mirë të Anastas Kapuranit dhe të Wayne Miller.
Çdo libër i ri—natyrisht, I MIRË—duhet të jetë një shkak për ta festuar! POR, kur bëhet fjalë për një vepër të një niveli të tillë artistik, siç është “Zodiaku” i Moikom Zeqos, botimi duhet të shndërrohet në një ngjarje, veçanërisht, kur  kjo vepër ka marrë vlerësime jashtëzakonisht të larta nga autorë të shquar amerikanë. Për çdo lexues dhe adhurues të librave të Moikomit, si edhe për ne, shokët e miqtë e tij, botimi në gjuhën angleze i këtij libri në një periudhë jo shumë të këndshme për të, na gëzon dhe na shton besimin se Moikomi do ta kalojë me sukses këtë periudhë e do ta mund atë sëmundje të flamosur, pasi Moikomi ende s’i ka thënë të gjitha. Madje, edhe ato vargjet e bukura në mbyllje të poezisë së brishtë të Robert Frostit, “Stopping by the Woods on a Snowy Evening”, duket sikur janë thënë më
tepër për Moikomin: “The woods are lovely dark and deep/ But I have promises to keep/ And miles to go before I sleep/ And miles to go before I sleep!  Po i dashur Moikom: “Kemi edhe shumë milje për të bërë përpara se të biem të flemë!”
Para disa ditësh mora një email nga shkrimtari i njohur amerikan, Richard Powers, autori i romanit “Jehona e Kujtesës”, i cili sapo kishte mbaruar librin “Zodiac”. Ja si shkruan:Jam mjaft i gëzuar që me jepet rasti të falenderoj Moikomin nëpërmjet teje për këtë vepër të shkëlqyer dhe për frymëzimin që më jep mua ndërkohë që po punoj mbi librin e ri. . . Dhe falenderimet e mia më të përzemërta për poezinë frymëzuese dhe të shkëlqyer, e cila tashmë po rimbjell dhe po ripërhap vetveten në veprën time.”
(“I’m overjoyed to have the chance to thank Moikom, through you, for the magnificent work and the inspiration it gives me as I work on my new book. . . And most of all, my heartfelt thanks for the exuberant and inspiring poetry, which is already replanting and re-Ja disa citime nga këta autorë amerikanë që kanë bërë vlerësime maksimale për këtë libër:
Ja si shkruan, Ilya Kaminisky, poet, kritik vlerësuar me shumë çmime:
“Në këtë kohë, është një gjë e rrallë të gjesh një poet që vërtet është i madh e kompleks dhe që krijon jo thjesht një portret njerëzor, një komunitet apo një refleksion, por një kozmologji të tërë, ashtu siç ishte para së gjithash edhe “Komedia Njerëzore”, një kozmologji—njësoj si “Duino Elegies” i Rilkes apo “Four Quartets” i Eliotit”, apo në kohën tonë, ndoshta si “Cántico Cósmico” i Ernestro Cardenales”.
(“It is rare these days to find a poet who is truly large and complex, creating not just a human portrait, or a community or a reflection, but a whole cosmology; the way Divina Commedia was, first and foremost, a cosmology—like Rilke’s Duino Elegies or Eliot’s Four Quartets or, in our time, ndoshta Ernesto Cardenal’s ““Cántico Cósmico”.)
Ja një citim tjetër nga Kevin Prufer, poet, eseist, po ashtu vlerësuar me shumë çmime“Zodiaku” është një libër i mrekullueshëm që është sjellë në jetë për anglisht folësit me një përkthim të fuqishëm të Wayne Miller dhe Anastas Kapuranit.
(Kevin Prufer, poet, eseist, po ashtu vlerësuar me shumë çmime: Zodiac is a marvelous book, brought to life for readers of English by Wane Miller’s and Anastas Kapurani.

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Zodiac”, Për Moikomin dhe, Pirro Dollani, vëllimi poetik

YJET E ZINJ TË PAUL CELANIT

March 20, 2015 by dgreca

Nga Hart L. Wegner/
Poezia: fryt i dhimbjes sonë./
E moçme sa lotët tanë./
Edmond Jabès/
Libri i Pyetjeve, II/III, 114./
Unë nuk jam një teoricien. Së pari, flas si një lexues dhe së dyti si shkrimtar.
Numri i artikujve, librave dhe dizertacioneve kushtuar Celanit është kaq i madh saqë vepra e tij letrare duket si një liliput, kryesisht 800 poema. Kjo pafundësi shkrimesh të shkurajon të shkruash apo të flasësh për të, pasi mendon se s’ka mbetur gjë e rëndësishme pa u thënë. Por sipas Gëtes, “Çdo gjë e mençur është thënë, kështu që s’na mbetet gjë tjetër veçse të provojmë ta mendojmë edhe një herë.” Gëtja nuk na thotë që të përsërisim atë që të tjerët kanë menduar, por ta rimendojmë e ta ripërsiatim që të mund ta përjetojmë e ta kuptojmë poezinë e Celanit sikur askush të mos ketë shkruar e analizuar veprën e tij.
Ku qëndron rëndësia e saj? Ne nuk synojmë që përmes procesit të ripërsiatjes të krijojmë një kuptim të ri e përfundimtar të poezive. Poezia e Celanit e sfidon konceptin “përfundimtar” dhe “e mbaruar.” Ajo është e hapur për interpretime të ndryshme.
Gëte shkruan, “Kush dëshiron të kuptojë poetin/ Duhet të shkojë në tokën e poetit” (Artemis 3, 343) A do të na ndihmonte të kuptonim Celanin dhe poezinë e tij sikur të shkonim në Çernovicë? Po, por kjo gjë është e pamundur, sepse Çernovica, vendi ku ai u rrit, nuk është më. A mund t’i quajmë Çernovicën, Vienën, e Parisin, çdonjerën nga vendet ku valët e jetës e çuan Celanin “toka të poetit”? Çdokush në Vjenë do ta njëjtësonte Celanin me Austrinë e Vjetër, siç kishin njejtësuar më parë edhe Rilken e Kafkën, paçka që këta të dy kanë lindur në Pragë, e siç më njejtësojnë edhe mua me Silezinë, paçka se ajo iu shkëput me forcë Austrisë qysh në shekullin XVIII. Por Austria ka mbetur gjithnjë vendi i kujtimeve. Ashtu siç Celani thoshte për vetveten, “ajo që doja të arrja ishte Vjena.” (John Felstiner, Poema dhe prozë të zgjedhura të Paul Celanit New York: Norton, 2001) 395.
Çernovica ishte një provincë e largët e monarkisë Austro-Hungareze. Celani ishte një banor i saj, sipas Kafkës një “njeri nga fshati” që nuk arriti të gjendte portën për të hyrë në Vjenë.
Kur Celani mori çmimin letrar të qytetit të Bremenit, ai e përshkroi vendlindjen, tokën e poetit me këto fjalë:
Shumë nga ju ndoshta nuk e njohin vendin nga vij—nga çfarë shmangie rrugësh! por a ka vërtet shmangie nga rruga?— Është një vend i pasur me rrëfenja Hasidike që Martin Buberi i ka ritreguar për të gjithë në Gjermani. . . .Ishte një krahinë ku dikur banonin njerëzit dhe librat” (ibid.).
A e ka ndier ndonjëherë Celani veten si të mërguar? Nga ç’vend i mërguar?
Nga Çernovica? Në një farë mënyre, po. Në ligjeratën e tij, Celani thotë se Çernovica “më shfaqet tani përpara syve nga një distancë shumë e largët” (ibid). E largët, por ai e mban mend që kishte qenë një vend i rëndësishëm, e cila pas rënies të monarkisë Austro-Hungareze dhe gjatë sundimit kommunist “kishte mbetur pa histori” (ibid). Dhe kur thotë se “Ishte një krahinë ku dikur banonin njerëzit e librat,” na bie në sy forma e pakryer e foljes “banonin.”
Edmond Jabès një tjetër shkrimtar i periudhës së Celanit i mërguar në Paris, ngaqë e kishin përzënë nga Egjipti së bashku me çifutë të tjerë gjatë krizës së kanalit të Suezit në 1957, thoshte: “Çifutët kishin shekuj që kërkonin të ishin një shenjë, një fjalë, një libër. Shkrimet e tyre ishin shtegtime, dyshime, pritje, bashkërrjedhje, plagë, ikje, dhe mërgim, mërgim, mërgim.” Libri i Pyetjeve, 290

Ku ndodhet vendlindja e shkrimtarit që jeton në mërgim? Në gjuhën e tij. Celani e mbronte gjuhën e vet. Jetonte në Rumani apo Francë, por gjermanishtja ishte gjuha e tij, gjuha e nënës që kishte folur Gjermanishten letrare. Ja si e shpreh këtë ide vetë ai, “Atje, i rrethuar nga humbjet, mbeti gjallë vetëm një gjë: gjuha” (395). Në mërgim kjo gjuhë ishte “toka e vërtetë e poetit,” paçka se për të ajo ishte mëdyshja më e madhe dhe e pazgjidhur; gjermanishtja kishte qenë gjuha e atyre që ai fajëson për vdekjen e prindërve dhe të çifutëve të tjerë të vendlindjes së tij të “Menschen dhe e librave.” Celani shpjegon metodën e tij të pastrimit të gjuhës amtare, të të vetmes gjë që i ka mbetur: të gjuhës së nënës së vrarë:

Ajo gjuhë mbijetoi, pavarësisht nga rrethanat, nuk humbi. Por duhej të kalonte përmes pazotësisë së saj për të dhënë përgjigje (answerlessness), përmes memecllëkut të frikshëm, përmes mijëra errësirash të ligjeratës vdekjeprurëse. Kaloi përmes dhe nuk dha asnjë shpjegim për atë që ndodhi; megjithatë e kapërceu këtë ngjarjeje. Kaloi përmes dhe si rrjedhim erdhi në jetë sërish, “e pasuruar.” (395)

Paçka sesa e dhimbshme dhe e mundimshme ka qenë për Celanin procesi i dëlirjes së gjuhës, ai duhej kryer. Përse? Sepse atdheu i vërtetë i shkrimtarit të mërguar është gjuha e tij e cila bashkë me poezinë përbëjnë mjetin e orientimit të poetit.

Në këtë gjuhë kam kërkuar gjatë nëpër vite të shkruaj poezi: si të thuash që të orientoj vetveten, për të zbuluar ku isha e nga ishte udha që doja të shkoja të skicoja realitetin për vetveten.

Megjithëse në fillim të viteve 1950-të, Celani kërkoi të bëhej qytetar frances, fjala më e saktë që do të pasqyronte gjendjen e tij është “pa atdhe.” Diku ai është shprehur kështu, “. . .kur ndodhesh përbrenda gjuhës tënde, pikave të orientimit, midis librave e veprave që dashuron, ti ndodhesh në tokën tënde. Ndërsa unë ndodhem jashtë.” Qytetar i një vendi që pothuajse nuk ishte më, autor që shkruan në gjuhën gjermane, por që kurrë nuk jetoi në atë vend e kurrë nuk i zuri besë, banor i Francës, por i pavlerësuar atje, kështu që, gjuha amtare e Paul Antschel-Celanit ishte i vetmi vend që ai e quante të vetin. (Felstiner, Poet/Surv. 94)
Rrugëtimi i Celanit ka qenë drejtvizor— a ka vërtet shmangie nga rruga? kishte pyetur dikur ai—dhe as i jashtëzakonshëm po të kihet parasysh fatet e shumë të tjerëve në atë kohë. Ai lindi më 1920 në Çernovicë të Bukovinës, që i përkiste Rumanisë, tani quhet Chernovst e i përket Ukrainës. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ai jetonte aty: një çifut nën regjimin e Hitlerit. Ndryshe nga prindërit e tij, ai mundi të mbijetojë. Ishte pikërisht ekzekutimi i së ëmës në 1943 që e nxiti t’i kushtohet seriozisht krijimtarisë letrare. Ai shkoi të jetojë në Bukuresht nën regjimin komunist, dhe më pas, kaloi në Vjenë ku qëndroi gjashtë muaj. Më pas, shkoi të jetojë përfundimisht në Paris e mbas disa krizash mendore, më 1970, vret veten duke u mbytur në lum.
Ai është poeti më i rëndësishëm gjerman i periudhës së pasluftës, paçka se asnjëherë nuk kishte jetuar në Gjermani. Ashtu si Vladimir Nabukov që shkruante se “historia e viteve universitare në Angli, është në të vërtetë histori e përpjekjeve për t’u bërë një shkrimtar rus,” po kështu edhe Celani shkoi në Francë për t’u bërë poeti i madh gjerman. (Speak, Memory, 261)

Cili është vendi i Celanit në poezinë gjermane?

Edhe pse poezia e tij hera-herës merr ngjyrat e një teksti surrealist dhe na shfaqet si poezi avangardiste ngaqë e ka çuar poezinë në kufijtë e skajshëm të gjuhës, Celani i përket traditës së shkëlqyer të poezisë lirike gjermane: Hölderlini i himneve, Rilke i Elegjive për Duinon dhe—do të shtoja—Trakl, në poezitë e tij më të mira, si p.sh. “Grodek.”
Xhorxh Steinër shkroi në faqen letrare të London Times njëzet e pesë vjet pas vdekjes së Celanit:

Nuk ka më asgjë provokuese e të çuditshme rreth tezës se Celani qëndron përbri Hölderlinit në majë të poezisë gjermane (ndoshta edhe të poezisë moderne evropiane). Sipas këtij vlerësimi, Rilke, (të cilin Celani e çmonte shumë lart) është një mjeshtër më i kuptueshëm, por më pak novator dhe në disa drejtime më pak i rëndësishëm. Është Paul Celani që ka shtruar për diskutim lidhjet e gjuhës me nevojat dhe shpresat njerëzore.”

Në fillimet e hershme të krijimtarisë së tij Celani shkroi poezinë “Fuga e vdekjes” që u bë e njohur në gjithë botën. Si lënda e vjershës po ashtu edhe suksesi i saj do të kenë qenë një barrë e rëndë për poetin. Siç shkruan Jabès, “Zbulimi i veprës që shkrimtari do të shkruajë është njëherazi mrekulli dhe plagë. (L. i Pyetjeve,1, 27)
Gjatë leximit të “Fugës së Vdekjes” të Celanit, momenti interesant është kur, mbas gjithë atij figuracioni tronditës, lexuesi vëren se vargut përfundimtar i mungon pika. “Fuga e Vdekjes” është e vetmja ndërmjet pesëdhjetë e gjashtë poezive të Mohn und Gedächtnis që mbyllet kështu. Kur e lexon për herë të parë, i emocionuar nga metaforat e fuqishme, recitativi, përsëritjet dhe variacionet tipike për strukturën e fugës, nuk të bie në sy mungesa e shënjave të pikësimit. Nuk ndodhet asnjë presje e vetme, asnjë pikë, vizë apo ndonjë gjë tjetër, përveçse fjalëve të fuqishme. Por kur arrijmë në vargun e fundit, “floku yt i artë Margarit/ floku yt i hirtë Sulamith” ne kërkojmë për pikën që ta plotësojmë e përfundojmë poezinë dhe të çlirohemi nga tensioni nën peshën e figuracionit, por poeti na e ka mohuar këtë çlirim. Në gjuhën origjinale të Celanit, rrokja e fundit e fjalës së fundit të poezisë—emri “Sulamith”— është e lirë dhe qëndron më lart se simotra e saj në variantin anglisht “Shulamite.” Në anglisht, rrokja e fundit, fatkeqësisht, tingëllon “might,” pra “fuqi” e “forcë” pikërisht cilësi që Sulamithi nuk i mishëron.
Si rezultat i mungesës së pikës në fund të poemës, lexuesi është lënë me fantazmën e Sulamithit me flokë të hirtë të gdhendur në tymin e krematorëve. Kjo fantazmë, e papenguar nga pika, vazhdon të mos na shqitet nga mendja. Një pikë në fund të poezisë do të kishte të njëjtën vlerë ashtu si perdet në fund të një opere. Pika do të na çlironte nga përgjegjësia për tmerret që poeti përshkruan. Ngaqë mungon pika, lexuesi ka ndjesinë se poezia nuk ka përfunduar e nuk duhet të kthejë faqe e nuk duhet të largohet nga fantazma e Sulamithit. Ne nuk duhet të mënjanojmë sytë nga ajo e cila në Këngën e Solomonit personifikonte Izraelin dhe nuk duhet të harrojmë tragjedinë që ka ndodhur.
Po kështu nuk kemi lehtësim kur lexojmë vjershën që Celani ka lexuar tek Kënga e Solomonit, i vetmi vend ku Sulamithi na shfaqet.

Ktheu, ktheu O Shulamite;
Ktheu, ktheu,
Që të mund të të admirojmë.
Çfarë shikoni te Shulamite?
(6:13).

Sulamith nuk është emër personi, por një toponim, Shunen, që i përkiste fisit të Issacharit. Ne nuk jemi çliruar nga fantazma, sepse, si në një procedure magjie, Sulamithit i luten katër herë, që të kthehet që të mund ta admirojnë edhe një herë.

Në një vjershë që nuk është shumë e gjatë, lexuesi vëren—dhe pikërisht pas leximit të parë—që në atë pakicë foljesh, folja “me pi” është përsëritur njëzet herë. Tre veprimtari bazë janë themelore për vazhdimësinë e racës njerëzore dhe për gjënë e gjallë: të pish, të hash dhe të shumëzohesh. Nga të trija këto, të pirët është padyshim më e rëndësishmja për mbijetesë. Lexuesit i bie në sy paradoksi: poezia ku në titull përfshihet fjala “vdekje” është e mbushur me foljen më jetësore “me pi.” Në Librin e Pyetjeve, Jabèsi shkruan kështu: “Etja realizon mrekullinë duke i dhënë botës privilegjin e ëndërrimit. Me pi. Me pi ajrin, errësirën, ditën.”

Duke lexuar “Fugën e Vdekjes” lexuesi ngaqë dëgjon vazhdimisht—kjo është një poezi veçanërisht për veshin—foljen “me pi” pyet veten sesa e madhe do të ketë qenë etja, një etje që qumështi i zi nuk e shuan kurrë.
***
Çdokush që përpiqet t’i caktojë vendin e të vlerësojë rëndësinë e Paul Celanit në letërsinë e kohës së tij, patjetër që mendja do t’i shkojë tek Franc Kafka. Vlera më e madhe e tyre qëndron në ndikimin strukturor, intelektual dhe emocional që kanë patur mbi letërsinë, shkrimtarët e lexuesit përmes përpunimit të aftësinë të tyre perceptuese. “Kolonia e internimit” e Kafkës dhe “Fuga e Vdekjes “ e Celanit kanë shumë pika takimi. Duke shkruar para periudhës së Holokaustit, Kafka parashikoi në mënyrë profetike ardhjen e makinerisë së vdekjes, por mbas 1945 detyra e shkrimtarit kishte ndryshuar. Nuk ishte më ajo e profetit. Profecia ishte bërë realitet.
Ka një ligj që është kaq i pandryshueshëm sa edhe ligjet e fizikës: domethënia e një poeme të mirë—dhe për rrjedhojë vlera e saj—është gjithnjë më e madhe sesa elementët përbërëse të saj, apo të asaj që poezia pretendon të jetë.

Cili mund të radhitet pranë Celanit? Më pranë tij fare mirë mund të qëndrojë Nelly Sachs, poetja emigrante që jetonte në Stokholm e që mori Çmimin Nobel më 1966. Dikur ajo i shkroi atij kështu, “Ndërmjet Parisit dhe Stokholmit kalon një meridian brenge dhe ngushëllimi.” (Felstiner, Poet, Surv. 156) Të dy ata mbanin mbi supe barrën e rëndë të Holokaustit. Një vjershë e saj nga libri Vendbanimet e Vdekjes, shkruar nga 1940-1944 ka disa pika takimi me “Fuga e Vdekjes.”

Oxhaqet,
Mbi vendbanimet e vdekjes të shpikura me mendjemprehtësi,
Kur trupi i Izraelit përmes ajrit
përhapet si tym.
Nelly Sachs, O the Chimneys (New York: Farrar, Straus, 1967) 3.

“Trupi i Izraelit” nga poezia e Sachs na sjell në mendje përsëri Celanin, dhe po ashtu Këngën e Solomonit ku trupi i gruas që përshkruhet me detaje përfaqëson Izraelin dhe marrëdhëniet me Zotin e tij.

Të tre shkrimtarët çifutë,Celani, Sachs dhe Jabès që sipas mënyrës së tyre u morën me temën e Holokaustit, kanë të përbashkët—edhe pse ata mund të ishin ose nuk mund të ishin besimtarë—lidhjet e thella me traditën mistike çifute.

Simboli është Çifut.
Fjala është Çifute.
Libri është Çifut.
E krijuesit e tij janë Çifutë.
(Libri i Pyetjeve, 290)
***

Kriza që prek qytetërimin tonë qëndron në atë që fjala, fjalia letrare dhe libri siç e njohim ne janë të kërcënuar të zhduken e të zëvendësohen nga numri, kodet numerike dhe figurat.
Gjuha gjithnjë ka qenë një mjet shpëtimi gjatë evolucionit të qenies njerëzore e zhvilluar ndoshta nga thirrjet që paralajmëronin rrezikun. Përsëri tani gjuha letrare është mjeti shpëtimtar që nuk mund të matet, të peshohet a të njehsohet, por që na bën njerëzor e të njerëzishëm.
Në këtë kohë të vështira, ne u drejtohemi poetëve tanë jo vetëm si pozicioni i fundit i rezistencës, por edhe si një forcë ripërtëritëse. Është pikërisht gjuha e tyre, përdorimi i përkujdesshëm i fjalëve që do ta shpëtojë gjuhën tonë për të mos u varfëruar e mbetur djerrë e të mos bëhet zhargon i doracakëve shpjeguese për teknologjinë e re. Celani përmbush detyrimin më të rëndësishëm që një poet ka për gjuhën: ta ruaj, të shterojë mundësitë e çdo fjale të veçantë, ta ripërtërijë e ta mbajë gjallë duke krijuar fjalë të reja. Pikërisht prej poetëve—të gjallë e të vdekur—ne duhet të rimësojmë të kemi respekt për fjalën, origjina hyjnore e së cilës po shkatërrohet nga teknologjia. Ne duhet t’u mësojmë brezat e ardhshëm të shkruajnë fjalë që jo vetëm kumbojnë nga zgjuarsia, por edhe që drithërojnë nga gjallëria emocionale. Ne duhet t’u mëkojmë atyre urrejtjen për fjalët e frazat boshe, fjalët e vdekura, shkurtimet, të folurën teknike, zhargonet profesionalë dhe nevojën për t’u qëndruar larg fjalëve të huaja. Ky është një peng që i kemi poetëve dhe një peng ndaj së ardhmes sonë.
Celani e jetoi jetën për poezinë, me poezinë dhe në poezinë e tij. Në një emisioin radioje për Osip Mandelstam, ai tha: “Poezitë janë skica për të jetuar. Poeti përpiqet t’i përmbush ato.” Hölderlini që 37 vjetët e fundit i kaloi në çmendi në fund u bashkua me Celanin. Një peshkatar zbuloi trupin e Celanit në Senë, ndërsa “në tryezën e tij ndodhej një biografi e Hölderlinit, e hapur në një faqe ku ishte e nënvizuar: ‘Nganjëherë gjeniu errësohet dhe zhytet thellë në pusin e hidhur të zemrës së tij.’” A ishte kjo vargu i fundit që Celani lexoi? Në curriculum vitae të Celanit, i cili e përshkoi jetën si Mensch dhe poet, Edmond Jabès mund të shtojë fjalën e fundit: “Jeta e shkrimtarit është një marshim i vazhdueshëm drejt një ylli. Yjet përgjigjen për veprën e tij. Yjet e zinj.”

Përkthyes
Pirro Dollani

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hart L. Wegner, Pirro Dollani, TË PAUL CELANIT, YJET E ZINJ

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT