E KENI PROVUAR T’T TELEFONONI AMBASADES SHQIPTARE NE WASHINGTON… PERGJIGJE QE TE VRASIN SHPIRTIN…A FLASIN KESHTU DIPLOMATET? /
Shkruan: Pirro Dollani/Las Vegas/
Shkak për këtë shkrim u bë telefonata e një mikut tim Amerikan, që do të niset në një udhëtim nëpër Evropë. Ai dëshironte qëgjatë vizitës në Evropë të ndalej edhe në Shqipëri.Më pyeti nëse dija se çfarë dokumentacioni kërkohej nga qeveria shqiptare për ato raste kur të huajt udhëtojnë së bashku me kafshët e tyre, si qeni, macja në Shqipëri. U krijua një pauzë, pasi s’dija çfarë përgjigje t’i jepja, kur ai vazhdoi. “U dërgova një email Departamentit të Bujqësisë në Uashington, dhe ata më kanë dërguar dokumentacionin që duhet plotësuar për vendet e Evropës së Bashkuar.Në atë dokument thuhet se Shqipëria ka miratuar rregulloren e Evropës së Bashkuar, por, njëkohësisht, udhëtarët udhëzohen që të marrin kontakt me Ambasadën Shqiptare për kërkesat që ka vendi. Menjëherë, vazhdoi miku im, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës Shqiptare në Washington. Kliktova tek “Embassy Services” (“Shërbime të Ambasadës”) dhe poshtë nëntitullit s’kishte asgjë, madje as edhe një gërmë.”
U krijua një heshtje, sa që miku im, pyeti: “Hello, are you there?”
Aty jam që mos qofsha, thashë me vete, dhe si një elektroshok trurin ma përshkoi vargu i famshëm i poetit Nobelist e Diplomat,Jorgos Seferis:
“KUDO KU SHKOJ ATDHEUN E MBART SI PLAGË!”
“Miku im, iu drejtova bashkëfolësit, nëse të pret puna, më lejo të komunikoj vetë me ambasadën.”
Sapo ula telefonin, hyra në Internet dhe shkova te faqja e Ambasadës së Shqipërisë. Në faqen e parë ishte një ekspozitë fotografish nga veprimtaritë e ambasadës. M’u duk bukur! S’ka më bukur! Kalova tek faqja “Shërbimet e Ambasadës” . . . e bardhë si bora e maleve tona!!!U ktheva përsëri tek faqja e parë. Paçka se aty ishin fotografi me Obamën, John Kerrin, takime me ambasadorë të ndryshëm, mua më la shijen sikur isha para atyre Stendave të Bashkimeve Profesionale të dikurshme! Mbasi humba nja gjysmë ore duke qëmtuar në “faqen e bardhë” të Ambasadës sonë, thashë t’i nis një email nga faqja e tyre. Kësisoj, rreth datës 19 ose 20 Mars, u shkrova një email të shkurtër ku në krye vija emrin dhe mbiemrin tim, dhe pa hyrë në hollësi u lutesha që t’më dërgonin ndonjë kërkesë specifike, përveç atyre që kërkoheshin nga rregullorja e Evropës së Bashkuar për udhëtarët që vinin në Shqipëri me kafshët e tyre shtëpiake.
Kur kaluan 3-4 ditë dhe askush nuk u bë i gjallë nga Ambasada, i mora në telefon. Pikërisht, ditën e Enjte, datë 24 Mars, rreth orës 10 të mëngjesit, me orën e Las Vegasit. Sapo dëgjova zërin e një vajze nga ana tjetër e telefonit, e përshëndeta, tregova emrin tim, i thashë që jam banues prej mëse 20 vjeteve në Las Vegas dhe,më pas, e pyetase me kë kam nderin të flas.
Përgjigja: “Me Ambasadën Shqiptare në Washington.”
Unë: “Ju lutem, si quheni?”
Përgjigja: “Ç’e do emrin tim!”
(Jo, jo s’ka mundësi, thashë me vete, do të kem telefonuar ndonjë nga ata fshatarët që shesin pa leje në shkallët e pallatit, se nuk ka mundësi që një përfaqësuese e Ambasadës Shqiptare në Amerikë të përgjigjet në një formë të tillë. )
“Më fal, i thashë, unë u prezantova, dhe dua të di se me kë kam nderin të flas.”
Punonjësja e Ambasadës: “S’ke ç’e do emrin. Ne jemi vetëm tre veta këtu.”
(Ajo vajzë, nuk e di që në atë punë që e kanë caktuar, pavarësisht pozitëssë ulët që mund të ketë, kur ngre telefonin e përgjigjet, përfaqëson Shqipërinë. Presim ne të bëjnë diplomaci diplomatët tanë, kur nuk dinë as të flasin në telefon! Ndoshta, të kanë prurë në ambasadë ty si shumë e shumë të tjerë nga shkalla e fanatizmit për partinë tënde, por të paktën, këto vite që ke këtu, të kishe mësuar nga ajo shitësja e thjeshtë që shet lule, nga ai punonjësi i thjeshtë i kompanisë, që posa bie telefoni, të përgjigjet, me një zë të ëmbël duke të thënë: “Dyqanit i luleve. Quhem John, si mund t’ju ndihmoj?”)
Kur e pashë kështu, e pyeta se ç’dokumente duhet për udhëtarët që marrin me vete qenin a macen kur vijnë në Shqipëri. Përgjigja e saj ishte e prerë:
“S’merremi ne me këtë çështje!”
(“Vrit veten” më tingëlloi shprehja e saj. I bën një pyetje punonjëses së Ambasadës shqiptare për rregullat e hyrjes në Shqipëri, dhe në vend të thotë, më fal se nuk jam shumë e informuar, por më lini nr. e telefonit ose adresën e emailit, dhe do t’ju kthej përgjigje më vonë, të thotë “S’merremi ne me këtë çështje!” Një nga detyrat kryesore të personelit të ambasadave është të japin ndihmën e menjëhershme qytetarëve të tyre kudo ku ndodhen në botë, madje duke u afruar edhe ndihmë më të specializuar, po të jetë e nevojshme. E këta diplomatët tanë të periudhës postkomuniste, vazhdojnë të njëjtën politikë të diplomacisë komuniste ndaj atdhetarëve të tyre. Eh mor Pirro, thashë me vete, shqetësohesh nga etika e punës së saj.)
Duke ruajtur qetësinë, e personalizova problemin dhe i thashë: “Kam prerë bileta për vete, gruan, dhe dy macet, rreth 3000 dollarë, dhe kam përgatitur dokumentacionin sipas kërkesave të Evropës së Bashkuar. Por në informacionin që kam marrë nga Departamenti i Bujqësisë në Washington nënvizohet që duhet patjetër të kontaktojmë Ambasadën e Shqipërisë. Dhe ju më thonë që “s’merremi ne me këtë çështje” A mund të flas me konsullin?
Ajo: “Unë jam Konsullja.”
Heshta, s’dija ç’të thosha. Kur ajo vazhdoi: “Është një punonjëse këtu që i din këto punë, na nis një email, e të kthejmë përgjigje.”
“Më fal, i thashë, por ju kam nisur një email para 3-4 ditësh. Dëshironi t’ju nis edhe një tjetër tani?”
Ajo: “S’ka nevojë. Por, ta dini që ne kemi aq shumë emaila, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve!”
(“. . . nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve. Bir Selman i nanës Bir! E tha këtë fjali, apo më bënë veshët?!?)
S’dija ç’të thoja më tej! Të dy qëndronim në të dy anët e linjës telefonike të heshtur. Dhe në atë heshtje, ndjeva keqardhje për të. Thashë se mos bëhem unë shkak ta heqin nga puna. Nuk e kam me të personalisht, por me shërbimin e dobët që shqiptarët ndeshin nga këta diplomatët tanë. Gati-gati doja ta justifikoja. Pyeta veten se mos po me zinte Sindroma e Stokolmit. E çuditshme, të lindin ndjenja pozitive për njerëz të tillë.
PS.Asgjë e re nga Ambasada jonë e shtrenjtë deri tani në orën 5 mbasdite të dates 5 Prill. “Por ta dini që ne kemi aq shumë email, saqë nuk mund t’u përgjigjemi të gjithëve.”