Nga Pjeter Logoreci-Wiene/
Në rastin e 98 vjetorit të vdekjes së kolosit atdhetar Imzot Nikollë Kacorrit, arkitektit të pavarsisë së Shqipërisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar, dëshëroj me këtë shkrim ti bëj atij një homazh, për kontributet e tij të pamohueshme që ka dhënë për të mirën e kombit shqiptar. Ndër shkrimet e tjera që kam bërë për Imzot Kacorrin, kam sjellë dokumenta dhe informacione të panjohura mbi ngjarjet e komplotet e autoriteteve turke për arrestimin e tij, pasi i shqetësonte aktiviteti i tij atdhetar në favor të organizimit të popullit në kryengritje për liri e pavarsi.
Në këtë shkrim, në kujtim të Imzot Kacorrit, dëshëroj të sjell disa dokumenta të panjohur, të cilët janë pjesë e dosjes PAVARSIA që gjindet në arkivën shtetërore të Vjenës. Informacione dhe telegrame të konsullatave austriake të Durrësit, Vlorës e Shkodres që lidhen me situatën politike para dhe pas shpalljes së pavarsisë. Dokumenta mbi krijimin e senatit të parë shqiptar, listat emrore të senatorve si dhe një përshkrim të shkurtër biografik për cdo njërin prej tyre. Eshtë për tu shënuar fakti që kjo dosje është parë me dhjetra herë nga studiues apo historian të ndryshëm shqiptar nga të gjitha trevat tona, por dokumentat ku shkruhej për Imzot Kacorrin kanë qënë „jashtë interesit“ të tyre (e për rrjedhojë të pabotuara), sikurse kanë qënë “jashtë interesit” per 94 vjet edhe varri dhe eshtrat e tij. Sic duket, kjo nga një ndikim i fortë komunist dhe antikristian i diktaturës, pasi Imzot Kacorri shihej si prift katolik dhe ishte i padëshërueshëm për regjimin e Tiranës.
Sipas përjetimeve që pata personalisht më pas, në ditët e pluralizmit (gabimisht besova se erdh demokracia), sjellja ndaj këtij kolosi të lirisë dhe shqiptarisë ishte e njëjtë. Interesimi nga shteti postkomunist për këtë figurë vazhdonte të ishte i pakët. Qëndrimi i qeverisë dhe diplomacisë shqiptare në rastin e sjelljes së eshtrave, ishte i turpshëm dhe mospërfillës. Më parë nuk kisha dashur ta besoj, por shpesh më sillej në kokë pyetja…: …përse në monumentin e pavarsisë në Vlorë nuk ishte Imzot Kacorri, por edhe Luigj Gurakuqi, që të dy përfaqësues të bashkësisë katolike??? Dhe nje përgjigje e mora ditën e riatdhesimit të eshtrave të Imzot Kacorrit në Shqipëri, ku pervec popullit të thjeshtë pa dallim feje apo ideje, në Rinas nuk priste asnjë autoritet nga politika apo administrata e shtetit, megjithëse i kisha informuar.
Shumë përsonalitete të hueja dhe shqiptare janë shprehur për ndihmesën, kulturën, karakterin dhe atdhetarizmën e Imzot Kacorrit. Ndër përsonat që pat kontakte të shumta e që e njohu nga afër atë, ishte dhe Mustafa Merlika Kruja. Në numrin 9 të revistës Hylli i Dritës të vjetit 1938, në shkrimin: … “Shqiptari” i 1912-tës. Shqiptarizma në qarkun e Durrësit”.. -, autori Shpend Bardhi (pseudonim i Mustafa Merlika Krujës) mbasi përshkruen realitetin e situatës të ndezur në Durrës, i dedikon Imzot Nikollë Kacorrit këto fjalë:….Mu në ballë të shqiptarve të Durrësit, zjarrm e flakë për idealin kombëtar, shohim Dom Nikollë Kacorrin. Përfaqësonte atje (në Durrës) kryepeshkopin e kryedioqezit të Durrësit, qi e kishte qëndren e vet në Delblinishtin e Kurbinit. D. Nikolli ishte prej origjine malsorë; prej Lurës pitoreske atje nalt ndërmjet Matës, Dibrës e Mirditës. Kishte lemë në nji familje muslimane, mandej rritun e mësuem në seminarin e Shkodres. Shkonte e i shihte shpesh të vetët, e i donte shumë. Edhe ata e dojshin. Vllazni e dame ndër muslimane e katolike s´asht e vetmja në Lure ajo e Kacorrve. E ky ndryshim feje s´e cenon aspak dashunin ndërmjet fiseve të nji vllaznije. Këtë dashuni ndërmjet muslimanve e të krishtenve, D. Nikolli, prej familjes e kishte shtrime për vehte në të gjithë popullin shqiptar. E adhuronte kombin e vet, e i donte të gjithë shqiptarët, të njohun e të panjohun. Gjithashtu s´kishte njeri qi t´a kishte njohun e mos t´a donte D. Nikollë Kacorrin, natyrisht vec anmiqve të shqiptarizmës. Qela e tij në Durrës ishte nji klub, qendra e atyne pak shqiptarve qi numroheshin n´atë qytet dhe vend vizitash, për të gjithë tjerët qi u takonte m´u pershkue andej, ishte nji votër kombëtare rreth së cilës cdo zemër shqiptari mbushej me afsh atdhetarie e mund të shfrente lirisht.
Kurse në numrin 11 të po kësaj reviste të njohur, të nëntorit 1938-të, në faqen 610, autori i këtij shkrimi Shpend Bardha i cuditur dhe i indinjuar njëkohësisht vijon: …..
N´u zgjata pak vecant përmbi kët´idealist të madh, e bana vec pse deri sod s´më ka ramë me këndue kund nonji rresht qi t´a permendë sado për zgrip emnin e tij, me gjithë qi ka qenë, përkrah Ismail Kemal Vlorës, edhe ndënkryetar i denjë i së parës qeverri shqiptare, i zgjedhun prej nj´atij Kuvendi Kombtar qi shpalli pavarsinë e Atdheut e qi mund të krahasohet, për randsin e tij historike, vetëm me Kuvendin e Lezhës të kryesuem prej Fatosit të Kombit këtu e gati nja pesë shekuj përpara……
Duke parë rolin që luajti Imzot Kacorri në organizimin e lëvizjeve të armatosura në malsitë e Krujës e Kurbinit, që detyruan Stambollin të pranojë realitetin e ri shqiptar, mund të thuhet me siguri, që kontributi i Ismail Qemalit në diplomaci dhe i Imzot Kacorrit në organizimin e kryengritjeve antiosmane, sollën pavarsinë e Shqipërisë, të shumëpritur në shekuj. Mbasi njihte mirë punën e Imzot Kacorrit për pavarsimin e vendit, përfaqësuesi i Gjirokastrës në asamblenë kombëtare, Veli Efendia, e propozoj atë të jetë zëvendësi dhe krahu i djathtë i Kryeministrit të parë shqiptar Ismail Qemalit.
Ditët e sotme nga shteti po bëhen përpjekje, shumë të debatuara nga masat e gjëra të popullit, familjarët, shtypi dhe historianët, për rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit pranë Ismail Qemalit në Vlorë, por nuk kam dëgjuar (ndoshta është përsëri jashtë interesit të shtetit) të njëjtën gjë për heronjtë e kombit Imzot Nikollë Kacorrin e Luigj Gurakuqin. Uroj dhe shpresoj që vendi ku gjindet varri i Imzot Kacorrit në Durrës, të jetë po ashtu (si në Vlorë) një vend pelegrinazhesh për të gjithë rininë dhe cdo shqiptar patriot, në shenjë respekti dhe falenderimi për sakrificën e vetmohimin e tij, për një Shqipëri të pavarur, të lirë nga errësira qindra vjecare e pushtimit, Shqipërinë që gëzojmë ne sot. Shpresoj që shteti e politika, do të kujtohen që të bëjnë një ndalesë në Durrës, për të vendosur një kurorë nderimi mbi varrin e atdhetarit Nikollë Kacorri!
Po ashtu uroj dhe shpresoj që do të rindërtohet nga shteti, shtëpia e shëmbur e liberatorit Luigj Gurakuqi në Shkodër, që shteti të marrë në mbrojtje edhe reliket e tija (teshat e gjakosura e të shpuara nga plumbat) që po shkatrrohen të mbyllura në terrin, pluhurin dhe mykun e muzeut të Shkodrës.
Bashkangjitur me këtë shkrim, për herë të parë po botoj nje fotografi të arkitektit të pavarsisë Imzot Nikollë Kacorrit, i cili është fotografuar nga miqtë e tij, pjestarët e familjes Marubi, fotografi që sot është pjesë e fototekës Marubi në Shkoder.
Wien, me 22.5.2015
Flaka Goranci promovohet ne Vjene
Promovohet ne Vjene Cd-ja me muzike shqiptare e kengetares nga Kosova,Flaka Goranci/
Nga Pjeter Logoreci-Wiene/
Të martën me 12.5.2015, në sallën e evenimenteve të Bashkisë së vjetër të Vjenës, u bë prezantimi i CD-së me muzikë shqiptare – Albanian Flowers – të mezzosopranos nga Kosova, Flaka Goranci. Cd-ja e prodhuar nga shtëpia e famëshme muzikore Gramola, përmban 11 këngë dhe është e shoqëruar nga një trio që përbëhet nga pianisti kosovar Mennan Bërveniku, në violinë Adela Frasineanu nga Rumania / Gjermani dhe violincelisti shqiptar në Austri – Edison Pashko, që të tre muzikantë të Filarmonisë së Vjenës.
Këngëtarja lirike Flaka Goranci këndoj për publikun e ftuem dhe fansat e saj, një repertor me muzikë të njohur qytetare dhe të përpunueme nga autoret më të mëdhej shqiptar. Ndër këngët e zgjedhura në repertorin e saj ajo i këndon dashurisë, luleve, prandverës, atdheut të bukur shqiptar duke sjellë kënget tradicionale të popullit tonë, si: Unë ty moj të kam dashtë ije, Margjelo, Një lule, Martesa jone, Hapi sytë e zeze moj, Lule borë, Ma fal at buzeqeshje, Mallngjimi, O zambak, zambaku i bardhë dhe Na leu dielli. Salla ishte e mbushur nga artëdashës të komunitetit shqiptar me banim në Vjenë, trupi diplomatik, përfaqësues të shtëpisë së famëshme Vjeneze – Gramola -, sponsorët dhe të ftuar të tjerë.
Kush është Flaka Goranci
E lindur në Gjakovë të Kosovës, Flaka Goranci qysh fëmijë ka studiuar pianon. Më vonë ka vazhduar studimet kantos në Tiranë ku ka pasur mentore muzikanten e njohur Suzana Frashëri. Studimet master i vazhdoj në shkollën e muzikës Buchmann Mehta në Tel Aviv, ku fitoj një stipendium për dy vjet. Më pas me mbështetjen e shoqatës austriake “Hildegard Zadek”, mori leksione private në Vjenë nën drejtimin e Prof. W. Moore. Ishte 20 vjece kur punoj me drejtuesen amerikane të teatrit E. Stewart në New York, ku në teatrin muzikor atje luajti rolin e Armillës në “Il Corvo”, me të cilën u hap dhe bienalja e Venecias në Itali. Në moshën 22 vjecare debutoi me rolin e Rosinës në Berberin e Seviles si dhe luajti Cherubinon në pjesën e Mozartit “Le nozze di Figaro”në teatrin kombëtar të Operas në Tiranë. Në vitin 2012 mori pjesë në konkurimin e Akademisë ndërkombëtare europiane të Prishtinës me “Erlkönig” të Shubertit. Ajo ka frekuentuar kurse specializimi pranë mjeshtrave D. Ettinger, Ch. Spencer, U. Laufenberg dhe Vito Maria Brunetti si dhe ka punuar nën drejtimin e mjeshtrave Nikolaus Harnoncurt, Manfred Mayerhofer, Yishai Steckler, Vittorio Parisi, Zhani Ciko, Desar Sulejmani dhe Rafet Rudi. Mezzo Soprania Flaka Goranci ka shtuar tashmë në biografinë artistike të saj interpretime të ndryshme të realizuara në skenat ndërkombëtare nga veprat e Mozart-it, Rossin-it, Shubert-it, Schumann-it, Brahms, Maler-it, Berio-s etj…
Pervec pjesëve klasike shumë të njohura ajo këndon edhe pjesë nga perlat e muzikës popullore të cilat i ka incizuar dhe në këtë CD e cila është prodhuar me mbështetjen e Ministrisë së Diaspores së Kosovës.
Foto në origjinal nga Pjeter Logoreci
Wien, me 13.5.2015
Një ditë e paharuar në atelienë e mjeshtrit të skulpturës Ferid Kola./
Për skulptorin Ferid Kola, për madhështinë e veprave të tij me frymëzim kombëtar… /
Nga Pjeter Logoreci-Wien/
Kush viziton atelienë e skulptorit shkodran Ferid Kola, befasohet nga bukuria dhe shumëllojshmeria e figurave të krijuara me teknika nga më të ndryshmet që njeh arti i skulpturës. Përshtypja e parë të përballon me një burrë energjik, mikpritës e shumë komunikues, i cili pret cdo vizitor me kenaqësinë e mikut. Nuk e pata të vështirë të ambientohem menjëherë me shoqërinë e skulptorit Ferid Kola, por edhe me ambientin artistik që më rrethonte. Më mjaftoj një vështrim për rreth studios, që nëpermes objekteve – krijime, të përjetoj historinë mijravjecare të qytetit tim, por sytë më mbetën mbi bocetin e mbretit të Ilirisë Gentit, të cilën skulptori po e punonte në baltë, madhështia e të cilit kishte “pushtuar” atelienë.
Ferid Kolën e njoha në vitin 1993, në ditën e shënuar të vendosjes në Shkoder të shtatores së patriotit të shquar Luigj Gurakuqi, një vepër madhore e tij. Atë ditë unë, me kameran time, fiksova në fotografi shumë qytetarë të Shkodrës që dëshëroni të kishin një kujtim me mjeshtrin Ferid Kola para Gurakuqit të tij, që lartësohej në mes të qytetit.
Duke shoqëruar bisedën tonë me një kafe, mjeshtri më tregoj që qysh në moshën 4 vjecare kishte fantazuar duke vizatuar figura të ndryshme që i kalonin nëpër kokë. Pastaj më tregoj disa vizatime të asaj kohe, të ruajtura mirë, të vendosura në “ekspozitën e tij të parë” që edukatorja e kopshtit kishte organizuar për të treguar gjeninë e një fëmije vec nga të tjerët….
Ferid Kola lindi me 17 prill 1947 në qytetin e Shkodres, në një familje të mesme qytetare. Si babai ashtu dhe nëna ishin artëdashës, por edhe të talentuar secili në artin e vet. Nëna edhe pse me shumë femijë, kishte bërë mëndyrë jetese punën e dorës duke punuar në tezgjah, sixhade, carcafe, qëndisi të ndryshme apo punime me grep. Qysh në moshën 14 vjecare, ajo të mrekullonte me larminë e figurave, të ngjyrave si dhe të modeleve që krijonte.
Babai Osmani, ishte i apasionuar mbas muzikës popullore dhe ishte instrumentist i njohur në formacionet orkestrale të qytetit si dhe në banden muzikore. Ai luante në violine, trombë dhe korn. Në ambiente festash familjare, por edhe me shokë, ishte kënaqësi ta dëgjoje tek këndonte dhe luante me pasion këngët popullore shkodrane. Por edhe vizatimet e dajë Hysenit (Alibali), frymëzonin fantazinë e “artistit të vogël” që përpiqej ti përngjasonte.
I mahnitur nga bota e artit, me deshirën për të mësuar të vizatonte, ai hyri në kursin e pikturës të shtëpisë së pionerit në Shkoder, e cila kishte një traditë të mirënjohur në këtë fushë, ku mori mësimet e para nga piktori Gaspër Zojzi. Aty u njoh me elementet e parë të historisë së rilindjes së artit dhe bie në kontakt me vepren e Leonardos, Mikelanxhelos, bukuria e veprave të cilëve e mahnisin dhe i forcojne deshirën për tu bërë skulptor. Shpesh ndodhte që mbas mbarimit të mësimit apo në ditë pushimesh, Feridi të kalonte orë të tëra duke kundruar shtatoret e varrezave të Rrmajit apo ato të kishës katedrale, ku spikasnin veprat e Idromenos.
…isha nxënës i klases së 5-të apo 6-te kur shkojsha në varrezat katolike të qytetit. Aty përjetoja momente të magjishme kur kundroja truporet apo figurat e skalitura mbi varret e gurtë. Imagjinoja sikur isha në Luvrë, u mrekullojshe….., kisha deshirë të madhe të shihja vende historike … Më kujtohet që u futa në sportin e alpinizmit që të kisha mundësinë të shkoja shpesh në kalanë e Rozafatit apo të shihja shpellen e famëshme të Jubanit.
Që atë kohë, me deshirën e vullnetin e fillestarit, fillon të punojë figura të vogla prej druri, të cilat ja dhuronte punonjësve të Katedrales për të sajuar “qytetin e Betlehemit”, që ndërtohej me rastin e krishtlindjes.
…njëherë pranë shkollës sime fillore, pashë që një shitës ambulant mbështillte ëmbëlsirat që na shiste me fletët e një libri me figura nga veprat e Mikelanxhelos… – kujton mjeshter Feridi, …me këmbenguljen e fëmijës që dëshiron dicka, arrita ta bind burrin të më fale librin i cili u ba burim i zhvillimit pa kufij të fantazisë time artistike.. Duke vlerësuar talentin dhe dëshirën e tij, Feridi dergohet në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, ku nën mësimdhenien e skulptorit Halim Beqiraj, diplomohet si “Skulptor i mesëm”. Për disa vite ai dërgohet me punë si mësues vizatimi në shkollën e mesme Asim Vokshi të qytetit Bajram Curri.
Më pas përfundon Institutin e lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të bukura) duke u diplomuar si skulptor i lartë, në degen e skulpturës monumentale nën drejtimin e skulptorve të mirënjohur Thoma Dhamo dhe Kristaq Rama. Pas akademisë fillon të punojë në Shkoder si mësues vizatimi në Komunen e Postripës, në fshatrat Dragoc, Mes, Drisht.
Në vitin 1975 realizon veprën e tij të parë madhore, Lapidarin e heronjëve Cerciz Topulli e Muco Qulli, i cili është i vendosur në fshatin Shtoj. Lapidari është i punuar në gurë e bronz dhe ka lartësi 2,5m. Pas vlersimesh në arritjet e tij, fillon të punojë si skulptor restaurator për Institutin e Monumenteve të Kulturës të Tiranës në atelienë e Shkodres (ku asokohe përfshihej Lezha, Puka, Kukësi, Bajram Curri), ku merret me pasaportizimin, mbrojtjen dhe restaurimin e vlerave materiale të ornamentikës në dru, gur, hekur, stukoreliev, allci apo të pikturës murale.
Me nostalgji kujton Feridi, vitin 1978, kur pranoj ofertën e Skulptorit të Popullit Shaban Hadëri për të punuar si bashkëpunëtore në realizimin e monumentit të “5 Herojve të Vigut”. Në këtë vit ai punonte si mësues i jashtëm në shkollën e mesme artistike Prenk Jakova, ku jepte mesim në skulpture, vizatim, histori artit figurativ, anatomi artistike dhe perspective. “….Puna me Shabanin – tregon Feridi, ishte si të mbaroje një fakultet në vehte. Bashkia na krijoj mundësinë të punojmë në ambiete shumë të favorshme, në merkatën e qytetit ku kemi punuar nga viti 1978 deri 1982, kur vepra u inaugurua. “ Për këtë vepër, Ferid Kola, shprehet me vleresim të vecantë. Ai e quan atë, veprën më të mirë të realizmit socialist në skulpturë. Sic shprehet ai: vepra ….u projektua nga partia shtet që ti sherbente shtetit parti…, kështu ishte ideologjia e kohës…, por ajo është një arritje madhore në skulpturë. Vepra është realizuar në gurë e bronz me madhësinë 5m dhe u vendos në Shkoder. Në vitin 1980, mjeshtri Kola, realizon në beton dhe gurë, një lapidar i cili është i vendosur në zonën e Bahcallekut në Shkoder dhe që u bë simbol i solidaritetit të popullit të Shkodres në përpjekje për të zhdukur pasojat e termentit të 15 prillit 1979.
Krahas krijimtarisë së tij si skulptor me veprat që vijnë njera pas tjetrës në vitet në vazhdim, mjeshtri Ferid Kola së bashku me një staf të specializuar kolegësh, kryen punime restauruese në banesa muzeale dhe kulti në qytetin e Shkodres ku mund të vecojmë: Shtepinë e Pashko Vasës, atë të Luigj Gurakuqit (që fatkeqësisht nuk egziston më), shtëpinë e Mark Gjonit, atë të Dom Ndre Mjedës në fshatin Kukël, shtëpinë e Migjenit, të familjes Suma, Dabërdaku, Myfti Plakut, familjes Ceka, Xhevat Repishtit, Oso Kukës, në Xhaminë e Plumbit, Hamamin e qytetit, shtëpinë e Sali Zekës në qytetin e Lezhës, shtëpinë e Mic Sokolit në Tropojë etj. Në vitin 1986 realizon, në gurë e beton në madhesinë 2m, lapidarin e deshmorit të lirisë Zef Martini, i vendosur në Malsinë e Madhe.
Dëshëroj të ndalem pak në realizimin dhe vendosjen e shtatores së patriotit tonë të shquar, Heroit të Kombit – Luigj Gurakuqi që lartësohet në sheshin qëndror të Shkodres, në broz me lartesinë 3 metra. Ishte idea e skulptorit që vepra të vendosej aty, pasi sipas të dhënave historike e gojore, ishte ky vend që atdhetari Luigj Gurakuqi me 1925-sën, mbajti një nga fjalimet e tij më të përmendura që ka mbetur në mendjen dhe zemrat e popullit të Shkodres. Aso kohe, Gurakuqi po kthehej nga një udhëtim i suksesshem pune me varkë nëpërmes lumit Buna. Një grup i madh bashkëqytetarësh po e prisnin për ta përshendetur në molon e qytetit. Prej aty i shoqëruar nga turma, i hypur mbi një pajton u detyrua ti drejtohet qendrës së qytetit ku prisnin me mijra qytetarë. Në rrethanat e rastit, pajtoni u kthye në një foltore, ku Luigj Gurakuqi ju drejtua zemrave të ndezura nga patriotizmi të popullit të Shkodres.
Në vendin ku në vitin 1993 u vendos shtatorja e Gurakuqit, rregjimi komunist kishte vendosur bustin e diktatorit sovjetik – Stalinit. Me ardhjen e pluralizmit busti u hoq dhe Bashkia e qytetit e pau të arsyshme që deri me vendosjen e shtatores së Gurakuqit, ky vend të shndrrohej në lulishte dhe të zbukurohej me lule të ndryshme e flamuj kombëtare.
Dinosauri i humorit shkodran Nexho Shabani (donosauer: për nga madhsia e pesha trupore, por edhe nga humori) më tregoj një histori të atyre ditëve që ja vlen të shkruhet:”……po dilja nadje heret me shku deri në komitet (ishte koha kur kërkoja shpi), kur shoh tre puntorë që me një zorrë ujit e mjete tjera lagëse, po lagnin ose si i thoni ju …qi jeni me shkollë…., po ujitnin tokën aty ….
…..Mos – i bertas punëtorve me sa za qi kisha – …stop, ….cka bani mor të cmendur pse po e lagni tokën taman aty…..
Punëtorët të befasuar nga britma dhe mungesa e llogjikës, me pamje të trembur kërkuen me dijte arsyen e britmës!
…. Po si mor, ….a harruet qi aty ka kenë Stalini,…… e po e vaditët me ujë ka rrezik se na mbin prap…..
Ndërsa mjeshtri Ferid Kola kujton, ”…. që ditën kur u vendos shtatorja, nga mesi i kureshtarve të shumtë, afrohet Nexho Shabani dhe për humor me pyet:…… Profesor mor ???? Po e vendosni edhe nji herë Stalinin? – Jo mor Nexho, i them, Stalini i ka pasë mustakët të varur poshtë, e ky asht Gurakuqi qi i ka mustakët si burra shqiptar, përpjetë….
….A din cka, pse nuk ja bani kokën me vidë?…. e sa herë qi ndrron sistemi , po u desht me ndrru figurat, mos me u lodhë e me i ndrru vetëm kokën…..”
Në vitin 1997, mjeshtri Kola kryen në bronz në madhësinë 2,5m, monumentin e martirëve të demokracisë At Daniel Dajani dhe At Xhovani Fausti, të cilët me rastin e 50 vjetorit të martirizimit të tyre janë vendosur mbi një kullë të gurtë në fshatin Blinisht të Lezhës, në lartësinë 8m. Në vitin 1999, skulptori ynë realizon tre buste të disa figurave të njohura si: .. për fshatin Rranxa të Bushatit, ai kryen në allci bustin e martirit MARK CUNI, …bustin në allci 70cm të lartë të AT GJERGJ FISHTËS i cili është i vendosur në fshatin Fishtë në lokalin Mrizi i Zanave, ….si dhe bustin në allci të AT ZEF PLLUMBIT i cili gjindet akoma në studion e artistit.
Në 2001-shin me kërkesën e një porositësi privat, realizon në projekt në dy variante shtatoren e heroit kombëtar PRENK CALI, allci në masat 50 dhe 70 cm.
Në 2005-sën perfundon në allci në madhësinë 80cm shtatoren e NËNË TEREZËS.
Në 2007-tën me kërkesën e komunes së Postripës, punon në beton e granit lapidarin “LIVIZJA E POSTRIPES” që ka madhësinë 5m.
Në 2008-tën fiton cmimin e parë në konkursin kombëtar për monumentin e KARAMAHMUND PASHË BUSHATLLIUT, të cilin e ka punuar në allci në madhësinë 50cm, si dhe cmimin e dytë në konkursin kombëtar për realizimin e monumentit të AT GJERGJ FISHTËS të punuar në allci, 70cm të lartë.
Po në vitin 2008-të, merr pjesë në konkursin kombëtar të monumentit të PRESIDENTIT WILSON, punuar në allci në 60cm madhësi.
Mjeshtri Ferid Kola pervec punimeve tashma të vendosura në mbarë atdheun, ka shumë vepra të cilat gjinden në pronësi të personave privatë apo në galeri të ndryshme, si në Shqipëri, Greqi, Itali, Angli, Kosovë, Zvicër, Gjermani, Austri etj…..
Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë:
Kompozim, SHOTE E AZEM GALICA, punim në bakër në masat 25 x 30cm, punuar në 1972
Portret, PAL MELYSHI, punim në gurë, 70cm, punuar në 1977-ten
Portret, PARTIZANI, punim në bronz, 60cm, viti 1978
Kompozim, GJERGJ ELEZ ALIA, në bakër dhe dru, 30 x 30cm, viti 1984
Kompozim, NËNA ZADRIMORE, në bakër dhe dru, 30 x 30cm, viti 1985
Për punën e tij shumë dimensionale ai është vlerësuar me dekorata, medalje, si dhe diploma, fletënderi, mirënjohje të ndryshme në fushën e arsimit, artit e kulturës apo për angazhime me karakte kombetar dhe lokal.
Në vitin 1979 dekorohet nga Kuvendi Popullor me MEDALJEN E PUNËS
Në vitin 1990 dekorohet me Medaljen NAIM FRASHËRI
Shpesh artisti shkodran në realizimin e figurave të tija e gjen frymëzimin ndër njerzit e afërt, sic i ka ndodhur me realizimin e bustit të Nënës Tereze, ku për të realizuar figurën saj është frymëzuar nga figura nënës së tij që pervecse vitit të njëjtë të lindjes, kishte një ngjashmëri të cuditëshme fizike dhe shpirtërore me shënjtoren.
Të shumta janë kujtimet e artistit, pozitive e ma pak të mira. Kujton kolegët me të cilët kaloj ditët e vështira por të bukura të punës: Danish Jukni, Franc Ashiku, Angjelin Dodmasej, Ismail Lulani e Pjerin Bedeni. Kujton ditët e tranzicionit politik, kur në atelienë e tij i hynin persona të panjohur e të frikshëm, të cilët pasi kishin plackitur dyqanet me radhë, hidhnin një sy për të kapur ndonjë send nga “djersa e artistit të pambrojtun”. Ai kujton me respekt dhe mall të madhin Pjeter Gaci, me të cilin i bashkonte hobby për peshkimin dhe natyrën. Nuk kishte breg lumi, liqeni apo deti shqiptarë që nuk e njihnin, ku kishin peshkuar së mbashku me Pjetrin dhe Danishin.
Kujton pasionet e tjera të tij, pervec skulpturës, daljet në skenë si aktor apo si tenor, kohën e bukur studentore kur ushtronte plot dëshirë sportin e gjimnastikës me klubin STUDENTI. Kujton me respekt të vecantë edhe nxënësit të shumtë të tij të cilët sot janë artistë të njohur e me vlera nderkombëtare si Naim Hoxha, Hajdar Danjolli, Ilir Gjoni, Genc Tavanxhi, Arben Lazri, Kujtim Murati, Petrit Bilali etj.
Sa shumë vlera mbresëlënëse dhe rezultate të larta pune në artin e tij, të shpërblyera me cmime të panumërta, por edhe me mirënjohjen e pakufi të njerzve, artdashësve që ndjekin me andje veprat e mrekullueshme me taban kombëtar të dala nga dora mjeshtrore e tij. Ferid Kola, një artist i madh, por mbi të gjitha një njeri i madh i cili edhe pse në pension nuk “gjen qetësi” duke dhënë një ndihmese të madhe si AMBASADOR I PAQES edhe në fushën sociale për të cilen shoqëria shqiptare ka kaq shumë nevojë.
Personalisht dëshëroj që nëpërmes këtij shkrimi të bëj një homazh nderimi për aktorin e burrin zemërmadh ESAT KOLA, vëllaun e skulptorit tonë, i cili nuk jeton, me të cilin pata rastin të punoj dhe të aktroj në skenën amatore dhe profesioniste në Shkoder. Burra si Feridi e Esati, me shpirtin, kulturen, edukatën dhe artin e tyre pasurojnë e zbukurojnë jetën e qytetit verior. Ato janë vlera të arta që stolisin shtatin e zonjës së madhe Shkoder. Skulptori Ferid Kola është NDERI I KËTIJ QYTETIT DHE I KOMBIT edhe pse nuk ka këtë titull zyrtarisht.
Wien, me 20.04.2015
Perpjekjet e vlefshme te nje patrioti per pasunimin e gjuhes shqipe
Nga Pjeter Logoreci/
Një bisedë me një njohëse të gjuhës shqipe në tetor të vitit 2014, u bë shkak që unë të kërkoja në Austri materiale apo informacione mbi vepren dhe kontaktet e albanologut, gjuhëtarit dhe etnografit Dom Nikollë Mazreku. Dija vetëm që Gazulli ishte një nga studentët shqiptarë që studiuan në Austri dhe kisha dëgjuar për kalvarin e vuajtjeve që i shkaktoi atij rregjimi komunist.
Në Austri mundësitë e kërkimit të dokumentave të vjetër mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarve janë të mëdha, por duhet ditur se si dhe ku duhet kërkuar. Nganjëherë legjislacioni përkates bëhet pengesë për të pasur rezultatet maksimale në kërkime. Kështu me ndodhi edhe në rastin Gazulli, ku materialet që arkiva dispononte për te, nuk mund të skanoheshin, kopjoheshin apo të hidheshin në një cd, pasi nuk ishin mbushur 70 vite nga vdekja e personit të cilit i përkisnin (Norbert Jokl-it). Më duhej një autorizim i vecantë nga një trashegimtar i familjes së tij që ti nxirrja materialet nga arkiva.
Në bibliotekën kombëtare të Austrisë në Wien, ruhej korespondenca që albanologu i shquar Norbert Jokl kishte pasur me personazhe të ndryshëm shqiptarë, por jo vetëm, të cilët ishin të interesuar për Shqipërine, gjuhën dhe zakonet e saj. Në këtë fond gjindej dhe një lidhje e letrave origjinale, pra korespondenca në mes priftit shkencëtar dhe albanologut Jokli, e cila përmblidhej në rreth 125 faqe të shkruara kryesisht me makinë shkrimi por edhe me shkrim dore nga Dom Nikolle Gazulli. Periudha kohore kur janë shkruar këto letrat i perket viteve 1930, 1931 dhe 1932. Për të pritur përgjigjet e mikut të tij nga Austria, famullitari Gazulli përdorte adresen: Nikollë Gazulli, meshtar / Famullitar i Riollit. Te Nush Coba – Serreq ndë Shkoder.
Lidhja në formë libri e letrave, e cila është e skanuar nga arkiva me mjetet më moderne, përmban 7 letra që Nikollë Gazulli i ka dërguar Joklit si dhe një numër faqesh plot me fjalë shqipe, fraza shqipe dhe interpretime të fjalëve, frut i kërkimeve shumë vjecare të klerikut. Pjesa e fjalorthit prej 117 faqesh që i është dërguar me 5 letrat shoqëruese, mban mbishkrimin “Gazulli, Mbledhje Fjalësh”. Nuk dihet numri i fjalëve të cilat janë të rreshtuara me rend sipas germave, por dihet (sic shkruhet në letrën e parë) qe …..“me 12 dhetuer 1928, kur ishe famullitar në Jueshe afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjith´c pata e ashtu u shkrij edhe mundi i sa vjetëve; c´pata mbledhë fjalë e shumë gojdhana permbi fise shqiptare të verit, qi vetëm prej skamit nuk muejta me i botue.” . Së bashku me letrat janë edhe disa fletë “qortime” dhe “shtesa” të cilat janë vendosë më vonë, në vecanti. Sic kuptohet ndër letrat, sipas kërkesës së priftit, Jokl-i i ka dërguar atij herë pas here edhe libra të ndryshëm, fjalore enciklopedikë në frengjisht apo gjermanisht …“qi me vyejnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe”.
“U lutem shumë për bibliothekë mos me m´lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me U randue s´due asnji fije) pse mue m´asht djegë edhe shka pata; ktu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd´Austri qi m´u gjetë libra për përdorim pa i ble, mandej me i ble lypen të holla, qi te un s´gjinden, mbasi ma shpune kuleten: rrnoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m´u ngij me buk kollomoqe….”
Dom Nikolla kerkon mendimin e Jokl-it për sa i perket interpretimeve të tij si dhe mbledhjes të këtyre fjalëve: …“Kuer të Ju daline ngae, s´keni m´u kursye pa ma cfaqe me nji leter pershtypjen qi po Ju ban këjo mbledhje e emja; ….besoj qi nji mbledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj…..qi s´kishte me u kursye me jua cue…”
Ndërsa në letren e fundit, Gazulli i shpreh bindjen Jokl-it që….” …këtu pritet me pa-durim fjalori Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë shqipe t´arsyeme….”
Duke qenë se personin, qe më kërkoj që ti gjeja këto letra me mbledhje fjalësh të Dom Nikolle Gazullit për ti botuar, nuk arrij ta kontaktoj më dhe unë personalisht nuk jam specialist i fushës së gjuhësisë, mendova që këto materiale ti bëj të njohura për lexuesit shqiptar, botuesit e ndryshëm, si dhe studiuesit e gjuhës shqipe, në mëndyrë që këto perla të shqipes të gjejnë mundësinë e botimit.
Një vështrim i shkurtër mbi jetën e Dom Nikollë Gazullit.
Kleriku katolik Dom Nikollë Gazulli lindi në fshatin Dajc të Zadrimës në Lezhë rreth vjetit 1895. Ai ishte pjesë e familjes së njohur – GAZULLI – e cila qysh në mesjetën e herëshme përmendej për disa figura me vlerë në lëmin e teologjisë, artit ushtarak apo diplomacisë. Shkruhet së mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit e cila ishte hapur nga Dom Ndre Mjeda në vjetin 1902. Më vonë u bë pjesë e kolegjit Franceskan në Shkodër nga ku me shumë të tjerë u dërgua në Insbruk të Austrisë për të studiuar teologji dhe filologji. Me mbarimin e studimeve largohet për në Romë ku në vitin 1917 shugurohet meshtarë. I realizohet dëshira që të kthehet në atdhe ku krahas punës si prift katolik, fillon të merret me studimin dhe prejardhjen e gjuhës shqipe duke mbledhur, studiuar dhe analizuar qindra fjalë të rralla, shprehje popullore, pjesë dialektore apo të dhëna zakonore të vendeve ku sherbeu. Kryesisht sherbeu si udhehëqes shpirtëror në Malsinë e Madhe (famillia Shkrel) ku u përballua me ngjarje reale apo gojëdhëna të dala nga populli, që i shërbyen si objekt i shkrimeve apo studimeve të tija të cilat përpara se ti botonte i konsultoi me albanologun Norbet Jokl, Eqerim Cabejn, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Justin Rroten. Vepren e tij e mblodhi në dy vëllime, Fjalorth i ri që u botua në vitin 1941 dhe Fjalori Onomastik i cili u botua me pjesë në revisten e kohës Hylli i Dritës. Gazulli shkruante nën pseudonimin Gelasius dhe zotëronte gjuhën gjermane, italishten, latinishten, sllavishten. Lexonte në gjuhen turke dhe franceze. Mbledhjet dhe studimet e tij u vlerësuan shumë nga albanologu austriak Jokl me të cilin kishte korespondencë të rregullt. Më vonë, fjalët e mbledhura ndër zonat e malsisë së madhe ku ai jetoj si dhe etimologjia e tyre, i shërbyen gjuhëtarit austriak për ti përmbledhur në veprën e tij për Etimologjinë e gjuhës shqipe. Mendohet që në mbledhjen dhe gjurmimet e tij, i ndihmuen dhe koleget at Mark Harapi, At Aleksandër Sirdani, at Nikollë Suma, të cilët për fjalorin onomasitk mblodhën materiale gjuhësore që nga Malsia e Madhe deri në Fier, nga Malësia e Gjakovës deri në malin e Shpiragut, nga Iballa e Pukës deri në Shëngjergj të Tiranë. Së bashku me të vellaun Gjonin ishin aktiv në levizjen kundër Zogut në Malsinë e madhe në vitin 1927. Ndërsa Gjoni denohet me vdekje, Dom Nikolla denohet me 4 vite burg. Për arsye të luftës por edhe për të ju shmangur perndjekjes klasore gjatë rregjimit komunist ai qëndron si klerik në malësitë e veriut ku në marsin e vitit 1946 vritet nga forcat e sigurimit në shpellën e Shkrelit (ku ishte fshehur për ti shpëtuar ndjekjes). Prehet në kishën e këtij fshati pasi u rivarros nga besimtarët e malsisë të cilët i sollën eshtrat e tij nga vendi ku i mbanin të fshehura. (Referencat u morën nga libri: Studentet shqiptar te Austrise)
Qazim Dervishi, Një figurë elitare e sportit shqiptar ..
Nga Pjetër Logoreci,Vjene/
Një ndër personazhet e spikatur që kontribuan për vendosjen e themeleve të sportit shqiptar, ishte padyshim dhe shumëtalenti, atleti nga Shkodra, Qazim Dervishi. Ky burrë i ditur dhe i emancipuar, me kulturë perendimore, pat meritën e fillimit të shumë sporteve që nuk njiheshin asokohe në Shqipëri, ku dhe ishte kampion e sillte vit pas viti rekorde të reja përsonale. Më vonë mësues dhe edukator, vazhdoi të përhapte tek brezat e rinj kulturën kombëtare e dëshirën për sport duke merituar titullin e lartë “Mësues i popullit”. Qazimi, gjoksi i të cilit ishte i mbushur me medalje e dekorata, për rezultate të shkëlqyera dhe për ndihmesen e madhe në botën e sportit, fatkeqësisht për sa jetoi nuk zotëroj asnjë titull sportiv. Sic duket, kultura dhe aktiviteti i tij e shqetësuan pushtetin komunist, i cili në vend që ta nderonte me titullin “Mjeshtër i Madh Sporti”, e perplasi ndër qelitë e burgjeve famëkeqe të sistemit gjakatar komunist, duke e katandisur familjen e tij, deri sa doli nga burgu, për bukën e gojës.
SI E NJOHA QAZIM DERVISHIN….
Ndërrimi i sistemeve në Shqipëri edhe pse në vazhdimësi me komunista, apo femijët e tyre në pushtet, mundësoi për shumë familje shqiptare te ndara nga izolimi i dhunëshëm dhe i egër komunist, bashkimin e pjestarëve, afrimin e njohjen e tyre, si dhe i mundësoi vizita tek njëri tjetri. Njerzit filluan të frymëmarrin edhe pse plagët, dhëmbjet e vuajtjeve nga raprezaljet e diktaturës ishin të mëdha. Pesë dekada dhune kundër familjes dhe lirisë së individit, bënë që në të kaluarën, dy breza të shoqërisë shqiptare të keqtrajtohen, të diskriminohen apo të fshihen nga memorja qytetare si rezultat i “luftës së klasave”. Shumë u pushkatuan (edhe pa gjyq) dhe nuk i dihet as varri, disa të tjerë për të shmangur përndjekjen e tiraninë e “komunistëve internacionalistë” u arratisën nga atdheu duke gjetur strehë në vendet perendimore, të tjerët jetuan së bashku në burgun e madh Shqipëri, në “fanarin ndricues”, në brigjet e Adriatikut…
Në këto ditë ndryshimesh të mëdha të postkomunizmit, në vitin 1993, pata fatin e mirë të njihem me intelektualin Qazim Dervishi, i cili në moshë të thyer, jetonte me familjen e tij në Shkodër.
Si shumë familje të tjera edhe familja ime, vuajti arratinë, ndarjen e pjestarëve të saj, të cilët si intelektualë që kishin studiuar në shkollën teknike amerikane të Fultzit e më pas në universitetet perendimore, shiheshin si armiq nga regjimi diktatorial. Për afro gjysëm shekulli izolimi, ne nuk mundëm të kontaktonin (telefon, letra, apo fizikisht), të ndiheshin, me pjesën tjetër të familjes, deri sa ato vdiqën të dëshëruar në dhe të huaj. Qelloi që në prandverën e vitit 1993, erdhën për vizitë në Shkodër, për herë të parë, pjestarët e familjes time, të cilët jetonin në Londër.
Kushëririn im Philip (djali i xhaxhait tim, Anton Logoreci) dhe nëna e tij Doreen Clements (gazetare e një reviste londineze nga më të dëgjuarat e Anglisë)¸ gjatë vizitës në Shkodër, përjetuan shumë surpriza të këndëshme të cilat jua zbukuruan ditët e tyre të qëndrimit, një ndër to ishte dhe vizita në shtëpinë e intelektualit e patriotit shkodran QAZIM DERVISHI. Meqenëse z. Dervishi ishte në moshën 85 vjecare, shkuam ta takonim në pallatin ku ai banonte. Vizitorët nuk e flisnin gjuhën shqipe prandaj kërkova ndihmën e një përkthysje profesioniste për të bërë interpretimin e bisedës nga gjuha angleze në shqip. Takimi me anglezët e solli zotni Qazimin në kujtime të periudhës së rinisë kur ai, në mes qindra studentësh nga i gjithe vendi, ishte pjestar i shkollës teknike amerikane të Harry Fultz¬-it në Tirane. Për cudi edhe pse në moshë të madhe, z. Qazimi filloj të komunikojë me miqtë në një anglishte perfekte, pa patur nevoje për ndërhyrjen e përkthyeses.
Në mes të ambietit të ngrohtë familjar që u krijua, z. Qazimi filloj ti tregojë miqve nga Anglia përjetimet e tmershme në burgjet komuniste, e sidomos të periudhës dy vjecare të qëndrimit në hetuesi. Nuk mund ti harroj drithërimat që më përshkuan kur dëgjova ngjarjen e tmershme që i kishte ndodhur gjatë hetuesisë…. Pasi e kishin detyruar të zhvishej dhe torturuar barbarisht, e kishin varur për këmbësh, fytyrë për fytyrë me kokëposhtë, së bashku me një prift katolik i cili kishte vdekur nga torturat. ….Ftoftësia e kufomës si dhe sekrecionet e mbrendëshme të klerikut-kufomë, binin mbi trupin e gjakosur e të zhveshur të Qazimit. Dhe nuk mjaftonte kjo, por hetuesit sadistë duke gjetur kënaqësi e shumë agresivë, kishin filluar të lëshonin telin që i mbante të lidhur dy trupat, të cilët i kishin varur mbi gropën e hapur për WC, ….e vazhdonin ti lëshonin ….deri sa kokat e të burgosurve prekën jashtqitjet në gropë….
Kjo ngjarje shkaktoi një reaksion të fortë emocional tek anglezja mike e cila humbi ndjenjat. Ajo kishte dëgjuar qindra histori nga i shoqi Anton Logoreci, i cili fliste për tmerret e komunizmit cdo natë në emisionin shqip të radios BBC¸ por kjo që dëgjoj këtu ishte jashtë cdo limiti njerzor.
Kush ishte QAZIM DERVISHI?
Qazim Dervishi, i biri i Zades dhe i Selimit, lindi në Shkodër me 10 qeshor 1908. I ati i Selimit, Dervish Stankovic ishte kepuctar dhe kishte e ardhur në Shkodër rreth vitit 1866 nga Tuzi, ndërsa nëna e Qazimit ishte me origjinë nga Mjeda.
Qysh në fëmijëri, Qazimi u vecua nga të tjerët për shkathtësinë e tij mendore dhe trupore e në shkolle ai ishte kurdoherë nxënës i dalluar. Edhe pse (sipas tregimit të familjarve) rreth viteve 1916 … 1918, ishte e ndaluar që femijët nga familjet muslimane të luanin me top (pasi shihej si gjynah), Qazimi organizonte me shokët e moshës lojra me top, të cilët nënë Zade-ja ja qepte me kujdes.
Babai që merrej me tregti, pat mundësi ekonomike që të paguante një mësues privat për ti dhënë të birit njohuri të tjera, për të cilat ai ishte shumë i interesuar. Pa mbushur moshën 12 vjecare, Qazimit i vdes babai duke lënë pas katër femijë jetimë, dy djem dhe dy vajza. Për familjen nisin kohë të vështira, por amaneti i babait ishte që fëmijët të shkolloheshin. Miqtë e familjes filluan të interesoheshin që Qazimi, si më madhi ndër femijët, të frekuentoje një shkollë detare në Turqi, por deshira e fëmijes ishte tjetër. Ai nuk e pranoi propozimin dhe sapo mbaroj filloren u regjistrua në Gjimnazin e Shkodrës. Duke parë aftësitë e Qazimit, punonjësit e kryqit të kuq amerikan në Shkodër e këshilluan të regjistrohej në shkollën teknike amerikane që ishte hapur në Tiranë në vitin 1922, ku ai filloj studimet e rregullta në vitin shkollor 1924, viti i dytë i egzistencës së shkollës. Shkolla me profil industrial, kishte drejtor 34 vjecarin Harry Fultz. Ajo financohej nga kryqi i kuq amerikan dhe kishte të njëjtin program me shkollat e Pityburgut, një qytet industrial i njohur në Amerikë.
Aty Qazimi u njoh edhe me studentë të tjerë që vinin nga qyteti i tij i lindjes si Viktor Beltoja, Ndoc Qerraxhia, Lec Barbullushi, të cilët u bënë shokë të mirë të tijët. Më vonë, në vitet e tjera, grupi i bashkëqytetarëve u zmadhua me Xheladin Bacin, Shaqir Kadinë, Anton Logorecin, Zef Qerraxhinë, Ndoc Geren, Ndrek Kodhelin, Mark Kurbinin, Loro Shirokën. Gjatë mesimit nxënësit edukoheshin me dashurinë për punën nën motivin : “If we rest, we rust”, në shqip: “kush rri ndryshket”, apo sic flitej në mes nxënësve: secili duhet të jetë gati të pranojë cdo punë që ti jepet…. Nxënësit duke punuar për të mësuar zanate të ndryshëm siguronin dhe të mirat e duhura materiale për jetën në konvikt. Fultzi e kishte vënë Qazimin të drejtonte sektorin e blegtorisë në fermën që zotëronte shkolla, në Laprake. Qazimi punonte tokat e fermës me traktor, administronte gjeneratorin e shkollës, në të njëjtën kohë punonte edhe si shofer duke bërë transportin e farës së misrit nga Tirana në Durrës.
Edhe aktivitetet e ndryshme sportive, futja e sporteve të reja të panjohura më parë në Shqipëri, ishin në programin e shkollës teknike amerikane. Ndër keto aktivitete Qazimi ishte gjithmonë prezent dhe sipas informacioneve të gazetës së shkollës “Laboremus”, në lojrat olimpike të cilat organizoheshin për cdo vit nga shkolla, ai u dallua dhe zuri vende nderi në garën e kërcimit për së gjati, në garën e kërcimit trehapësh. Në vitin 1925, Qazimi u zgjodh kapiten i skuadres së futbollit të shkollës si dhe këshilltar i përhershëm i drejtorisë për këtë sport. Në lojrat olimpike të vitit 1927, Qazimi theu rekordin e kërcimit së larti. Me inisitiven e drejtorit Harry Fultz, i cili ishte një lojtar basketbolli i mrekullueshëm, për herë të parë në Shqipëri, u organizuan ndeshje basketbollit, ku Qazimi ishte kapiteni i 5-shes së parë për shkollën teknike amerikane.
Në fillimin e vitit 1929, duke parë punën e mirë e serioze të Qazimit, kolegët kërkuan që ai të ishte – kujdestar i konviktit Naim Frashëri-. Me emrimin e tij kujdestar, Qazimi përvec punëve që i takonin, filloj të organizonte me nxënësit e konviktit, gara atletike dhe ndeshje basketbolli. Por dëshira e tij ishte të transferohej në qytetin e lindjes, të ja dedikonte Shkodrës rezultatet e mira që arrinte në sport. Mbas transferimit në Shkodër, për të plotësuar nevojat ekonomike të familjes ai filloj të punojë si mësues te shkolla HADREJ, e njëkohësisht si kujdestar në konviktin MALET TONA, pra mësues dhe edukator. Me inisiativën e tij, në vitin 1930, ai vendosin në këndin e vetëm sportiv që egzistonte në Shkodër, në atë të shkollës së Perashit, tabelat e basketbollit, shkallën suedeze, traun e ekuilibrit, gropën e rërës, stekat për kërcimin së larti si dhe vizoj pistat për gara vrapimi. Nën organimin e tij, terreni sportiv pat përherë lojra basketbolli, handbolli, futbolli apo gara vrapimi të përziera për djem e vajza. Me këmbënguljen e tij dhe me ndihmën e shokëve e nxënësve, në vitin 1934, Shkodra kishte 3 terrene sportive. Jashtë deshirës së tij, në vitin 1939, Qazimi transferohet si mësues në Pogradec, por në tetorin e vitit 1942 kthehet si mësues në shkollën Ismail Qemali të Shkodrës. Po në këtë vit ai martohet me mësuesen e njohur Meliha Dervishi (mësuese e popullit) dhe së bashku gjatë vitit 1945, punojnë në Lezhë dhe Gjirokaster.
Një deshirë e madhe e Qazimit, ishte formimi i një klase për fëmijet shurdhë – memecë. Ai punoj papushim për një alfabet diadik duke u bazuar në modelin e shkollës amerikane “Northwest school Philadelphia”, ishte talent në fushën e didaktikës si dhe përkthente nga anglishtja letërsi për fëmijë, letërsi sportive dhe didaktike.
Pat një periudhë kohe kur Qazimin e dërguan të punojë si instruktor i edukimit fizik në hekurudhën Peqin – Kavajë. Aty, ai u vendos nën shënjestrën e sigurimit të shtetit, i cili aktivitetin e zellshëm dhe lidhjet e Qazimit i shihte me xhelozi.
Zyrtarët komunist të kohës, nuk mund të pranonin planet e tij që të lidhej me shkollat amerikane dhe ato londineze për të mësuar nga programet e tyre. Kështu që, me 12 shtator 1947, në moshën 39 vjecare, Qazimi arrestohet nga sigurimi i shtetit me akuzën “veprimtari në grup kundër shtetit¸agjitacion e propagandë dhe spiunazh”. Qëndron për 22 muaj në birucat e shfarosjes të hetuesisë, nën tortura cnjerzore, ku falë një fiziku të hekurt prej sportisti i rreziston vdekjes. Denohet me 18 vite burg nga gjykata e Tiranës e cila “e gjeti fajtor” nën këtë akuzë. Shtatë vite më vonë, i sëmurë rëndë, lirohet nga burgu. Për vite me radhë familja e tij ishte viktimë e një fushate të egër përndjekjesh, frikësimesh dhe bastisjesh nga sigurimi, të cilat vazhduan sistematikisht deri 1971-shin e ndrrimin e sistemit.
Përvec ndihmesës së madhe në fushën e arsimit dhe të përhapjes së sporteve të reja në Shqipëri, Qazimi pat një karrier brilante edhe si administrator e gjyqtar i futbollit. Në vitin 1945 ai emrohet kryetar dhe drejton shoqërinë Vllaznia në Shkodër. Pervec se një atlet profesionist, një futbollist i papërmbajtur, ai ishte arbitri i parë ndërkombëtarë i futbollit në Shqipëri. Qazimi ishte një gjyqtar shumë i vlerësuar si mbrenda vendit ashtu edhe në ndeshjet ndërkombëtare, duke arbitruar me shumë sukses në ballkaniaden e vitit 1946.
Me 11.06.1993, ai nderohet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë „Mësues i popullit. Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, në vitin 1996, pallatit të ri të sportit në qytetin e Shkodres i vendoset emri QAZIM DERVISHI. Me kërkesën e qytetarëve të Shkodrës¸me 13.3.2009, këshilli i Bashkisë Shkodër, i jep titullin “Qytetar Nderi”. Qazim Dervishi vdiq më 19 janar 1994 në moshën 86 vjeç, i nderuar nga koleget, qytetarët e gjithë Shqipërisë, por pa arritur të shohë sa ishte gjallë, titullin MJESHTER I MADH I SPORTIT apo CMIMIN E KARRIERES si sportist…..
Vjene, me 12.1.2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6