-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj: Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett: Policisë së Kosovës i uroj suksese të mëtejme përderisa vazhdon të ndërtojë namin si njëra ndër organizatat më të mira të policisë në Evropë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 28 Janar 2019/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj priti sot ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett, i cili mori pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit trajnues që realizohet nga Zyra e Programit për Asistencë Kundër Terrorizmit (ATA). Ky trajnim, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata, ka për qëllim rritjen e kapaciteteve për zbatues të ligjit në Kosovë, avancimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës në zhvillimin e aftësive teknike si dhe për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.
Drejtori Qalaj në fjalën e tij të rastit tha se institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu si edhe qytetarët e saj, janë përcaktuar qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Republikën e Kosovës, ku respektimi i të drejtave të njeriut, të lirive fundamentale, gjithëpërfshirja dhe sundimi i ligjit janë të garantuara për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, apo të dallimeve të tjera dhe po ashtu potencoi se jemi të përcaktuar qartë në orientimin proevropian dhe synimin për integrimin në institucionet dhe organizatat euro-atlantike.
Në frymën e kësaj, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Ndër të tjera drejtori Qalaj tha se Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Falë ndihmës, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave, si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga SHBA-të, Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera vendore ka arritur të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj nga aktet e terrorizmit, andaj për këtë ju jemi mirënjohës dhe falënderues SHBA-ve.
Nga ana tjetër ambasadori Amerikan Philip S. Kosnett u shpreh se Ambasada Amerikane është krenare që po bashkëpunon në këtë trajnim dyditor, i cili ofron kornizën organizative të ligjeve dhe politikave për t’u marrë në konsideratë nga zyrtarët kur hetojnë apo gjykojnë terroristë. Kjo ngjarje është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për sigurinë rajonale.
FJALA E AMBASADORIT AMERIKAN NË KOSOVË PHILIP S. KOSNETT GJATË HAPJES SË PUNËTORISË: PËRDORIMI I TEKNOLOGJISË PËR QËLLIME TERRORISTE, 28 JANAR 2019
Zonja dhe zotërinj, mirëmëngjesi. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ju faleminderit për fjalët e mira.
Para se të flas për temën e kësaj konference, dëshiroj ti them disa fjalë për Policinë e Kosovës.
Siç e dinë shumë njerëz, kam shërbyer në Kosovë para 15 viteve dhe më vjen shumë mirë kur e shoh sa ka përparuar Policia e Kosovës gjatë këtyre viteve. Profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës janë më se të ditura.
Po ashtu, dëshiroj të vë në pah komentet e Drejtorit të Përgjithshëm për përkushtimin e organizatës për të ndërtuar forcë policore shumetnike. Unë besoj se të keni forcë policore që i përfaqëson të gjithë qytetarët e një vendi është jetike për zhvillimin e shoqërisë, si dhe për qëllimet specifike të policisë për luftimin e krimit. Dëshiroj t’ju nxis të vazhdoni në këtë drejtim.
Ti kthehemi tani temës së punëtorisë: “Përdorimi i teknologjisë për qëllime terroriste”. Ju faleminderit edhe njëherë për mundësinë për të folur sot.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përqendruara për promovimin e sundimit të ligjit dhe të sigurisë rajonale. Si pjesë e këtij qëllimi, jemi duke mbajtur këtë program me vlerë 1.4 milionë dollarë për trajnim dhe asistencë kundër terrorizmit për mbështetjen e këtyre përpjekjeve në Kosovë. Na vjen jashtëzakonisht mirë që po i shohim pjesëtarët e palodhshëm të Policisë së Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët duke e ndjekur këtë kurs dyditor dhe njërin ndër shtatë kurset e sponsorizuara nga ATA.
Ambasada është krenare për bashkëpunimin për këtë trajnim dyditor, i cili iu jep udhëheqësve kornizën organizative dhe politikat që mund të shqyrtohen gjatë hetimit dhe ndjekjes penale të terroristëve. Kjo është ngjarje e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale.
Askush, asnjë vend nuk është imun nga terrorizmi. Institucionet e Kosovës kanë kryer punë mbresëlënëse në vitin 2016 për të penguar një sulm të planifikuar gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael, duke përdorur dronët për të bartur dhe shpërthyer eksplozivin. Në maj të vitit të shkuar, tetë qytetarët të Kosovës janë dënuar pas akuzave për terrorizëm për rolin e tyre në këtë tentim të sulmit.
Para dy javëve, Policia e Kosovës ka arrestuar një individ për kërcënim ndaj kryeministrit Haradinaj përmes rrjeteve sociale dhe internetit. Këta shembuj tregojnë rritjen e hatashme në zhvillimin e aftësive dhe angazhimin me partnerët rajonalë dhe ne shpresojmë që do të vazhdojmë ta ndihmojmë Policinë e Kosovës për të vazhduar këto suksese.
Mentorët dhe instruktorët me përvojë të zbatimit të ligjit: Xhim Ficsimons (Jim Fitzsimmons), Majk MekTavish (Mike McTavish), Art Ihuan (Art Ehuan) dhe Shon Flëri (Shawn Fleury) kanë ekspertizën dhe shkathtësitë e duhura për të bartur njohurinë dhe për të trajnuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Përderisa Jim-i dhe Mike-u tashmë po punojnë dhe po ndihmojnë Njësitin kundër terrorizmit të Policisë së Kosovës, këtë trajnim do ta udhëheqin Shoni dhe Arti. Jemi të bindur se kjo punëtori do të jetë edukative dhe e leverdishme për Qeverinë e Kosovës përderisa teknologjia vazhdon të luajë rol jetik në veprimtaritë terroriste.
Më lejoni ta mbylli fjalën time duke ju falënderuar edhe njëherë për mundësinë për të folur sot para jush. Shpresojmë që do të vazhdojmë angazhimin dhe bashkëpunimin me ju për këto çështje. Policisë së Kosovës i uroj suksese të mëtejme përderisa vazhdon të ndërtojë namin si njëra ndër organizatat më të mira të policisë në Evropë.