• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veç nacionalizmi (populist) mund ta shpëtoj shtetin e Kosovës?

January 22, 2019 by dgreca

Fadil-Maloku

Nga Fadil Maloku/*

“Kur një alamet Amerike, që ka shekuj përvojë në demokraci, i kthehet sërish idesë së nacionalizmit populist (koncept ky me të cilin triumfoj D.Trump),vetëm e vetëm që t’i rikonsolidoj institucionet e veta demokratike, atëherë, shtrohet pyetja milionëshe, se : kush jemi ne shqiptarët, që me kaq lehtësi (e në emër të një kosmopolizmi fiktiv?!) po heqim dorë vullnetarisht nga e drejta sublime e nacionalizmit qytetar…” (F.M) Kush po vendos sot në Kosovë për interesat vitale? 1. Duke shikuar perspektivën e Kosovës nga ky këndvështrim, duket që nacionalizmi pak a shumë i shprehur ekonomik do të duhej të paktën të analizohej edhe si një nevojë për të shprehur specifikat që shteti i hendikepuar po i bart edhe me faktin e të qenit një rast sui generis. Kuptohet nacionalizmi ekonomik në kohën tonë, s’mund të mbetet armë e fuqishme për ta mbajtur hapin e zhvillimit dhe sidomos procesit të integrimit afatgjatë, (synim ky kogja diskutabil në të ardhmen!?), por mund të shërbejë si një alibi interesant për të shprehur pakënaqësinë dhe papajtueshmërinë tonë lidhur me diskriminimin që është duke na u bë si shtet i ri, p.sh. në proceset e reja ekonomike integruese rajonale. 2. Por, fakti që partner i vendeve dhe shteteve të vogla sikurse janë Kosova, nuk duhet të jenë korporatat e mëdha (KTN-të) të cilat nga përvoja e vendeve tjera po ashtu të vogla imperativ të vetëm e kanë “blerjen” (lexo: plaçkitjen me letra !) në formë bankrotimi të atyre pasurive dhe resurseve që kanë peshë nacionale, por kryesisht popujt dhe qeveritë e tyre legjitime të përzgjedhura përmes votës së lirë të qytetarëve. 3. Themi kështu edhe për shkak se, përvojat e vendeve të vogla gjithashtu dëshmojnë, se: korporatat e mëdha sot pa mëshirë ushtrojnë presion në qeveritë e reja të pamësuara sa duhet në ndërtimin dhe respektimin e institucioneve përgjegjëse dhe transparente demokratike, duke korruptuar kështu gjithherë grupe të ndryshme interesi që janë të gatshme për shërbime (lexo: edhe transaksione marramendëse!?) në marrëveshjet e arritura (natyrisht!) në dëm të vendit dhe qytetarëve. 4. Rast për të dëshmuar apo demantuar përvojën e këtyre vendeve, ne në Kosovë më si miri i kemi me tendencat që të privatizohet gjiganti i PTK-s (në kohën kur profiti sipas ekspertëve ishte në kulm!) dhe ai i Trepçës, (që është lënë me qëllim të vijë buzë bankroti, në mënyrë si thotë populli të blihet “për një kafshatë goje”) së bashku me kompanitë tjera të përfshira në procesin e privatizimit. 5. Një çështje tjetër e rëndësisë vitale nacionale, e që kujtojë gabimisht është duke u servuar qytetarëve dhe përgjithësisht publikut kosovar gjatë gjithë periudhës së pasluftës është edhe ai i kinse joshjeve që u bëhen këtyre korporatave (KTN-ve) përmes Projekteve të ndryshme, ku kushtet dhe qëllimet e përgjithshme afatgjata kryesisht i diktojnë jo ekspertët dhe institucionet tona, por menaxherët e këtyre korporatave, të cilëve tashmë në kushtet e proceseve globalizuese ngandonjëherë nuk u dihen as adresat e sakta të veprimit dhe menaxhimit! 6. Gjatë gjithë periudhës së pasluftës jemi dëshmitarë të këtyre llojeve të ofertave dhe kërkesave që u përcollën herë pas herë edhe me skandale të ndryshme. Është e kuptueshme që kapitalizmi neoliberal, për qëllim dhe synim permanent të vetin ka qarkullimin e lirë dhe të pakufishëm të mallrave (sidomos) dhe njerëzve (më pak) që dosido nënkupton faktin e reduktimit të rolit dhe intervenimit eventual të institucionit të shtetit në këtë fushë. 7. Ku ashtu siç edhe u pa në rastin e tendencës së bllokimit të kufirit me Serbinë, si edhe tashmë së fundi pranimit të futjes së Republikës në “Republikë”, duke harruar kështu se adresa e vetme e këtij kontrolli më nuk është as në dorë të qeverisë së Kosovës, por të këtyre “pronarëve të rinj” që dikush i shquan me epitete dhe eufeizma të ndryshëm si “miq tanë”, “qendra të vendosjes” , “faktori ndërkombëtarë’’, “zyrat e Dragodanit”, etj. Së këndejmi për mendimin tim, qeveria e Kosovës vetëm ka zbatuar një “urdhër” të (pa)dukshëm (e gjithsesi edhe të kushtëzuar!) të shoqërorizuar me përkrahje të formave (ekonomike e politike) dhe stilit të “karotës dhe shkopit” që në fakt më së mirë dëshmon se s’jemi akoma as “sovran”, as “të pavarur” e mbi të gjitha as “shtet demokratë”! A mundet nacionalizmi të shërbejë si një lloj guide për rilokalizmin rajonit të Ballkanit? 1. Pra, duhet kuptuar që në kushtet e rrethanave të një nacionalizmi ekonomik, nuk është e thënë që kufijtë (me cilin do shtet në rajon) të bëhen pengesë apo mjetë strategjikë i ndarjes apo edhe getoizimit të shteteve dhe vendeve, por përkundrazi një mjet i fuqishëm i përgjegjësisë së njerëzve nga cilado pjesë e kufirit për problemet që i kërcënojnë ata gjithandej, p.sh. ndotja e ambientit, resurset natyrore, etj. 2. Sipas kësaj logjike, mendojë që rastet e kontesteve të shfaqura me kufijtë: (rasti midis Sllovenëve dhe Kroatëve, Boshnjakëve dhe Serbëve me Kroatë, ky i yni me kufirin me Serbinë në Merdare…) në Ballkanin Perëndimor, në një mënyrë janë raste të reja ku definitivisht u dëshmua se shtetet e reja të dala nga ish Jugosllavia në fakt kanë më shumë kanë obligime, se sa të drejta ndajë qendrave të vendosjes dhe sidomos ndaj korporatave gjigante! Këto duket janë parimet e rendit të ri botëror dhe këtu nuk ka debate të stilit: “mundem apo s’mundem”, “dua apo nuk dua”, “kam interes shtetërore”, ngase detyrat ashtu sikurse edhe obligimet janë saktësisht të ndara…!?. 3. Një tjetër çështje që pak a shumë mendojë që është e rëndësishme për Kosovën është edhe ajo se me konceptin e nacionalizmit ekonomik, nuk duhet nënkuptuar vetëm procesin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve, por padyshim lidhjen e marrëveshjeve të atilla që dosido janë të karakterit dhe dobisë nacionale në faza afatshkurtra dhe sosh afatgjata, temë kjo që kujtojë meriton një analizë më të thukët në të ardhmen. 4. Por, meqë, kohëve të fundit gjithnjë e me shumë po shtohen zërat për një konstatim disfatist mbi konceptin e ekonomisë neoliberale (kriza e madhe financiare), shkaku i simptomave gjithnjë e më shumë të theksuara të krizës: ekonomike, morale, e sidomos asaj që vijnë nga kërcënimi ekologjik, pastaj hendekut gjithnjë e më të madh midis të pasurve dhe të varfërve në nivel global, si edhe dëshmisë së margjinalizimit apo edhe reduktimit të rolit institucionit të shtetit përmes sovranitetit, etj., atëherë natyrisht shtohen edhe zërat tjerë për një përgjigje dhe masa efektive që duhet shtetet të marrin për të menaxhuar situatat dhe krizat kudo që ato të paraqitën në botë. 5. Bartës të këtyre ideve për ruajtjen e rolit te shtetit, padyshim që është nacionalizmi i fjetur etnik (mjerisht jo edhe ai akoma ekonomik) në vendet e tranzicionit (vendet e Ballkanit Perëndimor), të cilat duke vështruar përvojat e hidhura të vendeve në zhvillim (Greqisë, Spanjës, Portugalisë) po hamenden shumë në instalimin e modeleve dhe përvojave menaxhuese mbi vendet e tyre.Por, elementi kyç që me sa duket po u mungon këtyre vendeve është padyshim ai i vetëdijesimit politik i qytetarëve për rolin e rëndësishëm dhe perspektiven imanente që duhet ta ushtrojë edhe më tej mekanizmi i shtetit. 6. Në fakt, nacionalizmi ekonomik po hetohet dhe kuptohet gjithnjë e me shume si një lloj guide për rilokalizmin e botës globale e cila edhe më tej do mbes me tendenca globale e globalizuese. Kur jemi tek koncepti i rilokalizimit, duhet cekur që shumica e sociologeve të sotëm janë të pajtimit se me instalimin e tij në jetën publike mundësit e vënies nën kontroll të sjelljeve deviante dhe deformiteteve tjera përcjellëse politike do të jenë shume të koordinuara dhe me fleksibile nënkuptimin e identifikimit, reduktimit dhe të mënjanimit menjëhershëm. Kush duhet të ketë monopol mbi shtetin Kosovar, nacionalistët apo demokratët? 1. Është e ditur që koncepti apo doktrina nacionaliste, mbështetet ekskluzivisht në parimin e pavarësisë së popullit të vetë jo vetëm nga popujt tjerë, por edhe nga vetë sovrani, pra sundimtari që qeverisë qoftë me votën e qytetarit (në demokraci) apo me “të drejtën e votës” së trashëgimisë (në monarki). Të parët që e definuan ideologjinë nacionaliste si ”sovranitet të tërësishëm të popullit” ndajë sundimtarit ishin jakobinët të cilët shtetin dhe pushtetin e identifikonin me nocionin e popullit. 2. Por, nëse i adresohemi kuptimit bashkëkohor të këtij termi, kuptojmë se nacionalistët e globalizmit në fakt më shumë i japin rëndësi çështjes së rendit të drejtë shoqërorë i cili dosido duhet të shkojë në favor para së gjithash: individit, familjes, pra edhe shtetit se sa çështjes së lirisë apo barazisë qoftë ajo sociale apo politike. Nga ky këndvështrim koncepti i nacionalizmit duket që është në një konflikt të ngrirë me demokracisë edhe për shkak se të parët mendojnë që liria e individit duhet të limitohet apo kufizohet (në disa raste edhe të viktimizohet?!) për hir të lirisë dhe interesit të përgjithshëm. 3. Gjithashtu gjykojë, se nëse u adresohemi përvojave të gjertanishme të vendeve dhe shteteve që më xhelozi dhe afsh të paparë e kultivuan këtë koncept dhe këtë doktrinë, kuptojmë se është evident një disfavor i theksuar i tezës së mësipërme. Gjermanët p.sh. në periudhën e qeverisjes së Bismarkut, ishin të parët që praktikuan nacionalizmin ekonomik me vendet dhe shtetet për rreth, pastaj Italia dhe Spanja gjithashtu në fillim te shek. XX bënë të njëjtën gjë, por edhe Evropa perëndimore, e sidomos Japonia pas luftës së dyte botërore. 4. Ndërsa, sot me fanatizëm dhe xhelozi ende të paparë po e praktikojnë sidomos Kinezët, të njohur edhe si kërcënuesit apo konkurrentet kryesor për lidership në botën e sundimit neoliberal, gjithashtu nuk janë larg as bie fjala shtetet tjera, siç janë: Venezuela, Koreja e Jugut, Tajvani, Malezia, Singapori , Rusia e Putinit, etj. 5. Shumicës së njerëzve, ne vendet e tranzicionit ngandonjëherë u duket edhe kthim prapa apo edhe ide e demoduar, çështja e mbijetimit apo eventualisht edhe rikthimit kah nacionalizmi ekonomik, në kohën kur doktrina tjetër neoliberale po bënë kërdi pothuajse në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se: idetë e lirisë së qarkullimit, tregtisë, …duken shumë më shumë joshëse se sa ato të kujdestarit të shtetit për të fuqizuar ekonomitë e vendit. 6. Duket që tani për tani, ndjenja dhe interesi individual, platformë kjo e neoliberalëve (që në truallin e Kosovës mbahen herë si djathtist e herë si qendër liberale) tash për tash po na del si më e fuqishme se sa ndjenja kolektive e nacionalisteve bashkëkohor ekonomik, por duke analizuar në faza afatgjata problemet që edhe sot janë evidente në ekonomit botërore, ku gjithnjë e më shumë po shtohen diferencat sociale (shkalla e varfërisë asnjëherë s’ka qenë më enorme?!), e sidomos ato ekonomike, mendojë që ky dominim nuk do të jetë edhe gjithaq i gjatë dhe pa pasoja: si të natyrës politike, ekonomike, sociale, e mbi të gjitha edhe sosh kulturore! 7. Gjerë atëherë ne do mbesim vërtetë rast sui generis (pa thojza?!)….

  • E dergoi per Dielli-n autori

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Maloku, Populizmi, shpeton Kosoven

“Populizmi”, nji hap në rrugën drejt “fashizmit”

May 30, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212 Nga  Sami Repishti, Ph.D./

Në nji Editorial “Cili ashtë problemi i Europës?“(The N. Y.Times 22 maj 2018) nobelisti në ekonomi, Profesor Paul Krugman, i Universitetit Princeton, shkruente:  ”Në se ju duhet me identifikue nji vend dhe nji kohë ku dhe kur andrrat tona humanitare – vizioni i nji shoqënie që ofron jetë me dinjitet për të gjithë anëtarët e saj- u plotësuen aq shumë, ky vend dhe kjo kohë pa dyshim do të ishin Kontinenti Europian dhe gjashtë dekadat e mbas L2B. Ka qenë nji nga mrekullitë e historisë: nji kontinent, që njohu shkatërrime masive të cilat sollën diktaturat, gjenocidin, dhe konfliktet ushtarake, u tranformue në nji model të demokracisë, dhe të properitetit ekonomik të shpërndamë me zemërgjanësi”.

Europa filloi reformat shoqënore që në shekullin 19. Në Britaninë e Madhe. legjislacioni për klasën punëtore, në Francë me arsimin e përgjithshëm cilësor, në Gjermani me sigurimet shëndetsore që në vitin 1881 nga kancelari Bismarck, e të tjera. Europa e re e tronditun nga luftat e vazhdueshme përforcoi pozitat e kujdesit shëndetsor për popullsinë që pruni zgjatjen e jetës, pakësimin e vorfënisë, rritjen e pagave në nivele njerëzore, dhe pruni paqën, stabilitetin (80 vjet Europë pa luftë!) bashkëpunimin dhe mbrojtjen kolektive, në mes tjerash.

Sot, kjo “mrekulli e historisë” kërcënohet seriozisht nga “forcat e errëta”, jo liberale që lindën nga keqësimi i gjendjes ekonomike europiane, dhe u ashpërsuen nga efekti negativ i konservatizmit politik në SHBA, me presidentin D.J.Trump.

Gabimet e së kaluemes krijuen konditat e sotme. Në Europë, vendimi për krijimin e “euro-s” si monedhë europiane e përbashket, pruni nji atmosferë euforike, të shoqënueme nga shpenzime të pajustifikueshme që ndihmuen shumë në zhvillimin ekonomik të disa vendeve, krahas me korrupsionin. Koncentrimi i pushtetit ekonomik europian në Bruxelles, shkaktoi dobësimin e politikës financiare të pavarun të shteteve anëtare. Kur kriza ekonomike filloi të përhapej, shumë shtete nuk ishin në gjendje me përballue nevojën e marrjes së masave qeveritare të nevojshme, sepse vendimet merreshin me aprovimin e organeve të Bruxelles-it. Shtete si Italia, Spanja, Portugali, Greqia u gjetën në nji pozitë të vështirë ndaj kërkesave për nji politikë austeriteti, dhe u banë viktima të nji krize që damtoi randë jetën e tyne të përditëshme dhe perspektivat për nji zhvillim ma të tejshëm në të ardhmen. Papunësia u rrit, dhe bashkë me atë pakënaqsia e masava në nevojë ndihme qeveritare që nuk mund të vinte. Disa vende, si Islanda dhe Polonia që nuk pranuen euron si monedhë, u gjetën në nji situatë ma të mirë për rindërtimin e ekonomisë, sepse tue çvlerësue monedhën, u rritën eksportet dhe krijuen fonde që ndihmuen rindërtimin.

Ramja ekonomike, dhe papunësia e krijueme ngjallën moskënaqsinë e përgjithëshme popullore, dhe në atmosferën e re rezultoi fitorja politike e së djathtës ekstreme me frymë anti-europiane: në Itali (me fitoren e lëvizjes “cinque stelle”) në Poloni, ku Partia Ligjë e Drejtësi –PiS- ka mbushë gjykatat, neglizhue mediat publike dhe pothuejse monopolizue administratën me anëtarë të Partisë, dhe në Hungari ku kryeministri V.Orban shfrytëzon shoqëninë civile dhe abuzon fondet e shtetit dhe të BE me pasunue oligarkët që e përkrahin, dhe ku marshi i forcave të errëta rrezikon rrëshqitjen në “fashizëm”. Në Rumani udhëheqsit kanë dobësue ligjët kundër korrupsionit që rrezikon me i gëlltitë.

Në qarqet intelektuale europiane u krijue dyshimi se varja e ekonomive lokale nga qendra europiane në Bruxelles mund të ishte “shkaku” e jo “sherimi” i problemeve që ballafaqojmë! Në raste të vendeve ku historia peshon randë –si ishte rasti i Britanisë së Madhe, “perandoria botënore”,- nënshtrimi ndaj “zyrtarëve të Bruxelles-it” ishte nji përulje që shkaktoi pakënaqësi të thellë. Kjo spjegon daljen nga Bashkimi Europian i Britanisë së Madhe, i njohun si fenomeni “Brexit”. Si rrjedhim, thyhet uniteti europian, dhe shkelën disa nga vlerat morale të B.E. kryesisht emigracioni ekonomik i lirë dhe solidariteti me refugjatët që ikin nga vdekja…!

Europa përballohet me “forcat e zeza” që rezistojnë demokracinë. Hapi i parë ashtë krijimi de facto, i hapët ose i mshehun, i qeverive që dominohen nga nji parti e vetme politike. Cinikët në vende të ndryshme flisnin për këte zhvillim thellësisht të padëshirueshëm. “Tashti që Europa e Lindjes u çlirue nga ideologjia e huej politike, komunizmi, ka mundësi të kthehet në rrugën që ka nderperë, ne fashizëm”. Edhe në SHBA –shkruen nobelisti Krugman- “sot praktikisht sundohemi nga nji parti politike që ka shumë pak respekt për normat demokratike, ose sundimin e ligjit!”. Kjo gjendje quhet “populizëm” (në SHBA edhe “trampizëm”) – premtime të pa sprovueme për zgjidhjen e problemeve serioze, premtime me zgjidhë hallet e popullit të thjeshtë, shoqënue edhe me kufizimin e të drejtave qytetare të garantueme me kushtetutën – qendrime që përfundojnë në neo-fashizëm. Ata u mundësuen nga diskreditimi i nji elite politike, dhe nga dalja e vrullëshme në skenë e “hijeve të zeza”. Ky zhvillim frikëson!

******

‘Fashizmi”, përshkruhet nga Profesor N.O’Sullivan si“….nji doktrinë që kombinon ‘nacionalizmin’ etnik me pikëpamjen totalitariste, se shteti duhet të kontrollojë të gjithë aspektet e jetës shoqënore. Fashizmi kundërshton ‘liberalizmin’, lirinë personale, dhe ngulë kambë që plotësimi i dëshirave tona duhet t’i nënshtrohet (kërkesave) të shtetit, e jo e kundërta – ose (kërkesave të komunizmit) identitetit klasor dhe aspiratave që kërcënojnë unitetin e shtetit….Autoritetet politike e kulturale asimilohen dhe identikohen me ‘vullnetin kombëtar’, i cili artikulohet nga nji “udhëheqës’ (Duce!) kombëtar që koncepton detyrën e vet si nji mision me pengue degradimin kombëtar.” (“Fascism”, London,1983)

Preokupimi i jonë i madh dhe zhvillimet politike që dëshmojmë shkaktohen nga fakti se në opinionin e gjanë të botës demokratike nuk mund të injorojmë “stuhinë” që grumullohet për rreth nesh. Parasiti “fashist” sot paraqitet nepërmjet nji kërcënimi që nuk e kemi pa që nga vitet e mbas L2B. Lista e zhvillimeve shqetësuese ashtë e gjatë: përpjekjet e njimbasnjishme të partive në fuqi me grabitë autoritetin shtetnor, në Hungari, Poloni, Filipine, Turqi, vende aleate të SHBA-se.

Por edhe në SHBA fryma e urrejtjes, që zakonisht shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë, zhvillohet vazhdimisht, me rezultate që mund të tregohen si katastrofike. Lëvizja nativiste e Presidentit Trump “America first!” ashtë në të vertetë nji kërcënim serioz për paqën në botë, dhe infrastrukturën ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive.

Në Federatën Ruse despotizmi i Presidentit Putin lulëzon. Rezultatet e shumëta i shohim në okupacionin e Krimesë, infiltrimin e “rebelëve” rusë në Ukrainë, nxitjen dhe përkrahjen e kriminelit Asad në Siri, dhe sidomos në ndërhymjen brutale të vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, nji lëkundje e fortë politike që vazhdon pa ndërpremje edhe sot. Shtypi ndërkombëtar thekson tashti edhe presionin rus në gadishullin ballkanik në përpjekjet e veta me zevendsue tërheqjen strategjike të SHBA-së nga ky gadishull.

Sot, SHBA janë ba objekt kritikash të hapuna për shkeljen e të drejtave të njeriut me ligjët e reja të emigracionit, dhe anulimin e njianëshëm të marrëveshjeve të arrituna ma parë, për “politizimin” e veprimeve qeveritare pa asnji shqetësim për damin e madh që i bahet shoqënisë- veçanërisht rinisë- amerikane. Me ushqimin e “mitit” të invincibilitetit amerikan shpenzohen miliarda dollarë për armatimet dhe kërcënimet që rrezikojnë konfliktin e qellimshëm ose aksidental.

Në ballafaqim me këte “rrezik” publiku përparimtar amerikan përdorë mbrojtjen e së vërtetës, shtypin e lirë si mbrojtës të popullsisë, forcimin e parimit që asnjeri –tue përfshi edhe vetë presidentin- nuk ashtë përmbi ligjin; dhe, me shumë randësi, kërkon nga çdo qytetar amerikan “pjesëmarrjen’ në procesin demokratik pa u dekurajue, sidomos pjesëmarrjen në votimet lokale dhe kombëtare.

Ky qendrim përjashton aksionin e dhunëshëm!

Sot, në SHBA populli amerikan tregon pjekuninë e vet politike, dhe konfirmon besimin në të ardhmen demokratike të këtij vendi. Amerika ashtë nji vend ku populli, me origjinët ma të ndryshme, punon së bashku për të mirën e përgjithëshme, për mbrojtjen e të drejtave për të gjithë, dhe për sigurimin e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Ky ashtë “the American exceptionalism”, shpesh i keqinterpretuem, por nji model për të gjithë popujt e botës që andrrojnë nji jetë të lirë dhe me dinjitet, për të gjithë ata që kundërshtojnë sundimin e nji partie ose të nji njeriu të vetëm që mashtron i mbështjellun me rrobe demokratike…!

*****

Zhvillimet politike në Europë- kryesisht në Hungari e Poloni – kanë prodhue dy sisteme hibride. Në dy shtetet nuk ka polici sekrete. Qarkullimi i qytetarëve ashtë i lirë. Kapitali i huej hynë në të dy vendet. Por as Hungaria as Polonia nuk mund të quhen “vende demokratike”, sepse demokracia e tyne ashtë “illiberale”, pa frymën e lirisë. Dora e udhëheqësve politikë, ashtë e randë nga qendrimi ultra-konservativ i partive politike në fuqi. Ky zhvillim u ba i mundun në dy vende që u dalluen për qendrimin e tyne heroik kundër diktaturës së kuqe, me sakrifica të mëdha. Pa dyshim, nji ironi e historisë që do të mbetet si shembull i mundësive të pakufizueme që paraqiten në jetën politike të vendeve tona- edhe në Shqipëri! Ky zhvillim politik tregon se edhe në Shqipëri “…po humbasim zakonin- ndoshta edhe aftësinë- me ba dallimin në mes të realitetit dhe zbrazëtisë. Ky ashtë faktori që vështirson shumë rimbëkamjen” me citue nji shprehje të Masha Gessen.

Sot, në vendin tonë, PD-ja që përfaqsoi kundërshtimin popullor ndaj PPSH-së në fillim dhe ndaj PS ma vonë, dhe premtoi nji Shqipëri me “liri dhe demokraci”, nji “Shqipëri si e gjithë Europa” ashtë reduktue në nji grup “politikanësh” qellim-mirë ndoshta, por pa eksperiencë, pa sensin e përgjegjsisë, e pa aftë me dalë nga “dara socialiste” që e mban të gozhdueme në vend…në karriket e Kuvendit, nji minoritet aty ku vendimet merren nga “shumica” pa respekt për pakicën dhe fjalën e saj; dhe akoma ma keq, pa bindjen se “politika ashtë në esencë kompromis”, dhe se vendimet merren me debate të nderëshme dhe argumentime profesionale nga të dy palët. Ndërsa PS ka humbë vlerën e saj “socialiste” e komprometueme randë me “pasunimin” e saj nga elementë neo-komunistë që gëzojnë mbështetjen e plotë të PS.

Grindjet e vazhdueshme, zhurmëmëdha e pa substancë, kanë krijue nji kakofoni që nuk shërben asnjenën palë. Probleme serioze për jetën e vendit si korrupsioni që nga koka deri në kambë, zhvillimi i shfrenuem i drogës dhe efektet katastrofale të saj për familjen shqiptare, papunësia dërmuese sidomos në zonat malore të vendit dhe vorfënia masive (qe ajo krijon!) ramja e prestigjit tonë kombëtar, udhëheqës që nuk frymëzojnë as lejojnë me shpresue për nji përmirësim të mirëfilltë të gjendjes, dhe dekurajimi i masave do të krijojnë konditat e nevojshme për nji reagim –kam frikë!- violent, dhe daljen në skenë të “hijeve të zeza, ose të kuqe” me mendimet  e qellimet e tyne, të zeza ose të kuqe, si këmishat e zemrat e tyne, të zeza ose të kuqe…..!

Dhe kjo ashtë krejtësisht e mundun, sepse “elita politike” që ashtë krijue në vendin tonë ashtë diskreditue randë si entitet politik pa program e pa vullnet. “Jepi popullit punë, dhe shpresë!” përfundonte këto ditë ish KM i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai shtonte: ”Organizoni aksione të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta; fraksionalizmi në politikë ashte i destinuem me dështue”.

Sot ma shumë se kurrë, në Shqipëri duhet përjashtue zemrimi që shpesh sjellë diversiteti i mendimit; sot, ma shumë se kurrë na duhen përgjigje që kërkohen për pyetjet e shumëta nga të katër anët e vendit. Premtime që nuk mund të mbahen për zgjidhjen e shqetësimeve të popullit të thjeshtë, krijojnë probleme edhe ma të mëdha, ndoshta zgjidhje të përkohëshme, por përfundojnë pa përjashtim në nji zemrim popullor kundër “elitave” të vendit. Trazina shoqënore nuk duhet të kenë vend në Shqiperi.

Konflikti në mes të vlerave tradicionale të demokracisë liberale perendimore, dhe forcave të reja të autoritarizmit, mostolerancës dhe nacionalizmit etnik, ashtë sot sfida e madhe botnore.

Ne shqiptarët, mesazhi i Presidentit francez E. Macron na ngrohë, sidomos në këto ditë  kur shpresohet se hymja e Shqipërisë në Bashkimin Europian po afrohet. Le ta presim me krahë hapët.:

“Nuk dëshiroj me qenë pjesë e breznisë që flen me sy hapun e që ka harrue të kaluemen e vet. Unë dëshiroj me qenë pjesëtar i breznisë që ka vendosë me mbrojtë me fuqi demokracinë…Po! Ashtë e vertetë se këto janë ditë të vështira, por demokracia europiane ashtë shansi i jonë ma i mirë.”

Europa ashtë shtëpia e jonë! Bashkimi Europian ashtë, simbas udhëheqësve shqiptarë, “…instrumenti i vetëm me modernizue dhe me rindërtue shtetet dhe institucionet”, deklaronte kryministri Rama. Kush tjetër njeh ma mirë problemet tona se ata që as ndërtuen shtetin as institucionet tona që akoma sot nuk funksionojnë?

Por para se të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të edukojmë “europianët shqiptarë” me mendue e me veprue si europianët e Schuman-it në Europë.

Filed Under: Histori Tagged With: Europa, Ph.D, Populizmi, Sami repishti, shqiptaret

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT