• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISH PRESIDENTI NISHANI: QEVERIA SHQIPTARE PALIGJSHMËRI DHE AFERË KORRUPTIVE ME TEATRIN KOMBËTAR

May 17, 2020 by dgreca

Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë 2012 – 2017, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Shqipërinë në përballje me pandeminë botërore covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.


SHQIPËRIA DHE VALA COVID-19

Situata e krijuar nga Covid-19 edhe në Shqipëri u paraqit serioze dhe e rrezikshme, ashtu si në çdo vend tjetër të botës. Për fat të keq kjo situatë u vështirësua dhe u rëndua akoma më  shumë për qytetarët shqiptarë për shkak të një paaftësie të madhe të qeverisë aktuale dhe papërgjegjshmërisë së saj për të reaguar në përshtatje me rrethanat e Shqipërisë dhe në favor të interesit publik të qytetarëve. Tashmë mjekët seriozë, specialistë të vërtetë dhe me integritet qytetar po paraqesin prova mjekësore se virusi Covid-19 ka qarkulluar në Shqipëri që prej muajit Janar 2020. Kjo është tërësisht logjike duke patur parasysh që komunikimi fizik midis Shqipërisë  dhe veriut të Italisë që ishte vatra më e madhe dhe më agresive e infeksionit, ka qenë me mijëra qytetarë çdo ditë në hyrje-dalje. Përkundër kësaj situate reagimi qeverisë ka qenë inekzistent deri në 10 mars kur duket se sëmundja mori përmasa të  mëdha dhe qeveria për të mbuluar paaftësinë e saj dhe papërgjegjshmërinë e demonstruar ndërmori masa e veprime ekstreme ndaj qytetarëve shqiptarë duke dëmtuar rëndë  jetën e tyre personale, liritë e tyre themelore dhe ekonominë familjare të shqiptarëve si dhe ekonominë  e vendit në tërësi. Është normale që në situatë pandemie të tillë të merren masa të forta institucionale organizative, ligjore por edhe sociale e shoqërore. Për këtë arsye është  paraparë edhe kjo situatë dhe veprimet përballë saj edhe në Kushtetutën e vendit edhe në  legjislacionin përkatës. Filozofia, parimet, praktika dhe përballimi i saj ndërtohet mbi masat e jashtëzakonëshme shoqëruar me ndihmën dhe kompensimin social, ekonomik e shoqëror. Masa të  tilla pothuajse munguan. Qeveria shqiptare u angazhua vetëm në  izolimin ekstrem të  qytetarë ve dhe pezullimin e çdo njësie dhe aktiviteti ekonomik. Testet e pakta dhe shumë të izoluara kanë pamundësuar orientimin dhe qasjen e duhur mjekësore ndaj këtij virusi dhe përhapjes së  tij. Kjo do të na kushtojë shumë për një kohë  të gjatë duke mos e ditur realisht se ku duhen marrë masat ekstreme dhe çfarë masash duhen marrë në vatrat e mundëshme të infeksionit. Për fat të keq kjo situatë e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e popullit është tentuar të shfrytëzohet për politikë ditore partiake nga qeveria. Kjo është  vërejtur edhe nga sulmet e saja ndaj opozitës dhe rolit e sjelljes konstruktive që opozita është përpjekur të ofrojë gjatë gjithë kësaj periudhe. Po përmend vetëm një fakt: Kryetari i opozitës në mënyrë të përsëritur ka kërkuar marrjen e masave të mbylljes së bisneseve të  fasonerisë  si terrene shumë  të rrezikshme për përhapjen e virusit. Reagimi i qeverisë  ka qenë tërësisht injorues ndaj këtij propozimi. Kjo vetëm për një arsye, pasi ai propozim vinte nga kryetari i opozitës. Sot rezulton se pikërisht këto bisnese dhe këto ambjente janë vatrat me infektimin më të madh dhe që vijojnë të përhapin virusin me agresivitet. Opozita nuk ka mekanizma ekzekutiv apo institucional që të ekzekutoj politikat dhe idetë e saja. Opozita përkundër sjelljes ekstreme të qeverisë është treguar e matur, konstruktive dhe e përgjegjëshme. Ka identifikuar problematikat reale, ka propozuar masa parandalimi për infektimin dhe masa ndihmëse për qytetarët, ka treguar rrugët institucionale dhe masat financiare të  nevojshme. Për fat të keq qeveria i ka injoruar ato vetëm për faktin se ato qëndrime të përgjegjshme vinin nga opozita. Padyshim, që për mua Covid-19,është një kërcënim real dhe i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare jo vetëm në Shqipëri por një kërcënim serioz i paqes dhe stabilitetit në mbarë botën. Mbetet për tu parë se cili do të  jetë  reagimi për ta përballuar këtë  kërcënim. 

RIKTHIMI I SHQIPËRISË NË NORMALITET

Për fat të keq Qeveria Shqiptare nuk ka asnjë plan afatmesëm apo afatgjatë, nuk ka një  strategji për situatën. Ka ndërrmarë vetëm një hap thjesht represiv, të shtyjë deri në fund të  muaji qershor gjendjen e masave të jashtëzakonshme. Po deklarohet hapja e pjeseshme e aktivitetit ekonomik por nuk ka asnjë masë reale dhe efektive të ndihmës financiare e ekonomike ndaj bisnesit të vogël e të mesëm. Degët kryesore të ekonomisë së vendit si bujqësia, turizmi apo transporti rrugor e detar nuk kanë asnjë plan ndihme, madje asnjë  diskutim rreth tyre. Pra një kaos total që rrezikon ta zhysë vendin në një  krizë të thellë ekonomike. Po të shohësh aspektin e fokusit ekonomik përgjatë  kësaj pandemie dallon vetëm politikën e shpërndarjes së  milionave nga buxheti i shtetit për një  grup të vogël oligarkësh përmes të  famshëmve PPP dhe disa pagesa qesharake, të  përgjysmuara nga sa u premtua dhe për një grup të përzgjedhur qytetarësh.

SHTETI POLICOR DHE RAPORTI ME TË DREJTAT E NJERIUT

Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në keqpërdorim maksimal të rastit të pandemisë  janë  dhunuar rëndë në Shqipëri. Ky ishte një rast ku menjëherë  u shfaqën reminishencat e sistemit monist ku Shqipëria vuajti për afro pesë dekada. Në Shqipëri qeveria shpalli formalisht “Gjendjen e Emergjencës për shkak të  Fatkeqësisë  Natyrore” por realisht  implementoi masa të  “Gjendjes së  Jashtëzakonëshme” që parashikohen në  Kushtetutën tonë vetëm në  rastet e shpalljes së luftës. Ka patur masa ekstreme të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, kufizim të  aktivitetit të mediave, mbyllje ekstreme të ekonomisë private dhe nga ana tjetër është  shfrytëzuar kjo situatë për prokurime sekrete për materiale krejt ordinere, ndërsa ndihma sociale e ajo ekonomike ka qenë pothuajse inekzistente. Shumë e rëndë ishte dalja nga kazermat dhe patrullimi në rrugët e kryeqytetit të forcave të  blinduara e me armatim të  rëndë  të  ushtrisë . Ky ishte një akt në shkelje të  rëndë të  Kushtetutës e ligjeve të vendit e për më tepër ndodhi në një vend anëtar të  NATO-s. Ka një  problem shumë  të  rëndë  ligjor me këto masa në Shqipëri. Sipas Kushtetutës tonë dhe ligjeve relevante vetëm Këshilli i Ministrave ka të drejtën e nxjerrjes së akteve normative me fuqinë e ligjit. Shumë prej masave ekstreme të  kufizimit të veprimtarisë së qytetarëve dhe medias janë  urdhëruar ose me akte administrative të ministrave (çka nuk e kanë fuqinë e ligjit) ose nga statuse në facebook e Kryeministrit. Kjo situatë është skandaloze dhe mund ta quash pothuajse një sjellje diktatoriale e shekullit 21.


QEVERIA, TEATRI KOMBËTAR DHE LIGJSHMËRIA

Tashmë në Shqipëri nuk mund të  flitet më për ligjishmëri apo kushtetutshmëri. Në Shqipëri ka rënë tërësisht mekanizmi i balancimit të pushteteve dhe kontrollit mbi to. Kemi një  parlament monist, për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk ekzistojnë prej tre vitesh, sistemi i drejtësisë penale është i kapur politikisht dhe me emërtesa antikushtetuese e antiligjore pikërisht për të  qënë  i kapur politikisht. Pra në Shqipëri sot ka një sistem anarkik ku përditshmëria e jetës rrjedh formalisht për shkak eksistence por pa rregulla, pa ligje, pa kode, pa garancira, pa mbrojtje, pa kontroll. Edhe rasti i sjelljes së qeverisë ndaj Teatrit Kombëtar zhvillohet në këto rrethana. Në gjykimin tim është një aferë e madhe korruptive ku janë përfshirë grupe kriminale të  pastrimit të parave të drogës përmes përdorimit të pushtetit politik i cili është tërësisht nën influencën e krimit të organizuar. Ky bashkëpunim midis pushtetit politik dhe krimit të  organizuar është provuar përmes disa rregjistrimeve audio të bëra publike prej shtypit gjerman.

SHQIPËRIA DHE KOLAPSI I DREJTËSISË

Shqipëria nga pikpamja ligjore dhe institucionale është  futur në  një  rreth vicioz  i cili nuk ka zgjidhje përpos një  terreni të ri politik. Imagjinoni nëse në SHBA do të ishte shkrirë  Gjykata Supreme prej tre vitesh dhe nëse Senati gjithashtu nuk do të funksiononte prej tre vitesh. Imagjinoni nëse në SHBA gjyqtarët dhe prokuroret do të ishin në frikën se qeveria do të  urdhëronte shkarkimin e tyre nga detyra? Shqiptarët kërkuan dhe mbështetën fuqishëm një  reformë në sistemin e drejtësisë çka ishte një nevojë e madhe në Shqipëri. Por vullneti qytetar u tradhëtua dhe sistemi i drejtësisë nga një sistem me probleme, me një grup gjyqtarësh e prokurorësh të korruptuar brenda tij, sot është asgjësuar totalisht dhe kontrollohet politikish në mënyrë absolute nga një  njeri i vetëm që është  Kryeministri vendit i cili përpos të tjerave ka problem të rënda me botën e krimit të organizuar. Në këtë situatë ne kemi një shtet në prag të asgjesimit të plotë në Shqipëri. Kjo që po ju them nuk është një shfrim politik nën emocione partizane por një realitet që mund të konfirmohet nga çdo gjykim normal e i pavarur human. Por unë  jam i bindur se populli shqiptar nuk do ta lejojë  këtë asgjësim të shtetit të tyre çka do të kishte pasoja të rënda edhe përtej kufijve të  Shqipërisë. 

MESAZHI I PRESIDENTIT NISHANI PËR LEXUESIT E DIELLIT, VATRËN DHE DIASPORËN NË USA

Ne jemi me fat që kemi një diasporë të  tillë sot në SHBA. Historikisht diaspora shqiptare në  SHBA ka qenë një bekim për kombin shqiptar. Për fat të keq neve në Shqipëri nuk jemi qasur e adresuar siç duhet tek kjo diasporë. Ajo ka potenciale të jashtëzakonëshme intelektuale, profesionale, ekonomike-financiare. Mund të flas shumë për këtë çështje por më mirë ta përmbledh me një  fjali. Ne jemi në borxh të madh tek kjo diasporë. Unë shpresoj dhe besoj se përfaqësues të saj do të jenë në të ardhmen e afërt pjesë e menaxhimit të punëve në  Shqipëri. Ju faleminderit. 

Filed Under: Politike Tagged With: Interviste, Presidenti Bujar Nishani, Sokol Paja

Thaçi,“Urdhri i lirisë” për Presidentin NISHANI

May 11, 2017 by dgreca

1 Nishani-Kosove2 Nishani Kosove1 Nishani Delegacionet3 Dekorata1 Nishani Mustafa

Thaçi e Nishani- Perspektiva evropiane për Kosovën e Shqipërinë/

5 Nishani veseli-Nishani-Thaçi: Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënia vëllazërore dhe institucionale, bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike/

-Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e Presidentit Nishani për Kosovën, Shqipërinë dhe më gjerë/

1 Nishani kjo me Isen
-Edhe kryeparlamentari Veseli priti presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani/
 PRISHTINË, 11 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në vizitën zyrtare shtëtërore në Kosovë u prit sot në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi me intonimin e Himnit Shqiptar e Himnit të Kosovës dhe me Gadën Ceremoniale të FSK-së të rreshtuar për nder të tij.
Gjatë takimit, Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidenti Thaçi i ndau Medaljen Urdhri i Lirisë, duke vlerësuar se, ai ka dhënë një kontribut të lartë për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënia vëllazërore dhe institucionale, bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike.
Askush nuk mund të ndalë të ardhmen tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, i cili mbetet synimi ynë i vetëm”, u deklarua në takim.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Njoftimi dërguar nga Kryeministria thekson se, gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që Presidenti Nishani ka dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar.
Duke vlerësuar përkrahjen e madhe të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, kryeministri Mustafa theksoi rolin e veçantë pozitiv dhe unifikues të Presidentit Nishani në proceset zhvillimore në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi Presidentin Nishani edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij për avancimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet euroatlantike dhe proceset tjera për zhvillimin e shtetit.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë në të gjitha fushat.
Presidenti Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Mustafa për punën dhe përkushtimin e tij për fuqizimin e shtetit të Kosovës si dhe avancimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Presidenti Nishani foli për proceset aktuale në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë, duke theksuar besimin e tij për avancimin e proceseve demokratike dhe euroatlantike.
Presidenti Bujar Nishani theksoi, po ashtu, përkushtimin e mëtejshëm për të kontribuuar për avancimin e proceseve në Kosovë, duke vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Isa Mustafa në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 Poashtu, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, në përmbyllje të mandatit të tij si president.
 Njoftimi dërguar nga Kuvendi thekson se, kryetari Veseli dhe presidenti Nishani diskutuan për zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, të cilat gjatë muajit të ardhshëm pritet t’u nënshtrohen proceseve zgjedhore parlamentare.
 Veseli e Nishani theksuan nevojën që këto procese të përcillen me pjekuri politike, duke dëshmuar edhe njëherë kulturën demokratike tashmë të rrënjosur si traditë në spektret politike të të dyja vendeve.
 Duke e falënderuar presidentin Nishani për kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare, gjatë gjithë mandatit të tij, kryeparlamentari Veseli theksoi përkushtimin e tij për të çuar më tej këto relacione, në të gjitha fushat dhe hapësirat e pashfrytëzuara.
 Veseli tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian, si vullnet dhe orientim i përbashkët qytetar dhe institucional.
 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, përgëzoi kryetarin Veseli për tejkalimin e sfidave me të cilat është përballur legjislativi i vendit dhe e gjithë jeta parlamentare në Kosovë, duke i trajtuar ato me pjekuri dhe maturi.
 Nishani konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Bwhet e ditur se, gjatë të premtes, në Asamblenë Komunale të Drenasit mbahet ceremonia e seancës solemne, ku Presidenti Nishani do të shpallet Qytetar nderi i Komunës së Drenasit.
 Po ashtu, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani do të shpallet edhe Qytetar Nderi i Prizrenit. Ky titull i ndahet për kontributin që i ka dhënë Kosovës

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Presidenti Bujar Nishani, Urdheri i Lirise, visite

PRESIDENTI BUJAR NISHANI URON KRISHTLINDJET

December 24, 2015 by dgreca

Presidenti Nishani u uron Krishtlindjet besimtarëve të krishterë shqiptarë kudo ku ndodhen/
Me anë të një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u uron Festën e Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve shqiptarë kudo ku ndodhen:
“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ndodheni!
Në këtë prag Krishtlindjesh, besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe kudo në botë janë duke u përgatitur për të festuar mrekullinë e lindjes së Jezu Krishtit.
Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore.
Sonte urojmë familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e krishterë ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.
Në këtë ditë të bekuar, mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore.
Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim!
Le të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin, duke qenë prindër, fëmijë, miq, fqinjë dhe qytetarë të mirë, duke mbështetur e zhvilluar komunitetin ku secili prej nesh jeton dhe punon.
Këtë vit nën shkëlqimin e dritave të Krishtlindjeve shohim me dhimbje errësirën e akteve terroriste që tronditën Evropën, luftërat që shkatërruan Sirinë e largët, klithmat e emigrantëve që humben jetën deteve dhe oqeaneve; dhe shpresojmë e lutemi që paqja dhe mirësia të mbizotërojë zemrat e njerëzve kudo që janë.
Uroj që gjithë bota mbarë të bashkojë forcat, mendjet, shpirtrat e të bëjë përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja!
E gabuara dhe e keqja le të dështojnë dhe e drejta të triumfojë!
Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjet dhe jua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”

Filed Under: Opinion Tagged With: Krishtlindjet, Presidenti Bujar Nishani, uron

Mbreti i Shqipetareve Zogu I dekorohet me “URDHERIN E FLAMURIT”

October 9, 2014 by dgreca

Presidenti i Republikës zoti Bujar Nishani e ka dekoruar me “Urdherin e Flamurit Kombetar” Mbretin e pare te shqipetareve Ahmet Zogu. Ne motivacionin e ketij dekorimi nga presidenti thuhet .
” Presidenti i Republikes , Bujar Nishani i akordoi Naltmadhnise se tije Zogut I, Mbretit te Shqipetareve (Pas vdekjes) “Urdherin e Flamurit Kombetar” me motivacionin :Figure madhore e qendrore e historis se Shqiperise, qe hodhi themelet e ndertimit dhe funksionimit te shtetit moderne shqiptar ,me orientim te qarte europian. Ideator dhe realizues i administrates se pare te shtetit shqipetar, si dhe nje legjislacioni bashkekohor te niveleve te larta,qe do ti hapte rruge emancipimit shoqeror dhe zhvillimit te vendit. Personalitet qe gjithe jeten e tije e lidhi me fatet e kombit, te Shqiperise dhe shqipetareve”
Dekorata ju dorezua nipit te tije Princ Leka ne ceremonine e zhvilluar me kete raste ne ambjentet e presidences.
Nje dekorate te tille kan mare me pare presidentet amerikane Xhorxh Bush, Bill Klinton dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton.
Me kete Urdher eshte dekoruar edhe Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA”, Shtator 2014.

Filed Under: Kronike Tagged With: dekorohet, Mbreti Zogu I, Presidenti Bujar Nishani, Urdheri i Flamurit

ROLI I MEDIAS NË FUSHATËN ELEKTORALE

May 26, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Disa ditë më pare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pati një takim me përfaqësues të medias shqiptare gjatë të cilit udhëheqsi shqiptar vlerësoi si të pazëvendësueshëm rolin e medias në zhvillimet demokratike të vendit dhe theksoi “kontributin parësor”, të medias në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Roli i medias është gjithmonë aktual, por siç u tha edhe presidenti Nishani përfaqësuesve të medias shqiptare javën që kaloi, ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm gjatë fushatës së zgjedhjeve, ndërsa zgjedhësit presin nga media që të informojë publikun mbi politikën, fushatën dhe zgjedhjet, në mënyrë objektive dhe të paanshme. Detyra, dhe në të vërtetë arsyeja se pse ekziston shtypi ose media e lirë sidomos gjatë një fushate elektorale është që t’i japë publicitet fushatës dhe zgjedhjeve demokratike, duke u komunikuar zgjedhësve çështjet me rëndësi me të cilat përballet vendi dhe për të cilat duhet të interesohen votuesit, nëqoftse dëshirojnë të jenë të mirë-informuar se në favor të cilti kandidat ose parti të hedhin votën e tyre.    Nuk është roli i medias që të bindë ose të influencojë votuesit se si ata duhet të votojnë, por kontributi i saj jetik është, që të furnizojë qytetarët me informacione të sakta dhe të paanshme në lidhje me progamin e partive, mbi qendrimet politike të kandidatëve, si edhe mbi vetë procesin elektoral, me qëllim që votuesi në bazë të këtij informacioni — të marrë vet vendimin më të mirë që është i mundur se për cilin kandidat ose parti të votojë.   Në asnjë vend nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pa një media të lirë, etike dhe të pavarur.

Natyrisht, se në çdo vend qeveria, opozita dhe përfaqsuesit e tyre, gjithmonë përpiqen të përdorin median për qëllimet e veta, por media duhet të japë kontributin e vet duke luajtur rolin jetësor në përcaktimin e agjendës politike duke theksuar dhe duke u përqendruar jo vetëm në çështjet për të cilat janë të interesuara partitë dhe kandidatët e tyre, por duhet të përpiqet që të influencojë debatin publik mbi çështje për të cilat është i interesuar edhe publiku në shkallë vendore dhe kombëtare.  Shtypi është, si të thuash, mbikqyrës i zhvillimeve politike, dhe nëqoftse e luan këtë rol në mënyrë të ndershme dhe të paanshme, media mund të jetë një forcë pozitive në informimin mbi zhvillimet e vendit dhe të kombit dhe në përgjithësi mund të krijojë një atmosferë më të pranueshme dhe më të njerzishme në marrëdhënjet midis forcave politike dhe  njëkohësisht edhe midis votuesve dhe elitës politike, ashtu që populli të jetë në gjëndje të kuptojë më mirë jo vetëm të drejtat e tij, por edhe që informacioni i paanshëm dhe objektiv ta aftësojë votuesin të marrë vendimin e duhur dhe të mirë-informuar.   Roli i medias është mbi të gjitha roli i saj si burim informacioni, por gjithashtu duhet të luaj edhe rolin e edukuesit.   Në këtë fazë të fushatës zgjedhore, media duhet të angazhohet në edukimin dhe në informimin e votuesit, për procesin zgjedhor dhe për programet  dhe qendrimet e partive dhe kandidatëve mbi çështjet me rëndësi të vendit.

Ky është një rol kryesor i medias!   Rol i pazëvëndsueshëm për funksionimin normal të një vendi demokratik, me përgjegjësi politike dhe shoqërore, por mbi të gjitha përgjegjësi kombëtare.   Mediat e kontrolluara nga partitë politike, nga individë ose grupe të lidhura ngushtë me interesat e partive politike, nuk ushtrojnë këtë përgjegjësi në interes të votuesit as në interesin kombëtar, por vetëm e vetëm në interesin e sponsorizuesit.   E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat nën kontrollin e shtetit, të cilat duhet  që të sigurojnë mbulimin e të gjitha palëve në mënyrë të barabartë duke pasur si parim pluralizmin dhe objektivitetin, që duhet të ketë një ent mediatik i cili financohet nga fondet publike.

Respektimi ose jo i lirisë së fjalës dhe të shtypit, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve por edhe në përgjithësi, është një kusht paraprak i një demokracie funksionale, por edhe jë tregues i respektimit ose jo të lirisë së të shprehurit në përgjithësi. Autoritetet kanë përgjëgjsinë morale dhe kombëtare që të respektojnë dhe të inkurarojnë zhvillimin e mediave me të vërtetë të pavarura, ndërkohë që organet mediatike, nga ana e tyre, kanë përgjegjësinë e vet për të mbështetur proceset demokratike nepërmjet mbulimit objektiv dhe të paanashëm të  fushatës së zgjedhjeve dhe jo nepërmjet interesash të ngushta partiake, individësh ose grupesh politike, që normalisht nuk kanë të mirën e përbashkët si objektiv të veprimtarisë së tyre por interesat e ngushta e të përkohëshme politike ose ekonomike të tyre.   Ato media mund të jenë të lira por nuk janë të pavarura dhe rrjedhimisht nuk janë as objektive as të paanshme në punën e tyre, karakteristika këto të një shtypi të lire e të pavarur.   Media e pavarur, objektive dhe e paanshme është një e drejtë e qytetarit për të qenë i informuar.

Në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara mbi lirinë e të shprehurit thuhet se, ”Monopolizimi ose përqendrimi i enteve të mediave në duar të një grupi të vogël duhet të mënjanohet në interes të zhvillimit të një pluralizmi pikëpamjesh dhe zërash të ndryshëm.”    Në raportin e fundit organizata Freedom House, tha në lidhje me pavarësinë e medias në Shqipëri,  se “Liria e të shprehurit, në përgjithësi, respektohet në Shqipëri, por përparimi drejtë rritjes së pavarësisë dhe profesionalizmit gazetaresk ka ngecur në vend numëro.”

Legjislacioni shqiptar për zgjedhjet detyron median shtetërore dhe private që të furnizojë shqiptarët me lajme dhe informacion objektiv dhe të paanshëm, të plotë dhe të saktë, në përputhje me parimet e pluralizmit në shpërndarjen e informacionit.    Ligji kërkon gjithashtu që entet mediatike të mbulojnë, në mënyrë të balancuar, të gjithë kandidatët dhe partitë pa dallim.   Në një raport parazgjedhor që bëri në Shqipëri, Marsin që kaloi një delegacion amerikan i Institutit Kombëtar Demokrat (NDI) u bëhet thirrje, “Pronarve të medias, redaktorëve dhe gazetarëve që të marrin masa konkrete mbrenda organizatave të tyre që të zbatojnë (ligjin) dhe të mbrojnë parimet e lirisë dhe të integritetit gazetaresk….”

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se megjithëse Shqipëria nuk është një rast i izoluar që ka nevojë për një media të fortë dhe të pavarur — në një deklaratë për shtyp me këtë rast, ai shtoi se shpreson që, “Kuvendi i Shqipërisë, entet mediatike dhe gazetarët si individë, do të shkojnë përpara me përpjekje të përbashkëta, për të ndërmarrë bërjen e ndryshimeve të nevojshme, të cilat do të avancojnë lirinë e medias në Shqipëri.    E ardhmja e meritueshme e Shqipërisë në Bashkimin Evropian varet nga një medie e fortë dhe e pavarur”, nënvijoi ai.

Në një demokraci të vërtetë, të gjitha opinionet duhet të kenë mundësi të shpalosen dhe të dëgjohen.   Një gazetë ose një media e çfardo lloji qoftë, elektronike ose e shkruar, që ushtron një gazetari objektive, të paanshme dhe profesionale të një cilësie të lartë, do të tërheq një numër të madh lexuesish dhe shikuesish.   Nga ana tjetër, çdo udhëheqës i përgjegjëshëm si përfaqsues i shtetit duhet të dëgjojë hallet e popullit, nepërmjet medias, e cila duhet të informojë qytetarët në mënyrë të balancuar dhe të paanshme. Konferenca e thirrur nga Presidenti Bujar Nishani, me përfaqsues të shtypit dhe medias javën që kaloi, është një nismë që duhet përkrahur dhe duhet të bëhet shembull dhe faktor i zakonshëm në marrëdhënjet midis udhëheqësve të lartë të shtetit dhe të qeverisë, me përfaqsues të medias.Askujtë nuk i pëlqejnë kritikat për ato që mund të shikohen si të meta ose dështime, por një përfaqsues i popullit është i detyruar të dëgjoj hallet dhe problemet me të cilat përballen qytetarët dhe media e ka për detyrë morale dhe profesionale të informojë qytetarët në mënyrë objektive dhe të paanshme, duke u bazuar në standardet më të larta etike të gazetarisë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, ne fushaten elektorale, Presidenti Bujar Nishani, roli i medias

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT