‘Siguria Kombëtare’, Nishani: Si anëtarë të NATO-s, të dëshmojmë mirëkuptim dhe bashkëpunim/
Nga Anila Struga/.- Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh të martën në Presidencë, nën drejtimin e kryetarit të tij, Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në takim ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, anëtarë të kabitetit qeveritar, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, etj.
Në fjalën e tij, Presidenti tha sqaroi se mbledhja e sotme e Këshillit nuk ka lidhje me ndonjë rrezik akut, por me procesin e hartimit të një dokumenti që do të shtrihet për dekadat e ardhshme dhe që do të orientojë reformat më të rëndësishme të vendit.
“Si President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i FA-së do të jem gjithë kohës i vendosur për të ushtruar me përkushtimin maksimal autoritetin që më jep Kushtetuta dhe ligji në fushën e sigurisë kombëtare. Në vazhdim të kësaj vendosmërie si kryetar i këtij Këshilli, duke lutur mirëkuptimin dhe angazhimin tuaj, për ta shndërruar këtë Këshill në një mekanizëm aktiv, po përgatis një program vjetor të punës së tij”, iu drejtua Presidenti të pranishmëve.
Kreu i Shtetit theksoi se siguria kombëtare është një koncept i gjerë, që kontribuon pozitivisht ‘në mbrothësinë e kombit’. Si e tillë, tha ai, siguri kombëtare janë dhe elementë të jetës shoqërore, politike, kulturore si mirëedukimi, mirëshkollimi, sjellja qytetare, ndërgjegja komunitare, zbatimi me korrektësi i ligjit, marrëdhëniet normale shumicë-opozitë, mirëfunksionimi dhe bashkërendimi i punëve ndërinstitucionale etj”, theksoi Nishani.
“Siguria kombëtare, e përcaktuar dhe e institucionalizuar si e tillë, përfshin elementë të përcaktuar qartë, siç janë mirëfunksionimi i FA-së, ruajtja e rendit, Shërbimi Informativ, masat për ruajtjen nga terrorizmi, lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ruajtja e kufijve të vendit, paprekshmëria tokësore dhe detare, kujdesi për ekonominë në përgjithësi, si dhe kujdesi për ruajtjen e burimeve energjitike apo bizneseve strategjike, monedha, shëndeti i shtetasve etj”, tha Presidenti Nishani.
Ai falenderoi për praninë në takim, kreun e opozitës, Lulzim Basha, duke u shprehur se ”mirëpret kontributin e tij në çështjet e sigurisë”.
Duke u ndalur tek çështjet që do diskutohen në këtë takim, Presidenti ftoi pjesëmarrësit që të bëjnë ç’është e mundur ”për të ndarë këndvështrime sa më të përafërta lidhur me gjendjen aktuale, arritjen e problematikave, sfidat dhe më kryesorja përafrimin e sistemit tonë të sigurisë me atë të vendeve të tjera të NATO-s dhe BE-s”.
“Përgatitja e paketës ligjore të sigurisë dhe dokumenteve strategjik, deri në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Uells, në shtator të këtj viti, do të jetë një rast i mirë që të provojmë se jemi anëtarë seriozë të Aleancës, që dimë të bashkëpunojmë dhe të mirëkuptohemi”, e mbylli fjalën e tij para Këshillit të Sigurisë, Presidenti Nishani.
Mbledhja ka vijuar me dyer të mbyllura, për të diskutuar çështje që lidhen me zhvillimin e reformës së bazuar në rishikimin e mbrojtjes 2013; plani i zbatimit, paketa ligjore, çështja e ristrukturimit të Forcave të Armatosura, etj