• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pritje zyrtare në 5 vjetorin e Shqipërisë në NATO

April 1, 2014 by dgreca

 

Presidenti Nishani: Ashtu sikurse liria nuk dhurohet, edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një arritje strategjike plotësisht e merituar/

Me rastin e kremtimit të 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani dha te Marten e 1 Prillit, në darkë një pritje festive në Pallatin e Brigadave ku ishin të pranishëm anëtarë të qeverisë, deputetë, ish-krerë të shtetit shqiptar, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, ushtarakë të lartë si dhe personalitete të shquara të medias e sipërmarrjes shqiptare.Pritja u përshëndet edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksander Arvizu, i cili mes të tjerash lexoi edhe mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry me këtë rast ku vihej në dukje: “Në emër të Presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë përshëndes përvjetorët e pestë, të dhjetë dhe të pesëmbëdhjetë të zgjerimit të NATO-s. Jam krenar të festoj etapat e rëndësishme në historinë e NATO-s që e kanë forcuar Aleancën.

Më 12 mars 1999 iu bashkua Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke; më 29 mars 2004 iu bashkua Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia; dhe së fundmi, më 1 prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia iu bashkuan Aleancës. NATO është sot e fortë, sepse të gjithë anëtarët e saj ndajnë të njëjtat vlera. Politika e Dyerve të Hapura të NATO-s nuk ka lejuar thjesht më shumë anëtarë ndër radhët e saj. Ajo ka zgjeruar demokracinë, begatinë dhe stabilitetin në Evropë dhe ka hapur mundësi të reja për të avancuar sigurinë dhe begatinë anembanë globit.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:

“E nderuara Zonja Ministre e Mbrojtjes,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
I nderuar zoti Moore,
I nderuar Zoti Kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Të nderuar drejtues të Komuniteteve Fetare,
Të nderuar ish-presidentë të Republikës, ish-kryetarë të Kuvendit, ish-kryeministra,
Të dashur bashkëkombas,
Miq e të ftuar, zonja e zotërinj,

Sot po kremtojmë 5-vjetorin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO, familjes më të madhe dhe më të fuqishme politiko-ushtarake, të ndërtuar mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe për të mbrojtur këto vlera në zonën euroatlantike dhe përtej saj.

5 vjet më parë u finalizua një aspiratë strategjike e Shqipërisë.

Përtej kësaj, 5 vjet me parë u kurorëzua një ëndërr e shqiptarëve, për t’iu bashkuar jo vetëm Aleancës më kredibël e më të madhe ushtarake të globit në fushën e sigurisë, por edhe Aleancës së vlerave të qytetërimit perëndimor.

Përpjekjet zyrtare të Shqipërisë për anëtarësim filluan 20 vjet me parë, kur Shqipëria e rraskapitur nga regjimi komunist aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në strukturën e Partneritetit për Paqe.

15 vjet me parë, jo rastësisht në Uashington D.C., Shqipëria u konfirmua ndër 3 vendet aspirante (Membership Action Plan) dhe 5 vjet me parë Shqipëria dhe shqiptarët morën shpërblimin e merituar.

Si një kontributor modest që në fillimet e këtij procesi, dhe më tej, si një aktor në ushtrimin e detyrimeve politike dhe shtetërore deri në detyrën e lartë të Kryetarit të Shtetit jam thellësisht i bindur që ashtu si Liria nuk dhurohet, jam po ashtu plotësisht i bindur se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një arritje strategjike plotësisht e merituar.

Me këtë rast, dëshiroj të përsëris, atë që nënvizova në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, se në më shumë se dy dekada të përpjekjeve për anëtarësimin dhe ndërtimin e modelit shumë-partiak të shtetit të së drejtës, të bazuar në parimin “check and balance”, një nga vlerat e gjithëpranuara që ka krijuar klasa politike shqiptare ka qenë kultura e bashkëpunimit dhe qëndrimet e përbashkëta për sa u përket çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.

Pa asnjë mëdyshje, kjo kulturë bashkëpunimi ka shërbyer si një nga shtyllat themelore në procesin e anëtarësimit në NATO.

Kjo na bën të ndihemi të gjithë krenarë.

Dhe me këtë rast falenderoj sinqerisht të gjithë aktorët politikë, dhe jo vetëm ata, për kontributin dhe përkushtimin që kanë dhënë në këtë proces.  Në një mjedis sigurie si ky i sotmi, siguria e çdo vendi, dhe, veçanërisht e një vendi të vogël si Shqipëria është e lidhur ngushtë me mbrojtjen kolektive që ofron Aleanca e Atlantikut. Ajo, gjithashtu, varet ngushtësisht nga situata rajonale dhe preket nga zhvillimet globale.

Shqipëria ka hyrë në familjen euroatlantike në mënyrë të merituar, e vetëdijshme dhe e përgjegjshme se duhet të kontribuojë për sigurinë në nivel rajonal dhe më gjerë, për paqen dhe sigurinë kudo në botë.

Në këtë frymë, Shqipëria ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Irak, Çad dhe Afganistan, ku angazhimi ynë për paqen dhe stabilitetin, përkrah partnerëve tanë, pritet të vijojë edhe pas përfundimit të Operacionit ISAF.

Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një kontributore e vendosur për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

Politika jonë e jashtme në rajon ka si shtylla bazë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbështetjen e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.

Gjatë kësaj periudhe të shkurtër mjedisi i sigurisë në rajon ka njohur zhvillime të rëndësishme pozitive.

Anëtarësimi i Kroacisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe rritja e profilit të tij rajonal e ndërkombëtar, dialogu efikas mes Kosovës dhe Serbisë, ecuria e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit euroatlantik, kanë krijuar një klimë të favorshme bashkëpunimi.

Pasi kemi çrrënjosur mosbesimin, ne po rrënjosim çdo ditë mirëbesimin nëpërmjet përgatitjes dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta infrastrukturore, energjitike, në fushën e sigurisë, arsimit, shkencës, kulturës, turizmit, etj., drejt të ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.

Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria mbështet zgjerimin e Aleancës në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ambiciet tona janë realizuar falë punës dhe përgjegjshmërisë sonë institucionale dhe shoqërore, mbështetjes së partnerëve tanë evropianë dhe Bashkimit Evropian, si edhe partneritetit strategjik me SHBA-në, rëndësia e të cilit mbetet parësore për sigurinë dhe zhvillimin tonë të qëndrueshëm.

Zonja dhe zotërinj,

Zhvillimet e fundit dëshmojnë se siguria në rajonet kufitare me zonën euroatlantike nuk është imune nga kërcënimet konvencionale.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia përbën një precedent, që mund të ndikojë në stabilitetin afatgjatë në hapësirën evropiane dhe rreth saj.

Aneksimi brutal i Krimesë nga Rusia u realizua duke zbatuar politikën e “faktit të kryer”, nëpërmjet përdorimit të shantazhit dhe forcës, në shkelje të marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Rusia si dhe të drejtës ndërkombëtare.

Krahasimi me Kosovën është një përpjekje e dobët për t’u justifikuar me anë të precedentit.

Pavarësia e Kosovës erdhi si rrjedhojë e shpërbërjes së dhunshme dhe jokonsensuale të ish-Jugosllavisë, që u shoqërua me spastrim etnik nga regjimi i Milosheviçit, pas përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës, dështimi i të cilave falë mungesës së vullnetit të Millosheviçit, e bëri të pashmangshme ndërhyrjen ndërkombëtare për të shpëtuar ekzistencën e një populli dhe paqen rajonale.

Kosova u shfaq si një shtet i pavarur pas shumë vitesh negociatash ndërkombëtare nga Kombet e Bashkuara për të zgjidhur krizën dhe pavarësia e Kosovës u drejtua nga një Rezolutë e veçantë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara 1244, e miratuar sipas kapitullit VII të Kartës së OKB-së.

Kosova gjithashtu e mirëpriti angazhimin e trupave dhe administratës ndërkombëtare.

Shqipëria mbështet aleatët tanë euroatlantikë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qëndrimet e tyre të vazhdueshme ndaj Rusisë.

Hapësira euroatlantike do të vazhdojë të përballet edhe me rreziqe që vijnë nga terrorizmi global, armët e shkatërrimit në masë, radikalizmi fetar dhe ekstremizmat, krimet kibernetike, krimi i organizuar, degradimi i ambientit dhe të tjera kërcënime të natyrës asimetrike dhe hibride ndaj të cilave është e ekspozuar edhe Shqipëria.

Këto janë sfida që askush nuk mund t`i përballojë i vetëm. Por, të gjithë së bashku do t`ia dalim me siguri.

Të nderuar miq,

Ne po punojmë për rritjen e rolit të Shqipërisë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kjo është mënyra më e mirë për të shpërblyer besimin dhe shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë aleatëve tanë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, të cilët mbështetën fuqishëm anëtarësimin tonë në Aleancë.

Shqipëria është shndërruar nga një vend konsumues, në një vend që kontribon për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Më shumë se 7000 burra dhe gra në uniformë kanë kontribuar në operacionet në kuadër të NATO-s, Bashkimit Evropian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe koalicioneve të ndryshme.

I përshëndes të gjithë ushtarakët tanë kudo ku ata kontribuojnë!

Me këtë rast, i siguroj të gjithë se ne i njohim sakrificat e tyre, dhe me autoritetin e Komandantit të Përgjithshëm do t’i mbështes ata dhe familjarët e tyre me të gjithë autoritetin që më jep Kushtetuta dhe ligjet.

Hartës së të rënëve në krye të detyrës, iu shtua Kapiten Feti Vogli, dëshmori i parë i historisë së Shqipërisë në NATO, para të cilit edhe sot përulemi me nderim të thellë.

Zonja dhe zotërinj,

Me anëtarësimin në NATO,  Shqipëria përmbushi një  synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet tashmë objektivi ynë parësor strategjik.

Për këtë qëllim na duhet të forcojmë demokracinë funksionale dhe të konsolidojmë shtetin e së drejtës, të luftojmë krimin dhe korrupsionin, të ndërtojmë një administratë efikase jashtë influencave partiake, të forcojmë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, të reformojmë drejtësinë bazuar në meritë, transparencë dhe profesionalizëm.

Por, mbi të gjitha dhe, për të realizuar këto, na duhet dialog i vazhdueshëm politik, me rrahje argumentash për të gjetur konsensusin e domosdoshëm.

Kësisoj, politika do të vihet në shërbim të qytetarëve dhe Shqipëria do të shkojë drejt Bashkimit Evropian.

Marrja e statusit të vendit kandidat në qershor, do të ishte përshkrimi i një etape në itinerarin tonë evropian

Në përfundim, i përshëndes të gjithë shqiptarët, të cilët ëndërruan, shpresuan, besuan dhe vazhduan përpjekjet për të arritur qëllimin e tyre madhor: anëtarësimin në NATO, në aleancën më të madhe globale të sigurisë, paqes, lirisë dhe demokracisë.
Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen! Gëzuar!”

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadori Arvizu, presidenti Nishani, Pritje zyrtare në 5 vjetorin e Shqipërisë në NATO

5-vjetori i anëtarësimit në NATO, Nishani letër falenderimi Presidentit Obama

March 31, 2014 by dgreca

Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i dërgoi sot një letër falenderimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ku i shpreh mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që SHBA i dhanë dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj vendit tonë.

“Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake të botës, dëshiroj që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju shpreh mirënjohjen e pakufishme për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj vendit tim”, citohet letra  drejtuar Presidentit amerikan.

“Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara jo vetëm gëzojnë një partneritet të pathyeshëm e të veçantë bazuar mbi marrëdhëniet historike të shkëlqyera dypalëshe, por ndajnë interesa të përbashkëta përsa i përket mbrojtjes dhe konsolidimit të parimeve të demokracisë, lirisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut nëpërmjet operacioneve të përbashkëta anembanë rruzullit”, shkruan në letrën e tij Presidenti Nishani.

“Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, vijon Kreu i Shtetit, e kanë provuar tashmë veten se janë partnere krenare, aleate besnikë e të besueshëm të NATO-s. Në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar si dhe të Komandantit të Përgjithshëm dëshiroj t’ju siguroj mbi vazhdimësinë e përkushtimit të plotë të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale si dhe mbi rolin vendimtar të Shqipërisë për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajonin dikur aq të trazuar të Ballkanit”. Po sot, Presidenti Nishani i është drejtuar me një letër falenderimi edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku shpreh mirënjohjen e vendit tonë, për mbështetjen e palëkundur dhe besimin e madh që kjo organizatë i ka dhënë Forcave të Armatosura Shqiptare.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: i shkruan Obames, per Shqiperine ne NATO, presidenti Nishani

Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane u takua me presidentin Nishani

February 10, 2014 by dgreca

AAFH/Washington, D.C./

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pati një takim të veçantë me drejtorët e bordit drejtues të organizatës Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane me qendër në Washington, zotërinjtë Zef Bala dhe Mustafa Xhepa. Presidenti Nishani, pasi vlerësoi rolin dhe ndihmesën e pakursyer që ka dhënë diaspora gjatё tё gjithё historisё së kombit tonë, qё me krijimin e shtetit shqiptar e deri  me shëmbjen e komunizmit e  ndërtimin e shtetit ligjor, nënvizoi angazhimin e tij të plotë për të intensifikuar bashkëpunimin me të gjitha organizatat kudo që ato ndodhen. Për këtë, Presidenti Nishani kishte caktuar dy anëtarë te kabenetit tij të merreshin veçanërisht me diasporën.

Zoti Zef Balaj nga ana e tij shprehu vlerёsim pёr angazhimin e Presidentit pёr bashkёpunim me diasporёn pёr çёshtje dhe sfida me tё cilat pёrballet kombi ynё, si dhe çmoi rëndësinë që ka vlerësimi i punës së diasporës.

Ne Foto: Zef Balaj, Presidenti Bujar Nishani dhe Mustafa Xhepa

Filed Under: Featured Tagged With: Mucc Xhepa, presidenti Nishani, Zef Balaj

Presidenti Nishani dekoron dy tё mbijetuara nga Holokausti nё Shqipёri

February 7, 2014 by dgreca

Washington D.C., 7 shkurt 2014/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi zonjёn Anna Kohen dhe zonjёn Johanna Neumann dy tё mbijetuara nga Holokausti nё Shqipёri dhe veprimtare tё shquara nё informimin e opinionit amerikan pёr sakrificat e popullit shqiptar pёr tё shpёtuar hebrejtё dhe tё luftёs pёr tolerancё dhe harmoni mes njerёzve, pavarёsisht racёs, fesё dhe kulturёs sё tyre.

Presidenti u dorёzoi zonjave Kohen dhe Neumann “Titullin pёr Merita tё Veçanta Civile” me motivacionin “Nё njohje tё veprimtarisë tё vazhdueshme pёr tё bёrё tё njohur kontributin e Popullit shqiptar pёr shpёtimin e hebrenjve gjatё Holokaustit dhe pёr promovimin e tolerancёs dhe mirёkuptimit”, nё njё ceremoni tё zhvilluar enkas nё selinё e Komitetit Hebreo-Amerikan nё Washington D.C., gjatё sё cilёs u shfaq edhe filmi dokumentar “Shpёtimi nё Shqipёri”, me dёshmi tё gjalla pёr shpёtimin e hebrenjve nё Shqipёri.Mё poshtё ёshtё fjala e mbajtur nga Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani.

“Të nderuar të pranishëm,Miq,Zonja dhe zotërinj,

Ishte një shfaqje mbresëlënëse që të bën të mendohesh gjatë. Ky film, bazuar mbi ngjarje të vërteta, rrëqethëse, është dokument që bën fjalë për një faqe të vonshme të historisë moderne të njerëzimit.

E mira dhe e keqja, vesi dhe virtyti, frika ngavdekja dhe shpresa për jetën janë aty, aq pranë, në një ndeshje të ashpër me njëra-tjetrën. Edhe në errësirën më të thellë ka një rreze drite. Edhe në skëterrë ka shpresë. Edhe kur duket se e keqja ka mbuluar gjithçka, ka mirësi për ta sfiduar.

Ju falënderoj që na dhatë një mundësi të tillë!

Bazuar në virtytin e tyre të moçëm, te besa – mbajtja e fjalës së dhënë, shqiptarët gjatë periudhës së Shoah shpëtuan hebrenjtë, të cilët, bazuar në virtytin e tyre të mirënjohjes, janë përpjekur t`ia bëjnë të ditur këtë akt heroik mbarë botës.

Për ne shqiptarët, miku është zot i shtëpisë. Çdokush në nevojë, që troket në derën e shqiptarit dhe pranohet si mik, ka marrë fjalën, pra është në besë dhe fjala e dhënë duhet mbajtur me çdo kusht.

Shqiptarët dallohen për tolerancën dhe bashkëjetesën e tyre fetare. Disa besime jetojnë në harmoni të plotë në shekuj, pa asnjë keqkuptim mes tyre, nën moton “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Shqiptarët, për hir të së ardhmes, po bisedojnë me serbët, ende pa u mbyllur plagët e shkaktuara nga makineria ushtarake, raciste dhe shtypëse e Millosheviçit.

Rrallë mund të gjendet një popull tjetër që ka kontribuar kaq shumë sa hebrenjtë për përparimin e njerëzimit, dhe kjo ndodhte ndërsa u duhej të mbijetonin me shpresën e pashuar se do të riktheheshin një ditë në shtëpinë e tyre.

Një popull, i cili ia doli të rezistojë për dhjetëra shekuj furtunave të historisë. Hebrenjtë kurrë nuk ndalën së luftuari për ëndrrën e tyre. Kjo ëndërr u bë realitet në mesin e shekullit të shkuar, kur fituan shtetin e tyre, Izraelin, falë sakrificave që, deri më sot, vetëm ata kanë mundur t`i bëjnë.

Shqiptarët dhe hebrenjtë janë të lidhur tashmë me një miqësi të natyrshme dhe të sinqertë, e cila është e përjetshme, sepse ka kaluar testet e historisë.

Njerëzit, kudo dhe kurdo, lindin me shpirt të lirë, me dëshirën, dhe shpresën për ta jetuar jetën e tyre sa më mirë.

Popujt kudo dhe kurdo kanë dashur të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Në shpirtin dhe trashëgiminë e çdo populli mund të gjenden virtyte shumë të mira.

Racat, besimet, kulturat dhe qytetërimet janë thesari i paçmuar i kësaj bote dhe i gjithë njerëzimit, krijuar dhe trashëguar brez pas brezi, që duhet ruajtur dhe pasuruar për të mirën tonë dhe të brezave që do të vijnë.

Shtetet e Bashkuara, atdheu juaj dhe i shumë bashkëkombësve të mi, është modeli frymëzues për të gjithë, është ëndrra që gjithkush, pa dallim race, apo feje do ta donte të ishte realitet në mbarë botën.

Mbi këto vlera dhe aspirata, ne mund të punojmë të gjithë së bashku për të ndërtuar një botë ku të mbizotërojë, mirëkuptimi, harmonia, paqja dhe toleranca.

Ju faleminderit!”

* * *
Mё herёt, Presidenti i Republikёs,  Bujar Nishani priti nё njё takim  zotin Jason Isaacson, Drejtor pёr Qeverinё dhe Marrёdhёniet me Jashtё nё Komitetin Hebreo-Amerikan.

Gjatё takimit, i cili u pёrqendrua te marrёdhёniet hebreo-shqiptare, Presidenti u shpreh se periudha e Holokaustit ёshtё njё moment historik qё duhet vёnё nё pah duke na bёrё tё reflektojmё e tё nxjerrim mёsimet e nevojshme pёr tё ndёrmarrё hapat e duhura pёr ndёrtimin e njё bote bazuar nё tolerancё, mirёkuptim dhe harmoni, duke veçuar rёndёsinё e edukimit tё brezit tё ri, i cili duhet tё mёsojё tё vёrtetat e Holokaustit dhe tё diktaturave tё tjera, nё mёnyrё qё tё mos pёrsёriten gabimet e mёparshme.

Nga ana e tij, zoti Isaacson u shpreh se “jemi tё angazhuar tё bёjmё tё njohur shёrbimin qё shqiptarёt i kanё bёrё njerёzimit duke shpёtuar hebrenjtё”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Anna Kohen, Johanna Neuman, presidenti Nishani

Presidenti Nishani në Komitetin Hebraik Amerikan

February 6, 2014 by dgreca

Komiteti Hebraik Amerikan, një organizatë e njohur e çështjeve hebraike, priti mbëmë në Uashington Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe shfaqi filmin dokumentar “Shpëtim në Shqipëri”,  i cili sjell dëshmi të hebrejve që u shpëtuan nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti Bujar Nishani erdhi në aktivitetin e Komitetit Hebraik Amerikan për të falenderuar disa personalitete hebraike që e kanë bërë të njohur Shqipërinë dhe rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Organizatat hebraike  në Shtetet e Bashkuara e përmendin shpesh këtë rol të veçantë të shqiptarëve dhe vazhdimisht theksojnë se ky është një fakt që ende nuk njihet sa duhet.

Jason Isaacson, është Drejtor i çështjeve qeveritare dhe ndërkombëtare pranë Komitetit Hebraik Amerikan.

“Mijëra hebrej janë sot gjallë, bota është një vend më i gjallë dhe më i bukur si rrjedhojë e guximit dhe solidaritetit të popullit shqiptar,” tha zoti Isaacson.

Presidenti Nishani shpregoi traditën shqiptare të mikpritjes dhe të besës që bëri të mundur shpëtimin e hebrejnjve në Shqipëri:

“Për ne, shqiptarët, miku është i zoti i shtëpisë. Çdo njeri në nevojë që troket në dyert shqiptare është i mirëpritur si mik, i jepet fjala e nderit dhe mbrohet nga besa. Fjala e dhënë mbahet me çdo kusht,”  tha Presidenti i Shqipërisë.

Një film dokumentar me këtë temë që u shfaq për të pranishmit, e tregon historinë e shpëtimit në Shqipëri me gojën e vetë hebrejve të cilët mundën të mbeten gjallë si rrjedhojë e mbrojtjes dhe kujdesit që treguan shqiptarët për ta.

Johanna Newman është një prej atyre që mbetën gjallë dhe që bën gjithçka për të njohur botën me shpirtin bujar të shqiptarëve. Ajo tha se sot ka një familje të madhe, pikërisht në sajë të shqiptarëve.

“Po të mos ishte përkushtimi i popullit shqiptar unë nuk do të isha këtu sot, nuk do të isha nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm, nuk do të kisha 14 nipër e mbesa dhe 13 stërnpiër e stërmbesa”, tha zonja Newmann.

Doktoreshë Anna Cohen nga Nju Jorku, e cila u rrit në Vlorë në një familje hebraike, tregon një histori prekëse:

“Kur isha vajzë e vogël, shihja perëndimin e diellit dhe gjithmonë vizatoja një anije të vogël pa njerëz, me flamurin izraelit dhe atë shqiptar. Kurrë nuk e mendoja se një ditë, këta flamurë do të rrinin pranë njëri tjetrit. Sot që gjërat kanë ndryshuar, do të dëshiroja të shikoja anijen time të vogël pa njerëz dhe me dy flamurë, të mbushur plot me turistë hebrej, do të doja të shihja hebrejtë amerikanë të vizitonin Shqipërinë, të shihnin objektet e tyre të kultit dhe sidomos të restauronin sinagogën e Sarandës, një objekt i vërtetë tursitik,” tha zonja Cohen.

Në mes të duartokitjeve, Presidenti Nishani nderoi me medale zonjat Johanna Newmann dhe Anna Cohen.(Kortezi:ILIR IKONOMI-Zeri i Amerikes)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Amerikan, Ilir Ikonomi, ne Komitetin Hebraik, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT