• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA, QEVERI TË RE APO ZGJEDHJE TË REJA

April 1, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi  konsultime me partitë  parlamentare për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë  nga Kuvendi i Kosovës. Ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19. Para takimit Kryeministri në detyrë, Kurti i ka dërguar letër Presidentit Thaçi/

PRISHTINË, 1 Prill 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti kryetarët e tre subjekteve më të mëdha politike parlamentare në takime të ndara konsultative për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë  nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.

Në orën 10:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Në orën 10:30, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

Në orën 11:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Si rrjedhojë e masave të ndërmarra kundër virusit COVID19 dhe rekomandimeve të personelit shëndetësor për ta ulur rrezikun, për shkak të hapësirës së papërshtatshme për dhjetëra gazetarë, fotografë e kameramanë në Zyrën e Presidentit, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun është përkujdesur që mediave t’ua dërgojë pamjet vizuale dhe fotografitë e këtyre takimeve.

Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se nesër do vazhdojë takimet me partitë tjera parlamentare.

Pas tre takimeve të sotme, në komunikatën e dërguar nga Presidenca theksohet:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka filluar konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.

Presidenti Thaçi sot ka pritur në takime të ndara Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Albin Kurtin, Kryetarin e LDK-së, njëherësh ish-kryeministrin, Isa Mustafa, si dhe Kryetarin e PDK-së, njëherësh ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Presidenti Thaçi ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.

Presidenti Thaçi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe nesër.

Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, Presidenti i Republikës së Kosovës do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike.

Në njoftimin e dërguar nga Kryeministria bëhet e ditur se, para takimit Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër Presidentit Hashim Thaçi, për temat që do të diskutoheshin sot në takim pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ku ka theksuar se, “si kurrë më parë, Republika e Kosovës ka nevojë për një president që e respekton Kushtetutën, deri në çdo pikë e presje të saj.”

“Në këtë drejtim,  Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe vetë praktika jaj e mëparshme në vitin 2017, e bëjnë të qartë se, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, e vetmja rrugë përpara është  shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 82.2 të Kushtetutës, dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.”

“Prandaj, dëshiroj paraprakisht t’ju bëj të qartë, se çështja e vetme për të cilën do të bisedoj sot me ju, është se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë. Kjo është një çështje që duhet të diskutojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe një çështje për të cilën jemi të detyruar për t’i mbajtur qytetarët e Republikës, burimin e sovranitetin demokratik, vazhdimisht të informuar. 

Ndërsa, për sa i përket interpretimeve të gabuara të nenit 95.5 të Kushtetutës, këtë temë të rëndësisë dytësore apo tretësore, mund ta lëmë për ndonjë ditë tjetër”, ka shkruan Kurti në letrën dërguar  Thaçit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi u shpreh se,  “duhet marrë parasysh që mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, e që nënkupton se është shumica prej mbi dy të tretave, e cila ka të drejtë të ndryshojë edhe Kushtetutën”. 

“Ne jemi për atë që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese dhe procedurën që e ka paraparë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014”, tha kryetari i LDK, Mustafa, derisa ka shtuar se, “ne vlerësojmë se nuk është koha të shkohet në zgjedhje, për shkak të pandemisë”.

Pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u deklarua shkurt për median:

 “Krejt çka kërkojmë është të respektohet kushtetuta. Vullneti i sovranit është ma legjitimi por kur jemi në situatën e pandemisë është hipokrizi për zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Në 30 Mars 2020 , Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së në Prishtinë, për t’i informuar për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.

Në këtë takim ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ambasadori i Gjermanisë, Ambasadorja e Francës, Ambasadori i Italisë dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Presidenti Thaçi u shpreh se “pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President i Republikës së Kosovës”.

Presidenti Thaçi shtoi se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se si President i Republikës së Kosovës do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga situata në të cilën jemi futur, pas shkarkimit të Qeverisë së Kosovës.

Kreu i shtetit ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik.

Në 25 Mars 2020, në mbrëmje, më shumë se një orë para mesnate,  Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare,  votoi me 82 vota pro,  32 kundër  e  1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës. Qeveria e Kosovës do vazhdojë punën si qeveri në detyrë deri në zgjedhje të reja e një qeveri të re, që sipas disa deklaratave mund të jetë edhe qeveri pa zgjedhje të reja.

Seanca e Kuvendit të Kosovës e zhvilluar në kushte jashtëzakonshme me maska e masa tjera mbrojtëse nga  virusi COVID-19 ka nisur me praninë e 106 deputetëve, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin 117 deputetë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit  Albin Kurti –  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Presidenti Thaçi

PRESIDENTI THAÇI NË VATËR: DERI NË VDEKJE ME AMERIKËN!

March 3, 2020 by dgreca

Presidenti, tha se duhet të jemi të bindur ndaj kërkesave që shtron aleati ynë i çmuar, Amerika, për ta çuar përpara Kosovën, ndryshe, të vetmuar, nuk kemi perspektivë. Asnjë hezitim përpara kërkesave dhe udhëzimeve që na jep shteti amerikan, unë për vete deri në vdekje do të jem me Amerikën, tha Thaçi./

NGA DALIP GRECA/

Të Shtunën pasdite, 29 Shkurt 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës vizitoi selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA”. Është e para herë që në dy dekada karrierë politike z. Hashim Thaçi viziton Vatrën. Para tij këtë seli e kanë vizituar politikanët e shtetarët e Kosovës: Ish Kryeministri Ramush Haradinaj,ish Kryeparlamentari Kadri Veseli, ish Ministri i Shëndetësisë  Dr. Ferid Agani, ish Ministri i Diasporës Dardan Gashi, Shpend Ahmeti, deputetë e politikanë, ndërsa z. Thaçi e vizitoi për të parën herë në fundin e muajit shkurt 2020. Ndoshta vonesa kaq gjatë e vizitës së pritur në Vatër, e paragjykoi ardhjen e presidentit të Kosovës në Vatër, aq sa në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale debatet ishin të nxehta, një pjesë kundërshtuse. Gjithësesi vizita e presidentit të Kosovës u prit mjaft mirë në Vatër, edhe pse pyetjet ishin të shumta, ndërsa përgjigjet të përmbledhura. Presidentit Thaçi ia uroi mirëseardhjen Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, i shoqëruar nga Presidenti i nderit Agim Rexhaj, nënkryetarët Pashko Camaj dhe Ervin Dine, sekretarja Nazo Veliu dhe një pjesë e Kryesisë dhe e Këshillit të Vatrës. Z. Thaçi shoqërohej nga ambasadorja e Kosovës në Washington zonja Vlora Çitaku dhe Konsullja e përgjithshme Teuta Sahatçija. Kryetari i Vatrës ia uroi mirëseardhjen dhe i bëri një prezantim të shkurtër rreth Vatrës dhe historisë së saj 108 vjeçare, i foli për rolin e saj në Pavarësinë e Shqipërisë dhe ruajtjen e integritetit toksor, e njohu me kontributin vatran në shtetbërjen shqiptare, organizimin e shtetit kur mungonte vetë shteti dhe rolin e jashtzakonshëm të Vatrës për forcimin e miqësisë mes Amerikës dhe Shqipërisë, si dhe gjatë luftës së Kosovës.

   Presidenti falenderoi për mikpritjen në Vatër kryetarin Berisha me bashkëpunëtorë dhe çmoi rolin e madh të Shqiptarëve të Amerikës për çlirimin e pavarësimin e Kosovës, duke veçuar Batalionin “Atlantiku”, dëshmorët e lirisë-vëllezërit Bytyçi, si dhe kontributin e të gjithë shqiptarëve të diasporës, që bindën Amerikën për ta kthyer vështrimin nga Kosova e okupuar prej Serbisë.

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar gjatë bisedës se liria dhe pavarësia e Kosovës, të arriturat e Kosovës, të tërë shqiptarëve, janë të lidhura ngushtë me punën e vyeshme, me guximin dhe me sakrificën e diasporës shqiptare.

Presidenti informoi për takimet në Shtëpinë e Bardh, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në bisedimet me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeu, me kongresistin Eliot Engel etj. Presidenti, tha se duhet të jemi të bindur ndaj kërkesave që shtron aleati ynë i çmuar, Amerika, për ta çuar përpara Kosovën, ndryshe, të vetmuar, nuk kemi perspektivë. Asnjë hezitim përpara kërkesave dhe udhëzimeve që na jep shteti amerikan, unë për vete deri në vdekje do të jem me Amerikën, tha ai. Pozicionet politike,komentoi presidenti, nuk duhet të ndikojnë në qëndrimin Kombëtar ndaj çështjes madhore. Na u deshën tre vjet lufët me njeri-tjetrin,komentoi ai, të merreshim me demarkacionin me Malin e Zi, 3 vjet kohë e humbur. Politika elektorale, militantizmi për vota, është kohë e humbur në dëm të interesave të Kosovës, tha ai.

Presidenti gjatë pyetjeve sqaroi edhe akuzat e pabaza, siç i konsideroi ai, për lëshim të territoreve të Kosovës. Duke folur për të ardhmen, ai tha se para Kosovës janë bisedimet e vështira me Serbinë dhe këtë nuk mund ta arrijmë pa ndihmën e miqëve tanë amerikanë. Është kjo arsyeja përse unë këmbëngul në rolin parësor të Uashingtonit dhe Jo të Brukselit,  në këto bisedime, argumentoi presidenti Thaçi.

Ai foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, ndërkohë që u përqëndrua edhe në raportet e fqinjësisë, bashkëpunimit dhe të rolit të shqiptarëve që jetojnë në shumë shtete të Ballkanit.

Presidentit Thaçi ia kanë uruar mirëseardhjen shumë prej pjesmarrësve, ndërkohë që shumë të tjerë i bënë pyetje dhe kërkuan sqarime. Përmendim disa prej tyre: Agim Rexhaj, Nazo Veliu, Pashko Camaj, Zef Balaj, Agim Aliçkaj, Drilon Gashi,Rafaela Prifti, Mark Qehaja, Blerim Gjoci, Asllan Bushati, Ilir Cubi etj. Pjesa më e shumtë e atyre që pyetën apo diskutuan shtruan pyetjen: Si arriti Serbia deri në barazimin e agresorit me viktimën? Ç’po ndodh në Veriun e Kosovës? Ndërsa diplomacia serbe është bërë më agresive dhe i hapen dyert gjithëandej, në Bruksel e Uashington, ndërsa diplomacia shqiptare është vënë para faktit të kryer? Ku janë të humburit? Përse nuk dëmshpërblen Serbia për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar Kosovës? A e sheh shteti i Kosovës tendecën e Serbisë për ta palestinizuar njohjen e shtetit të ri të Kosovës?etj…etj…

Presidenti Thaçi tha se luftën duhet ta vazhdojmë së bashku dhe se të gjitha gjërat nuk bëhen në një ditë. Për 12 vjet Pavarësi kemi shënuar arritje jo të vogla, punë të mëdha na presin.Pas vizitës, presidenti shkroi në statusin e tij në facebook: Në Nju Jork të SHBA-së isha në selinë e Vatrës, shoqatës më të vjetër shqiptare, ku u prita nga kryetari i ri i saj, Elmi Berisha, dhe nga anëtarët e kësaj shoqate. Pata një bashkëbisedim të përzemërt, miqësor e të hapur me bashkëkombësit. Liria dhe pavarësia e Kosovës, të arriturat e Kosovës, të tërë shqiptarëve janë të lidhura ngushtë me punën e vyeshme, me guximin dhe me sakrificën e diasporës shqiptare.(

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti Thaçi, Vater

THAÇI NE WASHINGTON:Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fati i Kosovës

February 23, 2020 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi niset për në SHBA, do të ketë takime me Administratën Amerikane: Kosova është më fat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë përkushtimin për Kosovën, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit/

PRISHTINË, 23 Shkurt-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takojë zyrtarë të lartë të administratës amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer vëmendjen në zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, duke u angazhuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për t’i hapur rrugë investimeve nga jashtë dhe zhvillimit ekonomik.

Para nisjes për në SHBA, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është më fat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë përkushtimin për Kosovën, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit”.

“Lidershipi i Presidentit Trump, përkrahja e Sekretarit Pompei dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i të Dërguarit Special, ambasadorit Grenell, janë inkurajim për ne”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Jemi të bekuar me miqësinë tonë të përhershme, me raportin tonë special me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi në Washington do të ketë prezantime edhe në dy debate për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, një në Brookings Institute dhe tjetrin në Atlantic Council, si dhe do të ketë takime në think-tanks me ndikim në politikën e jashtme të SHBA-së. Presidenti Thaçi do të flasë për të arriturat e deritashme, për prioritetet e Kosovës dhe për sfidat e mundësitë në rrugën e integrimit euroatlantik.

Filed Under: Kronike Tagged With: Presidenti Thaçi, Washington

SHBA në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës

March 9, 2019 by dgreca

Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale: SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovës – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit/

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e Presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  9 Mars 2019/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bën të ditur se, sot, së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, zhvilluam një takim me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale.

Pas takimit Presidenti Thaçi është shprehur:

Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e Presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme. 

KRYEMINISTRI HARADINAJ: MARRËVESHJE QË REZULTON ME NJOHJE NË KUFIJTË EKZISTUES TË KOSOVËS 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi: Pata nderin që sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli, të zhvillojmë një takim të hapur dhe të sinqertë me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.

Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe më domethënës pas votimit të Platformës së Dialogut dhe Ligjit.

E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.

MEDIA: SHBA NUK KA POZICION RRETH REZULTATIT TË DIALOGUT KOSOVË-SERBI, POR INSISTON NË NJOHJE TË NDËRSJELLË, THOTË HALE

Përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundshme. SHBA-ja kujdeset thellë për mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës. Dhe këto janë bazat mbi të cilat zhvillohen diskutimet mes SHBA-së dhe Kosovës.

Kështu ka thënë nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, të shtunën në Prishtinë, pas takimit me krerët e institucioneve të Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga tri media kosovare, përfshirë “Kohën Ditore”, nënsekretari Hale ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth dialogut, duke theksuar se Uashingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Sidoqoftë, nënsekretari Hale e ka përsëritur se SHBA nuk ka një pozicion të vetin se cili duhet të jetë rezultati i dialogut, dhe se përmbajtja e marrëveshjes do të varet nga të dy palët.

Por, ai ka theksuar se ka një pajtim të gjerë mes aleatëve perëndimorë se çdo marrëveshje duhet ti kontribuojë stabilitetit rajonal dhe jo e kundërta.

Nënsekretari Hale, i cili të shtunën në mëngjes i ka takuar së bashku presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, para vizitës në Prishtinë ka qëndruar në Beograd, ku ka dërguar të njëjtin mesazh për tejkalimin e pengesave që ti hapet rrugë dialogut.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Kohës Ditore për të komentuar rreth Platformës për dialog, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës të premten, nënsekretari Hale tha se e sheh këtë si pjesë të debatit demokratik në Kosovë, por shtoi se SHBA-ja nuk ka një pozicion rreth platformës.

Në çdo rast, siç tha nënsekretari Hale, SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovës – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit.

TAKIMI U ZHVILLUA NË REZIDENCËN AMERIKANE NË PRISHTINË

Liderët shtetërorë të Kosovës kanë qëndruar në Rezidencën Amerikane në Prishtinë për dy orë të shtunën paradite, ku janë ftuar në takim nga nënsekretari për çështje politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale.

Burime të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) tregojnë se Hale ka kërkuar suspendimin e taksës, duke folur për rrezikun e dështimit të dialogut. “Nëse Kosova mbetet përgjegjese për dështimin e dialogut do të paguajë çmim”, ka thënë Hale kanë treguar këto burime, duke thënë se ky ka qenë mesazhi kryesor i amerikanëve në takimin e sotëm.

Ndërkohë, të hënën, në Prishtinë për të njëjtën temë do të vijnë edhe dy këshilltarë të kancelares gjermane Angela Merkel, të cilët pritet të rrisin presionin mbi qeverinë kosovare për të suspenduar taksën dhe vazhduar dialogun.

 DEKLARATA E PRESIDENTIT SERB VUÇIÇ

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit në Beogrd me zyrtarin e lartë Amerikan dje ka shkruar në Twitter: 

“Nënsekretarit për çështje politke në Departamentin e Shtetit të SHBA David Hale i kam thënë se Platforma për dialog, miratuar dje, është në thelb vendim i Prishtinës ta ndërpresë dialogun me Beogradin. Serbia në afat të shkurtër do marrë masa me të cilat do reagojë në situatën e krijuar”.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Presidenti Thaçi

Kosovë-SHBA/ Presidenti Thaçi takim me Kongresistin Engel

February 7, 2019 by dgreca

2 Engel Hashim

UASHINGTON, 6 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bën të ditur sot se në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Kongresistin Eliot Engel.

“Gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e madh të Kosovës dhe timin, Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Kongresistin Eliot Engel, si dhe të konfirmojmë miqësinë e përhershme në mes Kosovës dhe SHBA-së. Kosova ka dalë fitimtare gjithmonë kur ka qenë bashkë me SHBA-në. Prandaj do ta ruajmë dhe do ta çmojmë përherë këtë miqësi”, shprehet Presidenti kosovar.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me liderë të shumtë botërorë, do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Eliot Engel, Presidenti Thaçi, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT