• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KATALANJA DHE ABSURDITETI I KRAHASIMIT ME KOSOVEN E HIMAREN

October 2, 2017 by dgreca

Fillimi i një procesi në Katalanjë dhe absurditeti krahasues me Kosovën dhe Himarën!/

2-enver-Bytyci-1

Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/

Katalanja votoi dje për pavarësinë e rajonit të saj nga Spanja. Pak javë më parë votoi edhe Republika Autonome e Kurdistanit në Irak për pavarësinë e tij nga Bagdati. Barcelona dhe Mosuli u promovuan si dy kryeqytete të reja, të cilët u shfaqën në horizontin e hartës gjeopolitike të botës së sotme. Pas promovimit të kartës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, është e natyrshme që grupet etnike të kenë sukses në synimet e tyre për pavarësi dhe kriijimin e shteteve të reja. Referendumet e zhvilluara në këto ose rajone dëhmuan se vullneti i popujve është determinant dhe se forca nuk mund të ndalë shprehjen e tij. Ky është vetëm fillimi i një procesi, që duket se nuk e ka përkrahjen ndërkombëtare, por që në fakt dëshmon për promovimin e politikave të reja globale. Bota gjendet përballë tendencës së dezintegrimit dhe vala e këtij procesi duket se do të përhapet në rajone e vende të tjera federale ose jo federative. Rajone të shumta në botë kanë identitete të ndryshme përkundrejt shteteve me të cilat ato janë asocuar për shkak të rrethanave historike. Të gjitha ose shumica prej tyre do të donin lirinë dhe pavarësinë e tyre, jo thjesht për shkak të mundësive më të mëdha ekonomike e sociale, siç thuhet në zhargonin propagandistik europian për Katalanjën, por për shkak të dallimeve thelbësore në identitet, në kulturë, në trashëgiminë historike e etnike dhe në mënyrën e ndërtimit të jetës politiko-sociale. Në Barcelonë dhe qytete të tjera të Katalanjës pamë policë të shumtë të dhunshëm të dërguar nga qeveria qendrore e Madridit,ndërkohë që u shfaqën policë vendas që merrnin në mbrojtje viktimat e policisë speciale madridase. Pamë gjithashtu se si qytetarë të vendosur që paqësisht, madje si në ditë feste, dhanë verdiktin e tyre për pavarësinë e rajonit ku jetojnë. Shfaqje të tilla do të shohim edhe në vende e rajone të tjera, por ka mundësi të shohim edhe dhunë e masakra kundër njerëzve liridashës. Erdogan reagoi pak me cinizëm ndaj referendumit të kurdëve, kur e krahasoi situatën atje me shtetësinë e Kosovës, duke vënë një paralele të panevojshme dhe të pasaktë midis të dy rasteve. Kjo sepse Kosova ka siguruar deri tash 114 njohje ndërkombëtare dhe se Turqia e Erdogan ishte i dyti ose i tretivend që e njohu pavarësinë e saj. Për këtë arësye besoj se krahasimi lidhet me ndonjë qejfmbetje të presidentit të Turqisë ndaj qëndrimeve të Prishtinës në marrëdhëniet e saj me Ankaranë. Ndërsa sa i përket referendumit të Katalanjës shoh që kanë reaguar tri kategori: Së pari janë entusiastët e optimistët, të cilët e konsiderojnë Katalanjën që sot si shtet të konstruktuar e të promovuar ndërkombëtarisht. Natyrisht që referendumi i djeshëm është vetëm fillimi. Një fillim i vështirë, që do të dojë ndoshta dekada të bëhet realitet derisa ky vend e ky shtet të ulet në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra, edhe pse procesi po ndodh në Europë, në kontinentin e vlerave të demokracisë, gjeopolitika dhe influenca e Madridit do ta bllokojë për një kohë relativisht të gjatë formësimin e plotë të shtetësisë së Katalanjës. Spanja e ka dhënë këtë provë në rastin e Kosovës. Prej dhjetë vitesh ajo jo vetëm heziton ta njohë shtetin e Kosovës, por lobon me të gjithë fuqinë e saj në vendet spanjishtfolëse të Amerikës Latine që edhe këto vende të mos marrin një vendim pro Kosovës. Ndërkaq është Spanja vendi kryesor që po bllokon integrimet euro-atlantike të shtetit më të ri në Ballkan, po megjithatë nuk ia doli që të ndalojë procesin e pavarësimit të Katalanjës. Prej Katalanjës sindroma e referendumit për pavarësi do të shtrihet te baskët, pavarësisht se qeveria e Madridit pati besuar fort se do ta evitojë këtë proces me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Madje hezitimi për njohjen e saj më duket se ka përshpejtuar referendimin e djeshëm në Katalanjë dhe ka ndikuar që në heshtje disa vende perendimore ta pranojnë rezultatin e këtij referendumi. Së dyti, janë deklarimet e liderëve serbë, Vuçiç dhe Daçiç, të cilët shpejtuan menjëherë të venë shënjën e barazimit midis Kosovës si “pjesë integrale” e Serbisë dhe Katalanjës si “pjesë integrale e Spanjës”. Të dy vendet kanë shprehur solidaritet reciprok në “fatkeqësinë” e tyre të “ndarjes së territorit”. Në përgjigje të kësaj aksiome krahasuese duhet sqaruar se Beogradi dëshiron me këtë rast jo vetëm zhvleftësimin shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe relativizimin e krimeve serbe në Kosovë. Eshtë e njëmijta herë që shkruaj dhe përsëris krimet serbe në Kosovë: Rreth 20 mijë të vrarë, të masakruar dhe të humbur e të pagjetur në varrezat serbe të Milosheviçit. Rreth 20 mijë gra dhe vajza të keqtrajtuara dhe të përdhunuara nga ushtarët, paraushtarakët, oficerët dhe milicët serbë në tre muaj. Mbi 40 mijë banesa, apartamente, godina biznesi, objekte sociale, fetare, kulturore e të shërbimit, të shkatërruara plotësisht e të djegura. Më mijëra hektarë bimësi të produkteve bujqësore, vreshta e pemtari të djegura e të shkatërruara. Dhe më në fund një milionë shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, në kuadër të politikave të spastrimit etnik të Kosovës. Ky ishte bilanci i terrorit serb në Kosovë dhe pas këtij bilanci as ufot nuk do të guxonin të pranonin sovranitetin e ndonjë sunduesi në vendin e tyre. Nëse dikush dëshiron të rikthejë idenë e çmendur të ndarjes së Kosovës ose ndonjë lloj sovraniteti qoftë dhe simbolik të Serbisë në Kosovë, kjo çmenduri do të përkthehej në vazhdimin e një konflikti të nisur 150 vite më parë. Prandaj krahasimet që bëjnë në Beograd janë abuzive dhe jo logjike. Ato vetëm se ndihëmojnë të rikthehet analiza e historisë së para 20 viteve në Kosovë, kur Serbinë e sundoi diktatori Milosheviç. Së treti, ka disa që duke kritikuar entusiasmin e shqiptarëve për referendumin e Katalanjës, paralajmërojnë “refrendum në Dropull e Himarë”. Kjo teori është jorealiste. Katalanja është tetë milionë banorë dhe gëzon një autonomi të caktuar me kufij të qartë etnikë. Dropulli është një ishull i rrethuar nga territore të banuar me shqiptarë dhe me diku te 15-20 mijë grekë etnikë. Këta grekë etnikë nuk kanë asnjë mundësi t’i bashkëngjiten shtetit grek, ndërkohë që nuk është parë ndonjëherë në historinë e botës që të krijohen shtete me kaq pak banorë. Himara është histori, për të cilën gabohen këta paralajmërues që e rendisin me Dropullin. Himara është thjesht territor dhe popullsi shqiptare, edhe pse ka himariotë që marrin pensione nga Athina e shpallen si grekë. Një ditë do të kthjellohen retë e kësaj tymnaje që e trazon Athina. Përfundimisht duhet thënë se promovimi i lirive dhe të drejtave themelore individuale në dokumentet ndërkombëtare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në dy dekadat e fundit, nuk mund të injorojë si rregull realizimin e të drejtave kolektive. Nëse një individ ka të drejtat e tij edhe në identitet edhe në pjesmarrjen në qeverisje e për gjithçka tjetër, nuk mundet që një komunitet i madh njerëzish në raport me rrethanat të qëndrojë i ndryshur në të drejtat e tij etnike ose fetare.

Filed Under: Politike Tagged With: absurditeti i krahasimit, Katalanja, Kosove e Himare, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Republika e Re e Jugosllavisë si projekt i marrëveshjeve Rama – Vuçiç

April 6, 2017 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

2 enver-Bytyci-1

Para disa javësh dy kryeministrat ballkanas, Edi Rama i Shqipërisë dhe Alesandër Vuçiç i Serbisë, lëshuan në Sarajevë një ofertë e njëkohësisht një kërkesë: – Të ndërtojmë Tregun e Përbashkët Ballkanik. Shumë, ndoshta shumica e shqiptarëve, u shprehën entuziastë për këtë nismë të re serbo-shqiptare. Megjithatë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e refuzoi një projekt si ky. Ai u shpreh jo vetëm skeptik, por njëkohësisht kundër një të ashtuquajturi “Treg i Përbashkët Ballkanik”. Mbështetësit e këtij projekti e kritikuan zotin Mustafa me arësyetime të ndryshme. Argumenti ishte se “Një Treg i Përbashkët Ballkanik” do të ishte një mundësi dhe shans për zhvillimin e rajonit. Sot zoti Vuçiç, tashmë në postin e presidentit të ri të Serbisë, ka ndriçuar më shumë detaje për projektin në fjalë, duke i dhënë atij ngjyra të theksuara politike. Ai, ka folur për një Republikë të Re të Jugosllavisë. Në njëintervistë për portalin amerikan “Politico” Vuçiç është shprehur se plani i tij do të krijojë një treg për 20 milionë banorë dhe se bëhet fjalë për “Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë”. Ndërkaq ka përmendur faktin se Tito pati sukses në një projekt të tillë. Takimet e panumërta midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç zbuluan të vërtetën se të dy këta janë marrë vesh për ndërtimin e një Ballkani të ashtuquajtur “Perendimor” të llojit të Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia, e cila u varros nga dhuna e Serbisë, tashmë po na shfaqet në horizont si një projekt i ri, madje me një aktor plus, kryeministrin e Shqipërisë. Të dy këta, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, mbështetën për katër vite njëri-tjetrin, me qëllim që të forconin pozitat elektorale në vendet përkatëse, por me një çmim të lartë për shqiptarët: – Përjashtimin e Kosovës nga vendimmarrja, ose më e pakta, krijimin e rrethanave të pafavorshme për institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për forcimin e shtetësisë në këtë vend. Por në këtë koment nuk dua të ndalem thjesht në pasojat e bashkëpunimit Rama-Vuçiç. Këto pasoja si dhe lidhjet konspirative midis tyre i kam shtjelluar në dhjetra komente së paku prej tetorit 2014 e deri më sot. Ajo që sot dua të kujtoj është ngjashmëria që ka inciativa Rama-Vuçiç për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe “Bashkim-Vëllazërimin Serbo-Shqiptar” me përpjekjet mbi 100 vjeçare të të gjitha qeverive të Beogradit për të krijuar një aleancë ballkanike ose për të realizuar atë lëvizje që quhej “Ballkani ballkanasve”, me qëllim asgjësimin e shqiptarëve. Në pranverën e vitit 1912 Mbreti i Serbisë i inkurajonte shqiptarët që të luftonin kundër Turqisë osmane, duke ju premtuar aleancë dhe mbështetje të pakufishme. Madje ai dërgoi armë, me qëllim që t’i bindë shqiptarët për seriozitetin dhe sinqeritetin e ndihmës serbe ndaj tyre. Nuk po përmend emrat e udhëheqësve të kryengritjes shqiptare të asaj kohe, të cilët e pranuan marrëveshjen dhe ndihmën e Karagjorgjeviçit. Në ditët e sotme Aleksandër Vuçiç i ka ofruar shqiptarëve (të Shqipërisë) bashkëpunim, madje dhe ndihmë për të krijuar një treg unik, duke e reklamuar veten e tij një Tito të ri, i cili “Do të ndërtojë autostradën Nish-Prishtinë”. Ai e ftoi kryeministrin Rama në Nish tetorin e kaluar, me qëllim që të dy të vendosnin “gurin e themelit” të këtyre marrëdhënieve. Por në Prishtinë qëndruan ftohtë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tregoi kryeministrit Rama kufijtë e sjelljes së tij ndaj Kosovës. Pse? Sepse po flitej për projekte të përbashkëta, të cilat përfshinin edhe Kosovën, por që nuk përfaqësohej e barabartë si shtet sovran në këto iniciativa. Ndërsa Mbreti i Serbisë në vitin 1912, teksa i ftonte shqiptarët në “luftë të përbashkët” kundër Perandorisë Osmane, nënshkroi fshehtas tyre tri marrëveshje ballkanike, atë më Greqinë, marrëveshjen me Malin e Zi si dhe marrëveshjen me Bullgarinë. Aleanca midis këtyre katër vendeve ballkanike u quajt shkurt “Aleanca Ballkanike”. E përafërt me termin e sotëm “Tregu i Përbashkët Ballkanik”. Po çfarë ndodhi atëherë, në Luftërat Ballkanike. Ushtria 300 mijëshe e Serbisë asgjësoi e masakroi gati 30 mijë shqiptarë, thjesht se donte të evitonte krijimin e shtetit shqiptar. Shqiptarët u zgjuan, por shumë vonë. Ata nuk e vunë re tradhëtinë e Mbretit të Serbisë në kohën e duhur. U joshën nga “lufta e përbashkët kundër pushtimit osman” dhe nuk panë se po përgatitej asgjësimi i kombit shqiptar. Tani Vuçiç e di se nuk i ka mundësitë të asgjësojë shqiptarët si komb, por krijimi i një “Tregu të Përbashkët Ballkanik” me ndihmën e kryeministrit Rama, do t’ia mundësojë atij realizimin e një iniciative politike të krijimit të një Jugosllavie të Re, brenda së cilës të ishte Shqipëria. Beogradit i duhet Shqipëria në këtë të ashquajtur Jugosllavi të Re, sepse me anë të Tiranës zyrtare kërkon t’i bindë shqiptarët e Kosovës të bëhen pjesë e kësaj Jugosllavie. Isa Mustafa e ka kuptuar këtë hile. Nuk e di nëse janë dakord politikanët e tjerë me këtë aventurë të re, jo aq të presidentit të ri të Serbisë, sa të kryeministrit të Shqipërisë. Aleanca Ballkanike e vitit 1912 kundër shqiptarëve u arrit me angazhimin e drejtpërdrejtë të Rusisë, madje direkt të carit rus. Projekti i sotëm i “Tregut të Përbashkët Ballkanik” ka bekimin dhe miratimin e carit të sotëm të Rusisë, Vladimir Putin, sepse ai e di që në çdo organizëm ku bën pjesë Serbia është e do të jetë e pranishme edhe Rusia. Në këtë treg Rusia do të ishte present së paku 50 me 50 përqind krahasuar me Perendimin, Europën e SHBA-të të marra së bashku. Këtë ia mundëson Serbia. Kaq kishe fituar vetë Stalini në Jaltë. Prandaj dhe projekti i Vuçiç është dhe mbetet gjithashtu projekt i Kremlinit. Këtij projekti i bashkëngjitet me vetëdije apo me naivitet kryeministri ynë, Edi Rama. Por nuk e pranon atë Isa Mustafa dhe nuk jam i bindur se zoti Rama ka shfaq ndonjë kureshtje pse kryeministri i Kosovës është kundër një projekti të tillë. Një projekt ballkanik u inicua nga Beogradi edhe në periudhën e Mbretit Zog, në vitin 1936. Madje në Beograd u mblodhën të gjitha vendet ballkanike dhe formuan atë që e quajtën “Aleanca Ballkanike”. Qëllimi ishte që këto vende të bëheshin bashkë për të kundërshtuar praninë e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Por Mbreti Zog refuzoi të bëhej pjesë e kësaj farse. Ai kishte kuptuar se aleancat ballkanike, aq më tepër të inicuara nga Beogradi, janë thikë pas shpine për shqiptarët. Dhe periudha e bashkëpunimit të komunistëve shqiptarë me komunistët serbo-jugosllavë i dha atij plotësisht të drejtë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj komunistët shqiptarë dhe qeveria komuniste e Enver Hoxhës krijuan lidhje të ngushta me komunistet dhe qeverinë komuniste të Beogradit. Tito dhe udhëheqësit komunistë serbo-malazezë e përdorën këtë lidhje për të shfarosur nacionalistët shqiptarë në Kosovë. Beogradi kishte kuptuar se Tirana zyrtare komuniste kishte interes eleminimin e faktorit nacionalist në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë, prandaj e pranoi ushtrinë patizane shqiptare në territorin e Kosovës, me qëllim që të mbante në zap popullsinë shqiptare atje për të mos reaguar për masakrat masive kundër tyre në Drenicë e deri te Masakra e Tivarit. Titos i duhej bashkëpunimi me Enver Hoxhën që të mbyste në gjak Kosovën dhe të asgjësonte fizikisht faktorin shqiptar. Gjithçka u bë në emër të “Bashkim-Vëllazërimit”. Sot Aleksandër Vuçiç ka thirr në ndihmë Edi Ramën që ta mbysë lirinë e pavarësinë e saj. Retorika nacionaliste e kryeministrit të Shqipërisë është demagogji e paster, sepse në asnjë rast ajo nuk i kundërvihet planeve konkrete të Aleksandër Vuçiç. Madje zoti Rama e sheh me përbuzje dhe e prezanton si “injorancë” reagimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për t’i thënë “JO” projektit të Vuçiç, i cili ngjason me atë projektin e Titos për “ta gllabëruar Shqipërinë”, siç thoshte Stalini dhe për ta bërë atë Republikë të Shtatë të Republikës së Jugosllavisë Socialiste. Asokohe kjo Republika e Shtatë e Jugosllavisë u paraqit si një republikë që përfshinte edhe shqiptarët e Kosovës, por nuk dihet se cila do të ishte sipërfaqja e territorit të Kosovës që do të mund të përfshihej në këtë Republikën e Hoxhës që do të bëhej Republikë e Titos. Ndërsa sot Republika e Ramës, që do të futet “vullnetarisht” në Republikën e Vuçiçit, mbasi ta zhbëjë lirinë e pavarësinë e Kosovës do ta ndante territorin e saj, jo më në Ibër, por gati në portat e Prishtinës. Ngjashmëritë e Republikës së Re të Jugosllavisë së Vuçiçit me tezën e “Tregut të Përbashkët Ballkanik” janë të shumta. Mbi të gjitha iniciativat serbe përkojnë me të ashtuquajturën politikë e neutralitetit, të cilën e ka promovuar Tito dhe e përsërit Beogradi i sotëm. Mosangazhimi titist është thelbi i politikës së sotme të Vuçiçit, me qëllim krijimin e një zone tampon midis Lindjes e Perendimit në Ballkan. Në fakt ky Tregu i Përbashkët Ballkanik, sidomos në kushtet e shpërbërjes së mundëshme të BE-së dhe zgjerimit të influencës ruse në Ballkan do të linte brenda gadishullit Moskën e Kremlinin dhe do të nxirrte prej andej Uashingtonin, Berlinin, Londrën e Vjenën, sigurisht nëse këto kryeqytete do ta toleronin iniciativën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Gjasat janë që të mos e tolerojnë dhe të dallojnë komplotin e tij, të cilit i vjen në ndihmë zoti Rama. Por ky I fundit nuk është në gjendje t’i kundërvihet ish-homologut të tij serb dhe projekteve të tij antishqiptare. Nuk i kundërvihet, sepse të gjithë të majtët shqiptarë, që nga Noli, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Fatos Nano e deri tek Rama janë joshur gjithnjë nga sllogani “Ballkani ballkanasve” dhe marrëzia e dakortësisë për të nxjerrë jashtë gadishullit tonë Fuqitë e Mëdha proshqiptare dhe për të pranuar prezencën e Perandorisë Ruse. Nuk po radhis këtu faktet e shumta bazuar në dokumente arkivore, të cilat e dëshmojnë këtë. Rama nuk i kundërvihet kësaj formule, pra asaj që pretendohet si Aleancë e Re e vendeve të Ballkanit Perendimor, por që nuk është tjetër veçse Aleancë që synon të krijojë një Jugosllavi të Re me vendet e ish-Jugosllavisë, minus Sllovenia e Kroacia dhe plus Shqipëria, sepse tashmë nuk ka kredite të kundërshtojë projektet dhe planet e Aleksandër Vuçiç. Në Sarajevë kryeministri serb e provokoi dhe e paralajmëroi zotin Rama, duke i nxjerrë në publik një dakortësi të fshehtë midis tyre. Dhe ne nuk jemi në dijeni të shumë marrëveshjeve të tjera të fshehta midis tyre. Shpalosja e qëllimeve të hapura nga ana e presidentit të ri serb për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe krijimin e një Jugosllavie të Re do të duhet të jetë një sinjal tjetër se Edi Rama mund të shpëtojë, çka mund të shpëtojë, vetëm nëse jep dorëheqjen, madje pa kthim, pa kërkuar më si person ndonjë mandat tjetër për qeverisjen e vendit. Vetëm në këtë rast ai ka shansin që të mbyllë në kasafortën e Vuçiç për një fare kohe pazaret antishqiptare që kanë bërë në këto katër vite, shumë prej të cilave mbajnë vulën e diletantizmit të kryeministrit tonë në diplomaci ose të egoizmit të tij për protagonizëm. Tiranë, më 06.04.2017

Filed Under: Opinion Tagged With: e Jugosllavisë si projekt i marrëveshjeve, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, Rama-Vucic, Republika e Re

Rexhep Qosja rikthehet te opsioni i Dobrica Qosiç për Kosovën?!

January 22, 2017 by dgreca

1-enver-Bytyci-1

Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/

Mediat e Kosovës kanë transmetuar një intervistë të akademikut shqiptar, Rexhep Qosja, në të cilën shkrimtari i njohur dhe i vetëshpallur si “babai i kombit” shpalos një projekt të tijin për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Sipas tij “Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën”. Më tej ai vazhdon: “Në vizionin tim, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Si do të zgjidhet problemi i veriut dhe Luginës së Preshvës varet nga ne dhe këmbëngulja, mencuria jonë. Por ne do të bashkohemi. Kjo nuk është vetëm në të mirën tonë, por në të mirën e të gjithë Ballkanit” Dhe këtë lloj projekti e arësyeton kësisoj: “Tash për tash pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve është utopik dhe i pamundshëm. Në Serbi gjithmonë ka pasur një unitet të fuqishëm mes kishës dhe politikës. Në festat e Krishtlindjes, kleriku kryesor tha: “Në Kosovë kemi trupin dhe shpirtin dhe Kosova do të jetë serbe”.

Po ia paraqes lexuesit fjalë për fjalë kërkesën dhe arësyetimin e akademikut Rexhep Qosja marrë nga gazeta e Prishtinës “Express”, me qëllim që të mos lë asnje fije dyshimi e mos krijoj asnjë dilemë edhe te fansat e akademikut për autorësinë e propozimit të tij. Ndërsa arësyetimi që do të parashtroj në kundështi të projekt-propozimit të zotit Qosja ka të bëjë thjesht me mendimin tim.

Rexhep Qosjen si emër, si shkrimtar, si patriot të servirur nga regjimi komunist në Shqipëri, e njoh që para viteve ’90. E njoha fillimisht nga romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Më vonë kam lexuar dhe libra të tjerë, sidomos të kritikës letrare, si “Panteoni i rralluar” e të tjerë. Ndërsa në tri volumet e përmbledhjes për kërkesat e shqiptarëve të botuar më 1990 nga Ramiz Alia, Rexhep Qosja zinte një vend të veçantë. Më vonë kemi mësuar diskursin e guximshëm të Ibrahim Rugovës në Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë apo në mediume të ndryshme, pasiqë në Shqipëri Rugova eklipsohej prej Rexhep Qoses asokohe. Aq shumë e vlerësoja akademikun Qose, sa kur në korrik 1990 më ran ë dorë një gazetë “Rilindja” dhe pashë një replikë të Arben Popocit me të, m’u duk pak e çuditshme. Pas dy-tri vitesh Arben Popoci do vinte në Tiranë e do të punonte te gazeta “Republika” e prej tij mësova shumë të vërteta.

Kjo njohje si dhe deklaratat e Rexhep Qosjes në “Zëri i Amerikës” na bënë asokohe që të ishim idhtarë të tij edhe ne në Shqipëri. Na dukej si njeriu i urtë, që transmetonte mençurinë popullore me këshillat që jepte. Edhe qëndrimet e tij na dukeshin të ekuilibruara, aq sa u pranua plotësisht edhe prej antikomunistëve në Shqipëri dhe partia e parë opozitare. Madje gazeta e Partisë Demokratike mori emrin “Rilindja” të rekomanduar prej tij. Ishte një kohë kur kërkohej një fije bari për t’u kapur e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën. Uji ishte turbulluar dhe sytë tanë nuk shihnin bregun për t’i shpëtuar rrjedhës. Prandaj u prirëm të kapeshim pas myshqeve dhe gurëve për t’i shpëtuar asaj. Një prej këtyre fijeve të barit, rezultoi më vonë të ishte akademik Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja u pa fillimisht si shpresë, por shpejt mori anë dhe në vend të na fundoste ne, fundosi vetëveten. Ia hoqi vetes shumë shpejt aureolën e prijësit të fshatit të madh shqiptar, sepse iu kundërvu me të gjitha mjetet demokracisë dhe u shfaq hapur në mbrojtje të ideve neokomuniste, duke shkuar shpesh herë më larg se neokomunistët e duke promovuar diktatorin Hoxha.  Dalëngadalë akademiku Rexhep Qosja i bindi shqiptarët vetë se nuk është ai akademiku i projektuar në mendjen tonë. Ndërsa në Kosovë e kishin njohur më mirë. Shqiptarët e Kosovës nuk ia dhanë kurrë ndonjëherë rol prijësi këtij akademiku fodull e arrogant jo vetëm në sjellje, por edhe në ide dhe mendimet e tij.  Ai u bë skajshëm i neveritshëm dhe tani me rekomandimet e tij për ndarjen e Kosovës shfaqet njëkohësisht shumë i rrezikshëm. Po jo më pak të rrezikshme janë mediat që promovojnë idetë e tij shkatërruese për kombin shqiptar. Nuk e di përse nuk e lënë të japë intervista në gazetat e mediat e Beogradit, pasiqë idetë e Qoses dhe akademikut serb, Dobrica Qosiç janë identike, pa asnjë dallim me të njëjtin objekt: Ndarjen e Kosovës.

Rexhep Qosja ndarjen e veriut të Kosovës dhe kthimit të kësaj pjese të territorit shqiptar Serbisë e justifikon dhe motivon në mënyrë krejt të gabuar. Me demagogjinë dhe sofizmin e bashkimit kombëtar, ai elaboron humbjen e territoreve shqiptare, madje të pjesës më vitale dhe më të pasur të territorit të Kosovës e në të gjithë Ballkanin Perendimor. Ai e di se ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët e duan bashkimin kombëtar, dhe këta nuk janë në gjendje të arësyetojnë bilancin e humbjeve dhe të asaj që fitojmë ne. Prandaj spekullon me idenë e bashkimit kombëtar. Siç spekullon Tv që e interviston si dhe shefi I ekzekutivit shqiptar në Tiranë.

Nëse keni vënë re, prej disa vitesh jam shprehur dhe shprehem se bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është alternativë e këtij moment, të cilin ne e kalojmë. Dhe këtë e bëj jo se jam kundër bashkimit, porse një bashkim me humbje të territoreve, të cilat sot i kemi në administrim, do të ishte një katastrofë e dytë kombëtare e shqiptarëve, pas asaj që ndodhi me vendimet e Konferencës së Londrës. Kushdo që pajtohet me humbjen e territoreve në emër të bashkimit kombëtar, siç bën akademiku Rexhep Qosja, ose është i rrjedhur ose është i shitur te djalli. Nuk ka asnjë arësye tjetër që dikush ndër shqiptarët, kushdo qoftë ai, të trembet nga ekzistenca e dy shteteve shqiptare dhe t’i qajë hallin botës se “nuk mundka të menaxhojë dy shtete”, siç shprehet Qosja në intervistën e tij te televizioni “Klan Kosova”.

Shtetet shqiptare duhet ta menaxhojnë veteveten. E nëse ne menaxhojmë veten, duke bashkëpunuar, bashkëvepruar, bashkërenduar politikat e zhvillimit, si dhe politikën e diplomacinë ndërkombëtare, nuk ka nevojë t’i ofrojmë Serbisë pasuritë e territoret tona që të na përkdhelë ambicjen qosjane të bashkimit kombëtar. Në fund të fundit Serbia është shprehur shumë qartë. Po citoj Daçiçin: “Për ne nuk ka rëndësi se bashkohen ose jo shqiptarët në një shtet të vetin, nuk ka rëndësi në sa shtete jetojnë ata, për ne ka rëndësi të bashkojmë serbët”. Nuk besoj se ka më qartë se kaq. Atë që thotë Qosja e thoshte fjalë për fjalë Dobrica Qosiç, por e thotë gjithashtu ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Kësaj skeme i shërben në ditët e sotme muri në veri si dhe provokimi me trenin nacionalist serb. E në javët në vazhdim do të shohim provkime të tjera për ta realizuar idenë e ndarjes së Kosovës, ide të cilën elaboron akademiku shqiptar, Rexhep Qosja. Kështu Qosja i bashkohet provokimit të Serbisë kundër Kosovës. Nuk ka lajthitje më të rrezikshme se kjo.

Mua më bën përshtypje se si është e mundur që akademiku i shndërruar në idol në periudhën 1989-1992, akademiku Rexhep Qosja, të konvergojë në të njëjtën tezë serbe, t’i bëhet patericë programeve të Serbisë për ndarjen e territorit të Kosovës dhe të kërkojë humbjen e territoreve tona?! Si është e mundur që një profesor, shkrimtar shqiptar, revokon idetë më regresive të së ardhmes së kombit shqiptar?! Si është e mundur që ky njeri t’i japë vetes të drejtën e faljes së tokave të shqiptarëve?! Nga i buron kjo ide, kush ia mëkon ende sot në këtë moshë të thyer?! Pleqtë tanë na thonin se “Burri ka gjithmonë kohë me u korit”! Mesa duket Rexhep Qosja nuk po don ta kalojë pleqërinë e tij pa u lënë shqiptarëve shijen e hidhur të “koritjes” në ekstrem, me tregëtinë e trojeve të vendit!

Por duket se idetë e Qosjes për ndarjen e territorit të Kosovës nuk vijnë kaq thjeshtë në vëmendjen e tij. Idetë e Rexhep Qosjes për gjoja shkëmbimin e territoreve, përveçse ide të Beogradit, vijnë gjithashtu në pajtim me idetë e drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiut, si dhe të të gjithë atyre që predikojnë “pajtimin (vëllazërimin) shqiptaro-serb”, pra edhe të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. A keni dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe kur Serbia po provokon ndarjen e Kosovës me dhunë, të flasë kryeministri ynë për këtë çeshtje?! E kemi lexuar në Tëiter të shkruajë përralla se “Ushtria serbe do të vijë si turiste në Prishtinë”. Po nuk thotë se si vjen ajo në veriun e Mitrovicës?! Nuk shprehet aspak kryeministri shqiptar për këtë çeshtje, madje nuk e përmend as angazhimin e Prishtinës zyrtare për të ndalur provokimet me trena dhe provokimet me mure në veri të Kosovës. Nuk thotë asnjë fjalë për deklaratat luftënxitëse të kryeministrit dhe presidentit të Serbisë, madje e promovon homologun e tij serb si “një kryeministër tolerant, të moderuar dhe proeuropian”.

Zoti Rama flet në emër të një opcioni serb me mbështetje te qarqet antishqiptare në Europë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb dhe të njëjtën gjë bën edhe Rexhep Qosja. Të dy e shohin zi zgjidhje ndarjen e territorit të Kosovës. Në emër të pajtimit, çka bie mirë në sy në deklaratën e Qoses, ata duan të shkohet te humbja e territoreve. Të dy, njëri pa zë e tjetri me zë e me figurë, predikojnë zgjerimin e territorit të Serbisë dhe ngushtimin e territoreve shqiptare të Kosovës! Çfarë komedie, e cila nëse nuk lexohet qartë nga ana e autoriteteve dhe qytetarëve të Kosovës mund të shndërrohet në një tragjedi për ta.

Nuk po elaboroj qasjen e Qosjes për bashkimin kombëtar, sepse këtë e kam bërë në shumë komente e analiza të miat. Nuk po ndalem në çeshtjet që hapin iniciativa të tilla në rajonin tonë. Dhe nuk dua ta besoj se një akademik shqiptar si Qose, është i gatshëm të shkatërrojë shtetin e Maqedonisë, pse këtë shkatërrim e duan serbët, grekët dhe bullgarët! Nuk dua ta besoj se Qosja dhe Rama duan gjithashtu shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës! Eshtë e pabesueshme që në Prishtinë dhe në Tiranë të ketë akademikë që rekomandojnë krijimin e Serbisë së Madhe dhe krijimin e një shteti minor shqiptar në territore të ngushtuara. Eshtë e paimagjinueshme se si akademikë shqiptarë, si Qosja, të kërkojnë t’i falin Serbisë ende sot pas 105 viteve, kur u copëtuan shqiptarët, territoret më të pasura si dhe qytete të mëdha shqiptare në Ballkan.

Nëse e vini re fjalën e cituar në fillim, akademiku Qosja në opsionin e tij për ndarjen e Kosovës i referohet patriarkut serb, Irinej, duke e cituar atë të thotë se Kosova është zemra e shpirti i Serbisë. Dmth, nëse Irinej, Nikoliç, Vuçiç, Shejsheli, Daçiçi, flasin për Kosovë e Metohi, atëherë ne duhet t’i japim zgjidhje kësaj dileme serbe dhe Kosovën ta mbajmë për shqiptarët e Metohinë t’ia dhurojmë Serbisë?! Nuk ka asnjë kuptim tjetër “zemërgjerësia” e Rexhep Qosjes për ta ngushëlluar e kompensuar patriarkun ultranacionalist të Serbisë me territoret shqiptare të veriut të Mitrovicës!

Do të doja të besoja se Rexhep Qosja tashmë ka rrjedhur, pra nuk dua të besoj se ai me vetëdije kërkon të shkatërrojë ëndërrën e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por nuk e shoh si një fenomen dhe rrezik të izoluar. Po aq i rrezikshëm është në këtë rrjedhje energjish tona kombëtare TV Klan Kosova dhe drejtuesi i saj, Baton Haxhiu. Sa kohë që këta “gjuajnë” të promovojnë ide, skema dhe opsione antishqiptare e proserbe, do të jenë një rrezik permanent yni. Dhe në fund, më i rrezikshmi ndër të rrezikshmit është dhe mbetet me aventurat e tij shefi i Baton Haxhiut në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!

Këta nuk i shëron asgjë, as ndarja e Kosovës, as krijimi i Serbisë së Madhe. Këta punojnë që shqiptarët të përçahen, të kenë një perspektivë të mjergullt, të mos dijnë se çfarë do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre. Lerini shqiptarët të besojnë te e ardhmja dhe ta shohin atë pa syzet e këtyre njerëzve, të cilët përveç përçarjes, mbjelljes së dëshprimit dhe amullisë, nuk dijnë të bëjnë tjetër!

Filed Under: Politike Tagged With: Dobrica Qosic, kosova, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, rexhep qosja

Treni i gabuar i nacionalizmit shovinist të Serbisë

January 15, 2017 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /2-enver-Bytyci-1Ish presidenti dhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në pranverën e vitit 1999 i deklaronte një gazete gjermane se “Serbia është në trenin e gabuar dhe Mali i Zi nuk mund të udhëtojë në të njëjtin tren të saj”. Për këtë arësye ai e orientoi vendin e tij drejt një treni tjetër, në atë të integrimeve euro-atlantike, duke e shkëputur Malin e Zi nga trashëgimia nacionaliste e shoviniste e Beogradit. 1 tren-Beograd-Mitrovice-2-300x175Dje Serbia dëshmoi që jo vetëm simbolikisht qëndron në trenin e gabuar. Ajo përdori një tren real të prodhuar në Rusi në funksion të qëllimeve të saj nacionaliste e shooviniste. Ky tren u nis nga stacioni hekurudhor kryesor i Beogradit dhe mbërriti deri në Rashkë. Ai ishte i mbështjellë me parulla nacionaliste të kohëve të errëta të shtetit serb dhe pëeshkoi linjat e hekurudhës nga kryeqendra e e Serbisë së sotme për të nbërritur aty ku, sipas akademikut britanik, Noel Malcolm, kishte lindur shteti i parë i Serbisë, aso kohe i quajtur shteti ose principata e Rashkës. Rashka ishte në mesjetë kryeqyteti i principatës së Serbisë, nuk ishte as Prizreni, as Shkupi. Këto qytete u pushtuan nga perandori serb i shekullit XIV, Stefan Dushan dhe u shpallën si kryeqytete të Preandorisë 22 vjeçare të Serbisë. Pra treni i Beogradit u shndërrua në një farë mënyre si rezultat i reagimit të shtetit të Kosovës dhe KFOR-it e NATO-s në symbol të kufijve realë të shtetit të Serbisë, çka do të thotë se Beogradi nuk mund të “shtrijë këmbët përtej jorganiit të vet”. Rashka mbeti, ashtu si në mesjetë, kufiri i fundit i Serbisë në raport me territoret shqiptare dhe kështu do të duhet të ishte që prej vitit 1912-1913. Ngjarja e djeshme e nxitur, projektuar dhe e organizuar nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte një ngjarje e panevojshme, një provokim nga i cili nuk u vunë vetulla, por u errësuan sytë. Por treni i mbushur me parulla të tipit nacionalist “Kosova është Serbi” kishte si synim e destinacion territorin e Kosovës, Mitrovicën. Donte të jeptë mesazhin e frikshëm nacionalist të përpjekjeve për zgjerim territoresh. Ndërkohë ai trend ha një mesazh më të frikshëm se kaq, atë të destabilizimit të rajonit. Nëse ky tren i destabilitetit permanent serb nuk do të ndalej, atëherë mesazhi që u jepej serbëve ishte i qartë: “Nacionalizmi serb është i pandalshëm”. Përtej Kosovës ai mund të shtrihet egërsisht edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni e në Mal të Zi. Simbolika e tretë kishte të bënte me lidhjen e ngushtë Moskë-Beograd. Ai tren kyçte në një nyje të përbashkët ambicjen e Serbisë për zgjerim territoresh, si dhe dëshirën e zjarrtë të Rusisë për të qenë e pranishme si fuqi primare jo vetëm në Ballkanin Qendror, por deri në Adriatik. Simbolika e nacionalizmit të rrezikshëm serb u shfaq jo vetëm te afishjet e trenit, por edhe në shpalljet publike të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Pas dështimit të aksionit të tij diversionist ai deklaroi në stilin e Milosheviçit se “Askush nuk mund të ushtrojë dhunë kundër serbëve në Kosovë”. Në Fushë-Kosovë, para 28 viteve, (1989) paraardhësi i tij, krimineli Milosheviç, kishte deklaruar në Fushë-Kosovë se “Askush nuk mund t’i prekë e t’i lëndojë serbët, kudo që ata jetojnë”, duke shtuar zgjatimin e idesë së tij se “Serbia ose do të jetë e madhe, ose do të shuhet fare”?! Madhësinë e Serbisë Vuçiç u përpoq ta përshkojë me trenin rus, ndërsa deklaratën e tij e huazoi fjalë për fjalë nga një kriminel lufte. Sot në Veri të Mitrovicës, aty ku është ngritur monumenti i Shën Llazarit, serbët e veriut do të protestojnë. Për çfarë? Se ndjehen “të frikësuar” pasiqë treni i nacionalizmit dhe shovinizmit serb nuk u lejua të hyjë në territorin e Kosovës. Edhe në vitet 1986-1990 serbët kudo në Jugosllavi protestonin në mitingjet e Milosheviçit për gjoja kundër “genocidit të shqiptarëve ndaj serbëve në Kosovë”. Aq shumë u përdor kjo lloj propagamde sa në memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Beogradit, kryetar i së cilës ishte ish-presidenti i Serbisë, Dobrica Qosiç, flitej për një “holokaust shqiptar kundër serbëve në Kosovë” shkruhej për “inhumanitetin e shqiptarëve kundër serbëve”. Madje ai memorandum e ngriti në rang përgjithësues rastin e Martinoviç, një serbi nga Gilani i Kosovës, i cili u vetëplagos gjatë një masturbimi me një shishe birre, por që akademikët me sy të errësuar nga nacionalizmi e propaganduan si “dhunë e genocid të shqiptarëve kundër serbëve”. E njëjta gjë ndodhi dje me kryeministrin e Serbisë!!! Ndalja e një treni e çoi atë në pikën e vlimit, të akuzojë shqiptarët pa asnjë fakt, pa asnjë provë, se “ushtrojnë dhunë kundër serbëve”. Mesazhi i kryeministrit serb ishte në adresë të shqiptarëve: “Ju shqiptarët nuk keni parë asgjë akoma”!, përpiqej Vuçiç të kërcënonte! Duke i lexuar kësisoj deklaratat e Aleksandër Vuçiç ka shanse që treni i nacionalizmit serb kurrë më të mos provokojë Kosovën. Dje u dha prova e parë. Qeveria e Kosovës, policia e Kosovës, institucionet e këtij shteti, me mbështetjen e KFOR-it dhe të NATO-s ia arritën t’i venë barrikadë të pakapërcyeshme këtij provokimi. Ishte kjo një arritje e jashtëzakonshme. Por shqiptarët do të duhet të venë re edhe një zhvillim tjetër pozitiv: Në veri të Kosovës prej shpalljes së pavarësisë nuk janë vetëm forcat e KFOR-it francez. Aty janë stacionuar edhe amerikanët, gjermanët, austriakët, britanikët. Ky zhvillim pozitiv është i përmasave të jashtëzakonshme, sepse i jep Serbisë mesazhin e pandryshueshmërisë së kufijve të shtetit të Kosovës. Ndërsa nga pikëpamja diplomatike këto vende e njohën shtetësinë e Kosovës, i dhanë asaj gjithashtu garancinë e mbrojtjes së territorit të saj. Muri në anën veriore të rrjedhës së Ibrit ishte kërkesë e KFOR-it francez që kur Kosova ishte nën administrim ndërkombëtar nga UNMIK-u, para vitit 2008. Madje ishte projekt i UNMIK-ut, por nuk ishte realizuar për shkak të kundërshtive nga ana e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Ai mur u ideua dhe projektua asokohe për të çimentuar ndarjen e Kosovës. Ndaj nuk është rastësi as ndalimi i Haradinajt në një aeroport francez. Ka nga ata që bëjnë thirrje të mos nxitet konflikti me Francën kur dikush përmend këto të vërteta. Por e vërteta nuk nxit konflikt. Eshtë fakt se Franca ushqeu ndarjen e Kosovës dhe vendosi kufirin te Ura e Ibrit. Eshtë fakt se Franca ka një marrëdhënie specifike miqësore me të gjitha Serbitë, edhe me Serbinë e sunduar prej nacionalizmave shovinistë dhe fashizmave që ushqejnë urrejtjen rracore e etnike në rajon, gjë të cilën po e pranojnë vetë studiuesit e historianët serbë. Serbia provokon në Kosovë vazhdimisht. Megjithatë ajo e intensifikon propagandën antishqiptare dhe diversionin kundër Kosovës në ditët e festave fetare ortodokse. Përse prvokon dhe kërcënon Serbia gjithnjë në ditët e festave ortodokse në Kosovë? Pse çdo vit përsërit të njëjtin ritual diversion kundër Kosovës, pavarësisë dhe integritetit të saj?! Këtë vit ndërmori në kohë festash të Krishtindjeve Ortodokse të Serbisë tri aksione: Ndërtimin e murit, ndalimin e Ramush Haradinajt dhe së fundi nisjen e trenit nacionalist për në Mitrovicë. Autoritetet e Kosovës ia bënë të qartë se kjo nuk mund të vijojë papmbarim, kur para dhjetë ditësh ndaluan hyrjen e presidentit të Serbisë në territorin e Kosovës. Ndalimi për të hyre në Kosovë i dha Nikoliç kredite politike dhe elektorale në Serbi. Për këtë arësye Vuçiç urdhëroi dhe koordinoi arrestimin e liderit të UÇK-së dhe AAK-së, Ramush Haradinajt, duke u investuar vetë në retorikën kundër shqiptarëve dhe kundër Kosovës. Më pas ai ideoi trenin e gabuar të nacionalizmit shovinist dhe ethet e pushtetit e sollën atë në origjinën e tij, kur ishte ministër i kabinetit të Milosheviçit dhe ushtar i Vojisllav Shejshelit.. Lirimi i Haradinajt u konsiderua në Beograd si dështim i politikave nacionaliste. Prandaj u hartua dhe vu në veprim skenari i trenit të turpit. Treni u kthye për në Beograd, por ka lënë pas disa probleme: 1. Serbia do të vazhdojë edhe në të ardhmen të provokojë Kosovën dhe shtetësinë e saj. Nuk do të ndalet. Do të nxisë serbët e Kosovës që të destabilizojnë vendin. Do të dërgojë ilegalisht grupe policore dhe instruktorësh në veri të vendit, madje dhe paraushtarakët e Arkanit e të Shejshelit, nga partia e të cilit vijnë presidenti dhe kryeministri i Serbisë. Kjo do të ndodhë për tri arësye. Së pari, sepse në Beograd e kuptojnë se statukuoja nuk mund të shkojë deri në infinit, ndaj dhe qeveria serbe ngutet t’i japë një zgjidhje “me përfitime politike e territoriale” çeshtjes së Kosovës dhe njohjes së shtetësisë së saj. Së dyti, sepse nuk dihet se cili do ë jetë pozicioni i Rusisë në atë që mund ta quajmë fillimin e epokës së Trump. Mundet që një marrëveshje midis Moskës dhe Uashingtonit të çojë në njohjen nga Këshilli i Sigurimit të pavarësisë së Kosovës në këmbim të përfitimit të njohjes së Krimesë si pjesë të Rusisë dhe atëherë në Beograd do të mbeteshin me “gisht në gojë”. Dhe së treti është konkurenca politike për pushtet ajo që nxit gjithnjë provokime të këtij lloji, provokime që nuk do të ndalen, sepse gjithmonë në Serbi do të ketë garë elektorale. 2. Institucionet e Kosovës nuk kanë tagër, as të drejtë të luajnë kartën elektorale kur është fjala për integritetin dhe sovranitetin e vendit. Nëse dje treni serb i nacionalizmit u ndal në territorin e Serbisë, në Rashkë, kjo padyshim ishte meritë e forcave speciale, policisë dhe institucioneve të Kosovës, por kishte dhe faktorë të tjerë. Kryesore ishte presioni i publikut, i qytetarëve dhe frika se mosveprimi do të shkaktojë revoltë popullore. Pra qytetarët e Kosovës janë aktori e faktori kryesor i aktit të djeshëm dhe vendosmërisë së institucioneve të vendit për të ndalur provokimin nacionalist të radhës të Serbisë. Faktor tjetër po aq i rëndësishëm sa veprimi i institucioneve të Kosovës ishte prania dhe garancia e NATO-s dhe KFOR-it. Pa NATO-n dhe KFOR-in Kosova nuk do të ishte sot kjo që është. Duhet të jemi realistë dhe t’i japim secilit atë që i takon. Vetë prezenca e këtij faktori ndërkombëtar e bën Serbinë të mos guxojë në aventura ushtarake kundër Kosovës. 3. Përpjekja për të përvetësuar meritat nga ana e drejtuesve të institucioneve të Kosovës, përkatësisht institucionit të presidentit dhe qeverisë apo parlamentit është lojë adoleshentësh e pajustifikuar dhe e rrezikshme. Në vend që fitore të tilla si ajo e djeshmja t’i bashkojë shqiptarët, ata nisën ritualin e përfitimit të dekoratave elektorale. Kjo zhvleftëson nga pikëpamja kombëtare vetë aktin e ndërhyrjes. Thuhet se presidenti nuk ka kompetenca të urdhërojë aksionet e policisë dhe forcave të sigurisë dhe natyrshëm kështu do të duhet të jetë në një Republikë Parlamentare. Atëherë opinion publik duhet të kuptojë se ky akt i presidentit mund të jetë nxit nga nevoja për t’i ardhur në ndihmë partisë të cilën ai e ka formuar dhe udhëhequr për një kohë të gjatë. Dhe kjo në vend që t’i japë kredite, ia heq atij kreditet morale dhe politike. 4. Qeveria dhe institucionet e Kosovës, madje edhe qytetarët e Kosovës duhet të frikësohen kur qeveria e Tiranës, cilado të jetë ajo, ndërton marrëdhënie vëllazërore me qeverinë e Beogradit, pa e kushtëzuar këtë me heqjen dorë prej saj jo vetëm për të penguar shtetësinë e Kosovës, por edhe për të ndikuar me anën e serbëve instirucionet e saj dhe për të provokuar sistematikisht rendin kushtetues dhe sovranitetin e saj. Një nga arësyet e provokimeve të fundit është afrimi i kryeministrit shqiptar dhe atij serb në kufijtë e bashkim-vëllazërimit të komunistëve jugosllave dhe komunistëve shqiptarë në përfundim e vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Zoti Vuçiç, i sigurt se zoti Rama nuk do të reagojë, ndërmori një akt agresioni kundër territorit dhe institucioneve të Kosovës. Heshtja e kryeministrit shqiptar duket se është blerë në Beograd. Mjafton të kujtoj këtu koncensionin që ministria e Energjitikës së Shqipërisë i ka dhënë një kompanie serbe për menaxhimin e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, president i së cilës është djali i një gjenerali të Aleksandër Rankoviç. Një kryeministër shqiptar peng i Beogradit është e keqja më e madhe e shqiptarëve në historinë e tyre. 5. Së fundi, paraqitjet e Aleksandër Vuçiç në konferencat e djeshme për shtyp dhe deklaratat e tij në frymën e programeve asgjësuese të shqiptarëve të Serbisë i japin shansin institucioneve dhe qeverisë së Kosovës që të kërkojë në institucionet ndërkombëtare dënimin nga ana e Serbisë të të gjitha platformave nacionaliste shoviniste kundër shqiptarëve, si dhe kërkesën e ndjesës për krimet ç’njerëzore që Serbia ka bërë kundër shqiptarëve në Kosovë. Madje ta vendosë si kusht të bisedimeve me Beogradin. Eshtë një kërkesë kjo krejt logjike dhe humane. Në pranverën e vitit 1999 shumë gazeta dhe televizione në Perendim kanë ribotuar psh Memorandumin famëkeq të Vasa Çubrilloviç të 7 marsit 1937 për shpërnguljen dhe asgjësimin e shqiptarëve në Kosovë. Ai memorandum u ribotua për t’i kujtuar botës së qytetëruar se asokohe, para 18 vitesh, Milosheviçi po zbatonte një program dhune e terrori kundër shqiptarëve, si ai I Çubrilloviçit. Kjo e lehtëson aktivizimin e një iniciative, e cila në thelb është njerëzore, për të kërkuar që qeveria e Serbisë t’i denoncojë të gjitha projektet e asgjësimit të shqiptarëve, duke filluar te projekti i Naçertanies”, më pas te ato të Jovan Cvijic, Vaso Çubriloviç, Ivo Andriç, Vukotiq, Stevan Moljević dhe deri te memorandum i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë i vitit 1986. Gjithashtu duhet kërkuar që Kisha Ortodokse e Serbisë të dënojë dhe të kërkojë ndjesë për memorandumet e Sinodit të saj, me të cilat ka nxit urrjetje, dasi, ksenofobi e deri racizëm kundër shqiptarëve. Pa eleminuar bazën teorike të sjelljes raciste të Serbisë kundër Kosovës dhe shqiptarëve nuk mund të pritet që nacionalizmi serb të heqë dorë nga përpjekjet e tij për ekspansion dhe zgjerim të kufijve në territorin e Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: i nacionalizmit shovinist, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, të Serbisë, Treni i gabuar

Aleatët oligarkë rrezikojnë lirinë e Kosovës!

January 4, 2017 by dgreca

Dy deklaratat e Thacit ishin të papritura, të pamenduara, të pamençme, të panevojshme, të ngutshme, të dëmshme, të rrezikshme dhe të frikshme për Kosovën dhe vendin që ajo ze e duhet të zëjë në mesin e kombeve të qytetëruara e të civilizuara euro-atlantike./

1-enver-bytyci-1Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/1-thaci-erdohanHashim Thaçi bëri para pak ditësh një vizitë në Republikën e Turqisë. Ai u takua me homologun e tij turk, Rexhep Taip Erdogan dhe në prani të tij deklaroi se “çdokush që është terrorist në Turqi, është edhe në Kosovë”, duke transferuar konfliktin e brendshëm politik të Ankarasë në Prishtinë. Ndërkohë si kompensim i kërkoi presidentit turk që të ndërhyjë te presidenti rus, Vladimir Putin, për të realizuar një vizitë zyrtare të tij në Kremlin. Të dyja këto deklarata ishin të papritura, të pamenduara, të pamençme, të panevojshme, të ngutshme, të dëmshme, të rrezikshme dhe të frikshme për Kosovën dhe vendin që ajo ze e duhet të zëjë në mesin e kombeve të qytetëruara e të civilizuara euro-atlantike. Ishtë sinjali më i keq i mundshëm për ardhmërinë e vendit, sepse me deklarata si kjo Kosova humbet mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s e të Bashkimit Europian, të cilat kontribuan fuqishëm për lirinë e pavarësinë e vendit, gjë të cilën e përmendi gjithashtu ambasadorja e RF të Gjermanisë në Prishtinë.1-thaci-erdohan

Ishtë njëkohësisht një deklaratë që bie në kundërshtim me sakrificat e vetë Hashim Thaçit si dhe të bashkëluftëtarëve të tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse me veprime të tilla Kosova mund të humbasë aleatët e saj të natyrshëm e të fuqishëm në Europë dhe SHBA. Ishte një pozicionim i pakuptimtë përkrah politikave autoritare e autokrate të dhunës së presidentit turk brenda vendit të tij. Madje më tej, pro politikave antiperendimore të presieneti të Rusisë, Vladimir Putin. Kjo deklaratë, ngado që ta analizosh e ta tjerrësh, vetëm në interes të shtetësisë, pavarësisë, mbrojtjes së territorit dhe integritetit të Kosovës nuk mund të jetë, sepse Turqia ishte dhe mund të mbetet një aleat i rëndësishëm i saj, por kurrësesi aleati i vetëm dhe më i sigurti për rrugëtimin e Prishtinës drejt integrimeve euro-atlantike, aq më pak për prosperitetin demokratik të saj. Ndërsa Rusia ishte dhe mbetet pengesa kryesore e shtetësisë dhe ajo mund të hapë rrugën e pranimit të Kosovës në OKB vetëm në marrëveshje me SHBA-të dhe jo me presidentin e Kosovës. Vladimir Putin nuk po prêt në Kremlin as kryeministrin Rama, edhe pse ai po këmbngul për një vizitë zyrtare në Moskë. Nëse presidenti rus do të priste Thaçin ose Ramën, do të kërkonte një koncension të majmë në favor të tij. Ndryshe ai nuk do ta presë asnjërin prej tyre edhe nëse Erdogan do t’ia kërkonte këtë.

Por pse atëherë presidenti i Kosovës u deklarua hapur e njëanshëm në mbështetjen e politikave të brendshme të një krahu politik në Turqi?! Pse ai i quan terroristë të gjithë ata që Erdogan i ka shpallur të tillë, ndërkohë që Europa dhe Amerika kanë përcaktuar standarde e qëndrime të ndryshme me presidentin e Turqisë?! Pse zoti Thaçi kërkon ndihmën e presidentit turk për një vizitë të tij në Moskë me ftesë zyrtare nga presidenti Putin?! Do të përpiqem të jap disa arësye:

Së pari është sindromi ose virusi me emrin Edi Rama. Politikanët shqiptarë, sidomos të majtët, por kjo sindromë nuk përjashton edhe të djathtë, sa herë ndjehen ngushtë në politikat e qeverisjes, sa herë dështojnë për t’u dhënë shqiptarëve perspektivën e zhvillimit demokratik, sa më shumë zhyten në korrupsion dhe afera të ndryshme, fillojnë e konfliktohen me Perendimin, duke mos njohur kufij në mbrojtje të interesit të tyre vetjak. “Miqësia” e ngushtë midis Thaçit e Ramës me presidentin turk, Erdogan, si dhe këmbngulja e tyre për një vizitë zyrtare në Moskë është një lloj miqësie e tipit “Për inat të sime vjehrre po shkoj e flej me mullixhinë”. Ata bëhen bashkë me çdo autokrat e nuk do të hezitonin të bëheshin bashkë edhe me diktatorë, mjafton që të mbrojnë interesat personale që lidhen me pushtet e pasuri. Rama i hodhi Merkelit në sy shashkën e rrezikut rus, “nëse BE nuk do të caktonte një datë për çeljen e bisedimeve për integrim në EU të Shqipërisë”. Thaçi i bëri karshillëk Europës dhe SHBA-së me sipërmarrjen e tij për ta shpallur Fethullah Gylen si “terrorist”, sepse është e njohur tashmë që kryeqytetet europiane dhe Uashingtoni kanë refuzuar ta shpallin atë sit ë tillë. Gatishmëria e presidentit të Kosovës për të implementuar politikat personale të presidentit të Turqisë kundrejt shtetasve turq në Kosovë, është një lloj presioni ndaj refuzimit që kryeqytetet perendimore i bëjne Thaçit si president. E tillë është dhe kërkesa e tij për vizitë në Rusi. Aq më tepër kur kjo vizitë synohet si hakmarrje për mungesën e ftesave nga vendet euro-atlantike.

Thaçi e ndjen këtë handikap. Nuk e kapërdin faktin se nga të gjitha vendet e BE-së e të NATO-s, vetëm Malta e ka ftuar në cilësinë e presidentit. Dhe nuk duhet të harrojmë se në Maltë janë të stacionuara që në vitet ’50 strukturat e shërbimit sekret serb, të cilat kanë qenë shumë aktive kundër shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të XX, madje duke tentuar të bëhen edhe qendra të rekrutimit në shërbim të atij shërbimi secret e duke operuar në të gjithë Europën.

Një qëndrim i tillë armiqësor dhe në stilin e hakmarrjes është i njohur për shqiptarët, sepse rasti i diktatorit komunist shqiptar është shënuar si unikal në marrëdhëniet ndërkombëtare. Le të kujtojmë aleancat e tij në stilin e fjetjes me mullixhinë për inat të vjehrrës, pra me stisjen e aleancave pas konflikteve me aleatët e mëparshëm, gjithnjë në mbrojtje të pushtetit kriminal në Shqipëri. Në vend që kjo eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare të mohohej, riaplikimi i saj u rikthen partnerëve ndërkombëtarë mosbesimin ndaj liderëve politikë shqiptarë.

Së dyti, Erdogan në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari gjatë konferencës për shtyp me zotin Thaçi tha se “Nëse një shkollë arsimon të rinj që tradhëtojnë vendin e tyre do të thotë se ajo shkollë nuk e zbaton detyrën kryesore të saj”. Kjo do të thotë se Thaçi, Rama, Putin dhe Erdogan ruajnë të njëjtin koncept ekstrem për nocionin e tradhëtisë. Dmth ata janë të tre të një mendimi se kur kritikohet qeveria ose presidenti, atëherë kritikuesit duhen njësuar me “tradhëtinë” ndaj atdheut dhe kombit. Edhe kjo teoremë është dëshmuar si e dështuar kur është keqpërdorur nga diktatorë të shumtë në botë, të majtë e të djathtë. Dhe nëse shqiptarët nuk reformohen në koncepte rreth këtyre nocioneve, aq më tepër nëse simptomat e këtyre mendësive zgjaten deri te liderët kryesorë, atëherë Shqipëria, Kosova dhe çdo vend tjetër nuk do të mundin të realizojnë atë për të cilën janë përcaktuar: – Demokracinë liberale dhe funksionale.

Format e etiketimeve janë të ndryshme. Erdogan shfaqet hapur kur të gjithë gylenistët i konsideron “armiq” e “tradhëtarë” të Turqisë, ndërkohë që ata janë shpallur kundërshtarë të presidentit turk dhe politikave të tij të aleancës dhe zhvillimit. Por jo më pak “armiqësore” e etiketojnë opozitën gjithashtu Thaçi dhe Rama. Nëse do t’i vinim para pasqyrës ato që deklaron Erdogan kundër kritikëve të tij, do të ngjasonte identikisht me ato që thotë sidomos Rama në etiketimet e tij për kundërshtarët politikë, por edhe zoti Thaçi në Kosovë. Nëse Rama e Thaçi duken më elokuent, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim thelbësor nga mentaliteti i Erdogan dhe i Vladimir Putin.

Në fund të fundit tradhëtia apo besnikëria ndaj atdheut e kombit nuk janë nocione që lidhen me raportet e individit me një individ tjetër, më një president apo kryeministër të një vendi. Fakti që zoti Thaçi ka marrë përsipër të zbatojë ligjet e Erdogan në Kosovë sa i përket shtetasve turq ose invetitorëve turq në këtë vend, dëshmon se presidenti i Kosovës i është bashkuar një kauze antidemokratike dhe antinjerëzore. Ndërkohë që tashmë dihet se një qeverisje antihumane është e prirur të shndërrohet shpejt në një diktaturë politike. Antihumanizmi është tipari kryesor i qeverisjes në Rusi, në Turqi, në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet ku sundojnë oligarikitë dhe qeverisjet autoritare e diktatoriale.

Së treti, miqësia e për më tepër konvergimi i politikave deri në përcaktimin hipotetik të terrorizmit e terroristëve direkt ose indirekt vjen në rezonancë me politikat e afrimit të Erdogan dhe të Vladimir Putin. Fakti që presidenti turk shfaqet tashmë hapur si një lider antiperendimor, për më tepër antiamerikn e në të njëjtën valë me të tilla strategji të Rusisë, është i mjaftueshëm që liderët politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo së paku të rezervohen, të mos kapërcejnë kufijtë e të mos i shndërrojnë marrëdhëniet shtetërore në marrëdhënie personale. Fakti që Erdogan ka shpallur si aleat të tij të ngushtë presidentin rus, do të thotë që Erdogan nuk mund të jetë partner strategjik i shqiptarëve, sepse interesat strategjike të shqiptarëve janë cënuar historikisht nga ambicja ruse për të dominuar rajonin tonë. Ata janë bërë bashkë, sepse e ndjejnë që veç e veç nuk mund të rikthehen në Ballkan për shkak të forcës që shfaq NATO dhe Perendimi. E megjithatë liderët tanë kanë vendosur të mos shohin anët e dyshimta, por të përqëndrohen në qëllimin e synimin emergjent: Mbrojtjen me çdo kusht të pushtetit politik, si mjet për t’u mbrojtur edhe nga akuzat për korrupsion dhe lidhje të dyshimta me grupet kriminale. Derisa shqiptarët në tërësinë e tyre janë kundër prezencës së Lindjes në hapësirën ballkanike, liderët tanë politikë kanë për detyrë t’i bashkohen kësaj qasjeje. Por nuk ndodh kështu, sepse pengojnë aferat e liderëve me politikanë oligarkë e autoritarë të lindjes, ndërkohë që qytetarët e vuajnë këtë sindromë.

Së katërti: Politikat e presidentit turk janë politika antikemaliste e si të tilla ato ngjasojnë shumë me konceptet otomane të qeverisjes. Nga historia ne e dijmë se Porta e Lartë kishte si model shpërblimin e shërbesave me pasuri të tundshme e të patundshme. Duke njohur ligjin e përsëritjes së historisë në forma e në rrethana të ndryshme nga e kaluara, vetiu duhet shtruar për diskutim çeshtja se çfarë përfiton zoti Thaçi, ose zoti Rama nga mbështetja që ata i japin presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, nga shërbimi që i bëjnë ata politikave të qeverisjes në Turqi! Këtë dilemë e komplikon fakti që biznesmenë të njohur në Kosovë janë shprehur publikisht për “lojëra nën tavolinë” të kompanive turke atje. Dhe është interesant fakti që sin ë Kosovë, edhe në Shqipëri kompanitë e firmat nga vendet e Lindjes operojnë në investime më shumë se ato të Perendimit. Arësyetimi është i thjeshtë: Kush jep ryshfet, futet në tregun e hapësirës shqiptare! Perendimorët nuk e njohin kulturën e ryshhfetit.

Së pesti, kërkesa e zotit Thaçi, ashtu si dhe kërkesa e mëparshme e zotit Rama ndaj zotit Putin për një vizitë në Kremlin, janë jashtë kohezionit tonë. Moska vuan sanksionet politike, ekonomike dhe financiare të BE-së dhe SHBA-ve, ku dy ose tri shtetet shqiptare duan të integrohen. Të vizitosh Moskën në këtë periudhë konflikti midis saj e Perendimit është sit ë kërkohs të vendosësh vetullat e të nxjerrësh sytë. Por as zoti Thaçi, as zoti Rama nuk kanë ndërmend të nxjerrin sytë e tyre. Ata do të nxirrnin sytë e shqiptarëve. Kjo kërkesë bie në kundërshtim me vokacionin perendimor të shqiptarëve, prandaj dhe dikur, në kushtet e pushtimit e të sundimit të ehër serb në Kosovë, ish-Presidenti Rugova nuk kërkoi dhe nuk realizoi ndonjë vizitë zyrtare në Moskë. Këta nostalgjikë të ideve staliniste mezi presin të shkelin ne qylimin e kuq të Kremlinit, shans të cilin duket se presidenti rus nuk do t’ua japë. Thjesht se ai kërkon që t’i pres të përulur në zyrën e tij madhështore dhe jo në rolin e partnerëve të barabartë!

Filed Under: Politike Tagged With: Aleatët oligarkë, lirinë e Kosovës!, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, rrezikojnë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT