Historia e “Vatrës”-Akademiku Beqir Meta sjell kolanën me dokumente prej 5 volumesh, me kontributin e biznesmenëve Irfan Hysenbelliu dhe Kadri Morina…
Projektin për Historinë e plotë të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, ideuar nga akademiku Prof. Dr. Beqir Meta, Kryesia e Vatrës e miratoi para 3 muajësh. Projekti u referua nga editori i Diellit Dalip Greca në mbledhjen e 6 Qershorit 2020. Pas diskutimeve anëtarët e kryesisë e miratuan me vota të plota. Kryetari I Vatrës z. Elmi Berisha mori përsipër gjetjen e burimeve financiare që do të mundësojnë botimin.
Sot, e Hënë, 5 tetor 2020, media e Tiranës ka përcjellë lajmin se Kryetari I Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha, i shoqëruar nga Naim Dedushaj, janë takuar me akademikun Prof. Dr. Beqir Meta, drjetor i Institutit të Historisë, dhe në praninë e Presidenti të Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu dhe të biznesmenit Kadri Morina, kanë bërë publik projektin dhe sponsorët. Po e përcjellim të plotë lajmin që trasmetoi “News 24” dhe publikuan Gazeta “Panorama” online dhe Balkanweb: Historia e “Vatrës” do të rikthehet në një botim dokumentesh, të mbledhura nga arkivat brenda dhe jashtë vendit. Akademiku Beqir Meta do të sjellë për lexuesin një kolanë dokumentesh prej 5 volumesh me historinë e Vatrës nga themelimi e deri në ditët e sotme, falë edhe kontributit monetar të Presidentit të Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu dhe biznesmenit Kadri Morina.
Ky botim do të ndriçojë kontributin e jashtëzakonshëm të Federatës Panshqiptare “Vatra” për kombin dhe shtetin shqiptar.
Kryetari i shoqatës “Vatra” Elmi Berisha shprehu mirënjohjen ndaj biznesmenëve që kanë kontribuar për këtë botim dokumentarësh, që sipas tij do të jetë një arkiv i përjetshëm për shqiptarët dhe motivim për të rinjtë dhe të rejat.
Presidenti i Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu e ka mirëpritur të jetë pjesë e projektit dhe e shoqatës “Vatra”, që sipas tij po rritet dita-ditës. Hysenbelliu bëri të ditur se do ta vazhdojë angazhimin dhe kontributin e tij ndaj “Vatrës”.
Biznesmeni Kadri Morina kërkoi nga profesori Beqir Meta që të pasqyrojë në këtë botim dokumente të sakta, që të përcillen brez pas brezi.
Pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes midis institutit të Historisë Tiranë dhe Federatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA për realizimin e botimit ishte edhe Naim Dedushaj, i cili ka udhëhequr zyrën e lidhjes demokratike të Kosovës në New York dhe ka kontribuar në zhvillimet lobuese në Washington.”
***
Botimi 5 vëllimësh do të përmbajë:
– Dokumente origjinale mbi themelimin e “Vatrës” dhe organizimin e saj të brendshëm në periudha të ndryshme të veprimtarisë së saj;
– Dokumente diplomatike (letra, memorandume, thirrje publike, korrespondencë etj.) që “Vatra” dhe drejtuesit e saj kanë dërguar në kancelaritë e huaja dhe në organizma të ndryshme ndërkombëtare në mbrojtje të çështjes shqiptare. Këto dokumente datojnë qysh nga themelimi i “Vatrës” dhe vijojnë deri në ditët tona;
– Dokumente ku pasqyrohet kontributi i “Vatrës” në sendërtimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij në periudha të ndryshme historike;
– Dokumente ku pasqyrohet kontributi i “Vatrës” në arsimin, kulturën, letërsinë shqiptare;
– Dokumente ku pasqyrohet kontributi i “Vatrës” në kombëtarizimin dhe modernizimin e institucioneve religjioze në Shqipëri;
– Dokumente mbi ndihmën ekonomiko-financiare që “Vatra” i ka dhënë shtetit shqiptar, si dhe ndihmat bamirëse që ka dhënë në dobi të popullit shqiptar;
– Dokumente që pasqyrojnë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Federatën “Vatra” në periudha të ndryshme;
– Dokumente mbi kontributin e “Vatrës” në Luftën e I dhe të II Botërore, në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë;
– Dokumente mbi mbrojtjen e popullsisë çame dhe të asaj të Kosovës në të gjitha kohërat;
– Dokumente mbi mbrojtjen e institucioneve kombëtare shqiptare në SHBA dhe në vende të tjera të diasporës shqiptare;
– Dokumente mbi marrëdhëniet e “Vatrës” me organizata dhe parti shqiptare në diaspore etj.
Fondet arkivore që do të hulumtohen dhe origjina e dokumenteve që do të botohen janë të siguruar nga:
– Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë (Fondet: Këshilli i Ministrave; Parlamenti, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, Fondet e Komuniteteve Fetare; Prefekturat Korçë, Gjirokastër; Bashkitë Korçë, Gjirokastër; Legata Italiane; Fondet Personale; Fondet e Organizatave Shqiptare në diasporë; Fondi i Federatës Panshqiptare “Vatra”; Fondi i Komitetit Qendror të PPSH; Fondi i Komitetit të Kulturës dhe Arteve etj.)
– Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë;
– Arkivi i Institutit të Historisë (koleksionet e fondeve të arkivave të huaja: Arkivat Kombëtare të SHBA; Arkivat Kombëtarë të Britanisë së Madhe; Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Italisë; Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Francës; Arkivi i Austro-Hungarisë; Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, si dhe koleksione dokumentare nga arkivat ruse, greke, serbe, bullgare, turke etj.);
– Arkivi i Federatës “Vatra” (koleksioni i marrë nga B. Meta gjatë vizitave tek “Vatra”, me ndihmën e ish-kryetarit të nderuar të “Vatrës”, z.Agim Karagjozit);
– Arkivi i Ish-Sigurimit të Shtetit (dosjet që ka krijuar ky institucion i diktaturës komuniste në ndjekje të “Vatrës” dhe personaliteteve të saj).
Proceset e punës që do të kryhen:
– Hulumtimi dhe zbulimi i të gjitha dokumenteve historike në arkivat dhe fondet arkivore të lartpërmendura;
– Vlerësimi shkencor, krahasimi i tyre, përzgjedhja për botim. Ndërtimi i strukturës së çdo vëllimi dokumentar;
– Redaktimi shkencor i tekstit të dokumenteve që do të botohen;
– Përkthimi i dokumenteve nga gjuhët e huaja: anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, serbo-kroatisht, rusisht etj;
– Hartimi i titujve të dokumenteve;
– Hartimi i shënimeve sqaruese, shënimeve kritike dhe shënimeve plotësuese, lidhur me tekstet dhe përmbajtjen e dokumenteve;
– Hartimi i parathënies së çdo vëllimi;
– Hartimi i treguesve të emrave për çdo vëllim;
– Redaktimi gjuhësor i dokumenteve;
– Faqosja e çdo vëllimi dokumentar;
– Botimi
Përmasat e botimit:
– Kjo kolanë parashikohet të ketë 5 vëllime me dokumente me mbi 600 faqe secili.(Dielli)