• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA U TAKUA ME PROF. DR.BEQIR METËN

April 20, 2021 by dgreca

VATRA U TAKUA ME PROF. DR. BEQIR METËN NË KUADËR TË PROJEKTIT TË HISTORISË SË VATRËS/

Gjatë ditës së Martë, 20 Prill 2021, delegacioni i Vatrës me kryetarin e saj z. Elmi Berisha, u takuan në Tiranë me akademikun Beqir Meta në kuadër të projektit për Historinë e Vatrës përmes dokumentave arkivore të siguruara nga arkivi i shtetit shqiptar, arkivat e Romës, Londrës,Bostonit dhe New York-ut. Ky projekt me 5 vellime ka nise vitin e kaluar.Akademik Meta informoi për punën e deritanishme,qe ai dhe koleget kane kryer. Ai tha se deri tani janë hulumtuar dhe përzgjedhur të gjithë dokumentet nga të gjithe arkivat shqiptare e të huaja. Po bëjmë vleresimin dhe analizën e tyre për të seleksionuar ato që do të përfshihen në botim. Një pjesë janë kompjuterizuar. Kështu do të veprohet edhe me pjesën tjetër. Pastaj do të vijojnë me përgatitjen për botim. Objektivi është që brenda vitit të ardhshëm të përfundoi i gjithë botimi në 5 vëllime. 

Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha e falenderoi akademikun Meta për kontributin që ka dhënë dhe po jep për Federatën Panshqiptare të Amerikës”Vatra”, veçanërisht për këtë projekt,për të cilin Vatra dhe studuesit kane aq shumë nevojë.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Historia e Vatres, Prof.Dr. Beqir Meta

JIM(XHIM) XHEMA DHUROI $10.000 PËR PROJEKTIN E VATRËS

January 26, 2021 by dgreca

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”z. Elmi Berisha arkëtoi në arkën e Vatrës 10 Mijë dollar të dhuruara nga bashkatdhetari Jim (Xhim) Xhema. Dhurimi shkon për Projektin e Historisë së plotë të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, sipas dokumenteve të plota arkivore, ideuar nga akademiku Prof. Dr. Beqir Meta.Projekti u referua nga kryeredaktori i gazetës Dielli Dalip Greca në mbledhjen e Kryesisë së Vatrës me 6 Qershor 2020. Pas diskutimeve anëtarët e kryesisë e miratuan me vota të plota projektin që do të ketë pesë vëllime. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha mori përsipër gjetjen e burimeve financiare që do të mundësojnë botimin. Gjatë vizitës në Tiranë, me 5 tetor 2020, ai i dorëzoi udhëheqësit të projektit shumën prej 10 mijë dollarësh, dhuruar nga biznesmeni Kadri Morina, ndërkohë që mori dhe një premtim në të njëjtën shifër.

Kryetari i Vatrës, z. Berisha, e falenderon z. Jim Xhema për dhuratën bujare dhe fton bashkatdhetarët dhe vatranët që të bëhen mbështetës të këtij projekti.

Filed Under: Featured Tagged With: 10 MIJE DOLLARE, Historia e Vatres, Jim Xhema

KRYETARI ELMI BERISHA GJEN SPONSORËT E HISTORISË SË VATRËS NË TIRANË

October 5, 2020 by dgreca

Historia e “Vatrës”-Akademiku Beqir Meta sjell kolanën me dokumente prej 5 volumesh, me kontributin e biznesmenëve Irfan Hysenbelliu dhe Kadri Morina…

Projektin për Historinë e plotë të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, ideuar nga akademiku Prof. Dr. Beqir Meta, Kryesia e Vatrës e miratoi para 3 muajësh. Projekti u referua nga editori i Diellit Dalip Greca në mbledhjen e 6 Qershorit 2020. Pas diskutimeve anëtarët e kryesisë e miratuan me vota të plota. Kryetari I Vatrës z. Elmi Berisha mori përsipër gjetjen e burimeve financiare që do të mundësojnë botimin.

Sot, e Hënë, 5 tetor 2020, media e Tiranës ka përcjellë lajmin se Kryetari I Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha, i shoqëruar nga Naim Dedushaj, janë takuar me akademikun Prof. Dr. Beqir Meta, drjetor i Institutit të Historisë, dhe në praninë e Presidenti të Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu dhe të biznesmenit Kadri Morina, kanë bërë publik projektin dhe sponsorët. Po e përcjellim të plotë lajmin që trasmetoi “News 24” dhe publikuan Gazeta “Panorama” online dhe Balkanweb: Historia e “Vatrës” do të rikthehet në një botim dokumentesh, të mbledhura nga arkivat brenda dhe jashtë vendit. Akademiku Beqir Meta do të sjellë për lexuesin një kolanë dokumentesh prej 5 volumesh me historinë e Vatrës nga themelimi e deri në ditët e sotme, falë edhe kontributit monetar të Presidentit të Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu dhe biznesmenit Kadri Morina.

Ky botim do të ndriçojë kontributin e jashtëzakonshëm të Federatës Panshqiptare “Vatra” për kombin dhe shtetin shqiptar.

            Kryetari i shoqatës “Vatra” Elmi Berisha shprehu mirënjohjen ndaj biznesmenëve që kanë kontribuar për këtë botim dokumentarësh, që sipas tij do të jetë një arkiv i përjetshëm për shqiptarët dhe motivim për të rinjtë dhe të rejat.

Presidenti i Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu e ka mirëpritur të jetë pjesë e projektit dhe e shoqatës “Vatra”, që sipas tij po rritet dita-ditës. Hysenbelliu bëri të ditur se do ta vazhdojë angazhimin dhe kontributin e tij ndaj “Vatrës”.

  Biznesmeni Kadri Morina kërkoi nga profesori Beqir Meta që të pasqyrojë në këtë botim dokumente të sakta, që të përcillen brez pas brezi.

Pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes midis institutit të Historisë Tiranë dhe Federatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA për realizimin e botimit ishte edhe Naim Dedushaj, i cili ka udhëhequr zyrën e lidhjes demokratike të Kosovës në New York dhe ka kontribuar në zhvillimet lobuese në Washington.”

***

Botimi 5 vëllimësh do të përmbajë:

– Dokumente origjinale mbi themelimin e “Vatrës” dhe organizimin e saj të brendshëm në periudha të ndryshme të veprimtarisë së saj;

– Dokumente diplomatike (letra, memorandume, thirrje publike, korrespondencë etj.) që “Vatra” dhe drejtuesit e saj kanë dërguar në kancelaritë e huaja dhe në organizma të ndryshme ndërkombëtare në mbrojtje të çështjes shqiptare. Këto dokumente datojnë qysh nga themelimi i “Vatrës” dhe vijojnë deri në ditët tona;

– Dokumente ku pasqyrohet kontributi i “Vatrës” në sendërtimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij në periudha të ndryshme historike;

– Dokumente ku pasqyrohet kontributi i “Vatrës” në arsimin, kulturën, letërsinë shqiptare;

– Dokumente ku pasqyrohet kontributi i “Vatrës” në kombëtarizimin dhe modernizimin e institucioneve religjioze në Shqipëri;

– Dokumente mbi ndihmën ekonomiko-financiare që “Vatra” i ka dhënë shtetit shqiptar, si dhe ndihmat bamirëse që ka dhënë në dobi të popullit shqiptar;

– Dokumente që pasqyrojnë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Federatën “Vatra” në periudha të ndryshme;

– Dokumente mbi kontributin e “Vatrës” në Luftën e I dhe të II Botërore, në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë;

– Dokumente mbi mbrojtjen e popullsisë çame dhe të asaj të Kosovës në të gjitha kohërat;

–  Dokumente mbi mbrojtjen e institucioneve kombëtare shqiptare në SHBA dhe në vende të tjera të diasporës shqiptare;

–  Dokumente mbi marrëdhëniet e “Vatrës” me organizata dhe parti shqiptare në diaspore etj.

Fondet arkivore që do të hulumtohen dhe origjina e dokumenteve që do të botohen janë të siguruar nga:

– Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë (Fondet: Këshilli i Ministrave; Parlamenti, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, Fondet e Komuniteteve Fetare; Prefekturat Korçë, Gjirokastër; Bashkitë Korçë, Gjirokastër; Legata Italiane; Fondet Personale; Fondet e Organizatave Shqiptare në diasporë; Fondi i Federatës Panshqiptare “Vatra”; Fondi i Komitetit Qendror të PPSH; Fondi i Komitetit të Kulturës dhe Arteve etj.)

– Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë;

– Arkivi i Institutit të Historisë (koleksionet e fondeve të arkivave të huaja: Arkivat Kombëtare të SHBA; Arkivat Kombëtarë të Britanisë së Madhe; Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Italisë; Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Francës; Arkivi i Austro-Hungarisë; Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, si dhe koleksione dokumentare nga arkivat ruse, greke, serbe, bullgare, turke etj.);

– Arkivi i Federatës “Vatra” (koleksioni i marrë nga B. Meta gjatë vizitave tek “Vatra”, me ndihmën e ish-kryetarit të nderuar të “Vatrës”, z.Agim Karagjozit);

– Arkivi i Ish-Sigurimit të Shtetit (dosjet që ka krijuar ky institucion i diktaturës komuniste në ndjekje të “Vatrës” dhe personaliteteve të saj).

Proceset e punës që do të kryhen:

– Hulumtimi dhe zbulimi i të gjitha dokumenteve historike në arkivat dhe fondet arkivore të lartpërmendura;

– Vlerësimi shkencor, krahasimi i tyre,  përzgjedhja  për botim. Ndërtimi i strukturës së çdo vëllimi dokumentar;

– Redaktimi shkencor i tekstit të dokumenteve që do të botohen;

– Përkthimi i dokumenteve nga gjuhët e huaja: anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, serbo-kroatisht, rusisht etj;

– Hartimi i titujve të dokumenteve;

– Hartimi i shënimeve sqaruese, shënimeve kritike dhe shënimeve plotësuese, lidhur me tekstet dhe përmbajtjen e dokumenteve;

– Hartimi i parathënies së çdo vëllimi;

– Hartimi i treguesve të emrave për çdo vëllim;

– Redaktimi gjuhësor i dokumenteve;

– Faqosja e çdo vëllimi dokumentar;

– Botimi

Përmasat e botimit:

– Kjo kolanë parashikohet të ketë 5 vëllime me dokumente me mbi 600 faqe secili.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Historia e Vatres, Prof.Dr.Beqir Meta

Roosvelt-Nolit:Shqiptarët i admiroj, se janë një racë e vjetër dhe trime

July 8, 2017 by dgreca

Theodore Roosvelt-Nolit:”Thuaju shqiptarëve që dëshiroj ta shoh Shqipërinë independente dhe që indepipendenca e tyre duhet të sigurohet nën mbrojtjen dhe garantinë e painteres të Fuqive Aleate, si Amerika, Anglia dhe Franca./1 Theodhore Roosvelt

NGA HISTORIA E VATRES- KUVENDI I VATRËS ME 22 SEANCA(2)Fan_S._Noli

Kuvendi i Vatrës i vitit 1918 u hap me 7 Korrik 1918 dhe mbaroi me 17 Korrik, mbajti plot 22 seanca.Ky Kuvend u mbajt në Winthrop Hall, 446 Tremont St. Merrnin pjesë 43 delegatë të cilët kishin 80 vota.Në fjalën e hapjes At Fan Noli deklaroi:”Vatra kur u fillua nuk kishte më shumë se 500 anëtarë, sot ka 5.000 anëtarë të rregullt.”Pastaj shtoi:Veprimi i fundit i Vatërs është vajtja e Kryetarit tuaj në Wçashington.Ndofta dëgjuat që ditën e  Independencës për tërë botën(4 Korrik) Presidenti Wilson deshi të kremtonte atë ditë si Ditën e Independencës për tërë Botën.Për këtë arsye Guverna Aemerikane i thirri si mysafirë kryetarët e të gjithë kombësive të huaja që ndodhen në këtë vend bujar. Idea ishte që tërë kombësitë së bashku të mblidheshin atje(Në Mount Vernon) për të thyer shpiritën e autokracisë. Kryetari i Vatrës u ftua të marrë pjesë….

2 M Konica Noli

Ky Kuvend me 22 Seanca zgjodhi zyrtarët e vitit: Kol Tromara-Kryetar; Ndreko Stavro-Sekretar, Bahri Omari-Editor; Andon Frashëri-ndihmës Editor; Aqif Përmeti-Manager; Loni Nino-Sekratr i Diellit. Komisioni i Qendrës përbëhej nga të zgjedhur: Hasan Bitincka,Muke Përmeti, Kostë Papa dhe Angelo Sotir.

Kuvendi mori vendim extra që të niste botimi i një reviste në gjuhë të huaja, Kryesisht në gjuhën inglisht. Kjo do të ishte Revista”Adriatik”, editor provizor i së cilës u zgjodh Fan S Noli.

ME 25 KORRIK, TAKIMI I ISH PRESIDENTIT ROOSVELT ME NOLIN

Me 25 Korrik 1918 Fan S Noli pati një bashkfjalim të gjatë në Harvard Club, New York City, me ish Presidentin Amerikan Theodore Roosvelt. Fan S. Noli do të deklaronte pas takimit se ish Presidenti Roosvelt çuditërisht ishte shumë i informuar dhe në detaje mbi Shqipërinë dhe ngjajrjet e ndodhura atje. Ndër të tjera Roosvelt i kishte thënë Nolit” Shqiptarët i dua dhe i admiroj, se janë një racë e vjetër dhe trime që meriton të shpëtohet dhe vetëqeveriset. Di që në shumë raste, Turqit, Grekët dhe Serbët bashkoheshin dhe lidheshin mes tyre që t’u bënin ballë shqiptarëve. Di pastaj që shqiptarët janë besnikë dhe të ndershëm, dhe kur e japin fjalën, e mbajnë si burra….”Thuaju shqiptarëve që dëshiroj ta shoh Shqipërinë independente dhe që indepipendenca e tyre duhet të sigurohet nën mbrojtjen dhe garantinë e painteres të Fuqive Aleate, si Amerika, Anglia dhe Franca. Nga ana ime, do bëj ç’t’më vij doresh për të drejtat e racës shqiptare’-Kështu e përcolli Gazeta Dielli e 26 Gushtit 1918, këtë takim Nolit me Wish presidentin Roosvelt ,që u realizua me 25 Korrik 1918, me ish presidentin Roosvelt.

KUVENDI I 6 KORRIKUT 1919

Kuvendi Vjetor i vitit 1919 u hap me 6 korrik dhe kishet për Çairman z. Anastas Pandeli dhe sekretar Kostë Isaak, reporter z. Krist Kaluçi, marshall George Katundi.

Kryetari i Vatrës, Kol Tromara, deklaroi:Nga Ky Kuvend presin realizime jo vetëm shqiptarëte  Amerikës, por dhe tërë vëllezërit tanë përtej.

Ky Kuvend zgjodhi kryetar- Faik Konica, ( i cili ishte ende në Europë), për këtë qëllim mbeti zëvendës deri në ardhjen e Konicës, Kol Tromara,  Redaktor i Diellit dhe i revistës “Adriatik”-Kostë Çekrezi, zv/Redaktor Andon Frashëri, arkëtar Gori Katundi, sekretar i Vatrës Ndreko Stavro, Sekretar i Diellit Loni Nini. Konferencier Aqif Përmeti.

Komisioni Qendror përbëhej nga: Kristo Kirka, Xhafer Lekdushi, Vani Chani dhe Kostë Isaak.(Perg: D. gr- VIJON)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Historia e Vatres, noli, Presidenti Roosvelt

Nga Historia e VATRES -KRISTO FLOQI, BASHKËTHEMELUES I “VATRËS” DHE EDITOR I “DIELLIT”

August 11, 2015 by dgreca

Nga Dalip Greca/
(Ne Foto:Komisioni Themelues i Vatres, Kristo Floqi, i dyti nga e majta, i akterti Noli, i shtati Faik Konica/
Dr. Kristo Floqi është jo vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe inisiatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Vërtetë se ishin Faik Konica dhe Fan Noli, ata që hodhën farën e bashkimit, por thirrjen për takimin e parë bashkues e kishte bërë ai me 11 dhjetor më 1911, përmes gazetës Dielli,që ai e drejtonte. Si editor i Diellit Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e bashkimit e duke fshikulluar përçarësit. Edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga ai. Çuditërisht ai është përmendur pak ose aspak në faqet e Diellit, pasi e pat lënë Amerikën, dhe ishte i ndaluar rreptësisht të përmendej në literaturën e para ’90-tës. Nuk u shkrua fare për fatin e tij në burgjet e diktaturës, ashtu si dhe për fatin e shumë të tjerëve, mbi të cilët ra pa mëshirë gijotina e antiligjit, edhe pse kishin qenë shpirti i Vatrës dhe kishin luftuar aq shumë për Kombin. Paradoksi qëndron se me rastin e vdekjes së tij në Shqipëri, Dielli, që ai editoi, nuk shkroi asnjë rresht!Të jetë kjo mungesë informimi apo një harresë siç kishte ndodhë me ish editorin e Diellit, Bahri Omari të pushkatuar, me komandantin e vullnetarëve shqiptarë të Amerikës, Aqif Përmeti, pushkatuar, me ish themeluesin tjetër të Vatrës, Kristo Kirkën-vdekë në burgun e Burrelit, me Kolë Tromarën e të tjerë vatranë që dhanë shpirtin për çështjen Kombëtare?!

KUSH ISHTE KRISTO FLOQI?

Pati lindur më 1976 në Korçë (është shkruar se ai ka lindur në fshatin Floq, por kjo nuk i përgjigjet së vërtetës sepse vetë ai në shënimet autobiografike pohon se ka lindur në Korçë.) I ati, Vasili, kishte lindur në Floq.Informacion japin për Floqin edhe studiuesit Robert Elsie dhe Hasan Hasani, ndërsa gazetari Fiqri Shahinllari në librin e tij’Lis në Shkëmb” sjell të dhëna interesante rreth Floqit, pasi ka shfletuar arkivin. Ndërsa Prof. Dr. Stilian Adhami, krahas studimit të kësaj figure sjell të dhëna e dëshmi të rralla.
Kristo Floqi ishte i biri i Vasil Floqit, i cili pati katër djem dhe një vajzë; Dhimitrin, Kriston, Nikollaqin, Thanasin dhe Katerinën. Mbetën gjallë vetëm Kristo me Thanasin. Të dy studiuan për drejtësi.Mësimet e para Kristo Floqi i mori në Korçë, ndëkohë që studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. Diplomoi për drejtësi në Athinë, po aty e ushtroi profesionin e avokatit deri në vitin 1900. Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, më pas kaloi në Vlorë.Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe shquhej që në rini për prirje letrare dhe publicistike.Veprimtaria politike, juridike, letrare dhe publicistike e Kristo Floqit përfshinë Shqipërinë dhe SHBA-në. Në kohën e para Luftës shkëlqeu, pas lufte kaloi një kalvar vuajtjesh e harrimi, ndërsa pasvdekja ishte injorim për këtë figurë kombëtare, mbuluar me pluhur harrese e terr.

NGA VLORA NË SHBA

Është shkruar se Kristo Floqi erdhi në SHBA nga Turqia, ku kishte shkuar për të përvetësuar Turqishten, është shkruar edhe një variant tjetër, se ai kishte mbërritur në SHBA për arsye ekonomike dhe nevoja të Lëvizjes Kombëtare siç kishin shkuar Petro Nini Luarasi,Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Mihal Grameno, Kristo Dako e të tjerë. Asnjëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Variantin e vërtetë e tregon vetë ai, në “Kujtime Historike- Formimi i Federatës Panshqiptare”Vatra”- botuar në nëntor 1937 në revistën “LEKA”.
Kristo Floqi në vitin 1009 ishte avokat në Vlorë. Është koha kur ai e ka afirmuar veten në radhën e nacionalistëve që kërkojnë një Shqipëri më vete.Ishte ky shkaku i një përleshje mes një grupi nacionalistësh shqiptarë, ku kryesor ishte kristo Floqi dhe një grupi turkoshakësh, që bënin pjesë në Shoqërinë nacionaliste Turke me emrin”Itihat Ve Tereki”, që propagandonte një Turqi të re. Dy grupimet u përleshën paq, dhe autoritetet e pushtetit lokal “ua suallën shpirtin majë fytit”, siç kujton Kristo Floqi në shënimet historike të botuara më 1937 në Revistën “Leka”. Në këto rrethana grupimi i nacionalistëve shqiptarë menduan se kishte mbrritë rasti t’u tregonin vendin turkoshakëve dhe si hap të parë ndërmorën sulmin mbi zyrën e Post-Telegrafës së Vlorës. Aso kohe, Ismail Qemali ndodhej në Selanik. Grupi i nacionalistëve hyri në kontakt me Ismail Bej Qemalin dhe me të gjithë ata që ishin për inisiativën Kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe u prezantuan situatën ku ndodhej Vlora dhe veprimet e tyre.Duke qenë zotër të postë-telegrafës, nisën shifërkëmbimin, duke përcjellë situatën e acaruar dhe ç’mund të bënin në atë situatë.I ndalën të gjitha telegrafet që zyrtarët lokal përpiqeshin të nisnin drejt eprorëve. Autoritet ushatarake u zemruan së tepërmi dhe rrethuan Postën, duke kërkuar dorëzimin e Postës, por nacionalistët shqiptarë kundërshtuan dhe nuk ua dorëzuan as shifrën.Situata u përkeqësua dhe forcat ushtarake u shtuan. Në këto rrethana rebelusit shqiptarë e lanë Postën dhe një pjesë kapërcyen detin dhe u hodhën matanë Adriatikut, ndërsa një pjesë tjetër u ngjitën maleve. Kristo shkoi në Cakran të Fierit nën kujdesin e Bektash Cakranit. Mirëpo edhe aty ishte vështitrë të qëndronin gjatë pa rënë në sy.Vendosën që ta linin Shqipërinë dhe të kalonin në Brindizi e që aty morën anijen drejt SHBA-ve.

NGA BOSTONI NË SALT-LAKE, UTAH

Pas disa ditësh Kristo Floqi arrinë në Boston. Nuk bëhej fjalë për të ushtruar zanatin e avokatit sapo vuri këmbë në Amerikë. Vendosën që të hapnin një restorant në Boston duke shfrytëzuar klientelën shqiptare, që përbëhej kryesisht prej punëtorëve të fabrikave të Natick në Mass. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë, restoranti dha shenja falimentimi. Pas katër muajësh u detyruan që ta linin atë punë. Ç’të bënin? Nuk e dimë se ç’punë tjetër mund të ketë bërë Kristo me shokët me të cilët pat marrë rrugën përkëndej Atlantikut, por ai vetë shkruan në kujtimet e veta se”nevoja na shtërngojë të çajmë barakzi Shteteve të Bashkaura të Amerikës e të zemë vend në qytetin e bukur të Salt-Lake City të shtetit të Utah, pranë Kalifornias.”
Në Salt-Lake, Kristo kishte kunatin e tij, Kristo Poçi, i cili merrej me tregëti dhe punët i shkonin mirë. Aty punoi deri më 20 shtator 1911, pasi i erdhi një Ftesë nga Shoqëria Besa-Besën për të marrë detyrën e editorit të gazetës”Dielli”, post i cili ishte vakant pasi e kishte lëshuar Eftim Natse, para të cilit në atë post kishte qenë Konica.

EDITOR I DIELLIT

Shoqëria Besa-Besën,po kërkonte një editor të ri për gazetën e saj “Dielli”. Me propozimin e Kolë Rodhes dhe të Llambi Çikozit, ky post iu propozua pikërisht Kristo Floqit, i cili në atë kohë i kishte rregulluar problemet financiare dhe fitimet po i shkonin mbarë.Edhe pse pagesa që iu propozua nuk ishte kushedi çfarë, 50 dollarë në muaj, ai e pranoi detyrën për hir të çështjes kombëtare dhe bashkimit të kolonive shqiptare në SHBA.Përmes gazetës Floqi u bënte thirrje shqiptarëve që të bëheshin bashkë sepse kështu do t’i shërbenin më mirë kombit dhe do të ndikonin në krijimin e shtetit shqiptar.
Mbresat e asaj dite, kur Kristo Floqi mori detyrën, na e përshkruan me nota mallëngjenjëse gazeta Dielli e Vjeshtës 1911 :”Të dielën që shkoi, më 17 të Vjeshtës, u mbajt meshë në Kishën e Shën Gjergjit në Boston prej të Përnd. At Naum Çere dhe At Damianit.Ishin mjaft shqiptarë prej Bostonit dhe fshatrave përreth. At Naumi meshoi fort bukur me me zën’ e tij të plotë e të begatshëm.Si tha Unigjillë, At Damiani mbajti një fjalë të shkurtër, por të bukur, duke përkthyer Ungjillë e duke prurë fjalën mbi çështjen Kombëtare.
Pas priftit, nënkryetari i Shoqërisë Besa-Besën z. Vangjo Mille u ngrit dhe me një fjalë të mirë rekomandoi drejtorin e ri, z. Kristaq Floqin, i cili u prit gëzimërisht me një përpjekje duarësh të paprerë nga ana e dëgjonjësve.
Pasandaj, z. Kristo Floqi u ngrit,duke marrë në duar kurorën e shoqërisë Besa-Besën si dhe dy kurorët e tjera të shoqërisë Arsimi dhe të Shqiptarëve të Cochituate-it, kaq të bukura të tria, mbajti një fjalë të gjatë, më tepër se një orë, ku çmoi vleftën e trimave djelmoshë, të cilët njëri pas tjetrit, ranë dëshmorë për nderin dhe famën e Atdheut. Fjala e drejtorit qe kaq e bukur, e lartër dhe pëllore në ndjenjë e në fantazi, sa e mallëngjevi të tërë popullin dhe ngjethi zemrat gjersa qanë me lot.
Pas z. Kristo Floqi, u ngrit i njohuri atdhetar z. Kristo Kirka, i cili foli me një nxehtësirë të madhe për therorët e Përlindjes, duke përvëluar zemrat e djegura. Një përpjekje duarësh e fortë vërtetonte gëzimin që ndjenin dëgjonjësit. Më së fundi, me fjalë fort të hijshme e të pëlqyera, rekomandoi drejtorin tonë në popull, duke thënë se nga burra si Kristaq Floqi duhet të presë shumë kombi.Shqiptarët e Amerikës duhet t’i ndihin pa kursim në udhën e re në të cilën dëshiron të sjellë Shqiptarët dhe Kombin. Kësisoj mesha u krye duke lënë një përkujtim të pa harruar.”
Detyrën e editorit ai nuk e bënte vetëm duke qëndruar në zyrë, por shkonte atje ku ishin shqiptarët,konak më konak; katund më katund e qytezë më qytezë. Ai mbante konferenca dhe inkurajonte shqiptarët për patriotizëm. Qëllimi i konferencave ishte bashkimi i të gjitha kolonive shqiptare, me qëllim që shqiptarët e Amerikës të kishin një zë të bashkuar për Kombin e tyre.Në atë kohë në Amerikë egzistonin disa shoqëri shqiptare si: Më e madhja ishte Shoqëria Besa-Besën, më pas vinte Arsimi e Korçarëve, Dallëndyshe e New York-ut, Shoqëria Kombëtare e Worcesterit, Shoqëria Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja e Jamestownit, Shoqëria Lidhja, Shoqëria Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shoqëria Hylli Afërdita, Shoqëria Bashkimi, Shoqëria Mirëbërëse, Shoqëria Përparimi dhe Komiteti i z. Faik Konitza”Flamuri i Krujës”.
Në konferencat që zhvillonte nëpër kolonitë shqiptare, Kristo Floqi shtronte idenë e një programi të përbashkët të shoqërive të bashkuara dhe dhënien fund të grindjeve dhe lokalizmave krahinore. Ai argumentonte se vetëm të bashkuar, do të arrinin që të forconin frymën kombëtare në SHBA. Floqi, arriti që për tre muaj t’i binte kryq e tërthor kolonive shqiptare dhe realizonte më shumë se 100 konferenca. Kur e pa se fara e bashkimit ishte hedhur, dhe se disa nga shoqëritë ishin të bindura se ishte koha për bashkim, dërgoi thirrjen për një takim të përbashkët.

TAKIMI HISTORIK I 11 DHJETORIT NË BOSTON, MUNGESA E KONICËS

Në mirëkuptim me shoqëritë u la që takimi i parë të bëhej me 11 dhjetor 1911 në Boston. Atë ditë me qindra shqiptarë mbërritën në Boston dhe është pikërisht kjo ditë që çeli një epokë të re për Lëvizjen Kombëtare shqiptare në SHBA. Në kujtimet e tij, Kristo Floqi shkruan se “ Dita historike 11 Dhjetorit 1911 shënoi një periudhë të re për shqiptarët e Amerikës. Atë ditë arritën në Boston me qindra shqiptarë, si delegatë të shoqërive, por edhe individë. Salla e gjërë e hollit Rathbonne u mbush plot, sa shumë veta u shtërnguan të qëndrojnë më këmbë dhe qindar të tjerë mbetën jashtë.”
Në mbledhje mori pjesë edhe Peshkop Noli. Ra në sy mungesa e “dekanit” të çështjes Kombëtare, Faik Konicës, i cili ishte padyshim figura më elitare e asaj kohe dhe një prej promotorëve të Lëvizjes Kombëtare. Artikujt e tij në Dielli i kishin bërë për vete shqiptarët e Amerikës, ndaj përfaqësuesit e shoqërive të ndryshme që kishin ardhë në atë takim historik, po habiteshin që mungonte aty shtylla e bashkimit. Kureshtjen e delegatëve e shoi Kristo Floqi, i cili u tregoi atyre letrën që kishte marrë nga Faik Konica dhe ua lexoi fjalë për fjalë.
Çfarë shkruante Konica në atë letër? E sjellim të plotë:
I dashur z. Floqi
E mora letërn tuaj sot pasdreke dhe ju kthej përhirime për fjalët miqësije dhe nderimi që më thoni. Për fat të zi jam fare i penguar të Djelën, se s’e dinja se kishit mbledhje dhe se do t’më ftojit dhe kështu u lidha gjetkë për pasnesër.
Ato që më thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formulë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar gjer tani me shumë mundime.Kemi komitetin tonë këtu(Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim.Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes.Besoj këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë.”
Mbetem Juaji me besë,
FAIK KONITZA d.v

Letra duket se la një shije mosbesimi tek të pranishmit. Vetë Kristo Floqi shkruan se kjo letër ishte një justifikim për të mos ardhur, pasi njoftimi për mbledhjen bashkuse botohej në çdo numër të Diellit dhe Faikut i dërgohej gazeta. Mirëpo tashmë që ai nuk ishte më editor i Diellit, kur e pyesnin për gazetën, thoshte jo pa shpoti se nuk e lexonte më Diellin nga frika se mos harronte shqipen!
Sipas interpretimit që i bën letrës, Kristo Floqi, dyshon se Konica e dërgoi letërn dhe s’shkoi vetë në takim nga që nuk ishte ai inisatori dhe s’e nuk donte të sakrifikonte Komitetin e tij “Flamuri i Krujës”, që sipas Floqit kishte vetëm 10-12 anëtarë. Floqi e shkruan të zezë mbi të bardhë”Konica nuk donte që ta merrja unë bajrakun e bashkimit. Si ky, ashtu dhe Noli, qitnin gjithënjë pengime.Këto i kishin kuptuar shqiptarët e Amerikës dhe unë veçanërisht ua diktonja herë pas here me anë të Diellit, organit tonë.”
Në fakt Fan Noli, i ktheu përgjigje Kristo Floqit, se ai dhe miku i tij Konica, nuk ishin kundër bashkimit, përkundrazi, kishin punuar gjatë për bashkimin, por ata kërkonin një punë të pëlqyer dhe serioze, jo qesharake.(Dielli 18 janar 1912).
Nga ana e tij, ish editori i Diellit, Refat Xh Gurazezi, në ciklin e artikujve rreth historisë së Vatrës, të përmbledhur në librin “Historia e Federatës “Vatra”, e kundërshton Floqin, për të cilin shkruan:”Editori i fundit (sa Dielli ishte gazetë e shoq Besa-Besën), e gjeti të shtruar tryezën e bisedimit, idenë dhe planin për bashkimin e gjithë shoqërive shqiptare të Amerikës rreth një shoqërie të madhe kombëtare.”

FLOQI, KRYETAR I MBLEDHJES HISTORIKE

Në kujtimet e veta, Kristo Floqi pohon se për të respektuar Imzot Nolin, e propozoi atë për kryetar të mbledhjes, por Noli e refuzoi me argumentin se i takonte Floqit ai post sepse qe ai që inisiatori dhe organizatori. Propozimi i Nolit u hodh në votë dhe Kristo Floqi u zgjodh kryetar, ndërsa Llambi Kreshpani, sekretar.
Pas fjalimeve, Marko Adams propozoi Komisionin historik për themelimin e Vatrës, ku renditi katër emra: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe Paskal Aleks. Sipas propozuesit ky komision do të merrte përsipër organizimin e një Federate të madhe Panshqiptare në marrëveshje me të gjitha shoqëritë. Propozimi u gjet i pëlqyer.
Barra i mbeti Komisionit, i cili në mbledhjen e parë zgjodhi Fan S Nolin si sekretar. U njoftua çdo shoqatë që të dërgonte në qendër emrin e delegatit të vet.
Floqi kujton se rekordi i parë që shpalli komisioni ishte: Të katër të nënshkruarit, të zgjedhur prej Asamblesë si Komision për të gjetur udhën e bashkimit të të gjitha shoqërive Shqiptare të SHBA, u mblodhën dhe vendosën: 1-Të pyeten të gjitha shoqëritë e kolonitë e tjera, ku nuk egzistojnë shoqëri, nëse u pëlqen një bashkim i përgjithshëm.
2- Si e dëshirojnë bashkimin, në formë qendrore, apo si një federatë?
3-Me çfarë soj qëllimit e dëshirojnë, me qëllim politik, letrar, apo me qëllim propagandë popullore?
4-Në rast se u pëlqen ky bashkim, kur mund të kenë zgjedhë delegatët e tyre për të ardhur në Boston e për të themeluar bashkimin.
Njëkohësisht u njoftuan se Komisioni i të katërve, zgjodhi për sekretar rev. At Fan Nolin me adresë P.O Box 2445, Boston, Mass, me të cilin do të mbahej korerspondenca. Mbledhja e afërme do të bëhej me 3 mars 1912.
Poshtë njoftimit ishin vendosur katër emrat, që kanë hyrë tashmë në histori: F. Konitza, Kr. Floqi, At Fan Noli, P. Aleks.
Më pas, ai kujton se ishin zgjedhur edhe delegatët, përfaqësues fuqiplotë: Për Shoqërinë Besa-Besën Llambi Çikozi, për Shoqërinë Mirëbërse At Naum Çerja, për Shoqërinë Kombëtare të Worcesterit Kostika Treska, i cili u zëvendësua prej Kosta Vasilit, për Shqoqërinë Përlindja dhe Malli i Mëmëdheut të Jamestown Kostaq Kota, për Shoqërinë Dallëndyshja të New Yokut dhe Arësimi Kristo Kirka dhe për Komitetin Flamuri i Krujës Kolë Tromara.
Në mbledhjen e 24 marsit 1912, Floqi kujton se u mor vendimi që të hartohej Kanunorja.
Pas gjithë këtyre veprimeve duhej një emër për të pagëzuar Federatën. Floqi kujton:” Gjithësecili prej nesh organizatorë e delegatë, propozoi nga një emër, kush Plugu, kush Parmenda, një tjetër Kastrioti, një tjetër Skënderbeu, dikush Përlindja, por asnjë prej tyre nuk gjeti pëlqimin e të gjithëve. Më pas Fan Noli, hodhi mes pjesmarrësve emrin”Vatra”. U pamë sy më sy më njëri-tjetrin; jo se emri ishte i keq, por sikur nuk na goditi mirë në vesh, por Fan Noli me elokuencën e tij na dha disa sqarime e shpjegime të tjera sinjifikative e kështu na bindi të gjithëve dhe e pranuam me brohori e duartrokitje.”
Konica në artikull të botuar në Diellin e 31 marsit 1922, e kundërshton këtë paraqitje të Floqit, kur shkruan:” Për emrin, formën federale, kanunoren, rregulloren, dhe shpirtin e parë të VATRËS, jam responsibël unë. Por e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajësh, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë.”
Më pas u hartu edhe Kanunorja, e cila u nënshkrua nga të gjithë.

28 PRILL, DITA HISTORIKE

Floqi kujton se 28 prilli 1912 ishte një ditë historike. Ai shkruan:” Dita e 28 prillit 1912 ka qenë dita e fundit e bisedimeve për VATRËN dhe kjo ditë mund të quhet “dita historike e krijimit të Vatrës” e cila kaq shumë i shërbeu Atdheut në kohërat e rrezikshme që pasuan më vonë, shërbime me të vërtetë patriotike që nuk mund të harrohen kurrë.”
Kjo ditë është e fiksuar në Rekordin XI, që përmban zgjedhjen e Pleqësisë së Vatrës. U zgjodhën si pleq; Fan Noli, Llambi Çikozi, dhe Kristo Kirka. Si organizatorë për formimin e degëve u zgjodhën Faik Konitza, dhe Kristo Floqi, si kontrollorë Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Puan më e vështirë u takoi dy organizatorëve të cilët duhej të shkonin koloni më koloni dhe të formonin degët e Vatrës.
Floqi, duket se nuk ka qenë i kënaqur nga përzgjedhja që bëri Faik Konica, i cili sipas tij, zgjodhi ato koloni ose shoqëri, ku prania numerike e shqiptarëve ishte e madhe, ndërsa fshatrat ia la atij, Kristo Floqit. Ndoshta me subjektivizëm, ai ankohet edhe për rolin ndërmjetës të Nolit, i cili favorizoi Konicën. Floqi kujton se Konica zgjodhi krijimin e degëve në ” Lynn, Worcester, Manchester, Southbridge dhe të Central Falls. Fan Noli, si mik i Konicës, ofroi ndihëmn e vet, dhe mori përsipër që të organizonte degët në Boston, Natichk dhe të Cochituatetit. Kristo Floqit i mbetën degët; Milford So, Framingham, Marlboro, Hudson, Taunton, New Bedford, Bideford Me, Saco Me, Lewiston, Sanford, Augusta, NH, Concoder N. H, Franklin, Penacook dhe disa të tjera më të vogla. Refat Gurazezi edhe në këtë pikë e kundërshton Floqin.

LARGIMI
Komisioni i përkohshëm i Vatrës e bëri mbledhjen e parë pas themelimit më 2 korrik 1912 në Simonds Hall dhe aty u mor vendimi që të organizohej Kuvendi i Parë të dielën e 14 korrikut 1912. Mbledhja vendosi që të mernin pjesë në Kuvend edhe anëtarë të cilët do të përcaktoheshin nga sekretarët e degëve, por ata do të ishin vetëm dëgjues. Po kjo mbledhje i caktoi për detyrë Faik Konicës që të përgatiste vulën e Federatës, Llambi Çikozi, kishte marrë përsipër që të porosiste kopsat me monogramet F. S. V, dhe Kristo Kirka kishte marrë përsipër botimin e Kanunores në gjuhën shqipe.
Kuvendi i parë u bë brenda ditës, edhe pse filloi në orën 1.00 të pasditës. Aty u zgjodhën; Faik Konitza sekretar i përgjithshëm dhe Editor i Diellit, Llambi Çikozi arkëtar i përgjithshëm, Kristo Kirka Menager i Diellit, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Vangjel Gjika dhe Josif Pani kontrollorë. Pa kaluar muaji nisën mosmarrveshjet mes zyrtarëve të Vatrës. Për të kthyer normalitetin, u hoqën tre kontrollorët, Kristo Floqi, Paskal Aleksi dhe Vasil Gjika. Më 11 gusht në vend të tyre u zgjodhën, Fan Noli, Andrea Kristo dhe Koli Caknaqi. Kristo Floqi u zemrua dhe shkoi në New York, ku nisi botimine gazetës “Zëri i Popullit”.

FLOQI SHKRIMTAR, JURIST, POLITIKAN

Pas kthimit në Atdhe Kristo Floqi iu kushtua avokaturës, letërsisë dhe politikës. Më 1919 ai drejtonte të përmujshmen”Agimi” në Shkodër, ku kishte hapur dhe zyrën e vet avokatore. Më 19 shtator 1920, për pak muaj ai është Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Në legjislaturën e parë, 21 prill 1921 ishte deputet në Parlament. Ushtroi edhe detyrën e gjyqtarit të Diktimit.
Floqi u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike. Poezitë e tij ishin plot tharm dhe i këndonin atdheut, dëshmorëve, natyrës së bukur, evokonin trimërinë dhe traditat shqiptare. Madje në vitet 1920-30 poezitë e tij ishin në pjesë të teksteve të Këndimit. Vëllimi i tij “Shkëndija ose Antologji shkollore” përmblidhte 105 vjersha, elegji, fabula. Elegjitë kushtuar Naim e Sami Frashërit, Themistokli Gërmenjit, Gani Butkës, Spiro Bellkamenit, Papa Kristo Negovanit, Ceno Sharrës, Meleq Frashërit, Mustafa Qullit, Çerçiz Topullit, Babë Dudë Karbunarës, Kolonelit hollandez Tomson, etj, ishin ndër më të pëlqyerat dhe recitoheshin nëpër festa a përkujtime.
Floqi ishte ndër dramaturgët e zëshëm të kohës së vet dhe radhitet në historinë e lëvrimit të dramës shqiptare krahas Sami Frashërit, Mihal Gramenos, Nolit, Foqon Postolit etj. Drama më e pëlqyer e Floqit ishte “Fe e Kombësi”, që u shfaq nga shumë trupa teatrore në vitet ’30. Atij i përkasin edhe dramat “Pirro i Neoptolemit”, “Karl Topia”,”Skënderbeu n’Itali”, “Qypërllinjtë” etj. Ai ishte edhe një komedian jo pak i suksesshëm.
Kristo Floqi është dalluar edhe në fushën e studimeve. Ai ka botuar një sërë tekstesh me karakter politik dhe juridik, historik e etnografik. Përmendim:” E drejta themelore”, “Elementë të Ekonomisë politike”, “Një predikim mbi patriotizmë dhe nacionalizmë”,”Kosovë-Serbi e Vjetër”-Studim etnografik, ku ai kundërshton mr fakte se Kosova nuk është Serbi e Vjetër.

DËNIMI DHE HARRESA

Kristo Floqi pat një fund tragjik. Pasi u burgos nga vitet 1945-1950, ai vdiq në mjerim, i braktisur në vitin 1951.Asgjëkundi nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. Po përse u dënua Floqi? I vetmi faj i tij ishte akuza se ksihte shkruar vargjet e Hymnit të MBretërisë Shqiptare! Për këtë arsye emri i tij u fut në rreth të zi dhe u damkos si “Armik i Popullit”! Ka ardhur koha që historia jonë kombëtare të shkruhet sipas fakteve dhe jo opinioneve.(Dielli-Arkiv)

Literatura e përdorur;
1- Revista “Leka” 1937-Dr. Kristo Floqi:”Kujtime Historike-Formimi i Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra”
2- Robert Elsie: “Historia e letërsisë Shqiptare”, 1977
3-Refat Xhe Gurazezi”Historia e Federatës”Vatra”
4- Gazeta Republika, 14 korrik 2009- Fiqri Shahinllari”Kristo Floqi, politikan I shquar, shkrimtar e Jurist me emër”
5- Prof. Dr. Stilian Adhami”I anatemuari Kristo Floqi”.
6- Hasan Hasani “Leksikon I Shkrimtarëve Shqiptarë” 1501-1990
7- Prof. Ismet Elezi” Shkenca juridike shqiptare në procesin e zhvillimit të saj
8- Gazeta Dielli, 24 tetor 2011
9- Gazeta Dielli 18 Janar 1912
10-Dielli, 31 mars 1922
11- “Shejzat” nëntor 1969

Filed Under: Vatra Tagged With: bashkethemelusi, dalip greca, editori, Historia e Vatres, Kristo Floqi

Artikujt e fundit

  • PЁRTEJ  MJEGULLЁS  SЁ  HISTORISЁ
  • LE MATIN (1914) / JA ÇFARË MENDON KRYEMINISTRI SHQIPTAR TURHAN PASHA PËR PRINC VIDIN (INTERVISTA)
  • Princess by Gerta, markë që po rritet çdo ditë, së shpejti me qendër në Amerikë dhe Angli
  • Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier
  • SHKUPI, SHPREHJE E REVITALIZIMIT SHPIRTËROR E KULTUROR TË HAPËSIRËS SONË KOMBËTARE
  • ÇUDIRA SHQIPTARE…
  • Fjala më e vjetër
  • « Doda », një mësim në fushën e kinematografisë dokumentare
  • “Daja i Evropës”

  • Shqipëria dorëzon zyrtarisht në KiE rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t: Të rishikohen pretendimet për trafik të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë
  • Vulgu dhe intelektualët
  • Një ikje e parakohshme kolegu
  • Telenovela Broja Vazhdon
  • “Në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe”
  • Kolë Bojaxhiu, në ditëvdekjen e tij …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT