• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Putini në gjurmët e Gebelsit

April 3, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Ngjarjet dramatike që u zhvilluan në Ukrainë kohët e fundit, gjetën një pasqyrim të deformuar djallëzisht në mjetet e informimit masiv rus. Shtrembërimi i së vërtetës, dezinformacioni në radhët e publikut të gjerë rus mori përmasa të papërfytyrueshme deri në atë shkallë, saqë të kujtonte propagandën e Gebelsit (Paul Joseph Goebbels  1897-1945), ministër i arsimit dhe i propagandës në hierarkinë qeverisëse të Hitlerit prej vitit 1933 deri në vitin 1945.

Në një artikull me titull “Tërmetet  politike mes Kievit dhe Moskës me prapavijë shumëshekullore. Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?”, që e pata botuar në internet më 24 shkurt 2014, unë theksoja:

“…në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive.., e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”.

Ishte fjala për analistin ukrainas Vadim Guntarenko.

Edhe në këtë rast, për të nxjerrë në pah natyrën gebelsiane të propagandës së Putinit kundër Ukrainës, unë  po i lë mënjanë vlerësimet personale dhe po ia lë fjalën një personaliteti të shquar të gazetarisë ruse, zotërisë Jevgjeni Kiselov (1956), me shtetësi ruse, i cili, që prej qershorit të vitit 2008 jeton dhe punon në Kiev, ku edhe vazhdon të ushtrojë artin e tij të gazetarisë.

Tani së fundi, poeti, prozatori dhe përthyesi rus, zotëria Dmitri Volçek (1964), që është edhe botues, i ka marrë një intervistë gazetarit Jevgjeni Kiselov pikërisht për zhvillimet dramatike të ngjarjeve të paradokohshme në Ukrainë dhe në vazhdimësi. Intervistës i paraprin parathënie e mëposhtme e zotërisë Dmitri Volçek:

“Kanalet televizive shtetërore ruse e reklamojnë revolucionin ukrainas si një përmbysje banditeske, pjesëmarrësit në protesta në Sheshin Majdan i prezantojnë si nazistë, pushtetin e ri e quajnë të paligjshëm, rrëfejnë orë e çast për vuajtjet e popullsisë rusishtfolëse, sikur gjoja po lënguaka nën thundrën e “banderasve”*. Për mënyrën se si është organizuar kjo propagandë, mund të gjykohet jo vetëm nga instruksionet e sapo bëra publike për gazetarët e televizioneve. Në të ashtuquajturat “kthina të fshehta”, atyre u jepen këshilla për të rrëfyer për “shpërthimin e shfrenuar të krimit” në Ukrainë, për “kacafytjet në rritje për pushtet”, për “kriminalitetin nën maskën e Majdanit” dhe mandej për të reklamuar qetësinë çlodhëse në Krime. Jevgjeni Kiselov, gazetar rus dhe analist politik që punon në Kiev, ish-drejtor i përgjithshëm i TPR (televizion publik rus – E.Y.) dhe kryeredaktor i gazetës “Moskovskije Novosti” (Lajme të Reja nga Moska – gazetë e përditshme politiko-shoqërore – E.Y.), metodat e telepropagandistëve rusë i krahason me punën e bashkëpunëtorëve të Jozef Gebelsit. A janë të justifikuara vendimi për ndërprerjen e transmetimeve të kanaleve televizive ruse në Ukrainë dhe përfshirja e emrit të njërit nga gazetarët më të neveritshëm, Dmitri Kiselovit, në listën e funksionarëve që e kapin sanksionet ndërkombëtare? Këtyre pyetjeve u ka dhënë përgjigje Jevgjeni Kiselovi në efirin e programit “Përfundimet e Javës” të Radios Svoboda”.

Për dijeninë e lexuesve të nderuar, Dmitri Kiselov është gazetar rus, drejtues emisionesh televizive, drejtor i përgjithshëm i agjencisë informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia Sot) dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i KSHTRM (Kompanisë Shtetërore Televizive dhe Radiopërhapëse Mbarëruse). Në veprimtarinë e vet gazetareske, Dmitri Kiselovi, për puthadorësinë (servilizmin) e tij karakteristike ndaj Putinit, ka rënë në sy jo vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.

Kështu, me rastin 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit të programit me temë “Lajmet e Javës”, Dmitri Kiselovi pati përgatitur një koment që zgjati 12 minuta dhe 41 sekonda. Në atë koment, ai deklaroi:

“Për nga përmasat e veprimtarisë, Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i krahasueshëm vetëm më Stalinin” (Citohet sipas: “Zemrat e tyre duhen groposur ose duhen djegur, si të papërshtatshme për vazhdimin e jetës”. Marrë nga faqja e internetit “slon.ru”. 09 dhjetor 2013).

Ndërsa në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitri Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë vetëposhtëruese:

“Vladimir Vladimiroviç, mua më ke besnik, çizmet do të të pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më ke besnik”. Marrë nga faqja e internetit “svoboda.org”. 13 dhjetor 2013).

Prandaj edhe emri i Dmitri Kiselovit, në pjesën e dytë të listës së Bashkimit Evropian që u hartua për shkak të krizës së Krimesë, figuron mes emrave të personaliteteve politike dhe shtetërore ruse, ndaj të cilëve janë vendosur kufizime në marrjen e vizave dhe kufizime të natyrës financiare.

Në intervistën e mëposhtme që Dmitri Volçek e ka botuar në faqen e internetit, del në pah me tërë spikamën e vet mashtrimi skandaloz i makinerisë propagandistike të Putinit, të përfaqësuar nga Dmitri Kiselovi e kompani, për zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, në ballafaqim me të vërtetën që pasqyron gazetari i shquar Jevgjeni Kiselov, si dëshimtar i drejtpqërdrejtë i atyre ngjarjeve. Pra, kemi të bëjmë me dy gazetarë me të njëjtin mbiemër – Kiselov – por me pikëpamje krejtësisht të kundërta në raport me të vërtetën: njeri noton në detin e mashtrimit, kurse tjetri rrezaton vetëm të vërtetën. Intervista titullohet:

“Mua më vjen turp të jem qytetar rus”

            Në vijim i ftoj lexuesit të ndjekin intervistën:

Pyetje: Jevgjeni Aleksejeviç, le të hamendësojmë se ekziston një dikushi kureshtar që jeton në Rusi dhe që e di se çfarë ndodhi në Kiev vetëm nga transmetimet e kanaleve televizive ruse dhe ju lutet t’ia shpjegoni kuptimin e revolucionit ukrainas. Si do t’i përgjigjeshit ju atij?

            Përgjigje: Druaj se ai njeri që ka ndjekur vetëm transmetimet e televizionit rus, do ta ndiente veten shumë ngushtë për të folur, meqenëse me një njeri të tillë (nëse ai e beson atë që i thonë) duhet biseduar si me një të rrjedhur nga trutë. Sepse ajo që është transmetuar në ekranet e kanaleve shtetërore ruse, ishte një çmenduri propagandistike. Për fat të keq, duke gjykuar nga treguesi i miratimit të politikës së Putinit, kjo propagandë e ka ushtruar tashmë ndikimin e vet. E megjithatë, unë do të mundohesha që  bashkëbiseduesin tim ta bindja për faktin se duhet t’i vërë kryqin gjithçkaje që i kanë rrëfyer njeriu, të cilin unë, të shumtën e herëve e quaj “madje jo njeriu me të njëjtin mbiemër me mua” ( e ka fjalën për Dmitri Kiselovin – E.Y.), si edhe propagandistë të tjerë rusë. Unë do t’i kallëzoja atij se shpërtheu durimi i popullit ukrainas, në Ukrainë u krye një revolucion që përmbysi një regjim të korruptuar. Në pushtet ishte Vladimir Janukoviçi, i rrethuar nga njerëzit e “familjes” në kuptimin e dikurshëm të kësaj fjale në gjuhën ruse, ishte një e tillë byro politike që përbëhej nga njerëz, të pleksur me miqësi ose me lidhje biznesi me djalin e madh të presidentit, i suksesshëm ky deri në pabesueshmëri, sidomos gjatë vitit të fundit të qëndrimit të të atit në pushtet, me biznesmenin Aleksandër Janukoviç. Prandaj edhe protesta kundër këtij “kapitalizmi për të vetët”, kundër këtij korrupsioni marramendës, ishte edhe arsyeja që shkaktoi shpërthimin e revoltës popullore që çoi në përmbysjen e regjimit. Shumica e njerëzve që morën pjesë në këtë revolucion, shumica e qindra mijë qytetarëve paqësorë që dilnin për të protestuar në rrugët dhe në sheshet qëndrore të Kievit, ishin njerëz të zakonshëm, krejtësisht normalë, herë-herë krejtësisht të largët nga ndonjë veprimtari politike në të kaluarën e paradokohshme, ishin kështu si puna ime e jotja, klasë e mesme.

Pyetje: Ne e nisëm bisedën për faktin se propagandistët rusë, para së gjithash, punonjësit e televizionit, krijuan një tablo plot fantazira që nuk kishte asgjë të përbashkët me realitetin. Ju a e miratoni idenë e shkyçjes së transmetimeve të kanaleve tekevizive ruse për Ukrainën.

            Përgjigje: Qëndrimi im në këtë rast është i ndërlikuar. Gjithsesi, kanalet televizive ruse përcjellin jo vetëm lajme të reja, të cilat tani është vështirë t’i quash të reja, jo vetëm programe informative, të cilat janë shndërruar nga informative në propagandistike. Herë-herë ato transmetojnë edhe programe, seriale jo të këqija të natyrës jo politike, kinodokumentarë. Në ekran shikoj miq dhe kolegë të mi që nuk kanë bërë asnjë faj në qëndrimin ndaj popullit ukrainas. Gjithçka që transmetohet në ekranet e televizioneve shtetërore ruse është një çmenduri propagandistike. Prandaj qëndrimi im në këtë rast është i ndërlikuar. Nga ana tjetër, natyrisht, është e pamundur ta përfytyrosh që, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, gazeta “Folkisher Beobahter” [Völkischer Beobachter (Komentator Popullor_ – organ i Partisë Nacional-Socialiste Punëtore Gjermane (Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei (NSDAP), gazetë kjo që u botua në periudhën mes viteve 1920 deri në vitin 1945  – E.Y.] të botohej në territorin e Britanisë së Madhe ose të Shteteve të Bashkuara, me përkthim në anglishte. Këtu e kam fjalën për Russia Today (Rusia Sot – Kompani Televizive Informative Ndërkombëtare Ruse Shumëgjuhëshe, institucion shtetëror,  E.Y.). Për mua është interesante të di se çfarë do të bëjnë në të ardhmen lidhur me këtë çëshje autoritetet e atyre shteteve anglishtfolëse, ku mund të pranohen programet e Russia Today. Sepse Russia Today, më falni, përfaqëson në vetvete, në një shkallë të konsiderueshme, versionin bashkëkohor të gazetës “Folkisher Beobahter”… Pra, për sa i përket Russia Today, këtu kemi të bëjmë me versionin e sotëm të “Folkisher Beobahter”. Sipas vëzhgimeve të mia, në vitet e fundit në Rusi ka ardhur e është krijuar një shumicë çuditërisht pasive, shpërfillëse, e heshtur, së cilës as që i bëhet vonë për të ardhmen e vendit dhe që gjatë një përmbysjeje të situates, zë e ngre supet dhe thotë: po ne nuk kemi ditur gjë, neve askush s’na ka kallëzuar gjësend, ne nuk kemi dyshuar se paskemi një të tillë regjim në pushtet. Këto janë shfajësime që përdoren në rastet po të qëllojë mandej, si puna e popullit gjerman, për t’u përgjigjur para botës për ato gjëra që mund të ndodhin me Rusinë        

Pyetje: Tani të gjithë druhen se Rusia po përgatitet të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë. Vazhdon përqendrimi i trupave në kufi, përgatitja informative e kësaj ndërhyrjeje. Sipas ndjesive tuaja, a do të ndodhë një gjë e tillë?

Përgjigje: Kjo, për fat të keq, mund të ndodhë. Unë nuk dua të bej parashikuesin e keq, por një gjë e tillë nuk përjashtohet absolutisht. Shenjat e zbulimit të një ndërhyrjeje të tillë duken sheshit. Mua, fjala vjen, po më shqetëson seriozisht dislokimi i spitaleve fushore, mua po më shqetëson shfaqja e makinave të posaçme ku janë instaluar altoparlantë të fuqishëm, radiostacione fushore, të cilat duhet të transmetojnë ca thirrje drejtuar kundërshtarit në rrethim apo në tërheqje e sipër, apo që është fortifikuar në mbrojtje dhe që nuk ka dëshirë të dorëzohet në mëshirë të fitimtarit. Mua më ngjallin dyshime premtimet këmbëngulëse të personave zyrtarë të Federatës Ruse se gjoja nuk do ta kalojnë kufirin, se gjoja nuk janë duke përgatitur kurrfarë ndërhyrjeje të armatosur. Të gjitha këto të kujtojnë së tepërmi ato llafe që u thanë në prag të aneksimit të Krimesë se nuk do të ndërmerreshin kurrfarë operacionesh ushtarake në Krime, se nuk do ta aneksonin Krimenë, se nuk paskeshin ndër mend ta bashkonin Krimenë me Federatën Ruse. Siç e dimë të gjithë, tërë ato premtime të bujshme nuk përputheshin absolutisht me realitetin… Unë nuk dua të jem bashkëfajtor me një vend që kryen agresion kundër Ukrainës, mua më vjen turp të jem qytetar rus… (Citohet sipas: Dmitri Volçek. “Mua më vjen turp të jem qytetar rus”. Intervistë me gazetarin Jevgjeni Kiselov. Marrë nga faqja e internetit “svoboda.org”. 30 mars 2014).

Propaganda e shfrenuar gebelsiane e Putinit kundër Ukrainës, për fat të keq, më sjell në kujtesë shfaqjen e urrejtjes së tërbuar që mjetet e informimit masiv rus dhe sidomos kanali televiziv shtetëror rus, patën shpërthyer kundër kombit shqiptar, që nga Kamçatka deri në Peterburg, veçanërisht kundër popullit shqiptar të Kosovës, gjatë periudhës që NATO-ja po bombardonte Serbinë në pranverën e vitit 1999. Asokohe, përmes postës elektronike, ambasadës sonë në Moskë i dërgoheshin kërcënime anonime, në të cilat merrej në mbrojtje barbaria shoviniste e Millosheviçit dhe sulmohej egërsisht etnia shqiptare. Ja njëri nga ato kërcënime, në të cilin shkruhej:

 “Shqiptarë të ndyrë! Ju duheni mbyllur në Shqipëri si në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qen të tërbuar. Gratë tuaja duhen sterilizuar, që të mos mund të lindin më si lepujt. Dhe në qoftë se ju do të vendosni të vini në Kosovën serbe, do të ngordhni. Toka do t’ju helmojë. Kombi juaj duhet zhdukur. Le t’ju marrin amerikanët atje, në Amerikë. Ngordhni sa më shpejt në Rusi. Juve do t’ju therim” (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 415).

Kërcënime kaq të egra, deri edhe me zhdukjen  tonë nga faqja e dheut, ambasadës sonë në Moskë i dërgoheshin me faks pikërisht në një mjedis rus, të mbarsur me urrejtje kundër nesh dhe ku shkenca e urrejtjes kundër kombit shqiptar kishte arritur në kuota të papara ndonjëherë.

————————-

*Ёshtë fjala për simpatizantët e Stepan Banderës (1909-1959), njërës nga figurat më kryesore të nacionalistëve ukrainas, të cilin, në Mynih, më 15 tetor 1959, e vrau me cianur agjenti ukrainas i KGB-së, Bogdan Stashinski, sipas urdhrit që kishte marrë nga kryetari i KGB-së Aleksandër Shelepini (1918-1994). Vrasja e Stepan Banderës shkaktoi skandal në mbarë botën, meqenëse Bashkimi Sovjetik, në vitin 1956, në Kongresin  XX të Partisë, kishte marrë vendim për heqjen dorë nga terrorizmi ndërkombëtar.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. dr. eshref Ymeri, Putini në gjurmët e Gebelsit

Përsiatje për një deklaratë të shkrimtarit amerikan Glen Donovan

March 26, 2014 by dgreca

Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri/

Në ditët e para të Vitit të Ri 2014, në faqet e internetit qe botuar një deklaratë e shkrimtarit amerikan Glen Donovan(Glenn Donovan), lindur në Nju Jork në vitin 1962. Me sa duket, deklarata e tij lidhet me zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, të cilat gjatë janarit dhe shkurtit patën zhvillime shumë dramatike. Deklarata e tij titullohet “I hate the Russian people” (Unë e urrej popullin rus).Para përsiatjeve të mia për deklaratën në fjalë, lexuesve të nderuar po iu përcjell fillimisht përkthimin e plotë të saj:Ju ende nuk e keni takuar kurrë një njeri si puna ime që e urren kaq shumë popullin rus, për faktin që ai e ka braktisur lirinë, të cilën ne, gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, patëm synuar aq shumë për t’ia dhënë.

Që ta merrni vesh, në vitin 1973, kur isha 11 vjeç, unë pata lexuar “Arkipelagun Gulag” të Aleksandër Solzhenjicinit. Unë u rrita, duke vëzhguar baraspeshën e forcave në botë, e cila po kolovitej mbi tehun e thikës dhe e dija se sa i tmerrshëm ishte Bashkimi Sovjetik, si për vetveten, ashtu edhe për gjithë të tjerët në botë.

Unë ndihesha krenar për faktin që ndodhem në anën e duhur, përballë sovjetëve, dhe herë-herë mendoja se populli rus do t’u jetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë e vet. Mua nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i nënshtrohen (si tani gjatë qeverisjes së BO – kështu e quajnë amerikanët Barak Obamën – KC) vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili, çdo ditë, na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi që ka një pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe antiliberale. Unë rri e vras mendjen herë-herë: mos ndoshta rusët e kanë pas merituar Stalinin? Ka mundësi që, si në rastin e Sadamit në Irak, ky popull, brenda sekondës, kur t’ia heqin çizmen nga qafa, do të fillojë nga vrasjet me njëri-tjetrin për shkaqe nga më të papërfillshmet. Kjo për mua është diçka vërtet e parëndësishme. E qartë është një gjë: që Rusia dhe populli i saj nuk janë të denjë të ulen në një tryezë si të barabartë me vende, shoqëri dhe njerëz të qytetëruar dhe të lirë. Unë e urrej popullin rus për faktin që ai e ka lejuar një gjë të tillë. Ne duhej t’i kishim atomizuar ata me bomba dhe Rusinë ta kishim degdisur drejt mosqenies dhe natyra atje të riniste nga fillimi

Ajo që për dikë tingëllon si propagandë, për dikë tjetër është e vërtetë. Qeveria jonë duhet të jetë plotësisht jashtë lojës, përderisa ne nuk jemi në gjendje lufte me vendin përkatës, siç kemi qenë në kuptimin më konkret me Bashkimin Sovjetik gjatë dyzet vjetëve.

Për mua nuk ka rëndësi se çfarë po bën Rusia tani dhe nëse janë të lira ose jo masat e saj të çmenduara. Kjo nuk është punë për mua. Mua më shqetëson vetëm fakti se çfarë po bën Putini kur një gjë e tillë ndikon mbi interesat tona kombëtare. Për ne nuk është e nevojshme të mundohemi “të përhapim kulturën tonë”, duke ndikuar përmes mjeteve të informimit masiv. Kultura jonë tashmë njihet mirë. Unë kam ardhur në përfundimin se rusët janë të mangët në aspektin filozofik, ata vetë nuk janë të aftë për të qeverisur dhe ata këtë e dinë: këtu e ka zanafillën dashuria e tyre për tiranët. Ata kanë qejf të kenë gjithçka, të shtypin dhe të shfrytëzojnë njëri-tjetrin, deri sa t’u mbushen zemrat me kënaqësi. Unë nuk dua të harxhoj as edhe një santimë në përpjekjen për ta ndryshuar një gjë të tillë. Ne kemi harxhuar miliarda dollarë për shembjen e Bashkimit Sovjetik, kurse rusët na kthyen krahët shpejt e shpejt dhe vendin e tyre, me vullnetin e vet, e lanë në dorën ish-kreut të KGB-së. “Boll më!”, si i thonë një fjale. Nuk duhen harxhuar paratë për gjëra të liga. Populli rus e meriton gjithçka që mund t’i ndodhë” (Citohet sipas: Glenn Donovan. “I hate the Russian people”. Marrë nga faqja e internetit “KAVKAZCENTER.com”. 03 janar 2014).

Që ta duash apo ta urresh një popull të caktuar, në këndvështrimin tim, duhen ndjekur rrugët e zhvillimit historik, nëpër të cilat ai ka kaluar në rrjedhën e shekujve. Sepse në këtë mënyrë mund të krijohet një ide më e plotë për formimin psikologjik të tij. Sepse kështu do të kuptohen dhe do të interpretohen drejt raportet e popullit me pushtetin, me elitat drejtuese, me mbretërit apo me diktatorët.

Në këtë aspekt, dëshiroj të theksoj se duhen parë etapat historike të formimit psikologjik të popullit rus, i cili ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ndërtimin e raporteve të tij me pushtetin.

Kjo për faktin se populli rus asnjëherë nuk ka qenë i lirë: në fillim ka qenë nën shtypjen e bujarëve dhe të oborrtarëve, nën zgjedhën tataromongole që vazhdoi 250 vjet, nën vargonjtë e çifligarëve në kuadrin e të drejtës së bujkrobërisë që zgjati disa qindra vjet dhe nën diktaturën komuniste, e cila rusët i shndërroi në bujkrobër të shtetit.

Pikërisht në kushtet e një shtypjeje të tillë, në psikologjinë e popullit rus ka ardhur e është formuar këndvështrimi i tij rreth mitit të pushtetit.

Për pasojë, krejt historia e Rusisë përfaqëson në vetvete historinë e autokracisë në njërën ose tjetrën formë. Njerëzit e kanë shtyrë dhe vazhdojnë ta shtyjnë jetën me shpresën tek agai “zemërmirë”, te cari, te sekretari i përgjithshëm i partisë apo te presidenti. Shumicës dërrmuese as që i bie ndër mend fare se në këtë jetë punët mund të ecin ndryshe. Se fati i tyre nuk mund të varej dhe nuk mund të varet as nga Jelcini dhe as nga Putini, por nga vetë ata.

Një dukuri e tillë sot vihet re sheshit. Opinioni i njerëzve duket në pëllëmbë të dorës, prirja e tyre e jashtëzakonshme për autoritarizmin e pushtetit bie menjëherë në sy. Pra, sipas mendësisë së rusëve, problemi qenka më i thjeshtë kur dikush tjetër përkujdeset për ta. Nën peshën e një mendësie të tillë, njerëzit nuk janë në gjendje të vetëdijësohen se ndokush do të kujdeset më shumë për vetveten sesa për të tjerët.

Sipas Nina Shçerbinës, profesore e politologjisë në Universitetin e Tomskut (qytet në Siberi), “në traditën politike të Rusisë “modeli i pushtetit” ka ardhur e është formuar nga tiparet e mëposhtme: nga fryma hyjnore (fetare, qiellore, përtejtokësore, irracionale, mistike që ndryshon nga gjërat, nga nocionet, nga dukuritë e zakonshme), nga fryma personifikuese, nga fryma e barazimtarisë dhe nga etatizmi apo nga ideologjia absolutizuese e rolit të shtetit në shoqëri… Në “Rregulloren Klerikale” të Pjetrit I (1672-1725), cari emërtohej drejtpërsëdrejti si “Krishti Perëndi”. Më vonë, në fjalët e lutjeve me rastin e kurorëzimit të shenjtë, çdo car i ri që hipte në fron, quhej, gjithashtu, “Krisht”. Madje qe ndaluar zyrtarisht “që t’i kushtohej vëmendje seksit dhe moshës të sovranit dhe të sovranes”, se, demek, cari, si njeri-perëndi, nuk mund të kishte tipare “tokësore”! Jo më kot portretet e perandorëve zakonisht vendoseshin në ikonostasin e qoshes së shenjtë të shtëpive fshatare, kurse pas Luftës Patriotike kundër Napoleonit, në radhët e fshatarëve patën një përhapje të gjerë ikonat që pasqyronin Krishtin me fytyrën e sovranit-perandor” (Citohet sipas: Anton Çablin.“Rezervati i liberalizmit. Aktiviteti përmes protestave në Rusi ka arritur një minimum historik. Cila është arsyeja që shoqëria “ka rënë në gjumë”?”. Marrë nga faqja e internetit “kavpolit.com”. 26 janar 2014).

Me sa duket, kjo duhet të jetë edhe arsyeja që në gjuhën ruse haset një shprehje kuptimplote: “Zoti është lart, cari është larg”, që do të thotë: njeriu i thjeshtë e ka të vështirë ta gjejë të vërtetën (drejtësinë). Sipas mendësisë popullore, njeriu i thjeshtë, për të zgjidhur një hall, Zotit nuk i qahej dot se ky ndodhet lart, në qiell, dhe ishte e pamundur ta takoje. Por edhe për të takuar carin (mbretin), ai, po ashtu, e kishte të pamundur, meqenëse cari ndodhej shumë larg. Kësisoj, sipas kësaj mendësie, cari nuk na qenkej fajtor për padrejtësitë që njeriu i  thjeshtë provonte mbi kurriz, meqenëse shërbëtorët e tij e quanin si zëdhënësin e Zotit mbi dhé.

Nga sa më sipër, rezulton se rusët heqin dorë me vetëdije nga vetvetësia (individualiteti) në të mirë të një të tillë pushteti “të hyjnizuar”, i cili, në historinë ruse quhet “pushtetbesnikëri” ose besnikëri ndaj pushtetit. Prandaj edhe populli është i gatshëm t’i durojë të gjitha fatkeqësitë që i bien përsipër për faj të pushtetit.

Duke pasur parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar.

Nga një sondazh që është bërë para disa vjetësh, rezultoi se  “njerëzit që e konsideronin veten klasë të mesme në vitin 2008, përbënin 20% të popullsisë, kurse në vitin 2011 kjo shifër zbriti në 12%. Megjithatë, nuk ndodhi asgjë për t’u shënuar sepse kur njerëzit u pyetën nëse do të dilnin në rrugë për të protestuar, 73% e tyre dhanë përgjigje negative” (Citohet sipas: Sean Guillory. “Pse nuk e prekën Rusinë protestat e vitit 2011” (“Al Jazeera”, Katar). Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 22 nëntor 2011).

Prandaj me shumë të drejtë mund të arrihet në përfundimin se prirja instinktive e rusëve për të pasur një “dorë të fortë”, mund ta shpjegojë dështimin e Jelcinit, i cili, mbi mbeturinat e mitit komunist, u mundua të ngrinte një “botë” liberale. Dhe, në heshtjen e tij dëshpëruese, jo rastësisht një ditë para Vitit të Ri 2000, ai iu drejtua rusëve nën zë:

       “Ju nuk më deshët mua, atëherë e gëzofshi dorën e fortë të pushtetit të Putinit”.

       Për studimin e psikologjisë së popullit rus janë marrë sociologë rusë dhe të huaj. Ndër më kryesorët mund të përmendet Nikollaj Berdjajev (1874-1948), Ksenia Kasjanova (1034-2010) etj. Në njërin nga studimet e veta, Kasjanova shkruan:

“Para nesh shfaqet një kulturë shumë e hershme dhe e rreptë, e cila kërkon nga njeriu një vetëkufizim të fuqishëm, një represion të impulseve të brendshme dhe të qëllimeve të veta të drejtpërdrejta, në të mirë të vlerave kulturore globale” (Citohet sipas: Prof. Ludmilla Poçebut (1949). “Psikologjia e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “rosbalt.ru”. 05.03. 2014).

Mes studiuesve të huaj që janë marrë me këtë temë, mund të përmendet antropologu social amerikan Klajd Klakhon (Clyde Kluckhohn – 1905-1960). Në veprën e vet me titull “Pasqyra për njeriun. Hyrje në antropologji”, ai thekson se për rusët është karakteristike “nevoja për t’iu nënshtruar pushtetit” (Citohet sipas burimit të lartpërmendur).

Një psikolog rus në moshë të re nga qytetit i Novosibirskut, shkruan:

“Populli rus, psikologjikisht, është gati t’i nënshtrohet nje pushteti të fortë dhe madje diku thellë, në nivelin e nënvetëdijes së vet, ai e kërkon një gjë të tillë. Si provë e këtij fakti mund të sillet dështimi i plotë i reformave demokratike perëndimore të njëzet vjetëve të fundit. Dhe po të sjellim ndër mend historinë, atëherë mund të thuhet se periudhat më të mira, kur Rusia ka qenë “në ngritjen” e vet, janë pikërisht ato periudha, kur pushteti ka qenë i përqendruar në një mënyrë monarkiste” (Citohet sipas: Pjetër Zarubin. “Psikologjia karakteristike e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “peter-zarubin.ru”. 06.03. 2013).

Në fjalët e këtij psikologu të ri bie në sy një e vërtetë e pamohueshme, të cilën e pati pohuar edhe politikani i shquar britanik Çurçilli (Sir Winston Leonard Spencer-Churchill – 1874-1965) që dikur pati deklaruar:

“Stalini ishte diktatori më i madh që nuk mund të krahasohej me askënd në botë, por që Rusinë  e gjeti me parmendë dhe e la me armatim atomik”.

       Popullit rus, gjatë shekujve, i kanë futur në gjak “shenjtërinë” e pushtetit, para të cilit duhet të jesh i bindur dhe i nënshtruar, sepse, sipas politikës zyrtare, cari na qenkej “vetë Jezu Krishti” dhe prandaj, “kur pushteti të shuplak njërën faqe, populli duhet të kthejë faqen tjetër për të pritur shuplakën e radhës”.

Duke pasur parasysh qëndrimin nënshtrues të rusëve ndaj pushtetit, kreu i bashkësisë moskovite të tatarëve të Krimesë Ernest Kudusovi, deklaroi publikisht se rusët janë skllevër brez pas brezi. Këtë deklaratë ai e lëshoi në studion e televizionit publik rus. Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuesit të emisionit se në ç’masë Krimeja, sipas mendimit të tij, është e ndarë mes pjesëve të popullsisë rusishtfolëse dhe të tatarëve të Krimesë, ai deklaroi:

“Ne duhet t’i kthehemi një çikë historisë. Së pari, populli tatar i Krimesë është popull rrënjës. Së dyti, ai është popull i përndjekur. Domethënë, në vitin 1944 atje nuk mbeti asnjë tatar për be. Stalini vendosi t’i zhdukte tatarët e Krimesë sepse ai nuk është popull që përulet si skllav, ai asnjëherë nuk e ka njohur skllavërinë. Kurse Stalini ishte mësuar të qeveriste skllevër. Prandaj ai i donte aq shumë rusët, ish-skllevërit, skllevër brez pas brezi. Është një skllavëri mijëshekullore, nuk ke ç’i bën” (Citohet sipas: “Kreu i bashkësisë së tatarëve të Moskës: “Rusët janë skllevër brez pas brezi”. Marrë nga faqja e internetit “smi2.ru”. 21 janar 2014).

Por dikush mund të pyes se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë inteligjencia, e cila duhej të kishte marrë përsipër me kohë rolin e vet historik për emancipimin e njeriut rus, në mënyrë që ky të ndërtonte të tjera raporte me elitat qeverisëse, jashtë bindjes dhe nënshtrimit kristian para autoritarizmit të pushtetit? Pyetja është me vend, por halli është se edhe inteligjencia ruse, e dalë nga gjiri i popullit rus, ka qenë dhe vazhdon të jetë viktimë e po të njëjtit mentalitet që mbizotëron në formimin psikologjik të popullit rus në apektin e marrëdhënieve me pushtetin. Prandaj edhe ajo ka rënë në gjunjë para pushtetit.

Politologu, analisti, gazetari dhe publicisti ukrainas Viktor Kaspruk, duke u ndalur në qëndrimet e fundit të Putinit ndaj Ukrainës, shkruan:

“Gjithë vitet e qeverisjes së tij, janë vitet e turpit të popullit, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë turpi i inteligjencies, e cila, në shumicën e vet dërrmuese, është tërhequr zvarrë para këtij njeriu pa kurrfarë vlere” (Citohet sipas: Viktor Kaspruk. “Putini gaboi rëndë me Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “argumentua.com”. 07 mars 2014).

Qëndrimi i inteligjencies ruse të ditëve të sotme ndaj pushtetit, zbulon po të njëjtin qëndrim që ajo ka mbajtur tradicionalisht ndaj tij edhe në kohën e carit. Prandaj edhe Anton Çehovi (1860-1904) e stigmatizon me rreptësi një qëndrim të tillë:

“Unë nuk i besoj inteligjencies sonë, një inteligjencie kjo hipokrite, e paqenë, histerike, e paedukuar, mashtruese, nuk i besoj madje edhe kur ajo vuan dhe ankohet, sepse përndjekësit e saj dalin po nga radhët e saj”. (Citohet sipas: “Letër N.I. Orllovit”. 22 shkurt 1899. Marrë nga faqja e internetit “livejournal”. 22 mars 2009).

Nga sa vërehet, mund të thuhet pa mëdyshje se fatkeqësia e popullit rus qëndron në faktin se ai është i prirur për t’i besuar shumë më tepër propagandës së pushtetit, sesa bëmave të tij. Një dukuri e tillë nuk mund të mos i binte në sy fiziologut të shquar rus, akademikut I.P. Pavllov (1849-1936), i cili, katër vjet  para se të kalonte në pasjetë, ka shkruar:

“Më duhet të shpreh pikëpamjen time të trishtuar për njeriun rus: ai ka një sistem trunor kaq të dobët, saqë nuk është i aftë ta rrokë realitetin si të tillë. Sipas këndvështrimit të tij, ekzistojnë vetëm fjalët. Reflekset e tij të kushtëzuara janë të bashkërenduara jo me veprimet, por me fjalët” (Citohet sipas faqes së internetit “censor.net.ua”.  15 shkurt 2010).

Santa Barbara, Kaliforni

25 mars 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: deklarata, Glen Donovan, Prof. dr. eshref Ymeri

Rusia duhet t’i kërkojë ndjesë kombit shqiptar

March 21, 2014 by dgreca

Sa për kujtesë ambasadorit rus, zotit Leonid Abramov/

 Shkruan:Prof.dr. Eshref Ymeri/

 Përmes faqes së internetit “info Albania”  të datës09 korrik 2013, u njoha me intervistën që moderatorja e emisionit “Shqip” të TV Top Channel, znj. Rudina Xhunga, i kishte marrë ambasadorit rus në Tiranë, zotit Leonid Abramov. Që në përgjigje të pyetjes së parë, zoti Abramov, ndër të tjera, deklaronte:“Rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”. Këto fjalë më kujtojnë pikë për pikë një deklaratë të njërit prej paraardhësve të zotit Abramov, atë të ambasadorit Prishepov.

Në gazetën “Shqip” të datave 23 dhe 24 dhjetor 2006, qe botuar një intervistë e ambasadorit të Federatës Ruse në Tiranë, zotit Aleksandër Prishepov, dhënë gazetarëve Aida Harka dhe Leonard Mitro. Në atë intervistë ai, midis të tjerash, deklaronte:’ shqiptarët dhe rusët kanë ndjenja historikisht miqësore ndaj njëri-tjetrit”.

          Me sa duket, zotërinjve ambasadorë të Federatës Ruse në Tiranë, u qenka bërë mani për të përsëritur tënjëjtën frazë stereotipe për punën e të ashtuquajturës miqësi mes rusëve dhe shqiptarëve.

Meqenëse zoti Abramov po përsërit të njëjtën gjë, e quaj të arsyeshme të ndalem në deklaratën e tij, pasi e vërteta historike qëndron krejt ndryshe për punën e “miqësisë” së rusëve ndaj shqiptarëve.

Këtu po ndalem vetëm në ca momente kulmore, për të nxjerrë në pah faktin se politika ruse, tradicionalisht, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor në periudhat e kthesave historike për fatet e kombit shqiptar, qëndrim ky qëështë kultivuar me shumë kujdes në radhët e mbarë opinionit publik rus

Së pari, kur diskutimi i çështjes kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që u mblodh më 10 qershor 1878, fuqitë evropiane u mblodhën në Kongresin e Berlinit dhe më 13 korrik të po atij viti, nën presionin e fuqishëm të Rusisë, nënshkruan një traktat famëkeq për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Para nënshkrimit të atij traktati, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptare t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).

          Së dyti,kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht Rusia ishte ajo që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës. Kështu,më 27 tetor  (9 nëntor) 1912,në një telegramsekret qëi dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej:

          “Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë”(Citohet sipas librit:“Faktori shqiptar në zhvillimin e krizës në territorin e ish-Jugosllavisë. Dokumente. Vëll. i parë (1878-1997)”. Shtëpia Botuese “INDRIK”.Moskë 2006, f. 57).

Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan:

“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi. Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahje nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Kujtime”.Shtëpia Botuese “Harvest”. Minsk 2002, f.77-79).

Në këtë mënyrë, Rusia përgatiste terrenin për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, që u konkretizua me vendimin e Konferencës së Londrës që u mor më 30 maj 1913. Sipas atij vendimi famëkeq, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Rusisë, mbetën ¾  e trojeve tona etnike.

Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste grekosllave.

Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka patur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan:

“Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Rusia cariste gjatë luftës botërore”. Shtëpia Botuese “Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskë 1991, f. 129).

Në takimin me ambasadorin francez, perandori rus i çelte rrugën zhdukjes një herë e mirë nga harta e Evropës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që mbeti pas Konferencës së Londrës, zhdukje që do të shpallej me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës që o mor më 26 prill 1915 dhe ku Rusia luajti violinën e parë.

Së pesti,në një bisedë që J.V. Stalini ka patur në muajin shkurt të vitit 1948 me një delegacion tëPartisë Komuniste të Jugosllavisë, të përbërë nga  M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja, është zhvilluar një dialog. Me këtë rast, M. Gjilasi kujton deklaratën e Stalinit:

          “- Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë!

          Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij… Unë përsëri fillova t’i shpjegoja:

          – Nuk duam ta gëlltisim, por të bashkohemi.

          Këtu ndërhyri Molotovi:

          – Po, kjo do të thotë ta gëlltisni.

          Ndërsa Stalini – përsëri me gjestin e tij:

          – Po, po, ta gëlltisni. Dhe ne jemi dakord me këtë, ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë, dhe sa më shpejt aq mëmirë” (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dheKosova.(Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104.

Pra, Stalini e ka deklaruar shkoqur se Shqipëria nuk paraqiste kurrfarë interesi për Rusinë, prandaj ajo duhej gëlltitur prej Jugosllavisë.

Por Stalini u kujtua për Shqipërinë vetëm atëherë kur Titoja i ktheu krahët dhe Jugosllavinë e orientoi drejt Perëndimit. Gjatë viteve 1948-1960 pati një intensifikim të marrëdhënieve të Rusisë me Shqipërinë, të cilat u konkretizuan në shumë fusha. Por si nxitje për ato marrëdhënie nuk u bë kurrsesi ndonjë “miqësi” që rusët “ushqenin” për shqiptarët. Përkundrazi. Në themel të atyre marrëdhënieve, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të Shqipërisë në Ballkan, qëndronin interesat madhore të Rusisë për të pasur një bazë të fuqishme ushtarake në bregdetin shqiptar, me qëllim që të konkurronte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pellgun e Mesdheut, ku lëvizte flota e gjashtë amerikane. Dhe rusët arritën që ta ngrinin një bazë të fuqishme ushtarake në Pashaliman.

          Së gjashti,siç u përmend më lart, skenat që përshkruan Sazonovi, kur opinioni publik rus, duke ushqyer “ndjenja miqësie” ndaj shqiptarëve, u ngrit peshë më këmbëkundër kombit shqiptar, duke dalë në mbrojtje të epsheve ekspansioniste të shovinizmit serbomadh pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u përsëritën 87 vjet më vonë, në pranverën e vitit 1999, kur aleanca veriatlantike doli në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës dhe filloi bombardimin kundër Serbisë.

Ja sesi përshkruhen ato skena:

“Siç është bërë e njohur, ajo që reagoi e para në Rusi, dhe më ashpër, ndaj agresionit të NATO-skundër Jugosllavisë, ishte “rruga”. Madje, përkundër deklaratave për gjoja pasivitetin e popullit tonë, “rruga” nuk pati ndër mend të priste kur po lëkundeshin organizatat politike. Që të nesërmen në mëngjes, pas fillimit të bombardimeve, përreth ambasadës së SHBA në Moskë, filluan të mblidhen turmat e egërsuara të njerëzve(Citohet sipas: Nikollaj Rizhkov, Vjaçesllav Tetjokin. “Golgota jugosllave”. Moskë 2002, f. 156).

Unitetin e opinionit publik rus rreth politikës zyrtare të Kremlinit, të drejtuar kundër popullit shqiptar të Kosovës, politikë kjo që merrte në mbrojtje mizoritë fashiste të Millosheviçit, masakrat e tij të egra në radhët e pleqve, grave dhe fëmijëve të pambrojtur shqiptarë, e dëshmon edhe vetë Presidenti Jelcin në kujtimet e veta. Ai deklaron:

“…gjendja shpirtërore e rusëve ishte me të vërtetëtejet alarmuese, e tensionuar.Njerëzit po e vlerësonin tragjedinë jugosllave si diçka shumë serioze për ta” (Citohet sipas: Boris Jelcin. “Maratona e Presidentit (përsiatje, kujtime, përshtypje)”. Shtëpia Botuese “ACT”. Moskë 2000, f. 291).

Rezulton se mbarë opinionit publik rus, që nga Vladivostoku e deri në brigjet e Balltikut, nuk i bënin kurrfarë përshtypjesh barbaritë e shovinizmit serbomadh kundër popullit shqiptar të Kosovës. Këto barbari atij nuk i ngjallnin kurrfarë emocionesh. Me sa duket, opinioni publik rus s’kishte ndonjë kundërshtim që popullin shqiptar të Kosovës Beogradi të vazhdonte ta trajtonte si ndonjë material inert, kundër të cilit Millosheviçi kishte nisur “buldozerët” e Arkanit dhe te Sheshelit për ta rrafshuar krejtësisht.

Çudi! Po si qe e mundur që, në valën e shprehjes së dashurisë së zjarrtë të rusëve për shovinizmin serbomadh, asnjë rus i vetëm, qoftë edhe në ndonjë cep të humbur të Rusisë, nuk u bë i gjallë dhe të shprehej se “rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”, siç deklaron zoti Leonid Abramov?! Pra, faktet dëshmojnë se deklarata e zotit ambasador është larg së vërtetës.

Së shtati, duke pasur parasysh faktin që rusët na i konsideruakan shqiptarët, demek, si “miq”, Presidenti rus, zoti Vladimir Putin, deklaron:

“Nuk e kuptojmë pse amerikanët kanë filluar fushatën e tyre për të islamizuar Evropën. Pasi shqiptarët të kenë gëlltitur Evropën, ata do të mundohen të shtrihen më tej, në kurriz të Maqedonisë” (Roland D. Asmus. “Një luftë e vogël që tronditi botën”. Palgrave, Macmillan, 2010. Pjesë nga biseda e Vladimir Putinit me Presidentin e Gjeorgjisë M. Saakashvili, f. 105-107. Citohet sipas: Dr. Islam Lauka & Prof.dr. Eshref Ymeri. “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”. Botim i Universitetit ILIRIA dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Prishtinë-Tiranë 2012, f. 169).

Deklarata e z. Putin, me të pavërtetat që përmban, zbulon urrejtjen që ai ushqen ndaj etnisë shqiptare me shumicë dërrmuese myslimane në Evropën Juglindore. Fushatën që ndërmori aleanca veriatlantike për bombardimin e Serbisë për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zhdukja fizike prej bandave fashiste të Millosheviçit, ai, në radhët e popullit rus, e reklamon si fushatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për islamizimin e Evropës. Çdo lexues me mendje të kthjellët i shtron vetes pyetjen: po si është e mundur, xhanëm, që një deklaratë e tillë paradoksale të dalë nga goja e Presidentit të një supershteti, siç është Federata Ruse? Jam i bindur se sikur President i asaj Federate të ishte një intelektual i shquar nga radhët e inteligjencies shkencore, artistike apo letrare ruse, ai kurrsesi nuk do t’ia lejonte vetes një deklaratë të tillë. Por zoti Putin nuk vjen nga radhët e intelektualëve të tillë. Ai vjen nga radhët e KGB-së, prandaj edhe nuk ka asgjë për t’u habitur nga deklarata e tij.

          Së teti,në vazhdim të deklaratës së zotit ambasador se “rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”, vijon një tjetër deklaratë e tij:

“…ajo që ka rëndësi është se ne nuk kemi probleme të karakterit politikë mes nesh.

Për fat të keq, edhe përmbajtja e kësaj deklarate është larg së vërtetës. Problemet politike mes nesh, Ministria e Jashtme Ruse i reklamon në të gjitha udhëkryqet e Evropës.

Në “Gazetën Shqiptare” të datës 04 korrik 2011 qe botuar një njoftim për një notë proteste që Rusia i paskej dërguar Tiranës zyrtare, në të cilën shprehej revolta e saj ndaj deklaratave për “Shqipërinë e Madhe”,të bëra nga ish-deputeti Azgan Haklaj. Me këtë rast, në notëprotestën ruse, të përcjellë prej zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Ruse, Aleksandër Llukasheviç, theksohej:

“…idetë nacionaliste të krijimit të një “Shqipërie të Madhe”, bien ndesh me përpjekjet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, që synojnë forcimin e sigurisë në rajon ndaj dhe duhet të marrin një reagim të përshtatshëm nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Pohime të tilla, që mbështeten në logjikën mesjetare, mund të çojnë në pasoja jashtëzakonisht negative”.

Sa herë që dikush prek, qoftë edhe kalimthi, çështjen kombëtare shqiptare, që, si një problem i mprehtë politik, vazhdon ende të mbahet pezull deri tani, në Rusi fillojnë të fryjnë erëra polare. Paskëtaj, kukuvajkat ruse, që nga Paqësori e deri në Balltik, fillojnë kujamën e tyre të pafundme, në të gjitha regjistrat e politikës ruse. Tashmë kombi shqiptar ka arritur të imunizohet plotësisht nga pasojat e mundshme të korit të vajtocave ruse. Dhe për qëndrueshmërinë e këtij imuniteti, kontribut të veçantë ka dhënë dirigjenti i tyre në Kremlin.

Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbarë -viçët e politikës ruse rrahën kambanat në të gjitha udhëkryqet e kontinentit tonë se pavarësia në fjalë do të sillte si rrjedhim një reaksion zinxhir që do të shkallmonte themelet e mbarë Evropës dhe pasojat e veta do t’i kishte në mbarë botën.

Madje ministri i jashtëm rus Sergej Llavrov pati deklaruar asokohe se Kosova na përfaqësuakej një vijë të kuqe, shkeljen e së cilës Kremlini nuk do ta lejuakej kurrë! Paradoksale!

Po mbushen gati pesë vjet e gjysmë që kur Kosova shpalli pavarësinë dhe nuk ndodhi asgjë. Themelet e Evropës mbeten atje ku ishin dhe mbarë bota nuk pati kurrfarë pasoje. Për inat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve kryesore të Bashkimit Evropian që e njohën shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, Rusia erdhi e u mbars mirrë e mirë nga mllefi dhe mëria që e pati kapluar keqas dhe një ditë të bukur polli dy “mijushë” të vegjël fare: pavarësinë e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut. Kjo e fundit me një popullsi prej rreth shtatëdhjetë mijë banorë. Pavarësia e Kosovës vajtocat ruse i la me gisht në gojë.

Tani që shumë figura të njohura nga radhët e intelektualëve shqiptarë, çështjen e ribashkimit të trojeve etnike shqiptare tash sa vjet e shikojnë me të drejtë si themelin e stabilizimit të përhershëm politik në Evropën Juglindore, përsëri fillojnë e dalin në skenë kukuvajkat e Kremlinit.

Sikleti i kukuvajkave ruse është i dyfishtë.

Nga njëra anë, ato i tremben shkallmimit të themeleve të perandorisë ruse, e cila vazhdon të mbahet në zap me forcën e armëve. Dëshmia më e pastër vjen nga rajonet e Kaukazit të Veriut, ku është krijuar në ilegalitet Emirati Kaukazian që bashkon të gjitha republikat myslimane të atij rajoni dhe që, nën surdinë, vazhdon luftën e pandërprerë për shkëputje nga neocarizmi rus.

Nga ana tjetër, ato e ndiejnë veten të fyera dhe të poshtëruara nga ngjarjet që u zhvilluan në ish-Jugosllavi gjatë bombardimeve të NATOS kundër Serbisë, si edhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të gjitha këto ngjarje shënojnë dështimin përfundimtar të politikës ruse në Ballkan.

Një analist rus, dështimin e kësaj politike e ka nxjerrë në pah që në verën e vitit 1999. Ai shkruante:“Një nga episodet më befasuese të epopesë ballkanike përcillet në deklaratën e Boris Jelcinit për “politikën e shkëlqyer që ka zhvilluar Rusia” gjatë ecurisë së krizës ballkanike, e cila na u kurorëzua me pjesëmarrjen e trupave ruse në operacionet paqeruajtëse në Kosovë. Kësisoj mund të deklarohet në dy raste: ose kur jeton në një botë imagjinare, duke humbur çdo lidhje me realitetin, ose duke i vlerësuar të gjithë bashkëqytetarët e vet, “rusët e dashur”, si budallenj me brirë. Se cila nga këto dy hamendje është më e papranueshme, kjo është një çështje e diskutueshme. Në Ballkan, politika e jashtme e Moskës pësoi një tjetër disfatë shkatërrimtare dhe, sipas gjasave, tashmë krejtësisht të pariparueshme”. (Citohet sipas: Aleksej Arbatov. “Shansi i fundit i Rusisë në Ballkan”. Botuar në “Njezavisimaja gazeta”. 15 korrik 1999).

Me sa duket, politika sedërpërlyer e Moskës kërkon ta mbajë me gajret Beogradin se “nuk do të jetë e mundur” rrudhosja e mëtejshme e trojeve serbe që banohen me popullsi rrënjëse shqiptare. Me fjalë të tjera , diplomacia dhe politika ruse, e keqlënduar nga ecja e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, kërkon të vetëngushëllohet me aksionet që ndërmerr kundër kombit shqiptar, duke u shtirur sikur nuk po i bie në të, që edhe Beogradi po i kthen krahët përfundimisht.

Kjo politikë, domosdo “largpamëse”, mundohet, gjithashtu, t’i gjendet pranë politikës së Grujevskit, për ta ngrohur këtë me shpresën se uniteti i Maqedonisë nuk do të cënohet në perspektivë nga prania e etnisë së madhe shqiptare në të, paçka se bashkëjetesa e saj me etninë maqedonase të kujton atë të vajit me ujin.

Duhet të jesh domosdo politikan rus që të deklarosh se aspirata e popujve për ndërtimin e një shteti kombëtar, me një stemë dhe një flamur, na qenka politikë mesjetare! Politikë mesjetare është politika ruse, e cila popujt e Kaukazit dhe të etnive të tjera joruse, vazhdon t’i mbajë nën zgjedhën e vet, pikërisht si në kohën e carizmit.

Së nënti, lidhur me pyetjen e zonjës Xhunga për marrëdhëniet ruso-shqiptare, zoti ambasador deklaron:“Për fat të keq, e njohim pak Shqipërinë moderne dhe shkaqet janë te mosmarrëveshjet e Hoxhës dhe Hrushovit. Për faj të tyre, u dëmtua edhe Shqipëria edhe Rusia, sepse na iku një ndër aleatët tanë në rajonin e Ballkanit.

Por pak më poshtë, zoti ambasador e çliron nga faji Hrushovin tërësisht, duke ia lënë atë në derë vetëm Enver Hoxhës. Ai deklaron:

“Rusinë dhe Shqipërinë prej kohësh i bashkonin marrëdhënie të mira që nëvitet ’50  dhe dy popujt nuk kanë faj që Hoxha prishi marrëdhëniet”.

Me këtë deklaratë,  zoti ambasador i bie në qafë pa të drejtë Enver Hoxhës dhe shtrembëron një të vërtetë historike. Faji për prishjen e marrëdhënieve ruso-shqiptare nuk është aspak i Enver Hoxhës. Fajin kryesor për prishjen e atyre marrëdhënieve e kishte Hrushovi kryekëput. Prej datës 25 maj deri më 03 qershor të vitit 1959, Hrushovi bëri një vizitë në Shqipëri. Nga ajo vizitë, Enver Hoxha, me nuhatjen e hollë të një politikani të etur për pushtet, e kuptoi se ku donte të dilte Hrushovi: ai kërkonte ta zëvendësonte Enver Hoxhën me një tjetër figurë nga radhët e udhëheqjes shqiptare, ashtu siç kishte vepruar me krejt udhëheqësit e vendeve satelite të Evropës Lindore, të cilët i trajtonte thjesht si kukulla në duart e veta. Por me Enver Hoxhën i ngeci sharra në gozhdë se Enver Hoxha i tha: “ndalu beg se ka hendek!”. Pas fjalimit të Enver Hoxhës në Konferencën e 81 partive komuniste dhe punëtore që u zhvillua në Moskë në nëntor të vitit 1960, fjalim, në të cilin ai ia përplasi në fytyrë Hrushovit pikëpamjet e veta, ky i fundit mori vendimin për prishjen tërësore të marrëdhënieve me Shqipërinë, shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara dhe prerjen menjëherë të marrëdhënieve diplomatike, duke larguar me nxitim ambasadën ruse nga Tirana. Pra, marrëdhëniet me Shqipërinë i preu përfundimisht Hrushovi dhe jo Enver Hoxha. Pas këtij vendimi të Hrushovit, në mjetet e informimit masiv rus, çdo lloj informacioni për Shqipërinë u vu në karantinë të plotë, a thua se vendi ynë nuk ekzistonte më fare në rruzullin tokësor. Asokohe ishte rasti më ideal që Enver Hoxha ta kthente timonin drejt Perëndimit. Por ai, si stalinist i betuar që ishte dhe i etur për pushtet personal, e vazhdoi rrugën edhe më larg drejt Lindjes.

Së dhjeti, kam respekt për emisionet e znj. Rudina Xhunga dhe për horizontin e saj të gjerë kulturor. Por mendoj se herë tjetër, kur të qëllojë të ftojë në intervista ambasadorë pasardhës të Federatës Ruse në vendin tonë, ajo duhet t’i kthejë ato edhe në intervista-debat, për të mos i lejuar ata të shtrembërojnë ca tëvërteta historike në raportet e Rusisë me Shqipërinë dhe, në tërësi, me etninë shqiptare në Evropën Juglindore.Ndofta zonjës Xhunga nuk i ka rënë ende në dorë libri që përmenda më lart me titull “Antologjia e Kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”, në 321 faqet e të cilit , mbi bazën e dokumenteve origjinale, zbulohet lakuriq politika tradicionalisht e egër, armiqësore, e Rusisë kundër kombit shqiptar dhe sidomos kundër popullit shqiptar të Kosovës pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe deri në ditët tona.

Në mbyllje të këtyre shënimeve, dëshiroj të theksoj se ambasadorët rusë, para se të fillojnë të japin intervista në kanalet televizive të Tiranës, do të ishte në nderin e tyre, që, si përfaqësues të politikës së jashtme ruse, të dilnin para publikut shqiptar me një pendesë, me një ndjesë të sinqertë, për krimet e rënda që Rusia ka kryer me ndërhyrjet e veta të drejtpërdrejta dhe vendimtare për copëtimin e trojeve tona etnike, duke mbjellë farën e urrejtjes mes fqinjve tanë grekosllavë.(Tiranë, 13 korrik 2013)

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: duhet t'i kerkoje, Kombit Shqiptar, ndjese, Prof. dr. eshref Ymeri, Rusia

Një njeri me shumë komplekse nuk mund të zgjidhet në krye të shtetit

March 15, 2014 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/ (Rasti Janukoviç)/

 Në samitin e “Partneritetit Lindor” që i zhvilloi punimet në Vilnus, kryeqytet i Lituanisë, më 28-29 nëntor 2013, Ukrainës iu propozua të nënshkruante marrëveshjen e asocimit me Bashkimin Evropian. Por Presidenti i Ukrainës Janukoviç nuk pranoi ta nënshkruante një marrëveshje të tillë, sepse theksin e kishte vënë te domosdoshmëria e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike me Rusinë dhe me Bashkësinë e Shteteve të Pavarura (ish-republikat sovjetike).

          Kancelarja gjermane Anxhela Merkel, që para fillimit të takimit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Samitin e Vilnusit, kishte theksuar se ajo nuk priste që Kievi ta nënshkruante marrëveshjen në këtë samit, por shpresonte se një gjë e tillë do të arrihej në të ardhmen. Kurse Kryetari i Parlamentit Evropian Martin Shulc, deklaroi se diçka do të ndryshonte në Ukrainë kur të zgjidhet një tjetër president dhe një tjetër parlament.

Tashmë dihet që kundërshtimi i Janukoviçit për nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, solli si pasojë tërmetin e fortë politik  të opozitës proevropiane në Kiev që u shoqërua me rreth 100 viktima dhe qindra e qindra të plagosur dhe që u mbyll me largimin e Janukoviçit nga pushteti dhe me përmbysjen e qeverisë së tij.

Kur lexon jetëshkrimin e Janukoviçit në internet në ukrainisht dhe në rusisht, rezulton se gjithçka përshkruhet me ngjyrat e ylberit. Por tani, kur Janukoviçi ka përfunduar në një hiç njeri, sipas përcaktimeve që i bën edhe elita e lartë politike e Kremlinit, dalin në dritë ca gjëra të panjohura në jetëshkrimin e tij.

Ish-këshillëtarja dhe zëvendëskryetarja e administratës së Janukoviçit, zonja Ana German (1959), në një intervistë ekskluzive për agjencinë Le Monde, ka zbuluar ca të fshehta nga jeta e Janukoviçit dhe nga koha e qeverisjes së tij gjatë katër vjetëve të kaluara (që prej 09 shkurtit të vitit 2010 kur ai u zgjodh president). Ajo deklaron:

          “Presidenti Janukoviç vuante nga shumë komplekse. Gjithçka pati nisur që në fëmijëri. Janukoviçi mbeti pa nënë, i ati u martua përsëri, njerka sillej shumë keq me të dhe ai shkoi për të jetuar te gjyshja. Përfundoi në rrugë, mes banditëve. Ra në burg, në fillim një vit, duke qenë në moshë të mitur, pastaj përsëri në burg në moshë të rritur, tashmë për punë sherresh. Si përfundim, ai gjithmonë pati synuar të vinte sa më shumë pasuri dhe të merrte revanshin… Njerëzit që kanë qenë në burg nuk duhet të marrin detyra që të ushtrojnë pushtet sepse kushtet e burgut thjesht e thyejnë njeriun” (Citohet sipas: Ana German. Nëse Janukoviçi është gjallë, ka shumë mundësi që atë ta arrestojnë”. Marrë nga faqja e internetit “liga.net”. 27 shkurt 2013).

Dhe revanshin Janukoviçi e mori: arriti të bëhej president i Ukrainës. Dhe pasurinë e vuri kolosale.

Anders Aslund (1952), bashkëpunëtor i vjetër shkencor i Institutit të Ekonomisë “Paterson” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, specialist kryesor për ekonominë e Ukrainës në Amerikë, ka lëshuar këtë deklaratë në gazetën angleze Financial Times:

          “Gjatë katër vjetëve të fundit, qëllimi i vetëm i Janukoviçit ishte pasurimi i familjes së vet dhe i njerëzve të afërm. Sipas vlerësimeve të bëra, pasuria e familjes së tij arrin në 12 miliardë dollarë. Hapi i parë që duhet të ndërmerret është zbulimi dhe ngrirja e aktiveve që familja e Janukoviçit dhe rrethi i tij i afërm ia kanë grabitur popullit të Ukrainës. Kievi ka nevojë për një ndihmë energjike ndërkombëtare për t’i gjetur dhe për t’i konfiskuar këto pasuri të grabitura. Ato mund ta përmirësojnë në një mënyrë të konsiderueshme gjendjen financiare të Ukrainës” (Citohet sipas: “Janukoviçi i ka vjedhur popullit të Ukrainës 12 miliardë dollarë, – eksperti amerikan”. Marrë nga faqja e internetit “rupor.info”. 26 shkurt 2014).

Në intervistën e vet, zonja German nxjerr në pah.  edhe diçka interesante në figurën e Janukoviçit: pavendosmërinë e tij karakteristike, si president i vendit.      Pavendosmëria është një e metë fatale në veprimtarinë shtetërore të një udhëheqësi. Ajo është me pasoja të pariparueshme, sidomos në çastet e kthesave vendimtare në jetën e një vendi. Por duhet theksuar se pavendosmëria në raste të tilla duhet ta ketë burimin gjetiu dhe si zor të pranohet që ajo të jetë vetëm një tipar i lindur në formimin e karakterit të një udhëheqësi. Prandaj, nga sa deklaron zonja German, e cila e ka njohur nga afër Janukoviçin, rezulton se ky paska qenë thjesht një kukull në krye të Ukrainës, të cilën, në prapaskenë, e komandonte dikush tjetër.

Sipas fjalëve të zonjës German, pas shtypjes së dhunshme të protestës së studentëve në Kiev më 30 nëntor 2013, fill pas kthimit të Janukoviçit nga Vilnusi, ajo i bëri thirrje atij që t’i dënonte dhunuesit e studentëve, duke vënë në lëvizje organet hetimore. Por Janukoviçi nuk mori asnjë masë. Ajo deklaron:

“Janukoviçin e mori në qafë pavendosmëria… Mua më duket se në ngjarjet që rrodhën më pas, qe përzier një forcë e tretë. Unë nuk kam prova, po shpreh vetëm hamendje… Sa herë që ne fillonim t’i mbushnim mendjen për diçka, binte zilja e telefonit dhe ne duhej të largoheshim nga kabineti. Kur ne ktheheshim brenda, ai qe shndërruar tashmë në një tjetër njeri” (po aty).

          Vetë zonja German nuk e pranon haptas, por kuptohet açik se cila na paska qenë ajo forca e tretë që qe përzier në ngjarjet e Kievit dhe cili ishte ai njeriu misterioz që i telefononte Janukoviçit pikërisht në çastet kur këshillëtarët e tij mundoheshin ta kandisnin për të vepruar. Me sa duket, në administratën e Janukoviçit ka pasur informatorë të Kremlinit, të cilët e vinin në dijeni menjëherë Putinin për situatat “e sikletshme” që i krijonin kukullës së tij këshillëtarët që kishte rreth e rrotull. Dhe në raste të tilla, domosdo, Putini ngrinte receptorin dhe thërriste në raport Janukoviçin, i cili, për të qenë vetëm për vetëm me again e Kremlinit në telefon, këshillëtarët e vet i përzinte nga kabineti.

Vetë zonja German shpreh zhgënjimin e saj të thellë me figurën e Janukoviçit, pikërisht ato ditë kur nuk kishte ende asnjë njoftim se ku ishte fshehur ai:

“Unë nuk doja që ai të arratisej me njollën e turpit në ballë, unë doja që ai të dilte i humbur me dinjitet… Nëse është gjallë, ka shumë mundësi që atë ta arrestojnë. Vdekja do ta çlironte atë nga turpi” (po aty).

Ndërkohë, pasi u bë e njohur që Janukoviçi ishte arratisur fshehurazi për në Rusi dhe në mbrëmjen e 28 shkurtit kishte dhënë një konferencë shtypi në qytetin rus Rostov mbi Don, nëpër faqet e internetit filluan të qarkullonin njoftime herë për vdekjen e tij të papritur, herë për gjendjen e rëndë shëndetësore pas një goditjeje në zemër. Me këtë rast, ish-Kryetari i Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës Ivan Smeshko deklaroi:

“Ish-presidenti bëri shumë gabime dhe krime fatale. Gabimi më fatal ka qenë arratisja e tij për në Rusi. Ai është mbartës i një informacioni kritik për bëmat e vërteta të pushtetit suprem rus gjatë këtyre viteve në territorin e Ukrainës dhe për bashkëpunimin e vërtetë në çështjet financiare dhe ekonomike. Mbartësi i një informacioni të tillë nuk i duhet askujt kur ai fillon të thotë të vërtetën” (Citohet sipas: Smeshko: tani nuk ka informacion të saktë nëse Janukoviçi është gjallë”. Marrë nga faqja e internetit “LB.ua”. 06 mars 2014).

Me sa duket, zoti Smeshko e zgjidhi enigmën që mundonte zonjën Ana German se cila na qenkej ajo forca e tretë që ishte përzier në ngjarjet e Kievit.

Por përveç këtyre të dhënave interesante të Ivan Smeshkos, një tjetër informacion hedh edhe më shumë dritë mbi rolin prej kukulle të Kremlinit që luante Janukoviçi në krye të shtetit të Ukrainës.

Pas arratisjes së tij nga Ukraina për në Rusi, njerëzia, nga Sheshi Majdan i Kievit, u dyndën drejt Mezhigories ku ndodhej rezidenca e Janukoviçit, në fshatin Novije Petrovci, 31 km larg nga Kievi. Mes shumë gjërave befasuese që gjetën aty, atyre u ra në dorë edhe një bllok shënimesh i kreut të truprojës së Janukoviçit, me emrin Konstantin Kobzar.

Nga faqet e atij ditari, del në dritë e vërteta për qëndrimin e Janukoviçit ndaj zhvillimit të ngjarjeve në Kiev. Me këtë rast, mbështetur në të dhënat e këtij blloku shënimesh, gazeta “Ukrainskaja Pravda” shkruan:

“Çfarë e detyroi Janukoviçin t’i hidhte zjarr benzinës dhe të provokonte acarimin e protestuesve, pas të cilit ai mori tatëpjetën? Ai po ecte sipas skenarit të Kremlinit, kurse rrugët e arratisjes së tij qenë parashikuar që disa muaj para ngjarjeve të përgjakshme. Në dhjetëditëshin e parë të janarit, Janukoviçi pati një takim të fshehtë me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë të cilit qenë përcaktuar veprimet që duhej të ndërmerrnin autoritetet e Ukrainës që kishin për qëllim shtypjen e plotë të protestave dhe aprovimin e ligjeve represive. Këto fakte zbulohen në ditarin e drejtuesit të truprojës së Janukoviçit, ish-bashkëpunëtorit të Drejtorisë Qëndrore të Zbulimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Konstantin Kobzarit. Kobzari ishte jo vetëm drejtues i truprojës, por edhe referent i Janukoviçit. Ai mbante shënim me hollësi të gjitha direktivat, si edhe telefonatat e personave me ndikim të madh. Me porosi të shefit të tij, Kozbzari merrte në dorëzim shuma kolosale parash, të cilat i përcilleshin Janukoviçit si punë ryshfetesh. Për shërbimin me besnikëri ndaj shefit të vet, Janukoviçi e pati graduar Kobzarin me një shpejtësi marramendëse: nga kapiten në fund të vitit 2009, në gjeneralmajor në ditën e pavarësisë së Ukrainës në vitin 2013. Takimi i fshehtë i Janukoviçit me Putinin, u zhvillua më 8 janar 2013, në rezidencën e presidentit rus në Valdaj (krahina e Novgododit që shtrihet në jug të krahinës së Leningradit me kryeqendër Peterburgun – E.Y.). Për këtë takim të fshehtë, dëshmohet në ditarin e Kobzarit” (Citohet sipas: “Takimi i fshehtë i Janukoviçit me Putinin dhe sekrete të tjera”. Marrë nga faqja e internetit “charter97.org”. 11 mars 2014).

Pra, Putini, me ndihmën e kukullës së tij Janukoviç, vuri në jetë skenarin e ngjarjeve të përgjakshme në Kiev, të cilat pastaj i shfrytëzoi si vjegë për të futur trupat ruse në Krime, ku banorë rusë, të orkestruar nga Kremlini, dilnin në protestë me pankarta në duar, ku shkruhej:

“Rusi, na mbro nga gjenocidi që ushtrohet ndaj nesh”!!!

Mbi figurën e Janukoviçit, hedh dritë edhe një personalitet i huaj, ish-presidenti i Polonisë Aleksandër Kvasnjevski (1954) me dy mandate (1995-2005).

Në një intervistë që ka dhënë gjatë vizitës në Vilnus më 27 shkurt 2014, ai ka deklaruar:

“Njerëzit dolën në Majdan për të protestuar sepse qenë zhgënjyer nga korrupsioni, nga qeverisja, nga premtimet e pambajtura, nga niveli i ulët i politikës, nga mungesa e moralit në politikë. Pa shikoni se çfarë rezidencash qenë zbuluar, dhe jo vetëm ajo e Janukoviçit. Kur pashë rezidencën e ish kryeprokurorit Viktor Pshonka, ajo ishte diçka jashtë imagjinatës” (Citohet sipas: Egle Samoshkajte (intervistuese). “Kvasnjevski: ideja për të tërhequr në qeveri përfaqësues të Majdanit, është e arsyeshme”. Marrë nga faqja e internetit “ru.delfi.lt”. 27 shkurt 2014).

Në këtë intervistë, zoti Kvasnjevski zbulon edhe një tjetër tipar në personin e Janukoviçit, mungesën e theksuar të karakterit të tij:“Kemi kaluar së bashku më shumë se 50 orë. Mund të them se është një figurë origjinale. Ai është ithtar i dorës së fortë, i cili e mbante në grusht partinë e vet. Fatkeqësisht, ai rezultoi i tillë njeri që nuk i kuptoi rregullat e lojës. Ai vazhdimisht mashtronte, asnjëherë nuk e mbante fjalën dhe, më në fund, e humbi besimin jo vetëm në Evropë, por edhe në Moskë. Arratisja e tij, gjithashtu, diçka do të thotë. Besoj se ai e ka pas ndier që te Moska nuk mund të shpresojë më… Gabimin e tij kryesor, për mendimin tim, e përbënte fakti që ai nuk ishte i aftë të komunikonte me njerëzit normalisht” (po aty).

Siç rezulton nga faktet e sipërcituara, kushdo mund të hamendësojë me plot të drejtë se Kremlini, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në fund të vitit 2009 dhe në fillimin e vitit 2010, duhet të ketë harxhuar shuma kolosale për të vendosur në krye të Ukrainës një president-kukull, si puna e Janukoviçit. Vendosja e një presidenti të tillë në krye të vendit ka patur për qëllim mbajtjen e Ukrainës sa më larg Evropës, për ta pasur, ashtu si edhe Bjellorusinë, si një shtet “goditjezbutës” në rast të ndonjë acarimi të mundshëm afatgjatë me Perëndimin. Përveç kësaj, interesat e Kremlinit e donin që një president i tillë ta çonte Ukrainën drejt një varfërimi total, që ajo të katandisej në një lypsare e rëndomtë “nëpër dyert” e Rusisë. Dhe, nënkutohet, një shtet lypsar domosdo që do të zhvishet nga çdolloj vetvetësie kombëtare dhe ndjenjat nacionaliste do të varrosen një herë e përgjithmonë. Një objektiv i tillë, qoftë në planin taktik, qoftë në planin strategjik, për Kremlinin bëhej edhe më i lehtë për t’u arritur, duke pasur në thes presidentin e vendit dhe, automatikisht, edhe elitën qeverisëse. Por, në këtë jetë, praktika të mëson se planet që ndërton një individ, një kolektiv, një njësi e caktuar administrative apo edhe një shtet i tërë, jo gjithmonë ecin në shinat e paracaktuara. Sidomos kur planet janë të gatuara me tharmin e djallëzisë dhe të pabesisë brenda. Si në rastin e planeve të Kremlinit në raport me Kievin.

Me këtë rast duhet theksuar se ndërhyrja e Kremlinit për zgjedhjen e Janukoviçit në postin e Presidentit të Ukrainës më 09 shkurt 2010, nuk mbetet vetëm brenda kuadrit të hamendjeve. Fakti i mëposhtëm flet shkoqur fare dhe pa asnjë mëdyshje se mjetet financiare të Kremlinit për një zgjedhje të tillë duhet të kenë qenë kolosale dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë:

“Në mbrëmjen e së dielës (02 mars 2014 – E.Y.) kryeministri dhe kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse vlerësuan perspektivat e Viktor Janukoviçit. Në fillim kryetarja e Këshillit të Federatës Valentina Matvijenko deklaroi se Rusia nuk ka në plan “ta ulë në kolltuk” përsëri zotin Janukoviç” (Citohet sipas: Ivan Sinjergijev. “Autoritet zero”. Marrë nga faqja e internetit “kommersant.ru”. 03 mars 2013).

Tani Janukoviçi dhe elita e tij e korruptuar deri në vesh, u largua me turp nga skena politike e Ukrainës. Por sfidat për Ukrainën do të jenë të rënda edhe në perspektivë. A është e sigurtë dhe a duhet të besojnë njerëzit e thjeshtë të Ukrainës se pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, do të vijnë në pushtet përfaqësues të një klase politike me dinjitet kombëtar që të dinë të qeverisin në atë mënyrë që jetesa e popullit të vijë duke u përmirësuar vazhdimisht? Apo nga radhët e asaj klase politike do të dalin në skenë të tjerë përbindësha, si puna e Janukoviçit apo e kryeprokurorit Pshonka me kompani? Dyshimet nuk të lënë rehat. Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Aq më tepër që Kremlini artin e korruptimit të ekipit qeverisës në Ukrainë e ka përvetësuar deri në përsosmëri.

Me këtë rast, në mbështetje të dyshimeve të mia, dëshiroj që lexuesve të nderuar t’u sjell në vëmendje një deklaratë fort kuptimplote të një personaliteti të shquar të Ukrainës, zotit Dmitri Vidrin (1949), politikan, politolog, publicist, këshilltar i katër presidentëve, deputet i  parlamentit i sesionit të pestë:

Gjatë kohës që president i vendit ishte Viktor Jushenko (1954), Dmitri Vedrini ka formuluar në një mënyrë kuptimplote thelbin e idesë origjinale kombëtare të Ukrainës “së pavarur”:

“Tradhtia përbën atë fundament mbi të cilin po qëndrojmë, mbi të cilin ne kemi ndërtuar jetëshkrimet, karrierat, fatet tona dhe gjithçka tjetër. Ne kemi tradhtuar gjithçka. Ne kemi bërë një betim dhe kemi puthur një flamur. Pastaj e kemi tradhtuar këtë betim dhe këtë flamur, kemi filluar të puthim një tjetër flamur. Pothuajse të gjithë udhëheqësit tanë kanë qenë ish-komunistë, të cilët bëtoheshin për disa ideale, kurse mandej i patën mallkuar ato ideale, për të cilat qenë betuar. Nga gjithë ky veprim tërësor, ku ka pasur mijëra tradhti të vogla, të mëdha dhe mesatare, në thelb, erdhi e lindi ky vendi ynë. Erdhi e lindi politika ukrainase, erdhi e lindi botëkuptimi dhe morali ynë” (Citohet sipas: “Kujtime të një njeriu naiv në hartën e korrigjuar të qiellit. Janukoviçi nuk tradhtoi, atë e tradhtuan”. Marrë nga faqja e internetit “russkiy malchik”. 27 shkurt 2014).

14 mars 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: drejtuesi i shtetit, njeriu me komplekse, Prof. dr. eshref Ymeri

Tërmetet politike mes Kievit dhe Moskës me prapavijë shumëshekullore

February 24, 2014 by dgreca

Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

Ukraina dhe Rusia kanë një histori të përbashkët të kahershme. Prandaj jo më kot Kievi shpesh herë quhet si “nëna e qyteteve ruse” dhe vlerësohet si djepi i qytetërimit ortodoks sllavianolindor. Rusia Kieviane (ky shtet kështu është quajtur në Evropën Lindore në shekujt e mesjetës) konsiderohet prej të dy vendeve si pararendësja e tyre historike.Pas dyndjes tataromongole drejt Rusisë Kieviane në vitet 1237-1242, fatet e popullit rus dhe të popullit ukrainas u ndanë nga njëri-tjetri. Sundimi tataromongol vazhdoi dy shekuj me radhë. Në Rusinë verilindore ky sundim vazhdoi deri në vitin 1480, ndërkohë që në tokat e tjera kjo zgjedhë u hoq qafe në shek. XIV, pas fitores së trupave ruse të udhëhequra nga Dmitri Donskoj në betejën e Fushës Kulikovo të vitit 1389.

Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit në Kiev, të shoqëruara me shumë viktima dhe të plagosur, e kanë zanafillën te mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Evropian prej Presidentit Janukoviç në nëntorin e vitit të kaluar dhe te kthimi i timonit drejt Moskës në çështjet e tregtisë. Por, në të vërtetë, mosnënshkrimi i marrëveshjes në fjalë shërbeu thjesht si pretekst për shpërthimin e krizë politike.

Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Unë kam një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshiroj të shfletoj informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive.

Prandaj e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët:

“Kohët e fundit, rusët gjithmonë e më shpesh po ankohen për faktin se nëpër faqet e internetit po përplasen me shfaqjet e një urrejtjeje “të pakuptueshme” nga ana e “vëllezërve” ukrainas. Se, demek, ngado që hedhin sytë në faqet e internetit, ata gjithandej lexojnë pikërisht sharjet dhe ofendimet e këtyre “vëllezërve”. Se, që ta merrni vesh, më herët, rusët ushqenin një simpati të madhe ndaj ukrainasve (se gati secili në fisin e vet e ka një të afërm ukrainas), kurse tani pyesin veten në hutim e sipër:

“Cila është arsyeja që ukrainasit na urrejnë kaq shumë?”

I dëgjova sa i dëgjova një copë herë të mirë të gjitha ankesat e tyre, të shoqëruara me lot, dhe pastaj i dhash karar që t’ua shkoqitja mirë e mirë “vëllezërve” tanë se cila është arsyeja që ukrainasit ushqejnë kaq shumë urrejtje ndaj tyre dhe se çfarë duhet bërë që gjithçka të nisë që nga fillimi.

Për fjalë të nderit, mua më habit paksa zemërata e rusëve lidhur me agresionin leksikor dhe me urrejtjen që ukrainasit ushqejnë ndaj tyre. Prandaj po ju drejtohem sikur të isha në një bashkëbisedim me ta:

Tani, që t’i themi gjërat açik, çfarë dëshironi ju? Ju na shisni atë gazin tuaj të qelbur me çmimin më të lartë në Evropë dhe pastaj i hapni sytë kokërdhok se pse ukrainasit ju shajnë nga nëna e nga baba poshtë e përpjetë. Sigurisht që do të shfajësoheni se në këtë mes e ka fajin Putini, se rusët e thjeshtë s’kanë gisht në këtë mesele. Jo more! Po këtë gjel të fryrë kush e zgjodhi president për të tretën herë? Kush e ngre deri në qiell këtë farë burri? Tani atë, sigurisht, nuk e kanë fort qejf, por prapëseprapë në Rusi nuk janë të paktë ata që mendojnë me prapanicë, të cilët i kanë dalë krah carit të mbarë Rusisë në të gjitha nismat e tij, përfshirë këtu edhe politikën që drejtohet kundër Ukrainës.

Por nejse, sikur halli të ishte vetëm te gazi. Por gjelat tuaj të Kremlinit ia kanë bërë trutë dhallë Ukrainës jo aq për atë punën e gazit, sesa për të gjitha gjërat e tjera që kanë të bëjnë me punët tona të brendshme.

Le të marrim qoftë edhe punën e gjuhës. Ç’ju hyn në hesap juve se ç’gjuhë flasin njerëzit në Ukrainë? Si-si? Ju dashkeni që rusët etnikë që jetojnë në Ukrainë të flasin në gjuhën amtare? Jo more! Po ju a ua keni krijuar këtë mundësi ukrainasve etnikë që jetojnë në Rusi? Atëherë çfarë pretendimesh paskeni ndaj nesh? Se që të kërkosh diçka, në fillim duhet të japësh shembullin personal dhe mandej t’u rrokanisësh kokën të tjerëve për të drejtat e veta.

Po ç’thotë historia? Ç’ju hyn në qese juve se cilët janë heronjtë tanë kombëtarë? Ju shikoni historinë tuaj. Heronjtë tanë, së paku, kanë luftuar kryesisht kundër okupatorëve dhe jo kundër popullit të vet. Dhe ç’keni që na qortoni orë e çast për faktin që ne zhvillojmë një politikë antiruse, duke lëvduar ata që kanë luftuar kundër Moskës. Mos ne u kemi akuzuar gjë vallë për faktin që Rusia zhvillon politikë antiukrainase, duke ngritur në qiell Pjetrin e Parë (1672-1725) që e shkoi në thikë Baturinin (kryeqytet i kozakëve të Ukrainës në shek. XVII-XVIII – E.Y.) dhe shkatërroi qendrat administrative usharake, ose duke i thurur lavde careshës Ekaterina (1729-1796) që likuidoi udhëheqësit ushtarakë ukrainas dhe shkatërroi për herë të dytë qendrat administrative ushtarake dhe vendosi në Ukrainë të drejtën e bujkrobërisë?

Po ç’i keni gjithë këto thirrje për bashkim? Ju menduakeni se ky na qenka qëndrim vëllazëror, të bësh thirrje për bashkim, duke mbjellë frikën me këtë rast me gjithfarëlloj komplikacionesh që mund të lindin për udhëheqësit ukrainas në rast se Ukraina nuk jep pëlqimin për aleancë doganore me Rusinë? Jo, këtij nuk i thonë qëndrim vëllazëror, këtij i thonë qëndrim shtazëror! Po ç’janë ato kërcënime për të dhënë një goditje bërthamore kundër Krimesë në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s? Ju e quakeni normal një qëndrim të tillë?

Është e natyrshme që dikush do të thotë se politika nuk duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet e popujve. Demek, na qenkan politikanët këta me trurin kryq që provokuakan konflikte, kurse populli i thjeshtë laka duart në këtë mes. Me gjithë mend e keni! Juve ju paska mbetur hatëri për faktin që ukrainasit nuk u shprehkan siç duhet për ju nëpër faqet e internetit. Po ju lexoni në fillim se çfarë shkruajnë për ukrainasit në internet bashkatdhetarët tuaj që vuajnë nga mania e madhështisë dhe nga hemoroidet e shovinizmit rusomadh.

Mos ju menduakeni se neve, ukrainasve, na vjen mirë të lexojmë se, demek, qenkemi popull i paqenë, se paskemi tradhtuar “gjirin”, pardon, emrin e vet “rrënjës”, domethënë “rus” dhe lloj-lloj përçartjesh të tjera? Dhe mandej lini mendjen kur ndonjë ukrainas, “pa ndonjë arsye”, ju shan në themel e në çati?

Ju pyesni se çfarë duhet bërë “për ta kthyer gjithçka ashtu siç ka qenë”? E po, sa për sefte, duhet ta pranoni se “siç ka qenë” asnjëherë nuk ka qenë.

Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.

Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani  (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.

Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.

Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.

Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët fiilluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.

Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.

Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Majdan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!

Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Marrë nga faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).

Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante të zotit Vadim Gontarenko, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në shtepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:

 

Brune, bëni qejfin tuaj,

Por jo me moskalë*,

Se moskalët janë të huaj,

Kanë për t’ju tallë.

 

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 8 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë “në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet…Në periudhën fillestare të okupimit, komanda gjermane u mundua ta kthente potencialin nacionalistofetar të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (ONU) kundër pushtetit sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe… Organizata shpërtheu luftën kundër dy armiqve – kundër Bashkimit Sovjetik dhe kunër Gjermanisë” (Citohet sipas: Valer Jaremenko. “Shpërthimet e  separatizmit ukrainas”. Politiçeskij zhurnall, nr. 12 (63), 4 prill 2005, f. 80).

Pikërisht këto janë arsyet e acarimeve mes këtyre dy vendeve sllave që  vazhdojnë edhe tani. Ndërkohë, Kremlini, për destabilizimin e situatës në Ukrainë, ka kërkuar me kohë të krijojë vatra tensioni, si ato që krijoi në Gjeorgji, duke nxitur Abhazinë dhe Osetinë e Jugut për shkëputje nga Gjeorgjia. Me kalimin e kohës, në mjetet e informimit masiv rus, ka pas qenë krijuar psikoza se edhe Ukraina ka një “Abhazi” dhe një “Oseti të Jugut” brenda vetes. Me “Abhazi” nënkuptohet zona e Transkarpateve dhe me “Oseti të Jugut” nënkuptohet Krimeja (republikë autonome), të cilat, sipas parashikimeve që bëhen, Rusia ka filluar t’i nxisë për shkëputje nga Ukraina.

Kështu, ish-drejtuesi i sekretariatit të presidentit Jushenko, Viktor Baloga, në efirin e programit “E bardha dhe e zeza” të kanalit televiziv TVI, pati deklaruar dikur:“Krimeja mund të ketë fatin e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut” (Citohet sipas faqes së internetit në gjuhën ruse. 26 prill 2010).

Më 19 prill 2010, partia politike “Ukraina Jonë”, me  rastin e vizitës së presidentit Viktor Janukoviç në Lvov, pranë administratës shtetërore të qarkut organizoi një protestë masive me thirrjen: “Të ndalet sulmi i Moskës”. Në atë protestë morën pjesë edhe parti të tjera atdhetare dhe organizata shoqërore, në bashkëveprim me organizatat studentore të qytetit.

Në faqen e internetit po të datës 19 prill 2010, thuhej gjithashtu: “Në Transkarpate Ukraina ka shkelur mbi sfurkun e Bashkimit Sovjetik”. Madje arrihej deri në një deklaratë më kategorike: “E ardhmja e Ukrainës në Transkarpate është e dështuar”.

Asokohe u botua në shtyp edhe një pikëpamje ekstremiste e udheheqësit çeçen Ramzan Kadirov,  i cili, si vegël e bindur e Kremlinit, në gazetën angleze “The Telegraph” i bënte thirrje Moskës për të marrë masa të skajshme, deri edhe agresion të hapur. Sipas këndvështrimit të tij, Gjeorgjia dhe Ukraina janë ato që i shkaktojnë Rusisë dhembje koke dhe prandaj është e domosdoshme që Rusia ato t’i heqë qafe. Ai deklaronte:

“Kjo është tragjedia personale e Rusisë. Pse u dashka që ne të vuajmë gjithmonë, përderisa mund ta asgjësojmë thjesht fare atë që na pengon? Ne jemi të fuqishëm, ne kemi gjithçka: ushtri, teknologji. Ne duhet të sulmojmë” (Citohet sipas: “Kadirovi i bëri thirrje Rusisë t’i heqë qafe Gjeorgjinë dhe Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “newsland”. 24 dhjetor 2009).

Kurse me rastin e ngjarjeve të fundit, guvernatori i Harkovit Mihail Dobkin, doli me një propozim që lë të dyshosh se ai është për ndarjen e Ukrainës. Ai “propozon zhvendosjen e institucioneve shtetërore nga Kievi në Harkov” (Citohet sipas: Guvernatori i Harkovit del me propozimin për zhvendosjen e kryeqytetit të Ukrainës në Harkov”. Marrë ma faqja e internetit “avmalgin”. 21 shkurt 2014).

Në një njoftim tjetër thuhet:

“Shtet qendror në Ukrainë pothuajse nuk ka, banorët e pjesës perëndimore korrën fitore, kurse juglindja rri me zemrën pezull, duke u përgatitur gati për rezistencë të armatosur ndaj pushtetit të ri, ndërkohë që parlamenti i Krimesë po diskuton me seriozitet largimin nga juridiksioni i Ukrainës dhe bashkimin e paskëtajshëm me Rusinë” (Citohet sipas: Mihail Belajev. Çështja e Krimesë”. Marrë nga faqja e internetit “belyaev”. 22 shkurt 2014).

Në linjën e arsyetimit për shpërbërjen e Ukrainës, vjen edhe deklarata e kryetarit të partisë komuniste të Federatës Ruse Genadi Zjuganov:

“Genadi Zjuganov deklaroi se Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë, duke pasur parasysh shpërbërjen e vendit dhe ndërrimin e dhunshëm të pushtetit” (Citohet sipas: “Zjuganovi në Peterburg: Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë”. Marrë nga faqja e internetit  “ИА REGNUM”. 23 shkurt 2013).

Ngjarjet e fundit dëshmuan se presidenti Janukoviç (i zgjedhur në mars të vitit 2010) nuk diti ose nuk deshi të ndërtonte një shtet me orientim kombëtar. Ai, që në fillim, politikën e vet e orientoi drejt Moskës, çka bëri që shumica e popullit ukrainas të vinte duke akumuluar pakënaqësinë e vet ndaj ekipit qeverisës që ai krijoi. Vasaliteti i shpëlarë i presidentit Janukoviç ndaj Kremlinit, çoi jo në rritjen e mirëqenies së popullit, por në varfërimin e tij të pandalshëm. Presidenti u interesua për pasurimin e familjes së vet dhe të të gjithë oligarkëve që silleshin rreth tij. I biri i tij, Aleksandër Janukoviç, arriti të pasurohej në një mënyrë marramendëse gjatë këtyre katër vjetëve. Sipas të dhënave të internetit, pasuria e tij, në prill të vitit 2013, kapte shifrën prej 187 milionë dollarësh, ndërkohë që vetëm brenda gjashtë muajve kapitali  tij u trefishua dhe në nëntor po të vitit 2013, arriti në shifrën prej 510 milionë dollarësh (Citohet sipas: “Kapitali i Janukoviçit, i riu, për gjashtë muaj u trefishua”. Marrë nga faqja e internetit “ZN, UA”. 01 nëntor 2013).

Kuptohet vetvetiu se kur oligarkia ukrainase pasurohej në një mënyrë kaq marramendëse, dikush tjetër do të varfërohej në një mënyrë po kaq marramendëse. Dhe ata që varfëroheshin ishin njerëzit e thjeshtë.

Presidenti Janukoviç, i dhënë pas pasurimit personal, e kishte zhveshur veten tërësisht nga vetëdija kombëtare deri në atë shkallë, saqë në Ukrainë të viheshin re edhe dukuri të përmasave skandaloze. Një informacion që vjen nga faqet e internetit, dëshmon për një dukuri sa të turpshme, aq edhe poshtëruese për dinjitetin kombëtar të popullit ukrainas:

“Në rajonin e Goshanit të krahinës së Rovenskut, vetëm brendas një dite, sipërmarrësit patën nxjerrë 50 kamionë, të ngarkuar me humus. Për një aktivitet të tillë janë në dijeni të gjithë banorët vendas, por nuk janë në dijeni ruajtësit e rendit dhe pushteti lokal. Qeveria e Janukoviçit e transporton humusin jashtë vendit me vullnetin e vet, çka të kujton Hitlerin, i cili humusin e Ukrainës e transportonte me vagona për në Gjermani” (Citohet sipas: “Nga Ukraina transportohet humus për jashtë vendit”. Marrë nga faqja e intenetit “m_kalashnikov”. 28 nëntor 2013).

Por humusi ukrainas transportohet për jashtë vendit edhe nga rajone të tjera. Sipas një specialisti ukrainas të bujqësisë, për rigjenerimin e një shtrese humusi me trashësi 3 cm, duhen 100 vjet. Kurse humusin nga toka e Ukrainës e zhvatin në një thellësi deri në 30 cm.

Një mendësi e tillë antikombëtare e presidentit Janukoviç, domosdo që atë do ta çonte, siç edhe e çoi, drejt një fundi të turpshëm të karrierës së tij politike dhe të formacionit politik që ai përfaqësonte.

          Santa Barbara, Kaliforni

24 shkurt 2014

————————-

*Fjala moskal është nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.

 

Filed Under: Featured Tagged With: mes Kievit dhe Moskes, Prof. dr. eshref Ymeri, termetet politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT