• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROTESTA- POLICIA:24 zyrtarë policorë e 4 qytetarë të lënduar, 34 protestues të arrestuar

January 9, 2016 by dgreca

-Policia e Kosovës në njoftimin e dërguar sonte bën të ditura zhvillimet e protestës së opozitës gjatë ditës së sotme në Prishtinë.
-Opozita 100 mije pjesmarres, sipas njoftimit zyrtar moren pjese 8 mije veta/
– Ambasadoi Amerikan Greg Delawie: Dhuna rrezikon DEMOKRACINE/
PRISHTINË, 9 Janar 2016/ Gjatë ditës së sotme në zhvillimet e protestës së opozitës në Prishtinë janë lënduar 24 zyrtarë policorë, 4 qytetarë, prej tyre edhe gazetarë, ndërsa janë arrestuar 34 protestues të dhunshëm.Policia e Kosovës në njoftimin e dërguar sonte bën të ditura zhvillimet e protestës së opozitës gjatë ditës së sotme në Prishtinë:
Fillimisht rreth orës 14:00 protestuesit janë tubuar tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, për të vazhduar më pastaj në drejtim të sheshit tek Teatri Kombëtar, ku për lëvizjen e lirë të protestuesve dhe qytetarëve, duke përfshirë edhe ri-drejtimin e trafikut janë kujdesur njësitet relevante policore.
Rreth orës 14:45 kanë filluar fjalimet e liderëve politikë të opozitës të cilët ju kanë drejtuar masës me fjalimet e tyre.
Ndërsa pak para orës 15:00, përderisa lideri i VV-se mbante fjalim, një grup i protestuesve të dhunshëm kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, fishekzjarrë, gurë masiv dhe koktej molotovi drejt zyrtarëve policorë dhe drejt objekteve shtetërore, në këtë rast drejt objektit të qeverisë së Kosovës.
Policia e Kosovës me qëllim të mos eskalimit të situates, edhe përkundër gjuajtjeve të pandërprera, ka qëndruar në formë kordoni duke vëzhguar situatën dhe duke ju bërë thirrje protestuesve që të ndalojnë hedhjen e mjeteve të ndryshme drejt zyrtarëve policorë, por edhe drejt objekteve shtetërore. Protestuesit e dhunshëm kanë vazhduar pa ndërprerë me hedhjen e mjeteve të ndryshme dhe të rrezikshme drejt policisë dhe objektit të qeverisë, duke i dëmtuar disa xhama dhe duke i venë zjarrin me koktej molotovi një pjese të objektit të qeverisë.
Policia e Kosovës referuar situatës së krijuar dhe me qëllim të vënies së situatës nën kontroll, është detyruar të intervenojë me njësitet e saja relevante, të cilat kanë përdorur mjetet e ligjshme, duke përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës.
Protestuesit edhe gjatë shpërndarjes së tyre kanë vazhduar pa ndërprerë gjuajtjen me ngjyrë, gurë masiv, koktej molotovi drejt policisë dhe automjeteve policore duke i vënë zjarrin në pjesën e përparme 2 automjeteve të Policisë së Kosovëse, te të cilat është arritur të shuhet zjarri nga vet zyrtarët policorë me mjetet për shuarjen e zjarrit.
Po ashtu edhe një zyrtari policor i është hedhur në trup një koktej molotovi, por fatmirësisht përveç lëndimeve të pësuara gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
Njëkohësisht protestuesit kanë dëmtuar edhe shenja të komunikacionit rrugor dhe kontejnerë të mbeturinave, të cilëve ju kanë vënë zjarrin. Dëmet në tërësi në automjete policore, pajisje policore dhe prona publike vlerësohen të jenë të konsiderueshme.
Përdorimi i mjeteve të rrezikshme nga një grup protestuesish, si ai i koktej molotovit, i cili konsiderohet mjet i rrezikshëm vdekjeprurës drejt zyrtarëve policorë, është akt kriminal dhe i kundërligjshëm.
Si pasojë e hedhjes së mjeteve të forta dhe mjeteve të rrezikshme nga protestuesit, kanë pësuar lëndime 24 zyrtarë policorë, 4 qytetarë, prej tyre edhe gazetarë.
Ndërsa Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë 34 protestues të dhunshëm, tek të cilët janë gjetur mjete të dyshuara, si thika, koktej molotovi e gjëra që ju kanë shërbyer për kamuflim.
Numri i protestuesve vlerësohet të ketë qenë afërsisht rreth 8.000 pjesëmarrës.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe për vënien e situatës nën kontroll./b.j/

Kosovë-opozita: Rreth 100.000 pjesëmarrës në protestë/

-Zullumi qeveritar përballet me mllefin qytetar-/

Protesta e thirrur nga Opozita e Bashkuar, u bë një protestë gjithëqytetare. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive si kurrë më parë. Opozita falenderon dhe shprehë mirënjohje për të gjithë qytetarët, anëtarët e simpatizantët e subjekteve opozitare për pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë.
Para disa ditësh Isa Mustafa tha se do ta zbatojë “Zajednicën” pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se opozita nuk ka mbështetje dhe se nuk po i dalin njerëzit në protesta.
Sot, qytetarët ia dhanë përgjigjen qeverisë Mustafa, duke dalë në protestën më të madhe të zhvilluar në Kosovë që prej pasluftës. Rreth 100.000 pjesëmarrës i kanë mbushur rrugët dhe sheshet e Prishtinës, të ardhur nga gjithë qytetet e fshatrat e Kosovës, si dhe nga vise të tjera nga trojet shqiptare dhe nga diaspora.
Organizimi i protestës ka qenë tepër korrekt. Siç u tha edhe në tubimin e sotëm, protestuesit vetë shënojnë ardhjen e një kohe të re për Kosovën, e për të gjithë, pa dallim.
Policia që prej orëve të para të ditës në disa raste ka provokuar protestuesit duke ndalur shumë autobusë e duke i penguar qytetarët të vijnë në Prishtinë.
Në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mos-reflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar.
Qeveria duhet ta dijë se pas gjithë zullumeve të saj, duke përfshirë edhe shkeljen e vetë Kushtetutës, është vështirë që qytetarët do të mbeten të qetë. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Për t’u qetësuar qytetarët, nevojitet dorëheqja e menjëhershme e qeverisë Mustafa.
Askush dhe asgjë nuk mund ta zbehë mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës sot me pjesëmarrjen e tyre masive në protestën e madhështore e paqësore kundër “Zajednicës”, demarkacionit dhe qeverisë antikushtetuese.
Protestat vazhdojnë!
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

AMBASADORI AMERIKAN
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka komentuar mbi zhvillimet e sotme në Prishtinë, ku u mbajt protesta e organizuar nga tri partitë opozitare, me synim rrëzimin e Qeverisë.
Delawie, duke komentuar në rrjetin social Twitter, ka thënë se “dhuna politike kërcënon demokracinë dhe gjithçka që Kosova ka arritur që nga pavarësimi”.

Filed Under: Kronike Tagged With: i Policise se Kosoves, Njoftimi zyrtar, PROTESTA E OPOZITES

Kosovë-Policia, plan operativ para protestës së opozitës

January 8, 2016 by dgreca

-Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike/
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Policia e Kosovës deklaroi sot se, “lidhur me protestën e paparalajmëruar në bazë të ligjit mbi tubimet publike, të organizuar nga tre partitë opozitare, e cila pritet të mbahet nesër, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ”.
“Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është: Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit; Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës; Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet; Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike etj.”, thekson deklarata e dërguar.
Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.
“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”, theksohet më tej.
Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të protesteës së nesërme të opozitës./b.j/
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina sot, nje dite para protestes se opozites ne 9 janar 2016

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, masat e policise, PROTESTA E OPOZITES

Protesta e opozitës para Parlamentit, policia publikon masat dhe rrugët që bllokohen

December 16, 2015 by dgreca

TIRANE, 16 Dhjetor/- Opozita organizon paraditën e  të enjtes para parlamentit protestën e radhës ku deputetët pritet të miratojnë buxhetin e vitit 2016.

Në kuadër të masave të marra, policia bën me dije se do të jetë në gatishmëri për të garantuar mbarëvajtjen e saj dhe shmangien e incidenteve të mundshme. Ndërkohë, edhe qarkullimi i automjeteve do të jetë i kufizuar.Sipas policisë, rruga “Xhorxh Bush” e cila është pranë Parlamentit do të jetë e bllokuar për qarkullimin e automjeteve. E njëjta situatë edhe për rrugën “Abdi Toptani” dhe sheshin Skënderbej.

Ja ku nuk duhet të parkoni:

Duke filluar nga sonte në orën 00:00 e deri në përfundim të protestës së të enjtes e cila pritet të nisë në 11:00 e të zgjasë për disa orë, nuk do të lejohet parkimi i makinave në këto rrugë: Rruga Xhorxh Bush (nga ura e Elbasanit – kryqezimi tek sheshi Sulejman Pasha); Bulevardi Deshmoret e Kombit duke perfshire Sheshin Skenderbej; Rruga Abdi Toptani ( drejtoria e Burgjeve) si dhe rrugica prane Infosoft tek ish-PD.

Policia i bën apel qytetarëve për mirëkuptimin e tyre dhe të mos i lënë makinat në rrugët e sipërcituara. Në të kundërt – thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë, makinat do të spostohen me karrotrec.

Ndërkohë, edhe autobusët që vijnë nga rrethet nuk do të lejohen në brendësi të qytetit. Vija e kuqe do jetë Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, shkolla “Vasil Shanto”, rrethrrotullimi prane fakultetit Ekonomik

Filed Under: Kronike Tagged With: policia publikon masat, PROTESTA E OPOZITES

PROTESTA E OPOZITES ME 8 DHJETOR

December 9, 2015 by dgreca

OPINION NGA ASLLAN BUSHATI/

Sic premtoi, opozita e Shqipërisë zbriti më 8 dhjetor 2015 në (kuadrin e 25 vjetorit të shembjes së diktaturës komuniste) në shesh betejë. Fillesat e demostrimit të forcës opozitare, ishin bërë të ditura që më parë në Parlament dhe në media , por të detajuara ato u cfaqën në demostratë. Brendia e demostratës ishte thellësisht politike dhe me kerkesa të qarta për të sotmen dhe të ardhmen e afërt. Përmbledhtazi mund të themi se opozita në demostratë , deklaroi formulimet e më poshtëme:”Edhe pas 25 vitesh atdheu ynë i përbashkët nuk gjenë paqe, jemi këtu për t’i dhënë atdheut atë që i mungon ,pra paqen sociale.Jemi këtu për ti thënë ndal rikthimit të së kaluarës komuniste diktatoriale dhe vrasjes së shpresës. Nuk duam të jemi bashkëfajtor në rrezikimin e mëtutjeshëm të së ardhmes së vendit. Kjo qeveri në dy vite e ka mbyllur ciklin e vet, sepse Shqipëria me udhëheqjen e saj, po prek fundin e varfërisë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë përfshitë cdo segment të qeverisjes dhe jetës shoqërore, dukje e këthyer vendin në një skëterrë e pa perspektivë ku shqiptarët ikin nga vendi i tyre, sic ikin sirianët nga lufta. Mijra gra e vajza janë larguar dhunëshëm nga puna, mbi 400 mijë të rinjë kërkojnë azil në Amerikë dhe BE. Qeveria e tanishme është këthyet në një regjim policoro- totalitar. Askush nuk mund të na gjunjezojë pa rrëzimin e ketij rregjimi. Shqipëria është buzë greminës me këtë udhëheqje të pa përgjegjëshme.Si përfundim i gjithsa më lart largimi sa më para i qeverisë Rama – Meta, kalimi në një qeveri teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohëshme , i bën mirë ekonomisë, paqes sociale, të ardhmes dhe vendit në tërësi,”

Me ndiesitë e më sipërme, (madje shumë e më shumë se kaq), dhe me mëllefin e grumbulluar për dy vite, qindra mijra njerëz të përfshirë në vorbullën e kësaj kauze, zbritën në Sheshin “Skenderbej” dhe para godinës së Kryeministrisë. Nën thirrjet e fjalimet e Kryetarit të PD-së Z.Lulëzim Basha dhe të drejtuesve të rinj e të vjetër, i treguan muskujt qeverisë dhe bënë me dije se ky është fillimi i revolucionit demokratik të paralajmëruar. Disa që hodhën gurë e sende të forta kundër godinës së Kryeministrisë e dy ministrive të tjera ,bënë gabim duke i kaluar caqet e një demostrimi demokratiko-paqësor, por këto ishin thjeshtë disa individ të vecuar. Kurse ata që hodhën bojë e vezë, bënë mirë se i thanë qeverisë me gojë e me shkrim ”shiko se e kemi seriozisht ,prandaj ndal e na dëgjo edhe ne”.

Pas demostrata, akuza e kunder akuza.

Qeveria, duke u fshehur pas një deklarate të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe të BE-së, përpiqet ta cvendos vemenjen e opinionit nga brendia politike e demostratës tek” dhuna, vandalizmi e mungesa e vizionit të opozitës”.Ajo thotë se lëvizja e dhjetorit të 1990-tës, ishte krejt ndryshe nga kjo e sotmja. E para kishte synim përmbysjen e komunizmit, kurse kjo e sotmëja rivendosjen e metodave të dhunëshme të komunizmit, rivendosjen e ideve diktatorshipe të tetë viteve të fundit të PD-së. Ajo e dhjetorit 90 ishte liri –demokraci, kjo e sotmëja qesharake, e dhunëshme e anti art, duke patur parasyshë djegien e prishjen e bunkerit pranë Ministrisë Brendeshme. Lidershipi i PD-së, (sipas qeverisë) i bëri thirrje turmës të sulmonte godinën e Kryeministrisë dhe ministritë duke i shkaktuar vendit 164 miljon lek dëmtime. Dekomunistizimi dhe dekriminalizimi, janë parrulla idiote të opozitës të cilat nuk i sjellin asaj asnjë votë, përkundrazi e cvleftësojnë atë. Kurse Edi Rama në face book i vu kapakun akuzës duke e cilesuar demostratën si “shëmti e trishtueshme e mendjeve të errta të SHQUP-it, keqardhje për të verbërit, neveri për politikat e PD-së etj”. Këto e shumë letrarizime të tjera ishin akuzat e qeverisë ndaj opozitës ,duke u përpjekur të largojnë vemendjen nga realiteti i hidhur shqiptar.

Kurse kundër akuzat e opozitës ndaj qeverisë, vec atyre të theksuara fort gjatë demostratës, vijuan edhe më pas në masmedja, ku theksohet se: “ Ne jemi të bindur në rrugën që kemi zgjedhur, sepse ekonomia ka rënë në kufij të pa pranueshëm, shteti është kapur nga krimi dhe korrupsioni madje është bërë shpesh ortak me të. Liria e individit është cënuar, më shumë se 38 mijë persona janë të burgosur, modeli juaj i qeverisjes nuk është model i ri, por model i kërcënimit të gjithanëshëm dhe i kamxhikut.Kjo lëvizje është mbarë popullore, demokratike e civile pa kriminelë.Hedhja e sendeve të forta mbi godinat qeveritare nga disa persona të vecantë është e dënueshme edhe nga opozita, madje deputetë të PD-së dolën para turmës dhe i ndaluan ata të bënin xheste të tilla. Kurse djegia dhe shembja e bunkerit (me ftesë të përfaqësuesve politik të të dënuarve politik) është e pranueshme, sepse ai si symbol, provokonte ndjenjat e një shtrese të shumëvuajtur nga regjimi totalitar.Ata ja bënë me dije shumë herë qeverisë vullnetin e tyre, por ajo e bëri veshin e shurdhër, madje provokoi me foto e shalla të E.Hoxhës dhe dhënien e dekoratave kriminelëve të nomeklaturës kuqe, deri sa mllefi u shumëfishu. Asnjë polic dhe asnjë institucion politik nuk u prek. Ju shumëfishuat borxhet,mbytët bizneset e vogla, humbët mbi 500 milion euro nga afera korruptive me CEZ-in, miloina të tjera në dogana e në tendera të qeveritarëve duke i shkaktuar dhimbje të mëdha këtij populli.

Këndshikimi i një emigrant në SHBA.

Festimi i 8 dhjetorit (vecanërisht përvjetore si ky i sivjetëmi), i bëjnë mirë shoqërisë shqiptare sot ,mot e sa të jetë jeta. Kjo ditë ju sjellë njerëzve në kujtesë një regjim sadist,gjakatar, e totalitar gati 50 vjecar që sundoi Shqiprinë. Por po ashtu ajo, ju kujton rininë studentore dhe intelektualët që drejtuan atë lëvizje dhe përmbysën regjimin komunist si: Azem Hajdari, Sali Barisha, Gramoz Pashko,Aleksander Meksi,Arben Imami, Genc Ruli,Besnik Mustafaj,Besnik Selami, Prec Zogajetj, të cilët u përballën me regjimin. Vlerat e 8 dhjetorit janë të shumëfishta se ato sollën: lirinë e individit, të drejtat e tij, transformimin e shtetit nga totalitar në sherbim të individit, hapsira për pronë e biznes, shkollimi, levizja e lirë, punësimi, zhvillimi e mbrojtja e vlerave etj.

Pikpamjet e mija politike nuk përputhen me ato të Edi Ramës për zhvillimin shoqëror e politi të Shqiprisë, por dështimin e tij në politikat ekonomike, seriozisht nuk e kam dëshiruar. Jo nga simpatia por nisur nga interesat familjare e kombëtare. Në këto dy vitet e qeverisjes së tij, familjarët e mi, të afërmit, njerëz të krahinës e të njohur nga treva të tjera, janë më të varfër se më parë, kanë marrë rrugët e mërgimit dhe kanë boshatisur fshatra e krahina të tëra nga keq qeverisja. Ne keto kushte e ndej për dertyrë t’ju bëj thirrje gjithë shqiptarve t’i bashkohen opozitës dhe kauzës së saj, për të larguar qeverinë Rama-Meta me mjete demokratike, pa dhunë pa eksese, për të kaluar në një qeveri teknike dhe më pas në zgjedhje te reja e të lira. Në se ata nuk pranojnë opsionin e opozitës, atëherë , kjo e fundit ka të gjithë të drejtën të bllokojë parlamentin,komisionet e tij, institucionet qëndrore të qeverisë e deri tek rrugët kryesore të komunikacionit. Në se ajo e bën një gjë të tillë pa thyer edhe një xham të vetëm do ta duartrokas dhe përkrah pa asnjë rezervë. Por, në se dhunon do ta qortoj po ashtu pa asnjë rezervë dhe do ti ftoj njerëzit ta braktisin kauzën e saj.

Klasa politike në Shqipëri këtë cerk shekulli pas shembjes së diktaturës totalitare ka bërë shumë gabime, të cilat kanë patur e vazhdojnë të kenë kosto dhe dhimbje të madhe njerzore. Shpresoj të ketë marrë sado pak mësim nga kjo përvojë e hidhur. Shpresoj po ashtu ,se edhe SHBA më fort e pa doreza diplomatike, do të godasin cilindo qeveritar që lidhet me afera korruptive e kriminale.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, ME 8 DHJETOR, opinion, PROTESTA E OPOZITES

PROTESTA E OPOZITES KALOI PA INCIDENTE

March 12, 2015 by dgreca

*BASHA: “Kumbarët nuk u morën vesh për ndarjen e pazareve./
“Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve, Rama ik, Meta ik,” tha Basha./
* Berisha: Mazhoranca kapitulloi, ia mbathën nga frika/
* ANTIMITING nga mbeshtetesit e Ilir Metes/
Sot, 12 Mars 2015, Siç ishte lajmëruar, rreth orës 11:00 ka nisur grumbullimi dhe marshimi i mbështetësve të Partisë Demokratike nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt kryeministrisë, aty ku kreu i demokratëve ka mbajtë edhe një fjalim plot me akuza per mazhorancen, qe epiettoje te inkriminuar. Me parulla ku kërkohej dorëheqja e kryeparlamentarit Ilir Meta dhe largimin e klikës Rama-Meta, demokrate e simpatizantët e PD të ardhur që në orët e mëngjesit nga rrethe të ndryshme të vendit, i janë bashkuar thirrjes së PD për të protestuar kundër qeverisë.
Në krye të protestuesve qëndron kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ish-kreu i PD-së, Sali Berisha. Mijëra njerëz kanë vërshuar në bulevard në një nga protestat më të mëdha të kësaj force politike. Parullat e hedhura në miting janë: “Meta ik” dhe “Të shporret qeveria”.
Fjalimin e parë e mbajti djali i Qamil Zelës, i cili u vetëvra në qeli për shkak se ishte burgosur për faturën e energjisë.“Na akuzuan padrejtësisht se po vidhnim energjin. Jam këtu sepse jam kundër padrejtësisë,” tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha se këta pushtetarë u zgjodhën sepse premtuan më të mirën. “Pushtetarët tanë janë një bandë oligarkësh, ndërkohë që populli zhytet në mjerim, krim e pasiguri. Shoqëria është në depresion nga arroganca e këtij pushteti,” tha Ristani. Nënkryetari i PD, Edi Paloka tha se padrejtësia ka arritur aty nuk ku nuk mban më. “Jemi këtu për t’i thënë Metës ik, Ramës zhduku,” tha Paloka. “Nuk mundet që qytetarët të përfundojnë në burgje dhe kriminelët në zyrat e shtetit,” tha ai. “Do e çojmë protestën deri në fund, derisa ata të zhduken”.
Pas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së ka marrë fjalën kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai tha se “populli, me pjesëmarrjen e madhe sot në miting e pushoi nga detyra kreun e Kuvendit”. Ai u shpreh se “ky miting është më i madhi i opozitës” dhe është shenjë e pakënaqësisë së qytetarëve.
Ai ka vijuar me akuzën publike se Rama dhe Meta kanë përmbysur gjithçka, se çmimi i energjisë është rritur, se faturat janë bërë të papërballueshme etj. “Asnjë hap i vetëm për të lehtësuar qytetarëve dhe për të qëndruar në anën e tyre. Kanë arrestuar mijëra bashkëqytetarë në një vit të vetëm, njerëz të përbuzur nga qeveria e tyre. Mjerim, varfëri kudo, kurse oligarkët po mbushin xhepat. Në çdo zyrë të qeverisë ka makutëri për zhvatje sipas modelit të dyshes Rama-Meta. Dhe kur shqiptarët nuk shtyjnë dot muajin, një hall tjetër na ka zënë, tritoli kërcënon jetën, njerëzit po luten të shpëtojnë kokën. Në Shqipëri, krimi nuk ka patur kurrë lidhje më të forta më qeverinë se pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Bandat e tyre kanë dorë të lirë dhe territore dhe janë bërë të paprekshëm. Nuk dihet ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti”, akuzoi Basha.
Kreu I demokrateve ka vijuar me përmendjen e çështjes “Doshi”, sipas të cilit, superdeputeti që deri dje i hapeshin dyert, për 6 muaj Rama-Meta kanë mbajtur të fshehur krimin ndaj tij. “Për 6 muaj janë përpjekur që t’ia faturojnë këtë Partisë Demokratike. Eshtë bërë Pazar me jetën e dy deputetëve. Eshtë bërë shantazh dhe matje forcash. Jemi të tronditur nga kjo ngjarje, më e rënda e 25 viteve të fundit”, shtoi kryedemokrati.
Kreu i Partisë Demokratike duke folur para qindra mijëra mbështetësve deklaroi se bashkimi më i madhi shqiptarëve në këtë shesh i detyroi qeveritarët të mbyllin parlamentin dhe pushoi Ilir Metën nga detyra e kreut të Kuvendit. Basha i bëri thirrje dyshes Rama-Meta të shohin mirë bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha anët e vendit dhe të largohen nga qeveria.
“Shqipëria e pa, bota e pa se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh mbylli parlamenti dhe pushoi Metën nga detyra e kreut të kuvendit. Rama-Meta shikojeni bashkimin e shqiptarëve dhe largohuni”, tha Basha.
“Qeveria e Ilir Rama dhe ilir Meta kanë përmbysur jetën e shqiptarëve, çmimi i energjisë është rritur, kurrë s’ka pasur kaq të papunë mes nesh. Kanë rritur taksat, kanë shtypur populli. Kjo qeveri nuk ka bërë asnjë akt të vetëm për të lehtësuar qytetarët, por kanë çuar në vetëvrasje shumë njerëz, kanë arrestuar mijëra vetë. Kudo shesh mjerim, varfëri, papunësi, por këta oligarkë po mbushin xhepat, në çdo zyrë të qeverisë ka vjedhje, makutëri për pasurim të shpejtë”, tha Basha.
Serish duke iu referuar çështjes kryesore për të cilën PD thërriti në shesh mbështetësit dhe simpatizantët e vet, çështjes së shumëpërfolur ‘Doshi’ dhe akuzat e drejtuara ndaj kreut të kuvendit, Ilir Meta si porositës i vrasjes së tij, Basha i bëri thirrje kryeministrit Rama të ndalë presionet ndaj Prokurorisë dhe drejtësisë, ndërsa i kërkoi edhe një herë Ilir Metës të japë dorëheqjen dhe të vihet përpara drejtësisë. Sipas Bashës, gjendja është akoma më e rëndë kur akuzat bëhen nga deputeti më i besuar dhe më i afërt i qeverisë, Tom Doshi. Kryedemokrati ka kërkuar nga qeveria të mos e përfshijë opozitën në këtë çështje, që sipas tij ka ardhur për shkak të prishjes së pazareve të pista mes tyre.
“Rama, Metën dhe Tahiri, të cilët mbajtën të fshehtë gjithçka dhe tani mundohen t’ia faturojnë përgjegjësinë opozitës, duke aluduar për afrimin e deputetit Doshi me PD-në”, tha Basha.
“Kumbarët nuk u morën vesh për ndarjen e pazareve. Ujërat e qelbura dolën në shesh dhe qelbën kudo”. “Por ata kanë harruar se ne jemi këtu, më të bashkuar se kurrë, më të vendosur se kurrë”.“I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë, ik, jep dorëheqjen”.“I them Edi Ramës ndal trysninë ndaj organit të akuzës, mos bëj kryeprokurorin”. “Do jemi të mbledhur dhe të bashkuar deri në fitore”.
“Sido ta kenë emrin, Edi, Ilir, Emiliano apo Hakmarrje për Drejtësi, u themi se jemi këtu derisa drejtësia të bëhet”.
“Kjo qeveri ka devijuar nga rruga e ligjit dhe e Zotit,” nënvizoi kryetari i PD. “Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re. U jap fjalën që Shqipëria do e ketë ofertën e re”. “Nuk ndalemi sa të ketë ligj e drejtësi, derisa krimi të ndalet, nuk ndalemi derisa qytetarët të kontrollojnë qeverinë, derisa Meta e Rama të largohen”. “Ky bashkim është shenjë se qeveria Rama- Meta është rrëzuar moralisht”. “Rroftë demokracia,” e mbylli Basha fjalimin e tij.
Berisha: Mazhoranca kapitulloi, ia mbathën nga frika

Ish- kryeministri Sali Berisha deklaroi pas seancës së shkurtër parlamentare se “mazhoranca firmosi kapitullimin”.
“Nuk ka ndodhur si këta që mbyllin parlamentin. Ia mbathën nga frika. Ky është akti i turpshëm. Kjo mazhorancë e gllabëruar nga krimi ka vetëm një rrugë: T’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme,” tha Berisha.
Ai u shpreh se protestuesit janë pa dallime partiake.
“Aty do ketë mijëra socialistë. Këta e mbyllin parlamentin si ta kenë kuzhinën e Ilir Metës,” tha Berisha.
Berisha tha se Meta dhe Rama janë informuar që në protestë do jetë e gjithë Shqipëria, ndaj mbyllën parlamentin.
Edhe deputeti i PD, Mhill Fufi tha se mazhoranca dhe Meta janë trembur nga protesta.
Ndërkohë ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se Meta shkeli edhe rregulloren.
“Ky është ish- kryetari i Parlamentit më qesharak dhe më gaztor. Është e paimagjinueshme që kryetari i Kuvendit të mos durojë më shumë se 12 minuta,” tha Topalli.

Mbështetësit e Metës, antimiting te selia e LSI
E ndërkohë, qindra simpatizantë të LSI-së, të cilët kishin ardhur edhe nga rrethet janë mbledhur pranë selisë së kësaj force politike, në mbështetje të kreut të saj, Ilir Meta, dorëheqja e të cilit është në qendër të kërkesave të protestuesve të sotëm.
Basha: Bashkimi i shqiptarëve në këtë shesh mbylli parlamentin, largoi Metën nga detyra

Kuvend, Meta e mbyll seancën për 15 minuta/
Berisha: Mazhoranca firmosi kapitullimin/

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka zgjatur vetëm 15 minuat dhe është zhvilluar në kushtet e një tensioni të madh politik, në ditën kur opozita ka organizuar edhe një protestë që kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta.
Përfaqësuesit e opozitës janë ngritur në këmbë pranë foltores duke kërkuar sërish dorëheqjen e Metës.
Deputeti demokrat Arben Ristani nga foltorja e kuvendit i ka kërkuar Metës të japë dorëhqjen por ky i fundit i ka prerë fjalën, pasi ishte jashtë rendit të ditës.
Pavarësisht tensionit të krijuar, kryeparlamentari ka vijuar me rendin e ditës, votimin e projektligjeve që ishin parashikuar për sot, duke iu bërë me dije opozitarëve se pavarësisht nga axhenda e tyre, kuvendi do të vijojë punën normalisht normalisht. Pasi ka votuar me radhë të gjitha pr/ligjet, kreu i Kuvendit e ka deklaruar të mbyllur seancën e sotme.
Berisha: Mazhoranca firmosi kapitullimin e vet
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka mbërritur në ambientet e kuvendit pikërisht në momentin kur seanca e sotme është deklaruar e mbyllur, e ka këtë cilesuar një akt të pashembullt në historinë e pluralizmit shqiptar, me anë të të cilit sipas tij mazhoranca firmos kapitullimin e saj.
“Mbyllja e Parlamentit shënon kapitullimin e mazhorancës. Ky është një akt i pashembullt. Këta kanë frikë nga protesta qytetare kundër krimit. Kjo mazhorancë e gllabëruar nga krimi ka vetëm një zgjedhje, t’u hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar Berisha.
Rendi i ditës në Kuvend
1. Projektligji “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
2. Projektligji “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
3. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhimi),” të ndryshuar.
4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokollit të zbatimit për aistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve”.
6. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
7. Projektvendim “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare”.

Filed Under: Politike Tagged With: KALOI PA INCIDENTE, PROTESTA E OPOZITES, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT