tregim nga Teodor Keko/
Ferit Ferra lindi një ditë të acartë dhjetori pranë oxhakut me një lopë te koka, gjithashtu mbarsur rëndë, në vend të mamisë. E para, që e lëpiu, ishte lopa, e cila e vështronte pa nxjerrë tingull me sytë e saj të mëdhej gjysmë të fikur, duke menduar ndoshta mundimet, që do të hiqte ajo vetë pak më vonë. Nuk kishte telefon në fshatin e thellë të ngritur kush e di pse rrëzë shpateve të thikta të Tomorrit, siç nuk ka ende as sot, e as bëhet fjalë të merrje rrugën deri në qendrën e kooperativës, ku ndodhej e vetmja mami e zonës: dëbora pat mbuluar edhe dritaret e kateve të dyta të shtëpive me gurë e rrasa.
Me të mbaruar punë me foshnjën e porsalerë, nëna e tij u detyrua të ngrihej prapë, sepse i erdhi rradha lopës për të lindur. Ajo polli viç të bukur mashkull, të cilin e therën pas një viti plot dhe e varën në çengel në bodrumin e ftohtë.
Feriti u rrit si gjithë fëmijët e tjerë të zonës, duke vrapuar pas kafshëve të shtëpisë e zogjve të pyllit, deri sa u bë për shkollë. Në fillim në fshat, pastaj në qendër të zonës, dy orë larg më këmbë, ai mbaroi klasën e tetë shkëlqyeshëm. Pak nga kjo arsye e shumë, sepse familja e tij i kishte nja dy miq në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, atij i dhanë një bursë për të vazhduar politeknikumin në Tiranë për elektronikë dhe kështu fëmija, që kishte filluar të hidhte shtat e të bëhej një djalë balash, u nis me një boçe plaçka për në kasaba, siç shpreheshin pleqtë e fshatit.
Pa kapërcyer mirë qafën mbi fshat, ai u betua me vete, se nuk do të kthehej më në humbëtirën që po linte pas, ndërsa puna e dytë, që bëri, ishte gënjeshtra e thënë shokëve të rinj të konviktit, se ai vërtetë e kishte emrin Ferit, por nga koha e fëmijërisë e patën thirrur të gjithë Riti. Kështu e ndërroi emrin shpejt e shpejt.
Në shkollë ai mësoi ditë e natë dhe, pa mbaruar ende vitin e parë, u bë një teknik i shkëlqyer për riparime radiosh e televizorësh. Shkathtësia dhe talenti i tij i ra në sy profesorit të Ritit, një mjeshtër në këtë fushë, që kishte aq shumë kërkesë për njerëzit, sa nuk ia dilte dot vetëm, dhe ai, pasi njohu dëshirën e djalit për të mos u kthyer në fshat gjatë pushimeve verore, e pajtoi në punë në dyqanin e tij me një rrogë të mirë. Kaq i zellshëm u tregua Riti, sa profesori vendosi t’ia japë rrogën në vazhdimësi, pasi me këtë ndihmës ilegal ai jo vetëm kishte tani shumë më pak punë, por edhe fitonte shumë më tepër lek.
Kjo histori vazhdoi gjatë të katër viteve në shkollën teknike dhe Riti ia doli të pranohet në Universitet për elektronikë, sigurisht i ndihmuar nga rezultatet e shkëlqyera dhe klientët e tij të profesorit. Atë vit, kur filloi studimet e larta, i vdiq babai, por ai nuk shkoi as në varrim e as për ngushëllim. I mbushi mendjen vetes, se rrugët qenë të zëna nga dëbora, ndërkohë që lajmin e kobshëm nuk ia tregoi askujt.
Pa hequr dorë nga riparimi i televizorëve, ai ia mori dorën shpejt edhe kompjuterave dhe, pa mbaruar vitin e parë të studimeve, siguroi një punë me kontratë në PTT-në qëndrore të asaj kohe. Lekë kishte pa hesap e shoqet nuk i mungonin, se ai nuk kishte turp e shtinte me çifte, duke ia kërkuar kujdo që i dilte përpara, e duke mos u fyer asnjëherë nga refuzimet, por Riti sërisht nuk ndjehej i kënaqur. E kuptonte se vajzat e Tiranës, pavarësisht se ai i kishte futur në shtrat e i pat trajtuar në mënyrë të shkëlqyer, i largoheshin, sapo merrnin vesh nga ç’fshat i humbur vinte. Pikërisht, kur ai po vriste mendjen, se si mund ta fshihte origjinën e tij, siç kishte fshehur emrin e vërtetë dikur, plasi revolta e studentëve dhe Riti e preu me mendje, se nuk duhej ta humbte këtë shans, pavarësisht se ai e kishte pasur gjithmonë xhepin plot dhe i lutej përnatë Allahut ta trajtonte në këtë mënyrë gjithë jetën. Ai punonte mirë me bërryla, deri sa doli në ballë të lëvizjes studentore, firmosi me ngut anëtarësinë e 300 themeluesve të një parite opozitare dhe, sa shihte ndonjë kamera televizive përreth, do bënte çmos t’i dilte portreti në ekran.
Ai donte të bëhej deputet dhe bëri maksimumin, që partia ta vlerësonte, mirëpo kjo përçarje e madhe nuk i eci. Për këto lodra ai ishte akoma amator. Atëherë ai bëri sikur u ofendua, bërtiti koridoreve të partisë e tavolinave të kafeneve, se atë nuk e donin, nga që ishte antikomunist i vërtetë, dhe dha dorëheqjen nga partia.
Një vit më pas Riti përfundoi studimet e larta dhe menjëherë, me të gjitha lekët e mbledhura nga puna gati tetëvjeçare, jo pak për atë kohë, themeloi një firmë private me destinancon import kompjuterash e riparim të këtyre pajisjeve. Ai mblodhi disa lekë borxh me përqindje dhe puna filloi t’i ecë mirë, se kërkesa kishte boll e ai dinte t’i gllabëronte fondet shtetërore për këtë punë, duke ua mbushur mirë xhepat nëpunësve të shtetit, por, megjithëse kontua e tij bankare ishte majmur tamam, ai prapë ndihej i pakënaqur: e nuhaste se qytetarët nuk ia hapnin derën e nuk e afronin, sapo merrnin vesh origjinën e tij. Atëherë ai vendosi të ndryshonte kurs! U afrua te një parti e majtë, shumë e dobësuar me elektorat atë kohë, financoi pa kursim disa aktivitete të tyre dhe, kur ata i afruan teserën e partisë së tyre, ai e pranoi, por me një kusht: në zgjedhjet e ardhshme donte ta seleksionin si kandidat për deputet. Funksionarët e partisë, që ai i mbante me bukë e me lek, e ndihmuan dhe kontrata u firmos! Riti zgjodhi si zonë, ku do të kandidonte, një krahinë në Jug të Shqipërisë dhe, pasi seleksionoi një staf të mirë me njerëz të njohur të asaj treve, ia nisi ca investimeve të vogla, por që po i jepnin emër e po e bënin figurë popullore. Ai çoi në krahinë një makinë funeralesh e një autobuz në dispozicion të komunës dhe kaq mjaftoi, që atë ta uronin të gjithë vendasit. Ishte i bindur se mjaftonin dy ndere, ta bëje fshatarin mik me kokë: ta çosh si njeri në kasaba e në varr! Të tjerat, filozofonte ai, ia jep toka dhe lopa….
Atë ditë, që ai mbushi 25 vjeç, organizoi një darkë madhështore në Plazhin e Durrësit me miqtë e tij. Atje njohu një vajzë zeshkane, me një trup të bukur e sy ekspresivë, studente në juridik, me një emër të çuditshëm për shqiptarët: Sindi! Pasi e ngrohu disi bisedën me tjetrën, ai mori vesh se edhe ajo kishte lindur në një fshat në këmbët e Tomorrit, jo shumë larg fshatit të tij. Atëherë Ritit diçka iu kujtua dhe e pyeti tjetrën menjëherë fare hapur, se si e kishte emrin e vërtetë. Tjetra u skuq, hezitoi një hop, pastaj mërmëriti: Sindikata!…Por shoqet nuk e dinë, shtoi.
Riti e ngushëlloi, duke i treguar, se edhe ai kishte të njëjtën histori me emrin. Kjo koiçidencë i afroi çuditërisht menjëherë! Pa u mbushur java nga njohja e tyre, ata u bashkuan në shtrat dhe zjarri i asaj vajze të ardhur nga provinca e habiti Ritin. Ajo e bënte me një pasion artisti atë punë dhe, pasi ta kishe provuar një herë seksin e saj, edhe sikur ta urreje, mbeteshe skllav i asaj femre! Riti iu fut thjesht një aventure me Sindin, pasi ai e kishte ndarë mendjen të martohej me ndonjë vajzë nga familjet e njohura të kryeqytetit, por shumë shpejt e ndjeu se nuk ndahej dot nga tjetra. Veç kënaqësisë, që Sindi i afronte në shtrat, ai e kuptoi, se sa herë shfaqej në publik me atë femër, ndodhej menjëherë, si me magji, në qendër të vëmendjes të të pranishmëve. Tani edhe lobi i dashamirësve të tij në parti po zgjerohej dhe Sindi kishte shumë dorë në këtë punë, pasi partiakët e lartë, sapo e shihnin figurën e saj, fillonin të lëngëzoheshin. Riti nuk e kuptoi kurrë, se deri në çfarë mase i afroi ajo figurat e partisë, por fakti, që disa patriakë të kuq filluan të bëjnë be për kokën e Ritit dhe ta paraqisin figurën e tij, si figurën model të të majtit evropian, linte shumë për të dyshuar.
Një mbrëmje vonë, pasi kishin bërë një seks të harbuar, meqë të dy ishin euforikë nga pija, ai mori guximin dhe e pyeti Sindin për marrëdhëniet e saj me disa emra të njohur të majtësh.
Tjetra e pa gjatë, pastaj ia ktheu e bezdisur:
-E ç’të duhet ty?! Këto janë probleme të mijat! Ti, sa kohë të jesh me mua, ata do të të mbështesin dhe fjala jote do të jetë ligj!…
-Po sikur unë të dua të martohem me ty? – e pyeti befas Riti.
Atëherë ai mori përgjigjen më të papritur për të:
-Ah, këtë gjë duhet ta mendoj njëherë! – ia ktheu ajo pa as më të voglin emocion, në një kohë, që femrat e tjera provinciale, me të cilat ai kishte pasur të bënte, do të hanin çarçafët me dhëmbë nga gëzimi e do t’i kthenin sakaq ata tabakë pëlhurë gjashtë metra katrorë në fasho për pacientët e kirurgjive!
Riti u ndje për herë të parë, pas shumë e shumë vitesh, i nënshtruar. Nuk bënte dot pa këtë femër dhe largimi i saj do të ishte i barabartë me falimentimin total!
-Po mirë, mendohu, të lutem! – i ra nën këmbë ai dhe Sindi ia ktheu se do të mendohej, por nuk donte t’’a vinte litarin në fyt. Për atë, marrja e këtij vendimi, duhej menduar mirë, pasi këtu nuk bëhej fjalë për një aventurë kalimtare.
Pavarësisht se ata vazhdonin të bashkëpunonin rregullisht, Sindi e mbajti në hava tjetrin nja gjashtë muaj. Ajo tani e bënte edhe më mirë e më pacipërisht atë punë në shtrat dhe ai e lëshoi dorën e nisi ta mbushë me dhurata të shtrenjta e lekë, deri sa një ditë nuk duroi dot, me gjithë betimin e marrë me vete, dhe ia kujtoi propozimin e asaj nate.
-Mirë jemi edhe kështu, – ia ktheu qetësisht ajo, – martesa mund të na krijojë probleme, sepse, ti, je xheloz…
Riti ndihej krejtësisht i robëruar nga ajo femër e çuditshme me një vështrim manjetik e pamje joshëse.
-Unë nuk jam fshatar, – belbëzoi, – unë jam për martesë të lirë, ku partneri ka prioritete të jetojë jetën e tij dhe jo të respektojë në mënyrë fanatike besnikërinë…
Zoti ia futi menjëherë në kokë këto fjalë, të cilat ai nuk i kishte menduar kurrë! Ajo e kundroi një herë gjatë, me një vështrim mosbesues e zhbirues, pastaj shqiptoi thatë:
-Po të jenë të vërteta fjalët, që the, pranoj, por, përpara se të celebrohemi, këto fjalë duhet t’i shkruajmë në një kontratë ligjore. Nuk kam ndërmend ta lidh jetën me ty sot dhe nesër të ngelem me gisht në gojë e kalamaj nëpër këmbë rrugëve!
-Dakort! -pranoi Riti dhe tjetra ia nisi hartimit të kontratës.
Pasuria dhe firma tregtare e Ritit do të regjistrohej menjëherë në dy emra dhe, nëse ata do të shkonin në divorc, gjithçka do të ndahej në mënyrë të barbartë mes tyre dhe fëmijëve të tyre, të cilët, gjithmonë në rast divorci, do t’i kalonin nën kujdestari asaj.
Megjithëse të dy ishin myslimanë e të dy me emra të ndryshuar në Gjendjen Civile, ata u martuan një të dielë korriku në Kishën e madhe Katolike dhe pasi morën bekimin e priftit e të të majtëve, u nisën për muajin e mjaltit në Sejshellin e largët.
Ishin shqiptarët e parë, që shkelnin në atë vend të bekuar nga Zoti në fund të botës, dhe Sindi menjëherë u vendos edhe në atë parajsë në qendër të vëmendjes. Natën i dhuronte lumturi Ritit e ditën, kur ai bridhte ishujve të vendosur në oqean, çmendtte një xhentëlmen anglez, që pa e zgjatur shumë, i futi një goxha çek në xhep, duke iu lutur ta lajmëronte menjëherë, nëse do t’i mërzitej ndonjë ditë Riti.
Sindit i pëlqeu anglezi fisnik dhe, për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë respektin tjetrit, fëmijën e zuri me anglezin xhentil një paradite të kaltër-të kaltër, duke i lënë të kuptonte diçka partnerit të saj të ri. Më pas, ajo do ta sillte mikun e saj dy – tre herë në Tiranë e po ashtu do të shkonte një dy herë në Londër, derisa të dilte në dritë një djalë i bukur i shëndetshëm, që Sindi do të këmbëngulte ta pagëzonte Roi, në kujtim të babait të vërtetë të foshnjës.
Lindja e djalit solli fatmbarësi në familje, pasi atë vit edhe Riti ia doli të zgjidhej deputet dhe tani familjes Ferra nuk i mungonte asgjë: kishin lekë, fëmijë, pozitë e miq. Por përsëri Riti ndihej i pakënaqur!
-Kur të sistemohesh, ti, e unë të bëhem ministër, janë kopsitur problemet tona! – i tha ai një mbrëmje Sindit, duke përdorur një fjalë të hershme të gjyshes së tij, të zgjuar kush e di se si nga kujtesa.
-Të dyja do të bëhen realitet shumë shpejt! – ia ktheu ajo dhe, meqë e dinte më mirë se kushdo se me cilin flinte ato kohë, ishte fare e sigurtë për fjalinë, që tha.
Edhe Riti e dinte me cilin duhej të qe lidhur ato kohë Sindi, sepse me të dalë ai nga vila e tyre e madhe buzë liqenit, shtëpia rrethohej nga ca truproja, që njiheshin se cilin mbronin. Por Riti nuk bëhej i gjallë. Po ta hapte gojën tani, vetëm do të humbiste dhe as Zoti vetë nuk do t’i bënte derman!
Në pritje, deri sa të bëhej ministër, Riti iu fut derrçe punës së tij private. Tani ai kontrollonte nga lart çdo tender shtetëror dhe nuk kishte më nevojë t’ua lyente qerren të tjerëve, si dikur. Sillej mirë e sponsorizonte, apo ndihmonte jo pak njerëzit, të cilit i duheshin për të përmbushur objektivat e tij, kokën e mbante ulur e kishte fituar namin e modestit, të cilin nuk e prish kamja, por thellë – thellë qëndronte i ulur në një karrige krejt tjetër: ai tani depozitonte fare pak lekë në bankat shqiptare dhe duke shfrytëzuar imunitetin e tij diplomatik, shumicën e parave i fuste në një konto të tij bankare sekrete diku andej nga Luksemburgu. Me shkresa ligjore firma e tij figuronte për vit me humbje…
Sindi vazhdonte ta lumturonte natën Ritin e ditën të tjerët, duke filluar namin e një kurve klasi, që të bënte ta shijoje parajsën për së gjalli, deri sa erdhi momenti i lumur, kur borxhet e ngri – këmbëve të saj e rrotëlyerjes së tij u lanë e ai u zgjodh ministër.
Riti mblodhi të gjithë ndihmuesit e tij në një darkë madhështore dhe ua shprehu mirënjohjen e thellë hapur, aq sa i bëri të gjithë me turp, por ndërkohë emrat e tyre i kishte ngulitur thellë në kokë dhe i shihte, duke u pjekur të gjallë në hell, si Ali Pashai përdhunuesit e së jëmës dhe të së motrës. Planin e hakmarrjes e kishte hartuar deri në detaje dhe këto gjëra ai dinte t’i bënte tamam, se vetëm hakmarrjen e njihte me dhëmbmë e dhëmballë.
Riti duroi edhe nja një vit, deri sa i realizoi me duart e të tjerëve goditjet e mëdha financiare, dhe, atëherë kur nuk e priste akush e ai qe pagëzuar si “leshko”, e kapi Sindin lakuriq në shtrat pikërisht me peshkun e madh, me atë që dëshironte ta kapte! Ai i përzuri të dy gjysmë të xhveshur nga vila me tesha përpara organeve intime, duke realizuar një spektakël unikal publik; ia doli, që të pranishëm të ishin edhe disa gazetarë naivë, të cilët as e morën vesh ndonjëherë përse u ndodhën atë çast atje, dhe shpalli luftën! Pa i lënë asnjë sekondë kohë krahut tjetër të mobilizohej, ai iu dërgoi nga një kasetë televizive për dhuratë, ku ata mund të kundronin qetësisht veten e tyre, duke u shkrirë në krahët e Sindit e duke kryer gjithfarë perversitetesh me të.
Kishte vetëm dy rrugë për t’u ndjekur me këtë njeri: ose ta zhdukje nga faqja e dheut, ose ta pyesje se çfarë donte për ta mbyllur gojën! E para ishte punë, që nuk bëhej: jo vetëm sepse ai ishte ministër, por nuk dihej ku i kishte depozituar kasetat, që të tmerronin më shumë se një armë atomike! Atëherë brirëvënësit e tij naivë dërguan përfaqësues te Riti. Ky biznesmen i suksesshëm, që ia kishte futur të gjithëve, nuk kërkonte shumë. Ai do ta mbyllte gojën, nëse do ta zgjidhnin në drejtimin e lartë të partisë!
-Paska qenë i pangopur! – psherëtiu Sindi, kur ia treguan ç’kërkonte Riti.
Pavarësisht se duart i mbante mbi tryezë e i shihte të dhjetë gishtrinjtë e saj, ajo e ndjeu se tani një gisht, atë të mesit, e kishte në gojë! Ia pati futur sa krahu fshatari i poshtër, që dukej si letër për të fshirë prapanicën, dhe tani as bëhej fjalë për t’i xhvatur gjë!
Ditën, kur Riti kapi një nga postet më të larta në parti, ajo kërkoi të takohej me të. Riti e priti pa bërë as edhe një fjalë! E priti në zyrë. Ai e kundroi qetësisht figurën magjepëse të Sindit dhe ajo e kuptoi se e pati gënjyer mendja, kur kujtoi se ky njeri do të ishte përjetësisht robi i saj. I kishte pasionet shumë më të mëdha, me të cilat nuk vinte në peshore asgjë, as shtatë mrekullitë e botës!
-Ne nuk mund të jetojmë dot bashkë, besoj, – ia nisi ajo.
-Kjo gjë është e qartë! – ia kthue thatë tjetri.
-A mund t’i ndajmë atëherë disa gjëra? – pyeti me zë të mekur Sindi. Ne… sikur kishim bërë një…
-Kontratë…
-Po…
Tjetri vazhdoi ta kundronte qetësisht. Rrotullonte një stilograf vezullues në gishtrinj, pastaj ia nis, duke zhgarravitur në një letër të bardhë:
-Unë kontratat i respektoj! Djalin mbaje, ti, meqë është i yti! Pensioni, besoj, do t’ia pagojë i jati i tij… Nga unë do të marrësh edhe 50 000 dollarë amerikanë, me kusht mos më dalësh më përpara dhe mos dëgjoj pallavra në gjyq!…Dakort?
-Përse pyet formalisht? – shqiptoi ngadalë Sindi. – Si erdhën punët, unë nuk kam të drejtë fjale..
-Vetë e kape këtë pozicion! – ia ktheu tjetri. – U bëre mbretëreshë dhe nuk dite të lexosh realitetet… Tjetri nuk të ka asnjë faj, kur, ti, e merr për budalla edhe ai është tjetër gjë fare!… Mbase të ec me atë anglezin, Roin e madh, – bëri sikur e uroi ai.
Sindi u ngrit me një pamje të rraskapitur dhe mori për nga dera, por papritur ndaloi dhe, duke u kthyer për herë të fundit nga njeriu i vetëm, që e kishte shkelur me këmbë, e pyeti me një zë të akullt:
-Rit, kur do të ngopesh?
Tjetri buzëqeshi lehtë.
-Kur kjo turmë pordhacësh ta kuptojë se fshati ka më shumë resurse se qyteti dhe prandaj duhet t’i tespektojë fshatarët! Nuk ka ardhur akoma koha, që të këndohet kënga “Janinës, ç’i panë stë!” Ik, tani!
Jashtë binte shi, një shi me baltë dhe njerëzit shihnin gjithë habi nga qielli, pa e ditur se nga vinte kjo baltë pa hesap…
Tetor, 2000