• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRKUJTOHEN DITËT E QËNDRESËS ANTIKOMUNISTE NË SHKODËR, SPAÇ E QAFË BAR

May 20, 2020 by dgreca

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në një intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare VATRA, New York, deklaroi: “Të dënohen krimet e komunistëve dhe komunistët që janë ende në pushtet” /

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Drejtësi dhe Paqe dhe Bashkinë Shkodër organizuan një ceremoni përkujtimi në Shkodër, në qytetin më antikomunist të Shqipërisë, në nder të qëndrestarëve ndaj regjimit komunist. Takimi u zhvillua pranë memorialit që i kushtohet të njëjtës ditë, në nder e respekt të të gjithë shqiptarëve që u persekutuan nga regjimi komunist. Në data 20-21-22 maj për çdo vit përkujtohen “Ditët e Qëndresës“ antikomuniste në Shqipëri. Ky është një aktivitet që synon të përkujtojë qëndresën antikomuniste të popullit e kombit shqiptar gjatë diktaturës. Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë  u shpreh se “Kemi zgjedhur datat 20 dhe 21 maj që janë edhe fillimin e dy revoltave antikomuniste nga më të guximshmet të  burgosurve politike në burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit që tronditet themelet e reagimit komunist. Kemi zgjedhë Shkodrën së pari se ka një memorial dinjitar kushtuar qëndresës sonë antikomuniste dhe si një nga qytetet e krahinat ku qëndresa ndaj komandimit ishte dhe është më e fortë se kudo në Shqipëri. Nga kryengritja e Malësisë, Postribës deri tek hedhja në erë bustit të Stalinit dhe maskara komuniste e 2 prillit janë me qindra ngjarje mijëra protagoniste martirë të pushkatuar, të burgosur, internuar, vrarë në kufi për shkak të qëndresës ndaj diktaturës më gjakatare në Evropë”- shpjegoi z.Çika.   

DEDIKIM PËR QËNDRESTARËT

Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë “ditët e qëndresës i kushtohen të gjithë shqiptareve që i qëndruan diktuarës  në mënyra nga më të ndryshmet duke sakrifikuar për ketë veten e familjen. U kushtohet të vrarëve me dhe pa gjyq, të burgosurve politike, të internuarve sidomos atyre të kampeve të shfarosjes në Tepelenë, Kamëz, Krujë etje, të dëbuarve politikë, kulakëve dhe të gjithë të tjerëve që pësuan forma nga më të ndryshme persekutimi. Përkujtojmë me respekt nënat, gratë e vajzat që me sakrificë përballuan të persekutimin duke ndjekur në burgje bijtë e bijat e burgosura, vëllezërit e burrat e tyre ndërkohë që me mundim e nën presion  duhet të ushqenin e edukonin fëmijët që jo në pak arrestuar u vdisnin nga vuajtjet e uria të gjitha këto, vetëm e vetëm pse nuk iu përkulën të keqes me të madhe të popullit e kombit tonë, komunizmit. Slogani jonë është: Ne nuk harrojmë. Dhe në këto ditë ne kujtojmë krimet e komunizmit dhe drejtojmë gishtin tek autorët e tyre që jo vetëm nuk u ndëshkua kurrë por edhe janë në pushtet në nivelet më të larta të tij”. 

KRIMINELËT E DIKTATURËS ENDE NË PUSHTET

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë lëshoi alarmin për kriminelët komunistë që ende bëjnë drejtësi në 30 vite demokraci. Ai bëri thirrje për hetime dhe pastrime prej komunistëve të sistemit drejtësisë, qeverisë dhe hallkave të tjera të administrimit të pushtetit në Shqipëri. “Në parlament në qeverie, drejtësi, siguri kombëtare e civile etje. Të bindur që nëse nuk do të ketë drejtësi shpirtrat e martireve tanë nuk do të mund të qetësohen por edhe për faktin së autorët e krimeve të komunizmit ende në pushtet mund dhe vazhojnë të kryejnë krime duke përdorur pushtetin shtetëror ne e  theksojmë mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit si problemin më të madh historik e aktual të vendit. Demokraci, liria, prona të tjera të drejta themelore të njeriut janë fiktive e të kërcënuara vazhdimisht deri sa autoret e shkeljes së tyre dje dhe sot janë jo vetëm të pa ndëshkuar por edhe në pushtet”- u shpreh Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë. 

TË DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT

Dënimi i krimeve të komunizmit është shëndërruar në një betejë pa kthim për antikomunistët shqiptarë. Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë: “Fatkeqësisht çdo përpjekje jonë juridike për të dënuar krimet e komunizmit është bllokuar nga drejtësia drejtuesit e së cilës janë në konflikt interesi pasi ata vetë ose prindërit e tyre autorë krimesh të komunizmit. Prokuroria ka bllokuar hetimin disa kallëzimeve penale për krim kundër njerëzimit dhe gjenocid ku mund të përmend Masakrën e Bombës në Ambasadën Sovjetike dhe ndaj ish drejtorit të Burgut të Qafë Barit Edmond Caja. Në këto kushte beteja jonë ka qenë dhe mbetet poetike, mediatike e historike pa asnjë kompromis me komunistët persekutorë. Ne në këto ditë përkujtojmë martirët tanë dhe këmbëngulim që ata të jenë modelet  e brezit të ri dhe jo kriminelët e njeriu i ri që u imponon si model shkolla dhe propaganda në Shqipëri. Nderim në jetë të jetëve qëndresës sonë antikomuniste dhe martirëve tanë” – deklaroi z.Çika.

MEMORIALI…

TË MOS HARROJMË TË SHKUARËN

Voltana Ademi, Kryetarja e Bashkisë Shkodër në aktivitetin për “Ditët e qëndresës”, mbajti këtë qëndrim institucional: “Ditët e Qendresës” në Shkodrën simbol të antikomunizmit, simbol të përballjes me diktaturat dhe neodiktaturat. Një vit nga kthimi i një borxhi për të persekutuarit dhe të përndjekurit, një vit nga vendosja e Memorialit kushtuar persekucionit dhe sakrificave të shkodranëve e shqiptarëve në 45 vite diktaturë. Në fund të një viti të vështirë për Shkodrën e Shqipërinë, që sot rrezikohen më shumë se kurrë në këto 30 vite të humbasin atë çfarë kanë arritur me shumë sakrifica e mund: Lirinë dhe Demokracinë. Sot, një ditë simbol dhe si thirrje për bashkim për të mos harruar të shkuarën, që fëmijëve tanë t’u lëmë një Shkodër e Shqipëri jo si ajo që përjetuam ne. Përpjekja e nisur në 1990-ën me etërit, duhet të vazhdojë me largimin e bijve për të zhbllokuar edhe rrugën tonë drejtë Europës së Bashkuar” – përfundoi Ademi.

Filed Under: Featured Tagged With: Nebil Cika, Qafe-Bari, Sokol Paja, Spaci

DY REVOLTAT, NE U NGRITËM KUR ISHTE E PAMUNDUR…

May 21, 2018 by dgreca

DY REVOLTAT, NE U NGRITËM KUR ISHTE E PAMUNDUR… DHE KOHA E TRETË POSDIKTATORIALE./

1 a Kujtese1 a Visari ok.JPGqafe_barirruget-e-ferrit-visar-zhitiSpaçiBurreliQafe-Bariu1_VisarZhiti-Ferri-i-carehqdefault

Nga Visar ZHITI/

KUJTESË. DHUNA DHE QENDRESA./

Historia jonë e re, e domokracisë shqiptare, duhet të shënojë dhe dy revoltat e gjysmës së dytë të shekullit XX në dy burgjet e mëdha politike, të Spaçit dhe më pas në atë të Qafë-Barit….                                                                    

Dy rebelime të forta, tronditëse, me thirrje të hapura kundër sitemit dhe kushteve çnjerëzore, të vetmet në të gjithë burgjet politike të perandorisë komuniste. Të dyja ndodhën në muajin maj, madje në data të njëjta, 22 e 23, në vitin 1973 ajo e Spaçit dhe 11 vjet më vonë ajo e Qafë-Barit.                                             

  E para ishte më e qartë politikisht në kërkesat e saj dhe nisi “nga poshtë” dhe mund të besojmë se ai pak liberalizëm që u ndie në vitin ’72 si pakëz “pranverë shqiptare”, por që u dënua shumë shpejt,  i kaloi telat me gjëmba, u fut dhe në burg, shpërtheu dhe mbaroi si tragjedi.                                                        

  E dyta filloi befas, e pa organizuar, kur diktatura kishte nënshtruar gjithçka e shpresa nuk kishte. Na u duk si “e provokuar nga lart”, mund të themi, nga komanda, që veç shtonte dhunën dhe format e saj nga më absurdet mbi të burgosurit që trajtoheshin si skllevër.                                                                            

Në të dy revoltat u vunë përballë diktatura me qëndresën, mizoria me mllefin, armët e së keqes me lirinë e munguar. U shtypën me gjak e hekur, me dhunë tjetër përmbi dhunën, aq sa, po të sjellim një detaj nga revolta, edhe kazanët e mëdhenj të supës i sollën të mbushur me pranga, kishte për secilin, ndërkaq rinisën ridënimet e rënda, pushkatimet, madje u dënuan dhe burgjet në vetvete..                                                                                                           

Duhet t’i kujtojmë. Sepse ndodhën dhe kanë të rënët e tyre, teksa u arrit të janë të rëndësishme. I takojnë kujtesës kolektive, e cila bëhet më e vlefshme duke u shndërruar në përvojë që të na mbrojë nga e keqja, e cila vjen jo vetëm nga e shkuara, por nga ku nuk e pret. Nga vuajtja duhet të nxjerrim virtytet, që i duhen aq shumë të tashmes dhe gjithkohësisë. Nga shpirtrat e burgosur shpërthejnë ende dufe lirie, ndërsa nga mendësia e persekutorëve kërkohet harresë dhe, pas saj, revansh e rikthim.                                                                         

Duhet të kujtojmë. Prandaj është e domosdoshme, nëse flasim konkretisht,  që disa nga burgjet dhe kampet e përqendrimeve të shndërrohen në muze si “Aushvicë shqiptare”, ku jo vetëm të dëshmohet, por dhe të edukohet…                       Nuk na duhet një demokraci pa virtyte, përsëris shpesh këtë porosi të Papa Vojtilës, të shpallur shenjt tashmë.                                                             

Në nderim të të vrarëve dhe të qendresës të të burgosurve, të vëllazërisë së tyre, risjellim pjesë nga libri “Ferri i çarë”, burgologji e Qafë-Barit, ku dy revoltat mbivendosen si në një palimpsest, me lëkurën e vetë jetës, duke zbuluar njëra-tjetrën. Duken si vazhdime të njëra-tjetrës, madje si e njëjta dhe pati të burgosur që ishin pjesëmarrës te të dyja.                                                                                     

Ngjarjet dhe emrat e këtij rrëfimi janë të vërteta.Një pjesë e protagonistëve nuk janë më, qoftë nga të burgosurit, qoftë nga komanda e burgut, gjyqtarët, drejtuesit e instutcioneve të dhunës, etj.. Dhe as ka patur gjyqim për ato gjyqe e ngjarje tragjike. Madje dhe më gjerë, për atë persekutim gjysmë shekullor. Faji ka mbetur pa fajtorë.                                                                                              

As diktatori nuk është dënuar dhe as i janë marë titujt dhe dekorata që ai i dha vetes e bashkëpunëtorëve të tij, që i zëvëndësonte herë pas here, duke i vrarë të mëparshmit.                                                                                             

Për fat, Shqipëria tani bën demokracinë e saj të vështirë. Dhe vërtet ndryshimet janë të mëdha, të pa besueshme për atëhere, por që ne, edhe burgjeve i bisedonim, i dëshironim…                                                                           

Vendi është hapur tej e tej, ka pluralizëm partiak, opozitë të ashpër vazhdimisht, ekonomi tregu, me tregje të pakta, ngritje të mirëqënies dhe polarizim të saj, mbrohet prona, me gjithë padrejtësitë në rikthimin e saj e korrupsionin e gjikundshëm, njihen të drejtat e njeriut, të besimit, të fjalës së lirë, të shpërdorimit të saj keqdashës, etj, etj, ndërkaq Shqipëria është dhe anëtare e NATO-s, duke patur alet SHBA, vëndin kampion të lirisë dhe demokracisë dhe më fuqishmin në botë, kurse Kosova është e pavarur, republikë e lire, falë mbështetjes amerikane dhe ne së bashku, si komb e popull, vazhdojmë ecjen drejt Bashkimit Europian, në ëndrrën e të burgosurve politikë, do të thosha, praninë e të cilëve, për paradoks, tek ne nuk e dëshirojnë aq sa ëndrrën e tyre, por në ndërgjegjen kolektive është ky mëkat e kjo krusmë e rëndë, krimi, mos-hapja e dosjeve të krimit, se ka vetëm të persekutuar, por jo persekutorë të shpallur edhe mungon ndjesa, jo vetëm nga lart, madje dhe ajo kolektive, veç e ndokujt që e pësoi dhe vetë më pas..                                                                        

Kështu ne kemi një histori të mangët, të atyre që e bënë historinë dhe ajo të atyre që e pësuan dhe nuk është e njëjta. Ashtu si muzeumet e rinj të deritanishëm, BunkArtet apo Shtëpia me gjethe, që dëshmojnë ata që bënë diktaturën dhe jo ata që i qëndruan.                                                                            

Por le t’i kthehemi rrëfimit të revoltës, në ditën e saj, ku dhe isha… 

PËRLESHJA NË BURG…                                                                                    

   -Të ketë nisur nga kapelet?!-

…Shefi i policisë, ai i talentuari për të shpikur, (Mond Caja), pas suksesit me dritaret e mbyllura me llamarinë, me dyert e shtuara pas dyerve në korridor, larjes me gjithë rroba të të dënuarve si dhe të kufomave me zorrë uji nga larg, nxori një avaz tjetër dhe priste shpërblimin: S’lejonte më kapelë. Asnjë i burgosur s’duhej të kishte gjë mbi kokë, të asnjë tipi, shapkë, kokore, kasketë, beretë, borsalinë jo e jo, as që i shkonte ndër mend njeriu, qeleshe jo… Po përkrenare? Hë, do t’i vijë koha. Helmeta?

Asgjë mbi kokë, as brenda në kokë. Mendimet nuk lejoheshin, flokë jo, tani as kapelë.

Po kemi ftohtë.

Prandaj.

Jemi sëmurë.

Aq më mirë.

Ti, i dënuar hiq kapelën. Eejj!

S’është kapelë, por shami.

Hiqe, as gazetë, asgjë!

Po qiellin?

Ta tregoj unë ty Zotin!

Hiq kapelën ti atje, je dhe plak! Kapelën ti, i dënuar, hiqe, në qoftë se s’do të të ikë koka…

(Etj, etj…)

* * *

edhe durimi s’durohej më…

…filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.

Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin më këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte më këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit, që shihnin në atë copëz ëndërr.

Urdhër i komandës. Prapë turni i parë!” “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim”. “S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën”. “Në darkë prapë”. “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë”.

Po i kujt, yni? – bërtisnin policët.

Po i kujt, juaji” – ia kthenin të burgosurit.

Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe tjetri Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka.

Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…

Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…”

U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka…

U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…

Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht nuk përshëndeti, s’kishte pse.

“Ce s’e betë normën (j)uve, të dënuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë… Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin. Maskarenj, pisa!”.

Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shqelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, u dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.

U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulurimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë.

Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft, s’keni tuuuurp, thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një gulç pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten. Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzonte. Policë u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye. Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur dhe britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot.

Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash.

Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anë e kënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mencës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva! – thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!” Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi. Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte se pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, kuisi, ka pasoja të rënda kjoooo-oh!

Po ç’të bëj? Të rri iki po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë.

Nuk e kupton, kryengritje? S’dihet ku do të dalë. Ikë, të thashë… Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës. Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët, ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit, mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin… dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes. Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet mes gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh. Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish. S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më parë. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak. Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte brritur Hysen Xhani në Spaç, – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!”, – dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?

Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale… Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash.

Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo… Të li-rë!?… Na kapi një ndjenjë e flatërt, mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë, qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë.

Ndodhi ajo që s’do të besohej kurrë. Të burgosurit zbythën një dyndje policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit. Policët morën urdhër të prapseshin. Gjendja diku lehtësohej dhe menjëherë rëndohej diku si për baraspeshë.

Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot… Ja vdekje, ja liri! Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! Ku jemi në Spaç, në revoltë. Si atje… Do ta ngremë prapë flamurin? U gjend dikush që dha një urdhër: ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanteri e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret. T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do shkoj dhe unë, tha Skënder, më i riu, por fare i dobët, sa as dhe në galeri nuk e futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet. Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, tha, grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim… Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë… Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdet. Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur…

Në Spaç kryengritësit hapën birucat përmes breshërisë së plumbave. Hulusi Pashollari dhe Dashnor Kazazi s’pyetën fare për mitralozin e truprojës përballë, po i liruan bashkëvuajtësit nga biruca. Dhe aksioni i dytë e di cili ishte? Shqyerja e derës së bibliotekës së burgut, u mblodhën gjithë librat e Enver Hoxhës dhe të klasikëve të marksizmit dhe iu vu zjarri. Anash flakëve vallëzonin të burgosurit dhe këndonin këngë patriotike.

Në revoltën e Spaçit hipi mbi supet tona një djalë i ri, Skënder Daja, dhe u foli ushtarëve, eeeeejjj, vëllezër, edhe unë sa ju jam, 21 vjeç, ulini armët, mos qëlloni mbi ne, jemi në burg se duam lirinë, atdheun, juve, u rebeluam për lirinë dhe atdheun. Mos gaboni… Menjëherë hoqën ushtarët e rinj nga rrethimi dhe vendosën policë, skuadra të zeza si ato të pushkatimit. Të vazhdojmë kryengritjen e Spaçit, u dëgjua një thirrje nga fundi i shkallëve! Pse, ku jemi, s’është Spaçi ky? Qafa e Barit, or mixhë, por njëlloj janë. Po dridhem. Ta ngremë flamurin e kuq me zhgabë, mezi po pres, turfullonte plaku.

Ta ngremë flamurin kombëtar mbi tarracën e burgut, thamë, me solemnitetet. Kërkuam muzikantët tanë, t’u binin veglave, ku t’i gjejmë, Himnin e Flamurit. Kush ka frikë? Me të drejtë. S’u vumë faj. U grumbulluam ne, u mbajtën fjalime para Flamurit. Ku ishin tërë ata oratorë të shkëlqyer! Kurse përtej telave me gjemba, mes rrethimit të ushtarëve dhe policëve të armatosur deri në dhëmbë, oficerët shihnin këtej me dylbi, bënin fotografi, xhironin me kamera. E kënduam vetë Himnin me zërat tanë të ngjirur, u mblodhën aty vëllezërit Çoku, Luan Burimi, Dervish Bejko, Pavllo Popa, Jorgo Papa, Gëzim Medolli, Ylber Merdani, Naim Pashaj, Murat Gjonzeneli… dhe përmes lotësh e ngritëm Flamurin përmbi burgun. U alarmua qeveria, ulni flamurin, dërgonte mesazhe komanda. Dolën vullnetarë tërë ata të burgosur për të bërë rojë nderi pranë Flamurit, natë e ditë, duke u ndërruar me njëri-tjetrin. Tregomë, jemi në Spaç, apo jo? A s’janë njëlloj Qafë-Bari, Aushvici, Buhenvaldi, Prishtina? Po, po, ika, se kam punë. Këtu jemi. Priftërinjtë, ushtarakët? Ç’ushtarakë? Tanët pra, të burgosurit. Ç’do të bëjmë, djema? Si, do të presim të qetë të na hanë? Të sulmojmë. Të shihen mundësitë strategjike. Le të vritemi. Sa t’u marrim ushtarëve automatikun e parë. Di unë pastaj se ç’bëj me një automatik në dorë.

Të gjithë ushtarët e rrethimit zbraznin automatikët njëherësh, me breshëri, vetëtima të shkurtra, të drejta si thika të shpejta, frushullimat e tyre të njëpasnjëshme vezullonin me krisma shurdhuese kudo, tym në grykat e armëve, qëllohej pa ndërprerje nga të gjitha kullat e vendrojave. Një dorë ushtarake te porta e madhe, e pamë sërish, jepte sinjal, tundej për çdo batare të re dhe tytat e armëve po uleshin gjithnjë e më shumë, nga në ajër, në drejtim të kampit, mbi kokët e të burgosurve. Ngrimë në vend. Pati nga ata që u shtrinë rrafsh me tokën. Do të ketë ardhur urdhri për të na vrarë të gjithëve. Binin copa të shqyera mbi ne, të rënda, të errëta, zhvoshje muresh, qielli. Dora dha sinjalin ndal. Heshtja si një gropë shurdhuese u hap në ajër. Erdhi erë e djegur, qe përzhitur gjithësia.

Të gjithëve na vrasin, s’e ka për gjë diktatura. Burgu gropë e përbashkët është. Na mbulojnë këtu e askush nuk e merr vesh.

*   *   *

Dy si përrenj të gjallë vinin nga dy oborret, njëri ngjitej, tjetri zbriste, përplaseshin, dallgëzonin shkallëve brohërimat, shkumbë-zonin mesoreve të pasme dhe te mesoret e katit të dytë mekeshin si çezmat e kampit, që po u shterte uji. Bllokadë. Atë që këtyre nuk ua ka bërë kush, po e bëjnë me ne. Venin dhe vinin njerëz me thasë në krahë. Merrnin gjëra, i linin, i fshihnin më mirë ose i zhduknin përgjithmonë. Macet qenë strukur ku të mundnin, rrëzave, me sytë vezullues si prush i fshehur, kurse qentë gjithë ojna gjendeshin te rrëmuja më e madhe, të çlirët dhe hokatarë. Një mi vrapoi në oborr dhe dy më të vegjël pas tij. Do të ketë tërmet, se kush paralajmëroi. Tjetër?

– Shkrimet i ke siguruar? – pyeti jo pa shqetësim Maksi.

– Deri më sot po, – u përgjigja po aq i shqetësuar.

– Duhet treguar kujdes.

– Si?

– T’i kesh afër.

– Ndoshta kjo e bën më të rrezikshme gjendjen time.

– S’je vetëm.

Shkova si somnambul përballë thasëve të mi: librat brenda, botimet tona dhe fletët e akuzës, të holla, mezi lexohen, me një vulë të zezë si ënjtje plage, dorëshkrimet i mbaj tek tjetri, secili i fsheh siç di, sekretin e mban vetë. M’u duk sikur lëvizën thasët. Po, brenda kanë shpirtra, duan mbrojtje. A s’na janë gjendur deri tani e na kanë mbajtur gjallë? Hapa atë që përbënte rrezik. Se ç’ndreqa aty. Vura përsipër një rrobë që s’duhej. Ia lidha grykën me ushkur. E zgjidha prapë. E lidha… M’u duk sikur filli i telave me gjemba vinte rrotull zemrës sime. Zbrita në oborrin e sipërm, të gjithë bënin diçka, edhe mosbërja asgjë ishte një bërje, dëshmi dhe mosdëshmi. Pse përgatiten kështu si në një ikje për në një asgjëkund ende më të rëndë? Dhe s’duhej të binim. Dikush vishte një palë rroba të dyta mbi ato që kishte veshur. Ndërroni rojën tonë te kazanët e ujit, tha një tjetër. Shkulën nga stenda gazetën “Zëri i popullit” dhe po e shqyenin. Shqyen dhe dyert e birucave, jo, jo, i hapën me marifet, kishin lëvizur çelësat dhe zinxhirët dhe i nxorën prej andej të dënuarit. Ishin më të zbardhëllemë se kurrë, më të dobët se ne. Kudo, nëpër oborr, shkallëve, dhomave brenda, sidomos në vendet e ndaluara, bëhej kafe, harxhohej kafja e fundit, ruajtur deri tani, xhezvet e vogla mbi zjarre të vogla letrash, tymi i zi sikur ndillte mynxyrë tjetër. Eja pije një kafe. E piva më lart, falemnderit. Sherbet pihej më shumë. Dhe me zor. Për të pasur energji. S’dihej kur do të hanim. Ku dhe si? Ndoshta kurrë. Mensa qe shkatërruar. Rrëmujë dhe zhurma si në një festë të kërcënuar. Përtej telave me gjemba shiheshin lëvizje të tjera dhe ngut. Rruga u mbush me zhurmat e kamionëve që erdhën. Zbrisnin ushtarë të armatosur. Pastaj pas maleve, andej nga jugperëndimi, në drejtimin ku duhej të ishte Tirana, befas u përshfaq një…

PËRBINDËSHI FLUTURUES QË ERDHI NGA KRYEQYTETI

Helikopteri erdhi edhe një herë rrotull, kërcënueshëm dhe trandshëm, u epua edhe më dhe u ul afër ndërtesës së komandës, mu në mes të rrugës. Kalë Troje fluturues, eeejjjj…. Kur shpejtësia e rrotullimit të helikave ra dhe vorbullat e tyre ajrore u tretën, u afruan oficerë dhe qëndruan para derës së helikopterit “gatitu” duke nderuar me grusht. Pas një oficeri, doli serioz një civil i shëndetshëm. Qenka zëvendësministri, e njohën disa nga të burgosurit dhe s’po lëviznin, veç vëzhgonin se ç’do të bëhej përtej, në vijim. Më keq ky, thanë dy-tre zëra. Është kriminel profesionist dhe merr pjesë vetë në tortura. Dhe në skuadrat e pushkatimit. Grupi ushtarako-civil nxitoi drejt komandës. Atje u mbyllën për ca kohë. U shtuan rojat te porta. Pastaj pamë që rrethimit të telave me gjemba iu bashkëngjit një rrethim tjetër ngjitur.

Mbi tarracën e komandës, te ndërtesa e parë në anë të portës së madhe, të hekurt, mes një lukunie civilësh dhe ushtarakësh të kthyer këtej nga burgu, një i trashë, me megafonin të ngulur në gojë, nisi të buçiste: Dëëgjoooni, dëgjoniiiii. Ministri i Brendshëm. Jo, jo, zëvendësi. Mos është sozia? – po zhurmëronin të burgosurit mes tyre sikur s’po merreshin vesh për llojin e kafshës. Buçima e megafonit sa vinte e bëhej më çarëse, e sertë deri në kërcënime… Dorëzohuni, se… forca e diktaturës së proletariatit… do ju shtypë… vrasë… dorëzooohuni!

Hutim. Habi. Po që guxuan të qeshnin? Edhe në Spaç zëvendësministri, Feçor Shehu, thërriste nga pas telave me gjemba për dorëzim. Të të vijë turp, more kriminel i fshatit tim, iu kthye atij me të thirrura i burgosuri Hajri Pashaj, vjen dhe na kërcënon. Të është fryrë barku dhe zverku me djersën dhe gjakun tonë. Harrove zotrote, kur të kapën gjermanët e Hitlerit dhe të futën në burg, kalama ishe si unë, kur më futët ju. Ata të dhanë bukë e qumësht e të kthyen në shtëpi. Ne po plakemi këtu e ju po na rripni të gjallë, sepse donim të iknim nga regjimi juaj i fëlliqur. Turp, na turpërove fshatin! – Dhe u qasej telave me gjëmba, ikte andej e këndej, s’e mbante vendi. Vetë Feçor Shehu e pushkatoi atë mbas dy ditësh. – Por edhe ti kështu do të përfundosh, s’ke për t’u bërë ministër ndonjëherë, i kishte klithur sërisht bashkëfshatari i tij. Partia jote do të të vrasë…

Dorzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu? E kanë dërguar prapë? Jo, jo, atë e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai tjetri është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës. Dooorzoohuuunii, të dënuar… Ç’të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërprisnim kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për të paraqitur shkaqet dhe kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar? Mbas dy orësh do të hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar dhe shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe… nga çdo betejë ka dalë më e fortë. K-u-p-t-u-a-a-a-t….?

Hinka e megafonit nga këtej ngjante me një shqyerje të jashtëzakonshme goje, britmë sqollash. Ndërsa po zbriste nga tarraca tufa e tyre, ultimatumi i shtetit vazhdonte të bënte jehonë në gropën e burgut. Na u duk sikur pamë rrokullimat e aaaa-ve, ooooo-ve, shponin iiiii-të, gjyle të përflakura ranë midis nesh. Fauna e shtetit kaloi në anë të përbindëshit-helikopter, i cili bënte sikur flinte. Po tani? Askush nuk pyeti, por shihej te balli i të gjithëve, te rrudhat.

S’u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok pesë veta, jo, gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja shikoi… Po shkojnë apo po kthehen? Doli dhe një përmatanë nga komanda dhe mori mesazhin e të burgosurve. Me shkrim apo me gojë? Njëlloj është. Jo. Shpjegohej rebelimi ynë, si shkak i dhunës së pandërprerë, gjithnjë e më të madhe, i padrejtësive dhe kërkohej ndryshim i gjendjes. Të trajtoheshim si njerëz, edhe pse kundërshtarë… S’pati kërkesa politike? Mesazhi vetë është qëndrim politik. Pa akuzuar dhe pa pranuar faje.

Qetësi, të mbajmë njëri-tjetrin. Bashkë… Ne s’kemi faj. Krimi është matanë telave me gjëmba…

Qetësi. Qetësia u gris befas me kërkëllima të forta metalike. Shule armësh? Porta e madhe po hapej, zinxhirët e saj, çelësat dhanë kërcënimet e para. Në tarracën e vogël të komandës, në anën e së cilës mbërrinin helikat e pezullta të helikopterit, u shfaq një grup ushtarakësh. Njëri me megafon urdhëroi: “Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë… Morët vesh? Asnjë lëvizje… Jeni të rrethuar… Dorëzohuni!”

U futën sampistë ushtarakë, shihnin si të tërbuar, mezi prisnin të shqyenin këdo, mes tyre oficerë të shumtë, të komandës dhe të Ministrisë, civilë që s’i njihnim, me kostume të jeshilta, në ngjyrë helmi, të ushqyer mirë, jo si ne, të (u)shqyer keq, se kush mërmëriti kështu pranë meje, e pashë se po zbehej, ç’ke, edhe ti po zbehesh, ja dhe komandanti, komisari, shefi i policisë së burgut, mbahet dhe krenar, pederi, shpura e rojave, policë, policë prapë, me egërsi të ngrirë si maska, kapterë, s’u dukkan mjeranë, pa-pa-pa… Ndërsa kreu mbërriti tek oborri i parë, bishti gjarpëronte ende te porta. Ecnin nën atë tendën prej telash me gjemba, me taktikë, sikur shkelnin shtigje të minuara. Eeeejjjj, të dënuuum, të gjithë poshtë, në oborrin e apelit. Asnji i burgosun n’dhoma, kush kapet se s’don me ardhë, e piu e zeza! Se na… s’na bani dot kurnjigja. Kemi n’dorë dhe gurin, dhe arrën. Kena Partinë… një gabzher kapteri bërtiste kështu, urdhër nr. 1 i komandës, shpejt, shpejt, në rresht. Jeni të rrethuar, kryengritja në fakt u shtyp. Kaq duhej. Tani fillon ndëshkimi. Të gjithë lëvrinim të trishtuar, me shqetësim të dyfishtë dhe u bashkëngjiteshim rreshtave të funeraltë në oborrin e thatë si një fletë e stërmadhe me shkronja gurësh dhe rëre të gjallë. Të urtë. Me fytyra të nxira, sepse kishte nga ne që s’qenë larë dot, që kur kishin dalë nga galeria. Uji qe ndërprerë. Por janë dhe nxirje të tjera, nga përleshja me policët. U dha urdhri nr. 2: të gjithë përtokë, uluni! Ne sikur u përgjysmuam kështu, u bëmë ulokë, toka mund të na përpinte më lehtë. Kokët tona ngjanin me plisa të mëdhenj dheu. Tokë e çarë, e bërë fërtele, e lëruar me qe të harbuara, mitike, jo me plugje, por me shpata, me hekur predhash. Edhe atyre sikur iu shkurtua frika nga shkurtimi ynë i menjëhershëm. Pasi mbaroi zhurmërima e leckosur e rrobave që bien, u ulën dhe të fundit. Ushtarakët përsipër po na dukeshin më të mëdhenj, më kërcënues, kabá. Policë e kapterë u shpërndanë midis nesh, egërshanë si kafshë, ecnin pa kujdes, shkelnin herë dorën te njëri, herë i binin me majë çizmeje një gjuri. Oh, bëri një zë, provokim, thirri polici, vazhdim i kryengritjes, çohu, merreni! Po erdhën kazanët e mëdhenj të kuzhinës, mos kujto se do t’i sjellin me supë, më foli shoku pranë. Në revoltën e Spaçit i sollën plot me pranga për ne. Asgjë s’na bëni dot ju, – e nisi bërtimën njëri nga oficerët, – armiq të pandreqshëm, s’e përmbysni dot pushtetin popullor, diktaturën e proletariatit. Kemi ardhur në pushtet me gjakun e dëshmorëve dhe me gjak do ta mbajmë. Shkuma në gojën e tij m’u duk me pikla gjaku, ndoshta ndonjë pasqyrim xixëllues i dritave të rrethimit. Ato u ndezën më shpejt se zakonisht. U nxi lëpeja, mërmëriti një verior pranë meje. Cili? Lëpeja. S’e njoh. Horizont i thoni ju. Ne s’pyesim nga kapitalizmi dhe revizionizmi së bashku, – po ulërinte një oficer tjetër, – do t’ju shtypim, ju, që keni lidhje me armiqtë e jashtëm, të drejtpërdrejta dhe shpirtërore. S’doni të riedukoheni? Dhuna e proletariatit do të bjerë pa mëshirë mbi ju, që tani! Filloni. Pezm. Shumë pezm. Flatra të vdekura lakuriqësh nate. Flatra tiranozaurësh. Edhe frymëmarrja e tjetrit dëgjohej, por dhe zërat, një britmë e hollë fëmije, ah, sa bukur, erdhi andej përtej, ku qenë grumbulluar njerëz, nëpër shkallët e ah-mfi t-eh-ah-tr-ih-t. Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të policisë. Po, tha, fillojmë. Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të burgosurit e gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët, tabela qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake. Gjithçka iu duk në rregull, top fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol… cili, të dy… shkrofëtiu korbi.

Çohu, ti, edhe ti… u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturumshëm, sy të çakërdisur vigjëlonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur mirë i pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka dhe lëkurë bashkë, e tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s’shihnim se ç’bëhej. Sokoli tjetër… Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo… tjetër, Bushgjoka… dhe policë të tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi… Vllasi, Kostandin… zvarritnin njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre. Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm… Vuthi… Martin… Lazër… Tabaku… Pisha… përsëritej rituali barbar… dhe, sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin mbi ty për të të zvarritur duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. Njëlloj janë, armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje. Ç’u bëjnë pas murit, mos i asgjësojnë? Dëgjon ti krismë arme? Të shurdhëta po.

Mos lëviz. Më shkeli dorën polici, m’u ngulën gozhdët në mish, gjak, mos lëviz. Pse s’po mbaron? Sa gjyq i gjatë. Do të ngrihemi dot ndonjëherë, ulokë do të mbetemi, do të zvarritemi, a do të ecim me këmbët tona, do të kemi emër, apo lëvozhga të ngjitura në ballë, lëkura të rrjepura? Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët, mos i prekni, u tha policëve. Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura, dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë…

VAZHDOJNË RËNKIMET

…rënko(h)-i prapë: oh-h-h-h-ooo-ooh! Një rënkim tjetër, nata, i fundmi i kryengritjes, ngji-iih-ste shka-ah-llë-ëh-t. Rrëzohej, oh, ngrihej, ih, ngadalë, ah, shihte qiellin, plot me gozhdë yjesh, vrima plot, bien rënkime, toka e zezë, me ofshama gropash, lëkundej, ej, of, op, uh, uf. Rënkimet-et pikonin gjak-ak. Llavë… Ra prapë pezmi i rënkimeve, i gjatë, zuri brinjët me dorë, të thyera, dy, tre, yyyyeeeeehhh, shfryu, uh! U rrëzua…                                                                           E çuan pas murit… Zvarrë. Ah! Oh, oh… Hija e rënkimeve u rrëzua prapë. Oh. U shtri… po rënkonte toka, muzgu sipër saj, gulçonte mbi pellgun e gjakut të vet… “Çohu, i dënuar, – briti polici pas tij. – Ngjiti shkallët, drejt birucave.” Të burgosurit përreth s’po lëviznin si në një mallkim. S’lejohej me regullore t’i jepje ndihmë tjetrit. Ah, sikur ta merrja për krahu, brinjët e thyera i dhembnin tmerrësisht, ta mbartja deri te porta e vogël… e birucave të brendshme.

Gulçe gjaku të ngrohtë shpërthenin nga goja mes dhëmbëve të thyer… U-u-u-jë-ë-ëh! Kushështë… Nuredin Skrapari… Ujë… më digjnin plagët brenda trupit, elektro…oh…vo…zi…sti Agroon Ho…xha më njomte buzët me një leckë, s’e di ku e gjeti ujin, ndoshta binte shi, po ti… në birucë, unë pashë që policia të ra me dru në kokë… qetësohu, mos fol… Roola(h)nd Too(h)li më mbante kokën të mos më binte përdhe, e paskan arrestuar edhe atë, po ai është i gjatë, ka më shumë vende se unë për plagë… dhe s’po më linte të vdisja… edhe Çajuuu(j)iiii, ujëëëë…

DËNIMI I REVOLTËS DHE DËNIMI I BURGUT

Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, I palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zv/komisari a ç’dreqin është, që iu rrokullis kapelja me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenjë plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasho, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të së pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…

Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë… Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte…

Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria në familje. Çfarë, karriket, lugët? Dhe me heqjen e të drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Nga që votuesit këtu janë të vdekur…

* * *

Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do shëmbin ngrehinat, shkallët, do përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më.

Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do e mbushin me tela me gjëmba e do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë akoma më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri.

Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do u vënë regulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund të heqin televizorin, – mirë do të bëjnë, – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë.

I dënuar në një burg të dënuar.

NË DOSJEN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDËSHME                       

Për revoltën e Qafë-Barit:

“Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…” (Fjalia e fundit e nënvizuar.)

Akuza e Prokurorisë Pukë:                                                                         

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi. Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…

PUSHKATIMI: SOKOLI DHE TOMA

…Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë:

Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952 nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën…

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i kanë shkruar, pushkatarët? Ja:  Para ekzekutimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vet. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”

I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”

Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…

Ku i vratë? Flisni! Hapeni gojën që ta hapim gropën për të varrosur dy shokët tanë, dy njerëz. T’u hedhim nga një trëndafil, por dhe ata mua m’i dënuan.                                                                                                     

       SYTË… E BOTËS

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve.

Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!

Botë Edip, qorre, ulëri e masakruar në fundin tënd!

KOHA POSTDIKTATORIALE.

MASHTRIM DHE REVANSH URREJTJEJE…

Kaq. Kjo ishte një pjesë nga dëshmia ime për revoltën dhe atë pak liri tragjike që u arrit brenda telave me gjëmba, me policë e gardianë të përzënë, që nuk zgjati dhe aq, që bëhej a s’bëhej një ditë e plotë, me një gëzim të zi, që na zbuloi sërisht se ata nuk ishin aq të fortë, të drejtë kurrën e kurrës, por barbarë. Ishin të rrëzueshëm, por i mbanin në këmbë rrethanat, të paturit e një kampi komunist sa gjysma e Euro-Azisë e më gjerë, por dhe e keqja e tyre ngulmuese dhe injoranca kryeneçe.

Jo s’e nuk dinin e nuk kishte shkolla, diktaturat mbahen dhe me intelekt, por edukata, që donin ta bënin kombëtare, ishte rrjedhojë e idelogjisë së luftës së klasave, urrejtje, goditje dhe mbyllje. Gjë që solli shkretim shpirtëror e për pasojë edhe mental. Sistemi u bë i tillë që puna shtohej dhe bashkë me të dhe varfëria, ngriheshin fabrika e propagandohej mirëqënia kolektive, jo e individit, pra e askujt. Vetëm makineritë e dhunës ishin ato që funksiononin perfekt.                                    Dhe burgu s’ishte veç aq, ajo dita e revoltës, me atë akt e ato britma, por një përditshmëri infernale me vite e vite, ku dukej se s’ndodhte asgjë, një rrethim mizor, një turmë apokaliptike, mosshpresë dhe vuajtje, uri e skajshme ndanë minierave  si ato të rendit skllevopronar. Puna jonë raskapitëse nuk u shpërblye asnjëherë, pra u grabit, nuk e kam fjalë për dëmshpërblimet. Shto pastaj dënimet e përditëshme, hetuesitë prapë, torturat, vrasjet, pushkatimet, flakja në baltën pa emër, etj, etj. Dhe si për të na riedukuar gjoja, por për të bërë “shpëlarjen e truve” si një tjetër torture plus, na lexonin çdo ditë nga librat mediokër të diktatorit Enver Hoxha, etj, etj.

E keqja s’përmbahej dot veç brenda telave me gjëmba. Ajo përhapej në të gjithë vendin duke kaluar dhe në breza të tjerë e kohë tjetër, kur Shqipëria nisi të ndryshonte Ndërkaq kishte rënë “Muri i Berlinit” dhe gjithë perandoria komuniste.

Pas “murit” që na ndante me veten, Kosova po ngrihej sërisht për të drejtat e saj dhe do të bëhej çështje boterore.                                                                        Te ne po lejoheshin revoltat, të minatorëve, të studentëve, të qytetarëve, befas u krijuan shpejt e shpejt parti të tjera, etj, U hapën burgjet politike, por të burgosurve politikë u druheshin. Duheshin idealet e tyre, vuajtja e tyre,. më shumë se sa ata vetë. Teksa vendosej demokracia dhe po punohej për sitemin kapitalist, përgjithësisht punohej me ata në krye që kishin qenë kundër kapitalizmit, kundër demokracisë dhe pronës private, etj. Gjithsesi rëndësi kishte ndryshimi dhe përparimi i vendit, kështu na dukej.

Dhe u bënë ndryshime, si nuk u bënë? Edhe neve që vinin nga burgjet dhe internimet, po gjenim përkrahje, hapur, po futeshim nëpër punëra gjithandej, fëmijët po shkonin në universitete, etj, na dhanë shtëpi, megjithëse na i mbajtën cmimin e tyre të lartë nga dëmshpërblimi i vonuar e i ngadaltë. Na emëruan në administratën shtetërore, te burgjet, në polici e diplomaci, deri edhe ministra, kryetar parlamenti.

Më së shumti ish të persekutuarit iu bashkuan Partisë Demokratike, shpesh e më shpesh i afruan te kreu, por pa qenë kurrë në krye, gjithkund, por dhe duke i sprapsur pak e nga pak, gjithnjë e më shumë.

Siç e thamë, duheshin idetë e tyre, ëndrra e tyre, vuajtja e tyre, aleatët e tyre, edhe morali i tyre, por jo ata vetë. Ndërsa do të duhej që pikërisht fryma e tyre, e asaj që del mbi vuajtjet, e dëshirës për liri e botë, ta tejpërshkonte gjithë kohën tonë.

Mbase dhe ne duhej të ishim më bashkë, të vetorganizoheshim e jo të na organizonin.

Pasi iku frika e ndëshkimit e të gjithë u vërsulën të rrëmbenin copra Shqipërie nga “legjislatura në legjislaturë”, teksa disa majmeshin pabesueshëm shumë e shumica mbetej dëshpërueshëm po aq e varfër, nga klani i shndërruar, si majtas dhe djathtas, te disa me paranojën dhe nostalgjinë e të dikurshmes, zgjohej, si bisha brenda vetes, po ajo mënyrë harbute e të vepruarit. E kaluara luftohej me metodat e së kaluarës, por në kushtet demokratike. Motori i dikurshëm i historisë, ai i luftës së klasave, pra i luftës civile në kohë paqeje, ndizej herë pas here.                                                                                              

Nga që vendi s’u tregua i aftë të dënonte klasën e krimeve për gjithë ato gjëma të kryera, ajo urrejtje po derdhej te koha e tanishme e te bartësit e saj.

Ata që e pësonin më shumë ishin ata që donin t’i përdornin më shumë, të përndjekurit, më të margjinuarit sot, më të ikurit. 

Atavizmi i urrejtjes shndërrohej herë në indiferencë institucionale dhe herë në nëpërkëmbje, institucionale dhe kjo. Vinte nga “krahu i majtë” më shumë, ndërkohë ai dha së fundmi më shumë këste dëmshpërblimi, por dhe nga “i djathti”, që ndonjëherë na ngjante si një krah i majtë i ngulur djathtas dhe “epoka jonë” na është dukur po aq e përçudnuar..

Mashtrimi posdiktatorial është po aq i madh sa dhuna në diktaturë dhe kjo bën që të shihen me një lloj mosbesim zhvillimet demokratike nga ne. Duhet fryma jonë patjetër nëpër institucione, nga ajo që valëviste Flamurin pa yll në revoltën e Spaçit.

Jo se institucionalisht nuk ka patur pjesëmarrje në tubime e përkujtime e dekorime të të persektuarve, por do të mjaftonin ndoca për të kuptuar antifrymën, madje dhe ndonjë, p.sh., koleg i uniformave ushtarake të diktaturës, i cili dhe ka dashur të risillte shtatoren e diktatorit, atje ku populli e shkuli dhe e zvarriti, e megjithatë arriti ta bëjnë president, e theksoj: ta bëjnë, që në praktikat e tij, të ushtruara si Kreu i Shtetit, ka qenë hapur, realisht, fizikisht kundër të persekutuarve.                                                                                                     

LIRIA… PËR TË QENË I KEQ

Ka liri, liri shumë për të qenë i keq e gjithnjë e më pak për të qenë i mirë. Dhe  mbeturinat enveriste mezi ç’kanë pritur raste të tilla të nxjerrin kthetra e dhëmbë, brirë e antena, edhe ato televizve, dhe, – të detyruar të flasim me gjuhën e tyre nga që të përthithin në grackën e tyre, – ata shprazin tërë qelbje mendimesh e ndjesish sadiste duke e mbushur me smog ekologjinë pluraliste të ideve.

Sa më hiçër, po që çoç u duket vetja, aq më zell skëterror përshfaqin, vjellin pa censurë, vargje-vargje, me mallkime ateistike, sa ia kalojnë në ligësi dhe parashikimeve të idolëve klasikë të tyre, sekretarë e shefa, kaloqe e nishanë  gjithëfarësoj, vampirës e hiena e shtërpinj të pa rritur, por po të kishin kushtet e plota që të metamorfëzoheshin, do të bënin të zaliseshin dhe magjistricat e Makbethit, vetë Makbethin dhe Zonjën e tij të zezë, çdo vejushe diktatori, që shtiren si të sojshëm, të atij soji të pa soj, lapërdharë dhe bushtra me buzët të kuqe si nga një gjakpirje, tumore ideologjikë, maisësh të plagëve të hapura prej atyre që ata i pollën, helmatisës të komunikimit të zakonshëm njerëzor, që nga bisedat e thjeshta në rrugë e deri tek ato në rrjetet sociale e në median e përditëshme.                                                                                             

          Nga shkaku i klimës të prishur, i idolatrisë së kobshme, i realitetit pështjellues, ku s’ka drejtësi deri në fund, me korrupsion deri në fund, me liderë të kapur nga vetvetja, që tërhiqen, që i tërheqin, me vetingun shqetësues, me tranzicionin që nuk mbaron ashtu si autostradat tona që asnjëra nuk është e mbaruar e gjitha, me plantacionet e kanabisit e bandit e tyre, etj, etj, Shqipëria duket sikur jeton më shumë në ish kohë, si në një tablo të përmbysur, ku njihen ish të persektuarit e ripersekutohen me forma më “demokratike”, por jo ish persekutorët, lart e më lart ata, ku ende ka ish pronarë, por jo posedues të moralit e të ligjeve universale të njeriut, e kam fjalën thjesht për të vërtetën e të drejtën, etj, etj, aq sa rrojtja pranë shtriganëve e shtrigave të kësisojshëm, të qenit bashkëkohës me ta, është një tjetër dënim. Të vjen dëshpërimisht keq, që prej tyre të duket se i përkasim një si vendi me ish njerëz, me ish vëllezër… Fali o Zot, se s’dinë ç’bëjnë ose dinë vetëm atë që ua pëshpërit djalli I tyre.

    Prandaj dhe ikin e duan të ikin aq shumë, sa më larg. Ata që s’munden, tërhiqen dhe heshtin për të mos u bërë si ata, mbeten të varfër dhe ndodh të çmenden ose të vrasin veten.                                                                    

              …Dhe mes fëmijëve të pafajshëm, të mrekullueshëm si janë fëmijët të gjithë, adoleshentëve ëndërrimtarë, e të rinjve që duan të bëjnë për vendin me shpresë e guxim, dalin engjëj paralajmërues, që s’dihet me ç’forcë të mistershme të Hyut, zgjedhin të mërgojnë qiejve. Kujtoj që njëri prej tyre, me të atin në burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit, na ka lënë dhe klithmën: “Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë…”. Të tretën!

Duhet! Ne, gjithë të dënuarit nga “ata” e jo nga Zoti, besojmë e presim. Shpresa ka…

 

Filed Under: Featured Tagged With: DY Revoltat, Kujtesa, Qafe-Bari, Spaci, Visar Zhiti

GJON KAÇAJ: DËSHMI PËR REVOLTAT SPAÇ & QAFË BARI

May 16, 2017 by dgreca

1 OK Revolta*KUJTESË- MOS HARRONI- Spaç 21-23 Maj  1973-Qafë Bari 20 Maj 1984/ 

 1 Gjon kacaj ok* Dëshmi edhe nga ish Gardiani i burgut gjatë revoltave Spaç 1973 dhe Qafë Bari 1984/

2 spac

FOTO: SPACI/

Unë në cilësinë e N/ kryetarit të Shoqatës së ish të Përnjekurve Politikë të Shqipërisë , së bashku me Eva Bllacin-shefe në departamentin ekonomik në Institutin e të Përndjekurve Politikë, morëm në dispozicion taksistin Gjon Hasani, në vajtje e kthim Tiranë – Titograd për nje takim pune me përfaqësuesit e ish të burgosurve rrefugjatë me banim në Belgjikë.Njohja në kthim me taksistin Vojvode nga Ulëza e Shkopetit me banim në Tiranë u ba shkak i intervistës sime mbas deklarimit nga ai se kishte qenë ish gardian i burgut gjatë revoltave Spaç 1973 dhe Qafë Bari 1984. Pyetja ime për Gjon Hasanin:

Çfarë dini ju më shumë se thuhet e shkruhet për dhunën e ushtrueme në revoltat Spaç e Qafë Barit?

Pergjigje:Asnjëherë nuk është  thënë as shkrue ajo që kemi përjetue ne konkretisht,gjoja në emër të sigurisë pa përmend ato që dihen publikisht,edhe sot mbaj peng një trishtim:-Arritën nga Tirana kamionë ushtarak mbular me mushama.Sollën gjenerator dhe kompresor.Xhenjerët special bënë instalimet dhe siguruen mbylljen hermetike të portave hyrse në tunelë,ku mbyllen brenda dy qenë.Ata bënë provën gjenerale,hoqën ajrin nga tuneli dhe pastaj hapën portën hyrëse.Qentë kishin ngordhë.Pastaj na udhzuen se si të vepronim mbasi të arrinte një urdhër i dytë nga Tirana dhe masat e sigurisë që do të zbatoheshin me pikëpermeri gjatë kohës që do të sillnim në tunel të burgosurit me dije për leximin e shtypit ditor…

burgu-i-qafe-barit

FOTO:QAFE-BARI/

Intervista ime me ish të burgosurin Imer Lanin nga Grizha Malësi e Madhe.

Mbasi kishte vuejt 29 vite në qeli,e gjeta në vitin  1993 në kaliben e dinamitit që e kishin përdorë para viteve nëntëdhjetë për hapje trashesë,bunkerëve,qendra zjarri e tuneleve etj.

Ajo ishte 3 me 3m ,gjërë e gjatë,kishte një derë  dhe një rrethim rrotull  sajë,katër m,në distancë me shtylla betoni dhe tel kloni me gjëmba.

Nga një qendër humanitare i solla një shtratë, dyshekun, batanie, veshmathje, ushqime dhe disa pompa për frymëmarrje mbasi vuante azmat,peshqesh nga burgu i Burrelit.

E pyeta:- A mundë t’ju marrë një intervistë?

-Për ty apo për mue,- mu pergjegj.

– Për ty edhe për mue,- i thashë.

Për ty më tha me dashamirësi.

Më lejon ta etikoi ………INTERVISTA  IME.

 

 

 

 

-Ju dridhen buzët,ju lagën mollëzat  e faqeve tek i rreshqisnin lotë dhimbje plotë krenari.Më puthi e më sfidoi:-Quhem Imer Lani,kam vuejt 29 vite në burgjet e kampet e përqendrimeve në Shqiperi.I vuejtun ;por jo i penduem.

Mbi nji dosje të bardhë eshtë  tri herë e  shkruar e njëjta dekleratë.

Unë nuk jam me Enver Hoxhën.

Mbasi vdiq ai unë ndihem i lumtur….

Pavllo Popaj- Kamicë, Malësi e Madhe dhe intervista ime.

Pothuajse moshatarë,por ai edhe pse i vuejtun për 25 vite në  burgun e Burrelit e Qafë Barit dukej i mbajtun,krenarë dhe qëndrestarë.

Erdhi në shtëpin tonë me motrat e tijë ardhë enkas nga Belgjika

Ardhë në një ditë mortore pas vdekjes së tim vllai.Na ngushlluen për vdekjen e parakohëshme dhe u prezetuen përmallshëm mbase kishin qenë edhe bashkëvuejtës, po ashtu edhe neve në shenjë respekti për vuejtjet e përbashkëta,si detyrim njerëzorë por njëherëshëm shprehi një obligim duke belbzue

“Kam ardhë për ti larë një borxh mbas vdekjes.- Isha 15 vjeç kur më denuen 25 vite dhe ashtu për leckash nga birucat më përplasën në dhomën e t’denuarëve.

Mu errën sytë, më rrotullohej dhoma me të gjithë ata burra viganë,të qethur e mustakoçë,se merrja me mend se si do i shlyeja ato 25 vite,- një fëmi,-po s’arrija ,ata do të  më burgosnin vllezrit ose babain.Nji dy metrosh më thirri ……Kaçikë …..dhe më mërtheu për krahut.Sa je denue më tha.-25 ju përgjigja unë…

Ai më tha,unë i kam  kryer 30!!!!,edhe pesë më kanë mbetë.Do lirohem shëndosh e mirë,e pa më lëshue nga krahu  më uli te shtrati i tij prandaj i detyrohem për jeten që jetoj, e kam prej tij”.

Me Pavllon u vllazruem dhe nji ditë me humor të mirë arritem te intervista ime:

-Pavllo, më thuajë si e përjetove Revoltën e Spaçit 1973 dhe atë të Qafë-Barit 1984?-

Spaçi mbetet simbol i rezistencës anti-diktaturë prej burrash që nuk komprementuen, që vuajten me dinjitet.

21-23 Maji  1973  shpërtheu revolta.U ngjitëm mbi taracën e burgut.

Ngritëm flamurin e Skenderbeut. Jashtë rrethimit kishte më shumë tyta armësh se ishim të burgosun.

Përveç atyreve që s’due ti përsëris, katër i denuen me pushkatim….

Skender Daja,Pal Zefi,Dervish Bejko e Hajro Pashai,e tetë të tjerëve u shpallën ridenimin me nga 25 vite sejcilit.

Po Qafë Bari- intervista ime:

Edhe ajo në Maji të vitit 1984,mbi 500 të burgosur s’përbadhonim më shfrytzimin me tre turne  nën thellsin mbi 2000 metra.

Ish persekutorët nga përvoja e dhjetë viteve më parë e shtypën rrevoltën pa mëshirë, me zjarr e hekurë….Forcat ushtarake qëllonin ata të burgosun që guxonin të lëviznin nga vendi.

Sandër Sokolin që s’mbahej e paralizuen,pastaj vendosen kryqet e tijë mbi nji trung të rrumbullakët derisa e thyen në mesë duke përdorë forcën si kundërpeshë.

Tom  Ndonin e Sokol Sokolin i pushkatun.

Të ridenuemit që dëgjonin emrin nga autoperlanti i mbanin jashte te zhveshur lidhun kambë e duar.

Po e përmbyllë  me intervisten  e tim vellai,Luigj Kacaj:- Më arrestuan me akuzen armik i popullit sepse i kisha dhan bukë dy net tim eti ,ardhë nga arratia me qellim tërheqjen e familjes tonë. E pranova me dije se babai me kishte ushqyer 20 vite deri diten qe u arratis mbasi e kishin denur me pushkatim. Masi pranova akuzen u denova 15 vite burg. Më thirren për rigjykim të pranoja dhe deklaroja se im atë kishte vrare dy kufitare ne posten kufitare të Tunelit.Mbasi kisha kaluar 9 muaj hetusi speciale me lidhen kambe e duar ne banjon e burgut. 3 ditë me sollen ushqim të thatë. Unë kërkoja vetëm ujë për të pirë.Ditën e 4 hyri pastrusja dhe uli afer meje koven me ujë dhe u largua.Unë arrita të zvarritem e të pija gjithë ujtë e koves pa e kuptua se ishte i kryposur,mbas pak fillova të bërtas:- Plasa more… Ujë se plasa…! U alarmuan se kisha pirë ujin e pastrueses ,me lidhen kambë e duar në një pozicion që smund të lëvizja asnjë pjesë të trupit.Trupi im u mbush me krimba te bardhë me bisht…

Përpiqesha t’i largoja nga vrimat e hundëve ,veshve e syve me frymen time ,tuj tundë koken para e mbrapa, majtas e djathtas.

Përse sot ndergjigja e degraduar “humane”eshtë helmue, përse u besoni më teper sajimeve sesa të vërtetave që ju përjetuat me dhimbje.

Politikanet Shqiptarë ja kanë arritë qëllimit tuj përdorë çdo mjet të pandershëm pa e kthye një herë të vetme koken nga e shkuara, tuej eklipsue të sotmen e tuej vrarë shpresen e të ardhmen së breznive.

Disa nga të djeshmit e vuajtur me dije e kanë zhbehë vetëdijen duke pranue si mburojë skenarin elektoral, duke u shpifur me dinjitetin e tyre, besojnë se morrat e kuq po siellen si engjuj kujdestarë ,mbase edhe ata kanë pirë gjak për mbijetese.

Sa vdiqen të prangosun neper qeli,sa u gjemtuen,sa humben aftesitë mendore,sa e sa prej tyre i hodhen nga lartesitë e qelive falë qëndreses për të mos u bërë palë me papërgjegjëshmërinë e baballareve kriminelë që sot ju u nënshkrueni pinjollëve te tyre autorësinë si bashkëvuajtës e bashkëfajtorë duke lëpirë murtajen si Rilindje.

Prisni edhe 20 vite me nga një kest “virus”parazhgjedhorë.

A thua i harruet Baltovinat e Tërbufit,ato të Maliqit, kanalin në Beden të Kavajës,apo klerikët që ua sharruen kambë e duar me sharrë druri,ose ata të mbyturit  ne gropen e fekaleve në burgun e Koplikut, apo meshtarin që i mberrthyen gjuhen me thikë mbi tavolinë për së gjalli. Të pakten lexoni rrëfimin e Kardinalit Errnest Troshani para Papës në Tiranë….!

 

Filed Under: Histori Tagged With: DËSHMI PËR REVOLTAT SPAÇ, Gjon Kacaj, Qafe-Bari

Nga “Ferri” i Qafë Barit te “Parajsa” e nji familje qafbarase

September 19, 2013 by dgreca

Nga Adriana Dine/

Ne Foto: nder te fundmet foto te Lazrit me Adrianen dhe mbesen-gusht 1998./

 Ishte 7 janar i vitit 1983./

Bënte një dimër i acartë, dhe bora kishte pllakosur krejt pjesën e veriut të vendit. I kisha përcaktuar me kohë ditën e nisjes që të takoja Dinen në burgun e Qafë-barit… kështu që vetëm duke iu lutë Zotit që të më ndihmonte, duhet ta merrja atë rrugë, sigurisht e shoqëruar me dikë, o nga njerzit e mi, o nga njerëz të familjes së Dines; mbasi ishte e pamundur që ato udhëtime të gjata e të mundimshme t’i bëja vetëm…

Udhëtimin e asaj rradhe, në zemër të dimrit më takoj ta bëja me babën tim të dashur, që s’më ndahesh asnjiherë në gjithë hallet e mia, dhe që e kisha mbrapa gjithmonë e për gjithçka, dhe që s’u lodh kurrë dhe as u ankua ndonjëherë për asgjë.

Për të kapë trenin e parë, u nisem nga Savra aty rreth orës katër e gjysëm të mëngjesit, mes nji të ftohti të hidhët, të përcjellë edhe prej njerit nga vëllezërit me biçikletë për të mbajtë çantat deri në stacion të trenit. Tashti që e kujtoj dhe e shkruaj kët ngjarje, më rrënqethet mishi… Ishin peripeci të një rruge, të shumë prej atyre që merrnin rrugët e burgjeve, pakkujt nga të tjerët mund t’i ketë ndodhur nji histori e tillë.

Mbasi udhëtuam për gati gjithë ditën mbrritëm në Fushë-Arrëz mbasdite. Si dimër që ishte dita qe e shkurtë, koha e akullt dhe me borë. Aty të axhensia ngecëm. Skodat për pirit në Qafë Bari s’kalonte asnji…

Ndërsa prisnim, po mendonim se s’mund të vazhdonim më për atë natë, mbasi i ftohti na kish hyrë për palcë, dhe asnji shenjë shprese s’kishim… kur papritmas u shfaq nji kamion nga ata të piritit. Duket, shoferi na njohu menjiherë mbasi atë ditë acari, s’shihje xhanxhin këmbë njeriu, dhe ne ashtu të kruspullosur e të plevitosur ere e ngrice binim menjiherë në sy… Po edhe ato trasta të mbushura me ushqimet e kursyera përgjat dy-tre muajve nga takimi i fundit dëshmonin, se nuk mund të kishin destinacion tjetër: veç Burgun!

Pa ia ngritë mirë dorën, shoferi ndaloi dhe na pyeti: “Për Qafë-Bari, besoj?” “Po, për Qafë-Bari – i thamë me nji gojë unë dhe im atë!” Ai tundi kokën në shenjë miratimi, “Hypni nga ana tjetër…” dhe zbriti na hapi derën na ndihmoi të ngjisim çantat me ushqime… dhe shpejt u vumë për rrugë… Kur na pa se ende dridheshim prej të ftohtit, shau dimrin e atyne anëve dhe ne ndjemë brenda makinës ajrin që po ngrohej. Në atë çast baba im më lëshoi një shikim, sikur të më thoshte: “Mos u mërzit… çdo problem e ka nji zjidhje, edhe ky i sotmi mori nji zgjidhje, mos harro se pa sakrifica s’bahet asgja…!” dhe kjo më ngrohu ma tepër se fryma e makinës.

Rruga e asaj rradhe nga Fushë-Arrëzi në Qaf-Bari ishte nji tmerr i vërtetë. Jo veç e ngushtë dhe e pashtruar, jo veç me kthesa dhe zig-zake të panumërta, po tmerri im ishin ato greminat që ma bënin vdekjen kaq të afërt nga njera anë, edhe shkëmbinjtë që të rrinin si skifterë në anën tjetër e që vende vende të dukeshin sikur do të na shembeshin mbi kokë… O zot, pëshpërisja mbas çdo kthese… Ndihmona!! Nji ndjenjë frike dhe pasigurie e papërshkrueshme… ma rrënqeshte trupin, pa harruar terrin që zbriste me shpejtësi dhe ajo bardhësi e ngrime bore përreth na e bënte rrugën të skëterrshme… Në mjaft vende rruga ngushtohej shumë dhe ashtu e ngrirë akulli ishte e pamundur të kalohej. Dukej sikur zemra po më dilte vendit… Shoferi qe ngjeshë fort mbas timonit dhe askush nga të tre s’guxonte ta thoshte nji fjalë të vetme…

Baba u përpoq disa herë me humorin e tij, të ma hiqte gjysmën e së keqes, po s’ishte e kollajtë. Kur shoferi na tha se po i afroheshim burgut u ndjemë pa të çliruar, po ç’të shihnim, aty bora  e kishte kaluar një metërshin. Dukeshin vetëm ca rrugica të ngushta që të çonin para kangjellave të hijerënda të burgut. Ishte nji errësirë e thellë që mund t’i fuste dy gishtat në sy. Ndjehesha e tmerruar e mpirë… por s’di nga i vinte ajo forcë dhe kurajo babës tim, sepse ai befas ma largoi si me magji trishtimin që më pushtoi. Ende pa zbritë nga makina, shoferi na lajmëroi se ishte e pamundur të bënte nji rrugë tjetër kthimi me kët tmerr të ftohti dhe bore… Atherë baba, me mjaft marifet iu lut që: “Nëse asht e mundun me na lanë ta kalojmë kët natë tmerri aty n’at kamionin e tij!!!” Ai na pa disi i habitur dhe ju drejtua babës duke i thënë: “Si mundem me të lanë vetëm në kamion, gjithë natën e Zotit!!! Ti nji burrë plak me nji vajzë të re, pothuej fëmi mes maleve! Me e marrë vesh nana eme kët gja me qet shpie!” Baba e falenderoi qoftë edhe për at fjalë që na tha: “Mbaroni njiherë takimin, në kët kohë unë po e mbush kamionin… mandej shofim e bajmë!”.

Ishim përballë portës së madhe të burgut, kur papritmas na u shfaq oficeri rojes. Ia shpjegova ma s’pari unë hallin si grua, po ai na priti me këmbët e para: “S’ka takime sonte në kët orë! Nesër, kësmet!!” Na e tha me nji ton bishe që s’më la asnji mundësi bisede. Atherë u afrua edhe baba dhe se ç’foli me të… Mbas pak kohe pritje kur acari i maleve po e bënte si duhet punën me ne, u rishfaq oficeri: “Mirë, mirë, hajdeni, po do të takoheni vetëm për pesë minuta, mos të kemi llafe!!!”.

Më erdhi jo të qaja, po të ulërija atë çast.

Mbas 13 orësh rrugë mes dimrit dhe maleve, mbas aq peripecish, sepse s’mund t’i përmendja të gjitha, s’na lejonin të takoheshim, po edhe kur e bënë zemrën gur… vetëm pesë minuta… O Zot – mërmërita me vete. Kisha gati tre muaj pa e parë tim shoq, Dinen dhe për gjithë mallin e tre muajve… çmallja ishte vetëm 5 minuta!!! që në të vërtetë u bënë pesë sekonda, sepse gjatë gjithë asaj kohe ishim nën presionin e policit që na kyrte ne dhe kqyrte orën të largoheshim nji çast e më parë, dhe ai të shkonte të shullëhej pranë sobës.

Qe nji takim tmerri, ku ti s’arrin as të pyesësh dhe  as të përgjigjesh, as ta shohësh at njeri si duhet, po as ai mundet të shohë, as të pyesë as të flasë… Nji çoroditje emocionesh që s’ka njeri ta përshkruaj… Duhet të jetë diçka fotografuese në shpirtin e njeriut… që nji sekonde të jetës i jep vlerë përjetsie…

Ia lamë trastat Dines, duke e lënë edhe atë në nji ankth dhe tmerr të vërtetë… ku do shkonim dhe ku do mbyteshim për ta kaluar atë natë!!

Ecëm n’ato shtigjet e hapura të borës dhe u nisëm për rrugë… ashtu kuturu, pa e ditë as vetë se për ku. Ecnim nga na çonin këmbët… kur pa bërë as njiqind metra dikush na thirri nëpër terr. Ishte ai shoferi, që na kish sjellë në burg. Erdhi na takoi… Atë natë s’e kishin lejuar të ngarkonte pirit. Gjatë gjithë kohës ai e kishte vëzhguar krejt skenën me policët dhe po na priste me makinë të shuar diku në qoshe. Kur ju afruam, me nji ton të prerë si të ishte urdhër na tha: “Ju sonte do vini me bujtë në shtëpinë time! S’asht në nderin e pukjanit me lanë nji burrë të vjetër dhe nji vajze të re n’rrugë të madhe, midis ktyne maleve të frikshme, dhe nji nate dimri si kjo!!”. E tha me nji lloj krenarie dhe sigurie, që s’kish njeri t’ia bënte fjalën dysh… jo se ne kishim ndonji alternativë tjetër shpëtimi…

Zoti e baftë mirë! – ia ktheu im atë, dhe u nisëm kuturu pa e zgjatë dhe pa e kundërshtuar. Shoqëruesi ndezi dy flakadanë lecke me naftë, nji për vete dhe tjetrin për ne, që ia dha babës të ndriçonte rrugën…

S’e di as vetë si morëm at guxim dhe u nisëm ashtu nëpër ato shtigje mes borës dhe pyllit, mes atyre shkrepave të frikshëm, në besë të atij pukjani që na printe me ndriçim n’ato shtigje që as ditën nuk do të merrja guxim t’i bëja… Vazhduam rrugën me kujdes si na ndihmonte sa herë ndodheshim në vështërsi, dhe na mbante me kurajo. Mua më kish hyrë frika në palcë, por habitesha me babën, si mund t’i kalonte ato thepa e teposhta pa e thyer qafën. E shihja që po hiqte picir i shkreti babë që ishte gati shtatëdhjet vjeç, po unë s’mund të bëja asgjë që ta ndihmoja… Mbas njifare kohe ai pyeti nëse kishim edhe shumë rrugë… si duket ishte lodhë. “Erdhëm, – tha shoferi, – edhe pak mbrrijmë!” Ecëm edhe njifarë kohe të mirë që na u duk nji shekull, kur na u pidaf para edhe një përrua, mbi të cilin thuhej se ishte një urë drrase… besoj nga ato ma primitivet që më kanë pa sytë ndonjiherë. Krejt ura përbëhej nga ca litarë të thurur në formë gërsheti… aty ku shkelnim kishin vënë ca dërrasa që më dukeshin të kalbuna, me hapsirë mes tyre. Për çdo hap që hidhnim lëkundeshim si në një shilarse… terri në nji krah, akulli në krahun tjetër dhe zhurma e përroit ku mund të përfundonim ishin nji tmerr dhe nji torturë që unë as sot s’mund t’i gjej fjalët! Pukjani gjatë gjithë kohës na printe, na fliste, na ndihmonte dhe na mbante me gajret…

Mbas nji lodhjeje rraskapitëse dhe ankthi vdekjeje mbrritëm para nji dere… Ishte shtëpia e malsorit pukjan. Kur u hap dera, mendova shpëtimin, po ndërsa futesha brenda u ndjeva si në një skëterrë… edhe pse gjithë jetën isha rritë me vuejtje dhe privime, mendoja se asgjë s’do t’më bënte përshtypje në jetë. Por jo, kurrsesi!! Edhe sot kur e kujtoj at shtëpinë e tyre, atë lloj varfërie dhe skamje më rrënqethet mishi, dhe s’mundem ta harroj kurrsesi. Shoferi kishte gruan edhe nji djalë. Jetonte së bashku me vëllanë e madh që kishte gruan edhe katër fëmijë. Kishin nanën, nji grua në moshë po fisnike, që doli na priti dhe na foli si zot shtëpie. Pak kohë ma parë u kishte ndodhë nji fatkeqsi, u qe djegë nji pjesë e shtëpisë dhe krejt familja jetonte në nji si korridor të ngushtë e të gjatë ku shifeshin gjithsej dy dyshekë dhe një oxhak me dru të bollshëm. E ndjëmë që zoritën mjaft të shkretët për at gjendje, po dolën jashtë dhe diçka sajuan e na shtruan edhe sofrën e darkës. Për gjellë, na nxorrën groshë… po duhet të ndodhte ajo mrekullia të hasje ndonji kokërr… Na vunë edhe pak djathë, pak qepë dhe pak raki. Djathin e përdornin me shumë kursim, dhe e ruanin si me pasë nji copë mishi të pjekur.

Baba si njeri i kollajtë dhe i pa pretendime e mbushi tavolinën me at humorin dhe rrëfimet e veta pafund… sa nuk u vu re fukarallëku, se herë mbas here i bënte të gjithë qeshnin me humorin e dhe batutat e tij. Mbasi mbaruam darkë, gruaja e shoferit me ftoi të flinim bashkë, se siç më tha “Në dhomën teme ka shtroje dhe mbloje, ndërsa kunati me gruen, dhe nana me fëmijët, mbasi s’kanë me ça me u mbulue, e mbajnë zjarrin gjithë natën ndezë dhe flejnë të tanë bashkë në at korridor të gjanë…

At natë fjeta me gruan e shoferit dhe ajo më shtrëngoi gjithë natën në gji. I vinte shumë keq për fatin tim… Isha vetëm 23 vjeçe, dhe kisha vite e detyruar të merrja rrugët e burgjeve të Spaçit dhe Qafë Barit, atyre skëterrave të papërshkrueshme shqiptare.

Por bujaria e mirësia e atyre malsorëve pukjanë s’kishte fund. S’i kam harruar kurrë, dhe më vjen shumë keq që s’jam aq e aftë sa ta përshkruaj ashtu siç ata e meritojnë, dhe të mundem t’ua shpërblej pritjen e tyre…

Isha lindur dhe rritur kampeve të interrnimit: ku varfërinë, barangat, kasollet me baltë i kishim me bollëk, po kurrë s’kisha parë dhe provuar nji skamje dhe nji fukarallëk të tillë.

Pastaj janë mjaft veti të tjera që i japin vlerë njeriut dhe e ngrenë lart atë, si bujaria, mirësia dhe mikpritja e asaj familje që na e kish hapë derën në nji natë tmerri. Ata na mirëpritën, na futën në shtëpinë e tyre, edhe pse “armiq të betuar të klasës” që për komunistët ishte një tabu. Gjatë bisedave të asaj nate, ata as na provokuan, as na pyetën, as e përmendën burgun, sikur nuk ishte ai shkaku i asaj që ndodhte, po as ne s’i provokuam se kush ishim, dhe pse ishim aty, sepse e dinim shumë mirë që i kishim rënduar mjaft, edhe me atë praninë tonë në shtëpinë e tyre.

Më ka mbetur peng, dhe s’më hiqet nga mendja pse nuk u gjet nji mënyrë, që të mësonim të paktën mbiemrin e tyre… sepse ne s’i pyetëm as për emrin as mbiemrin, sepse vetëm ashtu s’i rëndonim ata, po as ata s’e bënë nji gjë të tillë… Sepse askush s’e mendonte se në nji të ardhme, nëse na jepesh mundësia të mund t’ua shpërblenim qoftë edhe me mirënjohje simbolike atë mikpritjen e tyre fisnike… që vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite më e bukura e jetës sime…

Të nesërmen pa zbardhë mirë drita, shoferi pukjan, na zbriti në Fushë-Arrëz dhe i nda prej nesh i kënaqur dhe krenar… duke na lënë të vazhdojmë në hallet tona të kampeve dhe burgjeve dhe ai në kamionin e piritit atyre rrugëve të egra…

Zoti e bekoftë atë familje  të mrekullushme pukjane , ata njerëz që vërtet jeta i kish hedhur atje në skëterrë, po s’kish mundur ta vriste mirësinë dhe mikpritjen në shpirtin e tyre.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Adriana dine, Nga ferri, qabarse, Qafe-Bari, te parajsa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT