-Duke veçuar anëtarësimin e 15 federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se edhe futbolli kosovar shumë shpejt do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA/
PRISHTINË, 11 Shkurt 2016 -B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të enjten në takim të gjithë drejtuesit e federatave sportive të Kosovës, ku theksoi përkrahjen e fuqishme të qeverisë për zhvillimin e gjithanshëm të sportit.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur kërkesat, nevojat dhe për të adresuar sfidat e sportit kosovar.
“Ne mendojmë se përmes konsolidimit të sportit dhe zhvillimit të tij, ne drejtpërsëdrejti ndikojmë në konsolidimin e shtetit të Kosovës, njohjen e Kosovës dhe vlerave të saj në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar sukseset e jashtëzakonshme të sportistëve kosovarë gjatë këtyre viteve, në veçanti sukseset e Majlinda Kelmendit dhe sportistëve të tjerë që kanë arritur suksese kulmore.
Duke veçuar anëtarësimin e 15 federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se edhe futbolli kosovar shumë shpejt do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA.
“Si qeveri ne po bëjmë përpjekje që të punojmë në afirmimin e sportit”, tha kryeministri, duke premtuar investime të mëtejshme në sport.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, bëri të ditur se tani është në procedurë edhe Ligji për Sponsorizimin e Kulturës dhe Sportit, i cili ofron mbështetje dhe krijon kushte të reja për sportin.
Në fund, kryeministri Mustafa ka thënë se me qëllim që të arrihen të gjitha synimet e përbashkëta duhet që të gjitha proceset në Kosovë të zhvillohen në tryeza, me argumente dhe përmes këmbimit të mendimeve.
“Mundësitë për këto ekzistojnë, disponimi ekziston, dhe edhe kjo e sotmja është një shprehje e këtij vullneti dhe disponimi tonë që së bashku me ju të bisedojmë për këto çështje”, tha kryeministri Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, përgëzoi federatat sportive për sukseset e arritura deri më tani.
“Ne jemi tani para një rrethane të re apo para një vendimi të ri që do të mund të merret edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ne jemi në një bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Futbollit, ndërsa mendoj se kjo do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme, disponimi është i mirë, opinioni është shumë i mirë, është një mbështetje e gjerë për anëtarësimin tonë, që do të hapet një perspektivë jashtëzakonisht e madhe edhe sa i përket futbollit”, tha zëvendëskryeministri.
Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu tha se shumë shpejt do të përmbyllet edhe procesi për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar dhe se do të vazhdohet me punë më të madhe për Ligjin për Sponsorizime, që të filloj edhe implementimi.
Duke përmendur sukseset e jashtëzakonshme që janë arritur dhe pritet të arrihen, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, zëvendëskryeministri Thaçi, tha se për të arritur suksese të mëtejshme duhet një imazh i mirë.
“Këtë imazh të Kosovës do të mund ta forconi ju edhe më tepër, ta afirmoni edhe më tepër. Por e theksoj përsëri çdo imazh i keq për çfarëdo çështje që paraqitet në Kosovë do të jetë edhe një lëndim edhe për sportin kosovar kudo që jeni. Qoftë imazh i keq në politikë ndikon edhe në mosafirmimin tuaj”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Kujtim Shala, zëvendëskryeministër, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka vlerësuar punën e bërë deri më tani nga punëtorët sportivë në Kosovë.
“Unë besoj që hapi më i madh në raportet e Qeverisë me Komitetin Olimpik dhe me Federatat është bashkëpunimi që kemi vendosur. Ne bashkë me ju dhe me Departamentin e Sportit kemi insistuar që së pari të bëjmë pavarësimin financiar të Komitetit Olimpik dhe të Federatave, dhe këtë e kemi arrit vitin që shkoi. Tani jemi në fazën e vlerësimit dhe po ashtu në fazën e licencimit të federatave, i cili është një proces tepër i rëndësishëm sepse përcakton raportin tonë për tri vitet e ardhshme”, tha ministri Shala, duke folur edhe për punën e madhe që po bëhet në fushën e legjislacionit.
Zëvendëskryeministri Shala ka theksuar edhe investimet e bëra në sport, në veçanti dinamikën e madhe në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar.
“Po ndërtojmë palestra, janë në proces 7 palestra, pjesa më e madhe e të cilave do të kryhet sivjet, ndërsa pjesa tjetër do të përfundoj vitin e ardhshëm. Po ashtu gjatë këtij viti do të fillojmë edhe katër palestra tjera”, tha Shala, duke folur edhe për përpjekjet që po bëhen për krijimin e një zone, një kampusi për objekte nacionale të sportit, i cili do të jetë në Prishtinë, në zonën e Bernicës.
Më tutje, zëvendëskryeministri Shala ka përmendur rezultatet e vitit të kaluar, medaljen e Nora Gjakovës, kthimin e Majlindës pas lëndimit fuqishëm me rezultate të jashtëzakonshme, titullin e klubit të basketbollit Prishtina, organizimin e Kampionatit Botëror të vendeve në zhvillim në hendboll, etj.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se ky takim dëshmon një kontinuitet të bashkëpunimit jashtëzakonisht të lartë dhe të mirë ndërmjet Qeverisë, Ministrisë, Komitetit Olimpik dhe federatave sportive.
“Padyshim se ky bashkëpunim ka dhënë edhe frytet e veta dhe sot pothuajse të gjitha federatat që nga viti 2003 kur për herë të parë është pranuar Federata e Pingpongut, janë 29 federata të pranuara, mbetet edhe Federata e Futbollit, dhe do të kurorëzohet ndërkombëtarizimi i sportit, e që padyshim një meritë e jashtëzakonshme u takon drejtuesve të sportit”, tha Hasani, duke shtuar se këto rezultate janë fryt i bashkëpunimit qeveritar dhe joqeveritar, por edhe i rezultateve mahnitëse dhe spektakulare që kanë arritur sportistët e Kosovës së bashku me trajnerët e tyre.
Kosovë-Qeveria: 2016-ta, viti i Nënë Terezës
– Kryeministri Mustafa: Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë/
-Qeveria e Republikës së Kosovës ka rishqyrtuar dhe miratuar Programin Legjislativ për vitin 2016 në të cilin përfshihet hartimi dhe miratimi i 87-të projektligjeve të reja dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës, e deklaroi sot qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 70-të, ku rishqyrtoi programin legjislativ. Ishte kjo mbledhja e tretë në këtë vit, pas dy mbledhjeve brenda ditës së 8 janarit.
Kryeministri Mustafa, ka prezantuar iniciativën e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, që viti 2016 të cilësohet simbolikisht si Viti i Nënë Terezës në Kosovë. “Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kabineti qeveritar unanimisht është pajtuar me këtë iniciativë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka rishqyrtuar dhe miratuar Programin Legjislativ për vitin 2016 në të cilin përfshihet hartimi dhe miratimi i 87-të projektligjeve të reja dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra.
Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni për Planifikim Strategjik, i cili do të kryesohet nga kryeministri i Kosovës dhe që do të drejtojë procesin e Planifikimit të Integruar të Kosovës. Ky planifikim përfshin përcaktimin e prioriteteve strategjike të qeverisë, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, monitorimin e Planit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, strategjitë sektoriale, politikën fiskale, finalizimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, çështjet strategjike të investimeve publike dhe planin vjetor të punës së qeverisë.
Është aprovuar nisma e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW Frankfurt Am Main, për financimin e projektit “Largimi i Ujërave të Zeza në Jug-Perëndim të Kosovës, faza e IV”, në Komunën e Pejës. Projekti është një bashkëfinancim i fondeve të ndryshme, ndërsa marrëveshja parasheh një kontribut financiar të Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, në vlerë prej 9 milionë eurosh, për realizimin e këtij projekti.
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave që të bëjë transferet e mjeteve deri në vlerën prej 40 mijë eurove nga programi Shpenzimet e Paparashikuara.
Është aprovuar edhe kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e shtesave dhe të stimulimit financiar për 74 gjyqtarët e krimeve të rënda për vitin 2016 në shumë prej 279,720 euro. Shtesa bruto për këta gjyqtarë është treqind euro në muaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin udhëzohet Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjet së re “MTS” D.O.O. Vendimi do të hyjë në fuqi ditën që autoriteti ndërkombëtar i telekomunikimeve do t’i ndaj Republikës së Kosovës kodin telefonik.
Kabineti qeveritar është informuar me Raportin mbi Performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2015. Raporti evidenton se gjatë viti 2015 janë realizuar të hyra buxhetore në vlerë prej 1 miliard e 452 milionë euro, që paraqet realizimin e të hyrave në masën prej 98,4% të të hyrave të projektuara, që janë 9% me të larta se vitin e kaluar. Shpenzimet në total kapin shifrën prej 1 miliard e 553 milionë euro, që është 95.2% e shpenzimeve të parashikuara, që janë 5.7% më të larta se vitin e kaluar.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, sipas të cilit në këtë këshill do të jenë anëtarë edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Këshilli i Investitorëve Evropian.
Vitin e ri qeveria e Kosovës e nisi me vendimin për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro si bazë fillestare, në mbledhjen e parë ku kryeministri Mustafa kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, në çështjen e zbatimit të Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet e ligjit për pagat.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri Mustafa ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri në ditën e sotme, 15 janar, të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, tha dje kryeministri Mustafa, në takim me kryetarët e komunave.
Në dinamikën e axhendës, po dje, pasdite kreu i qeverisë kosovare zhvilloi një takim tjetër për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës – Trepçës, ku u shpreh “i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, me vlerë të shtuar, të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit”.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
QEVERIA SHQIPTARE PARAQET Pr/LIGJIN PER REGJISTRIMIN E EMIGRANTEVE
Pr/ligji për regjistrimin e emigrantëve, Rama: I hapim rrugë mundësisë së çdo shqiptari për të votuar/
TIRANË, 11 Dhjetor/ATSH-Gjergji Mima, I. Vata/ – Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e diskutimit për “Projektligjin për regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë”.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë nënvizoi se, “me këtë pr/ligj ne i hapim rrugë pas 25 vjetësh si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda, por edhe jashtë atdheut për trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësiën, ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij”.
“Nga ana tjetër ky është një proces, fatkeqësisht historik, edhe për faktin se jemi i vetmi vend i Europës dhe besoj nga të paktët vende të botës, pa sistem adresash. Jemi i vetmi vend i Europës dhe besoj nga të paktet vende të botës me një sistem, ku tjetërkund je , tjetërkund banon dhe tjetërkund shfaqesh”, tha Rama.
Kjo, u shpreh ai, “është detyra më parësore e një shteti. Ta dijë ku i ka njerëzit e vetë dhe t’u japë shërbimet e merituara”.
Kudo në botën normale, e cila rëndom propagandohet gabimisht se ne i përkasim, ata që emigrojnë në kërkim të një ëndrre për të realizuar një shpresë, janë një pasuri që asnjë shtet dhe asnjë shoqëri nuk ka luksin ta lërë jashtë inventarëve”, theksoi Kryeministri.
Shqipëria, vijoi Rama, “për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që këtë pasuri të paçmuar e ka lënë jashtë inventarëve dhe që shqiptarët jashtë atdheut i ka trajtuar njësoj si shetas të huaj”.
“Na duhet t’i bëjmë gjërat me themel dhe nëse kërkohet që t’i bëjmë gjërat me themel kërkohet kohë. Po bëjmë një proces që brenda dy vjetësh vendi ynë të bëhet normal një shtet që ka të regjistruar çdo individ, që ka çdo adresë për çdo frymë të gjallë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe kjo sigurisht është ekonomi, veç të tjerave, sepse bën kapërcim epokal me një kohë tjetër, ku detyrimet që shteti merr janë të barabarta dhe ku barra ndahet mes të gjithëve”, tha Rama.
Tahiri: Regjistrimi dixhital i adresave për emigrantët një detyrim për tju shërbyer qytetarëve
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri prezantoi projektin për “rregjistrimin e shtetasve shqiptar që jetojnë jashtë Shqipërisë”.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në fjalën e tij u shpreh se, “Një pikë e fortë është dhe regjistrimi i emigrantëve për të gjitha shërbimet që i nevoiten dhe që shteti t’i shërbejë është të regjistrohet, se kjo është kontrata e re që ne ofrojmë që nëpërmjet regjistrimit shteti t’i shërbejë qytetarit dhe të ndryshojmë mardhëniet me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Lëshimi i çertifikatave për emigrantët jashtë Shqipërisë është njëra mundësi, por gama është më e gjërë në shërbime, po ashtu shërben si dritare e re patriotike e shtetit shqiptarë dhe emigrantëve”.
“Regjistrimi i emigrantve është shumë i thjeshtë, pasi nga kompiuteri mund të aplikojë dhe shteti shqiptar merr detyrën për ta regjistruar. Si dhe ekziston mënyra e regjistrimit fizik pranë institucioni, por ajo që është më modernia dhe koherentja është regjistrimi dixhital. Sigurisht regjistrimi është falas, një detyrë patriotike dhe ndihmon për të bërë një bazë themeli të shtetit shqiptar”, tha Tahiri.
Shqipëria numëron mbi 4.4 milionë banorë të regjistruar në gjendjen civile dhe prej këtyre një pjesë e madhe jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve shtetërorë. Shifrat e shtetasve shqiptarë në emigrim përllogariten në mbi 1 milionë, por asnjëherë nuk ka patur një shifër të saktë të tyre në 25 vitet e fundit.
QEVERIA SHQIPTARE, LUFTE TE RREME KUNDER KORRUPSIONIT
Ambasadorja e BE: Lufta kundër korrupsionit nis me ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, përndryshe nuk keni shërim /Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, ka ashpërsuar retorikën sa ai përket luftës së rreme të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit. Vlahutin theksoi dje se lufta kundër korrupsionit nis me ndëshkimin e zyrtarëve të lartë. Sipas ambasadores së BE, nëse nuk ndëshkohen zyrtarët e lartë shqiptarë, sistemi nuk do të ketë shërim dhe korrupsioni do të vazhdojë të dominojë jetën shoqërore shqiptare. Ajo theksoi se në Shqipëri problemi i korrupsionit adresohet në mënyrë të gabuar, duke theksuar se në fokus duhet të jenë politikanët. “Fusha të ndryshme që janë shqetësim përsa i përket Shqipërisë janë financimi i partive politike por në mënyrë de facto, edhe mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë”, deklaroi dje ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, në një tryezë me zyrtarë të tjerë të lartë në Ditën kundër Korrupsionit. Vlahutin bëri me dije se Bashkimi Europian do të akordojë 10 milionë euro për forcimin e strukturave që luftojnë korrupsionin. Sigurisht, këto fonde do të mbikëqyren nga Bashkimi Europian. Në vijim, ambasadorja e BE theksoi se në Shqipëri mungojnë politikanët e përgjegjshëm, ndërsa shtoi se po ashtu mungojnë institucionet funksionale dhe një sistem funksional gjyqësor. “Na nevojiten institucione funksionale dhe një gjyqësor funksional. Por na duhet edhe një klasë politike e përgjegjshme ndaj atyre që u ka dhënë votën. Sepse këta persona janë zgjedhur për të shërbyer, po ashtu duhet të kemi qytetarë të informuar. Na duhet që të lëvizim dhe ecim parapara në këtë luftë”, nënvizoi ambasadorja. Korrupsioni në administratë Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë goditi edhe punonjësit e administratës publike. Ajo theksoi se korrupsioni është një veprim që kryhet mes dy palëve, njëra që i kërkon paratë dhe pala tjetër që i merr. Sipas saj korrupsioni është një transaksion. Diplomatja shtoi se vetëm lufta kundër korrupsionit shëron sistemin. “Në fund të fundit korrupsioni është një transaksion, njëra pala që i kërkon paratë dhe tjetra që i jep. Në rast se njerëzit do të kenë frikë, atëherë korrupsioni do të dominojë. Nëse njerëzit do pranojë që korrupsioni është mënyra e vetme që të marrin shërbimin e duhur do të jetë e vështirë të shërohet sistemi”, u shpreh Vlahutin në tryezën e organizuar në Ditën kundër Korrupsionit. Në vijim të këtij argumenti, diplomatja e Bashkimit Europian tha se një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit luan media dhe shoqëria civile. “Unë mendoj se media dhe shoqëria civile luajnë një rol të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit”, tha diplomatja e Bashkimit Europian. Në tryezën e organizuar me rastin e Ditës kundër Korrupsionit, i vetmi politikan i pranishëm ishte ministri për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi. Ndërkohë, ndërkombëtarët e tjerë theksuan rolin që luan media në minimizimin e korrupsionit. Erneta Shevroja – See more at: http://www.sot.com.al/politike/ambasadorja-e-be-lufta-kund%C3%ABr-korrupsionit-nis-me-nd%C3%ABshkimin-e-zyrtar%C3%ABve-t%C3%AB-lart%C3%AB#sthash.quy5NFiQ.dpuf
Qeveria e Kosovës: Opozita të heq dora nga dhuna dhe ultimatumet
-Mustafa:Uroj që në Shqipëri të mos ndodh gazi lotsjellës/
-Projektligj për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Dhjetor 2015/ Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa, i ka bërë thirrje opozitës kosovare të kthehet në Kuvend, të dialogojë dhe të debatojë, të heq dora nga dhuna dhe ultimatumet.“Unë sot edhe në emrin tim, edhe në emrin tuaj, e ftoj opozitën të kthehet në Kuvend, të heq dora nga dhuna dhe ultimatumet, të dialogojë dhe të diskutojë në Kuvend, dhe opozita të bëhet pjesë dhe të vazhdojë si pjesë e të gjitha proceseve demokratike të cilat janë të rëndësishme për vendin tone”, u shpreh ai.Kryeministri Mustafa tha se, i fton po ashtu “edhe të gjithë dashamirësit tjerë, edhe nga Kosova, por tash edhe nga Shqipëria, qoftë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, apo intelektualë, të subjekteve të pavarura, të cilët nuk kanë nevojë të ndjellin asnjë konflikt në Kosovë”.
“Unë uroj që në Shqipëri të mos ndodh gazi lotsjellës në Parlamentin Shqiptar, as në rrugë, sepse të gjithë ne i dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla të vitit 1997. Dhe po ashtu, konstatoj se eksponentët e asaj dhune nuk mund ta moralizojnë askënd, nuk mund të moralizojnë për demokraci as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Ne e marrim përgjegjësinë për gjendjen që është këtu, dhe këtë përgjegjësi e kemi marrë nga qytetarët tanë, dhe këtë përgjegjësi do t’ia referojmë dhe t’ia adresojmë qytetarëve, votuesve dhe demokracisë së vendit tonë”, tha kryeministri kosovar Isa Mustafa.E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, të 61-tën me radhë, sot pasdite, ka miratuar Projektligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës dhe vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar, ka miratuar dy vendime për miratimin në parim të nismave për lidhjen e marrëveshjeve financiare për IPA 2014 dhe IPA 2015, për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja përfshinë një fond prej 2 milionë euro, që do të ndahet proporcionalisht në mes të dyja vendeve dhe fuqizon marrëdhëniet fqinjësore në mes të dy shteteve.Në këtë muaj që nisi, javën e ardhshme, bëhet një vit që nga zgjedhja e qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
BAJRAMI: PROJEKTLIGJ PËR INVESTIME TË MËDHA NË KOSOVË
Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në një konferencë shypi ka prezantuar Projektligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, i cili sapo ishte miratuar në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, sot pasdite.Ajo tha se, qeveria është shumë e përkushtuar në përmirësimin e ambientit biznesor dhe klimës investive në Kosovë dhe se pikërisht për këtë qëllim e ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e një baze ligjore për të negociuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me investitorë.
“Ne qysh në fillim të mandatit kemi vërejtur që Kosova nuk është konkurruese në tërheqjen e investimeve të huaja sa i përket legjislacionit dhe këtë krahasim e kemi bërë kryesisht me vendet fqinje dhe vendet e rajonit. Ata kanë procedura të drejtpërdrejta, shumë të shkurtra dhe tepër konkurruese për tërheqjen e investimeve. Ne kryesisht, me ligjet ekzistuese kemi procedura shumë të gjata për dhënien e tokës në shfrytëzim dhe aseteve tjera, qoftë investitorëve të huaj, qoftë atyre vendës”, tha ministrja Bajrami.
Ministrja Hykmete Bajrami, po ashtu, bëri të ditur se projektligji në përgjithësi përcakton kriteret, masat përshpejtuese dhe lehtësuese, dhe rregullat favorizuese për tërheqjen e investimeve të huaja. “Pak a shumë legjislacione të tilla kanë të gjitha vendet e rajonit. Ligji ka qenë në konsultim publik, në konsultimin e brendshëm dhe në konsultimin e jashtëm, kemi inkorporuar në masë të madhe të gjitha komentet nga Banka Botërore, nga Komisioni Evropian, shoqëria civile dhe organizatat e tjera publike”, theksoi ministrja.
Në mbledhjen e qeverisë u tha se, Projektligji për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës ka për qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës.
Ky Projektligj, po ashtu, ka për qëllim të përcaktojë procedurat administrative dhe kriteret për vlerësimin, zgjedhjen, implementimin dhe mbikëqyrjen e projekteve strategjike si dhe procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronës së Republikës së Kosovës, për qëllim të zbatimit të projekteve për investime strategjike.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha investimet strategjike, që përcaktohen të tilla në bazë të kritereve dhe procedurave të përshkruara në këtë ligj, për sektorët energjetikë dhe minerar, turizëm, bujqësi, industri ushqimore, teknologji industriale, transport, telekomunikacion, arsim, sport dhe rekreacion, shëndetësi, naftësjellës dhe gazsjellës, administrim të ujit dhe ujërave të zeza, mbledhje, deponim, riciklim dhe menaxhim të mbeturinave.
E pyetur në konferencën për shyp lidhur me ndërlidhjen e pronave private me këtë projektligj, ministrja Hykmete Bajrami e bëri të qartë se në këtë projektligj në asnjë formë nuk bëhet fjalë për mundësitë e kalimit të tokës private tek investitorët e huaj apo vendorë.
“Bëhet fjalë vetëm për pronën shoqërore dhe pronën shtetërore. Dhe në rast se prona është nën administrimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit, e kur e dimë se ky është Agjencion që i raporton Kuvendit, atëherë fillimisht qeveria do të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës që prona të kaloj në pronësi shtetërore, e mandej i jepet e drejta Komisionit ndërministror dhe qeverisë që të negocioj drejtpërdrejt me investitorët e huaj”, bëri të ditur ministrja Bajrami.
Ministrja, po ashtu, tha se reformat e shumta që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës gjatë këtij viti kanë bërë që të shumëfishohen investimet e huaja. “ Për komplet vitin 2014 kemi pasur 151 milionë euro investime të huaja, ndërsa vetëm për tetë muaj të parë të këtij viti kemi 240 milionë. Duke marrë parasysh që pakoja e re fiskale ka hyrë në fuqi në 1 shtator, ne në fakt presim që deri në fund të vitit të kemi rreth 400 milionë euro investime të huaja”, tha ministrja Bajrami në konferencën për shtyp.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- Next Page »