• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

APOKALIPS

March 30, 2020 by dgreca

Muza nga Covid- 19/

Nga Rafael Floqi /

Apokalips/

Tani i vdekuri po shkon në varr i vetëm…/

Hiçgjëja e padukshme është shumëçka  /

Ndaj sot njerëz, na duhet të duhemi, /

Edhe pse duke ndenjur 2 metra larg. /

Miqve/

Ra kjo flamë dhe s’u pamë, /

Por a do të shihemi dot?  /

Tani na mbet veç celulari, /

Dhe “fake news”,/

Me shpresa kot. /

Bëhu burrë!/

“Bëhu burrë, 

në shtëpi qëndro!”  

Urdhëroi Televizioni. 

Por si mund të rrinte  

“Pasi  burri në shtëpi,

si qimja në gojë rri”. 

Një mjeke

Buzët fshehur pas një maske,

Duart veshur me doreza.

Para shkon një bluzë e bardhë, 

dhe pas disa re të zeza. 

Diva e Instagramit

Një maskë kirurgu veshi si tanga  

Dy maska N95 i lidhi si sytjena. 

Dhe harroi se nga idiotësia 

s’e mbronte dot asnjëra. 

Bytha

Në raftet bosh nga letrat higjienike 

Mes së shtyrash në radhë në market 

Doli në pah e vërteta kritike,

Se njeriu mendoka, veç për bythën e vet. 

Coronavirus

Jo më kot ky djall quhet Virus Corona

Erdhi për të na kujtuar një të vërtetë.

Se s’ka rëndësi as kamja as fama,    

Është baraz fukaraja me një mbret.

Me duar të pastra

-Shih seç s’thonë mjekët në TV,

 i thanë një çifuti. 

Duhet të lajmë duart sa më shpesh”.

Ai qetas ia ktheu 

me fjalët Abrahamike.

Prej 4 mijë vjetësh 

s’na mbajtët vesh 

duhet të kujtoni fjalët e arta.,  

“Se vdekja mund të shmanget 

Veç kur i ke duar të pastra. 

Kam dhe s’kam frikë 

S’kam frikë nga vdekja,

Por nga gjithçka që pandemia  

Do të ndryshojë në jetë. 

Kam frikë nga asgjësimi, 

Por më  shumë se e gjitha kjo  

Kam frikë nga harresa. 

Kam frikë se nesër e gjitha kjo 

Mund të shkoj krejt dëm,

Dhe njerëzimi do t’ia nisi 

mbrapsht që nga fillimi.

Polici dhe plaku 

Në kohë karantine në Tiranë,

një plak i lutej një polici:  

“Ma jep hua maskën, 

Të ble ca bukën në dyqan!”

Polici u ndje krejt i befasuar

Dhe ai kishte pleq në shtëpi.

-“Në dreq urdhri, tha me vete,  

kohë e mbrapshtë, e mallkuar.

Kriminelët dalin në liri,

dhe arrestohen pleq të moshuar.  

E pa plakun, loti i rrodhi çurk,

maska i duhej, dhe ai kishte fëmijë.

Por hyri në furrë  dhe pas pak   

 bleu dy bukë dhe ia dha atij.

Filed Under: LETERSI Tagged With: COVID-19, Rafael Floqi

PRANVERE NE KARANTINE

March 24, 2020 by dgreca

Pranverë në karantinë/

Poezi nga Rafael Floqi -/Dielli/

Pranvera sot ka vënë maskë, /

Maskë në mars, /

Pranvera sot është mbyllur,/

Për 40 ditë, /

Në Quarantena./

Por atë askush, /

Nuk ka fuqi që ta ndalë, /

Edhe pse tulipanët në kopsht, /

S’kanë çelur,/

Edhe pse një gushëkuq, /

Ecën serbes në trotuaret pa njeri…/

Sot janë të gjithë mbyllur në shtëpi.

S’ka punë sot,

S’ka shkollë sot,

S’ka lëvizje.

Në rrugë zhurma e makinës së plehrave, 

Dhe një sirenë ambulance 

Që ndihet nga larg,

Kamioni ka lënë gjurmët e tij ,

Në koshat e zbrazur të plastikës

Por dhe aty punojnë njerëz,  

Gjurmë, se jeta vazhdon. 

Po dhe sot në Kongres 

Politikanët vazhdojnë e grinden,

Për fondet për urën që nuk shkon askund,

Por sot sa njerëz janë papunë.

E  njerëzit

Kërkojnë që sot që kura 

Të mos jetë më e dëmshme

Se sëmundja.

Që dihet se si e qysh  s’dihet nga erdhi   

Për një fajin tëndin, o njeri

Të atyre,

Që luajnë me Zotin,

Covid 19-të

Aty ka diçka përtej pazarit të gjësë së gjallë 

 E lakuriqëve të natës, 

Përtej ngrohjes globale.

“Për të vetmin fajin tënd”,

Siç thoshte dhe prifti 

Në kishën bosh,

Duke i shpërndarë ostet në ajër

Ku asnjeri s’kishte të rrëfehej.

Amen.  

Në këtë moment 

Ku njeriu 

Duhet të gjejë ngushëllimin

Për jetën, 

Duke folur drejtpërdrejt me ty, o Diell …      

O Diell – nëse mund t’i mbush duar si kupë 

Dhe të pi prej teje lëngun e jetës,

Të bëj një çudi të ndritshme, 

Ta ndal këtë tmerr për njerëzimin. 

O Diell

Sa dua,

Në emër të ëndrrave të mia, 

Në emër të familjes time 

Në emër të  fëmijëve të mi .

Në emër të dashurisë sime

Për jetën.

O Diell, 

Ç ‘janë këto fjalë që na thonë 

Të rrimë larg njeri tjetrit?

Madje dhe dashurinë, 

Këshillon Facebook-u 

Të bëjmë vetëm me veten (?!)

Dy metra=  6 feet ,

Një jetë …

Njeriu është njeri

Që kur u bë bashkë, 

Në një shpellë, në një zjarr,

Në kope, në fis e një farë,

Në fshatra e qytete e shtete   

Dhe ndezi një zjarr

Për të ngjallur ty, 

O Diell

Dhe filloi të flasë

Por jo me vete.

O Diell !

Merre dhe një pjesë nga unë 

Nga liria ime 

Në emër të dashurisë 

Për gjyshërit, 

Në emër të dashurisë 

Për prindërit, 

Në emër të dashurisë 

Për fëmijët, 

Në emër të dashurisë 

Për njeriun.

Për të mos i lënë diktatorët të bëjnë

Prova gjenerale 

Të durimit tonë, 

Pasi në kohët e “Fake News”

Dëgjon mjaft thagma .

Me tanke në për rrugë. 

Jo më kot, 

Ky virus ka një emër më kurorë  

Virusi i kurorës = Coronavirus.

Po vdekjen s’ ka

Kunorë që e shlyen,

O Diell.

Ndaj,

Ne emër  të atyre që vuajnë,  

Në emër të atyre që na lanë

E do na lenë,  

Sille pranverën !

Pse është dhe një pjesë prej meje,

Brenda trupit të saj. 

O ditë Marsi 

Shpalosi ngjyrat, shkundi ngjyrat në qiell, 

Pasi njeriut gjithnjë vdekja

Do t’i vijë prej vetes. 

Pasi,  

shkencë nuk do të thotë të luash me jetën.

Valëviti dhe tundni ngjyrat tuaja në qiell.

Deri kur të jem i grimcuar me bukuri. 

Pse ka tek ty 

Më shumë përsëritje të ajrit të diellit.

Se mund të marr frymë pa ventilator? 

Pse ka aty tinguj

Ka heshtje? 

Pse është një plagë që këndon

Rreth çdo ore drite.

Pse s’ka nevojë për parfum kur ka lule?

O Diell! 

Si mund të më shtysh

Më pranë dashurisë?

Ndaj njeriut,

Sot është koha 

Të jemi larg fizikisht, 

Për të qenë më afër shpirtërisht. 

Mjaft me politikë, mjaft me grindje, mjaft me raca.

Sot është koha të duhemi dhe pse në distancë

Para vdekjes jemi gjithë njësoj…

Pranverë mos u vono

Lulet e qershive nuk po çelin

Nuk kanë ato frikën nga virusi. 

Po si mund të çelin ato 

Kur s’ ka njerëz  t’i kundrojnë 

Hiqe maskën 

O Diell,

Lëshoi rrezet,

Kemi nevojë për shpresë.   

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafael Floqi

SHBA-ja, Kina dhe Koronavirusi

March 20, 2020 by dgreca

Nga Analizë nga Rafael Floqi /

-Sipas informacioneve në media/

“Diçka e tillë nuk është parë në histori”. Janë fjalët e presidentit amerikan Donald Trump, që i referohen përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Shtetet e Bashkuara ditën e djeshme kanë dyfishuar të prekurit nga COVID-19, duke arritur në 13.133, me 193 të vdekur. 

Presidenti amerikan edhe dje nuk ka munguar të thumbojë Kinën, duke përsëritur termin “kinez” kur i referohej koronavirusit, dhe duke shtuar se “bota po paguan një çmim të lartë për atë që ka bërë Kina, kur ka ngadalësuar shpërndarjen e informacionit”.  

Ndërkohë sot u raportua sërish se Kina nuk ka regjistruar asnjë infeksion të brendshëm nga koronavirusi. Vdekjet janë ngadalësuar në mënyrë të ndjeshme, duke shkuar në total 3248. Në vendin e parë tashmë qëndron Italia. 

Ndërkohë që presidenti Trump po pohon këtë, media e majtë vazhdon ta quajë racist, faktin që presidenti e quan koronavirusin si “virusi kinez”, madje kësaj akuze, i bëri jehonë edhe pretendenti kryesor për President nga demokratët, Joe Baiden. 

Quajta e sëmundjes sipas vend-origjinës nuk ka asgjë raciste, dhe është praktikë e njohur për disa sëmundje infektive, si p.sh MERS ( Sindroma e frymëmarrjes e Lindjes së Mesme)- apo Ethet Malteze, Gripi Spanjoll dhe Rubella ( Fruthi Gjerman), por këtu kalohet në një nonsens, dhe një politizim ekstrem. Nga ana tjetër, sado ekscentrik është presidenti Trump, ndalimi i udhëtimeve nga Kina shërbeu si frenues i pandemisë në shkallë të gjerë në SHBA, ndërsa demokratët e akuzuan për racizëm dhe po përgatisnin një vendim në Kongres, për t’i hequr të drejtën Presidentit Tramp për të bërë ndalimin e udhëtimeve, pikërisht pak para se të deklarohej botërisht pandemia.  Italia thënien e papërgjegjshme të krye bashkiakut të Firences Dario Nardela, kur sapo u shpall epidemia në Kinë, pat deklaruar ”ku është ai djali kinez ta përqafoj”, po e vuan tani vetë ai i infektuar, ku në Firence ka 1330 të infektuar dhe numri i vdekurve në Itali ka arritur pikun me 3405, madje më shumë se vetë Kina.

Përhapja dramatike e koronavirusit, i quajtur edhe COVID-19, ka detyruar zyrtarët amerikanë me një mision të përshpejtuar, për të rikthyer prodhimin e ilaçeve për shpëtimin e jetës së njerëzve në SHBA dhe larg kontrollit të qeverisë kineze. 

“SHBA është në varësi të plotë ndaj ilaçeve nga Kina, që nuk është një model i një vendi të qëndrueshëm,” thotë Das Nobel, themeluesi dhe CEO i Shërbimit MTX Group me bazë në Nju Jork. Ai i deklaroi Fox News se  “Qeveria e SHBA-së duhet të ketë përparësi në planifikimin e saj strategjik për të nxitur, prodhimin e produkteve të ilaçeve pa recetë brenda ShBA-së dhe të ndihmojë kështu në tejkalimin e hendekut, mes së kostos së prodhimit dhe fitimit bruto nga to.” 

“Historikisht, prodhimi i ilaçeve për popullsinë amerikane është bazuar në vend. Megjithatë, në dekadat e fundit, prodhimi i ilaçeve gradualisht është shpërngulur nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është veçanërisht e vërtetë për prodhuesit e përbërësve aktivë farmaceutikë (API), ilaçet aktuale që më pas formulohen në tableta, kapsula, injeksione, etj. ” Field vazhdoi. “Që nga gushti 2019, vetëm 28 përqind e objekteve prodhuese që bëjnë këto përbërës për tregun amerikan nuk ndodheshin në vendin tonë. Në të kundërt, 72 përqind e prodhuesve të API që furnizojnë tregun amerikan vinin nga jashtë shtetit, dhe 13 përqind e tyre nga Kina. “

Tregu farmaceutik i Kinës ka qenë vazhdimisht në rritje vitet e fundit, dhe vlerësohet të arrijë në 161.8 miliardë dollarë deri në vitin 2023, duke zënë një pjesë prej 30 përqind të tregut global, shkruante në dhjetor, një ekspert i industrisë. Fu Xudong, nënkryetar i gjigantit farmaceutik global, Bristol-Myers Squibb, sipas China.org,  gjatë përfundimit të takimit botëror të Inovatorëve të mbajtur Equal Ocean, më 2019 ku deklaroi se Kina është bërë tregu i dytë më i madh farmaceutik në botë, duke ndjekur pas Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2018, tregu i saj farmaceutik arriti në 127.9 miliardë dollarë, duke u rritur 2.4 përqind në vit. Në të vërtetë, përhapja e virusit të ri, nëpër brigjet e Amerikës në javët e fundit ka nënvizuar shqetësimin e për sa i përket “mbivarësisë ” së SHBA-së në prodhimin farmaceutik kinez. Amerika në thelb për shembull e pushoi prodhimin e brendshëm të penicilinës rreth vitit 2004, e cila në atë kohë vlerësohej si një veprim pozitiv për të kursyer para, nga ilaçet gjenerike. Por në vitet më të fundit, kjo politikë ka ngjallur një kakofoni shqetësimesh. 

Siç qëndron çështja? SHBA nuk prodhon shumicën dërrmuese të ilaçeve në vend dhe me vite ka qenë e varur nga zinxhiri i lirë dhe furnizimi larmishëm që e ka origjinën e tij në Kinë. Në fakt, mbi 80 përqind e produkteve farmaceutike të shitura në SHBA,  përveç pajisjeve mjekësore të rëndësishme, vijnë nga Kina. Edhe India, e cila prodhon rreth 24 përqind të importeve të ilaçeve në SHBA, varet nga Kina në furnizimin e saj me kimikatet thelbësore të nevojshme, për prodhimin e barnave gjenerike. Madje, dhe qarqet e integruar për prodhimin e respiratorëve për koronavirusin vijnë nga Kina dhe ato janë bllokuar prej disa vitesh. Në fakt, interesi ndaj Kinës u rrit menjëherë, pasi vendi iu bashkua Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) në vitin 2000.

Duke marrë parasysh sfidën gjeopolitike dhe ekonomike me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara nga një Kinë autoritare, Pekini tani mund ta përdorë kontrollin e tij ndaj përbërësve bazë që bëjnë shumë prej ilaçeve – dhe klasave të tëra të barnave- si levë në çdo mosmarrëveshje me Uashingtonin. Një zëdhënës i qeverisë Kineze e bëri këtë deklaratë kërcënuese javën e kaluar kur deklaroi se Kina do të ndërpriste furnizimin me ilaçe për SHBA.  Në mënyrë të veçantë, Kina prodhon përbërësit e nevojshëm për pjesën më të madhe të ilaçeve që do të duhet t’i mbajnë gjallë amerikanët . Qysh nga mjetet e matjes të presionit të gjakut, antibiotikët e deri te paracetamoli, ilaçet antivirale dhe reduktuesit e etheve e të temperaturës deri tek aspirina.

Disa projektligje bipartizane, duke përfshirë “Aktin e pavarur farmaceutik të reformës së gatishmërisë afatgjatë”, aktualisht janë në pritje në Kongres me qëllimin për të nxitur dhe madje edhe detyruar prodhimin e produkteve farmaceutike brenda kufijve të  SHBA dhe larg hegjemonisë kineze. 

Presidenti Trump javën e kaluar ndërmori një veprim më urgjent për këtë çështje, duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv, për t’i hapur rrugën prodhimit të maskave dhe plotësimit të nevojave të tjera të lidhura me ventiluesit e frymëmarrjes, që duhet të jenë produkte amerikane, sidomos në kohën e mungesës së furishme dhe krizës së pandemisë. Synimi i urdhrit është që të mbyllen boshllëqet ligjore, të hiqen pengesat ligjore të FDA dhe të inkurajohen kompanitë amerikane të prodhojnë sa më shumë produkte në SHBA, sesa në Kinë. Për të shmangur aftësitë e Pekinit për të kontrolluar tregun dhe rrjedhën kritike të medikamenteve. Departamenti i Mbrojtjes ka ngritur prej kohësh shqetësimin në lidhje me një dominim kinez në prodhimin e ilaçeve të tilla në përdorim të ushtrisë amerikane, si një shqetësim i sigurisë kombëtare.

Pandemia e papritur e koronavirusit ka nxjerrë në dritë të metat e një sistem të tillë, me mbylljet e fabrikave të medikamenteve të zakonshme, duke u zvogëluar prodhimin vendas. Javën e kaluar, Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) Stephen Hahn i tha Kongresit se më shumë se 200 ilaçe ishin në mungesa në SHBA.  Ndërsa qeveria amerikane në vitet e fundit ka financuar vetëm kërkime për operacione dhe hulumtime të prodhimeve të reja në shkallë të vogël, të atyre që në fushën e mjekësisë japin më shumë para – por që janë me humbje për shkak të kodifikimit të rreptë dhe të ligjeve përkatëse. Për të adresuar më tej kostot e modelit të lëvizjes të prodhimit larg-nga-Kina, disa ligjvënës dhe analistë tani po mbrojnë idenë që në territoret e tjera amerikane dhe / ose kombet e afërt – të tilla si Porto Riko dhe Meksika – të stimulohen dhe të ngarkohen me detyrën për të marrë rolin drejtues nga duart e Kinës duke u bërë bërthama qendrore për prodhimin e ilaçeve për SHBA.

“Do të duhet të punojmë për uljen e kostove të përgjithshme për të bërë barna të tilla – ose amerikanët do të duhet të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë,” tha Harry Kazianis. “Unë besoj se nëse do ta dinin që Kina mund të ndalonte prodhimin e ilaçeve në këtë moment – ia vlen të paguajmë një kosto shtesë, pasi nëse ilaçet do të prodhoheshin në vend, ne nuk do t’i nënshtroheshin presionit të një diktature që mban miliona njerëz nën zap”.

Por BBC thotë, se ka akuza e dyshime për të dhënat zyrtare të Kinës. Duke ndjerë presionin ndërkombëtar, Pekini tani ka ndryshuar strategji. Propaganda është zhvendosur te përpjekjet për të ndaluar virusin që të hyjë nga njerëz nga jashtë. Vëzhguesit thonë se kjo është një strategji që Pekini t’i tregojë me gisht vendet e tjera si fajtore dhe t’i largojë akuzat nga vetja . Në rast se Kina arrin të bllokojë ri-importimin e rasteve nga jashtë, do të fajësojë vendet e tjera që nuk e imituan dot progresin e saj.

Në të vërtetë, përhapja e virusit të pazakonshëm, nëpër brigjet e Amerikës në javët e fundit ka nënvizuar shqetësimin konkret të “varësisë së madhe ” të ShBA-së nga prodhimin farmaceutik kinez. Amerika në thelb pushoi së prodhuari në vend penicilinën rreth vitit 2004, gjë që, në atë kohë vlerësohej si një veprim pozitiv për të kursyer para të mëdha nga ilaçet gjenerike. Por në vitet më të fundit, kjo praktikë ka ngjallur një kakofoni shqetësimesh ekonomike gjeopolitike dhe sigurie. 

Në fakt, mbi 80 përqind e produkteve farmaceutike të shitura në SHBA. – përveç pajisjeve mjekësore të rëndësishme, përfshirë dhe produkte kozmetike – vijnë nga Kina. Edhe India, e cila përbën rreth 24 përqind të importeve të barnave nga ShBA, varet nga Kina, përsa i përket  furnizimin e saj me kimikate thelbësore të nevojshme për prodhimin e barnave gjenerike.

“Do të duhet të punojmë për uljen e kostove të përgjithshme për të bërë barna të tilla me teknologji robotike ose amerikanët, do të duhet të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë,” tha Kazianis. “Unë besoj se nëse do ta dinin që Kina mund të ndalonte prodhimin e ilaçeve në një moment – ia vlen të paguajmë një kosto shtesë, pasi ne e dimë që nëse ilaçet bëhen në vend, ato nuk do t’i nënshtroheshin presionit të një diktaturë që mban miliona njerëz në zap. 

Partia Komuniste Kineze është në vështirësi me njerëzit e vet, kështu që po përpiqet të  shmangë kritikën globale dhe po përhap teoritë e komplotit se si SHBA dhe ushtria amerikane, e shpërndau virusin në Kinë. Ashtu si zjarrvënësit proverbialë që e venë vetë zjarrin, Kina po ofron ndihmë modeste për të prekurit. Ndërkohë, disa elita perëndimore po bien në grackën e propagandës së Pekinit. 

Na është thënë që pas gjithë kësaj Kina do të udhëheqë një “rend të ri botëror”. Ky është një pretendim, i pa mbështetur nga asnjë fakt apo model i njohur i sjelljes i Partisë Komuniste Kineze . Por ne e dimë se Kina nën Partinë Komuniste Kineze vështirë se mund të qeverisë vetë vendin e vet, e lëre më një rend të ri botëror. Ekonomia e saj do të vuajë edhe më shumë edhe si rezultat i kësaj krize. Dhe populli kinez i prekur nga kjo paaftësi dhe shtypje e PKK e di saktësisht se sa pozitiv është komunizmi. 

PKK ka të ngjarë të miratojë politika të reja stimuluese fiskale, të cilat do ta bëjnë gjendjen e borxhit të saj më të keq dhe do të ulin produktivitetin. Kostot reale të trajtimit të krizës shëndetësore në Kinë ka të ngjarë që të jenë me përmasa më të larta se sa raportohet. Unë nuk jam një ekspert i shëndetit publik. Po për si një laik, duket se SHBA ka bërë një seri gabimesh që datojnë me dekada. Duhet të ketë një llogari, një “mësim-nxjerrje” mbi politikën e dështuar ndaj Kinës që po vazhdon prej dekadash. SHBA duhet të mësojnë nga gabimet dhe të ndryshojnë kursin.   Sidoqoftë kjo krizë, zbulon llojin e problemeve që Kina do të paraqesë për ne në vitet e ardhshme. Ajo është tashmë një vend i fuqishëm me ambicie të mëdha imperialiste, por të paplotësuara, ndaj do të përpiqet t’i eksportojë problemet e saj, nëse ne nuk do të përcaktojmë mënyrat se si t’i bëjmë ballë këtyre kërcënimeve. Siç duket, edhe në këto kohë krize, propaganda kineze e PKK, po zbaton dy porositë e gjeneralit të lashtë kinez, autorit të “Artit të Luftës”, Sun Tzu : “Paraqituni i dobët kur jeni i fortë dhe i fortë, kur jeni i dobët.” dhe se “Arti suprem i luftës është të nënshtrosh armikun pa luftuar” . Kjo strategji në këtë pandemi po e dëshmon këtë. Sa do mundet Kina, kjo është tjetër gjë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Koronavirusi, Rafael Floqi, SHBA-ja

KORONAPANIKU

March 13, 2020 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

-Virusi është këtu. Ka ardhur. Mos kini frikë!./

-Paniku masiv është po ashtu këtu. Po mbjell frikë./

A keni frikë nga infektimi prej koronavirusit? A jeni të shqetësuar, nëse s’jeni përgatitur siç duhet, për ardhjen e tij? Ju jeni tani në shoqëri me plot njerëz të tjerë të lebetitur. Në të gjithë vendin, njerëzit po grumbullojnë ushqime, në pritje të mungesave ose të vetë karantinës. Desinfektantët e duarve “Purell”, fluturuan nga raftet, në gjitha farmacitë lokale, dhe tani është e vështirë për t’i gjetur, dhe në Wallmart apo Cosco dhe, madje janë të padisponueshme për t’u gjetur edhe në Internet. Nëse kërkoje dje në Amazon, thuhej se mund të vinin me 7 Prill. Kjo më kujtoi një ditë tjetër të largët paniku, kur Durrësi sulmoi portin më 1997, dhe njerëzit turreshin të rrëmbenin një thes me miell, për në shtëpi. Kuptohet nuk i dihej së nesërmes. 

Unë e kuptoj impulsin e një personi, për t’u siguruar përballë një kërcënimi që e njeh. Por kur objekti i frikës është një pandemi, atëherë ne të gjithë jemi të humbur në këtë sfidë, të gjitha bastet janë të humbura. 

Presidenti Donald Trump njoftoi të Premten, një seri të re masash për të luftuar koronavirusin dhe trajtimin e atyre që preken. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë në Rose Garden, Trump shpalli një emergjencë kombëtare që mund të çlirojë 50 miliardë dollarë për të ndihmuar në luftimin e pandemisë dhe tha se ai po fuqizonte sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të hiqte dorë nga disa ligje dhe rregullore për të siguruar që virusi të mund të përmbahej dhe pacientët të trajtoheshin.

 “Për të çliruar fuqinë e plotë të qeverisë federale … Unë po deklaroj zyrtarisht një emergjencë kombëtare,” tha Trumpi.”Dy fjalë shumë të mëdha,” shtoi ai. Trump tha se aksioni do të “hapë mundësi qasjen e fondeve ” deri në 50 miliardë dollarë “për shtetet dhe territoret dhe lokalitetet, në luftën tonë të përbashkët kundër kësaj sëmundje”. I shoqëruar nga Zëvendës Presidenti Mike Pence, Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar dhe zyrtarë të tjerë të lartë federalë dhe drejtues të korporatave nga kompani të tilla si Walmart, Trump tha se aftësia për të hequr dorë nga disa ligje dhe rregullore të caktuara do të lejonte pranimin më të lehtë të të sëmurëve në nevojë, në shtëpitë e pleqve dhe do hiqte kufijtë fundorë për gjatësinë e qëndrimeve në spital dhe numrin e shtretërve në dispozicion të tyre.

Por në këtë rast, ekziston vërtet vetëm një arsye për alarm.  Koronavirusi është një rrezik i pasigurt dhe i paparashikueshëm. Kjo me të vërtetë na tërheq vëmendjen, sepse ne jemi mësuar nga evolucioni për t’u përgjigjur në mënyrë agresive kërcënimeve të reja ndaj jetës. Ai është instinkti kryesor i njeriut. Në fund të fundit, është më e sigurt që të mbijetoni me të panjohurën, sesa të bëni diçka për ta luftuar atë.

Fatkeqësisht, kjo do të thotë që ne priremi të mbivlerësojmë rrezikun e kërcënimeve të reja. Unë mund t’ju citoj statistika, deri sa të më merret fryma, duke ju demonstruar, se rreziku për të vdekur nga koronavirusi është më i vogël, në krahasim me rrezikun për të vdekur nga kërcënimet e përditshme, por dyshoj se ju do të pranonit që jeni më të sigurt. Për shembull, sipas Qendrave të ndryshme për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 169,000 amerikanë vdiqën nga aksidentet dhe 648,000 vdiqën nga sëmundjet e zemrës në vitin 2017, s.  Kurse, deri sot ka 41 të vdekur dhe 1629  amerikanë të infektuar nga koronavirusi.

Nuk duhet të kemi frikë nga COVID-19.  Por duhet të jemi të shqetësuar për implikimet e një agjenti infektues të ri që është përhapur në të gjithë botën dhe që vazhdon të gjejë shtigje të reja në vende të ndryshme si në SHBA dhe në Shqipëri e Kosovë , Italia apo Kinë.  Njerëzit duhet ta marrin seriozisht COVID-19, sepse aftësia e tij për të infektuar njerëzit është më e lartë sesa gripi. Ndërsa 80% e atyre që sëmuren do të kenë simptoma të buta, pjesa tjetër mund të ketë komplikime serioze apo edhe mund të vdesë. Por vetëm 1 për qind e të infektuarve vdesin.

Unë me të drejtë jam i shqetësuar për mirëqenien e atyre që janë të moshuar, në gjendje të dobët shëndetësore ose të pafuqishëm, ndoshta dhe për vete, pasi vuaj nga diabeti. Por jam për ndjeshmëri për ata të cilët mund të vuajnë, më së shumti, dhe në mënyrë disproporcionale, por ndoshta më shumë në duart e këtij paniku të ri. 

Po kam pse i druhem  COVID-19. Por ajo nga e cila unë kam frikë më tepër është humbja e arsyes dhe vala e frikës që i ka nxitur masat e shoqërisë drejt një spirale magjepsëse të paniku kolektiv, për të grumbulluar e sasi të pahijshme të çdo malli që mund të mbahet në shtëpi si në një magazinë një strehimi  antiatomik, si të jemi në një botë post apokaliptike “dum day”. 

Kam frikë nga maskat, që janë vjedhur nga spitalet dhe klinikat e kujdesit të urgjencës, nga ato me skadencë apo jo,  ku në të vërtetë janë të nevojshme për ofruesit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe në vend të tyre po dhurohen në aeroporte, qendra dhe salla kafeje, duke përjetësuar edhe më shumë frikë dhe dyshimin e njerëzve të tjerë. Kam frikë se spitalet tona do të mbingarkohen me këdo që mendon se “ata me siguri nuk e kanë virusin por gjithashtu mund të kontrollohen pa marrë parasysh se sepse thjesht nuk do dinë kurrë …” se ata po pengojnë ata me atak zemre, emfizema, pneumonia dhe çdo sëmundje tjetër dhe do të bllokojnë dhomat e pritjes të mbingarkuara të Urgjencës dhe do bllokojnë kaq shumë mjekë dhe infermierë që duhen për t’i vizituar ata.

Kam frikë se kufizimet e udhëtimit do të bëhen më të mëdha sa deri tani, se dasmat do të anulohen, ceremonitë e diplomimeve do të humbasin, tubimet familjare nuk do të mbahen. Dhe, madje, as ajo festë e madhe e quajtur Lojërat Olimpike do të shtyhet.

Arsyeja që kjo ndoshta nuk ju bën të ndjeheni më mirë është e thjeshtë.  Ashtu siç ne priremi të supozojmë më të keqen, rreth kërcënimeve në linjën e intrigës së një romani – strategjia më e sigurt, nëse jo më statistikisht e justifikueshme, është që ne kemi tendencë të nënvlerësojmë riskun e kërcënimeve të njohura, sepse janë të zakonshme për ne. Por ne nuk jemi shumë racionalë, kur bëhet fjala për vlerësimin e rrezikut të panjohur.

Lajmi i mirë është se edhe përballë frikës, ne duhet të kemi aftësinë të veprojmë në mënyrë të tillë, që të ndihmojmë në kufizimin e përhapjes së kësaj epidemie. Konkretisht, ne mund të sillemi në mënyrë altruiste, gjë që u sjell dobi të gjithëve.

Për shembull, hulumtimet tregojnë se kur njerëzve u thuhet se është e mundur,  por jo e sigurt – të shkojnë në punë, sepse duke qenë i sëmurë ju do të infektonin një bashkëpunëtor, njerëzit janë më pak të gatshëm të qëndrojnë në shtëpi, sesa kur kujtohen, për sigurinë që duke punuar, duke qenë i sëmurë do t’i  ekspozonte bashkëpunëtorët seriozisht ndaj sëmundjes. Duke theksuar sigurinë ndaj rrezikut, me fjalë të tjera, në mënyrë më efektive, ne motivojmë altruizmin, sesa duke theksuar mundësinë e një dëmtimi prej infektimit.

Mësimi i vërtetë që del prej këtej është që zyrtarët shëndetësorë, duhet të jenë të qartë duke i thënë publikut të mos përgjigjet në mënyrë egoiste ndaj epidemisë, duke marrë masa të tilla si të shkojnë në punë kur jeni të sëmurë ose duke mos të larë duart, sepse kështu  kërcënojmë edhe shëndetin e komunitetit.

Mund edhe ta imagjinoni tani edhe frikën?

Por dhe unë kam frikë, por më shumë kam frikë se do të jetë frika e epidemisë që do të kufizojnë tregtinë, do të dëmtojnë partneritetet në sektorë të shumtë, të biznesit dhe në të kundërt, dhe përfundimisht do të kulmojnë në një recesion global. Bursat po japin shenja. 

Por kryesisht, unë jam i frikësuar se çfarë mesazhi po u tregojmë fëmijëve tanë, kur ata përballen me një kërcënim të tillë . Në vend të arsyes, racionalitetit, mendjes së hapur dhe altruizmit, ne po u themi atyre të frikësohen, të jenë të frikësuar, të dyshimtë, dhe të reagojnë të interesuar vetëm nga vetvetja.

COVID-19 nuk është askund larg . Në mos qoftë afër, do të vijë në një qytet, në një spital, nga një mik, madje edhe nga një anëtar të familjes afër jush, në një moment të caktuar. Priteni atë. Ndaloni së prituri që të mos befasoheni më tej. Fakti është se virusi në vetvete, nuk do të bëjë ndonjë dëm shumë të madh kur të vijë. Por nëse sillemi me motivin “luftoni për veten mbi gjithçka tjetër” do të mund të jenë katastrofike. Unë ju lutem të gjithëve. Zëvendësoni temperaturën e frikës me arsyen, panikun me durimin dhe pasigurinë me edukimin. Ne kemi një mundësi, për të mësuar më shumë sesi mundet ta mundim virusin me higjienën e shëndetit dhe me kufizimin e përhapjes të panumërt të transmetueshme në shoqërinë tonë. Gjithnjë mund të ketë sfida të tilla.

Le ta kapërcejmë këtë sfidë së bashku, në frymën e më të mirës, të dhembshurisë për të tjerët, të durimin dhe mbi të gjitha, dhe me një përpjekje të pafund për të kërkuar të vërtetën, faktet dhe njohuritë, në krahasim me supozimet, spekulimet dhe katastrofat në kohën e “fake news”.

Fakte, jo frikë.  Duar të pastra. Zemrat të hapura.

Filed Under: Opinion Tagged With: Koronopaniku, Rafael Floqi

A mundet Michigani ta rrëzojë Berni Sanders nga gara?

March 7, 2020 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Ishte Michigani ku Sanders ndërtoi një mrekulli të zgjedhjeve paraprake katër vjet më parë, duke mërzitur Hillary Clinton dhe duke shtyrë axhendën e tij populiste në të gjithë Midëestin industrial. Rezultati tregoi jo vetëm pamundësinë e Clintonit për të fituar me votuesit e klasës punëtore në zgjedhjet e përgjithshme, por mbështeti argumentin e Sanders që, duke garuar përsëri, ai mund të kishte sukses aty ku Clinton dështoi, në një garë ndaj kundër Donald Trumpit.

Por a ka mundësi që këtë të martë, Sanders mund të mos ta fitojë shtetin? Edhe pse sondazhet e para së martës kanë shënuar nga humbje për Joe Biden, në të gjithë Jugun dhe në Massachusetts dhe Minesota – një sondazh i Detroit News / WDIV-TV e vendosi Biden përpara Sanders me gati 7 përqind në Michigan. Dhe kjo ndodhi përpara se Super e marta t’i jepte të gjithë forcën e momentit Bidenit që e siguroi nga fitorja në Karolinës së Jugut, duke bërë që demokratët e moderuar të bashkoheshin rreth tij dhe të bindnin më shumë votues të pavendosur që t’i bashkoheshin atij.

“Kjo gjë mund të përfundojë të gjitha zgjedhjet paraprake brenda tre javësh,” tha Paul Maslin, një sondazhues i lartë demokrat, i cili punoi në fushatat presidenciale të Jimmy Carter dhe Hoëard Dean, sipas gazetës së majtë “Politico”. “Nëse Joe nuk bën ndonjë gafë të tmerrshme. Ai do të fitonte votat e zezakëve minimalisht nga 25-75%. Pasi ai. nuk ka hijen negative të Hillarit. Dhe nëse njerëzit do të duan ta mundin Trumpin, atëherë kjo garë ka mbaruar ”.

Por këshilltarët e Sanders besojnë se zgjedhjet në Michigan mund të punojnë në favor të senatorit të Vermontit javën që vjen, me një fitore për të rivendosur vazhdimin e të mëtejshëm të tij në garë.

Përballja e javës së ardhshme përfaqëson një numër shumë më të vogël të delegatësh, por Michigan – me 125 delegatë – është një shtet kritik për zgjedhjet e përgjithshme dhe një tregues për demokratët. Një humbje këtu mund të minojë në mënyrë të konsiderueshme argumentin e Sanders për elektibilitetin e tij.

“Biden mund ta mundë, Bernien në Michigan,” tha Michael Ceraso, i cili punoi për Sanders në vitin 2016 dhe ishte drejtori i fushatës së Pete Buttigieg në New Hampshire para se ai të linte fushatën e tij. Biden, tha Ceraso, “e kupton që ndërtimi i koalicionit ka të bëjë me kompromisin, i cili do të ndihmonte atë në Michigan, ku elektorati është ekonomikisht i larmishëm, kryesisht i bardhë, me një popullsi të madhe votuese afrikano-amerikane.”

Biden ka pak gjurmë pranie në shtet dhe fushata e tij ka rezervuar vetëm 500,000 dollarë në kohën për reklama TV këtu. Por ai mund të gjejë rrugëdalje të reja.

Barry Goodman, një financues i Biden në Michigan, tha që Biden të hënën do të marrë pjesë në një fushatë mbledhje fondesh në shtet, nikoqirët e të cilit përfshijnë Goodman, ish-guvernatorin e Michiganit James Blanchard dhe kryebashkiakun e Detroitit, Mike Duggan.

“Të gjithë duan të hyjnë në bandën e tij tani,” tha Goodman. “Unë mendoj se nëse Joe fiton Michiganin me 10 Mars  Bernie mund të mos largohet ende. Por në javët në vijim, kur ai të humbasë edhe në Florida, Mississippi dhe Georgia, mendoj se ai do të duhej të tërhiqet. “

Fushata e Sanders ka qenë prej kohësh e sigurt për Michiganin, për shkak të përfundimit të fitores së tij në vitin 2016, si dhe pranisë së tij të kaluar midis punonjësve të bardhë të klasës punëtore dhe votuesve myslimanë. Në një sondazh të YouGov i bërë në mes të shkurtit, Sanders kryesonte mbi  Bidenin në Michigan me nëntë pikë përqindje.

Në fakt  Bernie Sanders është kandidat kryesor sot vetëm për shkak të mënyrës se si ne i rritëm fëmijët tanë vitet e fundit në SHBA.

Por, si arriti një socialist i prirur për gjithë jetën me ide te majta dhe madje komuniste që lëvdon Castron dhe dikush që kurrë nuk fitoi kurrë më parë në zgjedhje si demokrat, të jetë në krye të zgjedhjeve partiake demokrate.

Përgjigja e thjeshtë është, se ai po mbështetet nga miliona votues të rinj demokratë dhe ata janë votues aktivë të Sanders, edhe pse nëse prindërit e tyre nuk arrijnë ta kuptojnë këtë ?

Ja se si ndodhi kjo: Amerikanet u bindën se të gjithë kolegji ishte 100% i nevojshëm për fëmijët amerikane dhe më pas e bëmë të papërballueshëm. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, tufa e arsimtarëve, politikanëve dhe gazetarëve që e bënë të krijohet bindja se kolegji ishte thelbësor për suksesin në karrierë u bë shumë më i fortë dhe kjo mbyti çdo kundër argument.

Në të njëjtën kohë, kostot e shkollimit në kolegje kanë shpërthyer lart falë shumë programeve qeveritare që prodhuan pasoja të paqëllimshme, por të parashikueshme. Më së shumti filloi në 1978 kur u hodhën më shumë kredi dhe subvencione për një numër studentësh. Kostoja e shkollimit në kolegj është rritur gjashtë herë më shumë sesa shkalla e inflacionit duke filluar që nga vitet 1970. Tani, miliona të rinj amerikanë janë rënduar me shumë hua kolegji, që duken të pamundura për t’u shlyer. Borxhi i përgjithshëm i huave studentore në ShBA tani arrin në më shumë se 1.6 trilionë dollarë.

Ndaj a është çudi që kaq shumë prej tyre tërhiqen nga një kandidat presidencial , i cili jo vetëm premton të falë borxhet studentore, por e paraqet gjendjen e tyre në vështirësi, si rezultat i lakmisë së korporatave dhe përparësive të gabuara të qeverisë?

Për fat të mirë të Sanders, votuesit e rinj që e mbështesin atë për premtimet për faljen e borxheve te shkollimit të kolegjit nuk do të jenë shumë të interesuar në historinë e tij familjare. Gruaja e tij Jane Sanders ishte presidente e Kolegjit Burlington dhe ajo dhe administratorët e tjerë raportohet se ishin subjekt i një hetimi të gjatë të FBI-së pasi mashtruan oficerët e kredisë bankare për numrin real të fondeve të donacioneve të premtuara kolegjit. Hetimet e FBI për çështjen përfunduan në 2018, dhe Jane Sanders nuk u akuzua. Por politikat që ajo mbikëqyri e zbatoi, të cilat përfshinin presione për zgjerime të mëdha në kampus, ishin tregues i disa prej shkaqeve thelbësore të rritjes së kostove të studimit në kolegjet e Amerikës.

Establishmenti i të dyja partive i ka injoruar votuesit e rinj, sado e shenjtë dhe e rëndësishme është kjo gjë, pasi politikanët amerikanë e bëjnë gjendjen e arsimit në kolegje të shëndoshë. Kjo nuk është asgjë në krahasim me mënyrën se si liderët nga të dy partitë flasin për programe për amerikanët e moshuar si për Sigurimet Shoqërore dhe Medicare.

Asnjë prej tyre nuk është mister, pasi amerikanët e moshuar gjithmonë kanë pasur më shumë gjasa të votojnë. Edhe pse votuesit e moshës 18-29 vjeç kanë pasur rritje të numrit të pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit, qytetarët e moshuar ende përbëjnë pjesën më të madhe të kolegjit elektoral. Në vitin 2016, 71% e amerikanëve 65 vjeç dhe më të vjetër votuan në krahasim me vetëm 46% të moshave 18-29 vjeç. Në periudhën afatmesme të vitit 2018, ky  hendek u ngushtua në 66% në 36%, por gjithsesi mbetet një hendek dallues .

Të rinjtë janë mbështetës të zjarrtë por nuk janë të gatshëm të shkojnë në votime. Shtetet e Bashkuara kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së votuesve të rinj në botë. Në të dy zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe ato afatmesme, votuesit e moshuar dalin me dyfishin e nivelit të të rinjve. Ky model nuk ka ndryshuar në zgjedhjet e fundit. Në vitin 2018, sondazhet  vlerësuan nivele të larta historike të pjesëmarrjes së të rinjve; megjithëkëtë, edhe në këtë vit të mbarë për pjesëmarrjen e të rinjve, gjithsej 7 në 10 të rinj mori pjesë në zgjedhjet. Provat e hershme tregojnë se gjërat nuk do të duken shumë më ndryshe se në vitin 2020, përkundër faktit se të rinjtë do të kenë një sasi të konsiderueshme ndikimi nw zgjedhjet paraprake dhe se sa në zgjedhjet e përgjithshme.

Shumë njerëz argumentojnë se amerikanët e rinj nuk arrijnë të votojnë sepse janë apatikë ndaj politikës. Punëdhënësit  zakonisht përshkruajnë mijëvjeçarët si shumë cinikë, shumë të interesuar dhe të vetëmbyllur sesa për të hedhur një fletëvotim. Por kjo pretendim thjesht nuk është i vërtetë. Të rinjtë e sotëm janë shumë të interesuar për politikën. Nga 2000, 76% e të rinjve thonë se janë të interesuar për politikë dhe 74% thonë se i intereson ai që zgjidhet. Dhe këtu është ndryshimi.  Para zgjedhjeve, plot 81% e të rinjve thonë se synojnë të votojnë. Por çfarë i pengon ?  Megjithëse shumë të rinj duan të votojnë, ata kanë shumë më shumë gjasa sesa homologët e tyre të moshuar të largohen nga pengesat në rrugën e tyre pasi nuk kanë votuar më parë .

I gjithë ky përqendrim tek votuesit e vjetër dhe fondet e pensionit të tyre është një ndjenjë e bukur, por është e gabuar. Një studim i vitit 2017 mbi pasurinë e bazuar mbi moshën në ShBA tregon se një familje tipike e kryesuar nga një i rritur 65 vjeç apo më i vjetër ka 47 herë vlerën neto më shumë se një familjeje e kryesuar nga amerikanët e rinj. Pra gjyshi dhe gjyshja kanë para. Nga ana tjetër të ndihmosh njerëzit e moshuar që ndodh të jenë të varfër ose në kufijtë e varfërisë është diçka ndryshe. Por supozimi që shumë prej nesh ka për njerëzit e moshuar që kanë nevojë për më shumë ndihmë financiare në Amerikë është e kundërta e së vërtetës.

Po te shohim Obama Care Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, i cili fjalë për fjalë është marrëzi mbështetej nga Amerikanët e rinj dhe më të shëndetshëm që të plotësonin faturën financiare për të mbuluar njerëzit e moshuar dhe të sëmurë, dhe ju shihni pikërisht një model po këtu.

Sanders flet shumë për Sigurimet Shoqërore, dhe ai është padyshim vetë një qytetar i moshuar. Por ai zakonisht zgjeron premtimet e tij në fushatë për të përfshirë njerëz të rinj, siç bëri kur ai mori drejtimin me premtimin e Medicare for All në vitin 2017.

Tani kur Kongresi ishte në zjarr. Për të gjitha ndryshimet e politikave dhe minutat politike demokratët shpenzojnë të kur kritikojnë Presidentin Trump, sulmet më të qëndrueshme ndaj Trumpit nga institucioni Demokratik mbesin akuzat se Trump po mbështet epërsinë e të bardhëve dhe po kontrollohet nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Këto janë akuza të sipërfaqësore dhe është e vështirë të pranohet që edhe shumica e demokratëve të zgjedhur, në fakt, i besojnë ato.  Sanders mund të jetë një politikan në karrierë, por ai kurrë nuk ka qenë një politikan kryesor i Partisë Demokrate. Personi dhe marka e tij politike përshtatet shumë më mirë në narrativën e urrejtës se Partisë Demokratike. Establishmenti po korr atë që ka mbjellë. Si rezultat, duket gjithnjë e më shumë Sanders ka një moment të pandalshëm edhe pas Super se Martës dhe përtej, sidomos pas tërheqjes së Elisabeth Warren. Megjithatë të shohim?

Pyetja e madhe tani është nëse establishmenti demokrat do të përpiqet të shmangë Sanders përpara rasti është në Michigan ose gjatë Konventës Kombëtare Demokratike. Prandaj zgjedhjet ne Michigan me 125 delegatë këtë të martë kanë rëndësi. Por sido që të ndodhë, Partia Demokrate po luan me zjarrin pasi rrezikon të tjetërsojë përgjithmonë votuesit e rinj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Biden, Rafael Floqi, Sanders

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË KUJTIM TË CALVIN “CAL” LAWRENCE
  • NGA NJË IDE SHQIPTARE NË HARTËN BOTËRORE TË KARIKATURËS
  • Napoleon Bonaparti dhe trojet shqiptare…
  • A Dream I Once Imagined…
  • Tre dramaturgë anglezë – Thomas Whincop, William Havard dhe George Lillo, tri drama për Skenderbeun
  • Një dritare mbi Shqipërinë e trazuar: Kujtimet e Eqrem bej Vlorës (1885–1912)
  • Peng i drejtësisë së munguar…
  • Eseja e parë e Peter Priftit te Dielli – Shtegtim filozofik në 16 vjetorin e përjetësisë
  • KOSOVA PËRBALLË SË VËRTETËS NDËRKOMBËTARE: PA NJOHJEN E KOSOVËS, SERBIA NUK MUND TA KAPËRCËJË MURIN E EVROPËS
  • Petro Nini Luarasi dhe sfidat e shqiptarëve të shekullit XXI
  • “MOS E CËNONI PAQEN, GARANTONI BARAZINË”
  • Themeluese e “Artistè Foundation” në Kanada, Arta Rexhepi: “Dokumentimi i luftës së Kosovës është përgjegjësi historike”
  • “Jemi që pa ardhur deti”
  • Logu i bukurisë dhe i traditës në Kelmend
  • “Udhëtim pa mbarim”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT